Protestë masive kundër projektit në Zvërnec/ Qytetarët para Kryeministrisë thirrje kundër qeverisë: Rama të japë dorëheqjen (PAMJET)
Mbyllet pas më shumë se tre orësh dita e pestë e protestës, zbardhen pesë kërkesat e protestuesve 4 Qershor...
Mbyllet pas më shumë se tre orësh dita e pestë e protestës, zbardhen pesë kërkesat e protestuesve 4 Qershor...
"Rama do organizojnë antimiting në Vlorë", Balla i përgjigjet Berishës: Kemi festën e PS, por ti nuk je i ftuar! ...
Ish-ushtarak dhe njohës i armëve/ Kush është Violand Braçellari, 43-vjeçari që vrau një polic e...
Pas më shumë se tre orësh, mbyllet protesta para Kryeministrisë/ Qytetarët thirrje: Nesër sërish në...
TIRANË- “Një realitet i deformuar, njerëz pa vlera, të pasuruar në mënyrë të paligjshme që blejnë gjithçka, vendimmarrjen në gjykatë, gjuhën dhe helmin në media, opinionin dhe zgjedhësin, postin dhe karrierën i qasen drejtimit politik të vendit. Ja, kështu u gatua kjo gjendje, që sot na dhemb” – thotë në këtë intervistë botuar në Dita, profesor Përparim Kabo.
“Njeriu i zakonshëm nuk di ku të mbështetet. Nuk di si të orientohet dhe ku të besojë. Kjo gjendje imoraliteti e ka drobitur ndërgjegjen qytetare dhe e ka sfilitur shpirtin human të njeriut, i cili do të jetë qytetar i rregullt dhe shtetas me parime të shtetit ligjor, por nuk mundet” – shton ai.
Ndër të tjera ai ka treguar dhe një mesazh që Berluskoni ka dhënë Berishës shumë vite më parë që është kuptimplot për opozitën.
“Data e zgjedhjeve vjen dhe ti hyr në to, sepse populli do të mbështesi, pasi populli, (zgjedhësi), nuk është ushtria e krimit . Si i tha Berluskoni zotit Sali Berisha para disa viteve në parlamentin shqiptar, kur PD ishte në opozitë: “Zoti Berisha, e kuptoj padurimin tuaj. Dita që zgjedhjet do bëhen do të vijë, pikërisht atë ditë duhet të jesh gati me projekte dhe program konkret, ndaj tani në opozitë ke kohën dhe detyrimin që t’i përgatitësh për ato””, shprehet Kabo.
INTERVISTA E PLOTË
Profesor, a po jetojmë në kohë ku nuk kemi një ndarje të qartë mes vlerave dhe antivlerave…
Koha, vlerat, jovlerat apo dobishmëria, interesi dhe me keq akoma skajshëm amoraliteti si pushtet, janë tipare të shoqërisë globale. Njeriu po rreket nga pasja në mënyrë të frikshme.
Tek ne ka një problem më specifik, me rrënjë historike dhe me ushqim social, fal periudhës që jetojmë. Tek ne, që në hyrje të viteve 90-të, pati një keqkuptim mbi demokracinë institucionale, mbi tregun dhe kapitalizmin, mbi iniciativën e lirë dhe trashëgiminë materiale ekonomike dhe pasurore të trashëguar, duke u sjellë me të barbarisht.
Në ditët që jetojmë kemi një gjendje të tillë ku njeriu i zakonshëm nuk po di të orientohet; Duhet të jetë i ndershëm, korrekt me rregullat dhe me ligjin, duhet të jetojë me punën që bën dhe me pasurinë e ligjshme që gëzon, apo duhet te pranojë si normalitet shmangien nga detyrimet ligjore, fiskale tatimore, të bëjë çfarë të doje me pronën e tjetrit, me pasurinë kombëtare dhe ato publike?
Në këtë kuptim do dëshiroja dhe me mirëkuptimin tuaj të shtroja pyetjen. Në çfarë lloj shoqërie jemi duke jetuar? Është ajo shoqëri institucionale, e ligjit dhe e moralit të ligjit? Është ajo shoqëri e interesit publik dhe e qytetarëve? Jemi apo nuk jemi duke jetuar lirinë që parakushtëzohet nga rregulli sipas parimit “në fillim rregulli, pastaj liria”? Jemi qytetarë që taksohemi, ndaj edhe duhet të jemi të përfaqësuar në vendimmarrjen politike? A është qytetari dhe interesi tij pikë orientimi i politikës? Shikohet nga e ardhmja dhe a punohet për prosperitetin e përgjithshëm?
