All - Scripts - 5
LIVE UPDATES
All - General - 1
Bota

"The Economist": Përbindëshat më të mëdhenj të Azisë

India e sheh Kinën me frikë dhe zili, duke shpresuar më kot që të trajtohet si e barabartë. Tani marrëdhëniet midis këtyre vendeve po pësojnë një ndryshim.

26 Gusht 2023, 07:17 Nga A.B
All - Paragraf - 1

"The Economist": Përbindëshat më të mëdhenj

Sundimtarëve të Kinës i pëlqen ta shohin me përçmim Indinë. Ata përçmojnë politikën e saj të trazuar, infrastrukturën e mangët dhe varfërinë e vendit.

India e sheh Kinën me frikë dhe zili, duke shpresuar më kot që të trajtohet si e barabartë. Tani marrëdhëniet midis këtyre vendeve po pësojnë një ndryshim.

Mosmarrëveshjet e fundit kufitare tregojnë se mund të rritet armiqësia. Por lulëzimi i lidhjeve ekonomike, tregon diçka tjetër që mund të shqetësojë Amerikën dhe aleatët e saj.

Kur poeti më i njohur i Indisë vizitoi Kinën në prill 1924, intelektualët kinezë nuk e pritën me nderime. Rabindranath Tagore ishte vlerësuar globalisht si fituesi i parë joeuropian i çmimit “Nobel” për letërsinë.

Si një kritik i ashpër i sundimit britanik në Indi, ai shpresonte të rindërtonte një lidhje të lashtë kulturore midis dy qytetërimeve më të vjetra të Azisë.

Megjithatë, në sytë e mendimtarëve kinezë, thirrja e tij për një ringjallje të vlerave dhe spiritualitetit lindor, ishte e zbrazët. Ata argumentuan se kinezët mund t’i bënin qëndresë Perëndimit, vetëm duke mësuar prej tij dhe duke hedhur poshtë kulturën e tyre tradicionale.

Rinia e Kinës nuk duhet të “indianizohet”, shkroi Chen Duxiu, bashkëthemelues i Partisë Komuniste Kineze. “Me përjashtim të rastit nëse duan që një ditë, arkivolet e tyre të shtrihen në një tokë nën thembrat e një fuqie koloniale”.

Pothuajse një shekull më vonë, është ende e përhapur një ndjenjë përbuzjeje ndaj Indisë midis zyrtarëve dhe studiuesve kinezë. Mjafton të vështroni të dhënat, thonë ata.

Në kohën e pavarësisë në vitin 1947, PBB-ja për frymë e Indisë ishte më e lartë se ajo e Kinës (në bazë të fuqisë blerëse).

Por në fillim të viteve 1990, Kina ia kishte kaluar në këtë drejtim dhe në shumë fusha të tjera. Deri në vitin 2022, popullsia e tyre ishte afërsisht e barabartë, por ekonomia e Kinës ishte mbi tri herë më e madhe.

Gjeneralët e Kinës gjithashtu kanë prirjen për të përçmuar Indinë. Fitorja dërrmuese e Kinës në një luftë kufitare në vitin 1962, kujtohet me krenari.

Dhe ata krahasojnë arsenalin bërthamor të Kinës me armë të prodhuara në vend, me varësinë e vazhdueshme të Indisë nga importet ruse. “Nuk ka asnjë mënyrë se si India mund të arrijë Kinën në 20-30 vitet e ardhshme”, thotë koloneli i lartë Zhao Xiaozhuo nga Akademia e Shkencave Ushtarake të Kinës.

Megjithatë, themelet e marrëdhënieve Kinë-Indi (ushtarake dhe ekonomike), tani po ndryshojnë në disa mënyra që po e detyrojnë demokracinë më të madhe në botë dhe autokracinë e saj më të madhe, të rivlerësojnë qëndrimin ndaj njëra-tjetrës dhe ndaj pjesës tjetër të botës.

Amerika dhe aleatët e saj shpresojnë se fërkimi i vazhdueshëm kufitar i Indisë me Kinën, do ta shtyjë atë në mënyrë të pakthyeshme në një koalicion demokratik të vendosur për të kufizuar fuqinë kineze. Pyetja është: po sikur Kina dhe India të gjejnë një mënyrë për të zgjidhur mosmarrëveshjen kufitare?

