LIVE UPDATES
Ekonomi

‘Hendek skandaloz’, BIRN: Qeveria i shet pallatet e konfiskuara 10 herë më lirë se tregu

Të nesërmen, ndërsa betoni ishte ende i lagur dhe skelat ende të ngritura, në rrugicën e tij befti Policia e Shtetit dhe inspektorët e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit.

11 Janar 2024, 12:13 Nga M.B

‘Hendek skandaloz’, BIRN: Qeveria i shet pallatet e konfiskuara 10

TIRANA- Të dielën e 25 gushtit 2019, Fluturimi izoloi soletën dhe sistemoi ballkonet e shtëpisë në Kamëz – një godinë 4-katëshe ku jeton me familjen e tij dhe atë të vëllait. Pjesë e punimeve ishte dhe një mbulesë për depon e ujit në tarracë. Të nesërmen, ndërsa betoni ishte ende i lagur dhe skelat ende të ngritura, në rrugicën e tij befti Policia e Shtetit dhe inspektorët e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit.

“Më morën në telefon [dhe] më thanë paraqitu te policia në Kamëz”, kujtoi Fluturimi. “Shkova po atë ditë, më morën në pyetje 3 orë e gjysmë,” shtoi ai.

Fluturimi kishte marrë në Bashki një leje për sistemim solete dhe kishte paguar një tarifë prej 10 mijë lekësh për punimet, por Policia dhe Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit e gjetën në tejkalim të lejes për shtimin e mbulesës së depos së ujit.  Njëzetenjë muaj më vonë, 50-vjeçari nga Kamza u dënua nga Gjykata e Tiranës me 4 muaj burg për ndërtim pa leje. Ndaj tij u vendos dhe një gjobë 500 mijë lekë nga Bashkia Kamëz. Shpejtësia me të cilën autoritetet gjurmuan dhe sanksionuan shkeljen ligjore të Fluturimit është e pazakontë. Vetëm disa kilometra larg nga Kamza, afër Liqenit Artificial dhe qendrës së Tiranës, gjatë vitit 2022 një duzinë kompanish ndërtimi shkelën lejet e ndërtimit duke shtuar kate pa leje mbi pallate shumëkatëshe. Pavarësisht se punimet zgjatën për muaj me radhë, ndërtuesit vazhduan punë të pashqetësuar deri në vjeshtë të vitit 2022, kur qeveria miratoi një vendim të debatueshëm për t'i konfiskuar shtesat që deri në atë moment i kishin shpëtuar vigjilencës së inspektorëve me të cilën përballen qytetarët e thjeshtë.

Ndryshe nga qytetarët, ndërtuesve të mëdhenj qeveria u hapi një shteg, që sipas ekspertëve dhe opozitës u mundëson atyre një legalizim të kateve shtesë të paligjshme, fillimisht duke i konfiskuar dhe më vonë duke ia shitur ato vetë shkelësve të ligjit. Por, ndërsa Këshilli i Ministrave në letër parashikonte një pagesë me çmim tregu për këto shtesa – që në Tiranë shkon disa mijëra euro për metër katror, BIRN zbuloi se ato u vlerësuan mesatarisht me çmimin 223 euro për metër katror. Ekspertët e ndërtimit dhe përfaqësues të opozitës e shohin procedurën si një shkelje të hapur të barazisë para ligjit. Jorida Tabaku, deputete e Partisë Demokratike, tha se procedura tregon dukshëm favorizimin e ndërtuesve të mëdhenj.

“Këta tregohen të fortë me të dobëtit, me ndërtimet pa leje, me masën që u mor para ca vitesh që njerëzit shkuan në burg për një dritare, për një avlli, për një prag shtëpie – kam unë në zonën time elektorale pa fund,” tha Tabaku.

Arlind Qori, ish-kandidat për kryetar bashkie për Tiranën dhe kryetar i Lëvizjes Bashkë tha, se ka një “hendek skandaloz” mes çmimit real – deri në 5 mijë euro për metër katror në këto zona – dhe çmimit që vlerësuesit e punësuar nga Ministria e Financave u kanë dhënë godinave.

“Kjo diferencë tregon se si qeveria qendrore është duke favorizuar dukshëm ndërtuesit e kullave në kurriz të interesit publik,” tha ai.

