Protestë masive kundër projektit në Zvërnec/ Qytetarët para Kryeministrisë thirrje kundër qeverisë: Rama të japë dorëheqjen (PAMJET)
FOTO/ Protesta për Zvërnecin, babai i Martin Canit i bashkohet protestuesve në shesh 4 Qershor, 18:43 PAMJE ng...
FOTO/ Protesta për Zvërnecin, babai i Martin Canit i bashkohet protestuesve në shesh 4 Qershor, 18:43 PAMJE ng...
"Rama do organizojnë antimiting në Vlorë", Balla i përgjigjet Berishës: Kemi festën e PS, por ti nuk je i ftuar! ...
Ish-ushtarak dhe njohës i armëve/ Kush është Violand Braçellari, 43-vjeçari që vrau një polic e...
Pas më shumë se tre orësh, mbyllet protesta para Kryeministrisë/ Qytetarët thirrje: Nesër sërish në...
• Ka përfunduar seanca plenare e ditës së sotme. • U rivotuan të gjitha ligjet e 7 marsit, pasi Sekretariati i Etikës, e shpalli votimin e tyre të pavlefshme për shkak të mungesës së kuorumit të nevojshëm. • Ndër këto 5 ligje, përfshihet edhe ai për zgjatjen me 1 vit të afatit për ligjet për investimet strategjike. • Grupi Parlamentar i PD-së ka propozuar një rritje të masës së përfitimeve nga amnistia, qoftë në drejtim të uljes së dënimit me 2 vite për gratë dhe 1.5 vite për burrat, qoftë në drejtim të datës së dënimit, fillimit të hetimeve apo kryerjes së veprës penale deri në 31 Mars 2024, nga 31 Janari 2024 qê parashikonte versioni aktual i projektligjit. • Nga ana tjetër Bardhi ka pasur një debat të ashpër me Kryetaren e Kuvendit Linidita Nikolla dhe Kreun e Grupit të PS, Bledi Çuçi në lidhje me refuzimin e interepelancës nga ana e Kryeministrit. • Bardhi ka thënë se Kryeministri e ka detyrim kushtetues ardhjen në Kuvend dhe përgjigjen ndaj interpelancës. • Çuçi ka thënë se nuk mund të thirret për në interpelancë asnjë anëtar i Kuvendit për diçka që nuk është në funksionin e tij. • Nga ana tjetër një debat të ashpër ka pasur mes deputetes së PD-së Ina Zhupa dhe Ministres së Mjedisit Mirela Kumbaro. • Zhupa ka akuzuar ministren se sipas saj bën investitor strategjik ata që vjedhin pronat e qyetarëve.
21 artikuj për këtë temë.

TIRANË-Pas një seance maratonë, në Kuvendin e Shqipërisë u votua amnistia penale. PS dhe PD finalizuan dakordësinë e arritur disa ditë më parë.
Në amendamentet e dorëzuara në Kuvend, parashikohet falja e të gjithë protesuesve të opozitës, përjashtuar ata që kanë goditur punonjësit e policisë.
Por edhe ata që nuk fitojnë lirinë, do të përfitojnë ulje dënimi, më të madhe sesa në variantin e parë.
Opozita propozoi që nga vitet e dënimit, prej kësaj amnistie, t’u zbriten dy vite nga dënimi i mbetur për gratë dhe 1 vit e gjysmë për burrat.
Prej amnistisë pritet të përfitojnë rreth 700 të burgosur dhe rreth 2500 persona në shërbim prove.
Votimi në Kuvend
Të pranishëm 118 deputetë prezentë
-Votimi në parim i aministise penale me 116 pro, 1 kunder asnje abstenim u shoqerua me duartrokitje.
Kalon dhe amendamenti i pare i Gazment Bardhit për ndryshimin e datës për të përfituar nga aministia deri në 31 mars 2024
-113 vota pro, zero abstenim, 1 kundër
-Miratohet Pr/ligji ‘Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për arkivat’
71 vota pro, 3 abstenim, 41 kundër
-Miratohet ‘Pr/ligji për koncesionet e partneritetin publik privat’
70 vota pro, 6 abstenim, 44 kundër
-Miratohet Pr/ligji për burimet ujore
71 pro, 41 kundër, 5 abstenim
-Miratohet Pr/ligji për turizmin i ndryshuar
71 vota pro, 47 kundër, asnjë abstenim
-Pr/ligji për mbrojtjen e konkurrencës
3 pro, 2 abstenim, 112 kundër
TIRANË-Gazment Bardhi, Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së ka marrë fjalën në Kuvendin e Shqipërisë pas Ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja për amnistinë penale. Bardhi ka thënë se sipas tij do të sqarojë opinionin lidhur me faljen e protestuesve, ku tha se kjo amnisti do lirojë.
"Grupi i PD që ditën e parë kur qeveria publikoi ligjin, edhe pse ishim në një protestë në Kuvend, kemi deklaruar se jemi parimisht dakord për aktin e amnistisë.
Për çdo qytetar dua të bëj të qartë procedurën e ndjekur nga ne, në konkluzionin nëse duhet ose të mbështetët propozimi. Kemi analizuar ligjet për dhënie amnistie në të shkuar që ka marrë votat e PD dhe PS.
