Protestë masive kundër projektit në Zvërnec/ Qytetarët para Kryeministrisë thirrje kundër qeverisë: Rama të japë dorëheqjen (PAMJET)
Protesta vijon, qytetarët shpalosin flamurin masiv kuq e zi në bulevard: Rama ik 4 Qershor, 21:28 Betejë pa li...
Protesta vijon, qytetarët shpalosin flamurin masiv kuq e zi në bulevard: Rama ik 4 Qershor, 21:28 Betejë pa li...
"Rama do organizojnë antimiting në Vlorë", Balla i përgjigjet Berishës: Kemi festën e PS, por ti nuk je i ftuar! ...
Ish-ushtarak dhe njohës i armëve/ Kush është Violand Braçellari, 43-vjeçari që vrau një polic e...
Pas më shumë se tre orësh, mbyllet protesta para Kryeministrisë/ Qytetarët thirrje: Nesër sërish në...
TIRANË– Kryeminisitri Edi Rama ka mbajtur fjalimin e fundit për vitin 2019, ku nëpërmjet një videoje në faqen e tij në Facebook ka uruar publikihst të gjithë shqiptarët për festat e fundvitit. Rama bëri një bilanc të punëve të kryera nga qeveria gjatë viti 2019, teksa shtoi edhe nismën e ndërmarrë për rindërtimin e të gjitha banesave të shembura nga tërmeti.
Kryeministri u shpreh se ishim shumë me fat që numri i ë vdekurve nuk qe shumë më i lart dhe e theksoi se kjo ishte një mrekulli nga duart e Zotit që u ndal aty. Në lidhje me këtë ngjarja, Rama falenderoi forcat e posaçme të Ushtrisë që u gjëndën të gatshmë dhe pranë rrënojave për të nxjerrë trupat e njerëzve dhe të palgosurit.
Më tej kryeministri foli edhe për faktin se viti 2020 do t’i gjejë të gjithë banorët e prekur nga tërmeti në shtëpi të reja dhe akoma më të mira se çfarë kishin më parë.
Rama foli edhe për paketën anti-ligjore Anti-KÇK që pritet të marrë jetë nga janari duke shtuar se gjithë ata të fortit që i bëjnë karshillëk shoqërisë do t’u tronditen fort themmelet, pasi sipas kryeministrit, kanë nxirë faqen e vendit në sytë e botës.
Në fund kryeministri foli edhe për Mini-Shengenin rajonal, një nismë që ka hapur majft debate mes Shqipërisë dhe Kosovës. Rama sulmoi tërthorazi Haradinaj dhe Kurtin duke shtuar se nuk është ai tradhëtari, dhe se nuk do ta bënte kurrë një gjë të tillë për popullin e tij. Rama i cilësoi mediocre deklaratat e homologëve të tij në Kosovë, teksa shtoi se ata nuk po arrijnë dot të krijojnë një qeveri.
Fjala e kryeministrit Edi Rama
“Të dashur bashkëqytetarë.
Miq të faqes sime sociale, teksa viti po mbaron, po marr pak prej kohës suaj, për të ndarë me ju një reflektim dhe një urim. Ky që po mbyllet ishte një vit tejet i ngarkuar. Me plot momente posaçërisht të vështira që na sprovuan durimin. Na lënduan shpresën Dhe fundmi, na lëkundën deri edhe tokën nën këmbë. Tërmeti i 26 nëntorit ishte kulmimi tragjik i këtij viti të vështirë. 51 të vdekur, thuajse 1000 të plagosur, mijëra familje që në më pak se një minutë humbën çatinë mbi krye, dhjetëra mijëra të tjera që lanë shtëpitë në Tiranë e Durrës, nën presionin e ankthit të pashembullt që pllakosi zemrën e Shqipërisë, mund të kishin gjunjëzuar këdo. Mund ta kishin kthyer vendin tonë, vite e vite të tëra mbrapa. Duke kaluar ditë e netë të gjata përmes gërmadhave ku kërkoheshin jetë, turmave të njerëzve të mbledhur bashkë nëpër rrugë në errësirë e në të ftohtë, në korridoret spitaleve, funeralet e viktimave, kampet e përkohshme e më pas në hotelet, banesat me qera e çadrat dimërore, ku sistemuam në kohë rekord mijëra e mijëra të pastrehë, nuk m’u nda mendimi se mund të kishte qenë edhe më keq. Edhe shumë më keq. Në një farë mënyre, ishte një mrekulli që numri i të vdekurve nuk qe shumë më i lartë); që (numri i të plagosurve që ndërruan jetë në spital, nuk qe shumë më i madh); që (numri i pallateve dhe i shtëpive të kthyera në varr, largqoftë, për banorët e tyre, nuk qe shumë herë më katastrofik. Kjo mrekulli ishte nga dora e Zotit, që u ndal aty, po edhe nga mijëra e mijëra duart tona). Dhe nga duart e plot miqve të mirë në ditë të vështirë, që vrapuan të na gjenden në krah. Reagimi i menjëhershëm i forcave tona të kërkim/shpëtimit, ushtrisë, policisë, zjarrfikësve, mjekëve e infermierëve, shpëtoi dhjetra e dhjetra jetë të mbetura në fijen e perit, nxorri nga rreziku për jetën dhjetra e dhjetra të tjera