LIVE UPDATES
Politike

Mazhoranca dhe opozita dakordësohen në Kuvend, votojnë me 114 vota pro rezolutën për integrimin në BE (DOKUMENTI I PLOTË)

Bëhet me dije, se deputeti që abstenoi është Bujar Leskaj, i Partisë Demokratike.

14 Maj 2026, 16:27 Nga E. D

Mazhoranca dhe opozita dakordësohen në Kuvend, votojnë me 114

TIRANË- Kuvendi ka votuar projektrezolutën për Integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, ku edhe opozita ka bashkuar votat e saj. Projektrezoluta u miratua me 114 vota pro, vetëm 1 abstenim dhe asnjë kundër. Bëhet me dije, se deputeti që abstenoi është Bujar Leskaj, i Partisë Demokratike.

Konsensusi mes palëve politike është një nga rastet e pakta të bashkëpunimit të gjerë në Kuvend për çështje të integrimit evropian, duke sinjalizuar një qëndrim të unifikuar përballë procesit të negociatave me BE-në. Rezoluta parashikon bashkëpunim gjithëpërfshirës dhe angazhim të përbashkët për avancimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Në dokumentin e dakordësuar parashikohen disa prioritete kryesore për institucionin e Kuvendit, mes tyre avancimi i reformës zgjedhore përmes zbatimit të rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias. Po ashtu, dokumenti kërkon forcimin e mbikëqyrjes parlamentare ndaj ekzekutivit dhe institucioneve të pavarura, me fokus te transparenca dhe llogaridhënia. Në fushën e luftës kundër korrupsionit, Kuvendi angazhohet të mbështesë institucionet ligjzbatuese për konsolidimin e rezultateve kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar.

Rezoluta ndalet edhe te liria e medias, duke parashikuar garantimin e kushteve profesionale për gazetarët dhe monitorimin e masave kundër dezinformimit. Dokumenti i miratuar i ngarkon Këshillit të Ministrave një sërë detyrimesh konkrete në funksion të procesit të integrimit. Rezoluta kërkon gjithashtu dedikimin e fondeve buxhetore për reformat e integrimit dhe përafrimin e ligjit për prokurimet publike me standardet e Bashkimit Evropian, me synim rritjen e konkurrencës dhe transparencës.

PROJEKTREZOLUTË

PËR PROCESIN E ANËTARËSIMIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË BASHKIMIN EVROPIAN

Në zbatim të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe neneve 18 dhe 103/1 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë;

Në zbatim të nenit 18, pika 1, të Ligjit nr.15/2025 “Për rolin e Kuvendit në procesin e negociatave dhe anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian”, të ndryshuar;

Duke rikonfirmuar se anëtarësimi i Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian përbën objektiv strategjik kombëtar, që udhëheq dhe orienton të gjithë agjendën reformuese të vendit për transformimin demokratik, institucional, ekonomik dhe social;

Duke nënvizuar përgjegjësinë kushtetuese të Kuvendit të Shqipërisë për mbikëqyrjen e procesit të integrimit, forcimin e kontrollit parlamentar dhe garantimin e transparencës;

Duke theksuar se orientimi evropian është zgjedhje e vullnetit të lirë, me rëndësi strategjike mbarëkombëtare, që gëzon mbështetje të gjerë qytetare dhe përfaqëson një angazhim të qëndrueshëm ndaj vlerave themelore të Bashkimit Evropian, demokracisë, shtetit të së drejtës, lirisë, paqes dhe bashkëjetesës, barazisë dhe dinjitetit njerëzor;

Duke pasur parasysh kriteret e Kopenhagës dhe parimin se procesi i anëtarësimit bazohet në meritë, kushte të drejta dhe zbatim real të reformave, në përputhje me standardet demokratike dhe respektimin e të drejtave themelore;

Të vetëdijshëm se Shqipëria ka hapur me shpejtësi të gjithë kapitujt e negocimit dhe është në pritje të miratimit të raportit IBAR;

Duke vlerësuar se procesi i zgjerimit të BE-së, po zhvillohet në një kontekst gjeopolitik të ndjeshëm që kërkon riformësim të shpejtë të institucioneve dhe përparim të matshëm në fushat kyçe si, funksionimi demokratik i institucioneve, gjyqësori dhe të drejtat themelore, drejtësia, liria dhe siguria, prokurimi publik, kontrolli financiar, statistikat, kriteret ekonomike, dhe reforma në administratën publike;

