Protestë masive kundër projektit në Zvërnec/ Qytetarët para Kryeministrisë thirrje kundër qeverisë: Rama të japë dorëheqjen (PAMJET)
Protesta vijon, qytetarët shpalosin flamurin masiv kuq e zi në bulevard: Rama ik 4 Qershor, 21:28 Betejë pa li...
Protesta vijon, qytetarët shpalosin flamurin masiv kuq e zi në bulevard: Rama ik 4 Qershor, 21:28 Betejë pa li...
"Rama do organizojnë antimiting në Vlorë", Balla i përgjigjet Berishës: Kemi festën e PS, por ti nuk je i ftuar! ...
Ish-ushtarak dhe njohës i armëve/ Kush është Violand Braçellari, 43-vjeçari që vrau një polic e...
Pas më shumë se tre orësh, mbyllet protesta para Kryeministrisë/ Qytetarët thirrje: Nesër sërish në...
• Takimi historik mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe homologut rus, Vladimir Putin ka nisur ndërsa sytë e gjithë botës janë drejt Alaskës me shpresën se një marrëveshje do të arrihet për përfundimin e luftës në Ukrainë. • Trump dhe Putin kanë zbarkuar në Anchorag ndërsa kanë patur një takim të ngrohtë plot buzëqeshje. Pas bisedës së shkurtër ata u futën në mjetin presidencial të Trump ndërsa deri më tani duket se marrëdhënia e dy presidentëve është miqësore. • Putin disa minuta pas mbërritjes së tij në Alaskë është vënë përballë pyetjeve të shumta të gazetarëve të cilët po ndjekin nga afër zhvillimet e samiti të rëndësishëm me Trump. • Edhe pse presidenti Donald Trump e bëri të qartë se nuk do përgjigjen, gazetarët vijuan me punën e tyre duke insistuar disa herë. • Kjo situatë nuk i ka pëlqyer aspak Putin pasi mimikat e tij tregojnë një mospëlqim ndaj pyetjeve të gazetarëve. • Presidenti rus mësohet se do të ketë në krah gjatë këtyre takimeve ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov dhe këshilltari i politikës së jashtme ruse, Yuri Ushakov. • Trump nga ana tjetër shoqërohet nga Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe i dërguari i tij special, Steve Witkoff. • Witkoff ka zhvilluar bisedime direkte me udhëheqës rusë për muaj të tërë dhe së bashku me Rubion po ofrojnë mbështetje strategjike dhe këshilla gjatë diskutimeve. • Ky takim, i mbajtur në një territor simbolik dhe neutral si Alaska, pritet të sjellë zhvillime të rëndësishme në përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje paqeje dhe uljen e tensioneve ndërkombëtare.
19 artikuj për këtë temë.
ALASKË- Vendimi i Donald Trump dhe Vladimir Putin për të udhëtuar me të njëjtën makinë në samitin e Alaskës ka ngritur pyetje të shumta se çfarë diskutuan dy liderët gjatë udhëtimit. Analistët vërejnë se është e pazakontë të shohësh udhëheqësit e dy superfuqive të udhëtojnë në të njëjtën limuzinë.
Raportohet se në makinën ku udhëtuan dy krerët e dy vendeve nuk kishte përkthyes dhe Putin flet anglisht mjaftueshëm mirë për të zhvilluar një bisedë. Duke pasur parasysh që të dy presidentët qëndruan së bashku për rreth 10 minuta në limuzinë, kjo mund t’i shtojë misterin asaj që të dy udhëheqësit po diskutojnë privatisht gjatë kësaj vizite, njësoj si biseda që patën në Hamburg në vitin 2017, në fillim të mandatit të parë të Trump.
Mediat shtetërore ruse thanë se vendimi i presidentit rus për të lënë limuzinën e tij Aurus për t'u bashkuar me homologun e tij amerikan në "Bishën", makinën e blinduar të përdorur nga presidenti aktual i SHBA-së, erdhi me ftesë të Trump.
Russian President Putin and U.S. President Trump ëere seen riding together in Trump’s car immediately after greeting each other in Alaska. https://t.co/Q6ëAGmF5i2 pic.tëitter.com/yl9S3q7FI5
— J Steëart (@triffic_stuff_) August 15, 2025
ALASKË- Presidenti rus, Vladimir Putin disa minuta pas mbërritjes së tij në Alaskë është vënë përballë pyetjeve të shumta të gazetarëve të cilët po ndjekin nga afër zhvillimet e samiti të rëndësishëm me Trump. Edhe pse presidenti Donald Trump e bëri të qartë se nuk do përgjigjen, gazetarët vijuan me punën e tyre duke insistuar disa herë.
Kjo sitatë nuk i ka pëlqyer aspak Putin pasi mimikat e tij tregojnë një mospëlqim ndaj pyetjeve të gazetarëve. Si përfundim gazetarët duhet të presin rezultatin që do të japë ky samit për të marrë përgjigje nëse do të ketë armëpushim apo Putin do të vijojë me sulmet e tij ndaj Ukrainës.
“Kur do të ndalosh së vrari civilë?” dhe “pse duhet t’u besojë Trump fjalëve të tuaja?” ishin disa nga pyetjet.