SPAK ka nevojë të mbështetet edhe duke e furnizuar me informacione, denoncime, dhe ata që nuk kanë dorëzuar një kallëzim në SPAK, befas me fjalë na dalin si mbrojtësit e SPAK edhe pse në fakt janë qesharakë sepse nuk kanë asgjë në dorë as për ta penguar dhe as për ta mbështetur. Detyra jonë është ta mbështesim me votë në Kuvend dhe të mbështesim prokurorët e ndershëm.
Çfarë ka parashikuar amnistia e fundit. Në nenin 4 të 2014, thuhet se të dënuarit që nuk përfitojnë nga neni 3, u ulet dënimi.
Nuk ka pasur asnjë përjashtim, as për vrasësit, krimin e organizuar apo funksionarë të lartë të dënuar për korrupsion.
Por në nisje të legjislaturë kanë shpallur dhënien fund të kulturës së pandëshkueshmërisë, dhe dhënia e këtij mesazhi për SPAK e GJKKO, do duhej ta përcillnim edhe përmes aktit të amnistisë.
Dëgjova pse nuk falen protestuesit... në fakt kur i përdor si mish për top dhe më pas i le rrugëve, sigurisht që nuk e di pse janë dënuar dhe pse vuajnë gjatë këtyre viteve në dyert e gjykatave.
Numri dërrmues ka qenë në maj-qershor 2019 kur ne nisëm aksion për të ndërprerë zgjedhjet lokale. Ata janë për bllokim të qarkullimit të mjeteve dhe pengim të subjekteve zgjedhore.
E bëra këtë sqarim për t’i garantuar secili protestues, dhe të shoqërisë civile që janë përndjekur pse kanë protestuar, se sipas kësaj amnistie dhe propozimit të opozitës, çdo çështje e hapur dhe dënim i dhënë amnistohet sipas neneve të këtij projektligji, ndaj kemi vendosur ta votojmë pro."-tha Bardhi.
TIRANË-Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka prezantuar ne Kuvend, projektligjin për amnistinë, i cili pritet që të votohet në seancën e sotme plenare.
Manja bëri me dije se nuk do të përfitojë asnjë i dënuar nga Gjykata e Posaçme, ndërsa theksoi që 700 të dënuar do të lirohen menjëherë, ndërsa 400 të tjerë do të përfitojnë ulje dënimi. Ministri theksoi se do të pushohen menjëherë 232 çështje të protestuesve të opozitës. Ministri bëri me dije se po ashtu do të përfitojnë personat të cilët kanë vendim të formës së prerë deri në datë 31 mars 2024.
‘Shqipëria jo në rajon por në Evropë ka numrin më të madh të personave të dënuar me burgim të përjetshëm. Vijmë tek paraburgimi. Shqipëria ka 57% numrin e të paraburgosurve në raport me numrin e të dënuarve. Në duhet të kishim 661 persona të paraburgosur. Ndërkohë që kemi 2497 të paraburgosur mbi standardet e BE-së.
Ne i marrim ekstra 24.2 mnl euro në vit këto referuar kostos që ne kemi sot për mbajtën e një të burgosur. Shqipëria duhet të marrë masa për ti dhënë një zgjidhje afatgjatë çështjes së të paraburgosurve dhe të dënuarve në Shqipëri.
Përfitojmë 1100 të dënuar. 700 do të lirohen menjëherë ndërkohë 400 të tjerë përfitojnë ulje dënimi. 2700 në shërbim prove do të jenë përfitues nga kjo amnisti që do të votohet sonte. Nga kjo amnisti nuk do të përfitojnë të dënuarit me burgim të përjetshëm. Po ashtu nga amnistia, por as ulje dënimi nuk përfitojnë personat e dënuar nga GJKKO sepse për ndjekjen penale as që behet fjalë.
Do të përfitojnë personat të cilët ka marrë formë të prerë vendimi deri në datë 31.03 2024.
Për protestuesit e opozitës pa dallim ndarjesh në kohë por për një kategori veprash penale që janë listuar dhe që lidhet me këtë kategori do të kemi pushim të ndjekjes penale në çdo fazë të hetimit. Më lejoni të jap një shifër janë 232 çështje penale që do të përfitojnë nga kjo amnisti sa i takon ndjekjes penale, flasim për çështje pasi numri i personave është në disa fish, ka një çështje penale me 10-15 persona që kanë qenë në hetim apo gjykim.’- tha Manja.

TIRANË-Në seancën e sotme plenare në Kuvend po diskutohet projektligji për zgjatjen afatit të ligjit për investimet strategjike. Deputeti socialist Erion Braçe iu drejtua opozitës për dhëniet e koncesioneve në kohën që ata ishin në pushtet. Braçe kujton se ishin dhënë 290 kontrata për hidrocentrale ‘për çdo rrëke uji’.
