LIVE UPDATES
Aktualitet

Studiuesi Vehbiu analizon testin e Maturës: I shkruar keq, ai tekst nuk i bën nder shqipes. Çalon në nivelin ligjërimor

14 Qershor 2020, 12:31 Nga DOSJA

TIRANË- Studiuesi Ardian Vehbiu ka reaguar sot në lidhje me testin e Gjuhës Shqipër dhe Letërsisë, i cili ka ngjallur shumë debate në publik. Në një shkrim në “Peisazhe të Fjalës”, Vehbiu ka bërë një analizë gjuhësore për të ndihmuar edhe ata nxënësit, mësuesit dhe qytëtarët të cilët kanë hasur vështirësi në kuptimin e testit.

Vehbiu shprehet se ky tekst është shkruar me stil shumë të keq, ku në shumë raste ai gjen përdorimin e temrave të huaj dhe i zëvendëson me fjalë shqipe. Në fund ai mbështet maturantët dhe thotë se është e drejta e nxënësve protestues dhe e të gjithë atyre që e duan dijen.

ANALIZA E PLOTË

I hodha një sy historisë së Turit, aq të përfolur, në testin e Ministrisë së Arsimit për maturantët. Dhe, meqë pyetja rreth këtij teksti lidhej pikërisht me stilin e tij (“Cila nga fjalitë e mëposhtme mund të vijojë në të njëjtin stil aksionin e nisur në paragrafin e dhënë më sipër?”), thashë ta këqyr edhe unë nga afër “stilin” – që të gjej çfarë nuk më shkon atje:

Barka filloi të rrëshqiste me shpejtësi përgjatë lumit të rrëmbyer, ndërsa katër njerëzit që ndodheshin në të, bërtisnin nga euforia. Zemrat e tyre rrihnin fort, ndërsa manovronin me shkathtësi lopatat përmes ujërave të trazuara. Madje dhe Turi, i cili fillimisht ishte ndier i shqetësuar në lidhje me udhëtimin me barkë, e harroi frikën kur valët e akullta përplaseshin mbi të. Papritur, ai vështroi skajet e mprehta të një shkëmbi të dhëmbëzuar që iu shfaq përpara.

Përfundimi im, që do ta arsyetoj në vijim për të ndihmuar edhe ata nxënës, studentë dhe lexues që e kanë ndier tashmë se ka diçka edhe ligjërimore që nuk shkon me historinë e Turit, është se ky tekst nuk i bën nder shqipes. Përpiqet të tingëllojë shqip, madje edhe ia del herë-herë, por shqip nuk është, dhe ja pse:

Na thuhet se në barkë kish “katër njerëz”, por – edhe pa u ndalur në atë që ky informacion numerik është i panevojshëm (mund të kishte edhe shtatë ose dy dhe historisë të mos i ndryshohej asnjë presje) – shqipja thotë “katër vetë” duke ia rezervuar “katër njerëz” konteksteve të tilla si “njëra barkë kish katër njerëz, ndërsa tjetra dy dele, një lopë dhe një qen.”

Shprehja “që ndodheshin në të” është e ngathët, burokratike, e kategorisë: “makina u përfshi nga flakët, së bashku me katër udhëtarët që ndodheshin në të” ose “helikopteri u rrëzua në det, së bashku me të sëmurin që ndodhej në të.” Askush nuk flet kështu. Turi dhe miqtë e tij nuk “ndodheshin” në barkë. Po udhëtonin me barkë. Po lundronin. Po shijonin një aventurë. Po kërkonin vdekjen. Por jo “ndodheshin në të.”

Po ashtu, Turi: “e harroi frikën kur valët e akullta përplaseshin mbi të.” Përplaseshin mbi çfarë? Mbi “frikën”? Shqipja do të parapëlqente: “kur valët e akullta iu përplasën… në fytyrë (në gjoks, në trup…).”

Na thuhet se këta katër njerëz (jo dele, as lopë) “bërtisnin nga euforia”. Fjala euforia është e tepërt këtu, bie ndesh edhe me tonin, edhe me leksikun e përdorur gjetiu në tekst. Gëzim, hare, ngazëllim ose edhe eksitim, etj., do të mjaftonte. Fundja edhe galdim ose gazmend. Xhanëm, edhe “bërtisnin si të ndërkryer”, etj., duke përdorur një mbiemër, në vend të një emri abstrakt.