dhe kuroi mijëra plagë të mëdha e të vogla në trupat e qindra e qindra të plagosurve. Falë edhe valës së nxehtë të qindra mijëra zemrave shqiptare u përfshinë menjëherë, në mbështetjen e njerëzve e u bënë me shpejtësi miliona, si edhe falë ngrohtësisë e sigurisë së shtuar, që sollën në zemrën tonë të thyer, qindra e qindra forca të angazhuara nga vendet mike, në rajon, Europë e deri matanë Atlantikut,(ndodhi mrekullia e rilindjes së shpresës në mes të zymtisë. Shqipëria e ndarë në ditët me diell nga politika ndotëse e sherrmbjellëse dhe mediat çoroditëse e keqndjellëse, u bashkua. Si rrallë herë më parë, shqiptarët u bënë bashkë, përballë një tragjedie që na tregoi se sa të vegjël jemi, po edhe sa të fortë mund të jemi, kur të bashkuar i dalim të keqes përballë. Jetuam ditë e netë të paharrueshme, cfilitëse për nga ngarkesa e tyre e jashtëzakonshme, po edhe të jashtëzakonshme për nga pesha emocionale. Pamë me sytë tanë vlerën e paçmueshme të njerzillëkut, të duarve të shtrira ndaj njëri-tjetrit, të bashkimit me njëri-tjetrin, për njëri-tjetrin. Dhe i’a dolëm. Përtej jetëve që nuk i kthejmë dot; përtej plagosjeve që nuk i ndalnim dot; përtej shkatërrimeve që nuk i pengonim dot, ne i’a dolëm t’i mbijetojmë me dinjitet e shpejtësi goditjes tragjike. Ne i’a dolëm të mos lemë vetëm asnjë fatkeq, të mos lemë jashtë në rrugë të madhe asnjë familje, të mos mbetemi asnjë javë, peng i kampeve të emergjencës, ku zakonisht ngjizen bashkë dëshpërimi, konfuzioni, pasiguria dhe pisllëku administrativ e mediatik bashkë. I’a dolëm t’u japim strehë e ushqim të ngrohtë dhe perspektivë të qartë në kohë rekord mijëra familjeve. Sistemuam mijëra njerëz të çdo kategorie sociale, në hotele me kushte optimale, me kujdes të posaçëm mjekësor për të sëmurët e shërbim të dedikuar arsimor për fëmijët; mijëra të tjerë i sistemuam në shtëpi me qera, shpeshherë më të mira se sa ato që humbën apo ku ende nuk kthehen dot; mijëra të tjerëve akoma u siguruam çadrat dimërore, brenda oborreve të shtëpive të tyre të pabanueshme në fshat. I’a dolëm ta përballojmë furtunën e emergjencës imediate, shumë herë më shpejt e më mirë se sa kurrë ndonjëherë më parë në këtë shtet – pavarësisht se kurrë ndonjëherë më parë në 30 vitet e fundit, furtuna e një fatkeqësie natyrore s’ka qenë kaq e frikshme në përmasat e saj. Po njësoj, ne do t’ia dalim edhe në sfidën e rindërtimit, pavarësisht se kurrë më parë një qeverie të Shqipërisë, nuk i ka rënë në kurriz një barrë kaq e madhe sa ky rindërtim masiv.
Por do t’ia dalim me se s’bën, sepse sot jemi më të fortë se sa përpara tërmetit. Jemi të gjithë më të vetëdijshëm për forcën që kemi si vend e si shoqëri. Unë vetë, jam sot ende më i bindur, në forcën e kësaj shumice qeverisëse dhe akoma më i vendosur për ta bashkëqeverisur këtë vend me ju, njerëzit e zakonshëm, edhe më mirë. Edhe më drejtë. Librat e Shenjtë thonë se tërmeti vjen si një e keqe e madhe, për t’u sjellë njerëzve mundësinë të pendohen e të pastrohen. Por përtej debatit për besimin a mosbesimin në Zot dhe falë energjisë së madhe pozitive që u gjenerua si reagim kombëtar, ndaj goditjes shkatërrimtare të tërmetit, ky është në sytë e mi momenti i një fillimi të ri; për të prodhuar më shumë energji pozitive dhe arritur më shumë, për vendin e për fëmijët tanë. Më duhet t’ju rrëfehem se ideja e këtij momenti, si një mundësi për një fillim të ri, më ka pushtuar pak e nga pak, qyshse plasi konflikti absurd politik i gjysmës së parë të vitit. Më tej, kur refuzimi i Këshillit Europian për çeljen e negociatave me Shqipërinë shkaktoi një tërmet psikologjik, mbi këtë shoqëri të lidhur pazgjidhshmërisht me endrrën europiane, ky mendim m’u përforcua si nevojë për një fillim të ri. Por tërmeti i 26 nëntorit, me forcën reaguese dhe energjinë përbashkuese që gjeneroi, u bë vetë momenti i fillimit të ri për Shqipërinë që duam. Të dashur miq, nuk duhet ta humbim kurrësesi këtë momentum të ri, për të kapitalizuar mundësinë e thellimit të procesit të rilindjes ekonomike e sociale, që ka krijuar ky fundvit dramatik. Nuk kemi kohë për të humbur. Duhet të shtyjmë me