Saimir Jaku dhe Dorian Keqi
LEZHË- Një kuti shkrepëse e gjetur nga Policia e Lezhës, disa metra larg vendit ku është djegur makina e autorëve të vrasjes së ish-drejtorit të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, Saimir Jaku, ka shërbyer për identifikimin e një prej aurorëve pjesëmarrës në këtë vrasje. Por pikërisht kutia e shkrepëses është ajo që ka zbardhur të gjithë krimin, pasi në të është fokusuar një gjurmë gishti, e cila për 7 vite me radhë është ekzaminuar dhe krahasur me qindra gjurmë të tjera gishti, por nuk i është gjetur "shoqja". Veç sot!
Gazetari Elton Qyno shkruan për "Oranews" se gjurma e gjetur në kutinë e shkrepëses është identifikuar vetëm ditën e djeshme, dhe i përket Dorjan Keqit nga fshati Vinjoll i Krujës. Sipas policisë, Keqi ka vepruar si vrasës me pagesë së bashku me dy persona të tjerë, të cilët ende nuk janë identifikuar ende, por që mendohet se të tre janë paguar nga një grup kriminal që vepron në qytetin e Lezhës. Deri më tani besohet se Keqi është personi që ka lyer makinën me benzinë dhe i ka vënë flakën mjetit. Kutinë e shkrepëses e ka hedhur disa metra më tutje, por është gjendur nga grupi i hetimit të cilët, kanë konstatuar dhe një gjurmë gishti mbi të. Gjurma e gishtit është analizuar gjatë në laborator, por nuk është zbuluar gjurma krahasuese.
Gjatë këtyre viteve, kërkime janë kryer edhe në bazën e të dhënave të gjurmëve, pranë kompanisë së pasaportave “Aleat”, por edhe nga këto kërkime nuk është gjetur asgjë e re lidhur me gjurmën e gishtit. Deri në momentin kur u ndalua Dorjan Keqi nga Kruja. Ky i fundit kërkohej nga Policia si person për tu verifikuar për ngjarjen e Milotit, ku mbeti i vrarë Klisman Preçi dhe u plagos rëndë Ylli Brahimi.
Në momentin e lokalizimit nga policia, Keqi ka qënë duke drejtuar një automjet në gjëndje të dehur. Ai është shoqëruar në Drejtorinë e Qarkut Lezhë, duke u marrë në pyetje për ngjarjen e Milotit, lidhur me vendndodhjen e tij natën e krimit. E gjatë kësaj kohë i janë marre dhe gjurmët e gishtave, të cilat u përputhën menjëherë me ato në sistem. Ndaj Dorjan Keqit është nxjerrë menjëherë urdhri i ndalimit dhe aktualisht ai ndodhet në burg për akuzën e “Vrasjes në rrethana cilësuese” në dëm të Saimir Jakut, “Plagosjes së rëndë me dashje” ndaj Gjergj Prenga dhe “Mbajtjes pa lejë të armëve të zjarrit”. Megjithatë i ndaluari nuk i ka pranuar në asnjë moment akuzat ndaj tij.