LIVE UPDATES
Politike

Reforma zgjedhore/ PD bën propozimet: Ndalohen kreditë dhe dhuratat. Partitë të shfrytëzojnë vetëm fondet publike

Subjektet zgjedhore kanë të drejtë të hapin zyra jo më herët se 60 ditë para datës së zgjedhjeve, por numri i tyre nuk mund të jetë më i madh se një zyrë për njësi administrative.

31 Tetor 2022, 13:43 Nga k.m.
Reforma zgjedhore/ PD bën propozimet: Ndalohen kreditë dhe dhuratat.
Mbledhje nga Komisioni

TIRANË- Zbardhet i plotë propozimi i Partisë Demokratike për ndryshime në Kodin Zgjedhor. Eksperti i PD-së, Indrit Sefa prezantoi me pak fjalë propozimin e demokratëve, ku vihet theksi tek përdorimi i parave nga partitë politike, duke u hequr garuesëve mundësinë e marrjes së kredive, dhuratave apo huatë, ndërkohë që u vunë kufijtë për të caktuar me përpikëmëri atë që cilësohen si veprimtari e ndaluar zgjedhore. 

"Subjekteve zgjedhore dhe kandidatëve u ndalohet dhe mbajnë përgjegjësi penale në rast se ofrojnë ose japin të holla, të mira materiale, premtojnë për vend pune ose favorizime të tjera në cilëndo formë për zgjedhësin ose persona të tjerë të lidhur me të, me qëllim marrjen e firmës për paraqitjen e një kandidati në zgjedhje, për të votuar në një mënyrë të caktuar, për të marrë pjesë ose jo në votime, dhe/ose për t’u angazhuar në veprimtari të paligjshme për mbështetjen e një kandidati ose partie politike,"-shkruhet në dokument.  

Po ashtu, subjektet zgjedhore kanë të drejtë të hapin zyra jo më herët se 60 ditë para datës së zgjedhjeve, por numri i tyre nuk mund të jetë më i madh se një zyrë për njësi administrative.

"2. Radiot dhe televizionet private, në edicionet e tyre të zakonshme dhe të posaçme informative, duhet të respektojnë kushtet e mëposhtme: a) minutazhi politik i edicioneve informative ndahet në raporte kohore, sipas parashikimeve të pikës 1 të nenit 81 të këtij Kodi. Në rast të shkeljes së raporteve të pasqyrimit në favor të një partie, Komisioneri, kryesisht ose me propozimin e KZAZ-ve, e gjobit operatorin radioteleviziv vendor me 1,500,000 lekë dhe operatorin radioteleviziv kombëtar me 3,000,000 lekë. e) Nuk lejohet në asnjë rastë që media audiovizive të shfrytëzojë dhe përzgjedhë pamje filmike nga regjistrimet e plota apo të pjesëshmë të aktiviteteve politike gjatë fushatës zgjedhore të servirura nga subjektet zgjedhore . Në rast të shkeljes së kësaj dispozite, Komisioneri, kryesisht ose me propozimin e KZAZ-ve, e gjobit operatorin audioviziv vendor me 1,500,000 lekë dhe operatorin audioviziv kombëtar me 3,000,000 lekë."

Ndërkohë që duhet treguar kujdes edhe me “burimet”. 

Nga data e nxjerrjes së dekretit të Presidentit të Republikës për caktimin e datës së zgjedhjeve, ndalohet marrja në punë, pushimi nga puna, lirimi, lëvizja dhe transferimi në detyrë në personat juridikë publikë, për të shmangur përdorimin e administratës në zgjedhje. 

"Nga data e nxjerrjes së dekretit të Presidentit të Republikës për caktimin e datës së zgjedhjeve deri në formimin e qeverisë së re ose deri në betimin e kryetarit të Bashkisë, sipas rastit, pas zgjedhjeve, ndalohet propozimi, miratimi ose nxjerrja e akteve ligjore ose nënligjore, të cilat parashikojnë dhënien e përfitimeve për kategori të caktuara të popullsisë, të tilla si aktet që parashikojnë rritjen e pagave, pensioneve, mbështetjes ekonomike apo sociale, uljen ose heqjen e taksave, vendosjen e amnistive fiskale, privatizimin apo dhënien e pasurive a të shpërblimeve, etj., përveçse kur nisma kushtëzohet nga gjendje të fatkeqësisë natyrore. Në përputhje me ndalimet e parashikuara në këtë nen, Komisioni Rregullator, me propozim të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, nxjerr një udhëzim të hollësishëm për të përcaktuar përdorimin e burimeve publike dhe rastet e ndalimit,"-është propozimi i radhës nga PD.

Ashtu siç u diskutua edhe sot nga Komisioni i Reformës Territoriale, propozimi i PD-së ende nuk është komentuar dhe nuk ka pyetje nga anëtarët e Komisionit, që do të mblidhen me shumë gjasa të martën. 

PROJEKTLIGJI I PLOTË:

Në mbështetje të nenit 81, pikat 1 dhe 2 të Kushtetutës dhe nenit 68, pika 1 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, bashkëlidhur gjeni për shqyrtim dhe miratim projektligjin “Për Disa Shtesa dhe Ndryshime në Ligjin nr. 10 019, datë 29.12.2018 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar”, shoqëruar me relacionin përkatës, të propozuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.

Ju lutem, marrjen e masave për nisjen e procedurave parlamentare për shqyrtimin dhe miratimin e këtij projektligji në Kuvendin e Shqipërisë, në përputhje me nenet 68 e vijues të Rregullores.