Na thuhet: “zemrat e tyre rrihnin fort” – një shprehje po aq e ngathët sa edhe “*koka e tij dhimbte” ose “këmba ime u mpi”. Shqipes nuk i vjen dhe aq për mbarë të përdorë pronorë me emra pjesësh dhe organesh të trupit. Unë do të pëlqeja: “U rrihnin zemrat fort”, siç do të pëlqeja “i dhimbte koka” ose “m’u mpi këmba”, duke përdorur dhanoren pronësore.

Na thuhet: “manovronin me shkathtësi lopatat”. Folja manovroj – në këtë kuptim që ka në tekst dhe si folje kalimtare – kërkon si kundrinë një mjet lëvizës, p.sh. manovroj autobusin ose manovroj anijen; të thuash manovroj lopatat tingëllon po aq artificiale, sa manovroj çekiçin për të ngulur gozhdën. Aq më tepër që nuk ka ndonjë arsye, për të përdorur foljen manovroj këtu, përveçse po të jetë fjala për barkën vetë. Në fakt, edhe vazhdimi i fjalisë, “… përmes ujërave të trazuara”, i referohet logjikisht barkës; sepse është barka që manovrohet përmes ujërave të trazuara (me anë të lopatave).

Të vijmë tani te Turi. Që “fillimisht” ishte ndier… Por kjo fillimisht, ndajfolje e ngathët, mund të ish shmangur – ndoshta “në krye” ose “në fillim” do të zinin vend më mirë. Për Turin na thuhet se ishte ndier i shqetësuar “në lidhje me udhëtimin”: ja një parafjalë e burokratishtes, një nga ato vegla përtace, që zgjedhim t’i përdorim kur nuk dimë ose nuk duam të shprehemi saktë. Mbiemri i shqetësuar, në shqip, do të kërkonte parafjalën për, ose edhe me dhe nga; kjo “në lidhje me” është e një kategorie me “sa i përket”, “në raport me”… etj., e panevojshme dhe parazitare, në këtë kontekst.

Turi, na thuhet më tej, “e harroi frikën”, kur “valët e akullta përplaseshin mbi të.” Dhe pastaj: “Papritur ai vështroi skajet e mprehta të një shkëmbi të dhëmbëzuar që iu shfaq përpara.” Por folja vështroj është përdorur këtu gabim: në shqipe, vështroj ndryshe nga shoh, shquaj, vë re etj., parakupton edhe intencionalitet, vëmendje, përqendrim: që ta vështrosh diçka, duhet ta kesh parë (një analogji, do të ishte krahasimi me anglishten watch vs. see). Prandaj papritur… vështroi është oksimoron. Ka edhe më: ky shkëmb, që “vështroi” Turi, “iu shfaq përpara”. Turit? Me logjikë, duhet t’i jetë shfaqur barkës, jo Turit, sa kohë që Turi gjendet në barkë. Edhe një nga përgjigjet e mundshme: D) “Turi u hodh në të djathtë për të shmangur shkëmbin dhe gati e përmbysi varkën” e ngatërron lexuesin: sepse sërish duket sikur shkëmbi do të godasë Turin, jo barkën. Tani, unë nuk kam ndonjë eksperiencë me rafting (siç nuk kanë, besoj, shumë nga maturantët e testit), por sërish nuk arrij dot të besoj që Turi do t mund të përplasej me shkëmbin, nëse do të rrinte në barkë. Po atëherë, si do ta shmangte Turi shkëmbin, duke u hedhur “në të djathtë”? (E djathta është po aq relevante këtu, sa edhe forma e vetullave të Turit. U hodh anash do të mjaftonte – sepse nuk lexuesit nuk i është dhënë asnjë orientim tjetër, për të përfytyruar të djathtën dhe të majtën e Turit në rrëfim.)

Më tej akoma, na thuhet: “Turi e harroi frikën kur valët e akullta përplaseshin mbi të.” Ka një rregull të thjeshtë në gramatikë, të ngjashëm me “consecutio temporum” të latinishtes, dhe 

që rregullon raportet mes kohëve të foljes në një fjali: sa kohë që “e harroi” është në të kryerën e thjeshtë, folja pasuese duhej të ish edhe ajo në të kryerën e thjeshtë “u përplasën”: “Turi e harroi frikën kur valët e akullta u përplasën mbi të”: diçka më mirë, apo jo? Kjo e pakryer, përplaseshin, shënon zakonisht një veprim të përsëritur në të shkuarën: “Kur valët e akullta më përplaseshin në fytyrë, unë e harroja frikën”: kjo shënjon një eksperiencë të përsëritur. Të krahasohet me: “Kur valët e akullta m’u përplasën në fytyrë, unë e harrova frikën”, që shënjon një eksperiencë të vetme. Të parën, “kur valët e akullta më përplaseshin në fytyrë”, e kanë quajtur edhe “E pakryera e Proust-it” (éternel imparfait, nga Flaubert-i), një përftesë elegante për të treguar diçka që ndodhte në të shkuarën, duke e nxjerrë nga hic dhe nunc e rrëfimit tradicional: “kur ajo hynte në dhomë dhe më gjente të zhytur në kolltuk, duke thithur një puro…” etj.