Në përgjigje të pyetjeve të BIRN, Ministria e Financave ia la përgjegjësinë për çmimet e ulëta ekspertëve vlerësues, duke larë duart nga përgjegjësia.

“Raportet e vlerësimit janë hartuar nga ekspertë të licencuar dhe vlerësimi i objekteve të konfiskuara është bërë duke përdorur metodat e vlerësimit të objektit, referuar strukturës dhe gjendjes së tij faktike në zbatim të legjislacionit në fuqi,” tha Ministria në një përgjigje me shkrim.

Në konferencën për shtyp të fundvitit, të mbajtur më 30 dhjetor 2023, kryeministri Edi Rama iu rikthye godinave të konfiskuara për shkak të shtesave pa leje, të cilat po i nënshtrohen kësaj procedure. Duke iu referuar akteve të parablerjes të firmosura mes Ministrisë së Financave dhe 9 ndërtuesve, Rama u mburr se shteti kishte arkëtuar 3.5 milionë euro nga 5 godina dhe se në total priste të merrte 10.5 milionë euro.

“Pra, për çdo metër katror të bërë pa leje, aty ku është konsideruar parablerja nga subjektet, subjektet po paguajnë dhe do paguajnë deri në fund sa frëngu pulën çdo metër katror që kanë bërë pa leje,” tha kryeministri.

Sipas Ramës, arkëtimet në buxhet i përgënjeshtronin akuzat ndaj këtij procesi që, sipas tij, ishin “një zhurmë e shoqëruar edhe me shumë hamendësime dhe me shumë shpifje”. Përmes kërkesës për të drejtë informimi, BIRN mori nga Ministria e Financave raportet e vlerësimit për 9 godinat e gjetura në shkelje të lejes së ndërtimit. Nga këto ndërtime, 6 kanë shkelur lejen e ndërtimit me mbi 10% të sipërfaqes dhe janë konfiskuar plotësisht, ndërsa një kompani e ka shkelur lejen e ndërtimit me 6% – sipas vendimit të KKT-së – dhe është konfiskuar vetëm shtesa. 

Dy pronat e tjera të konfiskuara dhe në proces parablerjeje ndodhen në Kavajë. Bazuar në këto raporte vlerësimi, prej të cilave tetë janë bazuar në metodën e kostos, çmimi mesatar që detyrohen të paguajnë kompanitë e kapura në shkelje të lejes së ndërtimit në Tiranë është 223 euro për metër katror. Çmimi më i lartë prej 305,3 euro metri katror i përket godinës së ndërtuar nga kompania “Fabri D” në rrugën Kont Urani, rreth 500 metra nga sheshi Skënderbej. Vlera më e ulët – 170 euro metri katror – është për godinën e ndërtuar nga kompania Salillari pranë Kopshtit Zoologjik.  Në total kompanitë vlerësohet se duhet të paguajnë rreth 14.9 milionë euro për 71 mijë metra katrorë pa leje në kryeqytet.

Në raportet e vlerësimit, ekspertët pretendojnë kryesisht se nuk mund të përdornin metodë tjetër për shkak se objektet ishin të papërfundura dhe se “nuk mund të gjejmë lehtësisht prona të ngjashme në treg”. Vlerësuesit, të cilët i referohen Vendimit të Këshillit të Ministrave 970/2020 “për metodologjinë e përcaktimit të vlerës së sendit në procesin e ekzekutimit të detyrueshëm” dhe Standardit Evropian të Vlerësimit, e argumentojnë zgjedhjen e metodologjisë me faktin se Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) nuk u dha apo nuk kishte kontrata shitblerje të këtyre pasurive ose të ngjashme me ato. I vetmi raport vlerësim që i referohet një metode të ndryshme nga ajo e kostos – për një objekt në Qerret të Kavajës me zhvillues shoqërinë Veizi sh.p.k – e nxori vlerën e objektit me 464 euro metri katror, disa herë më të lartë se objektet e vlerësuara në kryeqytet.

