Tragjedi në Turqi/ Përfshihet nga flakët një hotel në provincën Bolu, humbin jetën 66 pushues, plagosen 51 të tjerë, arrestohen 4 persona
66 viktima në Turqi/ "Kanë vdekur para syve tanë," zbardhen dëshmitë tronditëse për zjarrin në hotel: Dy...
66 viktima në Turqi/ "Kanë vdekur para syve tanë," zbardhen dëshmitë tronditëse për zjarrin në hotel: Dy...
"A do paraqiteshit në SPAK nëse merrni fletëthirrje për 21 Janarin"? Berisha: Mbështes çdo lloj hetimi të k...
14 vite nga protesta e 21 janarit, Rama: Drejtësia vonon po nuk harron, fëmijët e dëshmorëve po bëhen prindër...
Rikthehen reshjet e dëborës në Korçë, ARRSH apel shoferëve: Kujdes në këto akse rrugore! Pajisuni me g...
• Ka përfunduar pas 11 orësh diskutime dhe debate, seanca plenare e ditës së sotme në Kuvend. • Seanca nisi me debate lidhur me interpelancën e kërkuar nga kreu i Grupit të PD-së, Gazment Bardhi me kryeministrin Edi Rama për çështjen "Beccheti". • Referuar reagimit të kryeministrit, Bardhi tha se Rama nuk mund të vërë si kusht për paraqitjen e tij Në Kuvend, përfundimin e hetimeve për përfshirjen apo jo të Olsi Ramës në çështjen "Xibraka".• Ai i kërkoi kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropalit t'i kërkojë kreut të qeverisë të paraqitet në interpelancë dhe të japë përgjigje. • Në përgjigjen e saj, Spiropali tha se në bazë të kushtetutës, interpelanca duhet kërkuar bazuar mbi të vërteta dhe jo në propagandë. • Të njëjtën përgjigje e dha edhe ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, ku tha se kryeministri e ka të pa mundur të lë angazhimet e veta që të përgjigjet për këtë interpelancë ose, sipas tij, të japë llogari për një shpifje të propaganduar publikisht. • Ai shtoi se lajmi se shteti shqiptar ka paguar 130 mln euro është lajm i rremë. • Me shumicë votash, kërkesa e Bardhit për interpelancë me Ramën u rrëzua. • Në Kuvend u zhvilluar dhe interpelanca e kërkuar nga deputetja e PD-së, Ina Zhupa me ministren e Arsimit, Ogerta Manastirliun lidhur me vrasjen e Martin Canit dhe sigurinë në shkolla. • Manastirliu gjatë fjalës së saj tha se Zhupa, sipas saj duke përdorur gjuhë urrejtje, është shembulli më i keq që mund tu jepet fëmijëve dhe prindërve. • Ajo tha më tej se rasti i vrasjes së 14-vjeçarit u përdor nga opozita për politikë. • Zhupa nga ana tjetër tha se Manastirliu nuk ka treguar ndonjëherë përkushtim ndaj problematikave të arsimit deri në momentin kur pozicioni i saj si u vu në rrezik. • Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi foli sot në Kuvend lidhur me opinionin e Komisionit të Venecias për mandatin e deputetes socialiste Olta Xhaçka. • Bardhi tha se kryeparlametarja Elis Spiropali shpiku një opinion që nuk ekziston. • Ai shtoi se Kuvendi i detyruar të dërgojë në GJK mocionin për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit. Sipas tij parimi është supremacia e kushtetutës. • Deputetja socialiste Klotilda Bushka ka folur sot në Kuvend lidhur me opinionin e Komisionit të Venecias për mandatin e Olta Xhaçkës. • Bushka tha se Komisioni i Venecias thekson vendimin për të respektuar Kushtetutën dhe vendimet e gjykatës Kushtetuese, si element kyç i shtetit të së drejtës. • Ajo shtoi se nëse Kushtetuta i jep mundësi Parlamentit për të votuar, vota s’mund të imponohet.
26 artikuj për këtë temë.
TIRANË- Pas gati 11 orë debate dhe diskutime është mbyllur seanca plenare e ditës e sotme. Fillimisht seanca nisi me debate lidhur me interpelancën e kërkuar nga kreu i Grupit të PD-së, Gazment Bardhi me kryeministrin Edi Rama për çështjen "Beccheti".
Gjithashtu në Kuvend ditën e sotme u zhvilluar dhe interpelanca e kërkuar nga deputetja e PD-së, Ina Zhupa me ministren e Arsimit, Ogerta Manastirliun lidhur me vrasjen e Martin Canit dhe sigurinë në shkolla. Ndërkohë tensionet dhe replikat në Kuvend kanë qenë të vazhdueshme.
Po ashtu në momentin kur nisi votimi u regjistruan prezentë 71 deputetë. Dy deputetët e PDIU, Nusret Avdulla dhe Gëzim Ademaj “shpëtuan” shumicën.
Organika dhe pagat e KPK-së mori 69 vota pro, Ademaj kundër dhe Avdulla abstenoi. Pagat dhe organika e Komisionerit Publik mori të njëjtin rezultat votimi, teksa nuk u votua futja me procedurë të përshpejtuar e amnistisë së gjobave.
TIRANË- Deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi gjatë fjalës së tij në seancën plenare në Kuvend ka ironizuar opozitën. Gjatë fjalës së tij Koçi iu përgjigj kryetarit të Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi se PD-ja ka pasur një kryetar i cili vetëm flinte, referuar Lulzim Bashës. Kjo replikë erdhi pasi Bardhi iu drejtua ministrit Vengu se është në gjumë. Më tej Koçi u shpreh se tashmë PD ka në krye dikë që nuk fle dot për shkak të problemeve të drejtësisë, duke iu referuar Sali Berishës.
Koçi tha se e gjithë kjo situata e opozitës buron nga 3 lajme “të këqija” sipas tij, pasi shprehet se atyre u ka ardhur lajmi i keq nga Strasburgu, nga opinioni i Komisionit të Venecias dhe lajmi tjetër më i zi akoma, nga Londra. Sipas tij këto kanë ndezur retorikën e mallkimeve, nga e cila opozita nuk u ndarë ndonjëherë ndërsa theksoi se ata janë të specializuar në këtë fushë.