ALASKË- Dy aeroplanët presidencialë pranë njëri-tjetrit në Anchorage kanë tërhequr vëmendjen e mediave të cilat e kanë cilësuar një imazh i pazakontë i cili nuk ndodh shpesh. Presidenti rus Vladimir Putin zbriti nga një Ilyushin Il-96 i cili është avioni kryesor në flotën presidenciale ruse.
Boeing 747 i Presidentit Donald Trump, i njohur si Air Force One mbërriti pak kohë më parë se ai i Putin dhe imazhet e tyre pranë njëri-tjetrin kanë tërhqur vëmendjen. Të dy janë avionë reaktivë me katër motorë dhe trup të gjerë, megjithëse avioni rus teknikisht është një dizajn më i ri.
FlightAware tregon se avioni i Putinit operoi si “Detashmenti Special i Fluturimit Rossiya 539” nga Aeroporti i Magadanit të Rusisë. Faqja e gjurmimit të fluturimit tregon se i janë dashur rreth katër orë kohë fluturimi për të mbërritur në Alaska.
ALASKË- Teksa dy presidentët po zhvillonin një bisedë me njëri-tjetrin pas zbritjes nga avionët presidenciale, gazetarët janë futur direkt në "aksion" me pyetje. Fillimisht kjo nuk i bezdisi si presidentin Trump dhe homologun e tij, Putin të cilët i injoruan pyetjet. Në një moment Putin dëgjon një pyetje të një gazetareje e cila insistoi dhe e përsëriti disa herë.
“A do të ndaloni së vrari civilë?" ishte pyetja që i kapi veshi Putin i cili fillimshti bëri me shenjë drej veshit se nuk e dëgjon.
Pasi gazetarja e përsërit pyetjen, Putin ngre supet duke nënkuptuar se nuk e di. Pas kësaj dy liderët shkojnë drejt mjetit presidencial të Trump dhe largohen për të vijuar me axhendën.
ALASKË- Presidenti amerikan, Donald Trump dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin janë zhvendos në ambientet ku do të zhhvillohen takimet e radhës pas mbërritjes në Anchorage. Ata janë ulur krah njëri-tjetrit ndërsa në sallë kishte gazetarë.
Që nga zbritja e Putin në në Bazën Ajrore Elmendorf-Richardson gazetarët kanë bërë një breshëri pyetjesh ndaj presidentit rus ndërsa tentuan edhe në sallë. Ashtu siç edhe në bazën ajore ata nuk morën përgjigje pasi Trump nuk pranoi që të dëgjonin dhe as ti përgjigjen asnjë pyetjeje. Ata pritet të zhvillojnë takime dhe të mundohen të arrijnë kompromis për një armëpushim në Ukrainë pas më shumë se 3 vitesh luftë.
ALASKË- Pas mbërritjes në Bazën Ajrore Elmendorf-Richardson, Trump dhe Putin janë larguar së bashku me makinën e presidentit të SHBA. Dy liderët patën një bisedë miqësore ndërsa në sfond gazetarët kërkonin përgjigje për pyetjet e tyre në lidhje me samitin e rëndësishëm.
Pas bisedës së shkurtër ata u futën në mjet ndërsa deri më tani duket se marrëdhënia e dy presidentëve është e mirë dhe miqësore ndërsa pritet që takimet të kenë një rezultat të kënaqshëm dhe Trump të arrijë një armëpushim.
Mediat amerikane e kanë cilësuar priten e Putin si një pritje të ngrohtë që rusët shpresonin pasi presidenti rus i cili ishte dënuar nga paraardhësi i Trump, Joe Biden, tani po mirëpritet në tokën amerikane me buzëqeshje.
ALASKË- Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov dhe këshilltari i politikës së jashtme ruse, Yuri Ushakov do të jenë me presidentin Putinin në takimin tre-me-tre me homologun amerikan, Donald Trumpin. Këtë detaj e ka konfirmuar zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov.
Lavrov dhe Ushakov janë diplomatë veteranë që janë qendrorë në formësimin e politikës së jashtme ruse. Lavrov ka drejtuar ministrinë e jashtme për më shumë se 20 vjet dhe Ushakov, një këshilltar kyç presidencial për më shumë se një dekadë, më parë shërbeu si ambasador i Rusisë në SHBA.
Trump shoqërohet nga Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe i dërguari i tij special, Steve Witkoff. Rubio, i njohur për qëndrimet e tij të forta kundër Rusisë, dhe Witkoff, i cili ka zhvilluar bisedime direkte me udhëheqës rusë për muaj të tërë, po ofrojnë mbështetje strategjike dhe këshilla gjatë diskutimeve.
Tema kryesore e samitit do të jetë konflikti në Ukrainë, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje dhe dhënien fund të luftës që vazhdon prej disa vitesh. Takimi i jep Trumpit një shans për t’i provuar botës se mund të arrijë negociata ashtu siç ka premtuar edhe para se të rizgjidhej president. Ai dhe aleatët e tij e kanë paraqitur atë si një negociator të rëndësishëm që mund të gjejë një mënyrë për t’i dhënë fund luftës.
