Opozita kërkon Ramën në Kuvend/ Zvërneci bëhet temë dite në seancën plenare, Berisha: Rama u vuri protestuesve topat e ujit. Balla: Projekti do bëhet
Resorti në Zvërnec, Zhupa: S’ka turizëm të qëndrueshëm me beton të qëndrueshëm 4 Qershor, 1...
Resorti në Zvërnec, Zhupa: S’ka turizëm të qëndrueshëm me beton të qëndrueshëm 4 Qershor, 1...
FOTO/ Ja kush është polici që u vra në krye të detyrës në Maliq 4 Qershor, 09:06 Vrasja e...
Pas më shumë se tre orësh, mbyllet protesta para Kryeministrisë/ Qytetarët thirrje: Nesër sërish në...
Tragjedia me dy viktima në Shëngjin, policia jep detaje: Të gjithë shtetas nga Kosova, tre persona në spital 3 Qersho...
Ligji ka hyrë në fuqi që në vitin 2021, por në praktikë ende nuk është plotësisht i zbatueshëm, në pritje të hyrjes së plotë në fuqi të akteve të nevojshme nënligjore.

TIRANË- Në vitin 2020, Shqipëria miratoi ligjin e ri për Shërbimet e Pagesave. Ai është përshtatur në frymën e Direktivës II të Pagesave të Bashkimit Europian, për të krijuar hapësirat e një konkurrence më të madhe në tregun e shërbimeve të pagesave dhe për një zhvillim më të madh të institucioneve financiare që ofrojnë pagesa elektronike.
Ligji ka hyrë në fuqi që në vitin 2021, por në praktikë ende nuk është plotësisht i zbatueshëm, në pritje të hyrjes së plotë në fuqi të akteve të nevojshme nënligjore.
Dispozitat ende të pazbatueshme lidhen kryesisht me konceptin e bankingut të hapur. Megjithëse risitë më të rëndësishme të ligjit të ri ende nuk janë të zbatueshme, tregu i pagesave po tërheq një numër të konsiderueshëm aktorësh të rinj. Vetëm në dy vitet e fundit, Banka e Shqipërisë ka licencuar gjashtë institucione të reja të parasë elektronike.
Numri i përgjithshëm i institucioneve të licencuara të parasë elektronike ka arritur në nëntë të tilla. Banka më e madhe në vend, BKT, gjithashtu ka themeluar një institucion të parasë elektronike, që pritet të licencohet së shpejti nga Banka e Shqipërisë.
Ndërsa tregu bankar në vitet e fundit po kalon një proces të dukshëm konsolidimi, me uljen e numrit të bankave nga 16 në 11, tregu i fintechs duket në një fazë mjaft dinamike dhe po tërheq investitorë të rinj.
Interesi bazohet në potencialet e mëdha ende të pashfrytëzuara të tregut shqiptar, në drejtim të përfshirjes financiare dhe paralelisht në zgjerimin e aksesit të publikut në teknologjitë e reja të informacionit dhe komunikimit.
Prej disa vitesh ka marrë zhvillim të shpejtë tregu i mikrofinancës konsumatore, që shfrytëzon teknologjinë për të ofruar shërbim shumë të shpejtë dhe me procedura minimale, por natyrisht me një risk dhe çmim më të lartë të kredisë.
Interesi i lartë i kompanive të reja për shërbime financiare të kreditimit dhe të pagesave është sinjal që tregon se edhe Shqipëria mund të jetë drejt një epoke të zhvillimit të institucioneve fintech, tendencë që në vendet më të zhvilluara është e prekshme prej vitesh.
Pagesa me para elektronike është një formë pagese e ngjashme me pagesën me kartë bankare, por ndryshimi kryesor është se këto transaksione nuk kryhen nëpërmjet kartave dhe POS-eve të sektorit bankar, por infrastrukturës së institucioneve të licencuara të parasë elektronike.
Shifrat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se numri dhe vlera e veprimeve me para elektronike është në rritje të ndjeshme në vitet e fundit. Për vitin e kaluar, numri i transaksioneve me para elektronike arriti në 11.2 milionë, në rritje me 61% krahasuar me një vit më parë.
Rritja është më e ndjeshme në vlera të transaksioneve. Për vitin 2022, vlera e raportuar e veprimeve me para elektronike arriti në 93.3 miliardë lekë, në rritje me 205% krahasuar me vitin 2021.