Koçi u shpreh se kur demokratët marrin fjalën e tyre për procedurë, fillimisht bëjnë dialog publik me kryetaren e Kuvendit, Elisa Spiropali, e më pas bëjnë deklaratë për shtyp. Socialisti shtoi se e gjithë kjo vendos një “njollë” në Parlament, pasi sipas tij publiku nuk mund të bëjë dallime nga njëri te tjetri.
"Me gjumin ç’ patët ju mo vëlla se kishit një kryetar që ja fuste gjumit ditë e natë. Tani keni një kryetar që nuk e zë dot gjumi nga hallet që ka me drejtësinë. Kot kruheni me gjumin se e hani vet! Tani e gjithë retorika juaj e sotme është pasojë e lajmeve të këqija që keni marrë. Ju ka ardhur lajmi i keq nga Strasburgu, nga opinioni i Komisionit të Venecias dhe lajmi tjetër më i zi akoma, nga Londra. Nga gjyqi i shokut Sali Berisha. Kështu që, këto ju kanë ndezur retorikën e mallkimeve, nga e cila nuk jeni ndarë ndonjëherë me thënë të drejtën, sepse jeni të specializuar në këtë fushë.
Tani më vjen keq se ka ardhur fundi i 2024, po vjen 2025 dhe nuk ju kam parë të distancoheni nga ato bëmat e mëdha që keni bërë. Se ju, jeni specialiste grushtesh shteti. Keni bërë 1 të suksesshëm, 1 të dështuar dhe 1 të tentuar. Ai i suksesshmi është ai i 26 majit 1996. Për dy orë, përmbyset rezultatin e zgjedhjeve duke vjedhur kutitë e votimit. Morët tufat e votave dhe i vutë flakën dhe pastaj i zëvendësuar me të tjera. Ai është grusht shteti i suksesshëm, me në krye Sali Berishën.
Pastaj keni grushtin e shtetit të dështuar të 14 shtatorit 1998. Pastaj keni dhe disa përpjekje të tjera, keni tentuar ju. Se dhe kur dilni këtu para Kuvendit, dhe pengoni deputetët që të hyjnë në këtë sallë unë mendoj se janë elementë të një grushti të ‘vockël’ shteti.
Por, për ju, Parlamenti nuk është asgjë, kupton? Tani, tjetra që bëni ju. Çdo seancë kur e filloni, duke marrë fjalën për procedurë bëni 2 gjëra. E para bëni dialog publik me kryetaren, nxirrni lloj lloj sebepesh, përtej çdo arsye procedure dhe tjetra e ktheni në deklarata për shtyp, gjë që normalisht bëhet diku tjetër, jo këtu dhe prandaj zvarriten seancat, i bëni të lodhshme dhe praktikisht i vëni njollë gjithë Parlamentit sepse shpesh herë publiku e percepton Parlamentin si një të tërë, e ndonjëherë nuk bëjnë dot dallimin e njërit nga tjetri. Do vazhdoni ta bëni këtë gjë, jam i bindur, sepse kjo është një kulturë politike e cila fatkeqësisht ju mungon," tha Koçi.
TIRANË- Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka reaguar nga seanca në Kuvend në lidhje me mbledhjen e Gjyqtarëve nga kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj. Gjatë kësaj mbledhjeje ajo njoftoi se ka deklaruar mbarimin e mandatit të saj. Bardhi në fjalën e tij ka kërkuar që të thërritet Zaçaj në seancë plenare ose në komisionin e Ligjeve dhe të deklarojë se kush po i bën presion. Ai theksoi se në njoftimin zyrtar Zaçaj është shprehur se ka presion politik, mediatik dhe ekonomik mbi anëtarët e gjykatës.
Bardhi u shprej se kjo çështje e shqetëson dhe ngre pikëpyetje mbi ekzistencën e dy institucioneve të larta. Ai shtoi se nuk duhet të qëndrojë jashtë këtij debati por duhet të ketë një seancë urgjente dëgjimore të kryetares së Gjykatës Kushtetuese dhe atij të Gjykatës së Lartë.
“Kryetarja e Gjykatës kushtetuese ka deklaruar se ka presion politik, ekonomik mbi anëtarët e gjykatës. Mua më shqetëson kjo çështje ngre pikëpyetje mbi ekzistencën e dy institucioneve të larta prandaj ne nuk duhet të qëndrojmë jashtë këtij debati. Ne duhet të kemi një seancë urgjente dëgjimore te kryetares së gjykatës kushtetuese dhe atij të gjykatës së larte.
Ne nuk do duhet si Kuvend të qëndrojmë jashtë këtij debate që po fut kushtetuesen e Shqipërisë në një ngërç kushtueses. Mund ta fus Shqipërinë në një rrugë ku të kemi disa anëtarë të GJK, disa që mbajnë zyrën me dhunë, disa atë tjerë që zgjidhen nga organet e emërtesës duke sjellë pasoja për shtetin. Kjo mund të na krijojë probleme në Gjykatën Europiane të të drejtave të Njeriut”, tha Bardhi.
TIRANË- Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi gjatë fjalës së tij në seancën plenare në Kuvend ka hedhur akuza ndaj ministrit të Mbrojtjes, Piro Vengu. Bardhi u shpreh se Vengu ka marrë atë post nga bandat e Durrësit, për shërbimit që ka bërë ai për Portin e Durrësit.
Ai më tej shtoi se Vengu është një ushtar i Troplinëve të Durrësit. Bardhi tha se ministri Vengu nuk është as më pak as më shumë se një zar. Sipas tij ministri është një zar si drejtor i portit të Durrësit u ka shërbyer bandave për të hapur dyert e portit të Durrësit.
"Ty nuk të njoh fare, ty të njoh si ushtar i Troplinëve të Durrësit, kaq të njoh unë ty. Ti je një ushtar i bandave zotëri që je ulur aty, je i pa votuar. Je një njeri që të kanë çuar bandat si ministër i Mbrojtjes për shkak të shërbimeve që i ke bërë në Portin e Durrësit.