ALASKË- Presidenti Donald Trump dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin pas mbërritjes në Bazën Ajrore Elmendorf-Richardson janë takuar me njëri-tjetrin. Takimi mes tyre ishte i "ngrohtë" teksa Trump i buzëqeshur i dha dorën.
Ata pasi u përshëndetën zhvilluan disa fjalë me njëri-tjetrin ndërsa në sfond dëgjohen gazetarët të cilët i drejtojnë pyetje Putin. Ai i ka injoruar duke vijuar më tej me Trump duke shkuar drejt mjetit të tij për të udhëtuar drejt vendit ku do të mbahen takimet e samitit të shumë pritur ku Trump ka shpresa për të arritur një marrëveshje për një armëpushim mes Rusisë dhe Ukrainës.
ALASKË- Presidenti rus, Vladimir Putin sapo ka mbërritur në Anchorage të Alaskës për samitin SHBA-Rusi. Putin nuk ka qenë në Shtetet e Bashkuara që nga një takim i vitit 2015 në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.
Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi një urdhër arresti për Putinin në vitin 2023, bazuar në akuzat për krime lufte. Por SHBA-të nuk janë anëtare të këtij organi global, kështu që zyrtarët nuk kanë detyrim ta arrestojnë atë.
Tema kryesore e samitit do të jetë konflikti në Ukrainë, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje dhe dhënien fund të luftës që vazhdon prej disa vitesh. Liderët pritet të diskutojnë edhe për çështje të ndjeshme si kufijtë dhe shkëmbimi i territoreve, teza që kanë qarkulluar prej kohësh. Takimi fillestar do të jetë ‘kokë më kokë’, i ndjekur më pas nga një sesion me delegacionet përkatëse dhe një drekë pune.
ALASKË- Presidenti amerikan, Donald Trump sapo ka zbarkuar me Air Force One në Bazën Ajrore Elmendorf-Richardson në Alaska për një takim të rëndësishëm me homologun rus Vladimir Putin. Trump ishte planifikuar të takohej me presidentin e Rusisë në aeroplanin e tij.
Një tabelë e madhe "Alaska 2025", e shoqëruar nga katër avionë luftarakë të parkuar dhe qilima të kuq, u vendos në pistën e Bazës së Përbashkët Elmendorf-Richardson në Anchorage për mbërritjen e udhëheqësve. Takimi i jep Trumpit një shans për t’i provuar botës se mund të arrijë negociata ashtu siç ka premtuar edhe para se të rizgjidhej president. Ai dhe aleatët e tij e kanë paraqitur atë si një negociator të rëndësishëm që mund të gjejë një mënyrë për t’i dhënë fund luftës.
UKRAINË- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy njoftoi se në takimin e shtabit të tij u diskutuan tre çështje kritike, e para prej të cilave ishin zhvillimet ushtarake në vijën e frontit, veçanërisht në sektorin e Pokrovsk. Zelenskyy tha se forcat ukrainase po i zmbrapsin përpjekjet e ushtrisë ruse për t'u konsoliduar dhe po intensifikojnë presionin ndaj pushtuesit, duke vënë në dukje se operacionet janë të suksesshme.
Sipas Zelensky, Brigadat e 79-të dhe 82-të të Ndërhyrjes së Shpejtë po operojnë në mënyrë efektive në rajonin Dompropilya, ndërsa u mor një vendim për të forcuar më tej si këtë ashtu edhe sektorë të tjerë në rajonin e Donetskut. Ai theksoi se ushtria ruse po shënon humbje të mëdha në përpjekjet e saj për të siguruar pozicione më të favorshme politike për udhëheqjen ruse në prag të takimit në Alaskë.
"Ne jemi të vetëdijshëm për këtë plan dhe po i informojmë partnerët tanë për situatën reale", vuri në dukje ai.
Sipas tij çështja e dytë e diskutuar, ishte zhvillimi i sistemit të kontratave në Forcat e Armatosura dhe financimi i mbrojtjes dhe sigurisë së Ukrainës për periudhën 2025-2026. Zelenskyy siguroi se në çdo rast ushtria ukrainase do të jetë e gatshme të reagojë shpejt dhe në mënyrë efektive ndaj çdo kërcënimi.
Presidenti urkainas iu referua pritjeve nga takimi i ardhshëm në Alaska, ku do të marrin pjesë Shtetet e Bashkuara dhe Rusia. Ai tha se pret një raport përkatës nga shërbimet e inteligjencës mbi qëllimet e Moskës dhe përgatitjet e saj për takimin.
"Rreziqet janë të larta . Gjëja thelbësore është që ky takim të hapë një rrugë të vërtetë për një paqe të drejtë dhe një diskutim substancial. Është koha që lufta të përfundojë dhe hapat e nevojshëm duhet të ndërmerren nga Rusia", tha ai, duke shtuar se Ukraina mbështetet te Shtetet e Bashkuara dhe mbetet e gatshme të punojë me produktivitet maksimal.
ALASKË- Këto janë gjërat kryesore që duhet t’i dini para takimit të presidentit amerikan, Donald Trump me presidentin rus, Vladimir Putin ballë për ballë.