Fillimisht, marrim parasysh anën ushtarake. India i ka forcuar lidhjet me Amerikën që kur nënshkroi një pakt të bashkëpunimit bërthamor civil në vitin 2008. Por ushtria e saj është rritur që nga koha e përplasjeve me Kinën në kufirin indian, duke përfshirë një përballje në vitin 2020, që vrau 20 trupa indiane dhe të paktën katër kineze.

Kjo ishte përleshja më e përgjakshme që nga viti 1967 dhe i dha fund një periudhe qëndrueshmërie relative në kufi, që kishte zgjatur tri dekada.

Që nga ajo kohë, Forcat e Armatosura të Indisë janë zhvendosur larg Pakistanit. Ato kanë dërguar rreth 70,000 trupa, avionë luftarakë dhe raketa tokë-ajër, në kufirin me Kinën.

Gjithashtu kanë zgjeruar stërvitjet e përbashkëta me Amerikën dhe aleatët e saj, veçanërisht me Australinë dhe Japoninë. Amerika ka ofruar inteligjencë dhe trajnime të reja për forcat kufitare indiane.

Lufta në Ukrainë ka qenë një tjetër faktor nxitës. Komandantët indianë shqetësohen për varësinë nga armët ruse. India dëshiron të blejë armë të përparuara amerikane dhe të prodhojë më shumë në Indi.

Gjatë vizitës në Washington në qershor, kryeministri indian Narendra Modi, lidhi marrëveshje për blerjen e dronëve ajrorë të armatosur dhe për prodhimin e përbashkët të motorëve të avionëve luftarakë në Indi.

Motivimet e sakta të Kinës në kufi janë të paqarta. Vendi mund të jetë acaruar nga ndërtimi i rrugëve në Indi kohët e fundit, që mundësuan patrullimin më të gjerë, ose nga zhgënjimi me mungesën e përparimit në negociata.

Ose Kina mund të ketë dashur të dënojë Indinë për afrimin me Amerikën, për të vënë në dukje dobësinë e forcave indiane dhe për të treguar se ato nuk mund të mbështeten në ndihmën amerikane.

Kina e sheh veten si eprore ndaj Indisë, si një vend që garon drejtpërdrejt me Amerikën, thotë Deependra Singh Hooda, ish-shef i Komandës Veriore të Ushtrisë Indiane, e cila mbikëqyr një pjesë të kufirit kinez.

Mesazhi i Kinës është: “Ju nuk jeni të barabartë me Ushtrinë Çlirimtare Popullore… Ju jeni thjesht një aktor anësor”.

Përpjekjet për pajtim

Për çfarëdo arsye, udhëheqësi i Kinës Xi Jinping, mendon se pasojat e një përballjeje me Indinë janë të menaxhueshme. Nëpërmjet mobilizimit të forcave të saj, India mund t’i shkaktojë kosto më të mëdha Kinës nëse kjo e fundit provon një tjetër sulm kufitar.

Por Kina do të mbajë për vite një epërsi të mjaftueshme ushtarake ndaj Indisë, që do ta ndalojë këtë të fundit të rifitojë humbjet e pësuara (shih grafikun 1).

Dhe megjithëse India mund të ndihmojë Amerikën në disa zona, veçanërisht në Oqeanin Indian, ajo është kundër një aleance formale dhe nuk ka gjasa të ndihmojë në rast konflikti mbi Tajvanin ose Detin e Kinës Jugore.

Megjithatë, Xi ka arsye të forta për të zgjidhur çështjen e kufirit me Indinë, ndërsa Amerika po rrit përpjekjet për të kufizuar fuqinë kineze. Po ashtu, edhe zoti Modi.

Ai duket se është i etur për të minimizuar çështjen e kufirit, duke e ditur se ka pak mundësi ushtarake. Ai nuk dëshiron të tërheqë vëmendjen e brendshme për çdo humbje të perceptuar të territorit.

Dhe duket se është i mundur një kompromis. Pas 18 raundesh bisedimesh midis komandantëve ushtarakë, trupat janë tërhequr nga pesë pika të debatuara kufitare, duke krijuar “zona asnjanëse” ku nuk patrullon asnjëra palë. Dy pika kryesore kufitare të debatuara, kanë mbetur.