Cili është qëndrimi që mbahet ndaj historisë, a lexohet ajo në kushtet e lirisë së mendimit dhe të shprehjes me ekuilibër dhe me objektivitet? A pranohen gabimet e të shkuarës dhe a vihen pikat mbi “I”?
Jemi në gjendje të themi me siguri se si do jetë Shqipëria e vitit 2050? Do jetë atdheu i shqiptarëve, apo vendi i braktisur prej tyre? Tek e fundit, a duhet të besojnë njerëzit tek ky sistem dhe pse? Humbja e besimit është prishja e një marrëveshjeje mes shtetit dhe shoqërisë. Në këto kushte janë rrëzuar qoftë dhe pjesërisht e përkohësisht vlerat e lirisë, demokracisë dhe kulturës.
Jemi në një situatë që ka shpresë?
Shpesh, duke mos bërë analiza të thella, kapluar nga dëshpërimi dhe mosmarrja e përgjegjësive, njeriu pyet…po a ka shpresë? Ose fatalisht thotë: Zoti e bëftë mirë!
Po sigurisht që edhe shpresa nuk është një dhuratë, ajo është investim. Se çfarë është shpresa në vetvete, ose çdo të thotë të shpresosh? Në gjykimin tim do të thotë që të besosh se gjendja do të ndryshohet për mirë, por ajo vetë nuk ndryshon. Duhet ta ndryshojnë njerëzit, individi, brezat, shoqëria, institucionet, klasa politike, punonjësit, tregu dhe iniciativa në treg, institucionet arsimore, akademike dhe ato shkencore, strukturat shtetërore, media, kultura, arti.
E nëse ka një vetëdije të tillë dhe punohet çdo ditë pa e humbur besimin, pa u lodhur dhe shkurajuar, atëherë të gjithë kemi shpresën si një energji pozitive që na motivon, mund të quhet shpresë.
Pritshmëritë e gjata që karakterizohen nga mallkimi dhe shpagimi, qoftë edhe me fjalë, nuk ngjall shpresa. Pritshmëria si sjellje antropologjike e trashëguar te ne nga historia, as e ndryshon gjendjen dhe as e mëkon shpresën. Njeriu duhet të mbajë parasysh një postulat filozofik: “Ik nga vetja, për t’u bërë më i mirë”. Nëse askush nuk investon për të realizuar objektivat që i ka vënë vetes, s’ka si të jetë shpresëplotë. Nuk është e habitshme që edhe shoqëria në tërësinë e saj antropologjike dhe institucionale të bjerë në dëshpërim, të jetë nën patologjinë e shpresës së sëmurë, të plagosur dhe largqoftë, jo të vrarë përfundimisht.
Zhgënjime të tilla janë me shumë pasoja dhe zgjasin në kohë. Pa shpresa thahet energjia e ndryshimit. Njeriu nuk ka më ideale dhe humbet së paku tre nga zakonet kryesore të sjelljes; Proaktivitetin, pasjen e një qëllimi apo qëllimeve finale-objektivat e jetës dhe humbet gjithashtu edhe vullneti për të punuar, investuar dhe zhvilluar realitetin në interes të vetes dhe shoqërisë.
Po klasa politike, çfarë përgjegjësie ka në këtë mes?
Nëse e keni fjalën për ata që kanë marrë përsipër të drejtojnë punët e shtetit dhe t’u shërbejnë shoqërisë e qytetarëve, me një fjalë ata quhen “public servants”-shërbyes publik, ç’ka do të thotë që mëtohet se ata kanë lënë me një anë punët private dhe janë vënë në shërbim publik, për të hartuar politika publike dhe për të mbrojtur interesat publike, me punën e tyre të përditshme; pavarësisht se cili është posti apo detyra që mbajnë, janë deputetë në Parlament, janë anëtarë të një këshilli bashkiak, janë të zgjedhur apo emëruar, drejtojnë një institucion kushtetues, apo të një profili tjetër.