Në ligjin nr. 10 019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, bëhen shtesat dhe ndryshimet, me përmbajtje si më poshtë vijon:

Neni 1

Në nenin 77, pika 2, pas fjalës “...medias...”, shtohet shprehja “...dhe platformave elektronike...”.

Neni 2

Në nenin 78, bëhet ndryshimet me përmbajtje si më poshtë:

1. Gjatë fushatës zgjedhore çdo subjekt zgjedhor ka të drejtë të bëjë propagandë zgjedhore në çdo mënyrë të ligjshme.

2. Marrëdhëniet e subjekteve zgjedhore me operatorët radiotelevizivë dhe platformave elektronike për transmetimin e veprimtarive të fushatës, mesazheve apo reklamave zgjedhore të subjektit u nënshtrohen rregullave, kushteve dhe kufizimeve të përcaktuara në këtë ligj.

3. Rregullat, kushtet dhe kufizimet e përcaktuara në këtë ligj kanë qëllim garantimin e barazisë së subjekteve zgjedhore në garë, sigurimin e paanësisë së operatorëve radiotelevizivë në raport me fushatën dhe subjektet e veçanta zgjedhore, si dhe mbrojtjen e subjekteve zgjedhore nga praktikat e deformimit të mesazhit zgjedhor, censurës dhe përdorimit të kundërligjshëm të medies.

4. Rezultatet e sondazheve zgjedhore nuk mund të publikohen gjatë 5 ditëve të fundit para datës së zgjedhjeve, përfshirë edhe datën e zgjedhjeve deri në orën e mbylljes së votimit.

5. Publikimi i rezultateve të sondazheve zgjedhore duhet të përfshijë edhe emrin e organizatorit të sondazhit, porositësin e tij, numrin e personave të intervistuar, probabilitetin e gabimit, si dhe periudhën e zhvillimit të sondazhit.

6. Ndalohet zhvillimi i fushatës zgjedhore në personat juridikë publikë[1].

7. Subjekteve zgjedhore dhe kandidatëve u ndalohet dhe mbajnë përgjegjësi penale në rast se ofrojnë ose japin të holla, të mira materiale, premtojnë për vend pune ose favorizime të tjera në cilëndo formë për zgjedhësin ose persona të tjerë të lidhur me të, me qëllim marrjen e firmës për paraqitjen e një kandidati në zgjedhje, për të votuar në një mënyrë të caktuar, për të marrë pjesë ose jo në votime, dhe/ose për t’u angazhuar në veprimtari të paligjshme për mbështetjen e një kandidati ose partie politike.

8. Subjektet zgjedhore dhe kandidatët e tyre nëpërmjet subjekteve zgjedhore bartin detyrimin për transparencë të të ardhurave dhe shpenzimeve, sipas rregullave të këtij ligji dhe akteve nënligjore të dala në zbatim të tij.

9. Subjekteve zgjedhore dhe kandidatëve u ndalohet të organizojnë ose të marrin pjesë, kryejnë apo mbulojnë shpenzimet vetë ose nëpërmjet të tretëve për koncerte, shfaqe kulturore argëtuese apo veprimtari bamirësie, pavarësisht nëse ato mbahen përgjatë ose në lidhje me tubimet elektorale, apo zhvillohen si veprimtari fushate ose jashtë saj.

10. Nuk përbën shkelje dhe subjektet zgjedhore dhe kandidatët lejohet të ofrojnë sende dhe materiale të printuara fushate kur vlera e tyre është më e vogël se pesë qind lekë për send ose material. KQZ-ja mban dhe përditëson listën e sendeve apo materialeve të lejuara për fushatë, me vlerat maksimale për secilin prej tyre.

11. Subjektet zgjedhore kanë të drejtë të hapin zyra zgjedhore jo më herët se 60 ditë para datës së zgjedhjeve. Numri i zyrave elektorale nuk mund të jetë më i madh se një zyrë për njësi administrative.

Neni 3

Në nenin 81, ndryshon emërtimin dhe bëhen shtesat dhe ndryshimet si më poshtë:

EDICIONET INFORMATIVE TË RADIOTELEVIZIONIT PUBLIK DHE NË RADIOT DHE TELEVIZIONET PRIVATE ME LIÇENSË KOMBËTARE

1. Në minutazhin politik të edicioneve informative,  radiotelevizioni publik si dhe radiot dhe televizionet private me liçensë kombëtare  janë të detyruar të zbatojë raporte kohore të barabarta për të gjitha partitë parlamentare, që në zgjedhjet e fundit për Kuvendin kanë marrë deri në 20 për qind të vendeve në Kuvend. Partitë që kanë marrë më shumë se 20 për qind të vendeve në Kuvend, përfitojnë kohë transmetimi të shpërndarë në mënyrë të barabartë midis tyre. Secila nga këto parti përfiton kohë sa dyfishi i kohës që përfiton një parti që ka marrë deri në 20 për qind të vendeve në Kuvend.

2. Në rast të shkeljes së raporteve të pasqyrimit në favor të një partie ose të një koalicioni, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve urdhëron reduktimin në të njëjtën masë të kohës në dispozicion të partisë ose koalicionit politik ose kompensimin e partive apo koalicioneve të tjera politike me minutazh shtesë brenda 48 orëve.

3. Transmetimi i veprimtarive të institucioneve publike, qendrore ose vendore, llogaritet në kohën e transmetimit të subjektit zgjedhor, të cilit i përket titullari i institucionit, nëse veprimtaria ndjek qëllime elektorale. Veprimtaria ndjek qëllime elektorale kur ajo synon promovimin e arritjeve institucionale, të investimeve, inaugurimeve ose ecurinë në ndërtimin e punëve publike ose kur promovon aspekte specifike të programit elektoral të subjektit zgjedhor.