“Nga gjithçka që dëgjova për 4 orë me radhë më duhet të them, kjo sallë por edhe jashtë kësaj salle ka memorie. Dikur në datën 20 dhjetor 2012, Berisha dhe unë modestisht kemi konsumuar një interpelancë për këtë këtë temë për koncesimin e pasurimeve publike. Isha i frymëzuar në atë kohë, një temë e re nuk e njihnim, gjetëm mundësinë të mësohem. Sapo kisha lexuar librin e e ideologes Argita Malltezi, E mbaj librin e Argita Malltezit në librari, si kontribut themelor në këtë ideologji. Berisha pasi u njoh me librin e kësaj zonje, e humbi durimin ik prej kthej tha. Ishin dhënë 290 kontrata për të ndërtuar hidrocentrale në çdo rrëke uji. Në 1 mijë faqe letra që ishin këtu, kishte një problem të madh, ishte një shoqja ime deputete, kishte marrë letrat për koncesion, Kardhiq 1, Kardhiq 2, Kardhiq 3, Kardhiq 4. Nuk e kuptoja pse kjo zonja rrinte mbi Kardhiq. Ato mbi Kardhiq nuk janë më por ka më shumë se kaq. Një shoqja ime deputete i kishte përlarë dhe ato. Nafta e gjitha ishte koncensionuar, çdo vinç ishte bërë koncesion. Deputetët e Durrësit duhet ta dinë këtë. Modeli ishte ky, ore e mbani mend që familja kishte vajtur në Porto Romano dhe i blinte me lek në dorë pronat. E mban mend këtë Damian. Të dalësh tani kundër Portit të Durrësit. Ja bën mu e gjitha, nuk mjaftoi kaq, pati dhe një proces tjetër, u shit OSSH, vazhdon të hetohet dhe nuk ka përgjigje. E dinë ata atje, janë shitur 4 hidrocentrale. Ishte sektori publik, u shitën me vlerën e TVSH të pa rikthyer. Nuk ishin vetëm këto, e mbani mend armon që u shit në Teksas. Rezart Taçi blinte ca piktura, jep paratë e shto paratë. Po prap doli një amerikan tjetër që ishte Rezart Taçi. Pasi i themi të gjitha këto, e kuptoni që forma e konsensionit mund të quhet edhe sterilizim. Shitja është rruajtje, merri të gjitha dhe nuk i kthen dot më. Kjo ka ndodhur në atë kohë. Besoj se interesi publik mund të mbrohet shumë mirë duke operuar me pronë publikë. Të djathtët na keni dhënë edhe këtë model, ka mbetur nëpër ligje…Për të shkatërruar pronën publike dhe për t’i dhënë privatit. Ka edhe parashkrim për korrupsionin, e kanë bërë juristët dhe ka që ç’ke me të, por kur s’ta do qejfi ty nuk ka. Për ta mbyllur, ka ardhur koha të mendojmë përtej hidrocentraleve, të mendojmë për ujin. Element kyç për sektorin më të gjerë ekonomik të vendit që është bujqësia”-tha Braçe.
TIRANË-Jorida Tabaku deputetja e PD-së tha se ka zero kallëzime penale nga ana e qeverisë. Duke marrë shkasë nga arrestimet e fundit në Bashkinë e Tiranës, Tabaku thekson se drejtorët e bashkisë i japin tendera publikë dhe pastrojnë para të korrupsionit.
"Zero kallëzime Penale për në SPAK nga qeveria. Korrupsioni në nivele galopante, drejtorët e bashkisë i japin tendera publikë dhe pastrojnë para të korrupsionit, marrin statuse speciale. Përjashtohen nga taksat dhe tatim fitimi. Bizneset e tjera paguajnë taksat dhe paratë e korrupsionit jo. Qeveria noton në korrupsion dhe sillet sikur është në situatë perfektë. Zyrtarë krijojnë kompani dhe marrin tendera dhe përftime të tjera fiskale. Ky është sistemi që ka krijuar kjo qeveri. Kompani që marrin tendera dhe pastrojnë para korrupsioni duke u përjashtuar nga taksa. Ka 10 vite që ndodh ky fenomen që familjarët e zyrtarëve po marrin përfitime dhe tendera. Po presim me padurim që të hapen dosjet që kemi dërguar në SPAK."-tha Tabaku.
TIRANË- Ministri i Brendshëm, Taulant Balla deklaroi se ditën e nesërme do të riatdhesohet nga Koreja e Jugut një person i dënuar për 3 vrasje në vitin 1997. Balla e dha lajmin gjatë fjalës në foltoren e Kuvendit.
“Nesër mbërrin në Rinas për person i dënuar përjetë me 3 vrasje, i fshehur drejtësisë prej 1997 në Korenë e Jugut. koha e pandëshkueshmërisë nuk është se mbaron brenda një nate, nuk mbaron as brenda një mandati ministri, por ky është një proces i cili duhet t’i lërë mënjanë debatet politike.”, tha ai.
Personi që përmendi Balla është 50-vjeçari shqiptar Ervin Shahini i cili u arrestua në janar në Koren e Jugut. Shahini është i dënuar me burgim të përjetshëm për vjedhje dhe vrasje. Shahini u vu në pranga në Republikën e Koresë. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Apelit Tiranë e ka dënuar me burgim të përjetshëm për vjedhje me dhunë me pasojë vdekjen.
50-vjeçari në kohë të ndryshme të vitit 1995 ka vrarë dhe plagosur disa taksistë. Pasi arrinte në destinacionet e kërkuara ai i godiste drejtuesit e automjeteve me thikë dhe iu merrte automjetet për tu larguar nga vendi i ngjarjes. Gjatë trazirave të muajit mars të vitit 1997 ai u arratis dhe u largua në mënyrë të kundërligjshme, jashtë Shqipërisë.
TIRANË- Ministri i Drejtësisë, Taulant Balla ka folur pasi kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka folur për përfshirjen e Olsi Ramës me laboratorin e drogës në Xibrakë.
Balla tha se personi i paidentifikuar nuk ishte Olsi Rama, por që sipas tij atë person e njeh kreu i PD-së, Sali Berisha. Ai akuzoi PD-në se po përdoret për interesa financiare dhe është paguar për të rikthyer këtë çështje.