Ti e di shumë mirë, ti nuk je as më shumë dhe as më pak, një zar. Një zar si drejtor i portit të Durrësit i ke shërbyer bandave për të hapur dyert e portit të Durrësi dhe ke guximin vjen këtu dhe më thua mua të të them je apo nuk je në gjumë. Ti je në gjumë. Ty të kanë sjellë bandat, aferat korruptova. Je një zëdhënës i tyre ne këtë sallë," tha Bardhi.
TIRANË- Kryetarja e parlamentit, Elisa Spiropali gjatë fjalës së saj në Kuvend ka bërë një sqarim mbi opinionin e Komisionit të Venecias, në lidhje me mandatin e deputetes të Partisë Socialiste, Olta Xhaçka. Spiropali u shpreh se kjo është çështje ligjore dhe jo politike e as partiake. Ajo më tej tha se për rastin janë ezauruar të gjitha shkallët e gjykimit.
Spiropali theksoi se rregullorja nuk parashikon ndonjë procedurë që mund të zbatojnë më në këtë rast, siç kërkon opozita sepse janë ezauruar të gjitha shkallët e gjykimit madje edhe votimi në Kuvend.
"Përveçse me 1/10-ën e deputetëve ju mund t’i drejtoheni Gjykatës Kushtetuese për çdo rast dhe është e drejta juaj që 1/5-a e deputetëve, pra pakica të vërë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese”, tha ajo.
Ajo theksoi se Kuvendi ka vepruar brenda kompetencave që ka, duke respektuar sovranitetin parlamentar dhe se e ka trajtuar procesin mbi baza juridike dhe jo mbi baza të interesave politike.
Fjala e Spiropalit në parlament:
Doja të thoja dhe unë dy fjalë, duke qenë se ka shumë abuzim këtu në seancë, por edhe në foltore partish dhe ekrane. Siç është e qartë për të gjithë dhe është shprehur disa herë dhe siç e vlerëson edhe Komisioni i Venecias, Kuvendi nuk e ka vënë dhe nuk e vë në dyshim fuqinë detyruese të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Kjo s’do mend. Këtë, bashkë me parimin e luajalitetit kushtetues, e kemi të qartë të gjithë, sepse e respektojmë çdo ditë në punën tonë.
Iu drejtova Komisionit të Venecias me pyetje konkrete, jo për mandatin e një deputeti, që në fakt duhet të ushtrohet lirshëm brenda kufijve kushtetues, pa u shqetësuar nga abuzivizmat dhe kjo është po aq e rëndësishme në demokraci, sa çdo parim tjetër, po për të qartësuar mënyrën si zbatohet një vendim urdhërues për shkak të pamundësisë së një rregulli që i imponon një deputeti se si të votojë.
Kjo, ishte një çështje kushtetuese dhe ligjore, jo politike, jo partiake, asfare! Kuvendi ka vepruar brenda kompetencave të tij kushtetuese dhe ka respektuar sovranitetin parlamentar, duke e trajtuar këtë proces mbi akuza juridike dhe jo mbi baza interesash politike. Venecia tha, dhe foli qartë, vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë detyruese nëse Kushtetuta parashikon që një çështje shtrohet për votim, Parlamenti nuk mund të detyrohet të votojë në një mënyrë të caktuar.
Nuk bëhet politikë për një vendim gjykate dhe aq më tepër për Opinionin e Venecias që na vjen në ndihmë për trajtimin e këtyre rasteve. Opinioni ka 61 paragrafë dhe pa shkëputur fraza dhe për të kuptuar sensin e tij tërësor, duhet lexuar dhe rilexuar pa nxitim e me kthjelltësi, pa interesa dhe pasione politike, e për më tepër pa paragjykime dhe shpifje.
Leximi në tërësi, konkluzionet e Opinionit dhe vetë deklarata për shtyp e Komisionit të Venecias qartësojnë mbi pyetjet që unë i drejtova; dhe në fakt do të kisha qenë më e lumtur që çështjen ta kishim zgjidhur brenda Shqipërisë dhe pa shkuar në Komisionin e Venecias. Kjo, sepse siç e konstatoi edhe Komisioni i Venecias, 1/5-a e deputetëve mund t’i drejtohen drejtpërdrejt Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar papajtueshmërinë e mandatit të deputetit sipas përcaktimeve në ligj dhe këtë të drejtë nuk duhet t’i heqë apo mohojë kush.
Në lidhje me kërkesën e shtruar kështu siç e paraqisni nuk mund të jetë objekt trajtimi në këtë seancë plenare. Rregullorja nuk parashikon ndonjë procedurë që mund të zbatojmë më në këtë rast, siç kërkoni ju, sepse janë ezauruar të gjitha shkallët e gjykimit, madje edhe votimi në Kuvend. Përveçse me 1/10-ën e deputetëve ju mund t’i drejtoheni Gjykatës Kushtetuese për çdo rast dhe është e drejta juaj që 1/5-a e deputetëve, pra pakica të vërë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese. Faleminderit dhe kjo është e fundit që unë them për këtë çështje.
TIRANË- Zëvendëskryeministrja njëherësh edhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka reaguar ditën e sotme në lidhje me deklaratat e sotme të deputetit Agron Shehaj. Ministrja Balluku në reagimin e saj shprehet se nuk dënjon tu përgjigjet atyre që luftën për pushtet e bëjnë me topa balte dhe jo me argumente të denja. Ajo në reagimin e saj në "Facebook" theksoi se ka dy fjalë për Shehajn të cilin e cilësoi si të vetmin vlonjat frikacak që ka njohur.
Balluku shprehet se ai me britmat e tij i kujton filmin Beni ecën vetë, kur fëmija kalonte pyllin natën dhe këndonte për të mundur frikën. Sipas saj Shehaj ka vendosur të ecë vetë duke bërtitur si trim i trembur. Ajo më tej ka ngritur pyetjen se nga çfarë ka frikë ai që bërtet. Balluku shkruan se sa i përket akuzave dhe gënjeshtrave që ai artikulon në Parlament ai do të marrë përgjigje më 11 maji.
