LIVE UPDATES
Ekonomi

Tregtimi dhe shitja e energjisë janë “ari” i ri i bizneseve, fituan 25 miliardë lekë; KESH humbi 27 miliardë lekë

Shtrenjtimi i energjisë në vitin 2022 dha një efekt të rëndë në financat e KESH, që e mbylli vitin me një humbje prej 26.7 miliardë lekësh, nga fitimet e 3.5 miliardë lekëve në vitin e mëparshëm.

25 Nëntor 2023, 07:50 Nga I.A

Tregtimi dhe shitja e energjisë janë “ari” i ri i

TIRANË- Sektori i energjisë shfaqi dy kontraste në vitin 2022, teksa u shënua kulmi i krizës së energjisë, me çmimet në bursa që prekën vlera të papara ndonjëherë, duke kapur në fund të gushtit vlerën 1047 euro/MWh apo 130 lekë/kWh.

Çmimi mesatar i blerjes së energjisë në tregun e lirë gjatë 2022 arriti 305 euro/MWh, sipas Entit Rregullator të Energjisë, gati 3.5 herë më i lartë sesa mesatarja e zakonshme që vendi e importonte energjinë në periudhën para fillimit të krizës.

Thatësira e tejzgjatur në gjysmën e dytë të vitit rriti ndjeshëm varësinë nga importet. Sipas të dhënave të INSTAT, në 2022, pesha e importeve në raport me energjinë në dispozicion arriti në 38.4%, nga 26.8% që ishte në vitin 2021.

Sasia e energjisë e importuar në vitin 2022 ishte 1,467,734 MWh, me çmim mesatar importi 305.48 Euro/MWh, sipas burimeve zyrtare nga KESH. Në total, për sigurimin e kësaj energjie, u shpenzuan gati 450 milionë euro.

Nga kjo situatë, më të humbur dolën operatorët shtetërorë të energjisë, sidomos KESH, që është përgjegjës për blerjen e energjisë për mbulimin e humbjeve, ndërsa më të fituarit ishin prodhuesit e energjisë, që shitën me çmime të larta dhe tregtuesit, që veprojnë si ndërmjetës mes KESH dhe tregut të lirë për blerjen e importeve.

KESH, me humbje rreth 27 miliardë lekë

Në janar të vitit 2022, prodhuesi publik i energjisë, Korporata Elektroenergjetike Shtetërore (KESH), u ngarkua me detyrimin për të mundësuar të gjithë energjinë e nevojshme për klientët universalë, rol që më parë e kishte pasur Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.

Deri në fund të vitit 2021, Shoqëria KESH luante në sistemin elektroenergjetik shqiptar vetëm rolin e prodhuesit të energjisë, prodhim të cilin ia ofronte shoqërisë publike FSHU (Furnizuesi i Shërbimit Universal, pjesë e OSHHE Group), për aq sa KESH mund të prodhonte dhe kësaj të fundit i nevojitej, duke mos u ekspozuar nga rritja e çmimeve të energjisë në bursa.

Në vitin 2022, sfida më e madhe me të cilën u përball KESH ishin çmimet e larta të energjisë elektrike në tregun rajonal dhe më gjerë, dhe nevoja për sigurimin e energjisë elektrike në kuadër të detyrimit për shërbim publik në kushtet e optimizimit energjetik (gjenerim/import) dhe mbajtja në nivelet aktuale të çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë.

Shtrenjtimi i energjisë në vitin 2022 dha një efekt të rëndë në financat e KESH, që e mbylli vitin me një humbje prej 26.7 miliardë lekësh, nga fitimet e 3.5 miliardë lekëve në vitin e mëparshëm.

Ndonëse të ardhurat u katërfishuan në 36 miliardë lekë, nuk ishin të mjaftueshme për të mbuluar kostot e larta të blerjes së energjisë për mbulimin e humbjeve.

“Viti 2022 cilësohet si një vit specifik dhe i vështirë, ku aktiviteti operacional i Korporatës u përball me sfida të vështira, për shkak të rritjes globale të çmimeve të energjisë dhe gjendjes së emergjencës në furnizimin me energji. Vetë detyrimi i ngarkuar për shoqërinë përbënte një sfidë, e cila shoqërohej me të gjithë ndikimet si natyrore, edhe të aktorëve jashtë vendit.