Kina po kërkon një raund tjetër bisedimesh dhe dëshiron që India të mos lejojë që çështja e kufirit të përcaktojë marrëdhëniet dypalëshe.

Ministri i Jashtëm i Indisë, Subrahmanyam Jaishankar, u takua me homologun e tij kinez në Jakarta më 14 korrik dhe të dy diskutuan mbi kufirin. Javët e fundit, ai ka theksuar se pa një kufi të qetë dhe të qëndrueshëm, lidhjet normale të biznesit nuk mund të rifillojnë.

Peizazhi i ri ekonomik ka ndryshuar marrëdhënien midis vendeve. Tregtia midis Kinës dhe Indisë ishte e papërfillshme për pjesën më të madhe të historisë së tyre moderne.

Por deri në vitin 2020, tregtia e mallrave ishte rritur në 88 miliardë dollarë. Kina nxori fitime nga tregtia, me vlerë 46 miliardë dollarë dhe u bë partneri më i madh tregtar i Indisë (shih grafikun 2).

Kina ishte bërë gjithashtu një burim i madh investimesh, veçanërisht në fushën e teknologjisë, pronave dhe infrastrukturës. Markat kineze janë gjithashtu të njohura në Indi. Oppo dhe Xiaomi janë ndër celularët smartphone më të shitur në vend.

Përleshja kufitare në vitin 2020, i vuri të gjitha në rrezik. India ndaloi rreth 320 aplikacione kineze, nisi bastisje mbi tatimet ndaj disa kompanive kineze dhe vendosi rregulla të reja që kërkonin miratimin e qeverisë indiane për investimet kineze.

Zyrtarët indianë thonë se që atëherë, kanë hedhur poshtë 157 kërkesa.

E megjithatë, tregtia dypalëshe e mallrave u rrit me 43% në vitin 2021 dhe me 8.6% vitin e kaluar. Gjithashtu, investimet kineze po gjejnë mënyra të tjera për të hyrë në vend, ndonjëherë nëpërmjet Singaporit.

Kompania kineze e veshjeve Shein, aplikacioni i së cilës ishte ndaluar nga India në vitin 2020, do të rihapet atje së shpejti në partneritet me Reliance Industries, kompaninë më të madhe private të Indisë.

Zyrtarët indianë duan të mbështeten më pak në importet kineze dhe të tërheqin më shumë investime nga gjetiu, veçanërisht nga prodhuesit e mëdhenj shumëkombësh që kërkojnë një alternativë ndaj Kinës.

“Nuk duhet të mbështetemi më tek Kina”, tha zoti Jaishankar, ministri i Jashtëm indian, në maj. “Rritja indiane nuk mund të ndërtohet mbi efikasitetin kinez”.

Megjithatë, privatisht, shumë nga drejtuesit e biznesit të Indisë shprehen se pyetja nëse qeveria indiane do të arrijë qëllimet e saj në zhvillimin e infrastrukturës dhe prodhimit, do të varet nga importet kineze në vitet në vijim. Për shembull, industria farmaceutike e Indisë varet nga Kina për afërsisht 70% të përbërësve të saj aktivë.

Kjo, në teori, e bën Indinë të pambrojtur ndaj shtrëngimit ekonomik që Kina u ka shkaktuar të tjerëve. Por përparësia e Kinës mund të jetë duke u tkurrur, pasi ajo po përballet me një ngadalësim ekonomik, një popullsi në tkurrje dhe një Perëndim gjithnjë e më armiqësor.

Popullsia e Indisë ia kaloi asaj të Kinës këtë vit dhe kompanitë kineze tani e shohin Indinë si një burim të rëndësishëm rritjeje. Banka Goldman Sachs parashikon se PBB-ja indiane do të jetë e dyta pas Kinës deri në vitin 2075.

Ka sinergji ekonomike edhe në fusha të tjera. India është huamarrësi më i madh nga Banka Aziatike e Investimeve në Infrastrukturë, me seli në Pekin, të cilën Kina e ngriti në vitin 2016, si një alternativë ndaj institucioneve perëndimore të huadhënies.

India është gjithashtu anëtare e Bankës së Re për Zhvillim me seli në Shangai, e formuar nga Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut (BRICS), në vitin 2015.