Arkitektja Dorina Musai tha për BIRN se metoda e kostos e përdorur për vlerësimet e tetë  pallateve në shkelje të lejes së ndërtimit në kryeqytet nuk ishte e përshtatshme dhe nuk përputhej me qëllimin e caktimit të vlerës së tregut për to. Duke iu referuar faktit që tregu i pasurive të paluajtshme është i hapur dhe çmimet lehtësisht të verifikueshme, Musai thotë se ky vlerësim bie ndesh me Standardin Europian të Vlerësimit që e kufizon përdorimin e kësaj metode vetëm kur “ka një mungesë totale të të dhënave të tregut”.

“Në vende të ndryshme, metoda e kostos si metodë tregu përdoret rrallë dhe gjithnjë e shoqëruar me një metodë tjetër,” tha Musai.

“Është e lejueshme të përdoret si metodë tregu, nëse mungojnë transaksionet e tregut dhe vlerësuesi është i detyruar të përcaktojë vlerën e tregut,” shtoi ajo.

Duke iu referuar rastit në fjalë, Musai theksoi se metoda e duhur do të ishte ajo e “krahasimit të drejtpërdrejtë”, sipas të cilës vlerësuesi nxjerr çmimin bazuar në shitblerjet e pronave të ngjashme në zonë. Përndryshe nga sa pretendohet në aktet e vlerësimit, VKM 970/2020, e cila merret si bazë ligjore, u kërkon vlerësuesve që të nxjerrin çmimin e një prone bazuar në një seri të dhënash, përfshi kontratat noteriale, të dhënat nga agjenci imobiliare apo edhe çmimet e publikuara në internet. Sipas Musait, në qendër të kryeqytetit çmimet variojnë nga 3,000 deri 4,500 euro për metër katror, në disa raste kanë kapur edhe vlera 7,000 euro për metër katror apartamenti. Ndërsa për ambientet e shërbimit, variojnë nga 6,000 deri ne 15,000 euro metri katror.

“Pra, tregu është një gjë dhe vlera e vendosur nga qeveria është një gjë tjetër,” tha ajo.

Edhe çmimet e afishuara nga kompanitë që kanë shkelur lejen, në disa raste, janë shumë herë më larta se vlerësimi i bërë nga Ministria e Financave. Kryetari i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, i tha BIRN se i gjithë procesi i riblerjes së metrave katrorë të sekuestruar është i padrejtë, nëse mbahet në konsideratë interesi publik.

“Përderisa katet e sekuestruara kanë kaluar në pronësi të shtetit, atëherë ky i fundit duhet t'i nxirrte në ankand publik këto kate dhe t'ua shiste ofruesve të çmimit më të lartë, pavarësisht se këta të fundit mund të mos ishin pronarët fillestarë të ndërtesës,” tha ai.

“Skema e përdorur për konfiskimin dhe më pas shitjen e sipërfaqeve të ndërtuara pa leje të njëjtave subjekte është legalizim jashtë kushteve te ligjit, duke zhvilluar kështu një skenar të diferencuar dhe ekskluziv vetëm për disa qytetarë,” shpjegoi ajo. Megjithatë, Ministria e Financave këmbëngul se thjesht po zbaton ligjin dhe VKM-në përkatëse.

“Procedurat e ndjekura nga MFE lidhur me konfiskimin për interes publik të objekteve të ndërtuara pa leje janë ndjekur konform përcaktimeve të VKM-së nr. 589, datë 07.09.2022 dhe Udhëzimit nr. 27, datë  23.09.2023”, theksoi ajo, duke ju referuar vendimeve të Këshillit të Ministrave.

Fluturimi, i cili mbuloi shtëpinë për t'i shpëtuar lagështisë dhe krijoi një strehë për depozitën e ujit, u përfaqësua nga një avokat kryesisht në gjykatë. Çështja ishte e “kopsitur”. Para gjykatës u vunë provat, përfshi foto dhe detaje të plota të punimeve.

“Në gjykatë i kishin të gjitha, edhe fotot e pastra, dukej edhe ngjyra gri e izoluesit të tarracës. Nuk u kishte shpëtuar asgjë. Të dielën e shtrova unë soletën, të hënën erdhën ata”, thotë ai.

Në një proces të shkurtër, 50-vjeçari, i cili ende pret legalizimin e shtëpisë së tij të ndërtuar në vitet 2000, u dënua me 6 muaj burg dhe përfitoi 2 muaj ulje për shkak të gjykimit të shkurtuar. Para gjykatës ai thotë se pranoi gjithçka dhe se nuk ndihej fajtor.