Të drejtosh punët e shtetit nuk është as e thjeshtë, e as amatoreske. Të mbash gjallë në një shoqëri në tranzicion si kjo jona, orientimin nga e drejta juridike dhe ajo humane, ( respektimi i lirive dhe të drejtave të njeriut), të hartosh politika publike dhe të mos i shesësh ato në treg, të plotësosh kudo në të gjithë territorin garancitë sociale të jetës, të përdorësh ligjërisht të gjithë instrumentet me qëllim që të respektohet dinjiteti njerëzor dhe “njerëzit të jenë të barabartë në mundësinë e vetëndryshimit”- teza e Anthony Giddens kjo: do të thotë që ta shohësh veten si klasë politike në tërësi dhe çdo individ të saja në veçanti, si shërbyes të popullit për zhvillimin e vendit, të përkushtuar për prosperimin e shoqërisë, për një jetë të begatë në të sotmen dhe për një ambient të sigurt fal një zhvillimi të qëndrueshëm edhe për brazat e së ardhmes.
Në realitetin që jetojmë është me shumë peshë të arsyetohet: A krijuam dot një klasë politike në këta vite tranzicion? Nëse e krijuam, si është ajo? Për shembull, a është ajo e pastër moralisht dhe me integritet.
Shumë flitet për integritetin e vlerave, por është rasti të hedhim më shumë dritë dhe të përcaktojmë tiparet dhe strukturën. Integriteti është thelbësor dhe ka të bëjë së pari me vendosjen e vlerave në vendin e duhur nga vetë ne. Ka të bëjë me aftësitë tona për të zhvilluar dhe mbajtur angazhimet tona sipas parimit “të ecim në rrugën që themi”.
Është e kuptueshme, se po qe se të tjera themi dhe të tjera bëjmë, këtu integriteti moral peshtillet në një fjalë të ftohtë dhe gri që njihet si HIPOKRIZI.
Pjesa e fundit e fjalës më josh…KRIZI. Po sikur ta lexojmë Kri-kre-krye, pra koka ose mendja dhe me tej Zi, pra shpirt zi, hipo do të thotë shumë, por në një gjuhë tjetër…paçka se në themel edhe ajo është hyp, pra ngjitu. Pa u larguar nga parashtrimi, le të vijojmë me integritetin.
Integriteti ka të bëjë me nderin ndaj vetes tënde. E nëse s’ke nder, të mbetet që në pandershmërinë tënde të jesh njësh me turpin, pra mos kesh sisteme të brendshme kontrolli dhe vetëpërmbajtjeje etike e ligjore.
Integriteti është pjesë e karakterit Etik, është thelbi i zhvillimit proaktiv. Ja pra, sa e ndërlikuar është, sa komplekse dhe sa detyruese është kjo gjendje. Për ta shteruar modestisht pyetjen tuaj, do duhet të sqarojmë dhe çdo të thotë politikë, apo të hartuarit dhe të bërit politikë në rendin dhe nivelin e një klase politike. Së paku politika duhet të jetë koherente e gjithëpranuar dhe strategjike.
Po qe se çdo ngjyrim politik partiak ka politiken e vet dhe e sheh anën tjetër si të përjashtuar dhe kur shkon ne pikën fundore edhe si armike, atëherë në këto kushte nuk kemi klasë politike, por politika partiake të pjesshme dhe ushtri politike në llogore. Eh kur kjo ndarje merr dhe ngjarjet historike si argument e alibi, pastaj jetohet në një të shkuar që as i ka mbaruar betejat dhe në një të sotme që nuk shikon të zgjidhi problematikat, si dhe nuk mendohet për një të ardhme që është detyrimi i klasës politike.
Unë do pyesja. A e ka kjo që vetëquhet klasa politike te ne, vullnetin e duhur që të ushqejë ndjekësit e saj dishepujt dhe shoqërinë në tërësi, që ta besojnë dhe t’i bashkohen në zhvillimin e vendit? A shpërfaq ajo besimin për të gjithë sepse drejtohet nga vlerat dhe integron e ndërthur ndjeshmëritë, impulset e ndryshimet dhe gjendjet shpirtërore antropologjike, me qëllim zhvillimin e përgjithshëm?
Druaj të them me plot gojën, Jo. Do uroja të isha unë gabim. Veç realiteti flet gjykon dhe vlerëson këdo, edhe klasën tonë politike të mbetur shpesh në klasë.