4. Për pasqyrimin e veprimtarive të partive joparlamentare radiotelevizioni publik radiotelevizioni publik si dhe radiot dhe televizionet private me liçensë kombëtare zbaton kriteret profesionale të lajmit. Koha në dispozicion nuk mund të jetë më e madhe se koha e dhënë për partitë parlamentare, të cilat kanë marrë jo më pak se 20 për qind të vendeve në Kuvend.

5. Brenda edicioneve informative gazetarët e radiotelevizionit publik radiotelevizioni publik si dhe radiot dhe televizionet private me liçensë kombëtare e kanë të ndaluar propagandën, komentet ose qëndrimet politike.

6. Në rast të shkeljes së kërkesave të përcaktuara në këtë nen, Komisioneri gjobit, sipas rastit dhe shkallës së përgjegjësisë, me 100,000 lekë reporterin që ka përgatitur kronikën, me 300,000 lekë redaktorin përgjegjës, me 500,000 lekë drejtorin e informacionit dhe me 800,000 lekë drejtorin e përgjithshëm.

7. Vendimi i Komisionerit përbën titull ekzekutiv dhe zbatohet nga drejtoria e financës e radiotelevizionit publik. Ankimi ndaj vendimit nuk pezullon ekzekutimin e tij.

Neni 4

Në nenin 84, bëhen shtesat dhe ndryshimet si më poshtë:

1. Në radiot dhe televizionet private me liçensë kombëtare ose jo, pasqyrimi i fushatës zgjedhore bëhet vetëm në edicionet e zakonshme dhe të posaçme informative. Radiot dhe televizionet private nuk vënë kohë transmetimi në dispozicion të subjekteve politike për  pasqyrimin e fushatës zgjedhore të tyre. Informacionet mbi aktivitete të fushatës zgjedhore, që përgatiten dhe transmetohen në edicionet informative, bazuar në materiale të vëna në dispozicion nga subjektet zgjedhore, duhet të identifikohen qartë, në përputhje me udhëzimet e KQZ-së.

2. Radiot dhe televizionet private, në edicionet e tyre të zakonshme dhe të posaçme informative, duhet të respektojnë kushtet e mëposhtme:

a) minutazhi  politik  i  edicioneve  informative  ndahet  në  raporte  kohore,   sipas parashikimeve të pikës 1 të nenit 81 të këtij Kodi. Në rast të shkeljes së raporteve të pasqyrimit në favor të një partie, Komisioneri, kryesisht ose me propozimin e KZAZ-ve, e gjobit operatorin radioteleviziv vendor me 1,500,000 lekë dhe operatorin radioteleviziv kombëtar me 3,000,000 lekë.

b) transmetimi i veprimtarive të institucioneve publike, qendrore ose vendore gjatë periudhës së ndalit sipas nenit 91 të këtij Kodi, do të llogaritet në kohën e transmetimit të subjektit zgjedhor, të cilit i përket titullari i institucionit, nëse veprimtaria ndjek qëllime elektorale. Veprimtaria ndjek qëllime elektorale kur ajo synon promovimin e arritjeve institucionale, të investimeve, inaugurimeve ose ecurinë në ndërtimin e punëve publike ose kur promovon aspekte specifike të programit elektoral të subjektit zgjedhor.Radiotelevizioni privat është i detyruar të vendos në dispozicion të subjekteve të tjera të njëjtën kohë trasmetimi. Në rast të shkeljes së raporteve të pasqyrimit në favor të një partie, Komisioneri, kryesisht ose me propozimin e KZAZ-ve, e gjobit operatorin radioteleviziv vendor me 1,500,000 lekë dhe operatorin radioteleviziv kombëtar me 3,000,000 lekë.

c) për pasqyrimin e veprimtarive të partive joparlamentare dhe kandidatëve të propozuar nga zgjedhësit, radiot dhe televizionet private zbatojnë kriteret profesionale të lajmit;

ç) brenda edicioneve informative, gazetarët e kanë të ndaluar propagandën, komentet ose qëndrimet politike. Në rast shkeljeje, KQZ-ja e gjobit operatorin radioteleviziv vendor me 1,000,000 lekë dhe operatorin radioteleviziv kombëtar me 2,500,000 lekë. Vendimi i Komisionerit përbën titull ekzekutiv dhe zbatohet nga zyra e përmbarimit.

d) Media audiovizive përgatit lajmet në liri të plotë editoriale. Kur për shkaqe objektive media nuk është në gjendje të ndjekë veprimtari të veçanta zgjedhore, ajo në të gjitha rastet duhet te zbatojë dispozitat e këtij Kodi raportet e pasqyrimit të subjekteve konkuruese.

e) Nuk lejohet në asnjë rastë që media audiovizive të shfrytëzojë dhe përzgjedhë pamje filmike nga regjistrimet e plota apo të pjesëshmë të aktiviteteve politike gjatë fushatës zgjedhore  të servirura nga subjektet zgjedhore . Në rast të shkeljes së kësaj dispozite, Komisioneri, kryesisht ose me propozimin e KZAZ-ve, e gjobit operatorin audioviziv vendor me 1,500,000 lekë dhe operatorin audioviziv kombëtar me 3,000,000 lekë.

3. Radiot dhe televizionet private kanë të drejtë të organizojnë debate zgjedhore midis partive politike ose kandidatëve konkurrentë. Në organizimin dhe zhvillimin e debatit, radiotelevizionet private janë të detyruara të ruajnë baraspeshën mes partive politike në debat. Në rast të shkeljes së raporteve të pasqyrimit në favor të një partie apo një kandidati, Komisioneri, kryesisht ose me propozimin e KZAZ-ve, e gjobit operatorin radioteleviziv vendor me 1,500,000 lekë dhe operatorin radioteleviziv kombëtar me 3,000,000 lekë.