Shkëmbimet e përzemërta ekonomike nuk janë garanci se nuk do të ketë përplasje kufitare në të ardhmen, apo edhe luftë. Të dyja vendet udhëhiqen nga njerëz që ushqehen me nacionalizëm dhe ankesa historike.

Janë krijuar tensione të reja për shkak të rritjes së ndikimit të Kinës në Azinë Jugore, bllokimit që ka vendosur ajo në rrjedhën e sipërme të lumenjve jetikë për Indinë dhe lidhjeve të Indisë me udhëheqësin e Tibetit, Dalai Lama.

Megjithatë, lidhjet në rritje të biznesit do të peshojnë gjithnjë e më shumë në vendimmarrjen e të dyja palëve. Dhe zbutja e tensioneve mbi kufirin, siç u arrit për tre dekada pasi kryeministri indian Rajiv Gandhi vizitoi Kinën në vitin 1988, do të linte hapësirë të mjaftueshme për bashkëpunim.

Të dyja vendet duan një rol më të madh në qeverisjen globale, i hedhin poshtë kritikat perëndimore mbi të drejtat e njeriut dhe ndryshimet klimatike dhe ndajnë shqetësimet rreth ekstremizmit islamik. Të dyja nuk pranojnë të dënojnë pushtimin rus të Ukrainës.

Ia vlen gjithashtu të përmendet se përpara përplasjes mbi kufirin, zoti Modi dukej i vendosur për të ndërtuar një marrëdhënie të ngushtë me zotin Xi, duke ndërmarrë hapin e pazakontë për ta mirëpritur atë në shtetin e tij të lindjes, Gujarat në vitin 2014.

India dhe Kina ndajnë aspirata, sfida dhe mundësi të ngjashme, tha zoti Modi në Pekin vitin e ardhshëm. “Në pasiguritë globale të kohës sonë, ne mund të nxisim përparimin e njëri-tjetrit”.

Një perspektivë e tillë mund të mos jetë e pëlqyeshme për amerikanët dhe të tjerët që e shohin Indinë si një kundërpeshë ndaj Kinës.

Kjo rrugë nuk do të pëlqehej as nga Tagore, i cili në vitin 1924, i kërkoi Kinës të hidhte poshtë materializmin perëndimor dhe “të çlironte shpirtin njerëzor nga biruca e makinerisë”.

Por mund të jetë rruga më realiste drejt një marrëdhënieje të qëndrueshme dhe të dobishme midis dy titanëve të Azisë./MONITOR

azi

All - ArticleEnd - 1
All - ArticleEnd - 1
All - ArticleEnd - 1
All - ArticleEnd - 2
All - ArticleEnd - 2

Sondazh

Poll

Publikohen pamje brenda Postës në Durrës, ish-shefja e Financës me një thes në dorë merr para

Publikohen pamje brenda Postës në Durrës, ish-shefja e Financës me një thes në dorë merr para

Berisha: Eurodeputeti denoncon Ramën si njeriun që përdor familjarët e tij për të transportuar para

"Një tufë budallenjsh"/ Ministri Gonxhja fyen protestuesit: Hajde rrugë budallait

Korreshi ironizon Manjën për koncertin e Kanye West: Te Luan Zhegu jam ende, ti kërceve upsi-dupsi

"Kemi refuzuar Jennifer Lopez se donte 2 milionë euro garanci"/ Gonxhja: Kërkesa nuk u pranua

“Nuk shiten malet, është mundësi për pronarët dhe emigrantët” Rama: Paketa e Maleve, nuk anulohet

Abuzimi me tenderat e AKSHI-t! Mirlinda Karçanaj paraqitet në SPAK

Rama mes protestave: Ata që gjykojnë nga kafeneja nuk e njohin Paketën e Maleve

Rama- protestuesve: Delirantë, injorantë dhe dështakë-zemërakë!

Filmi The Princess Diaries 3 nuk është anuluar, çfarë tha aktorja Anne Hathaway?

Fotoja e djalit të porsalindur të Zëvendëspresidentit J.D. Vance publikohet nga Donald Trump

Do mbështesim njëri-tjetrin si miq, deklarata e Jessie J për ndarjen nga Chanan Coleman

Të shtëna me armë zjarri në Elbasan, plagosen tre persona

Mbyllen fjalimet, nis marshimi në rrugët e kryeqyetit: Rama jepe dorëheqjen!