Balla: Më vjen mirë që keni hapur arkivat e vjetra të baltë së SHQUP për t’iu shmangur debateve të brendshme edhe brenda vetë grupit tuaj parlamentar. Rikthimi në diskursin politik të parafolësit apo ndonjë folësi tjetër të foltores për një çështje që e kemi stërdebatuar me njëri tjetrin që nga janari 2015. Më 13 janar 2015 Policia e shtetit në bashkëveprim me prokurorinë kryen një operacion në Xibrakë, ku sipas asaj që është bërë publike është zbuluar laborator kokaine. Atë ditë pasdite, në PD në godinën e re të SHQUP, njëri prej folësve të PD u thirr me urgjencë, me urdhër të pronarit, jo të drejtorit të SHQUP, dhe deklaronte se fabrika e Xibrakës ishte e Taulant Ballës. Deputeti i PD i shkruan Berishës, pronari të SHQUP-it, i thotë që Balla është në Librazhd. S’ka problem i thotë doktori, duhet të dalë urgjentisht duhet ta fajësojmë një nga PS.
Ky diskutim vijon për disa minuta dhe del PD dhe akuzon Ramën, Ballën, Olsi Ramën dhe kush doli para. Jo ju që keni mbetur këtu, ata që kanë qenë këtu e dinë kush është ai bruni flokëshkurtër 45 vjeç. E di fare mirë ti. Shko pyet Saliun, shko sot poshtë ballkonit, dhe thuaj Sali kush është ai. E di Saliu, e ka thënë këtu në sallë kush është. Është i lidhur me një deputet të partisë tënde. Nëse ju keni besim, pse nuk keni durim ta hetojë edhe këtë çështje SPAK. Kreu i grupit të PD është detyrë shumë e rëndësishme. Shko bëj kallëzim, mos bëj njoftim. Bëje kallëzim. Për kallëzim të rremë shko në kokërr të burgut, shko bëj kallëzim. Sot në orën 6 shko thuaj Sali kush është ai 45-vjeçari ta thotë ai, ta thonë edhe shokët e rreshtit të fundit.
TIRANË- Kreu i grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi ka komentuar deklaratën që kreu i SPAK Altin Dumani bëri para KLP-së. Bardhi nga foltorja theksoi se Dumani provoi denoncimin që ai ka bërë në lidhje me policinë e shtetit. Gjatë raportimit të Dumanit në KLP, theksoi se SPAK e ka të pamundur bashkëpunimin me Policinë e Shtetit, për shkak se ka eksponentë nga Policia të përfshirë në krimin e organizuar.
Më pas Bardhi i është rikthyer në Kuvend çështjes së laboratorit të kokainës, ku ka përfshirë në akuza dhe vëllain e kryeministrit, Olsi Rama. Bardhi tha se dosja për Xibrakën fle prej disa vitesh në prokurori.
"Dumani ka provuar se policia është e lidhur me krimin e organizuar. Olsi Rama ishte 45 vjeç atëherë, i datëlindjes 1969. Dosja për laboratorin e Xibrakës fle prej disa vitesh në Prokurori. Makina është me targa AA653DM. E thotë TIMS-i që makinën me këtë targë e ka përdorur Olsi Rama. Provohet ekzaktësisht se Olsi Rama gjatë kohës që ngrihej laboratori i Xibrakës ka përdorur këtë automjet. Do të doja të vinte këtu dhe të thoshte ke bërë hamendësim. Të njëjtin automjet në këtë periudhë e kanë përdorur 3 anëtarë të tjerë të organizatës kriminale. Këtë e thonë dokumentet shtetërore për Ermal Hoxhën, Gentjan Gjonajn dhe Genci Xhixhën. Janë të dhënat e TIMS. Nuk e thotë Gazment Bardhi. Pse nuk thuhet kush është personi i paidentifikuar i moshës 45 vjeç? Pse forcat operacionale nuk kanë publikuar foton? Gjej rastin nga kjo foltore t’i bëj thirrje SPAK-ut, kreut të SPAK, zotit Dumani që të hetojë deri në fund këtë çështje dhe të vendosë para drejtësisë çdo anëtar të kësaj organizate kriminale që në vitin 2014 në mes të një vendi anëtar të NATO-s guxoi të ngrejë laborator kokaine. Të vihen përgjegjësisë ata që varrosën dosjen. Shqipërisë i është vendosur njolla e narkoshtetit,” tha Bardhi.
TIRANË- Në interpelancën me deputeten demokrate Ina Zhupa për ligjin e zonave të mbrojtura, ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro, përmendi si shembull shpalljen e Vjosës së Park Kombëtar dhe veçoi një projekt prej 75 milionë dollarësh për trajtimin e ujërave të ndotura që derdhen në këtë lumë.
“75 milionë dollarë është marrëveshja me Bankën Botërore për trajtimin e ujërave të zeza që derdhen në Vjosë. E kemi shpallur mjedisin prioritet kombëtar, 480 km të Vjosës plus tre degët e lumenjve janë 12 mijë hektarë zonë e mbrojtur. Përmes vendimmarrjes racionale dhe një bashkëpunimi shembullor me shoqërinë civile dhe partnerë ndërkombëtar, duke krijuar një model dinjitoz se si mund ta kthejmë biodiversitetin në një kartë vizite për Shqipërinë”, tha ajo.