Vitet e fundit kemi parë funksionarë publikë që vijnë nga një e kaluar me probleme përsa i përket ligjit, thyerjes së rregullave. Pse politika i afron pas vetes persona me të shkuar problematike?
Nëse në një vend në tranzicion si ky yni themelet e demokracisë u hodhën jo të shëndetshme( vende-vende gabim, psh. mënyra se si u krijua pluralizmi partiak, për shkak se kapitalizmi u kuptua si grabitje e pronës publike dhe asaj private, si përvetësimi i pasurive kombëtare, meqë shkollimi dhe kualifikimi u katandis në shumë raste dhe hapësira arsimore ku u shfaq blerja e notës dhe e diplomës, në një shoqëri që drejtësia juridike u kthye në shit-blerje vendimesh, ryshfeti dhe korrupsioni, që kalbi gjithë sistemin, fakti që ndodh kur edhe mjeku do ta paguash nën dorë, që të të shërbejë, e vërteta e hidhur që shoqëria civile nuk mbërriti në të gjitha rastet të bënte oponentin civil, e kur edhe media, shtypi dhe arti e artistët, jo rrallë bëjnë rolin që nuk duhej të bënin, pra shndërrohen në operatorë të tregut dhe në gurë shahu të partitizmit politik, atëherë cila është klima e përgjithshme?
Një realitet i deformuar, njerëz pa vlera, të pasuruar në mënyrë të paligjshme që blejnë gjithçka, vendimmarrjen në gjykatë, gjuhën dhe helmin në media, opinionin dhe zgjedhësin, postin dhe karrierën i qasen drejtimit politik të vendit.
Ja, kështu u gatua kjo gjendje, që sot na dhemb. Dallojmë kapjen e politikës jo në pak raste nga njerëz me të kaluar të errët, me rekorde deri kriminale. Politika, jo se ju vlen si poli i kundërt në manjetizmin mes tyre, por se ata e blejnë edhe politikën. Kështu mbërrijmë në një amulli depresive.
Njeriu i zakonshëm nuk di ku të mbështetet. Nuk di si të orientohet dhe ku të besojë. Kjo gjendje imoraliteti e ka drobitur ndërgjegjen qytetare dhe e ka sfilitur shpirtin human të njeriut, i cili do të jetë qytetar i rregullt dhe shtetas me parime të shtetit ligjor, por nuk mundet.
Precedentët janë që, gjatë këtyre viteve, personat që janë afruar në politikë, shpesh nuk kanë aftësinë e duhur për të bërë këtë punë. Madje më shpejt afrohet në politikë dikush që ka kryer një krim, sesa dikush që ka bërë një shkollë. Çfarë duhet të bëjnë, si ta ndryshojnë këtë sistem?
Po, është e rrezikshme, madje shumë kjo gjë që ju thoni. Largimi i tyre është çështje kohe. SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, bashkë me Gjykatën Speciale, do t’i fshijnë. Do duken shumë të vegjël atëherë. Kjo histori nuk është e largët. Mos harrojmë atë që na thuhet shpesh: “Shqipëria është vendi NATO-s”.
Një shtet anëtarë i Aleancës së Atlantikut Verior nuk mund të drejtohet nga drejtues të lartë me bllok gjobash, apo nga deputetë që u japin favore në investime publike ish të dënuarve për vepra kriminale, apo nga kryetarë bashkish që u japin në përdorim pasuritë publike kriminelëve, e më keq akoma, nga ministra që u japin leje shfrytëzimi të mineraleve apo ekosistemeve, njerëzve nga bota e errët e krimit.
Nëse mendohet se mund të jesh edhe në NATO, edhe në botën e krimit, atëherë nuk ka as mendje e as mendim. Jo mbytur në një fatalitet që shumë shpejt do të tregojë se ku e ke vendin.
Profesor, besoni realisht te Reforma në Drejtësi?
Në besim nuk do kishte kuptim alternativa realisht, apo irealisht. Çështja shtrohet, o beson, ose nuk beson. Unë personalisht besoj. Do ketë firo rrugës, manovra djallëzore dhe infiltrime në strukturat e reja edhe të ndonjerit që nuk e meriton, por ato janë si përpëlitjet e të mbyturit. Këta tipa më kujtojnë atë përshkrimin e Viktor Hugo, të atij që po mbytej dalëngadalë në llumin e një kënete…dhe nuk e besonte se në fund do zhytej i tëri. E kuptoi kur nuk e pa më dritën.