Çfarë dëshiron Putini?
Shumë analistë e shohin takimin me Trumpin si fitore për Putinin, teksa lideri rus tenton t’i japë fund izolimit ndërkombëtar.
“Asnjë lider perëndimor nuk është takuar me Putinin prej nisjes së luftës në Ukrainë në shkallë të plotë. Tani ai e zhvillon një samit me presidentin amerikan, pa ndonjë koncesion paraprak”, ka thënë Jana Kobzova, e cila ka shërbyer si këshilltare për politikë të jashtme për ish-presidenten sllovake, Zuzana Çaputova.
Përtej kësaj, synimi i Putinit vazhdon të mos ndryshojë qysh prej fillimit të luftës.
“Kremlini beson se është në epërsi në fushëbetejë, prandaj nëse nuk mund të bëjë lëshime diplomatike, ai vetëm vazhdon misionin në terren”, ka thënë Kobzova.
Për këtë arsye, Putini pritet t’i rezistojë idesë së pranimit të armëpushimit.
Çfarë dëshiron Trumpi?
Trump ka thënë se dëshiron ta shfrytëzojë këtë samit për ta shtruar rrugën për një takim tjetër që do ta përfshinte edhe presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.
“Besoj që do të jetë takim i mirë, mirëpo edhe më i rëndësishëm do të jetë takimi i dytë që do ta kemi. Do ta kemi një takim me presidentin Putin, presidentin Zelensky, mua, dhe ndoshta do t’i ftojmë edhe liderët evropianë, ndoshta jo”, ka thënë Trump më 14 gusht.
Trump e ka bërë të qartë se dëshiron të arrijë një armëpushim sa më shpejt që është e mundur, si hap i parë drejt zgjidhjes përfundimtare. Mirëpo, disa analistë kanë thënë se Putini do t’i trazojë ujërat duke bërë propozime tjera.
Jim O'Brien, zyrtari që ka shërbyer si ndihmëssekretar i Shtetit për çështje evropiane në administratën e Joe Bidenit, ka thënë se ka shumë mundësi që në propozimet e Putinit të dominojë aspekti financiar, si mundësi për t’i shmangur hollësitë konkrete të ndonjë armëpushimi.
“Mund të ketë marrëveshje bilaterale, sidomos për marrëveshje tregtare prej të cilave përfitojnë bizneset amerikane”, ka thënë ai.
Çfarë kërkon Zelensky?
Presidenti ukrainas dëshiron ta ketë një ulëse në tavolinë. Zelensky është përjashtuar nga bisedimet dhe ka paralajmëruar se vendimet që merren në mungesë të tij do të jenë pa asnjë kuptim.
Çështja e koncesioneve territoriale është diçka që Zelensky e ka hedhur poshtë vazhdimisht. Trump ka thënë para samitit se nuk do ta detyrojë Kievin të dorëzojë tokë, mirëpo sugjerimi i tij se Putini dhe Zelensky “mund t’i ndajnë gjërat”, e ka rritur alarmin në Kiev.
Kërkesa të tilla janë të papranueshme jo vetëm për Zelenskyn, por edhe për të gjithë ukrainasit.
Ai shpreson që Trumpi dhe Putini nuk do të pajtohen për diçka që për të është e papranueshme, sepse nuk dëshiron të duket në sytë e Shtëpisë së Bardhë si njeriu që po e pengon procesin e arritjes së paqes.
Si është situata në fushëbetejë?
Rusia kontrollon rreth një të pestën e territorit ukrainas, që përbën afërsisht 114.500 kilometra katrorë. Vija e frontit të luftës është rreth 1.000 kilometra e gjatë dhe kalon nëpër rajonet e Harkivit, Luhanskut, Donjeckut, Zaporizhjas dhe Hersonit.
Të dyja palët vazhdojnë të përballen me humbje të mëdha, mirëpo më herët gjatë muajit Rusia ka nisur të shënojë fitore në lindje të Ukrainës, duke avancuar 10 kilometra, teksa ushtria koncentrohet rreth rajoneve të Toretskut dhe Pokrovskut.
Moska vazhdon ta çojë përpara strategjinë që analistët ushtarakë e kanë parë si tregtim të shumë viktimave në luftë, në këmbim të një pjesë të vogël të tokës.
Çfarë ndodh tash?
Trump ka propozuar një takim të dytë trepalësh brenda pak ditësh, i cili mund të mbahet sërish në Alaskë. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka folur më shumë më 14 gusht për kushtet që duhet të plotësohen për të arritur te paqja e qëndrueshme.
“Besoj se të gjithë jemi në dijeni që do të ketë diskutime për garanci të sigurisë. Duhet të diskutohet edhe për kontestet territoriale dhe pretendimet për të cilat luftojnë të dyja palët”, ka thënë Rubio.
Rusia do të vazhdojë të insistojë në diskutimin e asaj që e konsideron “rrënjën” e konfliktit – kod i Kremlinit përmes së cilit kërkon që Ukraina të heqë dorë nga ambiciet për anëtarësim në NATO, si dhe marrjen e hapave për çarmatosje të ushtrisë ukrainase. Secila palë i ka vijat e kuqe, prandaj rruga deri te arritja e paqes nuk është e lehtë./REL
SHBA- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, foli për rreziqe të mëdha përpara takimit të sotëm vendimtar me homologun e tij rus, Vladimir Putin, sipas një postimi që ai ka bërë në Truth Social.