Viti 2022 ishte i vështirë në aspektin hidrik, i cili i shoqëruar me situatën atipike të tregjeve të energjisë, për shkak të faktorëve gjeopolitikë në Europë, solli për KESH sh.a. rrezikun e ekspozimit të menjëhershëm në kosto të shtuara dhe të paparashikueshme.

Sfidat e vitit 2022 ishin të ndërlidhura me njëra-tjetrën dhe kryesisht u përmblodhën në atë të sigurimit të energjisë elektrike me kosto optimale, për të realizuar furnizimin me energji brenda vendit, pa ndikuar në prekjen e çmimit fundor për konsumatorët”, pohon Administratori i KESH, Ergys Verdho.

Viti 2023 ka qenë më pozitiv. Z. Verdho thotë se për shkak të prurjeve hidrike të fund të vitit 2022 dhe gjashtëmujorit të parë të vitit 2023, është në një situatë me ekspozim të ulur ndaj krizës energjetike.

OSHEE Group u kthehet fitimeve

Në vitin 2020, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) u shndërrua në Korporatën e parë Publike Shqiptare, duke pasur në pronësi 3 shoqëri, Furnizuesin e Shërbimit Universal (FSHU), Furnizuesin e Tregut të Lirë (FTL) dhe Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes (OSSH), nën ombrellën e “OSHEE Group Sh.A.”

Ndryshe nga viti 2021, kur OSHEE Group Sh.A rezultoi me humbje të lartë prej 15.6 miliardë lekësh, e ndikuar nga rritja e jashtëzakonshme e çmimit të energjisë në Tregun e Lirë në 6-mujorin e dytë të vitit 2021, në 2022 grupi ishte i “mbrojtur”, pasi blerja e energjisë në tregun e lirë i kaloi KESH.

Në 2022, OSHEE Group, sipas të dhënave të konsoliduara, të raportuara nga vetë kompania, raportoi një fitim para taksave prej 5.2 miliardë lekësh.

Sipas të dhënave zyrtare të “OSHEE Group”, qarkullimi vjetor i të tria kompanive, duke netuar vlerat e të ardhurave nga aktiviteti i shoqërive brenda grupit ishte 73.3 miliardë lekë në vitin 2022, me rritje 14% në raport me vitin e mëparshëm.

Ecuria ka qenë pozitive dhe në vitin 2023.

“Të dhënat e deritanishme flasin për një performancë pozitive, të paktën në treguesit bazë, siç janë niveli i arkëtimeve dhe reduktimi i humbjeve. Humbjet kanë vijuar trendin e rënies, duke zbritur në 19%, falë mirorganizimit të grupeve në terren, luftës pa kompromis kundër abuzuesve të energjisë elektrike, duke sjellë, nga ana tjetër, rritje të faturimit.

Vlen të theksohet se humbjet në muajin qershor ishin 16%, ndërsa pritshmëria e mbylljes së vitit është për një nivel humbjesh 19%. Më pak humbje për shoqërinë përkthehen në më tepër të ardhura, të cilat janë rritur me 15.3%”, pohon Enea Karakaçi, Administrator i “OSHEE Group”.

OST, me fitime të qëndrueshme

Operatori shtetëror OST sh.a. menaxhon sistemin elektroenergjetik në kohë reale, duke ruajtur një balancë midis kërkesës për konsum dhe prodhimit të energjisë elektrike, në mënyrë që të sigurojë furnizim të besueshëm me energji elektrike, nëpërmjet praktikave bashkëkohore të operimit të sistemit të transmetimit të energjisë elektrike.

Të ardhurat e kompanisë ishin 10.8 miliardë lekë në vitin 2022, me rritje vjetore 21.8%.

Kompania raportoi fitime prej 827 milionë lekësh para taksave, me rënie 10.2% me bazë vjetore.

Administratori i OST, Skerdi Drenova, pohon se “viti 2022, për Operatorin e Sistemit të Transmetimit, ka qenë plot me sfida, mundësi dhe rezultate pozitive. OST ka vijuar angazhimin me përkushtim, për të siguruar një shërbim cilësor dhe të qëndrueshëm për konsumatorët, duke mbajtur një nivel të lartë të sigurisë dhe integritetit të rrjetit, duke kontribuar në zhvillimin e tregut rajonal të energjisë, si dhe duke vijuar me zbatimin e projekteve strategjike”.