Rritja është po kaq e dukshme edhe në numrin e llogarive. Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit të kaluar, numri i llogarive të parasë elektronike arriti në më shumë se 73 mijë, në rritje me 273% krahasuar me një vit më parë.
Rritja e përdorimit të këtyre pagesave po shoqërohet edhe me një zgjerim të shpejtë të infrastrukturës teknologjike që ato shfrytëzojnë. Sipas Bankës së Shqipërisë, në mesin e këtij viti, numri i terminaleve për përdorimin e parasë elektronike arriti në thuajse 28 mijë, në rritje me 407% që nga fillimi i vitit.
Këto shifra dëshmojnë rritjen e peshës së institucioneve të parasë elektronike në tregun e pagesave. Megjithatë, kjo rritje duhet lexuar me kujdes dhe jo domosdoshmërisht nënkupton pragun e një shpërthimi apo lulëzimi të sektorit fintech.
Një pjesë e veprimeve me para elektronike ngelen të lidhura me veprime në para cash, siç mund të jenë format e ndryshme të pagesave që qytetarët kryejnë nëpërmjet sporteleve fizike të parasë elektronike në formë cash, por që më tej ekzekutohen nëpërmjet terminaleve të parasë elektronike të këtyre operatorëve.
Gjithashtu, disa prej institucioneve të reja të parasë elektronike, si për shembull IutePay, e lidhin hapjen e llogarive të parasë elektronike me disbursimin e kredive të kompanisë simotër IuteCredit, që është edhe subjekti më i madh i mikrokredive konsumatore në vend.
Për këtë arsye, një pjesë e rritjes që tregojnë shifrat e sipërpërmendura lidhet me faktorë anësorë dhe që nuk përfaqësojnë në vetvete një depërtim direkt të formave fintech të pagesave.
Po të shohim pasqyrat financiare të institucioneve jobankare të pagesave për vitin 2022, shumica e tyre kanë gjeneruar të ardhura modeste dhe e kanë mbyllur vitin me humbje. Përjashtim bëjnë institucionet financiare të konsoliduara, si UFT, AK Invest apo Easy Pay, por që bazën e të ardhurave e kanë të përqendruar kryesisht te shërbimet e trasfertave të parave, apo të pagesave në sportel.
Mes institucioneve të reja fintech të themeluara pas vitit 2020, i vetmi subjekt që raportoi rezultat me fitim në vitin 2022 ishte Paysera Albania. Ky institucion ka arritur një lloj depërtimi në treg, por kjo ka ardhur sidomos nga shërbimet e transfertave ndërkombëtare të parave.
Falë infrastrukturës së kompanisë mëmë, Paysera (dega shqiptare nuk është kompani e kontrolluar nga Paysera, por franchise në pronësi të investitorëve shqiptarë), ky institucion ofron tarifa konkurruese të transfertave ndërkombëtare në hapësirën europiane të pagesave.
Deri tani, fokusi kryesor i institucioneve të reja fintech ka qenë kryesisht krijimi i llogarive/portofolave elektronikë nëpërmjet të cilave, klientët mund të kryejnë një spektër të gjerë pagesash, të qendërzuara në aplikacionet e tyre.
Shërbimet e pagesave përfshijnë pagesën e faturave dhe utiliteteve, transfertat e parave, blerjet online, ose në pikat e shitjes, etj. Në përgjithësi, synimi është krijimi i të ashtuquajturave Super Apps, ku klientët mund të kryejnë blerje, apo pagesa, për shumicën e nevojave të zakonshme konsumatore.
Megjithatë, disa prej institucioneve të parasë elektronike po e gërshetojnë konceptin e fintech edhe me instrumentet më klasike të pagesave, si kartat, për të krijuar një urë me infrastrukturën e sektorit bankar dhe operatorëve globalë të sistemeve të pagesave, si Visa apo Mastercard.
Sidoqoftë, deri tani, institucionet fintech po e gjejnë të vështirë të sigurojnë avantazhe konkurruese ndaj sektorit bankar, që ka një depërtim shumë më të madh në treg dhe që i ofron prej vitesh shumicën e këtyre shërbimeve, nëpërmjet aplikacioneve të internet banking apo kartave bankare.
Në vitet e fundit, kuadri rregullator për shërbimet e pagesave po pëson një transformim me efekte të rëndësishme edhe në konkurrencën për këto shërbime.