forcë përpara dhe të bëjmë pa humbur kohë, tani, përditë, çdo punë që s’duhet lënë për nesër. Me rindërtimin e shtëpive si kryefjalë e vitit që po hyn, duhet ta kthejmë Vitin e Ri në një vit rezultatesh domethënëse për shtëpinë tonë të përbashkët, Shqipërinë që duam. Viti 2020, duhet të jetë viti i kurimit shembullor të plagëve të shkaktuara nga tërmeti. Deri në fund të vitit 2021 ato plagët duhet të jenë kthyer në shembëlltyra të forcës, besimit, shpresës shqiptare tek e ardhmja. Brenda vitit 2020, çdo familje jashtë qytetit që ka humbur banesën individuale, duhet të hyjë në një banesë të re, më të mirë se sa ajo që ka humbur. Deri në gjysmën e parë të vitit 2020, duhet të jenë ngritur në qytetet e prekura, të gjitha kantieret e lagjeve të reja. Shkollat, kopshtet, spitalet, qendrat shëndetësore të dala jashtë funksioni, duhet të rindërtohen nga e para deri në shtatorin e ardhshëm. Në sezonin e ri shkollor 2020-2021, fëmijët e shkollave të rrënuara, duhet ta nisin mësimin në shkolla të reja, me kushte shumë më të mira se përpara tërmetit. Rindërtimim duhet e do ta bëjmë, pa cënuar prioritetet, qëllimet dhe objektivat themelorë të këtij mandati qeverisës. Viti 2020, duhet të shënohet si viti i një kthese historike në shërbimet për qytetarët. Revolucioni digjital në ofrimin e shërbimeve në çdo sportel shtetëror, i cili nis në janar me një bllok të parë shërbimesh, do të jetë një ndihmesë e jashtëzakonshme në këtë drejtim. Brenda vitit 2020, duhet të marrë fund historia e aplikimeve me dosjen sa një mal, që sot e tridhjetë vjet i kërkohet qytetarit për një shërbim, duke e detyruar të bredhë në dhjetëra zyra për të siguruar dokumentat e nevojshme. Dokumentat që jepen nga shteti për një dosje aplikimi, nuk duhet t’i kërkojë më qytetari zyrë më zyrë, po duhet t’i sigurojë vetë shteti. Nga pritës pasivë të qytetarëve nëpër sportelet e shërbimeve, punonjësit e sporteleve duhet të plotësojnë dosjen për llogari të qytetarit, me të gjithë dokumentet që lëshohen nga institucionet shtetërore. Qytetari duhet të aplikojë online dhe duhet të paraqitet në sportel në afatin ligjor, vetëm për të marrë dokumentin që kërkon. Kështu do të shpëtojnë nga shumë telashe e pamundësi objektive, edhe të gjithë qytetarët shqiptarë jashtë vendit. Të cilët nuk mund të rrinë nëpër radha kur vijnë në Shqipëri për pushime dhe nuk mund të presin pushimet për të marrë shërbime në sportelet e shtetit shqiptar. Boll me ecejaket e panumërta, rryshfetet e padurueshme, radhat e pafundme dhe stresin e njeriut të zakonshëm, sa herë që tash 30 vjet, niset për të nxjerrë një copë letër në zyrat e këtij shteti. Fundi i vitit 2020, duhet të jetë edhe fundi i këtij kapitulli 30 vjeçar vargmalesh të pafundëm me letra nën sqetullën e popullit, që kërkon shërbim në sportelet e shtetit. Viti 2020, duhet të shënohet si viti i vënies përpara lupës së ligjit të çdo pasurie që buron nga krimi. Për këtë, ne jemi gati për ofensivën më shembullore ndaj botës së krimit dhe kapedanëve të asaj bote, të cilët do t’i përballim me Forcën e Ligjit. Me të nisur viti i ri, tërmeti i shtetit do të bjerë në themelet e botës së krimit që i bëjnë karshillëk komunitetit, shoqërisë dhe këtij vendi, i cili nuk e meriton njollën e pisllëkut të tyre në sytë e botës. Kush ka kryer krime duhet të provojë pastërtinë e burimeve të pasurisë ose duhet ta humbasë pasurinë. Viti 2020, duhet të shënohet si viti i fillimit të një historie të re shqiptare, në administrimin e në zhvillimin e bregdetit të mrekullueshëm të Shqipërisë. Zaptimi i plazheve dhe pamundësia e njerëzve të këtij vendi për të zgjedhur, sipas dëshirës e mundësisë së tyre, nëse duan të shkojnë në një plazh publik apo në një plazh me pagesë, duhet të marrin fund. Po kjo është vetëm A-ja, sepse me radhë, duhet të ndalohet çdo lloj ndërtimi i mëtejshëm pa plan, pa kuptim, pa cilësi e pa asnjë përputhje me ambicien e Shqipërisë turistike. Shqipëria ka nevojë për projekte dhe investime që e kthejnë potencialin e vijës sonë bregdetare, në një burim fuqie ekonomike transformuese dhe krenarie kombëtare. Viti 2020 duhet të shënohet