Tregtuesit e energjisë dyfishojnë fitimet

Tregtimi i energjisë është një segment që po josh bizneset, pasi nëse ke njohuritë e duhura dhe kapital mund të rritesh shumë shpejt, teksa numri i punonjësve që kërkohen është minimal (shoqëritë kanë maksimumi 4 apo 5 punonjës).

Ndonëse është një biznes i paqëndrueshëm, në varësi të nevojave të operatorëve shtetërorë për të blerë energji nga importi, modeli i thjeshtë dhe pa nevojë për shumë investime (përveç garancisë bankare), po nxit hyrje të reja.

Në vitin 2022, për të dytin vit radhazi, treguesit e energjisë shënuan rritje të lartë të të ardhurave, të ndikuara nga shtrenjtimi i çmimeve. Fitimet nuk u rritën me të njëjtat ritme si të ardhurat, por sërish ato ishin në nivele të kënaqshme. Fitimi në total i 6 operatorëve kryesorë në fushën e tregtimit të energjisë elektrike ishte 11.4 miliardë lekë, duke më se u dyfishuar në raport me vitin e mëparshëm.

GSA” kishte të ardhura vetëm nga aktiviteti i tregtimit të energjisë prej 26.6 miliardë lekësh, sipas të dhënave në bilanc, ose sa 64% e totalit të qarkullimit vjetor të deklaruar (pjesa tjetër vjen nga shitja e ferrokromit).

Në krahasim me vitin e mëparshëm, të ardhurat nga tregtimi i energjisë u dyfishuan. Fitimi total i kompanisë ishte 7.3 miliardë lekë, rreth 2.3 herë më i lartë se viti i mëparshëm (nuk ka të dhëna të detajuara se sa për qind e fitimeve ka ardhur nga tregtimi i energjisë dhe sa nga shitja e ferrokromit). Shoqëria ka 184 punonjës, nga të cilët 159 janë në uzinën e ferrokromit dhe 32 në zyrat qendrore.

“Ener Trade”, pjesë e grupit “Gjonaj”, ishte sërish operatori më i madh në vend i tregtimit të energjisë, me të ardhura prej 42.7 miliardë lekësh, me rritje 2.4 herë në krahasim me vitin e mëparshëm.

Fitimet u rritën më ngadalë, me 26%, në 1.6 miliardë lekë, si rrjedhojë e shpenzimeve më të larta. Sipas raportit të aktivitetit, rritja e shpenzimeve operative erdhi si rezultat i ndryshimit të strategjisë së shitjes, riorganizimit të brendshëm. Norma e fitimit ishte 2.8%.

Sipas burimeve zyrtare, “Ener Trade” nuk ka aktivitet vetëm në Shqipëri, por është kthyer në një tregtues të mirëfilltë të energjisë elektrike në Europën Lindore, duke marrë statusin e një tregtuesi rajonal të energjisë elektrike me shumicë, me prani në të gjitha bursat e energjisë elektrike, nga Hungaria deri në Greqi.

“Ayen Energy Trading” pothuajse dyfishoi të ardhurat në 7.8 miliardë lekë, ndërsa fitimet arritën në 1 miliard lekë, nga 164 milionë lekë vitin e mëparshëm.

“Tirana International Development-TID”, një shoqëri që më herët ishte e specializuar në ndërtime, për të dytin vit radhazi është në listë. Fitimet u trefishuan në 956 milionë lekë.

“Noa Energy Trade” raportoi të ardhura prej 14.9 miliardë lekësh dhe fitime prej 558 milionë lekësh (rritje e lehtë në raport me vitin e mëparshëm). Sipas raportit të aktivitetit, Shoqëria ka të punësuar 3 punonjës më 31 dhjetor 2022, nga të cilët 1 punonjës i përket Kosovës.

GEN-I Tirana”, operatori slloven i tregtimit të energjisë, me kapital shtetëror, ka rritur të ardhurat me 63% në 20.1 miliardë lekë, por fitimet ishin sërish minimale, duke mos u renditur në listën e “Monitor 200” sipas fitimeve, por vetëm në atë të të ardhurave.