4. Vetëm subjektet zgjedhore të regjistruara për zgjedhje kanë të drejtë të transmetojnë reklama politike gjatë periudhës zgjedhore në radiot, televizionet apo mediat audiovizive private, qofshin këto numerike, kabllore, analoge, satelitore apo të çdo lloj forme dhe mënyre të transmetimit të sinjalit si dhe duke përfshire dhe platformat elektronike. Reklamat politike të koalicioneve zgjedhore llogariten brenda kohës së partive politike anëtare të koalicionit, sipas marrëveshjes individuale të secilës parti me operatorin radioteleviziv. Reklama politike duhet të identifikojë qartë subjektin porositës. Në rast se reklama politike nuk është identifikuar qartë, Komisioneri urdhëron pezullimin e menjëhershëm të transmetimit të saj derisa të bëhet identifikimi i kërkuar nga kjo pikë. Në rast të mos zbatimit të urdhërit të tij nga ana e në radiove, televizioneve apo mediat audiovizive private, qofshin këto numerike, kabllore, analoge, satelitore apo të çdo lloj forme dhe mënyre të transmetimit të sinjalit, Komisioneri, kryesisht ose me propozimin e KZAZ-ve, e gjobit operatorin radioteleviziv vendor me 1,500,000 lekë dhe operatorin radioteleviziv kombëtar me 3,000,000 lekë..

5. Koha e përgjithshme e transmetimit të reklamave politike gjatë gjithë fushatës zgjedhore nga secila radio dhe televizion privat nuk mund të jetë më shumë se 120 minuta për secilën parti të regjistruar për zgjedhje. Operatorët radiotelevizivë në çdo rast zbatojnë tarifa të njëjta brenda të njëjtit segment kohor përgjatë gjithë kohës së fushatës. Operatorët radiotelevizivë detyrohen të dorëzojnë 5 ditë përpara fillimit  të fushatës tarifat  për  çdo segment kohor pranë KQZ-së. Tarifat publikohen në faqen zyrtare të internetit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në rast të mos zbatimit të kësaj dispozite nga ana e në radiove, televizioneve apo mediat audiovizive private, qofshin këto numerike, kabllore, analoge, satelitore apo të çdo lloj forme dhe mënyre të transmetimit të sinjalit, Komisioneri, kryesisht ose me propozimin e KZAZ-ve, e gjobit operatorin radioteleviziv vendor me 1,500,000 lekë dhe operatorin radioteleviziv kombëtar me 3,000,000 lekë.

6. Për zgjedhjet në Kuvend radiot dhe televizionet private kombëtare dhe satelitore, të cilat pranojnë reklama me pagesë, sipas këtij neni, detyrohen që gjysmën e kohës totale të reklamës së parashikuar në pikën 5 të këtij neni t’ua vënë në dispozicion falas subjekteve zgjedhore. Kostoja për vënien e kohës në dispozicion falas subjekteve zgjedhore nga ana e radiove dhe televizioneve private llogaritet si shpenzim i zbritshëm për efekte tatimore. Ngarkohen KQZ-ja, enti rregullator për mediat audiovizive dhe Ministri i Financave të nxjerrin udhëzimet përkatëse.

7. Reklamat politike të subjekteve zgjedhore transmetohen ndërmjet intervaleve kohore nga ora 15:00 deri 18:00 dhe nga ora 21:00 deri 24:00 të programit ditor.

8. Reklamat për kandidatët për kryetar të njësive të qeverisjes vendore llogariten në kohën e subjektit politik që ata përfaqësojnë.

9. Për partitë joparlamentare dhe për kandidatët e propozuar nga zgjedhësit, radiot dhe televizionet private vënë në dispozicion kohë transmetimi shtesë për reklamat mbi kohën që zbatohet, sipas pikës 5 të këtij neni. Koha e transmetimit të reklamave për secilën parti joparlamentare dhe kandidatët e propozuar nga zgjedhësit nuk mund të jetë më e madhe  se  20  minuta  për  gjithë  fushatën  zgjedhore.  Për  partitë  joparlamentare  dhe kandidatët e propozuar nga zgjedhësit zbatohen tarifa të njëjta me ato që zbatohen për partitë parlamentare, si dhe kritere të njëjta për kohën falas, sipas pikës 6 të këtij neni. Në rast  shkeljeje,  KQZ-ja  gjobit  operatorin  radioteleviziv  vendor  me  2,000,000  lekë  dhe operatorin radioteleviziv kombëtar me 3,500,000 lekë.

10. Institucioneve publike në nivel qendror dhe vendor, dita e nxjerrjes së dekretit të Presidentit të Republikës për caktimin e datës së zgjedhjeve ,  u  ndalohen  reklamat,  me  përjashtim  të  atyre  që  i  shërbejnë  qëllimit  të ndërgjegjësimit të zgjedhësve për aspekte të procesit zgjedhor ose njoftime të tjera të parashikuara nga ligji. Në rast të mos zbatimit të kësaj dispozite nga ana e në radiove, televizioneve apo mediat audiovizive private, qofshin këto numerike, kabllore, analoge, satelitore apo të çdo lloj forme dhe mënyre të transmetimit të sinjalit, Komisioneri, kryesisht ose me propozimin e KZAZ-ve, e gjobit operatorin radioteleviziv vendor me 1,500,000 lekë dhe operatorin radioteleviziv kombëtar me 3,000,000 lekë.