Ndërkohë, kemi një opozitë jashtë sistemi dhe një qeveri që ka zaptuar çdo pushtet. Ku po shkojmë? Pse është kaq e vështirë të krijohet një parti e re në Shqipëri?
Opozita edhe është, edhe nuk është jashtë sistemi, sepse deputetët e listës janë atje nën siglën e partive të opozitës. Ikja nga Parlamenti ishte një gabim historik. Mospjesëmarrja në zgjedhjet lokale e thelloi atë pa argumente bindëse.
Më e keqja është se partitë e vogla tani që mbeten pa gjë, si i thonë fjalës “me gisht në gojë”, duan zgjedhje edhe pa kushtin e Partisë Demokratike, për një qeveri tranzitore dhe pa zotin Edi Rama kryeministër.
Mesa duket, kjo qasje nuk u pranua nga ndërkombëtarët. Precedentët e së kaluarës gjatë tranzicionit bindën se kjo manovër përdoret nga palët në mënyrë ciklike, thjesht si mekanizëm për ndërrimin e vendeve në drejtimin e shtetit dhe nuk është se maturon, apo ka lidhje me rigjallërimin e demokracisë institucionale.
Nëse do të vish në pushtet, duhet të tregosh se ke një projekt ndryshe. Fjala vjen, na trego se kur të jesh në pushtet si do t’i shëndoshësh financat publike, si do jetë ngarkesa fiskale, si do e zhvillosh sektorin bankar, atë monetar dhe financiar. A ke një plan kombëtar për zhvillimin e sektorit të mineralogjisë dhe hidrokarbureve, të mineraleve të rralla dhe të pyjeve, të ujërave dhe ekosistemeve? Ke stradegji për zhvillimin e bujqësisë dhe mbrojtjen e fondit të tokës, për zhvillimin e blegtorisë dhe agrobiznesit? Ke strategji ndryshe për zhvillimin e arsimit dhe të shkencës, të artit dhe të kulturës? A ke strategji për objektivat e mijëvjeçarit? E nëse i ke, bëji prezente.
Data e zgjedhjeve vjen dhe ti hyr në to, sepse populli do të mbështesi, pasi populli, (zgjedhësi), nuk është ushtria e krimit . Si i tha Berluskoni zotit Sali Berisha para disa viteve në parlamentin shqiptar, kur PD ishte në opozitë: “Zoti Berisha, e kuptoj padurimin tuaj. Dita që zgjedhjet do bëhen do të vijë, pikërisht atë ditë duhet të jesh gati me projekte dhe program konkret, ndaj tani në opozitë ke kohën dhe detyrimin që t’i përgatitësh për ato”.
Ju thoni që Qeveria ka zaptuar çdo pushtet. Le ta shohim nga afër si dhe çfarë ka ndodhur. Qeveria ka pushtetin ekzekutiv. Pushteti legjislativ që lidhet me Parlamentin ishte i përbërë nga një shumicë e majtë. Opozita pretendon tani në gjysmën e mandatit se janë blerë votat e madje me paratë e krimit dhe të drogës.
Akuza është e rëndë. Shit-blerja e votës, si edhe e demaskoi i pari, i ndjeri Sokol Olldashi në sallën e Parlamentit, është një fenomen që ngarkon me përgjegjësi të gjitha palët, është përdorur nga ne tha ai, madje edhe këtu në sallën e Kuvendit te Shqipërisë. Nëse PD do zgjedhje pa këtë qeveri, kjo nuk garanton se paratë e krimit në qarkullim për të cilat ajo flet me kaq siguri, nuk do të blejnë sërish votat.
Pushteti juridik, ose me saktë sistemi drejtësisë, është në proces Vettingu nën mbikëqyrje të ndërkombëtarëve, madje SHBA është deklaruar se atë proces e drejtojmë ne, atëherë si mund të themi që ky pushtet është i zaptuar nga qeveria.