Aktivisti: Nuk jemi nazistë, por jemi shqiptarë të cilët po largohemi çdo ditë

Protestuesi: Kërkojmë largimin e një qeverie dhe një kryeministri të korruptuar

Aktivisti: Më datë 23 të gjithë para Parlamentit, t’u themi se nuk na përfaqësoni

Dita e 51-të e revoltës/ Protestuesit marshojnë nga sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë

“Kryeministri bridh, Taulanti vendos”/ Qytetari: Dalim në protestë për skandalet e qeverisë

Labinot Tahiri mban premtimin, do të ndajë 150 euro me djalin e të ndjerit Shpat Kasapi

Zjarr përgjatë autostradës Fier–Vlorë, vështirësohet qarkullimi i automjeteve

Pse Bebe Rexha u komentua gjerësisht për performancën e saj në Los Angeles për Kupën e Botës?

Yjet që dhuruan spektakël në finalen e kupës së botës

Përplasje mes Bardhit dhe Peleshit: Ky precedent nuk i vlen askujt, si mund ta bllokosh Kuvendin

"Më shiko në sy Sali"/ Çaushi- Berishës: Dezinformove për reformën dhe për shtëpinë time

Bie zjarr në zonën e Ujit të Ftohtë, flakët favorizohen nga era dhe temperaturat e larta

Tensione në Kuvend, deputetët e PD bllokojnë foltoren, ndërpritet seanca plenare

Rama: Protestat për mjedisin janë arritje e madhe për shoqërinë

"Dyfishohet mbështetja për fëmijët me aftësi të kufizuara"/ Rama: Shteti do të paguajë sigurimet

‘O shoku kryetar! Alooo!’ Peleshi përplaset me Korreshit: S’është festivali folklorik!

"Më shiko në sy Sali"/ Zegjineja- Berishës: Dezinformove për reformën dhe për shtëpinë time

Balla- Muçit: Vazhdoj të të quaj sorrë... flamingot e vërteta e braktisën llumin e kënetës

"Edi Rama spak you"/ Erald Kapri shpërthen në Kuvend: Nuk e shmangni dot thirrjen e protestuesve

Çështja Partizani/ Ish-presidenti Bamir Topi thirret si dëshmitar në SPAK

Berisha- Peleshit: Vasal i Ramës dhe armik i integrimit! Peleshi i heq fjalën: Mu drejto me etikë

Policia largon me forcë ish-luftëtarët e UÇK-së, Dritan Goxhaj dhe Meçan Zotaj

Gjyqi për ‘Partizanin’/ Berisha: Procesi është ngritur mbi një piramidë të shembur mashtrimi!

Protesta para Kuvendit/ Qytetarët zhvendosen në hyrjen kryesore, presin të mbërrijnë deputetët

Berisha denoncon: Presidenti do të dekorojë Irena Gjokën me titullin ‘heroinë e Partisë Socialiste’

Berisha jashtë SPAK: Kushtetuesja është zotuar për të mos shqyrtuar çështjen time

Berisha tregon mesazhin: Dumani është avokati i narkoshtetit, drejtësia vonon, por nuk harron

Në zbatim të masës “detyrim paraqitje”, Berisha paraqitet në SPAK

Tensione në Komisionin e Jashtëm! Debatet e forta mbi deklaratën e ministres serbe për Kosovën

Nesër protestë para Kuvendit! Paralajmëron protestuesi: Më 23 tubimi i madh

Protestuesi: Nuk ndalojmë deri në largimin e atij që është strukur në Kryeministri

Nis marshimi drejt Kryeministrisë, protestuesit bëjnë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit

Dita e 50-të e protestës/ Nis grumbullimi në sheshin "Skëndërbej"

Kryeministri Rama kryen nderimet në homazhet për gazetarin Enrik Mehmeti

Emigrantët bllokohen në pikën kufitare mes Kroacisë dhe Serbisë, kërkojnë informacion

Pesë turistë gjermanë mbetën të bllokuar në Karaburun, ekipet e shpëtimit bënë të mundur gjetjen