Në orën 21:00 (me orlën okale në Shqipëri), në Alaskë do të mbahet takimi i shumëpritur mes Presidentit amerikan Donald Trump dhe homologut të tij rus, Vladimir Putin.
Tama kryesore e samitit do të jetë konflikti në Ukrainë, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje dhe dhënien fund të luftës që vazhdon prej disa vitesh. Liderët pritet të diskutojnë edhe për çështje të ndjeshme si kufijtë dhe shkëmbimi i territoreve, teza që kanë qarkulluar prej kohësh.
Takimi fillestar do të jetë ‘kokë më kokë’, i ndjekur më pas nga një sesion me delegacionet përkatëse dhe një drekë pune. Përpara nisjes së samitit, Trump deklaroi se beson se Putin dëshiron të arrijë paqe në Ukrainë dhe se presidenti rus nuk do të “luajë lojëra” gjatë bisedimeve. Ai shtoi se, nëse nuk arrihet mirëkuptim, takimi mund të përfundojë brenda pak minutash.
“Do ta kuptojmë menjëherë pozicionin e secilit. Dhe unë do ta di brenda dy, tre, katër apo pesë minutave nëse do të kemi një takim të mirë apo jo. Nëse është një takim i keq, do të përfundojë shumë shpejt. Por nëse është i mirë, atëherë mund të arrijmë paqen shumë shpejt,” tha Trump nga Shtëpia e Bardhë.
Delegacioni prej pesë anëtarësh përfshin:
- Këshilltarin presidencial rus Yuri Ushakov
- Ministrin e Jashtëm Sergei Lavrov
- Ministrin e Mbrojtjes Andrei Belousov
- Ministrin e Financave Anton Siluanov
- Kreun e Fondit Rus të Investimeve Direkte, Kirill Dmitriev.
RUSI- Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov tha se Moska do t’i paraqesë një pozicion të qartë dhe të kuptueshëm Presidentit të SHBA-së Donald Trump gjatë samitit me Presidentin rus Vladimir Putin. Lavrov foli shkurt me gazetarët ndërsa mbërriti në një hotel në Anchorage të enjten, i veshur me një pulovër me mbishkrimin “CCCP”, Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike, shkruan CNN.
“Ne nuk bëjmë kurrë plane paraprakisht. Ne e dimë që kemi argumente, një qëndrim të qartë dhe të kuptueshëm. Ne do ta paraqesim atë. Shumë është bërë tashmë gjatë vizitave të të dërguarit të posaçëm të presidentit amerikan, Witkoff… Shpresoj që nesër do ta vazhdojmë këtë bisedë të dobishme," tha Lavrov.
Lavrov has arrived for the meeting in a shirt that says СССР (USSR). https://t.co/D5yrC2MFhD pic.twitter.com/h5HYuvTrob
— Anton Gerashchenko (@Gerashchenko_en) August 15, 2025
RUSI- Ministri i Jashtëm Sergej Lavrov, ka deklaruar se Rusia ka një qëndrim të qartë dhe të kuptueshëm dhe argumente për ta mbështetur atë në takimin e ardhshëm midis Presidentit Vladimir Putin dhe homologut të tij amerikan Donald Trump në Alaska.
Duke komentuar mbi vërejtjet e Trump se ka 25% shanse për dështim në negociata, Lavrov, në një intervistë me kanalin televiziv rus Rossiya 1, tha se pala ruse nuk bën kurrë parashikime paraprakisht.
"E dimë që kemi argumente dhe një qëndrim të qartë e të kuptueshëm. Do ta paraqesim atë", tha ai.
Lavrov theksoi se shumë është bërë tashmë gjatë vizitave të të dërguarit të SHBA-së Steve Witkoff, i cili veproi në emër të presidentit amerikan.
"Shpresoj se do ta vazhdojmë këtë bisedë të dobishme", tha ai.
Putin dhe Trump do të takohen në Anchorage, qytetin më të madh të shtetit amerikan të Alaskës, më vonë të premten në një përpjekje për të gjetur terren të përbashkët për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë, e cila vazhdon që nga shkurti i vitit 2022.
ALASKË- Derisa presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dhe presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, përgatiten të takohen në Alaskë për një takim shumë të rëndësishëm për të biseduar për përfundimin e luftës gati katërvjeçare në Ukrainë, një ndjenjë pasigurie i ka kapluar kryeqytetet evropiane, veçanërisht Kievin.
Takimi i sotëm mes dy liderëve, i pari që nga kthimi i Trumpit në Shtëpinë e Bardhë në janar, mund të riformësojë jo vetëm kufijtë e ardhshëm të Ukrainës, por edhe sigurinë evropiane, pa i pyetur Kievin apo Brukselin.
Trump e ka bërë përfundimin e konfliktit më të madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore prioritet kryesor të politikës së jashtme amerikane.