Media si pushtet i katërt nga kontrollohet? Po ka media që janë nën kontrollin e qeverisë, si ka media që kontrollohen nga opozita, nga presidenti, nga tregu dhe nga gjahtarë të fondeve, aq sa u provua se marrin subvecione dhe honorare edhe nga jashtë Shqipërisë, me rrugë diversive. Përball kësaj tabloje, si mund të themi që qeveria ka zaptuar të gjitha pushtetet. A mund të shpëtojmë duke krijuar një apo disa parti të tjera politike? Edhe mundet. Por mendoj se ndryshimi do ndodhë pas spastrimit. Atëherë do shohim kush dhe çfarë do mbetet!
Kemi shumë pasuri publike që jepen me koncesion dhe PPP, si e shikoni këtë strategji të ndjekur?
Në aspektin ekonomik dhe monetar, Fondi Monetar Ndërkombëtar e sheh të dyshimtë PPP-në. Unë besoj në dyshimin e tij. Në aspektin e politikave publike e shoh me pasoja, sepse nëse shteti pasuritë publike dhe shërbimet publike i shndërron në pasuri private dhe shërbime të siguruara prej privatit për publikun, atëherë pse duhet shteti?
Thuhet se zbatojmë PPP-në sepse nuk mund të presim për brezat e ardhshëm, ndaj e përdorim këtë partneritet. Po nëse brezave që do të vijnë ju lëmë krahas këtyre shërbimeve të parapaguara dhe borxhe, atëherë nuk mund të thuash se ata që do të jetojnë në të ardhmen do të jenë në një mendje me ty, që vendos për këto lloj koncensionesh. Ku e pyete, ku e shtrove për diskutim, ku e more aprovimin e brezave që do vijnë?!
Aspekti tjetër është çështja e financimeve që privati i merr si kreditim. Po nëse këto para për interesin publik lypsen të merren në banka si kredi, pse nuk i merr ti si qeveri apo pushteti lokal, pra bashkitë?!
Dallimi mes kapitalizmit dhe demokracisë, ky është problemi. Kapitalizmi ka për qellim fitimin që realizohet në treg, ndërsa demokracia ka për qëllim interesat publike që realizohen nga vendimmarrja, fal demokracisë përfaqësuese. E nëse shteti pa kontroll, funksionin publik e lëshon në treg, duhet të pranojë se në treg ka fitim por ka edhe humbje, ka arritje por ka edhe falimentim, ka interesa dhe amoralitet, sepse tregu nuk është as moral e as imoral, tregu është amoral.
Filozofia e privatizimit të gjithçkaje publike do të duhet të pranojë se njeriu që merr vendimet politike me këtë kahje, nuk ka më parime humane dhe solidariteti njerëzor, por drejtohet nga parime tregu, ku individualizmi ekstrem, pasurimi dhe grykësia hedonike e shpien atë nga shërbyes publik, në një individ transasksional, që jeton sipas parimit: “Unë jam çfarë unë kam”.
Kjo lloj zhbërjeje që vjen si një sëmundje e botës globale te ne, si një vend jo i zhvilluar, ka sjellë polarizimin ekstrem, dëmtime të natyrës dhe ecje pa strategji zhvillimi.
Dhe vijmë te një nga pyetjet tuaja: A pranohen gabimet e së shkuarës dhe a vihen pikat mbi “I”? Jemi në gjendje të themi me siguri se si do jetë Shqipëria e vitit 2050?
Ne në tiparet antropologjike kemi një mosekuilibër të theksuar. Jetojmë në mënyrë kritike, që është mënyra më e mirë, por jo kritik për veten, por vetëm për të tjerët. Ky qendrim është mënyra më e keqe e të jetuarit kritik. Po ne e nisëm kapitalizmin me kioska dhe me firma piramidale, me shkatërrim të pasurisë kombëtare dhe me një reformë të gabuar për ndarjen e tokës, apo privatizimit të aseteve.
Kush mban përgjegjësi? Kush thotë këtu gabova unë? Kush kërkon falje publike? Falimentojnë banka, nuk kthehen kreditë bankare, kalbet sistemi drejtësisë, dëmtohet dhe keqadministrohet interesi publik, kush thotë gabova unë, apo gabuam ne?