A mund ta blejë KESH vetë energjinë në treg të lirë, duke shmangur ndërmjetësit?!

Ergys Verdho, Administrator i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, pohon se modelet e tregjeve të energjisë bazohen në tregtimin e lirë të produktit energjetik dhe Republika e Shqipërisë, në kuadër të procesit të integrimit në BE, aplikon një model tregu, të bazuar në veprimtarinë e tregtimit të energjisë.

Ekzistenca e tregtarëve në tregun e energjisë elektrike është e pashmangshme, për shkak të modelit.

A mund ta bëjë vetë KESH blerjen e energjisë në bursa, duke reduktuar në këtë mënyrë humbjen, ndërkohë që hallka e ndërmjetësve po rezulton me fitime të larta?!

Z. Verdho shpjegon se është e pamundur që KESH ta bëjë vetë blerjen e energjisë. “Një model tregu i përqendruar me ligj është i pazbatueshëm, pasi bie ndesh edhe me rregullimet ligjore ndaj subjekteve të cilët janë në të njëjtën kohë edhe prodhues, edhe tregtarë.

Sipas ligjit ‘Për Sektorin e Energjisë’, zbatohen parashikimet për të drejtën e vendosjes së detyrimit për shërbim publik, sipas kritereve dhe kushteve ligjore.

Energjia elektrike është një produkt, mall, me karakteristikën e veçantë që është i pamagazinueshëm si mallrat e tjerë, ndaj qarkullimi i energjisë kryesisht nga importi, kërkon përfshirjen e palëve që realizojnë menaxhimin e portofolave energjetikë me flukse të ndryshme”.

Aktorët e tregut pohojnë se në kushtet aktuale, KESH e ka të pamundur të manovrojë në bursat europiane dhe të blejë energji ndërsa tregtuesit e energjisë kanë kapitalin e nevojshëm, aftësinë paguese dhe koniunkturën për të realizuar këtë proces, pasi kanë filiale dhe jashtë Shqipërisë.

Ata shpjegojnë se blerja e energjisë nga KESH mund të realizohej, nëse do të kishte një treg ideal, që nënkupton që të gjitha bursat e energjisë së rajonit të ishin tërësisht funksionale.

Për momentin, në rajon, Sllovenia është e vetmja që e blen energjinë direkt, të gjithë operatorët e shteteve të tjera përdorin ndërmjetësit.

HEC-et e mëdha, me fitime nga çmimet e larta të energjisë

Investimet e mëdha të kryera në ndërtimin e hidrocentraleve private po japin kthime të kënaqshme. Historikisht, hidrocentralet e vogla janë renditur në listën e më fitimprurësve të “Monitor 200”.

Në vitin 2022 kanë hyrë dhe HEC-et e mëdha si “Devolli Hydropower”, apo “Ashta”, pasi kanë mbaruar investimet dhe po kryejnë aktivitet të plotë.

Sipas INSTAT, pesha e energjisë së prodhuar nga hidrocentralet private dhe koncesionare u rrit me 5 pikë përqindje në raport me një vit më parë, duke arritur në 44.2%.

Gjatë vitit 2022, prodhimi neto vendas i energjisë elektrike arriti vlerën 7.003 GWh, me rënie rreth 22% nga viti i mëparshëm.

Tkurrja më e madhe erdhi nga hidrocentralet publike me 27% dhe më pak nga ato private (-13%), e ndikuar nga kushtet e pafavorshme të motit në pjesën e dytë të vitit.

Sipas Entit Rregullator të Energjisë (ERE), kapaciteti total prodhues i energjisë elektrike i kompanisë publike KESH sh.a. është 1.448 MW dhe përbën rreth 56% të kapacitetit total të instaluar në vendin tonë.

Kapaciteti total i instaluar i prodhuesve të tjerë të energjisë elektrike është 1.157 MW dhe përbën rreth 44% të kapacitetit total të instaluar në vendin tonë.

Ky është një rezultat i prekshëm në aspektin e krijimit të një fuqie të instaluar hidrike me investime private dhe u realizua, kryesisht, me formën e koncesioneve BOT (Ndërto-Opero-Transfero) për projekte të HEC-eve të dhëna në periudhën 2005-2010.