Le të shtoj edhe se “e harroi frikën” nuk më dëgjohet si shqip: do të kisha thënë “i iku frika”, “i doli frika”, etj. Askush nuk thotë “e harrova frikën”…

Të vijmë tani te pleonazmat. Nëse “lumi” ishte “i rrëmbyer”, atëherë edhe “ujërat” do të ishin “të trazuara”; nëse shkëmbi është “i dhëmbëzuar”, atëherë skajet e tij do të jenë doemos “të mprehta”; dhe po ashtu: nëse Turi “vështroi diçka papritur”, atëherë kjo doemos “iu shfaq përpara”, sepse Turi nuk i ka sytë në zverk, etj. Këto përdorime nuk janë pa tjetër “të gabuara”, por ato i japin tekstit një tingëllim artificial, si të ishte i shkruar nga një dorë e kujdesshme, por e pasigurt.

Përshtypja ime: ky tekst është shkruar me stil shumë të keq; dhe e prezanton padenjësisht Ministrinë e Arsimit, që ua ka dhënë nxënësve si test. Të jep ndjesinë e një gjelle të pagatuar mirë, të një shujte që të ngec në fyt e të provokon të vjellët. Një shqipe që nuk rrëshqet, as të rrëmben, që as të ngroh as të ftoh, as të kafshon as të lëshon; një shqipe e mykur; një shqipe e drunjtë.

Është e drejta e nxënësve protestues dhe e të gjithë atyre që e duan dijen, besoj, që të kërkojnë kush është shpërblyer, me paratë e taksapaguesve, për të nxjerrë nga dora një karikaturë të tillë të shqipes.

Shënim: shumë nga vërejtjet më lart janë të diskutueshme; tek e fundit, stili është një bashkësi preferencash. Lexuesi mund të mos bjerë dakord me mua, ose edhe mund të dallojë – në shqipen time – mëkate të ngjashme (gjen sa të duash – shpesh nuk e gjej dot kohën as vullnetin e duhur për t’i lëmuar tekstet e mia si duhet). Por le të mos humbim kohë me cic-mice të tilla: flasim për një tekst që duhej të siguronte një transparencë ligjërimore të mjaftueshme, për ta ndihmuar nxënësin të përqendrohej te pyetjet. Për një tekst që duhej të ishte neutral: dhe ky neutralitet gjuhësor, me sa duket, paska qenë i pamundur, ose përtej kapacitetit të hartuesve të tekstit. Në çdo rast, unë nuk dua të ofroj ndonjë recetë, as të tregohem pedant – tekst i mirë shqip, për mua, është ai që nuk më tingëllon keq e që s’më ngec, gjithë duke i shërbyer qëllimit për të cilin e kanë hartuar. Për t’iu kthyer analogjisë me gjellën: gjella e mirë nuk të çon në mend kripën, por gjella pa kripë të bën të zgjatësh dorën drejt kripores. Për këtë “kripë” e kam fjalën.

(A.B. Dosja.al)

1 vit nga zgjedhjet e 25 prillit si e shikoni gjendjen e vendit:

View Results

aktualitet aktualitet ardian vehbiu matura shetetërore 2020 protesta e maturanteve ardian vehbiu matura shetetërore 2020 protesta e maturanteve


Sondazh

Poll

Ndryshim drastik i motit, stuhia përfshin Dhërmiun

Ndryshim drastik i motit, stuhia përfshin Dhërmiun

Ndryshim drastik i motit, stuhia përfshin qytetin e Vlorës

Shi dhe erë e fortë, stuhia e befasishme godet Vlorën

Sharon Stone tregon pse nuk finalizoi me martesë lidhjen me stilistin 38-vjeçar

Rama batuta me banorin që iu shemb ndërtimi pa leje në Theth:Koka bën, koka pëson

Mbyllen fjalimet para Kryeministrisë, protestuesit nisin marshimi

Deklarata e ministres serbe për Kosovën/ Ish-luftëtari i UÇK-së: Heshtja e Shqipërisë është fyerje

Aktivisti: SPAK hap hetimet për kryeministrin Rama, tregoni që jeni patriotë dhe bëhuni me ne

Aktivisti: Do qëndrojmë derisa kjo qeveri e korruptuar dhe ky kryeministër të largohet

Protestuesi: Protesta do vazhdojë deri në rrëzimin e tij

“Pa rini nuk ka Shqipëri”/ Protestuesit nisin marshimin drejt Kryeministrisë: Rama jepe dorëheqjen!