si viti i nisjes së investimeve të huaja serioze në vijën bregdetare dhe i investimeve vendase të cilësisë së parë, duke krijuar kapacitete pritëse për turizmin e shtrenjtë; që sjell më shumë të ardhura, dhe krijon më shumë vende të reja pune të paguara më mirë. Viti 2020 duhet të shënohet si viti i zgjidhjes përfundimtare të problemit të pronës për dhjetëra mijëra familje në fshat që janë kthyer në kufijtë e vjetër pa asnjë konflikt me fqinjët rreth tyre. Kanë 30 vjet që presin në tokën e stërgjyshërve dhe as e shesin dot, as aplikojnë dot për financime nga shteti ose nga institucionet financiare, sepse nuk e gëzojnë dot ligjërisht, pasi e kanë të pamundur ta regjistrojnë. Boll! Po jo vetëm kaq. Falë ndryshimeve të mëdha ligjore që duhet të kalojmë në fillim të vitit të ri, të adresojmë dhjetëra mijëra dosje të mbetura pezull në procesin e legalizimit të tokës a të banesës, si rezultat i bllokimeve ligjore. Viti 2020 duhet të shënohet si viti i një serie investimesh madhore në infrastrukturë e në energji. Tanimë jemi gati për të filluar me zbatimin e disa projekteve të mëdha, të cilat jo vetëm do të impaktojnë ekonominë e punësimin gjatë kryerjes së tyre, po edhe do të kenë një fuqi transformuese për Shqipërinë. Aeroporti i ri ndërkombëtar në Vlorë, rruga e re Thumanë-Rrogozhinë, tuneli i Llogarasë, dy parqet e mëdha fotovoltaike në bregdet, janë vetëm më të mëdhatë e një vargu investimesh të reja që do të nisin gjatë vitit të ri, të cilat së bashku me ato në vazhdim përbëjnë në një hark vjetor, volumin më të madh të investimeve në infrastrukturë, gjatë 30 vjetëve të fundit. Presim zbulime të reja nafte Kompania Shell vijon investimet, ndërsa kompania ENI nis investimet në vitin 2020 në bllokun e Dumresë. Brenda vitit 2021 ne do të fillojmë të arkëtojmë sasi të rëndësishme në arkën e shtetit, falë zhvillimeve tejet pozitive në sektorin e naftës dekada që po nis, do të sjellë një ndryshim historik për ekonominë shqiptare. I kemi forcuar ndjeshëm kontratat në favor të shtetit dhe do të luftojmë vendosmërisht në vijimësi, për një ndarje sa më të drejtë të fitimit mes kompanive të naftës e shtetit, duke u bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare. Sot këto fjalë, mund të duket si fantazi festash të fundvitit! Por jo, parashikimet realiste jo ato më optimiste, flasin për një dhjetëvjeçar që do të përmbysë pozitivisht parametrat ekonomikë të Shqipërisë. Jo vetëm kaq, revolucioni digjital do të shtrihet në fushën e luftës kundër informalitetit dhe përveç fiskalizimit online të transaksioneve, viti 2020 duhet të jetë edhe preludi i një transformimi rrënjësor përmes instalimit të sistemit, “Track and Trace”, “Shëno dhe Gjurmo”; ky sistem jo vetëm do t’i nxjerrë zbuluar të gjitha marifetet 30 vjeçare në shitjen e naftës, pijeve alkoolike, kafesë, ujit, cigareve, medikamenteve), po edhe (do të forcojë shumëfish sigurinë ushqimore të vendit. Viti 2020, duhet të shënohet si viti i garantimit përfundimtar të transformimit të infrastrukturës sonë universitare. Jo vetëm të gjitha konviktet studentore do të kenë marrë, në çdo aspekt, një pamje krejt tjetër nga ajo që kishin përpara protestës studentore të vitit të shkuar, por me hapjen e kantierit të madh të kampusit universitar të Tiranës, ne do t’u provojmë të gjithëve, edhe njëherë, se themi atë që bëjmë dhe bëjmë atë që themi. Pakti për Universitetin është për ne një prioritet i palëvizshëm dhe pa asnjë lidhje me temperaturat politike, akademike e mediatike. Unë nuk e di se sa prej atyre që protestuan dhjetorin e shkuar, e kujtojnë më sot protestën e tyre. Po di që nuk ka një ditë të vetme të punës sime, që kalon pa kujtuar angazhimin që kam marrë në emër të qeverisë për studentët dhe për kushtet e tyre të jetesës. Qyteti Studenti, Akademia e Sigurisë dhe Artet, do të jenë, brenda vitit 2022, po aq të bukura sa stadiumi i ri kombëtar. Shqipëria do të ketë kampusin më të bukur universitar në rajon. U tha dhe u bë për stadiumin, po e them dhe do të bëhet për Kampusin Universitar. Të dashur bashkëqytetarë, duke qenë se i erdhi radha edhe prioritetit