Rritet borxhi jashtëm dhe defiçiti buxhetor, dëmtohet buxheti shtetit, prishet natyra, dëmtohen pyjet dhe fondi tokës, shtohen ndotjet dhe nuk ka ende një strategji për defakalizmin e ujërave të zeza dhe shfrytëzimin e energjive të rinovueshme. Kush thotë këtë përgjegjësi e mbaj unë, apo ne si shumicë parlamentare? Kush thotë unë nuk dija ta bëja këtë gjë, ndaj po largohem, eja ti që di ta bësh.
Në një vend ku nuk pyeten teknokratët dhe inxhinierët, agronomët dhe gjeologët, bankierët dhe juristët e pakorruptuar, specialistët eruditë dhe kërkuesit shkencorë, pra në këtë realitet që është yni dhe gatuar po prej nesh, çfarë ndodh? Ka amulli nuk ka strategji zhvillimi. Ju doni të dini si do jetë atdheu ynë pas tri dekadash.
Nëse do pastrohet nga krimi, korrupsioni dhe degjenerimi moral, do jetë një vend ku do mësyjnë të huaj pasunorë, që të jetojnë në mos gjatë gjithë vitit në një pjesë të tij. Nëse për tre vite arsimi do marri kthesën e duhur, së pari duke iu kthyer traditës me mësues të mirë dhe të përkushtuar, me pedagogë seriozë dhe të zotët, atëherë do nisë ngritja e ndryshimit që shkollimi të jetë dhe edukim dhe mundësi për specialistët e zotë të marin drejtimin e punëve të shtetit.
Nëse pas tre vitesh do shohim në burgje ata që e kanë bërë hak dhe do ju sekuestrohet pasuria e paligjshme, atëherë në 30 vitet e ardhshme ëndrra e atyre që e kanë dashur me të vërtetë vendin dhe i janë përkushtuar atij duke i dhënë gjithçka pa kusht dhe pa kthim, do të bëhet realitet.
Ne jemi një vend i vogël që bëhemi pis shpejt, por si i tillë ai pastrohet po shpejt. Merak kam kujdesin për fondin e tokës, natyrën dhe rritjen e popullsisë. Nuk duhet te pakësohemi si demografi, e mos kryqëzohemi me popuj të tjerë, se do humbi populli shqiptar, më i vjetëri dhe ai që ka rrënjët më të lashta në rajon dhe më gjerë.
(Marrë nga Gazeta Dita)
Tirana është boshatisur për ditët e pushimit. Cilën nga ritet e shenjta po ndiqni:
TIRANË- Presidenti Ilir Meta ka zhvilluar sot në një takim lamtumire Ambasadorin e Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Mbretërisë së Suedisë në Shqipëri, Joha...
SHKODËR– Arbis Vjerdha, anëtar i Këshillit Bashkiak të Shkodrës dhe një socialist i thekur prej vitesh ka dalë sot kundër partisë së tij. Ish- kampioni i n...
SHKODËR– Ish-deputeti Bardh Spahia ka reaguar pas Ministria e Financave ka bllokuar buxhetin për Bashkinë e Shkodrës. Në një status në rrjetet social...
SHKODËR– Ministria e Financave ka bllokuar ditën e sotme veprimet me Thesarin në Bashkinë e Shkodrës. Menjëherë pas këtij veprimi, kryebashkiakja në ije Vo...
TIRANË– Kryeministri Edi Rama vijon me publikimin e mesazheve të artistëve të ndryshëm në lidhje me çështjen e Teatrit Kombëtar. Në një status në Fa...
TIRANË- Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë, Peter Zingraf i paraqiti Letrat Kredenciale Presidentit Meta.Kreu i shtetit vlerësoi marrëdhëniet e...
TIRANË– Partia Socialliste ka reguar në lidhje me procesverbalin e publikuar nga ish-kryeministri Sali Berisha për mbledhjen e dy ditëve më parë në S...
TIRANË– Ish-kryeministri Sali Berisha e ka bërë publik denoncimin e një qytetari, I cili thotë se pronarët e një lokali në Sarandë i presin veshin një klie...
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka prezantuar në Facebook, aplikacionin “STOP” informalitetit dhe fton qytetarët të denoncojnë rastet e abuzimit.Rama shkruan...
TIRANË- Ish-deputeti i LSI, Petrit Vasili, një postim në Facebook, ka reaguar pas lajmit se OBSH është kundër dhënies me koncension të laboratorëve.Vasili ...