Reagimi i plotë i ministres Balluku:
Nuk denjoj zakonisht t’i përgjigjem atyre që luftën për pushtet e bëjnë me topa balte dhe jo me argumente të denja për votën që i ka sjellë këtu, por dy fjalë i kam për të vetmin vlonjat frikacak që kam njohur, i cili me britmat e tij (deri në kufijtë e ndotjes akustike) më kujton atë filmin Beni ecën vetë, kur fëmija kalonte pyllin natën dhe këndonte për të mundur frikën.
Tani ti, Goni, që ke vendosur të ecësh vetë duke bërtitur si trim i trembur, more raport mjekësor kur unë erdha në sallën e parlamentit se më kishe kërkuar interpelancë. Nuk e di nga çfarë ke frikë kaq shumë që bërtet dhe gënjen sikur këndon, po nëse kishe frikë nga ish-shokët e partisë që të futeshe në sallën e parlamentit dhe more raport mjekësor, bën mirë të kthehesh te shokët, se nuk ecet vetë duke bërtitur nga frika.
Sa për ato akuzat dhe gënjeshtrat që artikulon me britmat e tua, janë vetëm prova që ti je njësoj si ish-shokët e partisë dhe përgjigjen do ta marrësh njësoj si ata më 11 maj, kur ndryshe nga disa prej tyre që do të vijnë këtu prapë të ndezin qirinj për partinë e ikur për skrap, ti do të ikësh bashkë me partinë, se shqiptarët dinë gjithmonë kë duhet të votojnë, shqiptarët dinë gjithmonë të vlerësojnë punën dhe jo britmat e ulërimat e baltës. Pyet ish-shokët, se ata e dinë më mirë.
TIRANË- Opinioni i komisionit të Venecias në lidhje me mandatin e deputetes Olta Xhaçka, ka shkaktuar debat në Kuvend. Kreu i Grupit Parlamentar, Niko Peleshi, komentoi duke e konsideruar një vendim pozitiv për të gjithë. Peleshi tha se madje ky është një vendim pozitiv, më tepër për minorancën.
Nga foltorja, Peleshi tha se kërkesa e Kuvendit nuk kishte lidhje me me një deputet të caktuar, çështje të caktuar apo grup parlamentarësh të caktuar. Sipas tij, kërkesa kishte lidhje me kuvendin.
Niko Peleshi: Lidhur me atë çka u tha për rekomandimin e komisionit të Venecias, nuk marr përsipër të bëj trajtim teknik. Kërkesa nuk kishte lidhje me një deputetet të caktuar, çështje të caktuar apo grup parlamentarësh të caktuar. Kishte lidhje me kuvendin. Unë e falënderoj edhe njëherë para jush kryetaren e Kuvendit që nuk ndërhyri, nuk e futi komisionin e Venecias në mes të procedurës që kishim, pra për mandatin e zonjës Xhaçka, por pasi mbaroi procedura në respekt edhe të vendimit të GJK i bëri disa pyetje Komisionit të Venecias që do të na ndihmojë të gjithëve jo vetëm kuvendin por edhe institucionet e tjera. Ne nuk e ngremë flamur në mënyrë triumfuese atë vendim, sepse ai vendim ishte mendim pozitiv për të gjithë, madje më tepër për minorancën.
TIRANA- Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla mori fjalën në foltore për të kërkuar diskutimin e marrëveshjes me BERZH, lidhur me një projekt për përmirësimin e shëndetësisë, si pikë e rendit të ditës në kuvend. Më tej duke iu përgjigjur debateve gjatë seancës për opinionin e Komisionit të Venecias për mandatin e deputetes socialiste Olta Xhacka, Balla dha këndvështrimet e tij.
“Nuk mbaj mend që të ketë ardhur një opinion nga Komisioni i Venecias, që humbësit ta kenë konsideruar si fitore. Për shkak të matematikës 59-a juve ju duket më e madhe se dyshi. Kur në 59 paragrafe “Venecia” thotë kanë të drejtë ata që që kanë vendimarrjen, ju thoni ai votim ku ne kemi marrë pjesë, është i pavlefshëm. Po të kishit të drejtë kur u mblodh kuvendi, ju do kishit marre fjalën dhe do thonit: të zbatojmë vendimin e gjykatës dhe jo të shkojmë në votim”, tha Balla.
Duke iu përgjigjur deklaratave të kreut të Grupit Parlamentar demokrat, Gazment Bardhi se maxhoranca fabrikoi një opionion tjetër, ministri tha se Komisioni i Venecias ka shkruar e zeza mbi të bardhë se parlamenti nuk është i detyruar të votojë në një mënyrë të caktuar, por thotë se është në gjendje të votojë për çështje që janë brenda kompetencave të veta.
“Ju thoni që një ditë bukur të ngrihet gjykata dhe t ‘i thotë kuvendit: ju mos votoni më ligje. Ku gjendet e drejta e nje gjykate t’ i imponohet e të hyjë në kompetenca e kuvendit dhe ndaj ju mirkuptoj. Ia keni marrë dorën dhe ju ka ngelur nga ish-udhëheqësi i partisë që ju çdo humbje e konsideroni një fitore dhe në raste te tilla thuhet: fitore paçi gjithmonë,sa herë të keni mundësi”, deklaroi Balla.
TIRANA- Deputetja socialiste Klotilda Bushka ka folur sot në Kuvend lidhur me opinionin e Komisionit të Venecias për mandatin e Olta Xhaçkës. Bushka tha se Komisioni i Venecias thekson vendimin për të respektuar Kushtetutën dhe vendimet e gjykatës Kushtetuese, si element kyç i shtetit të së drejtës. Ajo shtoi se nëse Kushtetuta i jep mundësi Parlamentit për të votuar, vota s’mund të imponohet.