Duke qenë i sigurt në aftësitë e tij për të bërë marrëveshje dhe marrëdhënien miqësore me Putinin, Trumpi beson se ky qëllim mund të arrihet duke filluar me takimin kokë më kokë në Alaskë, i caktuar para një jave.
Prej atëherë, zyrtarët dhe ekspertët perëndimorë kanë shprehur shqetësimin se Trump, i cili shmang procedurat tradicionale diplomatike në favor të marrëveshjeve të drejtpërdrejta, mund të mashtrohet nga Putini, i cili ka mbi një çerek shekulli përvojë në negociatat me liderët perëndimorë.
Kur ai u tha gazetarëve se do të diskutojë me Putinin mundësinë e shkëmbimeve të tokës midis Rusisë dhe Ukrainës, shkalla e ankthit u rrit për shkak të frikës se ai mund të njohë marrjen e tokës nga Kremlini, duke e kënaqur agresorin.
Njoftimi i papritur për takimin i vuri në lëvizje liderët ukrainas dhe evropianë për të siguruar takime me Trumpin. Derisa liderët evropianë shprehën një farë lehtësimi pas një bisede telefonike me Trumpin më 13 gusht, ekspertët thonë se çfarë do të pranojë lideri 79-vjeçar amerikan në Alaskë mbetet e paqartë.
“Vlen të theksohet se është e jashtëzakonshme që ka një shkallë kaq të lartë pasigurie për atë që do të dalë nga ky takim”, tha Andrea Kendall-Taylor, drejtoreshë e Programit të Sigurisë Transatlantike në Qendrën për Siguri të Re Amerikane (CNAS).
“Ka qenë jashtëzakonisht e vështirë të kuptohen qëndrimet e presidentit Trump ndaj Ukrainës, kryesisht për shkak të kthesave të befasishme dhe kontradiktave”, shtoi ajo më 14 gusht gjatë një bisede telefonike me gazetarët.
Trump, i cili ndër vite ka shprehur admirim për Putinin, e sulmoi presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në shkurt gjatë një takimi në Zyrën Ovale, gjë që tronditi botën perëndimore.
Disa muaj më vonë, Trump e drejtoi zemërimin e tij ndaj Putinit për mospranimin e kërkesës së tij për një armëpushim 30-ditor. Pavarësisht retorikës dhe kërcënimeve për sanksione, Trump deri më tani nuk e ka ndëshkuar Rusinë. Kendall-Taylor e sheh këtë si shenjë se afërsia e Trumpit me Rusinë dhe Putinin vazhdon.
Në prag të samitit, Trump vazhdoi t’i mbajë të gjithë në pasiguri për rezultatin e tij. Duke minimizuar shanset për ndonjë përparim në Alaskë, ai i tha Fox News se Putini “do të bëjë një marrëveshje”.
Ai gjithashtu tha për Fox News se mund të jetë i gatshëm të qëndrojë në Alaskë për një takim trepalësh, duke përfshirë Zelenskyn-n, nëse arrin përparim me liderin rus.
Më 14 gusht, Zelenskyn ishte në Londër për të diskutuar çështje sigurie me kryeministrin britanik Keir Starmer, si shenjë e mbështetjes britanike. Ai dhe liderët e tjerë evropianë duan të sigurohen që interesat e tyre të merren në konsideratë kur Trump dhe Putin të takohen.
Në Moskë, Putin vlerësoi përpjekjet e Trumpit për t’i dhënë fund luftës në një video të shkurtër të publikuar nga Kremlini, duke thënë se Shtëpia e Bardhë po bën “përpjekje mjaft energjike dhe të sinqerta për të ndaluar armiqësitë” dhe për të “arritur marrëveshje që janë me interes për të gjitha palët e përfshira”.
Megjithatë, ekziston shumë skepticizëm për qëllimet e vërteta të Putinit, i cili përputhet me shkallën e lartë të ankthit në Ukrainë.
“Vetë fakti që ky takim po ndodh nuk është në favor të Ukrainës”, tha Olga Tokariuk, bashkëpunëtore në Programin e Qëndresës Demokratike të Qendrës për Analizën e Politikave Evropiane (CEPA).
E kundërta është e vërtetë për Rusinë “sepse e legjitimon Putinin”, shtoi ajo gjatë një bisede telefonike më 14 gusht.
“Ai siguron takim me presidentin e SHBA-së në tokën amerikane pa bërë asnjë lëshim nga ana e tij”, shtoi ajo.
Skenari më i keq, sipas Tokariuk, do të ishte nëse Ukraina detyrohet të bëjë disa lëshime territoriale pa marrë ndonjë garanci sigurie në këmbim. Ajo paralajmëroi se kjo do të çonte vetëm në agresion të ri rus brenda disa muajsh.
“Nëse nuk ka përgjegjësi për Rusinë për nisjen e kësaj lufte në shkallë të plotë në vitin 2022, kjo thjesht do ta inkurajojë Rusinë të kthehet për të kërkuar më shumë”, tha Tokariuk.
Kendall-Taylor tha se një rrezik për Ukrainën është që Putini mund të arrijë ta “riformësojë” këndvështrimin e Trumpit për Zelenskyn si pengesë për përfundimin e luftës.