Duke marrë në konsideratë Raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë 2025 dhe Raportin e Parlamentit Evropian për Shqipërinë, miratuar në 5 maj 2026 në Komisionin për Punët e Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET);

Duke mbajtur parasysh gjetjet dhe rekomandimet e Raportit Final të OSBE/ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025;

Duke theksuar rëndësinë e respektimit të lirive dhe të drejtave themelore, si dhe domosdoshmërinë e garantimit të transparencës në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian;

Duke theksuar se integrimi evropian kërkon transformim thelbësor, që përfshin harmonizim të ligjeve në përputhje me standardet evropiane, zbatim të plotë të tyre, rezultate konkrete dhe të matshme, përgjegjësi institucionale dhe gjithëpërfshirje;

Duke marrë në konsideratë rëndësinë e besimit të publikut, garantimin e ndarjes reale të pushteteve, garantimin e mekanizmave të kontrollit dhe balancës, pavarësinë e institucioneve kushtetuese dhe dialogun konstruktiv gjithëpërfshirës politik dhe shoqëror si themeli i një demokracie funksionale, kërkesa thelbësore për procesin e anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian;

Duke shprehur vlerësimin për mbështetjen e vazhdueshme dhe të gjithanshme, strategjike dhe financiare të Bashkimit Evropian për Shqipërinë;

Kuvendi i Shqipërisë angazhohet:

Të forcojë në tërësi dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë rolin e tij në përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Të ushtrojë në mënyrë të plotë dhe efikase funksionin ligjbërës dhe mbikëqyrës për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke garantuar cilësinë e legjislacionit, përafrimin me acquis të BE-së dhe zbatimin e tij konkret në praktikë.

Të forcojë kontrollin parlamentar ndaj pushtetit ekzekutiv, institucioneve dhe agjencive të pavarura, duke respektuar parimin kushtetues të ndarjes dhe balancimit mes pushteteve, duke rritur transparencën, auditimin dhe llogaridhënien. Të thellojë angazhimin e përbashkët me qytetarët, grupet e interesit dhe aktorë të tjerë të shoqërisë, me qëllim njohjen dhe gjithëpërfshirjen në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Të intensifikojë ritmin e reformës zgjedhore në zbatim të plotë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias, për garantimin e zgjedhjeve të lira e të barabarta. Të japë mbështetje të plotë për institucionet kushtetuese dhe/ose të krijuara me ligj, duke përfshirë dhe garantimin e zbatimit të vendimeve të tyre ligjore.

Të kërkojë përforcimin e përpjekjeve dhe të konsolidojë rezultatet konkrete në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar, duke garantuar mbështetje të plotë për institucionet përkatëse dhe zbatimin e kërkesave të Bashkimit Evropian. Të kërkojë respektimin e lirisë së shprehjes, garantimin e pluralizimit mediatik, përmirësimin e mekanizmave të mbrojtjes së gazetarëve dhe gazetarisë së lirë, duke garantuar një mjedis mediatik të lirë, konkurrues dhe profesional.

Të monitorojë luftën kundër dezinformimit dhe ndërhyrjeve të huaja, për mbrojtjen e integritetit të proceseve demokratike dhe të interesave strategjike kombëtare. Të nxisë dialog politik dhe shoqëror gjithëpërfshirës, për të siguruar konsensus kombëtar mbi prioritetet evropiane. Të nxisë forcimin institucional për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të personave, që i përkasin pakicave kombëtare.

Të forcojë partneritetin ndërparlamentar me Parlamentin Evropian dhe parlamentet e vendeve anëtare të BE-së, duke kontribuar aktivisht në diplomacinë parlamentare dhe marrëdhëniet dypalëshe me to. Të refuzojë çdo nismë, akt apo veprim që devijon nga kursi i qenësishëm i anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Mazhoranca angazhohet të sigurojë kushtet për pjesëmarrjen e plotë të opozitës në veprimtarinë parlamentare, të respektojë kërkesat e saj në përputhje me standardet demokratike, me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit. Opozita angazhohet të sigurojë pjesëmarrje të plotë në veprimtarinë parlamentare në përputhje me standardet demokratike, me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit. Të dyja palët angazhohen për forcimin e dialogut politik.