"Më duhet të sqaroj, komisioni i Venecias thekson vendimin për të respektuar Kushtetutën dhe vendimet e gjykatës Kushtetuese, si element kyç i shtetit të së drejtës. Nëse Kushtetuta i jep mundësi Parlamentit për të votuar, vota s’mund të imponohet. Unë besoj se Venecia ka dhënë një ekuilibër të ndërsjellët mes respektimit të vendimeve të Kushtetueses dhe të drejtës së deputetit. Nuk është çështje politike. Autonomia parlamentare ka fituar të drejtën e vetë", tha Bushka.
TIRANË- Seanca plenare është shoqëruar me debate dhe përplasje që në nisje të saj. Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi ka kërkuar kryetares së Kuvendit Elisa Spiropali të lejojë kolegun e tij Flamur Nokën të flasë. Me ironi Korreshi i kërkoi Spiropalit mos ta ngrejë zërin se ato nga Lushnja kanë frikë kur bërtet dikush.
DEBATI:
Korreshi: O kryetare ka një gjë, s’mundet ta prishni, na jepni fjalën, ne nga Lushnja kemi edhe frikë kur na bërtet kështu. Mos na vono, jepi fjalën të mbarojë 3 minutëshin.
Spiropali: E mbaroi fjalën Noka. Ulu mos blloko foltoren!
Korreshi: Nuk është mirë kur i ndërpret opozitës fjalën, ne aq minuta kemi, apo ju kanë tërhequr veshin?
TIRANA- Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi foli sot në Kuvend lidhur me opinionin e Komisionit të Venecias për mandatin e deputetes socialiste Olta Xhaçka. Bardhi tha se kryeparlametarja Elis Spiropali shpiku një opinion që nuk ekziston. Ai shtoi se Kuvendi i detyruar të dërgojë në GJK mocionin për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit. Sipas tij parimi është supremacia e kushtetutës.
"Jemi shumë të ndryshëm në këtë sallë. Na mirëkupto shoku Niko, nëse vidhen pronat e ushtrisë i themi me emër dhe mbiemër. Nëse ne shoku Niko konstatojmë ligjet që i miratoni ligjet e Klodjan Zoto do e themi me zë të lartë. Kjo nuk është të godasësh biznesin por ata që vjedhin pronën publike. Por ata që i shërbejnë interesin privat që të mbrojmë konkurrencën e lirë. Jeni e vetmja mazhorancë që dy vendime të GJK i keni hedhur në kosh.
Shembulli që jepni ju që na bëni moral, çfarë shembulli jepni ju për qytetarët që kanë konflikt. Për turpin tuaj, dhe kryetares së Kuvendit, u betuar se sapo të vinte Opinionit i Venecias do zbatonte këshillën. Shpiku një opinion që nuk ekziston. I tha shqiptarëve që Komisioni i Venecias na tha se jemi të pavarur dhe nuk i bindet Gjykatës Kushtetuese.
Kuvendi i detyruar të dërgojë në GJK mocionin për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit. Nuk ka rëndësi ç’thotë Elisa, apo Klotilda por ajo që thotë GJK. Parimi është supremacia e kushtetutës dhe jo tuiteri i Edi Ramës. Të gjithë autoritetet janë të detyruar ti binden vendimeve. Parlamenti ndryshe nga reagimi juaj, nuk mund ti referohet parimit të ndarjes së pushteteve. GJK ka marrë dy vendime dhe zbatimi efektiv i tyre nuk mund të kushtëzohet me votim nga shumica parlamentare", tha Bardhi.
TIRANA- Kreu i Grupit Parlamentar i Partisë Socialiste, Niko Peleshi tha sot nga foltorja e Kuvendit se opozita dhe mazhoranca nuk janë njësoj. Pelshi tha se mazhoranca mbështet dhe bashkëpunon me institucionet, ndërsa opozita bën të kundërtën, sipas tij. Ai shtoi se mazhoranca i beson tek institucionet ndërsa opozita do që t'i shpallë vetë kriminelët.
"Ne nuk jemi njësoj, sepse ndahemi në disa qëndrime të rëndësishme, së pari në raport me institucionet. Ne jemi për institucionet, ju jeni për feude. Ne jemi për rrugën e vështirë për fitim afatgjatë…Rritje ekonomike nuk mund të ketë pa institucione, ne jemi me institucionet edhe kur ato jo gjithmonë prodhojnë lajme të mira për ne.
Ju SKAP thoni kur doni të mbroni vetën tuaj, dhe SPAK kur keni interesin tuaj. Jeni me dy standarde. Ju nuk e keni problem të përmendni emra njerëzish dhe t’i shpallni fajtorë hajdut kriminel, por ku e gjeni ju të drejtën të bëni prokurorin, gjykatësin dhe larg qoftë e keni bërë ekzekutorin. Ne i besojmë institucioneve, ju doni t’i shpallni vetë kriminelët", tha Peleshi.
TIRANË- Kryetari i PD-së, Sali Berisha nga foltorja e Kuvendit, akuzoi mazhorancën se është kthyer në mbrojtësen e grabitjes dhe plaçkitjes së pasurisë publike nga ministrat dhe qeveritarët. Duke folur lidhur me opinionin e Venecias për mandatin e deputetes Olta Xhaçka ai u shpreh se nuk ka ndodhur në asnjë vend të botës që një ministre të shpallë burrin e saj investitor strategjik. Ai akuzoi më tej mazhorancën se po poshtëron zgjedhësit duke mbajtur në sallë një person të ndëshkuar nga Gjykata Kushtetuese dhe Komisioni i Venecias.
"Kjo që ndodh në këtë parlament është e pashembullt. Kjo mazhorancë është shndërruar në parzmore të grabitjes dhe plaçkitjes së pasurisë publike nga ministrat dhe qeveritarët. Në historinë e Europës dhe të botës kurrë nuk ka ndodhur që një ministre pasi burrin e vet investitor strategjik, në shkelje flagrante të ligjeve të vendit, pra pasi përvetësoi duke përdorur pushtetin e besuar nga qytetarët për të pasuruar vetën dhe familjen e vet me një pronë 10 mijë metra katrorë tokë publike në një zonë ku kushton të paktën 250 euro metri katror, tani ju poshtëroni Kushtetutën, poshtëroni vendin, poshtëroni zgjedhësit dhe mbani këtu në mënyrën më të paimagjinueshme njeriun e ndëshkuar nga Gjykata Kushtetuese dhe Komisioni i Venecias.