11. Vendimi i Komisionerit  përbën titull ekzekutiv dhe zbatohet nga zyra e përmbarimit. Ankimi ndaj vendimit nuk pezullon ekzekutimin e tij. Në rast të mos pagimit të gjobës për sanksionet e lartëpërmendura në këtë nen brënda afatit 5 ditor ose/dhe në rastin e përsëritjeje të shkeljes, Komisioneri urdhëron entin rregullator për mediat audiovizive të bëjë bllokimin e transmetimit të operatorit radioteleviziv për 48 orë. Bllokimi vendoset jo më vonë se ora 18:00 e ditës pasardhëse

Neni 5

Në nenin 86, bëhen ndryshimet me përmbajtje si më poshtë:       

            Gërma “c” shfuqizohet.

            Gërma “ç” shfuqizohet.

Neni 6

Neni 90 shfuqizohet.       

Neni 7

Në nenin 91, bëhen shtesat dhe ndryshimet si më poshtë:

1. Me përjashtim të rasteve të parashikuara me ligj, nuk mund të përdoren ose të vihen në mbështetje të kandidatëve, të partive politike ose të koalicioneve në zgjedhje burime të organeve apo enteve publike në nivel qendror ose vendor, apo çdo lloj enti tjetër ku shteti zotëron kapitale apo kuota ose/dhe emëron shumicën e organit mbikëqyrës apo organit administrues të entit, pavarësisht nga burimi i kapitalit ose pronësia.

2. Në kuptim të këtij neni, “burime” quhen asetet e luajtshme dhe të paluajtshme, të parashikuara në nenin 142 të Kodit Civil, si dhe çdo burim njerëzor i institucionit. Me përdorim të “burimeve njerëzore” kuptohet përdorimi në fushatë zgjedhore i administratës së institucionit brenda orarit të punës për qëllime të zgjedhore, si dhe përdorimi brenda orarit mësimor i nxënësve të sistemit shkollor parauniversitar në fushatë zgjedhore.  Me përdorim të burimeve njerëzore kuptohet gjithashtu premtimi ose ofrimi i përfitimeve nëpunësve publikë, ose nxënësve për të marrë pjesë në veprimtari që lidhen me fushatën zgjedhore jashtë orarit të punës ose mësimit, si dhe ushtrimi i presionit ndaj tyre për këtë qëllim.

3. Nga data e nxjerrjes së dekretit të Presidentit të Republikës për caktimin e datës së zgjedhjeve, ndalohet marrja në punë, pushimi nga puna, lirimi, lëvizja dhe transferimi në detyrë në personat juridikë publikë, të përmendur në pikën 1 të këtij neni, me përjashtim të rasteve të përligjura. Konsiderohen raste të përligjura rastet kur lëvizja apo lirimi nga puna vjen si rrjedhojë e shkeljeve, sipas legjislacionit përkatës, ose marrja në punë bëhet brenda strukturës dhe organikës në fuqi përpara caktimit të datës së zgjedhjeve nga personat juridikë publikë në përmbushje të misionit të tyre. Në këtë rast, personi juridik publik duhet të njoftojë KQZ-në me shkrim brenda një afati 5-ditor nga data e kryerjes së emërimit, pushimit, lirimit apo transferimit. Njoftimi duhet të përmbajë në mënyrë të arsyetuar shkaqet e përligjura.

3/1. Nga data e nxjerrjes së dekretit të Presidentit të Republikës për caktimin e datës së zgjedhjeve, ndalohet kryerje e proçedurave të Prokurimeve Publike të çdo natyre përveç atyre me rëndësi jetike[2]. Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit dhe Ministria e Financave në asnë rast nuk mund të bëjnë pagesa për kontrata publike të lidhura pas datës së nxjerrjes së dekretit të Presidentit të Republikës për caktimin e datës së zgjedhjeve.Në rast të shkeljes së kësaj dispozite titullari mba përgjegjësi penale sipas përcaktimeve të Nenit 248 të Kodit Penal te Republikës së Shqipërisë.

4. Nga data e nxjerrjes së dekretit të Presidentit të Republikës për caktimin e datës së zgjedhjeve deri në formimin e qeverisë së re ose deri në betimin e kryetarit të Bashkisë, sipas rastit, pas zgjedhjeve, ndalohet propozimi, miratimi ose nxjerrja e akteve ligjore ose nënligjore, të cilat parashikojnë dhënien e përfitimeve për kategori të caktuara të popullsisë, të tilla si aktet që parashikojnë rritjen e pagave, pensioneve, mbështetjes ekonomike apo sociale, uljen ose heqjen e taksave, vendosjen e amnistive fiskale, privatizimin apo dhënien e pasurive a të shpërblimeve, etj., përveçse kur nisma kushtëzohet nga gjendje të fatkeqësisë natyrore.

5. Në përputhje me ndalimet e parashikuara në këtë nen, Komisioni Rregullator, me propozim të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, nxjerr një udhëzim të hollësishëm për të përcaktuar përdorimin e burimeve publike dhe rastet e ndalimit.

Neni 8

Në nenin 92, bëhen shtesat dhe ndryshimet si më poshtë:

1. Personat juridikë publikë janë të detyruar të raportojnë në KQZ të gjitha veprimtaritë me karakter publik që planifikojnë të zhvillojnë në periudhën nga data e nxjerrjes së dekretit të Presidentit të Republikës për caktimin e datës së zgjedhjeve deri në ditën e zgjedhjeve. Konsiderohen veprimtari publike të gjitha veprimtaritë që janë të hapura për pjesëmarrjen e publikut ose të medias ose të pasqyruara në platformat elekronike. 