të fundit të vitit 2020, ju kërkoj të më lexoni drejt e në sy, teksa ju shoh të gjithëve në sy! Dy fjalë për veten time. Unë nuk jam i rënë nga qielli.Nuk kam menduar ndonjëherë se jam pa të meta. Përkundrazi, kam më shumë se ju – ndoshta edhe sepse jam më i gjatë! Nuk më ka thënë kurrë mendja se jam i pagabueshëm. Përkundrazi, jam më i gabueshëm se sa ju – për shkak të detyrës, më duhet të marr shumë më tepër vendime se secili prej jush, pra probabilitetin e gabimit e kam shumë më të madh se çdonjëri nga ju. Po ama asnjëherë, kurrë, nuk e kam bërë në këtë detyrë një gabim të qëllimshëm, për të përfituar çfarëdoqoftë, në dëmin e popullit apo të këtij vendi që kam nderin e madh të drejtoj. Kush më njeh më nga afër, kush punon me mua, e di se unë nuk këmbëngul asnjëherë në një opinion a drejtim të gabuar. I dëgjoj kundërargumentat shumë më tepër se sa duket. Kur janë bindëse tërhiqem. Nuk e kam të vështirë të kërkojë ndjesë, kur kam lënduar dikë apo kam gabuar në vlerësimin e një vendimi – mbase e kujtoni që kam kërkuar edhe ndjesë publike në ndonjë rast të caktuar. Nuk më kujtohet ta ketë bërë këtë ndonjë paraardhësi im, po nuk është ky sidoqoftë metri me të cilin e mas veten dhe as ju kërkoj të më masni me këtë metër.Jo të gjitha gjërat që kam premtuar i kam mbajtur në kohë. Ka edhe ndonjë premtim që ende nuk kam arritur t’a mbaj dot. Po ama në asnjë rast të vetëm, nuk kam premtuar diçka duke e ditur që nuk bëhet – për të kaluar radhën apo thjesht për vota, siç mendohet rëndom kur flitet për premtimet e politikanëve. Kurrë! E para sepse nuk jam nga soji i politikanëve që gënjejnë për vota, po jam i racës së atyre që në politikë i ka futur forca e besimit dhe e ëndrrave për ndryshim. Dhe e dyta, mendojeni edhe vetë pak, kthehuni një sekondë në kohë, pse do të duhej të gënjeja, të premtoja gjëra që nuk i besoj as vetë, kur me fuqinë që më ka dhënë Zoti e me forcën politike që udhëheq, kundërshtarët me thënë të drejtën, mund t’i mundja edhe me çerekun e premtimeve që kam bërë! E di që jam i kritikueshëm, duhet ta dini se jam më i pakënaqur se çdokush tjetër me punën time, edhe me qeverinë që drejtoj. Po ama, balta e pafundme për hajdutërira e pisllëqe thjesht nuk përket. Ej miq, keni parë ndonjëherë hajdut 2 metra? E përtej shakasë, që është gjysma e të vërtetës, gjysma tjetër e të vërtetës është se unë s’jam i varfër. Por s’kam ëndërruar kurrë të bëhem as i pasur. Nuk jetoj për të fituar, fitoj sa më mjafton për të jetuar. Nuk jetoj për salltanete, po për pasionet e mia. Jeta për mua është mundësia që më është më dhënë, për të lënë gjurmën time përmes dhuntive që më janë falur. Ndërsa këtë detyrë që kam, e jetoj si privilegjin më të madh që mund të ketë njeriu, të udhëheqë popullin e vet në një pjesë të rrugës drejt të ardhmes. Shumë e shumë prej jush, miq në faqen time sociale, pyesnit gjatë ditëve të emergjencës pas tërmetit, ku e gjen këtë fuqi?. Po ja pra, tek ndjesia në çdo qelizë e privilegjit që kam për të qenë i zgjedhuri juaj në detyrën më të lartë dhe pasioni për të bërë të pamundurën, që ky vend të bëhet më i mirë për ju, e për fëmijët e mi dhe fëmijët tuaj. Unë armik i fjalës së lirë? Po pse kur ka ndodhur që fjalëtarët e lirë ta kenë mundur dot fjalën time të lirë? Jo, unë nuk jam armik i fjalës së lirë. Jam po, armik i betuar i injorancës dhe i vulgaritetit, që kanë infektuar edhe burimet e lirisë së shprehjes në këtë vend, duke ju helmuar përditë të gjithëve ju, e familjen time po njësoj, me gjithëfarësoj ligësish e monstruozitetesh. E meqë jemi këtu, as nuk kam menduar, as nuk kam kërkuar, as nuk kam mbështetur ndonjë ligj që kufizon lirinë e shprehjes. Kam votuar në parlament, bashkë më forcën time politike, një ligj që u jep mundësi viktimave të shpifjes të mbrohen nga agresioni i portaleve mbi njeriun dhe lexuesve të portaleve të mësojnë të vërtetën e njerëzve të akuzuar padrejtësisht. Asnjë gjëmb në këmbë nuk i fut botuesve, gazetarëve e analistëve ligji kundër shpifjeve e fabrikimeve nëpër portale, thjesht u kujton se liria e tyre nuk është armë për të cënuar publikisht dinjitetin