Pse ndodh kjo? Ky është një qëndrim ekstrem për të mbrojtur me çdo kusht vjedhjet, plaçkitjet që kanë bërë. Fijet e Olta Xhaçkës, që bëhet këtu personazh unik, janë të lidhura direkt me Edi Ramën. Janë të lidhura direkt me Edi Ramën sepse Edi Rama, siç është bërë tashmë e njohur, është 30 përqindëshi i investitorëve strategjikë. Por në qoftë se ju, pasi keni futur në xhep Skapin e partisë, pasi përpiqeni të injoroni tërësisht aktet e kontrollit të shtetit, bllokoni dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, bllokoni edhe vendimet e Komisionit të Venecias.
Flamuri juaj i zi i hajdutit meriton të digjet në sheshin Skënderbej. Është bërë shumë evidente se të gjitha aferat që çojnë tek kryehajduti Edi Rama nuk mund të diskutohen. I kërkohet mocion, Kushtetuta e detyron, ai nuk vjen. Kërkohet të vijë Vilma Nushi, bashkëshortja e kushëririt që ndan paratë me të, ajo nuk vjen. Kërkohet të ndëshkohet Ilir Beqaj për 100 milionë euro të vjedhura në sterilizim, ai nuk vjen sepse është aksionieri kryesor. Sepse ka dalë e qartë si drita e diellit se Gramoz Sako, firma e komandantit të Gardës ka ndërtuar pallatin në pajë pa asnjë faturë. Ilir Beqaj nuk ndëshkohet për vjedhjet e mëdha të fondeve në sterilizim, 83 herë ka rritur çmimin e sterilizimit, por për 120 mijë euro që ka shpenzuar në restorantin e vet, fonde të donatorëve. Vetëm e vetëm për të mbrojtur Edi Ramën.", u shpreh Berisha.
TIRANA- Deputeti demokrat Asllan Dogjani ka patur një përplasje me Gardën paranë foltores së Kuvendit në seancën e sotme Plenare. Përplasja ndodhi teksa kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Niko Peleshi po merrete fjalën.
Gjatë këtij momenti Dogjani ka shkuar drejt foltores dhe akuzoi kryeparlamentaren Elisa Spiropalin se nuk po zbaton rregullore. Po ashtu Dogjani mori dhe dy paralajmërime nga Spiropali.
TIRANË- Kryetari i PD-së, Sali Berisha në fjalën e tij në foltoren e Kuvendit paralajmëroi se nëse mazhoranca nuk respekto Kushtetutës, në sallën e Parlamentit do të vijë mosbindja civile.
Berisha i ka quajtur deputetët e mazhorancës “zogj në klloçkë”, për të cilët u shpreh se shumë shpejt do të dalin pa pupla në publik. Ai gjithashtu akuzoi qeverinë se me buxhetin prej 8.2 miliardë eurosh kanë rritur vetëm rrogat e tyre.
"Ju ndjeheni mirë, se ju jeni si zogj të klloçkës, por asaj klloçkës do i vijë fundi dhe do dilni pa pupla. Çfarë diskutojmë këtu? Që këtu merr fund. Mazhoranca Xhaçka, Kushtetuta Xhaçka. Edhe ju keni dosjet e krimit palë-palë. Nuk them secili prej jush, por shumë e shumë prej jush. Ku është ky? Ja, kujt t’ia vesh dorën.
Po kjo Velistja që fliste në TV mbrëmë gjysmë ore mbrëmë për të se si i devijonte fondet. Zonjë, është e shkruar në muret e parlamentit amendamenti yt direkt për 500 milionë lekë për djegësin e Tiranës. Ku janë ato na thuaj pak? Dhe kryeson një komision ti. Po ti je për komision tjetër. Po, po! Po shëndetësia? Po në qoftë se ka një sektor ku kryhen krime kundër njerëzimit është sektori i shëndetësisë. Avoketërit e tyre nëpër studio thonë fjalët më të rënda për të sëmurët. Fjalë që nuk i thotë kush kurrë për të sëmurët. As në minutat e fundit të jetës së tyre nuk i thotë.
Sepse ata nuk vdesin nga sëmundja, vdesin nga ilaçet që nuk marrin se u vidhni fondet. Po kanceri i gjirit ka një dekurs absolutisht ndër më pozitivët nëse kapet herët, është plotësisht i mjekueshëm. Çfarë u thua ti zonja që dole këtu dhe recitove. Po kur stepesh para gjakut të një fëmije, ti je grua e rrezikshme. Ti nuk mund të flisje kurrë po të kishte parasysh se je thirrur në interpelancë për një 14-vjeçar që u ther në gjirin e shkollës. Po ato 600 gra që nuk morën brankoterapinë për tre vite, çfarë u thua ti atyre? Rroftë Edi Rama se vjedhim së bashku?
Është krim kundër njerëzimit. 8.2 miliardë euro buxheti, 16 milionë për 800 mijë pensionistë. Rrogat tuaja lart e më lart. Pretendoni se keni rritur rrogat, nuk keni rritur as shkallën e indeksimit. Spekuloni me euron.
Po, tuajat i keni rritur. I keni rritur shumë. Ne kërkojmë të respektoni Kushtetutën, përndryshe mosbindja civile do vijë edhe në sallë. Po, do vijë në sallë. Nuk mund të shkelmoni ju Kushtetutën sipas qejfit tuaj. A mund të rrihet në parlament me një hajdute që ka marrë tokën publike si ministre?" u shpreh Berisha.
TIRANË- Kryetarja e Kuvendi, Elisa Spiropali njoftoi 5 minuta pushim, pasi opozita bllokoi foltoren dhe nuk lejoi ministren e Shëndetësisë, Albana Koçiun të mbajë fjalën. Pasi deputetët e opozitës u afruan te foltorja në sallën e Kuvendit u futën edhe punonjësit e Gardës.