Një nga risitë kryesore të ligjit të ri “Për shërbimet e pagesave” është koncepti i bankingut të hapur, që do t’iu mundësojë përdoruesve të përdorin llogarinë e tyre bankare për të kryer shërbime pagesash të ofruara nga institucione të tjera financiare.
Bankat do të jenë të detyruara të japin akses me aprovimin e titullarit të llogarisë dhe vetëm për qëllime të transaksioneve të pagesave. Mbështetur në konceptin e mësipërm, do të krijohen dy shërbime të reja, ai i informacionit mbi llogaritë dhe shërbimi i inicimit të pagesave.
Objektivi i Bankës së Shqipërisë është që, koncepti i open banking të bëhet operacional vitin e ardhshëm dhe pritet të mundësohet me zbatimin e plotë të rregullores “Për autentifikimin e thelluar të klientit dhe standardet e përbashkëta, të hapura dhe të sigurta të komunikimit” dhe ka si objekt përcaktimin e kërkesave që duhet të plotësohen nga ofruesit e shërbimeve të pagesave, me qëllim zbatimin e masave të sigurisë, për zbatimin e procedurës së autentifikimit të thelluar të klientit, në përputhje me nenin 90 të ligjit.
Rregullorja parashikon vendosjen e standardeve të përbashkëta, të hapura dhe të sigurta të komunikimit ndërmjet ofruesve të shërbimeve të ndryshme të pagesës.
Kjo rregullore lidhet ngushtë me konceptin e bankingut të hapur, që është një ndër risitë kryesore të ligjit të ri. Ai mundëson që klientët të realizojnë shërbime pagesash nga llogaria e tyre bankare edhe nëpërmjet institucioneve të tjera financiare dhe jo domosdoshmërisht nëpërmjet bankës ku kanë llogarinë.
Mbi këtë bazë, çdo zotërues i një llogarie bankare mund të marrë informacion mbi gjendjen e llogarisë dhe të iniciojë pagesa edhe nga një institucion financiar i ndryshëm nga banka, i licencuar për këto shërbime.
Autentifikimi i thelluar nënkupton kriteret e sigurisë që duhen përmbushur, në mënyrë që klienti të aksesojë llogarinë e tij bankare nëpërmjet një institucioni tjetër financiar. Rregullorja kërkon që ofruesit e shërbimeve të pagesave të disponojnë mekanizma të monitorimit të transaksioneve, që u mundësojnë atyre zbulimin apo identifikimin e transaksioneve të pagesave të paautorizuara ose me qëllime mashtrimi.
Mekanizmat do të bazohen në analizën e transaksioneve të pagesave, duke marrë parasysh elementet që janë tipikë për përdoruesit e shërbimeve të pagesave në rrethanat e një përdorimi normal të kredencialeve të personalizuara të sigurisë.
Megjithëse open banking pritet të sjellë një ndryshim të rëndësishëm në mjedisin konkurrues të tregut të pagesave, aktorët e tregut janë ende dyshues rreth faktit që kjo hapje do të jetë realisht efektive dhe e zbatueshme.
“Pritshmëritë tona, për momentin, janë pak skeptike. Ne mendojmë që në këtë fazë, vetëm 2% deri në 5% e përdoruesve do të jetë në gjendje të përdorë funksionet e reja që do të ofrojë banking i hapur. Ne jemi gjithashtu skeptikë që banking i hapur do të nisë realisht të zbatohet sipas parashikimeve ligjore, në fillim të vitit të ardhshëm.
Në teori, bankat mund të jenë gati, por kur një fintech të paraqitet për bashkëpunim dhe integrim mund të ketë vonesa dhe zvarritje të gjata. Çështja në vetvete përfshin teknikalitete që mund të shkaktojnë vështirësi dhe bllokime.
Mendoj se shumë do të varet nga vullneti i mirë që do të kenë bankat e veçanta për ta bërë këtë gjë” – thotë Akil Rajdho, Drejtor i Përgjithshëm i institucionit financiar RPay.
Stela Shkodrani, Drejtore e përgjithshme e IutePay, shprehet se, megjithëse ligji i ri ka sqaruar dhe standardizuar një pjesë të madhe të kërkesave të operimit të çdo lojtari financiar në fushën e ofrimit të pagesave ka ende nevojë për disa zhvillime të mëtejshme në implementim, në mënyrë që të garantohet konkurrencë e barabartë me institucionet që ofrojnë shërbimet e pagesave.