Rreziku është që nëse Putini flet për dëshirën e tij të sinqertë për t’i dhënë fund luftës dhe paraqet disa “propozime që duken të arsyeshme, por që Ukraina do t’i refuzojë”, Zelensky mund të gjendet sërish në shënjestrën e Trumpit si figurë kokëfortë dhe e papajtueshme”, tha Kendall-Taylor, e cila ka shërbyer si zyrtare e inteligjencës kombëtare për Rusinë dhe Euroazinë në Këshillin Kombëtar të Inteligjencës së SHBA-së nga viti 2015 deri në vitin 2018.
Ka gjithashtu skepticizëm se kërcënimi ndaj Putinit me tarifa është i mjaftueshëm për të frenuar ambiciet e tij territoriale. Trump duhet të jetë i vendosur, tha Richard Haas, ish-zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit që ka ndihmuar në negociimin e marrëveshjeve të paqes për SHBA-në në administratat e mëparshme.
“Nëse me të vërtetë doni t’i ndryshoni llogaritë e Putinit, duhet t’ia hiqni nga mendja Putinit nocionin se koha është në anën e tij, [dhe] se duke vazhduar këtë luftë Rusia gradualisht do të bluajë dhe do të marrë atë që do”, tha Haas për CBS. “Gjithçka që Presidenti Trump duhet të bëjë është t’i thotë, ‘Vlad, nuk do të ndodhë’”.
Bisedimet vijnë në një kohë vendimtare, pasi Trump është gjithnjë e më i zemëruar me Putinin, i cili nuk po tregon shenja të tërheqjes nga kërkesat maksimale të Kremlinit. Trump dhe Putin kanë zhvilluar gjashtë telefonata, dhe i dërguari kryesor i Shtëpisë së Bardhë ka udhëtuar në Moskë të paktën tri herë.
Zelensky tha se ai dhe Starmer diskutuan “në detaje të konsiderueshme” garancitë e sigurisë që Ukraina ka thënë se janë të nevojshme për të pranuar një armëpushim.
Trump tha në intervistën për Fox News se, nëse ai do të ftonte Zelenskyn për një takim trepalësh me Putinin, kjo do të ishte “shumë, shumë e rëndësishme, sepse ky do të ishte një takim ku ata bëjnë një marrëveshje”.
Ai gjithashtu përmendi përsëri mundësinë e shkëmbimeve territoriale.
“Nuk dua të përdor fjalën ‘ndaj gjërat’, por në një farë mase nuk është term i keq, OK?” tha ai.
Trump më parë ka thënë se për t’i dhënë fund konfliktit të dyja palët duhet të shkëmbejnë tokë për të ndaluar luftimet e ashpra që kanë kushtuar me dhjetëra mijëra jetë nga të dyja anët dhe kanë zhvendosur miliona ukrainas.
Por, presidenti francez Emmanuel Macron tha se Trump ka qenë “shumë i qartë” në një telefonatë më 13 gusht se dëshiron të arrijë një armëpushim në takim me Putinin dhe se ai ka qenë i qartë që “çështjet territoriale që lidhen me Ukrainën… do të negociohen vetëm nga presidenti ukrainas”.
“Mendimi i Trumpit duket më i përafruar me atë të evropianëve sesa mendohej fillimisht nga disa”, tha një zyrtar evropian për Radion Evropa e Lirë pas telefonatës.
Trump ka paralajmëruar Rusinë për “pasoja shumë të rënda” nëse nuk e ndalon luftën kundër Ukrainës, por nuk ka dhënë hollësi se me çfarë pasojash mund të përballet Moska.
Nëse konfirmohet këmbëngulja e Trumpit për përfshirjen e Ukrainës, kjo do të ndihmonte në zbutjen e frikës në Ukrainë, por Rusia ka hedhur vazhdimisht poshtë idenë e një takimi me Zelenskyn, duke sugjeruar se kjo duhet të ndodhë vetëm kur palët të jenë afër nënshkrimit të një marrëveshjeje për paqe, jo thjesht të një armëpushimi.
Ajo ditë duket ende larg duke pasur parasysh hendekun e madh mes qëndrimeve ruse dhe ukrainase në disa çështje madhore, përfshirë territorin dhe sigurinë, pavarësisht tri rundeve të bisedimeve të drejtpërdrejta në Turqi që nga mesi i majit./REL
SHBA- Në prag të takimit të planifikuar me Presidentin rus Vladimir Putin në Alaskë Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e ka minimizuar rëndësinë e takimit, duke thënë se qëllimi kryesor i tij është të përgatisë terrenin për një samit të dytë. Edhe Kremlini i ka minimizuar pritshmëritë nga ky takim duke thënë se nuk mund të parashikohet ndonjë rezultat konkret.
I pyetur nga Fox News Radio Trumpi tha se sipas tij probabiliteti që takimi me kreun e Kremlinit, Vladimir Putin, mund të dështojë është 25 përqind. Në të njëjtën kohë Trumpi u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se e sheh takimin e parë në Alaskë kryesisht si përgatitje për një takim të dytë me Presidentin rus Putin dhe atë ukrainas Volodymyr Zelenski. Trump tha se ai synon vetëm të "përgatisë terrenin për takimin e ardhshëm" me Presidentin ukrainasVolodymyr Zelenski. "Takimi i dytë do të jetë shumë, shumë i rëndësishëm, sepse ai do të jetë takimi ku ata do të arrijnë një marrëveshje", tha Trump.