njerëzor. Shumëkujt ndër ju i dukem arrogant. Mbase sepse besoj tek bindjet jo tek konsensusi dhe jam shumë këmbëgulës në bindjet e mia. Por mbase edhe sepse kokëfortësia për t’i mbrojtur bindjet a për t’u shkuar gjërave deri në fund, më bën të dukem arrogant. Mbase edhe jam xhanëm, nuk e di, po kjo nuk më bën më pak të ndershëm në kryerjen e detyrës. Pse po ju’a them këto në këtë reflektim të fundvitit? Sepse dua të flas për Shengenin Rajonal, si një nga prioritetet tona dhe as nuk e fsheh dot që më kanë lënduar shumë miq kosovarë, ndjekës të kësaj faqeje, as nuk mundem dot të rri pa ju thënë si fillim, se unë, për asnjë çmim, në asnjë rast dhe për asgjë në këtë botë, nuk e tradhëtoj popullin tim, vendin tim, njerëzit e mi. Dhe kur unë them popullin tim, nuk kam parasysh vetëm popullin e Shqipërisë po edhe të Kosovës; kur them vendin tim, nuk kam parasysh vetëm Shqipërinë po edhe Kosovën; kur them njerëzit e mi, nuk kam parasysh vetëm shqiptarët në Shqipëri, po edhe shqiptarët në Kosovë. Unë tradhëtar o motra e vëllezër nga Kosova? Po si, kur, pse dhe për cilën arsye tjetër në botë përveç arsyes së mosarsyes të atyre që nuk duan të dëgjojnë, nuk duan të lexojnë, nuk duan të kuptojnë të vërtetat e thjeshta të një procesi publik, transparent, politik e ndërkombëtar, të nisur këtu e pesë vjet më parë! Me sa duket të tjerët kanë një zotësi që unë nuk e kam dhe dinë ta luajnë me sukses publik, rolin për mua të neveritshëm të mëmëdhetarit të flaktë, të patriotit të përvëluar, të shqiptarit që digjet për flamur e vret për atdhe, thjesht sapo flitet për shkjaun. E di që momenti është gjithnjë me ta, kur luhet me emocione e me rrena patriotike) dhe kur plagët e paharrueshme të së shkuarës, preken djallëzisht për të ndezur zjarrin verbues në sytë e njerëzve të prekur nga e shkuara tragjike. Koha është me të drejtën dhe me të vërtetat që mund të mbulohen apo të deformohen përkohësisht, po kurrësesi nuk mund të treten e të zhbëhen. Shengeni Rajonal nuk është një Jugosllavi e re, siç thonë ata që nuk bëjnë dot as një qeveri me dy parti, në Kosovën që e duan aq shumë. Sepse mesa duket kur vjen puna tek bashkimi i forcave për ta qeverisur Kosovën, ndarja e karrigeve ka më shumë rëndësi se Kosova e mbetur në udhëkryq, pa strategji e pa qeveri. Po shyqyr janë të bashkuar bukur mirë, pa dallim partie e madje edhe me do ustallarë në Tiranë, për ta hedhur Kosovën kundër “vëllaut të Vuqiqit” në Shqipëri, duke i’a prishur gjakun dhe errur sytë njereëzve në Kosovë, me dokrra patetike e me rrena patriotike. Shengeni Rajonal nuk është as një plan serb për të pushtuar ekonomikisht rajonin, siç thonë disa që Kosovën e kanë fushë për lojën e tyre politike, teksa Kosovës po i’a marrin fytyrën e po i’a tresin respektin në sytë e miqve të paçmueshëm amerikanë dhe europianë, pa të cilët shteti i Kosovës nuk do të kishte lindur dot kurrë. Çfarë mund të jetë më e dhimbshme, se sa t’i dëgjosh ata miq pazëvendësueshëm, të thonë se sot politikanët në Kosovë, dinë çka duan për vete, po nuk dinë çfarë duan për Kosovën! Shengeni Rajonal nuk është jo e jo, mos e dhëntë kurrë Zoti i shqiptarëve, as ndonjë program a marrëveshje për të aministuar krimet e regjimit gjakatar të Milosheviçit. Për të harruar Reçakun. Për të pafajësuar agresorin e djeshëm, e për të ndaluar betejën politike me Serbinë për pranimin e realitetit dhe njohjen e Kosovës shtet sovran. Kush i thotë këto e shumë poshtërsi të tjera të këtij rendi, ku hyn edhe poshtërsia e madhe që unë paskam dashur të ndaj Kosovën, ose është krejt i paaftë për ta çuar përpara me sukses betejën politike me Serbinë ose është krejt i nginjur me çka ka përfituar prej Kosovës dhe s’do më hiç, asnjë dhimbje koke për të ardhmen e popullit, se të vetën e ka siguruar ndoshta për shtatë breza. Ose edhe të dyja bashkë në të shumtën e rasteve. Ndërsa kush u beson atyre që e mbushin ajrin mes nesh, me këtë soj helmi patriotik, thjesht gabon. Shengeni Rajonal është një domosdoshmëri historike sot, kur beteja jonë është zgjerimi i hapësirës së lirisë së lëvizjes për njerëzit, mallrat, shërbimet e kapitalet.