Kuvendi i Shqipërisë i kërkon Këshillit të Ministrave:

Të raportojë në përputhje me kuadrin ligjor, përfshirë plotësimin e piketave përmbyllëse për të gjithë grupkapitujt negociues dhe konkluzionet e konferencave ndërqeveritare. Të garantojë zbatim të plotë dhe të qëndrueshëm të legjislacionit në përputhje me acquis të BE-së, duke përshpejtuar reformat në shtetin e së drejtës, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, gjyqësorin dhe fushat e tjera të Grupkapitullit I “Themelorët”.

Të sigurojë sinergjinë mes instrumenteve të ndryshme financiare të Bashkimit Evropian, shteteve anëtare të tij dhe partnerëve ndërkombëtarë për zhvillim, duke raportuar në mënyrë të posaçme në Kuvendin e Shqipërisë lidhur me mbështetjen e partnerëve për zhvillim për procesin e integrimit dhe anëtarësimit në Bashkimin Evropian;

Të garantojë parashikime të dedikuara buxhetore në çdo program buxhetor për zbatimin e reformave kyçe në kuadër të procesit të anëtarësimit, me fokus të veçantë në mbështetjen për institucionet ligjzbatuese. Të përputhë kuadrin ligjor për prokurimet publike me qëllim forcimin e transparencës dhe konkurrencës në prokurimet publike dhe përdorimin e fondeve të BE-së.

Të përshpejtojë reformën në administratën publike në përputhje me kërkesat e Bashkimit Evropian me qëllim rritjen e efikasitetit të saj dhe të zbatojë me përpikëri kriterin e meritës në rekrutime. Të mbrojë mjedisin dhe zonat e mbrojtura, në përputhje me standardet e BE-së. Të sigurojë konsultim gjithëpërfshirës me opozitën, shoqërinë civile dhe grupet e interesit për të garantuar një vendimmarrje me bazë sa më të gjerë.

I kërkon të forcojë më tej kapacitetet e strukturës shtetërore, përgjegjëse për zhvillimin e negociatave dhe lidhjen e Traktatit të Aderimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian. I kërkon që të intensifikojë një fushatë ndërgjegjësuese mbi Bashkimin Evropian dhe standardet evropiane si nxitëse të transformimit evropian në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. I kërkon të mbështesë më tej pushtetin vendor në forcimin e kapaciteteve të tij, për ta përgatitur për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Kuvendi i Shqipërisë

Rithekson se përparimi në procesin e anëtarësimit duhet të matet mbi bazën e meritës, standardeve demokratike dhe arritjeve të verifikueshme, me qëllim që Shqipëria të ecë me hapa të qëndrueshëm drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian./Dosja.al

kuvendi

Dokumenta bashkëngjitur

Sondazh

Poll

Filmi The Princess Diaries 3 nuk është anuluar, çfarë tha aktorja Anne Hathaway?

Filmi The Princess Diaries 3 nuk është anuluar, çfarë tha aktorja Anne Hathaway?

Fotoja e djalit të porsalindur të Zëvendëspresidentit J.D. Vance publikohet nga Donald Trump

Do mbështesim njëri-tjetrin si miq, deklarata e Jessie J për ndarjen nga Chanan Coleman

Të shtëna me armë zjarri në Elbasan, plagosen tre persona

Mbyllen fjalimet, nis marshimi në rrugët e kryeqyetit: Rama jepe dorëheqjen!

Aktivisti: Nuk jemi nazistë, por jemi shqiptarë të cilët po largohemi çdo ditë

Protestuesi: Kërkojmë largimin e një qeverie dhe një kryeministri të korruptuar

Aktivisti: Më datë 23 të gjithë para Parlamentit, t’u themi se nuk na përfaqësoni

Dita e 51-të e revoltës/ Protestuesit marshojnë nga sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë

“Kryeministri bridh, Taulanti vendos”/ Qytetari: Dalim në protestë për skandalet e qeverisë

Labinot Tahiri mban premtimin, do të ndajë 150 euro me djalin e të ndjerit Shpat Kasapi

Zjarr përgjatë autostradës Fier–Vlorë, vështirësohet qarkullimi i automjeteve

Pse Bebe Rexha u komentua gjerësisht për performancën e saj në Los Angeles për Kupën e Botës?