Kumbaro midis të tjerash vlerësoi edhe ligjin për moratoriumin e gjuetisë, ku tha se ka kthyer lejlekët në Gjirokastër.
“Është kjo mazhorancë që ka vendosur moratoriumin e gjuetisë duke kthyer gjallesat në shtëpinë e tyre. Lejlekët na u kthyen edhe këtë vit në Gjirokastër dhe ky është një lajm i mirë”, tha ajo midis të tjerash.
Sa i takon ligjit, Kumbaro sqaroi se është në përputhje me standardet ndërkombëtare të Unionit Ndërkombëtar të Mbrojtjes së Natyrës (IUCN) ku Shqipëria u anëtarësua për herë të parë në vitin 2024.
“Ligji i amenduar është në përputhje me standardet ndërkombëtare të mbrojtjes së mjedisit siç janë ato të IUCN dhe direktivave Europiane përkatëse, dhe mbi të gjitha me frymën e kohës, për të arritur ekuilibrin e nevojshëm mes mbrojtjes së natyrës, biodiversitetit”.
Në fund të fjalës, Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro kishte një mesazh për opozitën.
“Juve s’kemi ç’tju bëjmë, kur s’jeni të bindur e s’e dini as ju pse s’jeni, madje edhe kur doni të bindeni nuk dini as se kujt duhet t’i bindeni. Nga unë keni thjesht mirëkuptim për hallin… po nuk jua zgjidhim dot ne. Sa ta zgjidhni ju mes vedi, ne do vazhdojme të punojmë fort, të ecim shpejt, dhe vizionin e Shqipërisë Turistike, Shqipërise së gjelbër, dhe Shqipërisë kampione të Ballkanit të vitit 2030, nuk e lëshojmë! Neve na qoftë rruga e mbarë për të mirën e popullit shqiptar dhe juve u vaftë mbarë sa të gjeni kush do beje çfarë për të mirën e demokracisë shqiptare!”, përfundoi fjalën e saj Kumbaro në interpelancën e thirrur për ndryshimet në ligjin e zonave të mbrojtura.
TIRANË- Gjatë interpelancës së zhvilluar me ministren e Kulturës, Mirela Kumbaron, deputetja e PD-së, Ina Zhupa ironizoi arrestimin e tre drejtorëve të bashkisë së Tiranës.
Zhupa tha se kjo maxhorancë bën propagandë me projektet 4D, ndërsa shtoi se vjedhjet i bëjnë me 5 D. Nga foltorja e Kuvendit, Zhupa tha se ligji për investimet është bërë enkas për oligarkët.
“Ju i keni projektet propagandë 4D dhe vjedhjet 5D. Uroj që për zonat e mbrojtura uroj që mos të keni përgatitur një vjedhje 5 M, me 5 ministra që kanë përgatitur zonat e mbrojtura. Nuk përbën ndonjë diferencë. I keni rrudhur zonat e mbrojtura, keni bërë vetëm propagandë. Na thoni se çfarë e mirë i sjell vendit kur shkatërron zonat e mbrojtura. T’i japësh falas tokën publike, zonën e mbrojtura, për ta shkatërruar, këtë se mbrojte dot zonja ministre. S’keni lidhje me realitetin. Ligjin se keni bërë as për Andin, as për Pandin, por për oligarkët.”, tha Zhupa.
TIRANË- Deputetja e PD-së, Ina Zhupa gjatë fjalës së saj në Kuvend parashtroi disa pyetje sa i takon çështjes së parkut kombëtar të Butrintit. Këto pyetje erdhën në interpelancën e saj me ministren e Turizmit, Mirela Kumbaro.
Zhupa u shpreh se një person që pret pyje quhet kriminel dhe dënohet, ndërsa ai që shfaros zona të mbrojtura quhet investitor strategjik. Ajo më tej shtoi se ky është standardi që keni ndërtuar.
“Ky është një shesh ndërtimi në një zonë të mbrojtur, që ka reaguar UNESCO. Më sqaroni se si i shërben betoni mjedisit? Si i shpërben mjedisit shkatërrimi i lagunave dhe lumenjve. Ai që pret pyjet dënohet dhe quhet kriminel. Kurse një njeri që merr zonën e mbrojtur, shkatërron pemë dhe kafshë dhe quhet investitor strategjik. Apo se ka para dhe i ndan me ju! Ky është standardi që keni ndërtuar,” tha Zhupa.
TIRANË- Deputetja e PD-së, Albana Vokshi gjatë fjalës së saj të mbajtur në seancën e sotmë në Kuvend ka kërkuar që të mërren masa ndaj Spiropalit. Vokshi u hspreh se Spiropali përdori një fjalor të papranueshëm.
Ajo më tej ka kërkuar praninë e kryeministrit Edi Rama në Kuvend si po edhe një interpelancë për akuzat ndaj vëllait të tij, Olsi Rama. Depuetja demokratë gjithashtu tha që Rama të zbatojë rregulloren.
“Merrni masë për Spiropalin. Fjalor i papranueshëm. Duhet të ishte pranuar interpelanca me kryeministrin. Pse nuk vjen kryeministri? Çfarë frike ka? Çfarë halli ka? Si lëvizte vëllai i tij me makinën e trafikantëve? Si qenka çështje private narko-trafiku. Apo përdorimi i të njëjtin automjet. Edi Rama të zbatojë rregulloren,” tha Vokshi.