“Nuk kam bo asnjë turp, shtëpinë time rregullova,” theksoi ai, ndërsa shtoi se ka ndryshim mes tij dhe ndërtuesve të mëdhenj në kryeqytet.

“Ata janë oligarkë, paguajnë kafe, kanë interesa me njëri-tjetrin. Unë nuk u dhashë asgjë. Unë fukara isha, fukara jam, fukarai budallai”, thotë ai me një farë vetë-ironie.

Ndryshe nga Fluturimi dhe qindra syresh të tjerë, proceset penale ndaj të cilëve zgjasin vetëm disa muaj, ndërtuesit e mëdhenj ende nuk janë parë në gjykatë. Madje, ata vijuan të punonin në godinat pa leje edhe pasi këto ishin të konfiskuara si prona publike dhe në dukje nuk i druheshin ndonjë ndëshkimi nga sistemi i drejtësisë. Sipas Prokurorisë së Tiranës, hetimet e filluara për pallatet e ndërtuara në shkelje të lejes janë ende në vijim. Prokurorët Arens Çela, Erjon Imeraj dhe Arjan Përmeti,  të cilët kanë nën hetim 5 dosje hetimore, i thanë BIRN se këto raste ishin komplekse.  Sipas Prokurorisë së Tiranës, 3 nga hetimet janë në fazën e njoftimit të akuzës për palët. Ndërkohë, hetimet e tjera, siç mësoi BIRN, ishin ende në pritje të akt-ekspertizave. Prokurori Erjon Imeraj i tha BIRN se hetimet në këto raste kërkonin më shumë prova se sa marrëveshja mes Ministrisë së Financave dhe kompanive, në të cilat këto të fundit pranojnë fajësinë.

“Nuk më mjafton marrëveshja që këta bëjnë me qeverinë, më duhet patjetër akti i ekspertimit,” tha ai. Për deputeten e opozitës, Jorida Tabaku, e gjithë situata me ndërtimet pa leje në Tiranë është dëshmi e dështimit të qeverisë.

“Si mundet t'i kenë shpëtuar kryetarit të bashkisë 7 kate pa leje përballë zyrës së tij, nëse vetë nuk ka pasur vullnetin politik për ta lënë atë të ndërtohej?” pyet Tabaku.

“Ky është dështim i kontrollit të territorit nga ana e Bashkisë, sigurisht në bashkëpunim me qeverinë qendrore,” përfundoi ajo.

Marrë nga BIRN.

qeveria treg blerje pronash

Sondazh

Poll

Pas më shumë se katër orësh, qytetarët vijojnë protestën rrugëve të Kryeqytetit

Pas më shumë se katër orësh, qytetarët vijojnë protestën rrugëve të Kryeqytetit

Gjesti i veçantë i protestuesit, u dhuron lule efektivëve në shenjë solidariteti për policin e vrarë

Pas tre orësh protestë, turma vijon qëndresën: Dorëheqje!

Prej më shumë se tre orësh para Kryeministrisë, protestuesit ndezin flakadanë

"Kush s'kërcen nuk është shqiptar o hej"/ PAMJE me dron nga protesta madhështore për Zvërnecin

Thirrja e qytetarit të Rrjollit: Hajde rini, merre situatën në dorë dhe drejto vendin

Me flamuj dhe pankarta në duar, qytetarët e Durrësit sërish protestë për projektin në Zvërnec

Tentoi të futej në Kryeministri, protestuesja bën simbolin e shqiponjës

"Ne i duam parqet, lodrat, natyrën"/ Vogëlushi në protestë thirrje: Mbrojini për ne!

Protesta kundër projektit në Zvërnec/ Brohoret turma: Edi Rama o tradhtar, duhet lidhur me litar

Protesta për Zvërnecin, qytetarë mbajnë 1 minutë heshtje për efektivin e vrarë në krye të detyrës

"Ruani qetësinë, Ramën ta zhdukim me të mirë"/ Tensione në protestën kundër projektit në Zvërnec

PAMJE nga protesta madhështore kundër projektit në Zvërnec/ Oshëtin bulevardi: O pallosh o zagar