“Praktikisht, ligji i ri i kërkon çdo banke të ofrojë mundësinë e integrimit direkt me ente financiare jobankë, për të mundësuar ndërlidhjen e llogarive në kohë reale, që klienti mund të ketë në të dy entet përkatëse.
Aktualisht, një nga vështirësitë më sfiduese në fushën e operimit të parasë elektronike dhe fintechs është pranimi i projektit të integrimit nga ana e entit bankar, dhe nëse pranohet, kohëzgjatja e lartë e projekteve të integrimit që nuk ecin në të njëjtën dinamikë me zhvillimet e shpejta në Institucionet fintech si IutePay”, – thotë znj. Shkodrani.
Fintech, a mund ta thyejnë “mitin” e bankave?
Në përgjithësi, bankat ngelen dominuese në strukturën e sektorit financiar shqiptar dhe shërbimet e pagesave nuk bëjnë përjashtim. Aktualisht, roli i institucioneve financiare jobanka është i rëndësishëm kryesisht në ofrimin e shërbimeve të pagesave në sportel, pra, në formë cash. Institucionet e mirëfillta të llojit fintech janë në hapat e parë dhe, sipas drejtuesve të tyre, po punohet kryesisht në edukimin e klientëve.
Në momentin që bankingu i hapur do të bëhet funksional, kjo do të krijojë hapësira më të mëdha konkurruese për institucionet fintech. Përdoruesit do të mund të marrin shërbime pagesash nga institucionet fintech, duke përdorur llogaritë bankare ekzistuese, pa pasur nevojë të krijojnë llogari të posaçme në institucionet fintech dhe t’i rimbushin ato me fonde në mënyrë periodike.
Megjithatë, as ligji i ri për shërbimet e pagesave nuk iu jep institucioneve jobankare akses direkt në sistemet kombëtare të pagesave. Linda Shomo, Drejtore e Përgjithshme e EasyPay, thotë se një kufizim i tillë nuk i vendos institucionet fintech në kushtet e një konkurrence të barabartë me bankat.
“Aktualisht në Shqipëri, Fintechs nuk kanë ende akses direkt në infrastrukturën kombëtare të pagesave, d.m.th. në ‘Clearing houses’ por bazuar në rregulloret e reja që solli ligji i ri i pagesave, fintechs mund të kenë akses indirekt, gjithmonë nëpërmjet një banke. Ky sigurisht është zhvillim pozitiv në krahasim me aksesin që kishin përpara pak vitesh, por në të njëjtën kohë, mosqasja direkte nuk sjell konkurrencë të barabartë me bankat dhe rrit kostot” – thotë ajo.
Megjithatë, ajo mendon se përveç konkurrencës, ligji i ri i pagesave hap shumë mundësi të reja për bashkëpunim mes bankave dhe institucioneve financiare.
“Një shembull mund të jetë fakti që ky ligj i ri u jep mundësinë bankave të punojnë me agjentë dhe duke marrë parasysh që institucionet financiare kanë një numër shumë më të madh agjentësh në gjithë Shqipërinë, bankat mund të shtrijnë edhe më gjerë gamën e tyre të produkteve në këto rrjete të reja distribucioni.
Bankat janë baza kryesore e sektorit financiar, por eksperienca në vendet europiane ku bankingu i hapur është bërë realitet, ka treguar që fintechs kanë sjellë një valë të re produktesh dhe shërbimesh inovative, të cilat kanë thjeshtuar jetën e përditshme të klientëve fundorë.
Teksa klientët fillojnë të kuptojnë vlerën e të dhënave të tyre – bankat do të jenë disi të detyruara të kalojnë drejt modeleve më të hapura dhe gjithëpërfshirëse. Klientët do të kërkojnë produkte financiare më të lehta, më të thjeshta dhe intuitive dhe kompanitë fintech mund t’i mbështesin bankat në shumë aspekte për ta kthyer atë në një situatë të favorshme për të gjithë”, – shton ajo.
Edhe Elton Çollaku, Administrator i Union Financiar Tiranë (UFT) mendon se institucionet fintech mund të kenë një rol komplementar me sektorin bankar, duke ofruar shërbime më të shpejta dhe të zhdërvjellëta në segmente specifike të tregut.