1.1. Personat juridikë publikë janë të detyruar të raportojnë në KQZ brënda 10 ditëve nga data e nxjerrjes së dekretit të Presidentit të Republikës për caktimin e datës së zgjedhjeve organigramën, buxhetin e miratuar dhe kontratat publike në fuqi.

2. Raportimi është përgjegjësi personale e personit përgjegjës për drejtimin administrativ të personit juridik publik. Raportimi duhet të kryhet jo më vonë 10 ditë përpara afatit të planifikuar për zhvillimin e veprimtarisë.

3. Raportimi sipas pikës 1 dhe 1/1 të këtij neni kryhet nëpërmjet ndërfaqes për raportimin e veprimtarive publike, e cila mbahet dhe administrohet nga KQZ-ja. KQZ-ja pasi shqyrton raportimin dhe dokumentacionin shoqërues vendos në lidhje me miratimin ose jo zhvillimin e veprimatarisë publike. Personat përgjegjës marrin akses të personalizuar te kjo ndërfaqe dhe hedhin të dhënat për datën dhe orën e veprimtarisë, llojin e saj, tematikën, nivelin më të lartë të pjesëmarrjes, të ftuarit e nderit, folësit e planifikuar dhe mediatizimin. Informacioni sipas kësaj pike është i aksesueshëm nga të gjithë përdoruesit e ndërfaqes nga momenti i hedhjes së të dhënave deri në datën e shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve.

4. Në rast se KQZ-ja, kryesisht ose me kërkesë të të tretëve, konstaton nga informacioni, sipas pikës 3 të këtij neni, se veprimtaria mund të përbëjë keqpërdorim të burimeve shtetërore, atëherë ajo urdhëron ndalimin e zhvillimit të saj. Ndalimi kryhet nëpërmjet vendosjes së shënimit “Ndaluar nga KQZ-ja” në ndërfaqen e raportimit, në pjesën që i takon veprimtarisë. Shënimi “Ndaluar nga KQZ-ja” vendoset jo më vonë se pesë ditë përpara afatit të planifikuar për zhvillimin e veprimtarisë. Informacioni sipas kësaj pike është i aksesueshëm nga publiku, nga momenti i hedhjes së të dhënave deri në datën e shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve.

5. Veprimtaritë e ndaluara nga KQZ-ja nuk lejohet të publikohen në media ose platformat elektronike. Publikimi i tyre në kundërshtim me këtë pikë ngarkon me përgjegjësi personin që realizon publikimin.

6. Mosraportimi i veprimtarive me karakter publik të personave juridik publikë ose zhvillimi i tyre, pavarësisht ndalimit nga KQZ-ja, ngarkon me përgjegjësi personin përgjegjës, si dhe titullarin përkatës të personit juridik publik kur ai ka penguar zbatimin e kësaj dispozite. 

7. Rregullat e detajuara për raportimin e veprimtarive publike, ndalimin e veprimtarive që përbëjnë keqpërdorim të burimeve shtetërore, përcaktohen me vendim të Komisionit Rregullator, me propozim të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve.

8. Masat administrative për shkeljen e dispozitave të këtij neni vendosen nga Komisioneri, kryesisht ose me propozimin e KZAZ-ve, i cili e gjobit shkelësit nga 500,000 lekë deri në  1,000,000 lekë në varësi të shkeljes së kryer. Vendimi i Komisionerit  përbën titull ekzekutiv dhe zbatohet nga zyra e përmbarimit. Ankimi ndaj vendimit nuk pezullon ekzekutimin e tij.

Neni 9

Në nenin 92/4 bëhen shtesat dhe ndryshimet si më poshtë:

1. Jo më vonë se 10 ditë nga dekretimi i datës së zgjedhjeve, KQZ-ja cakton një numër të mjaftueshëm personash për të monitoruar përmbushjen nga subjektet zgjedhore të detyrimeve në lidhje me financimin e fushatës dhe detyrimeve të tjera sipas këtij kreu.

2. Komisioni Rregullator, me propozim të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, miraton me udhëzim kriteret për përzgjedhjen e monitoruesve dhe objektin e monitorimit. Monitorimi nënkupton verifikimin e përmbushjes së detyrimeve sipas këtij ligji të personave juridikë publikë, subjekteve zgjedhore dhe kandidatëve të tyre.

3. Monitorimi nuk duhet t’i ekspozojë monitoruesit ndaj rreziqeve të panevojshme.

4. Monitorimi nuk kërkon që monitoruesit të llogarisin shpenzimet totale për fushatë zgjedhore nga subjekti zgjedhor ose variablat e ndryshme financiare, që kërkojnë mbledhje të metadatave të zgjeruara.

5. Në rastet kur monitoruesit vërejnë shkelje gjatë procesit të monitorimit, ata informojnë KQZ-në, përmes mënyrës së përcaktuar nga KQZ-ja, në të njëjtën ditë që bëhet vëzhgimi.

Neni 10

Neni 134 riformulohet me përmbajtje si më poshtë

1. Shqyrtimi administrativ për kërkesën ankimore zgjedhore zhvillohet nga KAS  në seancë plenare.

2. Relatori i përcaktuar nga shorti për kërkesën ankimore drejton seancën plenare.

3. Afatet për kryerjen e veprimeve hetimore administrative caktohen nga KAS në konsultim me palët.

4. Shqyrtimi i kërkesës ankimore përpara KAS bëhet verbalisht, por palët mund të parashtrojnë me shkrim shpjegimet dhe pretendimet e tyre rreth çështjes.