TIRANË- Denoncimi i kreut të grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhit për Olsi Ramën dhe lidhjen e tij me dosjen në Xibrakë ka ndezur debate mes opozitës dhe kryetares së Kuvendit, Lindita Nikollës.
Bardhi u shpreh se kjo çështje është private për kryeministrin Edi Rama, pasi sipas tij ka një familjar të përfshirë. Ai iu drejtua Nikollës duke i thënë se kjo çështje po e tremb qeverinë.
DEBATI:
Bardhi: Trafiku ndërkombëtar i drogës është çështje e prioritetit ndërkombëtar. Lufta e policisë së shtetit ndaj trafikut ndërkombëtar të drogës është çështje shtetërore. Unë e kuptoj që trafiku i drogës për Edi Ramën është çështje private dhe kur familjarët e tu janë të përfshirë në trafikun e drogës, nuk e konsideron veprimtari shtetërore. Ju tremb kjo çështje.
Nikolla: Prit përgjigjen e organeve të drejtësisë nëse keni shpifur apo jo. Lironi foltoren zoti Bardhi.
Çuçi: Ju lutem fillojmë seancën. Për procedurë merret vetëm një herë fjala. Këtu nuk jemi Pazar, as opinioni Fevziut, e as SPAK-u. Këtu jemi në Kuvend. Duhet të funksionojmë sipas rregullores, e ka të qartë flitet vetëm njëherë për procedurë dhe vazhdojmë seancë normale.
TIRANË- Ligji për Amnistinë Penale ka shkaktuar debate në seancë plenare mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Kreu i PD-së së vulës, Lulzim Basha nga foltorja e Kuvendit deklaroi se falë amnistisë penale do të lirohen dhe të korruptuarit. Ai tha se mes tyre është dhe ish-sekretarja e përgjithshme e Shëndetësisë.
“Amnistia nuk përfshin protestuesit masivisiht e opozitës të akuzuar për nenin 236/2 kundërshtim i punonjësve të policisë. Propozimi prek vetëm nenin 236/1. Asnjë opozitar nuk përfiton, përfitojnë zyrtarët e korruptuar. Është e qartë se ky pazar i ulët është një pazar anti-drejtësi, një pazar anti-SPAK, përfitojnë të korruptuarit, dënohen dhe përjashtohen nga përfitimi ata që janë ngritur kundër korrupsionit dhe kriminalizimit të shtetit duke përfshirë zyrtarë të lartë të çështjeve që gjoja janë nën hetim parlamentar siç është ish-sekretarja e përgjithshme e shëndetësisë.”, tha Basha.
Menjëherë pas deklaratës ka replikuar ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, ku se Basha po e lexon ligjin mbrapsht.
“Me këtë që sapo tha z.Basha i paska thënë lamtumirë zanatit të juristit. Kur e lexon ligjin, e lexon mbrapsht. Mos e merrni seriozisht. Ju ftoj që kur të vijë debati për ligjin e amnistisë të bëjë propozimet e veta dhe të njihet me risitë e amnistisë. Të thuash po lirohen të dënuarit nga GJKKO, duhet të jemi pak serioz. Gjithçka ka një limit.”, tha ai.
TIRANË- Ka nisur me replika mes deputetëve socialistë dhe atyre të opozitës seanca e sotme plenare. Deputeti socialist, Pandeli Majko tha se drejtuesi i opozitës e quan SPAK organizatë kriminale, ndërsa shtoi se deputeti demokrat Tritan Shehu pas 25 vitesh po kërkon të dënohet gjenocidi serb.
Majko: Ne nuk po heshtim, thjesht po shohim se si kacafyteni me njëri-tjetrin. Keni kaq muaj që e keni bërë këtë sallë cirk. Kam një pyetje për z.Bardhi, i cili thotë se nuk do të lejohet të amnistohen të dënuarit nga SPAK-u. Ju shkoni te mitingu i kryetarit tuaj. Drejtuesi juaj e quan SPAK-un organizatë kriminale. Kjo organizate kriminale a jep drejtësi të pavarur në Shqipëri? Po apo jo?! Ngrihet Tritan Shehu pas 25 vitesh dhe thotë të dënohet gjenocidi serb. Atëherë Partia Demokratike nuk ishte e pranishme në sallë. A mund ta sillni ligjin e regjistrimin e pronave në veri.
Në përgjigjen ndaj Majkos, Gazment Bardhi tha se deputeti i PS-së duhet të pyesë kryeministrin se për llogari të kujt e goditi SPAK-un në rastin e portit të Limionit.
Bardhi: Keni mundësi të sillni ligjin për regjistrimin e pronës 390 mijë metër katror tokë publike dhe pastaj Edi Rama t’i firmos. Është problem shumë i madh t’ia sillni Pandit ligjin që Pëllumb Gjoka të përfitojë edhe me letra tokën shtetërore dhe ai atje që mungon sot të mos i hyjë gjemb në këmbë se ju ka ju. E dyta, sa i përket SPAK-ut. Shko pyet Edi Ramën se për llogari të kujt e goditi SPAK-un në rastin e portit të Limionit. Cilët janë oligarkët pas atij porti dhe Edi Rama doli dhe sulmoi Prokurorinë e Posaçme dhe Gjykatën e Posaçme. Nëse doni të bëni politikë me drejtësinë, pa dyshim ne mund të bëjmë politikë pasi gjysmën e atyre në krah i keni një ditë po një ditë jo në SPAK. Për ju drejtësia është e re sa herë godet kundërshtarët dhe është e vjetër kur u godet ju. Aministohet Ilir Beqaj dhe është gjykata që thotë merreni nën hetim, amnistohet Erion Veliaj.