“Mendoj se ato institucione fintech, të cilat do të jenë në gjendje t’i mbijetojnë kohës dhe konkurrencës, këtu u referohem edhe zhvillimeve në këtë fushë në tregjet europine, do të jenë më shumë si pjesë komplementare e sektorit bankar, duke ofruar shërbime të shpejta dhe të zhdërvjellëta në segmente specifike të tregut dhe të cilat do të perceptohen pozitivisht nga klienti fundor.
E shoh si një konkurrencë pozitive, që do t’u mundësojë klientëve të kenë zgjidhje më të shpejtë dhe inovative për elemente të caktuara të shërbimeve që ata kërkojnë”, – thotë ai.
Akil Rajdho, nga RPay, vë në dukje se institucionet fintech kanë aktualisht një avantazh në kosto.
“Pagesat që bankat u mundësojnë tregtarëve dhe klientëve të tyre varen nga infrastruktura e Visa dhe Mastercard, që kanë kosto të larta, madje edhe kërkesa shtesë që shkojnë edhe përtej kërkesave të legjislacionit shqiptar. Vetëm kostot që aplikojnë Visa dhe Mastercard janë afërsisht 1.6-1.7% e vlerës së transaksionit.
Pagesat me kartë bankare gjithashtu kanë edhe një kosto fillestare dhe mirëmbajtjeje të terminalit POS. Nga ana tjetër, ne si fintech, duke mos qenë domosdoshmërisht pjesë e Visa apo Mastercard, kemi kosto më të ulëta. Ne punojmë nëpërmjet pagesave me QR Code.
Nuk kemi nevojë për një pajisje POS, por për të pranuar pagesa me QR Code, mjaft të printohet një copë letër. Përveç kostos, kjo na jep edhe avantazhin e shpejtësisë. Nëse banka ka nevojë për javë të tëra për të arritur dhe për të zbatuar marrëveshjen me një tregtar, ne mund ta ofrojmë shërbimin për klientët tanë për pak orë”, shprehet ai.
Megjithatë, deri tani, disavantazhi që bankat kanë kosto, kompensohet nga baza e gjerë e klientelës, përdorimi më i madh i kartave bankare, infrastruktura e pagesave e ndërtuar në vite dhe fuqia më e madhe investuese. Ndërkohë, teknologjia e pagesave në nivel global pritet të zhvendoset gjithnjë e më shumë nga pagesat me kartë te pagesat e çastit, nga llogaria në llogari.
Banka e Shqipërisë ka vendosur ndër prioritetet e veta ngritjen e një infrastrukture të instant payments, që pritet të zëvendësojë gradualisht infrastrukturën aktuale të kartave, duke mundësuar kryerjen më të shpejtë të transaksioneve, me kosto më të ulët.
Sfida e tranzicionit nga një ekonomi cash
Me gjithë një tendencë të natyrshme në rritje të pagesave jo cash në vitet e fundit, transaksionet cash vazhdojnë të jenë dominuese në ekonominë shqiptare. Sipas ekspertëve, kjo lidhet me informalitetin, nivelin e ulët të të ardhurave dhe me depërtimin ende të pamjaftueshëm të shërbimeve bankare dhe financiare.
Një mjedis i tillë është sfidues për zhvillimin e sektorit fintech, por njëkohësisht mbart edhe potenciale të pashfrytëzuara dhe oportunitete për sektorin fintech.
Bora Feri, Drejtore Operacionale e institucionit financiar MPay, mendon se transaksionet cash do të vazhdojnë të jenë dominuese në të ardhmen e afërt. Sipas saj, një ndryshim transformues mund të ndodhë vetëm nëse do të ketë nisma të forta nga institucionet publike
“Pagesat elektronike kanë pasur evolucion shumë pozitiv në 10 vitet e fundit. Kanë ardhur nga hiçi, për të zënë sidoqoftë vend në realitetin e përditshëm të konsumatorit shqiptar. Kështu që duhet t’ia njohim këto merita. Ndërsa për sa i përket cash-it, përdorimi i gjerë i tij mund të reduktohet me sukses vetëm me nisma top-down, që vijnë nga qeveria dhe institucionet ligjzbatuese.
Për sa kohë që transaksionet cash janë të pranuara dhe të përdorura masivisht, niveli i transaksioneve elektronike do të jetë i cunguar dhe do të njohë vetëm rritje organike, e krijuar nga nevoja dhe jo rritje disruptive që shkund shtyllat ekzistuese.