Veç ata që s’duan ta shohin a s’dinë të lexojnë, nuk e kuptojnë se Shengeni Rajonal është rruga e vetme për Shqipërinë e për Kosovën, që të thyejmë barrierën kufitare mesveti dhe të garantojmë liri të plotë lëvizjeje mes të dyja të shteteve, për njerëzit, për mallrat, shërbimet e kapitalet. Shengeni Rajonal nuk sjell asgjë të re në aspektin e marrëdhenieve politike mes Serbisë e Kosovës dhe as në aspektin e marrëdhënieve politike mes Shqipërisë e Serbisë, në raport me Kosovën. Qëndrimi ynë në këtë drejtim as ka lëvizur, as nuk lëviz. Ne jemi një dhe kemi të njëjtin qëndrim. Pikë. Unë besoj fort se Shengeni Rajonal, jo vetëm nuk e dëmton Kosovën në betejën politike me Serbinë, po përkundrazi, e ndihmon. Kush ndër zotërinjtë që i fryjnë këtij zjarri kundërshtie është kundër Shengenit Rajonal, sepse parasheh pasoja ekonomike negative për Shqipërinë e për Kosovën, thjesht nuk di çfarë flet. Ndërsa kush është kundër Shengenit Rajonal, për shkak të së shkuarës duhet pyetur se si e ndihmoka Kosovën, vetëpërjashtimi nga një nisëm që ka të paktën pesë vjet, që diskutohet dhe dakordësohet përgjatë procesit të Berlinit, ku Kosova ka qenë gjithnjë e pranishme e gjithnjë dakord në tryezë? Ne, Shqipëria, kemi arritur ta bindim Serbinë, po po, unë kam arritur ta bind Presidentin e Serbisë, që as të mos e kushtëzojë tryezën me asgjë që na ndan ne me Serbinë për Kosovën dhe që e ndan Kosovën me Serbinë, as të mos pretendojë që Shqipëria dhe Kosova, të mos e bëjnë marrëveshjen e lëvizjes së lirë të njerëzve e të mallrave në kufi, në rast se Kosova nuk pranon të bëjë të njëjtën gjë me Serbinë. Ditën që Serbia nuk do t’i qëndronte kësaj pike themelore, s’do kishte më tryezë ku Shqipëria të merrte pjesë për këtë proces. Kjo do të thotë që Shengeni Rajonal na jep ne, Shqipërisë dhe Kosovës mundësinë të bëjmë atë që nuk e kemi bërë dot për vite të tëra, sepse jo vetëm Serbia, po as Uashingtoni e Brukseli nuk na e kanë lejuar kurrësesi, madje na janë hedhur në fyt sa herë e kemi përmendur: Hapjen e kufirit mes nesh dhe krijimin e një zone të vetme ekonomike. Tani ndjesë po nëse flasim me argumenta e jo me emocione, unë ende nuk e kam dëgjuar një argument racional kundër këtij projekti rajonal të mbështetur pa rezervë edhe nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian. Ashtu sikundër ende nuk e kam gjetur në historinë e post-konflikteve të përgjakshme, ndonjë rast kur arritja e paqes ka ardhur me retorikën e luftës e me të sjellurit si në luftë, vite të tëra pasi lufta ka mbaruar e armët i’a kanë lënë vendin politikës dhe diplomacisë. Bashkimi Europian vitin e ardhshëm do të vendosë 1.2 miliardë euro në mbështetje të bashkëpunimit rajonal. Po edhe pa këtë, rritja e bashkëpunimit rajonal dhe pjesëmarrja e të dyja shteteve shqiptare në këtë dimension të ri bashkëpunimi, është një premisë më shumë që të rritet jo vetëm ekonomia e vendeve tona, po që të përmirësohet edhe klima e përgjithshme e të krijohen kushte më të favorshme për vetë dialogun mes Kosovës e Serbisë. Madje unë as nuk e dyshoj fare, se sa më shumë ne të përfshihemi, së bashku, Shqipëri e Kosovë, në dimensionin rajonal, aq më shumë fuqizojmë dimensionin e realitetit tonë ndërkombëtarisht edhe në sytë e Serbisë dhe aq më shumë ndihmojmë veten, në rrugën drejt njohjes së plotë e përfundimtare të Kosovës nga të gjithë. Siç e thashë në fillim, ne nuk kemi kohë për të humbur në asnjë drejtim. Tërmeti ishte një shtysë e fortë për të gjithë ne, që të prodhojmë më shumë energji pozitive e të shpenzojmë më pak energji negative . Mundësitë janë të gjitha për t’u shfrytëzuar, jo për t’u humbur dhe asnjë mundësi për të zgjeruar rrugën e të ardhmes, nuk mund të humbet në emër të së shkuarës. Të dashur miq, teksa lemë pas vitin 2019 dhe me të drejtë duam shumë më tepër jo vetëm se sa çfarë na dha ky vit i