Prodhuesit më të mëdhenj të energjisë në 2022 ishin “KESH” me 3.8 milionë MWH, i ndjekur nga Devolli Hydropower me 490 mijë MWH; “Kurum International” (345 mijë), “Energji Ashta”, (236 mijë); “Ayen As Energji” (230 mijë).

Hidrocentralet private të vogla me koncesion vijojnë të raportojnë norma fitimi të larta dhe të qëndrueshme. Aktorët e tregut pohojnë se biznesi i HEC-eve private jep kthime të larta, teksa pas investimit fillestar, shpenzimet e mirëmbajtjes dhe administrimit janë të ulëta.

Një tregues tjetër që shohin investitorët është kthimi nga kapitali, që sa më i ulët të jetë prodhimi (të ardhurat), aq më shumë zgjat afatin e kthimit të investimit.

Pasi kanë hyrë në prodhim, edhe operatorët e mëdhenj po rezultojnë me fitime.

“Devoll Hydropower” është prodhuesi privat më i madh i energjisë në vend, nëpërmjet dy hidrocentraleve. HEC-i i Banjës (kapacitet i instaluar i energjisë së rinovueshme 72 MW) filloi veprimtarinë tregtare në vitin 2016, ndërsa HEC-i i Moglicës (kapacitet i instaluar i energjisë së rinovueshme 197 MW) nisi veprimtaritë tregtare në tremujorin e dytë të vitit 2020. Viti 2022 ishte i pari i plotë me operime nga të dy HEC-et, Banja dhe Moglicë.

Në vitin 2022, të ardhurat e tij u dyfishuan në 17.7 miliardë lekë, si rrjedhojë e shtrenjtimit të çmimeve të energjisë, ndonëse prodhimi ra me rreth 28%. Për herë të parë, kompania ka rezultuar me fitim nga shitja e energjisë, që arriti në 7.3 miliardë lekë, nga humbjet prej 2.5 miliardë lekësh vitin e kaluar. Norma e fitimit ishte 41%.

“Ayen as Energy” raportoi të ardhura 10.5 miliardë lekë, me më se dyfishim në raport me vitin e mëparshëm, ndërsa fitimet pothuajse u katërfishuan në 4 miliardë lekë. Kompania turke po zbaton kontratën e vitit 2011 për projektimin, ndërtimin, vënien në punë, administrimin, mirëmbajtjen e hidrocentraleve Gojan, Gjegjan, Peshqesh, Ura e Fanit dhe Fangut. Norma e fitimit arriti në gati 40%.

“Energjia Ashta”, me fuqi të instaluar 48.2 MW, kishte të ardhura prej 1.9 miliardë lekësh, me rënie prej 15%. Fitimet u rritën lehtë me 7%, në 930 milionë lekë. Norma e fitimit ishte 48%.

Kapaciteti i kombinuar i të dy hidrocentraleve (Ashta 1 dhe Ashta 2) është 53 megavat (MW); 242 milionë kilovat orë prodhohen në vit.

“Euron Energy”, që shfrytëzon me koncesion dy HEC-e, HEC Bele 1, me fuqi 5 MW, dhe HEC Topojan 2, me fuqi 5,8 MW, gjeneroi të ardhura 366 milionë lekë dhe fitime 204 milionë lekë, me një normë prej 56%.

“Alb-Energy” ka gjeneruar nga aktiviteti i saj 471 milionë lekë të ardhura, nga shitja e energjisë elektrike nga HEC Bele 1 dhe Topojan 2, në Kukës dhe fitime prej 306 milionë lekë. Norma e fitimit ishte 65% në vitin 2022. Kompania është pjesë e “Alb-Building”, një prej sipërmarrjeve më të mëdha të ndërtimit në vend.

“Diteko”, që ka me koncesion HEC Gjoricë, me fuqi 4.18 MW raportoi të ardhura prej 863 milionë lekësh dhe fitime 205 milionë lekë, me një normë 24%. Në renditjen e këtij viti ka dy hyrje të reja nga prodhuesit e energjisë.

“Hydropower”, që ka dhe aktivitet tregtar, ka marrë licencë për central fotovoltaik 2000 kW në zonën e Fierit. Të ardhurat ishin 1.3 miliardë lekë në vitin 2022 dhe fitimet 466 milionë lekë, me një normë prej 36%.