Mijëra protestues në shesh thirrje ndaj kryeministrit Rama: Duam dorëheqje

Protesta për Zvërnecin, babai i Martin Canit i bashkohet protestuesve në shesh

Mijëra qytetarë në Bulevard/ Thirrje kundër Ramës dhe Berishës: U ka ardhur fundi, në burg

Balla nga Kuvendi: Greqia u ka borxh shqiptarëve marrëveshjen për pensionet

Dita e 5-të e protestës për Zvërnecin/ Nis marshimi drejt bulevardit: Revolucion

Balla ‘thumbon’ Berishën: U trembe nga protestuesit që erdhën te selia e PD-së dhe ndryshove qëndrim

"Na keni ça k***"/ Noizy shpërthen keq ndaj protestuesve: Nuk po e shet njeri Shqipërinë!

'Zvërneci'/ Berisha: Ju jeni mafie si në Beograd. Të gjitha dokumentet ju i shumëzoni me zero

Berisha: Pse e fshihni kreun e Meduzës. Tokat në Zvërnec i ka rrëmbyer Pjerini nga Lezha dhe Agaçi

Reperi Gashi mbështet protestat për Zvërnecin: Fëmijët tanë nuk janë mysafir në tokën e tyre

Këngëtarja Bebe Rexha vlerësohet me cmimin “Female Icon Award 2026”

Banorët dhe pushuesit përballen me fenomenin e pazakontë në Ksamil

"Ktheni ligjin për investimet strategjike" Bozdo në Kuvend: Betonizuat bregdetin e jugut...

Përplasje e ashpër mes Strazimirit e Muçit: Të rinjtë po protestojnë kundër jush, mbani përgjegjësi

"Marksist-leninist i vogël'! Përplasje e ashpër mes Strazimirit e Muçit:

Ngjarja e rëndë në Maliq/ Autori transportohet drejt Tiranës, familjarët: Çfarë i bëre?!

Berisha: Xhelati Rama u vë protestuesve paqësorë, topat e ujit që gjuajtën edhe foshnjën në karrocë

Berisha-Piro Vengut: Dezertove nga ushtria dhe mashtrove se je pasardhës i Marko Boçarit

Fshihej në një zonë të pyllëzuar, ja vendi ku u gjet autori i ngjarjes në Maliq

"Rama do organizojnë antimiting në Vlorë", Balla i përgjigjet Berishës: Kemi festën e PS!

Bido i kthehet opozitës: Ku ishit ju më 30 maj që nuk folët për Zvërvecin?

“Keni paralajmëruar anti-miting në Vlorë”, Berisha thirrje Ramës: Anuloje, është praktikë fashiste

Deputeti i “Lëvizjes Bashkë”: Rendi i ditës së sotme është kërkesa për dorëheqjen e qeverisë

U plagos në operacionin për kapjen e një personi në kërkim, mbërrin te Trauma polici

Vrasja e efektivit të Policisë në Korçë, Kuvendi nis me një minutë heshtje

Vrau një efektiv dhe plagosi një tjetër, mbërrin në spital autori

Reshjet përmbytin rrugët e Shëngjinit, vështirësi në qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve

Qytetarët nisen sërish drejt kryeministrisë, me flamurin kuq e zi dhe brohorima vazhdojnë protestën

Protestuesit marshojnë drejt zonës së Bllokut, qytetarët e tjerë nuk iu bashkohen #dosja #protesta

Protesta nuk ka të ndalur, qyetarët bllokojnë rrugën te Ura e Tajvanit, thirrje në kor policëve

Nga Sheshi tek Banka, qytetarët bllokojnë rrugën: Edi Rama ka mbaru

Qytetarët nuk ndalen në protestë/ Bllokojnë rrugën te selia e PS-së, ulen në gjunjë

Vazhdon protesta për Zvërnëcin/ Protestuesit ngren nga kafet qytetarët te Opera

E mbuluar me flamurin kuq e zi, e reja shfaqet me foshnjën në krah gjatë protestës

"Edi Rama jep dorëheqjen/E reja nga protesta:Ka ardhur koha të shkosh me Berishën te Veliaj dhe Meta

Qytetarët protestë në Vlorë për Zvërnecin, me pankarta në duar marshojnë drejt Sheshit të Flamurit

Dy orë protestë, bulevardi plot qytetarë ndriçohet nga blicat e telefonave: Jep dorëheqje