Ndërkohë Shehu theksoi se kjo qeveri e kishte shitur shpirtin për çështjen e Kosovës. Majko ia kthehu se atë e bëri PD ku kur bënte trageti me Millosheviçin
“Kam një raport të mirë me historinë. Edhe duke qenë se Jam me PS. Në 1967 është shitur shpirti, kur u prishën xhamitë dhe kishat. Shpirti u shit kur PD i shiste naftë dhe armë Millosheviçit.”, tha Majko.
TIRANË- Ministrja për marrëdhëniet me Qeverinë Elisa Spiropali ka ironizuar opozitën ditën e sotme. Gjatë seancës plenare, Spiropali ka deklaruar se për faj të Opozitës i është hequr e drejta qindra familjeve që të kenë pranë të afërmit e tyre. Po ashtua jo ka ironizuar deputetin Lulzim Basha, të cilit i ka thënë se tani është ngritur nga gjumi dhe nuk e ka lexuar fare Amnistinë Penale.
"Lini akrobacitë me shpifje. A mendoni ju që i shkoni poshtë ballkonit atij të marrit, është apo nuk është organizatë kriminale SPAK? Dakord të mençurit. Se marrëzia dhe mençuria i ndan një fill i hollë. A është apo nuk është SPAK organizatë kriminale? Ne e kemi bërë shumë të qartë atë ndarje se ku fillon pushteti ekzekutiv dhe ku mbaron. Ju e keni patur drejtësinë hyzmeqare të tekave të pushtetit tuaj. Këtë përgjigje shqiptarët e kanë dhënë me votë. Të gjithë mungesën e arsyes tuaj, njëri thotë kam besim te SPAK tjetri thotë organizatë kriminale. Tjetri zoti Basha pa lexuar fare sapo është ngritur nga gjumi thotë po lironi ato që janë dënuar nga GJKKO. Meqë ne në publik duam të çojmë mesazhet e duhura ka ardhur ky draft që na keni penguar për 4 muaj të votojmë. I keni hequr të drejtën qindra familjeve të kenë pranë të afërmit e tyre. Nuk na keni dhënë mundësinë për 4 muaj rresht. Patjetër duhet ta bëjmë çdo vit. Politika e re nuk duhet ndikuar nga e vjetra vetëm burg. Shkoni aty ku viktima tuaja ju akuzojnë për shpifje dhe jepni përgjigje. Nenet nuk parashikojnë për interpelanca as trillet dhe fantazitë. E keqja e Shkodrës nuk ju del, por e keqja e Shkodrës ka dalë", tha Spiropali.
TIRANË- Deputeti demokrat Dashnor Sula ka dalë kundër votimit për ligjin e Amnistisë Penale ditën e sotme. Nga foltorja e Kuvendit, Sula akuzoi Nikollën se po shkel rregulloren e Kuvendit. Ai tha se votimi duhet të shtyhet me një jave dhe kërkoi të mblidhet urgjentisht Komisioni i Ligjeve.
“Mendoj se jeni në shkelje të rregullores duke futur ne rend dite aministine penale. Mos u përpiqni që të jepni justifikime. Të flitet për amnistinë, pasi jam në thelb kundër, por duhet të respektohet rregullorja e Shqipërisë. Nuk bëhet fjalë për një projekt dosido, por për një projekt me rëndësi. Tani po e marr këtë njoftim. Se dimë se sot do të ishte diskutimi për amnistinë. E keni kaluar me vota të njëanshme, pa qenë prezentë opozita. Nen për nen, sa i takon amnistisë, mendoj se ka për t’u diskutuar. Duhej të mblidhej komisioni i ligjeve,” tha ai.
TIRANË- Sekretari i përgjithshëm i PD-së së Vulës, Enkelejd Alibeaj ka reaguar pas futjes së ligjit të Amnistisë Penale në rendin e ditës në Kuvend.
Alibeaj tha te foltorja e Kuvendit se sot të gjithë po bëhen gati të votojnë një akt që sipas tij përmban brenda amoralitetin më të madh politik.
“Të gjithë bëhen gati për të votuar një akt që përmban brenda amoralitetin më të madh politik. E di që fundi i mandatit e vendos gjithsecilin në sfidën nëse do të vazhdojë apo jo, ndaj për këtë arsye lënë gjithçka mënjanë që të ruajnë karrigen e tyre. Asnjëri këtu që bëhet gati për të votuar Amnistinë nuk i hapet barku për të dënuarit, i sakrifikuari i madh sot është drejtësia. Me Amnistinë në heshtje, jashtë rregullave, janë 4 amendente që duhej të analizoheshin. Jepet vota për ti ulur dënimin atyre që janë dënuar nga drejtësia e re, SPAK dhe GJKKO. Detyrimi i parë që duhet të keni është që më së pari të bëni transparencë duke e kthyer tek komisioni i ligjeve, që publiku ta kujtojë se çfarë po gatuhet në këtë parlament. Janë 4 amendamente, 3 prej të cilave godasin SPAK”, tha Alibeaj.
Fjalës së Alibeajt iu përgjigj ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ku tha se asnjë i dënuar ose në proces hetimi nga GJKKO nuk do të përfitojë nga kjo amnisti.