“Dragobia Energy”, në pronësi të “Gener 2” që ka ndërtuar HEC-in mbi lumin Valbonë, në vitin e parë të aktivitetit raportoi 529 milionë lekë të ardhura dhe fitime 253 milionë lekë, me një normë prej 40%.

“GJO-SPA POWER”, që shfrytëzon me koncesion HEC Llapaj, me fuqi 13,62 MW, kishte të ardhura prej 335 milionë lekësh dhe fitime 162 milionë lekë, me normë fitimi 48%.

Modeli i tregut të energjisë

Shqipëria nisi nga viti 2015 të aplikonte një model të ri tregu që bazohej te ligji “Për sektorin e energjisë elektrike” i miratuar po atë vit. Ky model parashihte disa hallka të reja që vinin si efekt i ndarjes së OSHEE, krijimit të Bursës së Energjisë apo përcaktimit të qartë të roleve të prodhuesve, furnizuesve apo tregtarëve.

Sidomos këta të fundit janë bërë jo pak herë pjesë e debatit, sa herë flitej për blerjet e OSHEE nga KESH para emergjencës e më pas për blerjet e energjisë nga tregu i parregulluar nga ana e KESH.

Pyetja që shtrohet vazhdimisht për këtë hallkë që qarkullon qindra milionë euro është: Pse nuk shmangen? Si pjesë e Komunitetit të Energjisë dhe zbatimit të direktivave për integrimin në tregun europian, shmangia e kësaj hallke, edhe pse me llogari të thjeshtë teorikisht mund të jetë me fitim për kompanitë publike, në praktikë nuk lejohet.

Pra KESH nuk mund të dalë të blejë vetë energji në Bursë apo në tregun vendas me logjikën se do të “kursente” tarifat që paguan te tregtarët, pasi ligji i 2015-s dhe rregullat e tregut që u miratuan në 2016 nuk e lejojnë këtë.

Te këto rregulla, tregtarët nuk mund të shmangen.

Ata cilësohen si “njësi komerciale që tregtojnë energji elektrike:

i) do të blejnë dhe shesin energji elektrike me shumicë;

ii) do të tregtojnë energji elektrike nga importi ose për eksportin, ose prodhuesit, ose nga shoqëria e prodhimit të energjisë elektrike e ngarkuar me detyrimin e shërbimit publik;

iii) do të shesin energji elektrike për eksport”.

Marrë nga Monitor.al

kesh

Sondazh

Poll

Pas më shumë se katër orësh, qytetarët vijojnë protestën rrugëve të Kryeqytetit

Pas më shumë se katër orësh, qytetarët vijojnë protestën rrugëve të Kryeqytetit

Gjesti i veçantë i protestuesit, u dhuron lule efektivëve në shenjë solidariteti për policin e vrarë

Pas tre orësh protestë, turma vijon qëndresën: Dorëheqje!

Prej më shumë se tre orësh para Kryeministrisë, protestuesit ndezin flakadanë

"Kush s'kërcen nuk është shqiptar o hej"/ PAMJE me dron nga protesta madhështore për Zvërnecin

Thirrja e qytetarit të Rrjollit: Hajde rini, merre situatën në dorë dhe drejto vendin

Me flamuj dhe pankarta në duar, qytetarët e Durrësit sërish protestë për projektin në Zvërnec

Tentoi të futej në Kryeministri, protestuesja bën simbolin e shqiponjës

"Ne i duam parqet, lodrat, natyrën"/ Vogëlushi në protestë thirrje: Mbrojini për ne!

Protesta kundër projektit në Zvërnec/ Brohoret turma: Edi Rama o tradhtar, duhet lidhur me litar

Protesta për Zvërnecin, qytetarë mbajnë 1 minutë heshtje për efektivin e vrarë në krye të detyrës

"Ruani qetësinë, Ramën ta zhdukim me të mirë"/ Tensione në protestën kundër projektit në Zvërnec

PAMJE nga protesta madhështore kundër projektit në Zvërnec/ Oshëtin bulevardi: O pallosh o zagar