Debatet nisën pas zhvillimit të interpelancës së kërkuar nga deputetja e PD-së, Ina Zhupa me ministren e Arsimit, Ogerta Manastirliun lidhur me vrasjen e Martin Canit dhe sigurinë në shkolla.
TIRANA- Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha foli sot në Kuvend pas interpelancës mes deputetes Ina Zhupa dhe ministres së Arsimit Ogerta Manastirliu. Berisha tha se kryetarja e Parlamentit i preu fjalën deputetes Ina Zhupa vetëm se iu drejtua ministres me epitetin që i drejtohet mbarë Shqipëria, sipas tij. Spiropali paralajmëroi Beirshën se fjala e tij nuk ishte për procedurë, por Berisha vijoi duke shtuar se gjyqi publik i hajdutëve do të bëhet sa kohë ka dokumente.
Pjesë nga diskutimi në Kuvend:
Berisha: Nuk mund të mos denoncoj brutalitetin me të cilin kryetarja i pret fjalën deputetes dhe proteston për faktin e vetëm se ajo i drejtohet asaj me epitetin që i drejtohet mbarë Shqipëria. Nëse ndonjë këtu iu thotë hajdut pa u bazuar në dokumente zyrtare.
Spiropali: Nuk është për procedurë.
Berisha: Të lutem, të lutem. Keni të drejtë të padisni për shpifje nëse s’ka dokumente. Por nëse në bazë dokumentesh bëhet gjyqi publik i hajdutëve, do bëhet.
Spiropali: Ju tërheq vëmendjen, kjo nuk është për procedurë dhe nuk ka fjalë më.
TIRANA- Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka mbajtur një fjalim të ashpër në foltoren e Kuvendit gjatë interpelancës me ministren e Arsimit, Ogerta Manastirliu. Zhupa tha se Manastirliu nuk ka treguar ndonjëherë përkushtim ndaj problematikave të arsimit deri në momentin kur pozicioni i saj si u vu në rrezik. Ajo akuzoi ministren për mungesë përgjegjësie dhe për përpjekje për të gjetur fajtorë të tjerë pas tragjedisë me vrasjen e nxënësit 14-vjeçar te shkolla 'Fan Noli'.
“Ogerta Manastirliu shpëtoi që ishte ministre arsimi. Deri në ato momente nuk e kishte kuptuar akoma që ishte ministre sepse nuk e kishim parë në asnjë shkollë, as të diskutonte ndonjë problematikë. Fajin e ka opozita, TikTok-u, shoqëria, çdo njeri e ka fajin, përveç Ogerta Manastirliut. Nëse njëri nga ata dy djemtë, njëri i plagosur dhe njëri që nuk jeton më, do të fitonin një medalje, e para që do merrte meritat do ishte Ogerta,” tha ajo.
TIRANË- Në Kuvend po zhvillohet interpelanca e kërkuar nga deputetja e PD-së, Ina Zhupa me ministren e Arsimit, Ogerta Manastirliun lidhur me vrasjen e Martin Canit dhe sigurinë në shkolla.
Manastirliu gjatë fjalës së saj tha se Zhupa, sipas saj duke përdorur gjuhë urrejtje, është shembulli më i keq që mund tu jepet fëmijëve dhe prindërve. Ajo tha më tej se rasti i vrasjes së 14-vjeçarit u përdor nga opozita për politikë.
“Gjuha e urrejtjes, fyerje, kanosja me fjalë janë shembulli më i keq që mund t’u japim fëmijëve dhe t’u bëjmë prindërve dhe qytetarë. Në nisje të interpelancës së kaluar fyet rëndë një koleg të nderuar të këtij Kuvendi, Po të drejtohem si grua si nënë si qytetarë, t’i tregove se interesi yt nuk ishte për ngjarje, apo të jepje kontribut që problemet të gjejnë zgjidhje. T’i kishe kërkuar një interpelancë urgjente dhe përdore këtu një gjuhë fyese. Qytetarëve andej nga anët tuaja u ka ardhur turp kur të kanë dëgjuar. Mësuesve që edukojnë fëmijët tanë u ka ardhur turp që të kanë dëgjuar. U ngrite në Foltore për të trajtuar problemin dhe u bërë vetë problemi. Tregove se je njeriu më në hall për një karrige. Dhimbjet e tyre s’mund të ktheni në një cirk politik”, tha Manastirliu.
TIRANA- Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa vendosi një pankartë me nënshkrimin “Ogerta jep dorëheqjen”, referuar ministres së Arsimit, në foltoren e Kuvendit në seancën e sotme plenare. Ndaj saj ka reaguar kryeparlamentarja Elisa Spiropali e cilia i bëri thirrje të ulej në vend. Po ashtu atë moment Spiropali i kërkoi Gardës që ta hiqnin pankartën.
“Zonja Zhupa, uluni në vend dhe mos e prekni foltoren e Kuvendit. Ju lutem Grada hiqeni atë! Nuk është foltorja juaj”, tha Spiropali.
TIRANË- Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi akuzoi kryetaren e Kuvendit se ndryshoi qëndrim pas statusit të kryeministrit Edi Rama, lidhur me interpelancën e kërkuar nga ai për çështjen "Beccheti".
Ai akuzoi Spiropali dhe mazhorancën për shkelje të Kushtetutës. Bardhi u shpreh më tej se shteti shqiptar po i jep 130 milionë euro të shqiptarëve Francesco Becchetit, drejtuesit të Agon Channel. Ai tha gjithashtu se ka vendimin e gjykatës belge lidhur me këtë çështje.