“Zoti Alibeaj mos bëni politikë me këtë çështje. Hapni sytë dhe lexojeni ligjin se jeni juristë. Ansjë i dënuar nga GJKKO nuk do të përfitojë. Madje janë depozitar dhe kërkesat e opozitës, për protestuesit, ata që kanë proceduar në këtë vend, që ndiqen penalisht nga drejtësia.”, tha ai.
TIRANË- Kuvendi ka futur në rendin e ditës projektligjin për Amnistinë Penale. Kryetarja e Kuvendit hapi votimin, ku deputetët votuan pro.
Ndërkohë deputeti demokrat Dashnor Sula ka dalë kundër dhe akuzoi Nikollën se po shkel rregulloren e Kuvendit. Ai tha se votimi duhet të shtyhet me një jave dhe kërkoi të mblidhet urgjentisht Komisioni i Ligjeve
Sula: Nuk kemi pasur e-mail, nuk mund të shtyhej një javë, sepse kalon një javë që presin personat që keni 1 vit e gjys një vendim gjykate që e ruani sirtarin, urgjentisht komisioni i ligjeve të mblidhet tani sot të shtyhet amnistia, sepse është në kundërshtim me rregulloren.
Grupi Parlamentar i PD-së shprehu dje mbështetjen për Amnistinë Penale, ku propozuan edhe tre amendamentet e tyre, ku përfshihet përjashtimi nga vuajtja e dënimit dhe ndjekja penale të gjithë personat e gjykuar apo hetuar për vepra penale të kryera gjatë protestave deri në datën 31 Mars 2024.
Është propozuar të përjashtohen nga amnistia të gjithë funksionarët e lartë të hetuar dhe/ose gjykuar nga strukturat e posaçme antikorrupsion apo që janë subjekt i deklarimit të pasurisë, si deputetë apo kryebashkiakë.
Gjithashtu Grupi Parlamentar i PD-së ka propozuar një rritje të masës së përfitimeve nga amnistia, qoftë në drejtim të uljes së dënimit me 2 vite për gratë dhe 1.5 vite për burrat, qoftë në drejtim të datës së dënimit, fillimit të hetimeve apo kryerjes së veprës penale deri në 31 Mars 2024, nga 31 Janari 2024 qê parashikonte versioni aktual i projektligjit.
TIRANË- Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së Gazment Bardhi ka folur për mediat para nisjes së seancës plenare.
Gjatë fjalës së tij ai iu përgjigj deklaratave të Lulzim Bashës, duke thënë se asnjë zyrtar që po hetohet nga SPAK nuk do të përfitojë nga amnistia.
Ai tha se ligjet kurrë nuk i kanë parë si mundësi për të bërë pazar, por si mision përballjeje.
"Asnjë anëtar i krimit të organizuar nuk përfton asnjë amnisti nga drafti, në 2014 me votë të zotit Basha ka pasur amnisti dhe për anëtarët e krimit të organizuar. Asnjë zyrtar apo subjekt i posaçëm që po hetohet nga SPAK nuk përfiton asnjë lloj amnistie për të cilat hetohen apo janë dënuar. Ndryshe nga sa është votuar edhe pse qytetarët përfshiheshin në protestë, janë përfshirë të gjitha rastet e protestuesve të opozitës që përfitojnë nga amnistia, nuk ka asnjë zyrtar të korruptuar. Të votojmë të gjithë së bashku amnistinë. Janë mësuar që çdo gjë ta trajtojnë si pazar që të përfitonte kolegu jonë, ishte i njëjti që ka propozuar amendamentin. Kurrë nuk i kemi parë ligjet si mundësi për të bërë pazar, e kemi parë si mision përballje.", tha Bardhi.
TIRANË- Ditën e sotme në orën 10:00 do të mbahet seanca plenare e radhës. Në seancën e sotme pritet të futen në rend dite të gjitha ligjet e 7 marsit, pasi Sekretariati i Etikës, e shpalli votimin e tyre të pavlefshme për shkak të mungesës së kuorumit të nevojshëm. Ndër këto 5 ligje, përfshihet edhe ai për zgjatjen me 1 vit të afatit për ligjet për investimet strategjike. Po ashtu sot, deputetja e PD-së Ina Zhupa ka kërkuar një interpelancë me ministren e Turizmit, Mirela Kumbaro për ligjin për zonat e mbrojtura.
Po ashtu pritet që sot të kalojë edhe projektligji për amnistinë penale, pasi kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi një ditë më parë tha se ligji ka mbështetjen e opozitës. Por pas pranimit të aministisë, grupi i PD-së ka propozuar tre pika ndër të cilat përfshihet përjashtimi nga vuajtja e dënimit dhe ndjekja penale të gjithë personat e gjykuar apo hetuar për vepra penale të kryera gjatë protestave deri në datën 31 Mars 2024. Është propozuar të përjashtohen nga amnistia të gjithë funksionarët e lartë të hetuar dhe/ose gjykuar nga strukturat e posaçme antikorrupsion apo që janë subjekt i deklarimit të pasurisë, si deputetë apo kryebashkiakë.
Gjithashtu Grupi Parlamentar i PD-së ka propozuar një rritje të masës së përfitimeve nga amnistia, qoftë në drejtim të uljes së dënimit me 2 vite për gratë dhe 1.5 vite për burrat, qoftë në drejtim të datës së dënimit, fillimit të hetimeve apo kryerjes së veprës penale deri në 31 Mars 2024, nga 31 Janari 2024 qê parashikonte versioni aktual i projektligjit.