LIVE UPDATES
Politike

Pasaportat e arta, BE kundër shitjes së shtetësisë/ Brukseli i kërkon qeverisë shqiptare të tërhiqet

Tre vite më pas Shqipëria ka hedhur hapa të vegjël në këtë drejtim. Ndërsa Mali i Zi nisi shitjen e pasaportave të arta në vitin 2020, Shqipëria ende po e mendon.

29 Korrik 2022, 19:10 Nga k.m.
Pasaportat e arta, BE kundër shitjes së shtetësisë/ Brukseli
Foto ilustruese

Bashkimi Europian i kërkon qeverisë shqiptare të heqë dorë nga projekti për të shitur shtetësinë shqiptare. Opozita këmbëngul se aplikimi i kësaj skeme do të cenoje sigurinë kombëtare, ndërsa ekspertët e pavarur të ekonomisë mendojnë se kjo skemë mund të shfrytëzohet nga investitorët e tregut imobiliar në Shqipëri e në këtë mënyrë buxheti i shtetit do të përfitojë shumë pak nga investimi, sepse pjesa më e madhe do të shkojë në xhepin e privatit.

Në nëntor të vitit 2019, kryeministri Edi Rama prezantoi përpara elitës londineze projektin “Shtetësi nëpërmjet investimit”. Gjatë Konferencës Botërore për Nënshtetësinë, në Londër, Rama iu kujtoi të pranishmëve se Shqipëria është vend kandidat për në BE, ndërsa iu premtoi përjashtim nga taksat për një periudhë 10-vjeçare dhe mjaft lehtësi të tjera, fiskale.

Krahas tij, në këtë aktivitet ishte i pranishëm edhe kryeministri malazez, Duško Marković, i cili premtoi se Mali i Zi ofronte 2 mijë “pasaporta të arta”.

I vetëdijshëm për debatet që e shoqërojnë këtë program, Rama deklaroi: “Unë besoj fuqimisht se kjo është mënyra e duhur dhe se kjo është ajo që ne duhet të bëjmë. Sigurisht, ka rreziqe, por ne nuk mund t`i mohojmë vendit tonë dhe së ardhmes sonë potencialin e jashtëzakonshëm të këtij programi”.

Tre vite më pas Shqipëria ka hedhur hapa të vegjël në këtë drejtim. Ndërsa Mali i Zi nisi shitjen e pasaportave të arta në vitin 2020, Shqipëria ende po e mendon. Në vitin 2020 është miratuar një Ligj i ri “Për Shtetësinë” dhe në vitin 2022 janë miratuar 2 vendime që përcaktojnë kriteret për fitimin e shtetësisë shqiptare për kontributin e dhënë në fushën e arsimit, shkencës, sportit, artit dhe kulturës, por ende nuk i është dhënë drita jeshile shitjes së shtetësisë për investime.

Programi “Shtetësi nëpërmjet investimit” ka alarmuar BE-në, i cili kërkon anulimin e tij. Parlamenti Europian në mes të majit 2022 në Rezolutën për Ecurinë e Reformave në Shqipëri, pika 32, kërkon: “Të hiqet dorë nga skema “Shtetësi për investim”, e cila mund të përbëjë rrezik serioz për sigurinë, pastrimin e parave, korrupsionin dhe evazionin fiskal”.

Dy javë pas publikimit të rezolutës, Komisionin Europian i drejtohet me shkresë ministrit të Brendshëm dhe i kërkon sërish ndërprerjen e menjëhershme të skemës “Shtetësi nëpërmjet investimit”. Por, një muaj pas dorëzimit të letrës, zyra e Delegacionit të BE-së në Tiranë konfirmon se nuk ka marrë asnjë reagim nga ministri i Brendshëm shqiptar në lidhje me këtë kërkesë.

Paralajmërimi i KE: Do t’ju ndëshkojmë!

“Dëshironim të përsëritnim shqetësimin tonë për perspektivat e krijimit nga Shqipëria të një programi të veçantë për fitimin e shtetësisë nëpërmjet investimeve dhe hapat e fundit, të ndërmarra nga qeveria juaj për të vazhduar me zbatimin e një skeme të tillë”.