Por përfundimisht, këto janë procese transformative që kërkojnë ndryshim sistemik në qasje, mentalitet dhe edukim dhe si të tilla, duan kohën e tyre. Por, nuk janë të pamundura”, – thotë znj. Feri.
Stela Shkodrani, nga IutePay, mendon se zhvillimi i shërbimeve dixhitale të pagesave rreth telefonave celularë gradualisht do të ndikojë në uljen e përdorimit të parasë cash.
“Duke qenë se jo shumë klientë shqiptarë e përdorin llogarinë bankare apo vizitojnë bankën, entet e parasë elektronike e ofrojnë të njëjtin shërbim të inkorporuar brenda mjetit më masiv të përdorimit nga klienti shqiptar: një aplikacion i thjeshtë për t’u përdorur dhe i sigurt direkt nga telefoni celular.
Në këtë mënyrë, ne luajmë rol tepër të rëndësishëm në përfshirjen financiare të masës dhe të uljes së përdorimit cash”, thotë ajo.
Sektori ka nisur identifikimin dhe nënshkrimin në distancë
Një nga avantazhet që promovojnë institucionet fintech është mundësia për ofrimin e plotë të shërbimit të distancë, pa pasur nevojë për praninë fizike të klientit, qoftë edhe në fazën e identifikimit fillestar dhe nënshkrimin fizik të kontratës së hapjes së një llogarie.
Një praktikë e tillë ka nisur të përdoret nga disa institucione financiare në Shqipëri, megjithëse në vendin tonë nuk ka ende një kuadër ligjor plotësisht të qartë dhe funksional për identifikimin dhe nënshkrimin në distancë të individëve.
Sidoqoftë, ligji aktualisht në fuqi për identifikimin elektronik nëpërmjet disa amendimeve që janë bërë në vitin 2016 shprehet se “për Ofruesit e Kualifikuar të Shërbimit të Besuar, të cilët operojnë në vendet anëtare të Bashkimit Europian dhe janë të akredituar nga autoriteti mbikëqyrës përkatës, identifikimet dhe shërbimet e besuara të lëshuara prej tyre do të kenë të njëjtën vlefshmëri ligjore dhe fuqi provuese, si ato të lëshuara nga një Ofrues i Kualifikuar i Shërbimit të Besuar, që operon në Republikën e Shqipërisë”.
Bazuar në këtë hapësirë, disa institucione financiare, ofrojnë shërbime pa nevojën e pranisë fizike të klientit, duke ofruar identifikim dhe nënshkrim elektronik në distancë, nëpërmjet ofruesve të besuar të shërbimit, nga vendet e BE-së.
Disa prej institucioneve financiare në Shqipëri (ku përfshihen banka, institucione financiare të mikrokredisë dhe institucione të parasë elektronike) e aplikojnë identifikimin dhe nënshkrimin në distancë, nëpërmjet ofruesve të besuar të këtij shërbimi nga vendet e Bashkimit Europian.
Këta operatorë ofrojnë për bizneset shërbimet e identifikimit dhe nënshkrimit në distancë, pa pasur nevojë që klienti i institucionit financiar të paraqitet fizikisht në degë. Procesi kryhet duke ngarkuar dokumentin e identitetit në aplikacionet e ofruesve të shërbimit dhe duke vendosur të dhënat e dokumentit.
Më tej, aplikacionet skanojnë të dhënat biometrike të klientit (fytyrën) dhe verifikojnë nëse ato përputhen me dokumentin e identitetit. Kur identiteti konfirmohet, klienti merr më tej një kod autorizimi, që ka edhe funksionin e nënshkrimit elektronik të kontratës me institucionin financiar.
Megjithatë, projektligji i ri “Për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara”, që u hodh për konsultim publik në fund të vitit të kaluar, mund ta vërë në rrezik përparimin e deritanishëm, sepse nuk njeh më automatikisht ofruesit e besuar të shërbimeve nga vendet e BE-së.
Projektligji kërkon që ofruesi i shërbimit të besuar, i cili nuk ka marrë statusin “i kualifikuar” dhe që synon të ofrojë shërbime të besuara të kualifikuara, brenda 24 orëve me fillimin e ushtrimit të aktivitetit, paraqet pranë Autoritetit një kërkesë të shoqëruar me dokumentacionin përkatës, përfshirë edhe raportin e vlerësimit të konformitetit të lëshuar nga Organizmi i Testimit dhe Konfirmimit.