5. Gjatë shqyrtimit të kërkesës ankimore mbahet procesverbal nga një  punonjës i caktuar nga KQZ-ja dhe, për sa është e mundur, seanca plenare regjistrohet me zë dhe/ose me figurë. Në procesverbal shënohen në mënyrë të përmbledhur shpjegimet e palëve dhe pasqyrohen në mënyrë të plotë provat që merren, si dhe urdhrat e vendimet e ndërmjetme të KAS

Neni 11

Neni 135 riformulohet me përmbajtje si më poshtë

1. Në ditën dhe në orën e caktuar palët njoftojnë sekretarinë e ngritur posaçërisht nga KQZ-ja për praninë e tyre.

2. Përpara fillimit të seancës, administrata e KQZ-së thërret palët ose përfaqësuesit e tyre dhe i fton të zënë vendet e caktuara.

3. Pasi deklarohet çelja e seancës së shqyrtimit, verifikohet legjitimimi  procedural i palëve, sipas nenit 133 këtij Kodi.

4. Në qoftë se në ditën dhe në orën e caktuar njëra ose disa prej palëve nuk paraqiten, seanca zhvillohet pavarësisht pjesëmarrjes së tyre.

5. Përpara se palët të paraqesin pretendimet e tyre, KAS: a) pranon ose refuzon deklarimet individuale të anëtarëve të KAS për ekzistencën e konfliktit të interesit, sipas nenit 17 pika 3 të këtij Kodi; b) vendos lidhur me kërkesat e palëve për përjashtimin e anëtarëve të KAS për ekzistencën e konfliktit të interesit, në përputhje me nenin 17 pika 4 të këtij Kodi; c) vendos lidhur me kërkesat e palëve apo të relatorit për mosshqyrtimin e çështjes për mungesë kompetence të KAS ose kalim të afatit për ankim. 6. Pasi merr vendim për kërkesat paraprake të palëve dhe në rast se ato nuk sjellin pushimin e shqyrtimit administrativ, KAS shqyrton dhe zgjidh çështjen në themel, pa ndërprerë seancën. Seanca ndërpritet vetëm kur është e nevojshme marrja e provave nga të tretë. 

Neni 12

Neni 136 riformulohet me përmbajtje si më poshtë

1. Në përfundim të veprimeve të përcaktuara në nenin 135 të këtij Kodi, KAS  fton palët të paraqesin pretendimet e tyre dhe:

a) të japin shpjegime rreth kërkesave të parashtruara në ankim;

b)të tregojnë faktet dhe provat, mbi të cilat mbështesin pretendimet e tyre. Llojet e provave përcaktohen në Kodin e Procedurës Civile; dhe

c) të kërkojnë marrjen e provave për të vërtetuar faktet, në rast se nuk ka qenë e mundur që këto prova të siguroheshin paraprakisht prej tyre, duke paraqitur njëkohësisht edhe arsyet përse nuk ka qenë i mundur sigurimi i tyre.

2. Pas paraqitjes së pretendimeve të palëve, KAS, me kërkesë të secilës prej tyre ose kryesisht, mund të vendosë marrjen e provave të tjera kur çmon se marrja e tyre është në dobi të gjykimit.

3. Kërkesa për marrjen e provave, sipas shkronjës “c” të pikës 1 të këtij neni, kur mbështetet nga dy anëtarë të KAS, pranohet menjëherë pa iu nënshtruar debatit ose votimit në KAS. KAS është e detyruar të procedojë menjëherë me marrjen dhe shqyrtimin e provave të kërkuara.

4. KAS mund të refuzojë kërkesën e ankuesit apo të palës së interesuar për marrjen e provave, sipas shkronjës “c” të pikës 1 dhe pikës 2 të këtij neni, vetëm nëse vlerëson se prova nuk shërben për të vërtetuar faktet e pretenduara. Arsyetimi i KAS për refuzimin e marrjes së provës jepet i detajuar në vendimin përfundimtar. KAS nuk mund të refuzojë kërkesën për prova, të bërë sipas pikës 3 të këtij neni.

5. Paraqitja e pretendimeve të palëve fillon me ankuesin dhe vijon me palët e interesuara, sipas radhës së caktuar nga Relatori i shqyrtimit të ankesës ankimore. Kjo radhë ruhet gjatë gjithë proçedimit.

6. Pavarësisht nga përcaktimet e bëra në këtë nen, kur KAS çmon se një fakt, rrethanë ose ngjarje ka ndodhur, ajo merret si provë, pavarësisht nëse nuk është pasqyruar në ndonjë dokument zgjedhor.

Neni 13

Neni 137 riformulohet me përmbajtje si më poshtë: 1. KAS u kërkon organeve të administratës publike të vënë në dispozicion informacione, dokumente ose çdo provë tjetër që kërkohet ose çmohet e nevojshme për hetimin administrativ. 2.Organet e administratës publike janë të detyruara të vënë në dispozicion provat, sipas pikës 1 të këtij neni, me marrjen e kërkesës së KAS dhe brenda afatit dhe mënyrës të përcaktuar në të. 3. Në qoftë se organi i administratës publike, pa shkaqe të ligjshme, refuzon plotësimin e kërkesës ose nuk e plotëson atë në afat, Komisioneri pas referimit nga ana e KAS, në përputhje me nenin 172 të këtij Kodi, gjobit ose, sipas rastit, kallëzon për ndjekje penale personat përgjegjës të përcaktuar në nenin 4 të këtij Kodi.

reforma territoriale 2022

Dokumenta bashkëngjitur

Sondazh

Poll

Nisin homazhet për policin që u vra në krye të detyrës gjatë aksionit në Maliq, kolegët e tij në lot

Nisin homazhet për policin që u vra në krye të detyrës gjatë aksionit në Maliq, kolegët e tij në lot

Drejtori i Hekurudhave, Ergys Verdho paraqitet në SPAK

Pas më shumë se katër orësh, qytetarët vijojnë protestën rrugëve të Kryeqytetit

Gjesti i veçantë i protestuesit, u dhuron lule efektivëve në shenjë solidariteti për policin e vrarë

Pas tre orësh protestë, turma vijon qëndresën: Dorëheqje!