Nis kështu letra e Komisionit Europian, që mban datën 30 maj të këtij viti. KE shpreh shqetësimin për këtë nismë, duke e vendosur në “shtratin” e zhvillimeve të fundit të agresionit rus ndaj Ukrainës.

Siç shkruhet në këtë letër, nisur nga këto zhvillime, më 28 mars të këtij viti, Komisioni Europian i ka rekomanduar edhe vendeve anëtare të BE-së, që aplikojnë skemën e përfitimit të shtetësisë nëpërmjet investimeve, që t`i mbyllin menjëherë, madje të nisin hetimet edhe për “investitorët”, që kishin përfituar shtetësitë përkatëse.

“Komisioni nxiti shtetet anëtare të kryenin një vlerësim për të përcaktuar nëse shtetësia, e dhënë më parë për shtetasit rusë ose bjellorusë, që i nënshtrohen sanksioneve ose që mbështesin ndjeshëm luftën në Ukrainë, duhet t’iu hiqet, duke revokuar vendimin e dhënies së saj”, – shkruhet në letër.

Më pas në letër Komisioni Europian i kujton ministrit të Brendshëm se prej kohësh i ka kërkuar Shqipërisë tërheqjen nga kjo nismë. Qëndrimi i prerë kundër nismës së Shqipërisë për të shitur pasaportën e saj, i është paraqitur qeverisë dhe parlamentit, që në kohën kur Ligji “Për shtetësinë” ishte ende projekt (tetor 2019). Në atë kohë Komisioni paralajmëroi Tiranën zyrtare për rreziqet e qenësishme dhe pasojat e mundshme, por qeveria e miratoi ligjin në vitin 2020, duke “injoruar” edhe qëndrimin e Presidentit të Republikës, që nuk e dekretoi.

Në letrën drejtuar ministrit të Brendshëm nënvizohen rekomandimet e qarta të raporteve vjetore për Shqipërinë, si për vitin 2020, edhe për vitin 2021, për të mos e vijuar më tej këtë projekt. Komisioni Europian shprehet se njeh sovranitetin e Shqipërisë për të vendosur mbi procedurat e natyralizimit, por shton se “skema e shtetësisë nëpërmjet investimeve mund të paraqesë rreziqe sigurie për BE-në dhe shtetet e tij anëtare, të cilat nuk janë në përputhje me parimet dhe kushtet në bazë të përjashtimit të vizave”.

Katër janë rreziqet që renditen në letër: Infiltrimi i krimit të organizuar; Pastrimi i parave; Evazioni fiskal dhe Korrupsioni.

“Rreziqet për BE-në dhe shtetet anëtare janë veçanërisht shqetësuese në kuadër të skemave të shtetësisë nëpërmjet investimeve të zhvilluara nga shtetet kandidate dhe potencialisht kandidate, që në të ardhmen përfituesit nëpërmjet këtyre skemave mund të fitojnë shtetësinë e BE-së”.

“Komisioni paralajmëron se “do të ndërmarrë veprime të forta kundrejt skemave të shtetësisë nëpërmjet investimeve brenda dhe jashtë BE-së, të cilat i konsideron në shkelje me ligjet e BE-së”.

Bashkimi Europian ka një precedent në këtë aspekt. Më 3 mars të këtij viti BE hoqi në mënyrë të pjesshme të drejtën e lëvizjes pa vizë në zonën Schengen të shtetasve të ishullit Vanuatu (ishull në Oqeanin Paqësor në lindje të Australisë dhe në perëndim të Fiji-t). Të gjithë qytetarët e këtij shteti, që kishin pasaportë të lëshuar pas datës 25 maj 2015, që është edhe data kur ka nisur skema e shtetësisë mbi bazë investimin, nuk lejohen të hyjnë pa viza në vendet e BE-së.