Mijëra protestues në shesh thirrje ndaj kryeministrit Rama: Duam dorëheqje

Protesta për Zvërnecin, babai i Martin Canit i bashkohet protestuesve në shesh

Mijëra qytetarë në Bulevard/ Thirrje kundër Ramës dhe Berishës: U ka ardhur fundi, në burg

Balla nga Kuvendi: Greqia u ka borxh shqiptarëve marrëveshjen për pensionet

Dita e 5-të e protestës për Zvërnecin/ Nis marshimi drejt bulevardit: Revolucion

Balla ‘thumbon’ Berishën: U trembe nga protestuesit që erdhën te selia e PD-së dhe ndryshove qëndrim

"Na keni ça k***"/ Noizy shpërthen keq ndaj protestuesve: Nuk po e shet njeri Shqipërinë!

'Zvërneci'/ Berisha: Ju jeni mafie si në Beograd. Të gjitha dokumentet ju i shumëzoni me zero

Berisha: Pse e fshihni kreun e Meduzës. Tokat në Zvërnec i ka rrëmbyer Pjerini nga Lezha dhe Agaçi

Reperi Gashi mbështet protestat për Zvërnecin: Fëmijët tanë nuk janë mysafir në tokën e tyre

Këngëtarja Bebe Rexha vlerësohet me cmimin “Female Icon Award 2026”

Banorët dhe pushuesit përballen me fenomenin e pazakontë në Ksamil

"Ktheni ligjin për investimet strategjike" Bozdo në Kuvend: Betonizuat bregdetin e jugut...

Përplasje e ashpër mes Strazimirit e Muçit: Të rinjtë po protestojnë kundër jush, mbani përgjegjësi

"Marksist-leninist i vogël'! Përplasje e ashpër mes Strazimirit e Muçit:

Ngjarja e rëndë në Maliq/ Autori transportohet drejt Tiranës, familjarët: Çfarë i bëre?!

Berisha: Xhelati Rama u vë protestuesve paqësorë, topat e ujit që gjuajtën edhe foshnjën në karrocë

Berisha-Piro Vengut: Dezertove nga ushtria dhe mashtrove se je pasardhës i Marko Boçarit

Fshihej në një zonë të pyllëzuar, ja vendi ku u gjet autori i ngjarjes në Maliq

"Rama do organizojnë antimiting në Vlorë", Balla i përgjigjet Berishës: Kemi festën e PS!

Bido i kthehet opozitës: Ku ishit ju më 30 maj që nuk folët për Zvërvecin?

“Keni paralajmëruar anti-miting në Vlorë”, Berisha thirrje Ramës: Anuloje, është praktikë fashiste

Deputeti i “Lëvizjes Bashkë”: Rendi i ditës së sotme është kërkesa për dorëheqjen e qeverisë

U plagos në operacionin për kapjen e një personi në kërkim, mbërrin te Trauma polici

Vrasja e efektivit të Policisë në Korçë, Kuvendi nis me një minutë heshtje

Vrau një efektiv dhe plagosi një tjetër, mbërrin në spital autori

Reshjet përmbytin rrugët e Shëngjinit, vështirësi në qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve

Qytetarët nisen sërish drejt kryeministrisë, me flamurin kuq e zi dhe brohorima vazhdojnë protestën

Protestuesit marshojnë drejt zonës së Bllokut, qytetarët e tjerë nuk iu bashkohen #dosja #protesta

Protesta nuk ka të ndalur, qyetarët bllokojnë rrugën te Ura e Tajvanit, thirrje në kor policëve

Nga Sheshi tek Banka, qytetarët bllokojnë rrugën: Edi Rama ka mbaru

Qytetarët nuk ndalen në protestë/ Bllokojnë rrugën te selia e PS-së, ulen në gjunjë

Vazhdon protesta për Zvërnëcin/ Protestuesit ngren nga kafet qytetarët te Opera

E mbuluar me flamurin kuq e zi, e reja shfaqet me foshnjën në krah gjatë protestës

"Edi Rama jep dorëheqjen/E reja nga protesta:Ka ardhur koha të shkosh me Berishën te Veliaj dhe Meta

Qytetarët protestë në Vlorë për Zvërnecin, me pankarta në duar marshojnë drejt Sheshit të Flamurit

Dy orë protestë, bulevardi plot qytetarë ndriçohet nga blicat e telefonave: Jep dorëheqje