vështirë, po në përgjithësi për vendin, familjen e fëmijët tanë, mendoni sidoqoftë ku ishim dhjetë vjet më parë. E di e di, e di që shumëkush nga ju do të më hidhej në fyt tani e do të më thoshte, yhy, kushedi se sa shumë gjëra për botën që fluturon e për Shqipërinë që mezi ecën, po në fakt nuk është kështu. Nuk është aspak kështu dhe jam gati të debatoj, me ditë e me netë me ju për këtë. Por ky s’është rasti për t’ju bezdisur me shifra e me fakte, po është rasti për t’ju thënë, se ndërkohë që një vit i ri po vjen me një dekadë të re përpara nesh, mendojeni edhe ju bashkë me mua, se sa dhe si mund të bëjmë, ne shqiptarët për Shqipërinë, katër a pesë herë më shumë se sa në dekadën që po lemë pas. Eshtë jo vetëm e mundur, po është ajo që duhet të bëjmë. Zoti çon dritë e çon tërmete, po nuk çon dhurata mbi këtë tokë. E kemi ne për detyrë ta bëjmë më të mirë, më të sigurtë e më të begatë për fëmijët tanë. Eshtë detyra jonë të mos i trembemi të përpjetave sfiduese të së ardhmes dhe të mos biem në tatëpjetat e përbaltura të së shkuarës. Eshtë sfida jonë të mos dorëzohemi përpara vështirësive në arritjen e rezultateve dhe të mos gënjejmë veten me rezultatet sa hap e mbyll sytë në kafene. Eshtë e jona dhe vetëm e jona, e njerëzve përtej kufirit të adoleshencës, që të mos e humbasim durimin në përballjen me realitetin dhe të mos e lëshojmë gojën e veten në mexhelisin e komunikimit të ulët, sharjeve e shpifjeve, që rrezikojnë të infektojnë si një sëmundje kronike edhe fëmijët tanë. Ky vend i ka të gjitha që ne t’ia dalim në krye të përpjetës ku po ngjitemi me vështirësi, për ta bërë Shqipërinë një shtet normal, funksional, social. Po ne duhet të kemi vullnetin, vendosmërinë, përkushtimin dhe mbi të gjitha vetëdijen, se kjo kërkon kohë, durim, punë e bashkim. Bashkim në qëllime, jo në bindje politike. Bashkim fuqish pozitive, jo forcash politike. Bashkim për të jetuar në një vend ku askush nuk duhet të jetë kurrë vetëm. Gëzuar Vitin e Ri 2020! Ardhtë i lehtë, me shëndet e mbarësi në familjet tuaja. Zoti e bekoftë Shqipërinë.
(f.m/dosja.al)
Tirana është boshatisur për ditët e pushimit. Cilën nga ritet e shenjta po ndiqni:
TIRANË- Presidenti Ilir Meta vizitoi sot “Shtëpinë e të Moshuarve” të Kavajës me rastin e festave të fundvitit. Kreu i shtetit i shoqëruar nga drejtori i “...
TIRANË- Përfaqësuesit e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku dhe Klevis Balliu denoncuan abuzimin me taksën e arsimit tek shkollat “Musine Kokalari” dhe “La...
Tiranë- Presidenti i vendit Ilir Meta ka dekretuar me rezerva buxhetin për vitin 2020. Nëpërmjet një deklarate, Presidenca njofton se Meta e dekretoi buxhetin 2...
TIRANË- Kryeministri Edi Rama i ka dhënë sot medaljen e artë të vlerësimit porfesional, zjarrëfikësit Lulan Kapaj, i cili ishte heroi i ditëve pas tërmetit...
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka mbledhur sot Komitetin e Ridnërtimit, duke folur dhe për procesin e rindërtimit në fshat. Në fjalën e tij, Rama u ka bërë ...
TIRANË- Pak muaj pasi Presidenti Ilir Meta ka dorëzuar kërkesën e tij për anulimin e ligjit që i hap rrugën prishjes së Teatrit Kombëtar, Gjykata Kushtetue...
TIRANË- Në mbledhjen e sotme të Komitetit të Rindërtimit, ministri i Shtetit për Rindërtimit, Arben Ahmetaj bëri një rezyme të situatës pas tërmetit. Ai ka...
TIRANË- Në mbledhjen e sotme të Komitetit Kombëtar të Rindërtimit, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se asnjë i prekur nga tërmeti nuk do ta kalojë Vitin ...
TIRANË- Ministri Bledi Çuçi, i cili ka marrë kompetenca të plota për të koordinuar punën pas tërmetit ka treguar disa shifra për dëmet e shka...
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka mbledhur sot për herë të tretë Komitetin e Rindërtimit, ku janë bërë bilancet paraprake të dëmeve dhe është treguar shifra...