Zyra e Delegacionit të BE-së në Tiranë, në përgjigje të interesit të INA MEDIA-s, nëse ka marrë ndonjë përgjigje pas letrës së dorëzuar, konfirmoi se nuk ka marrë asnjë reagim.

Në përgjigje të pyetjes për motivet dhe arsyet që e detyrojnë BE-në të këmbëngulë të hiqet dorë nga kjo skemë, Zyra e Delegacionit të BE-së në Tiranë sqaroi se “Komisioni Europian ka miratuar një raport në vitin 2019, sipas të cilit skema e shtetësisë së investitorëve në vendet e treta me akses pa viza në BE mund të përdoret për të anashkaluar procedurën e rregullt të vizave për qëndrim të shkurtër në BE”.

“Shtetësi nëpërmjet investimit” ose pasaportat e arta

Deri në korrik të vitit 2020 ligji njihte vetëm Presidentin e Republikës si institucionin e vetëm që kishte të drejtë për të dhënë shtetësinë shqiptare për të gjithë shtetasit e huaj. Procedura ishte e gjatë dhe kalonte nëpër filtra të mjaft institucioneve të zbatimit të ligjit.

Burime të sigurta të Presidencës japin edhe statistikat e dhënies së shtetësisë shqiptare në vitet e fundit, sipas tabelës së mëposhtme.

Siç shihet edhe nga të dhënat, vihet re një shtim i numrit të shtetasve të huaj, që janë pajisur me pasaportë shqiptare. Pavarësisht se institucioni i Presidencës nuk ka një ndarje të “origjinës” së shtetasve të huaj, që kanë kërkuar shtetësi shqiptare, jozyrtarisht pohohet se pjesën më të madhe e zënë shtetasit nga Kosova. Mirëpo, më 29 korrik të vitit 2020 Kuvendi i Shqipërisë miratoi Ligjin “Për shtetësinë”. Ky ligj i hoqi institucionit të Presidencës “monopolin” e dhënies së shtetësisë, madje sanksionoi edhe një skemë të re për marrjen e pasaportës shqiptare, duke e blerë atë, sipas skemës “Shtetësi mbi bazë investimin”.

Neni 9 i Ligjit të ri për Shtetësinë mban emërtimin “Rastet e veçanta të fitimit të shtetësisë shqiptare”. Sipas këtij neni, shtetësia shqiptare mund të fitohet nga shtetasi i huaj, që ka mbushur moshën 18 (tetëmbëdhjetë) vjeç, kur nuk përbën kërcënim për rendin publik dhe sigurinë kombëtare të Republikës së Shqipërisë, dhe në rastet kur Republika e Shqipërisë ka interes kombëtar apo interes në fushën e arsimit, shkencës, artit, kulturës, ekonomisë e sportit.

Në pikën dy të këtij neni shkruhet: “Për hartimin e programeve të veçanta, përcaktimin e rregullave specifike të kontrollit të veçantë të sigurisë dhe pastërtisë së figurës në standardet më të larta dhe monitorimin e zbatimit të tyre, krijohet një agjenci e posaçme, shtetërore në varësi të ministrit. Organizimi dhe funksionimi i agjencisë miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave”.

Ndërsa pika 3 përcakton se kriteret për fitimin e shtetësisë, sipas programeve të veçanta, procedurat e aplikimit, rregullat e kryerjes së verifikimeve dhe kontrolleve të nevojshme miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me bashkë-propozim të ministrit dhe ministrave përgjegjës, sipas fushës së tyre të përgjegjësisë.

Për Ervin Salianjin, deputetin e Partisë Demokratike, anëtar i Komisionit parlamentar për Sigurinë Kombëtare, ligji është miratuar qëllimisht gjatë kohës që opozita nuk ka qenë në parlament. Sipas tij, skema e shtetësisë mbi bazë investimin cenon sigurinë kombëtare dhe e kthen Shqipërinë në një vend për pastrimin e parave.