Organizmi i Testimit dhe Konfirmimit do të jetë një organ kompetent i akredituar, për të kryer vlerësimet dhe testimet e konformitetit të veprimtarisë së një Ofruesi të Kualifikuar të Shërbimit të Besuar. Operatori duhet të provojë në AKCESK se zotëron besueshmërinë e nevojshme dhe njohuritë e specializuara, të duhura, për ushtrimin e veprimtarisë si Ofrues i Shërbimit të Besuar, si dhe zotëron garancinë e nevojshme financiare për dëmshpërblimet e mundshme, sipas kërkesave të ligjit të ri.
Nëse Autoriteti (AKCESK) konstaton se Ofruesi i Shërbimit të Besuar dhe shërbimet e besuara të ofruara prej tij janë në përputhje me kërkesat e këtij ligji, jo më vonë se tre muaj nga marrja e kërkesës nga Ofruesi i Shërbimit të Besuar, i jep statusin “i kualifikuar”, si dhe përditëson listën e besuar.
Kushtet dhe kriteret, që duhet të përmbushë Ofruesi i Kualifikuar i Shërbimit të Besuar përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave.
Sipas institucioneve financiare, Shqipëria është një treg i vogël dhe operatorët e rëndësishëm nga vendet e BE-së nuk do të kishin interes të kryenin një proces të posaçëm regjistrimi tatimor dhe akreditimi ligjor në vendin tonë.
Kjo mund t’u hapë rrugën krijimit të monopoleve lokale për ofrimin e shërbimit të identifikimit në distancë. Argumenti kryesor i institucionit që ka hartuar projektligjin (AKCESK) është se njohja automatikisht e ofruesve nga vendet e BE-së do të cenonte parimin e reciprocitetit, për sa kohë që ofruesit shqiptarë nuk e gëzojnë automatikisht të njëjtën të drejtë për të vepruar në hapësirën e BE-së.
Institucionet financiare sugjerojnë që, në nenin 15 të ligjit, të shtohet një pikë tjetër, që të përcaktojë se “Për Ofruesit e Kualifikuar të Shërbimit të Besuar, të cilët operojnë në vende anëtare të Bashkimit Europian dhe janë të akredituar nga autoriteti mbikëqyrës përkatës, identifikimet dhe shërbimet e besuara të lëshuara prej tyre do të kenë të njëjtën vlefshmëri ligjore dhe fuqi provuese, si ato të lëshuara nga një Ofrues i Kualifikuar i Shërbimit të Besuar, që operon në Republikën e Shqipërisë”.
Marrë nga Monitor.al
Foto Ilustruese TIRANË- Çmimet janë rritur në restorante për vendasit, por ato vijojnë të jenë ndër më ...
Foto Ilustruese TIRANË- Nga 1 janari 2024 nis zbatimin paketa e re fiskale me rritjen e akcizës së duhanit dhe cigareve dhe tatimin mbi t&eu...
Foto Ilustruese TIRANË- Nis sot zbatimi i tatimit progresiv me normat tatimore 15% dhe 23% për të vetëpunësuarit, ...
foto ilustruese TIRANË- Pas miratimit të ligjit të ri “Për shërbimet e pagesave”, në Shqipëri pati një ...
foto ilustruese TIRANË- Liberalizimi i tregut të energjisë pritet të kalojë në një tjetër fazë nga janari 202...
Foto Ilustruese TIRANË- Pagesat cash janë dominuese në ekonomi, ndërkohë që të ardhurat edhe shpenzimet e shqiptarë...
Foto Ilustruese TIRANË- Nga 1 janari do të nisë zbatimi i tatimit progresiv me normat tatimore 15% dhe 23% për të vetë pun&eu...
Foto Ilustruese TIRANË- Nga 1 janari 2024, të vetëpunësuarit dhe personat fizik të profesioneve të lira të përcaktu...
Paraja TIRANË- Mbi 48 për qind e të punësuarve me pagë në vendin tonë marrin pagë bruto deri në 50 mijë l...
Deficitet në prodhim dhe rritja e kostove po i bën gjithnjë e më shumë prodhimet vendase jo konkurruese. Të dhënat e INSTA...