"Elisa Spiropali e javës së shkuar ishte tjetër nga Elisa Spiropali pasi foli Edi Rama. Je padyshim në shkelje të Kushtetutës. Shkrimet e Ramës në Twitter janë Kushtetuta juaj. Kam vendimin e gjykatës belge. Nuk kam thënë se shteti shqiptar e ka kryer pagesën, por ka refuzuar ta kryejë pagesë. Po i jepni një mafiozi siç ju e quani 130 milionë euro të qytetarëve shqiptarë. Ne kemi thënë dhe media ka referuar që me vendim gjykate shtetit shqiptar i janë konfikskuar 130 mln euro të Alb Control. Sipas procedurave të shtetit belg është duke bërë planin e shpërndarjes. 110 milionë euro janë për abritrazhin e Agon Channel, dhe pjesa tjetër për një tjetër arbitrazh.",tha Bardhi
TIRANA- Kryeparlamentarja Elisa Spiropali iu përgjigj kreut të grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhit lidhur me kërkesën për interpelancën e kërkuar nga ky i fundit me kryeministrin Rama për çështjen "Becchettin". Spiropali tha se në bazë të kushtetutës, interpelanca duhet kërkuar bazuar mbi të vërteta dhe jo në propagandë. Ajo shtoi se interpelanca duhet sjellë sipas rregullore së Kuvendit.
"Duhet të bazohet në të vërteta në kontroll parlamentar dhe jo në nevojë për propagandë të ditës. Kryetar i Kuvendit ka të drejtë të mos e përfshijë interpelancë në rend dite për çështje që nuk janë në përgjegjësi të këshillit të ministrave. Jemi të gatshëm në çdo kohë, sillni interpelanca që janë sipas rregullore së Kuvendit. Mos merrni gjëra të pathëna, që nuk bazohen në dokumente të shtetit shqiptar. Do trajtohen interpelanca të bazuar në fakte për interesin publik", tha Spiropali.
TIRANA- Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla iu përgjigj kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi për kërkesën e këtij të fundit për interpelancë me kryeministrin Edi Rama lidhur me çështjen "Becchetti". Balla tha se kryeministri e ka të pa mundur të lë angazhimet e veta që të përgjigjet për këtë interpelancë ose, sipas tij, të japë llogari për një shpifje të propaganduar publikisht. Ai shtoi se lajmi se shteti shqiptar ka paguar 130 mln euro është lajm i rremë.
"Kryeministri e ka të pa mundur të lë angazhimet e veta që të përgjigjet për këtë interpelancë ose më saktë të japë llogari për një shpifje të propaganduar publikisht dhe e them shpifje sepse bëhet fjalë për një lajm të rremë se shteti shqiptar i paska paguar 130 mln euro një elementi kriminal me të cilin shteti shqiptar po vazhdon të përplaset në gjyqe apo procese penale jo vetëm në Shqipëri, sepse elementi kriminal në Shqipëri është i dënuar me vendim të formës së prerë, por edhe në shtet të tjera të Europës dhe këtu na thuhet se duhet të vijë kryeministri për të sqaruar një shpifje", tha Balla.
TIRANË- Ka nisur seanca plenare në Kuvend. Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka kërkuar zhvillimin e interpelancës me kryeministrin Edi Rama lidhur me pagesën që sipas tij, shteti shqiptar do t'i paguajë Francesco Becchetit.
Referuar reagimit të kryeministrit, Bardhi tha se Rama nuk mund të vërë si kusht për paraqitjen e tij Në Kuvend, përfundimin e hetimeve për përfshirjen apo jo të Olsi Ramës në çështjen "Xibraka". Ai i kërkoi kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropalit t'i kërkojë kreut të qeverisë të paraqitet në interpelancë dhe të japë përgjigje.
"Kam kërkuar interpelancë me kryeministrin për 130 milionë euro të qytetarëve shqiptarëve janë bllokuar për ekzekutimin e vendimit të arbitrazhit për Agon Channel. Nëse i vëllai është i përfshirë në çështjen Xibraka, nuk është një kush që i vihet Kuvendit për të mos u paraqitur në interpelancë. Kërkoj të thërrisni kryeministri Rama të japë përgjigje për këtë pagesë. Të japë llogari siç e kërkon Kushtetuta.", tha Bardhi.
TIRANA- Ka nisur seanca e sotme plenare në Kuvend. Ashtu si herën e kaluar edhe kjo seancë pritet të zhvillohet me debate dhe tensione. Në rendin e ditës do të diskutohet pikat të cilat nuk u shqyrtuan në seancën e javës së shkuar për shkak të kaosit dhe përplasjes mes opozitës dhe mazhorancës.
Sot pritet të zhvillohet interpelanca e kërkuar nga opozita me ministren e Arsimit, Ogerta Manastirliun për vdekjen e Martin Canit, pranë shkollës "Fan Noli". Gjithashtu pritet të diskutohet edhe kërkesa e 40 deputetëve të Partisë Socialiste për faljen e gjobave për ndërtimet pa leje në zonat rurale. Projektligji u kërkua nga mazhoranca të futej me procedurë të përshpejtuar.
TIRANË- Në Kuvend mbahet sot seanca plenare e radhës. Ashtu si herën e kaluar edhe kjo seancë pritet të zhvillohet me debate dhe tensione. Në rendin e ditës do të diskutohet pikat të cilat nuk u shqyrtuan në seancën e javës së shkuar për shkak të kaosit dhe përplasjes mes opozitës dhe mazhorancës.
Sot pritet të zhvillohet interpelanca e kërkuar nga opozita me ministren e Arsimit, Ogerta Manastirliun për vdekjen e Martin Canit, pranë shkollës "Fan Noli". Gjithashtu pritet të diskutohet edhe kërkesa e 40 deputetëve të Partisë Socialiste për faljen e gjobave për ndërtimet pa leje në zonat rurale. Projektligji u kërkua nga mazhoranca të futej me procedurë të përshpejtuar.
Ndërkohë debate të tjera pritet të zhvillohen edhe lidhur me opinionin e publikuar, dy ditë më parë, nga Komisioni i Venecias për çështjen e mandatit të deputetes Olta Xhaçka. Opozita dhe mazhoranca patën dy interpretime komplet të ndryshme të këtij opinioni.
Seanca e kaluar u ndërpre me kërkesë të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste për shkak një debati të ashpër mes deputetes demokrate Ina Zhupa dhe deputetit socialist, Erion Braçe.