Prej më shumë se tre orësh para Kryeministrisë, protestuesit ndezin flakadanë

"Kush s'kërcen nuk është shqiptar o hej"/ PAMJE me dron nga protesta madhështore për Zvërnecin

Thirrja e qytetarit të Rrjollit: Hajde rini, merre situatën në dorë dhe drejto vendin

Me flamuj dhe pankarta në duar, qytetarët e Durrësit sërish protestë për projektin në Zvërnec

Tentoi të futej në Kryeministri, protestuesja bën simbolin e shqiponjës

"Ne i duam parqet, lodrat, natyrën"/ Vogëlushi në protestë thirrje: Mbrojini për ne!

Protesta kundër projektit në Zvërnec/ Brohoret turma: Edi Rama o tradhtar, duhet lidhur me litar

Protesta për Zvërnecin, qytetarë mbajnë 1 minutë heshtje për efektivin e vrarë në krye të detyrës

"Ruani qetësinë, Ramën ta zhdukim me të mirë"/ Tensione në protestën kundër projektit në Zvërnec

PAMJE nga protesta madhështore kundër projektit në Zvërnec/ Oshëtin bulevardi: O pallosh o zagar

Mijëra protestues në shesh thirrje ndaj kryeministrit Rama: Duam dorëheqje

Protesta për Zvërnecin, babai i Martin Canit i bashkohet protestuesve në shesh

Mijëra qytetarë në Bulevard/ Thirrje kundër Ramës dhe Berishës: U ka ardhur fundi, në burg

Balla nga Kuvendi: Greqia u ka borxh shqiptarëve marrëveshjen për pensionet

Dita e 5-të e protestës për Zvërnecin/ Nis marshimi drejt bulevardit: Revolucion

Balla ‘thumbon’ Berishën: U trembe nga protestuesit që erdhën te selia e PD-së dhe ndryshove qëndrim

"Na keni ça k***"/ Noizy shpërthen keq ndaj protestuesve: Nuk po e shet njeri Shqipërinë!

'Zvërneci'/ Berisha: Ju jeni mafie si në Beograd. Të gjitha dokumentet ju i shumëzoni me zero

Berisha: Pse e fshihni kreun e Meduzës. Tokat në Zvërnec i ka rrëmbyer Pjerini nga Lezha dhe Agaçi

Reperi Gashi mbështet protestat për Zvërnecin: Fëmijët tanë nuk janë mysafir në tokën e tyre

Këngëtarja Bebe Rexha vlerësohet me cmimin “Female Icon Award 2026”

Banorët dhe pushuesit përballen me fenomenin e pazakontë në Ksamil

"Ktheni ligjin për investimet strategjike" Bozdo në Kuvend: Betonizuat bregdetin e jugut...

Përplasje e ashpër mes Strazimirit e Muçit: Të rinjtë po protestojnë kundër jush, mbani përgjegjësi

"Marksist-leninist i vogël'! Përplasje e ashpër mes Strazimirit e Muçit:

Ngjarja e rëndë në Maliq/ Autori transportohet drejt Tiranës, familjarët: Çfarë i bëre?!

Berisha: Xhelati Rama u vë protestuesve paqësorë, topat e ujit që gjuajtën edhe foshnjën në karrocë

Berisha-Piro Vengut: Dezertove nga ushtria dhe mashtrove se je pasardhës i Marko Boçarit

Fshihej në një zonë të pyllëzuar, ja vendi ku u gjet autori i ngjarjes në Maliq

"Rama do organizojnë antimiting në Vlorë", Balla i përgjigjet Berishës: Kemi festën e PS!

Bido i kthehet opozitës: Ku ishit ju më 30 maj që nuk folët për Zvërvecin?

“Keni paralajmëruar anti-miting në Vlorë”, Berisha thirrje Ramës: Anuloje, është praktikë fashiste

Deputeti i “Lëvizjes Bashkë”: Rendi i ditës së sotme është kërkesa për dorëheqjen e qeverisë

U plagos në operacionin për kapjen e një personi në kërkim, mbërrin te Trauma polici

Vrasja e efektivit të Policisë në Korçë, Kuvendi nis me një minutë heshtje

Vrau një efektiv dhe plagosi një tjetër, mbërrin në spital autori

Reshjet përmbytin rrugët e Shëngjinit, vështirësi në qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve

Qytetarët nisen sërish drejt kryeministrisë, me flamurin kuq e zi dhe brohorima vazhdojnë protestën

Protestuesit marshojnë drejt zonës së Bllokut, qytetarët e tjerë nuk iu bashkohen #dosja #protesta

Protesta nuk ka të ndalur, qyetarët bllokojnë rrugën te Ura e Tajvanit, thirrje në kor policëve

Nga Sheshi tek Banka, qytetarët bllokojnë rrugën: Edi Rama ka mbaru

Qytetarët nuk ndalen në protestë/ Bllokojnë rrugën te selia e PS-së, ulen në gjunjë

Vazhdon protesta për Zvërnëcin/ Protestuesit ngren nga kafet qytetarët te Opera

E mbuluar me flamurin kuq e zi, e reja shfaqet me foshnjën në krah gjatë protestës

"Edi Rama jep dorëheqjen/E reja nga protesta:Ka ardhur koha të shkosh me Berishën te Veliaj dhe Meta