Yjet që dhuruan spektakël në finalen e kupës së botës

Përplasje mes Bardhit dhe Peleshit: Ky precedent nuk i vlen askujt, si mund ta bllokosh Kuvendin

"Më shiko në sy Sali"/ Çaushi- Berishës: Dezinformove për reformën dhe për shtëpinë time

Bie zjarr në zonën e Ujit të Ftohtë, flakët favorizohen nga era dhe temperaturat e larta

Tensione në Kuvend, deputetët e PD bllokojnë foltoren, ndërpritet seanca plenare

Rama: Protestat për mjedisin janë arritje e madhe për shoqërinë

"Dyfishohet mbështetja për fëmijët me aftësi të kufizuara"/ Rama: Shteti do të paguajë sigurimet

‘O shoku kryetar! Alooo!’ Peleshi përplaset me Korreshit: S’është festivali folklorik!

"Më shiko në sy Sali"/ Zegjineja- Berishës: Dezinformove për reformën dhe për shtëpinë time

Balla- Muçit: Vazhdoj të të quaj sorrë... flamingot e vërteta e braktisën llumin e kënetës

"Edi Rama spak you"/ Erald Kapri shpërthen në Kuvend: Nuk e shmangni dot thirrjen e protestuesve

Çështja Partizani/ Ish-presidenti Bamir Topi thirret si dëshmitar në SPAK

Berisha- Peleshit: Vasal i Ramës dhe armik i integrimit! Peleshi i heq fjalën: Mu drejto me etikë

Policia largon me forcë ish-luftëtarët e UÇK-së, Dritan Goxhaj dhe Meçan Zotaj

Gjyqi për ‘Partizanin’/ Berisha: Procesi është ngritur mbi një piramidë të shembur mashtrimi!

Protesta para Kuvendit/ Qytetarët zhvendosen në hyrjen kryesore, presin të mbërrijnë deputetët

Berisha denoncon: Presidenti do të dekorojë Irena Gjokën me titullin ‘heroinë e Partisë Socialiste’

Berisha jashtë SPAK: Kushtetuesja është zotuar për të mos shqyrtuar çështjen time

Berisha tregon mesazhin: Dumani është avokati i narkoshtetit, drejtësia vonon, por nuk harron

Në zbatim të masës “detyrim paraqitje”, Berisha paraqitet në SPAK

Tensione në Komisionin e Jashtëm! Debatet e forta mbi deklaratën e ministres serbe për Kosovën

Nesër protestë para Kuvendit! Paralajmëron protestuesi: Më 23 tubimi i madh

Protestuesi: Nuk ndalojmë deri në largimin e atij që është strukur në Kryeministri

Nis marshimi drejt Kryeministrisë, protestuesit bëjnë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit

Dita e 50-të e protestës/ Nis grumbullimi në sheshin "Skëndërbej"

Kryeministri Rama kryen nderimet në homazhet për gazetarin Enrik Mehmeti

Emigrantët bllokohen në pikën kufitare mes Kroacisë dhe Serbisë, kërkojnë informacion

Pesë turistë gjermanë mbetën të bllokuar në Karaburun, ekipet e shpëtimit bënë të mundur gjetjen

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Fëmijët e birësuar të Brad Pitt nisin procedurat për të mos mbajtur mbiemrin e të atit

Ish-drejtoresha e filialit të Postës së Durrësit u la në burg/ Avokati: Vendim absurd

Kuvendi Kombëtar i Protestës/ Folëses i merret mikrofoni nga dora: Edi Rama të japë dorëheqjen

Tentoi te merrte pjesë në Kuvendin Kombëtar të protestës/Selami Jenisherin nxirret jashtë

Berisha: Do bëjmë gjithçka për të paraqitur realitetin shqiptar pranë Komisionit Evropian

Falja e pronave publike në Dhërmi e Palasë/ Berisha: PD nuk do i njohë kurrë këto vendime të Ramës

Berisha: Rama nuk e dënon ministren monstër të Beogradit sepse është vasal i Vuçiçit

Berisha: Ftoj çdo demokrat që të marrë pjesë në protestë dhe të bëjë gjithçka për suksesin e saj