Sipas tij edhe ky samit i dytë për Ukrainën mund të zhvillohet gjithashtu në Alaskë dhe kjo mund të ndodhë shumë shpejt. Po ashtu Trump tha se takimin e dytë mund të marrin pjesë edhe disa udhëheqës evropianë.
Kremlini: Pas takimit nuk planifikohet ndonjë deklaratë e përbashkët
Sipas informacioneve zyrtare nga Moska pas takimit mes Presidentit rus, Vladimir Putin, dhe Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, në Alaskë nuk është planifikuar asnjë deklaratë e përbashkët.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha për agjencinë ruse të lajmeve Interfax, se samiti u përgatit në një kohë shumë të shkurtër duke shtuar: "Jo, nuk pritet asgjë, nuk është përgatitur asgjë dhe nuk ka gjasa të ketë ndonjë dokument".
Sipas tij do të ishte gabim nëse përpiqemi të parashikojmë paraprakisht rezultatin e takimit./DW
SHBA- Donald Trump dhe Vladimir Putin do të sot në Bazën Ajrore Elmendorf në Anchorage të Alaskës. Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar oraret kryesore të Presidentit Trump ku sipas agjendës mësohet se: Në orën 6:45 të mëngjesit EDT (11:45 të mëngjesit BST), presidenti do të largohet nga Shtëpia e Bardhë dhe do të shkojë në Anchorage, Alaskë.
Rreth nëntë orë më vonë, në orën 11:00 sipas kohës lokale (8:00 BST), ai dhe Putini do të fillojnë diskutimet e tyre rreth konfliktit në Ukrainë. Pas gati shtatë orësh bisedimesh, presidenti planifikon të largohet nga Anchorage në orën 17:45 sipas orës lokale (2:45 të mëngjesit BST).
Trump ka filluar përpjekjet e tij për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë që në ditën e tij të parë në detyrë. Republikani 79-vjeçar, i cili thotë se dëshiron të "intervistojë" homologun e tij rus, parashikoi të mërkurën se ka dy rezultate të mundshme:
* Nëse takimi shkon mirë, ai do të pasohet, pothuajse menjëherë, nga një samit trepalësh midis tij, Putinit dhe homologut të tyre ukrainas Volodymyr Zelensky, për t'i dhënë fund luftës që shpërtheu në shkurt 2022, me pushtimin e ushtrisë ruse.
* Megjithatë, nëse takimi shkon keq, Trump thotë se nuk do të ketë një të dytë.
Liderët evropian janë përpjekur të mërkurën të diskutojnë me Trump, i cili njihet për temperamentin e tij shumë të paqëndrueshëm. Gjithashtu presidenti i SHBA-së Donald Trump la të kuptohej dje se udhëheqësit evropianë mund të ftohen në një takim të mundshëm të dytë me presidentin rus, Vladimir Putin, në të cilin ai tha se duhet të marrë pjesë edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Fokusi i takimit të së premtes do të jetë lufta e Rusisë kundër Ukrainës, e cila ka vazhduar që nga shkurti i vitit 2022, kur Rusia nisi një sulm në shkallë të plotë kundër fqinjit të saj. Por pyetjet janë të shumta, por ajo që i shqetëson analistët ndërkombëtarë është se cili Trump do të shfaqet në këtë takim kokë më kokë, versioni i Trumpit të ashpër apo i manjatit të pasurive të paluajtshme.
RUSI- Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka deklaruar se nuk pritet të nënshkruhet asnjë dokument gjatë samitit Rusi-SHBA në Alaska. Peskov gjithashtu ka paralajmëruar se do të ishte një gabim i madh të parashikohej rezultati i bisedimeve të nesërme. Ai theksoi se nuk ka plane që Presidenti rus Vladimir Putin dhe Presidenti i SHBA-së Donald Trump të formalizojnë ndonjë marrëveshje.
“Presidenti Putin dhe Presidenti Trump janë të gatshëm të flasin dhe do të diskutojnë çështjet më të vështira”, shtoi ai, shkruan CNN.
Trump, dhe homologu i tij rus, Putin, do të takohen të premten në Anchorage për të diskutuar se si t’i japin fund luftës në Ukrainë. Vendi i takimit të profilit të lartë është Baza e Përbashkët Elmendorf-Richardson, një instalim ushtarak amerikan në skajin verior të qytetit më të populluar të Alaskës.
Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë kanë thënë se baza përmbush kërkesat e sigurisë për të pritur dy udhëheqës botërorë. Dhe, gjatë kulmit të turizmit veror, kishte pak mundësi të tjera për takimin e organizuar me nxitim. Tre raunde bisedimesh midis Rusisë dhe Ukrainës këtë verë, të mbajtura me urdhër të Trump, ende nuk i kanë afruar të dyja palët drejt paqes.