“Mbret pa popull, kjo është kurora e Edi Ramës”/ I riu në protestë: Rama ka humbur mbështetjen

“Nuk duam bashkimin me Librazhdin”/ Banorët në Prrenjas protestojnë kundër reformës territoriale

"Shpati artist që nuk lypi ndonjëherë"/ Rezart Veleshnja reagon për ndihmën e Labinot Tahirit

Rama sulmon sërish protestuesit: Dalin lloj-lloj sharlatanësh delirantësh e ekstremistësh

Jeta private la nën hije filmin ‘Don't Worry Darling’, regjisorja Olivia Wilde flet për projektin

Flakët përfshijnë një sipërfaqe toke në Elbasan/ Dëgjohen shpërthime, dyshohet për fishekë

Rama: Synimi është të rriten të ardhurat, turizmin e luksit e keni vetëm ju

Rama: Keqinterpretuan fjalën time dhe u zaptua zemra e Thethit

Rama nga Thethi: Paketa e Maleve nuk është për biznesmenë dhe as për oligarkët

Rama nga Thethi: Ka një keqkuptim të madh për Paketën e Maleve

Publikohen pamje brenda Postës në Durrës, ish-shefja e Financës me një thes në dorë merr para

Berisha: Eurodeputeti denoncon Ramën si njeriun që përdor familjarët e tij për të transportuar para

"Një tufë budallenjsh"/ Ministri Gonxhja fyen protestuesit: Hajde rrugë budallait

Korreshi ironizon Manjën për koncertin e Kanye West: Te Luan Zhegu jam ende, ti kërceve upsi-dupsi

"Kemi refuzuar Jennifer Lopez se donte 2 milionë euro garanci"/ Gonxhja: Kërkesa nuk u pranua

“Nuk shiten malet, është mundësi për pronarët dhe emigrantët” Rama: Paketa e Maleve, nuk anulohet

Abuzimi me tenderat e AKSHI-t! Mirlinda Karçanaj paraqitet në SPAK

Rama mes protestave: Ata që gjykojnë nga kafeneja nuk e njohin Paketën e Maleve

Rama- protestuesve: Delirantë, injorantë dhe dështakë-zemërakë!

Filmi The Princess Diaries 3 nuk është anuluar, çfarë tha aktorja Anne Hathaway?

Fotoja e djalit të porsalindur të Zëvendëspresidentit J.D. Vance publikohet nga Donald Trump

Do mbështesim njëri-tjetrin si miq, deklarata e Jessie J për ndarjen nga Chanan Coleman

Të shtëna me armë zjarri në Elbasan, plagosen tre persona

Mbyllen fjalimet, nis marshimi në rrugët e kryeqyetit: Rama jepe dorëheqjen!

Aktivisti: Nuk jemi nazistë, por jemi shqiptarë të cilët po largohemi çdo ditë

Protestuesi: Kërkojmë largimin e një qeverie dhe një kryeministri të korruptuar

Aktivisti: Më datë 23 të gjithë para Parlamentit, t’u themi se nuk na përfaqësoni

Dita e 51-të e revoltës/ Protestuesit marshojnë nga sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë

“Kryeministri bridh, Taulanti vendos”/ Qytetari: Dalim në protestë për skandalet e qeverisë

Labinot Tahiri mban premtimin, do të ndajë 150 euro me djalin e të ndjerit Shpat Kasapi

Zjarr përgjatë autostradës Fier–Vlorë, vështirësohet qarkullimi i automjeteve

Pse Bebe Rexha u komentua gjerësisht për performancën e saj në Los Angeles për Kupën e Botës?

Yjet që dhuruan spektakël në finalen e kupës së botës

Përplasje mes Bardhit dhe Peleshit: Ky precedent nuk i vlen askujt, si mund ta bllokosh Kuvendin

"Më shiko në sy Sali"/ Çaushi- Berishës: Dezinformove për reformën dhe për shtëpinë time

Bie zjarr në zonën e Ujit të Ftohtë, flakët favorizohen nga era dhe temperaturat e larta

Tensione në Kuvend, deputetët e PD bllokojnë foltoren, ndërpritet seanca plenare

Rama: Protestat për mjedisin janë arritje e madhe për shoqërinë

"Dyfishohet mbështetja për fëmijët me aftësi të kufizuara"/ Rama: Shteti do të paguajë sigurimet