Foto ilustruese
TIRANË- Zbardhet dokumenti sesi do të mbahen të ashtuquajturat "Primare", një bashkësi që përmban rregullat mbi përzgjedhjen e kandidatëve për zgjedhjet lokale që do të mbahen në vend vitin e ardhshëm. Siç shkruhet në dokument, në mbyllje të primareve për zgjedhjet e pushtetit vendor, konsiderohet i përzgjedhur dhe fitues ai kandidat i cili merr të paktën 50% + 1 të votave nga totali i një selie të PD-së në një qark të caktuar. Por, në rast se asnjë nga kandidatët nuk siguron votat që duhet, atëherë kalojnë në balotazh dy kandidatët me numrin më të lartë të votave. Po ashtu, kandidatët për Primaret mund të propozohen nga anëtarët e PD-së, por edhe mund të vetëpropozohen për garën.
"Në rast se asnjë nga kandidatet nuk merr të paktën 50% + 1 të votave nga totali i votave të vlefshme, atëherë kalojnë në balotazh dy kandidatët me numrin më të lartë të votave. Në rast ndarje votash në mënyrë të barabartë, kandidati apo kandidatët që kalojnë në balotazh hidhen me short. Shorti zhvillohet nga KOKOE brenda 24 orëve nga shpallja e rezultatit. Votimet për balotazhin zhvillohen 7 ditë pas datës së primareve dhe konsiderohet i përzgjedhur dhe fitues kandidati i cili merr numrin më të lartë të votave të vlefshme,"-shkruhet ndër të tjera.
Megjithatë në dokumentin e dalë nga selia blu, ka disa pika të tjerë ku ndalemi. Lidhur me kriteret për garuesit, neni 5, pika D duket se lë shumë pak hapësirë për prurje të reja, pasi i kufizon kandidaturat jashtë Partisë Demokratike, duke mos lënë hapësira angazhimi nga ana e Shoqërisë Civile. Të gjithë pjesëmarrësit duhet që të kenë investuar hapur në PD, ndryshe kandidatura e tyre nuk pranohet.
"5. Kandidatët që duan të kualifikohen për në primare duhet gjithashtu të plotësojnë këto kritere: d) Të kenë dhënë kontribut në fushatat elektorale për Partinë Demokratike"
Pra nuk ka hapje jashtë PD-së, ashtu siç pretendoi gjatë fushatës kryedemokrati Sali Berisha. Kandidatët duhet me patjetër të kenë qenë aktivistë të PD.
DISA nga kriteret:
Kandidatët që duan të kualifikohen për në primare duhet gjithashtu të plotësojnë këto kritere: Të jenë aktiv në jetën publike, duke mbrojtur kurdoherë interesat, vlerat dhe parimet e PDSH; Kur kryetari ose sekretari i degës kandidojnë në primare për zgjedhjet e pushtetit vendor, detyrat përkatëse ushtrohen nga nënkryetari i degës në përputhje me parashikimet e Nenit 40 pika 1 të Statutit të PDSH; Kandidatët në primare për zgjedhjet vendore duhet të jenë personalitete publike me profil të lartë politik ose profesional, integritet dhe me ndikim shoqëror në komunitetin ku jetojnë e punojnë.
Po ashtu, ka edhe një kusht tjetër. Në të gjitha garat për primare, kandidatët zhvillojnë të paktën një debat publik për të shpalosur platformën e tyre përpara votuesve. Kandidatët mund të bien dakord edhe për debate të tjera. Rregullat e debatit, vendi dhe moderimi i tij, përcaktohet nga Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale (KOKOE) në bashkëpunim me kandidatët.
Megjithatë është e paqartë sesi do të ndahen kandidatët me aleatët e Partisë së Lirisë, edhe pse Ilir Meta ka bërë me dije publikisht se do të pranonte që nëse ka mbështetje më shumë se emrat e tij, do të pranonte që të gjithë kandidatët të ishin demokratë. Duke theksuar se e rëndësishme për të është ndëshkimi i kryeministrit Edi Rama.