Bazuar në këtë nen, Këshilli i Ministrave, në datën 25 nëntor të vitit 2020, ka miratuar vendimin nr. 1008, “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Agjencisë së Hartimit të Programeve të Veçanta të Shtetësisë”. Agjencia e krijuar është pjesë e Ministrisë së Brendshme. Pavarësisht se agjencia është krijuar që në fund të vitit 2020, praktika për të fituar shtetësinë shqiptare ka vazhduar sipas ligjit të vjetër, edhe për vitin 2021.

“Ende nuk ishte krijuar baza juridike (vendimet e Këshillit të Ministrave, që e bëjnë të zbatueshëm ligjin), për të nisur praktikën e re”, – sqaron një burim i Presidencës së Republikës.

Më shumë se një vit pas krijimit të Agjencisë së Hartimit të Programeve të Veçanta të Shtetësisë, në fillim të vitit 2022, me propozim të ministrit të Brendshëm dhe ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për përcaktimin e kritereve për fitimin e shtetësisë shqiptare për kontribut të veçantë në fushën e arsimit, shkencës dhe sportit, si dhe vendimin nr. 151, datë 11.3.2022 për përcaktimin e kritereve dhe procedurave për fitimin e shtetësisë shqiptare për kontribut të veçantë në fushën e artit e të kulturës.

Bazuar në dy vendimet e miratuara të qeverisë janë dhënë pasaportat e para shqiptare. Më 28 maj ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, publikoi në faqen e tij në Facebook foto nga ceremonia e dhënies së pasaportës Lara Colturi-t, italianes që ka premtuar të garojë me ngjyrat e flamurit shqiptar në sportin e skive.

Burime nga Presidenca e Republikës bëjnë të ditur se presidenti Ilir Meta nuk i ka nënshkruar të gjitha propozimet e mbërritura deri më tani nga Agjencia e Hartimit të Programeve të Veçanta të Shtetësisë, por zyrtarisht Presidenca nuk pranoi të bëjë komente.

I treti në radhë për t`u miratuar është vendimi i Këshillit të Ministrave, që synon të japë shtetësinë nëpërmjet investimeve, pra të shesë pasaportën shqiptare.

Skema për shtetësi mbi bazë investimesh nuk është e re dhe e panjohur. Mjaft shtete të tjera, anëtare të Bashkimit Europian, por edhe fqinjët tanë në rajon, e aplikojnë këtë mënyrë të dhënies së shtetësisë. Është një nga format e lehta për të rritur investimet e huaja, direkte në shtetin që e aplikon. Portali online, best-citizenships, ka renditur 12 shtete që e aplikojnë këtë praktikë bashkë me vitet përkatëse. Në vendet e rajonit, që e aplikojnë këtë skemë, është Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.

Mali i Zi e ka nisur programin e shtetësisë nëpërmjet investimit në fillim të vitit 2019 me një afat 3-vjeçar, duke vendosur si afat për mbylljen e aplikimeve datën 31 dhjetor 2021. Por, për një numër arsyesh (mes të cilave edhe problemet e shkaktuara nga pandemia, COVID-19), programi është shtyrë edhe për një vit dhe pritet të mbyllet më 31 dhjetor 2022.

Ekspertët thonë se krahasuar me Maqedoninë e Veriut, skema e përdorur nga Mali i Zi ka rezultuar me efikase. Sipas ekspertëve, efikasiteti ndër të tjera lidhet edhe me faktin se skema e përdorur nga Mali i Zi duket më transparente, më e thjeshtë dhe jep më shumë siguri. Ndërkohë, skema e Maqedonisë së Veriut duket më komplekse, më e mbyllur dhe e pamarketuar si duhet.

Në Malin e Zi transaksioni minimal i kërkuar në prona të paluajtshme është 250,000 euro për objekte të vendosura në pjesën qendrore ose veriore të vendit, përjashtuar Podgoricën dhe minimumi 450,000 euro për objekte të vendosura në Podgoricë ose në zonën bregdetare.

Sipas burimeve, në dy vitet e para Mali i Zi ka marrë 131 aplikime për shtetësi nëpërmjet investimit. Deri në mars 2021 kishte lëshuar pasaporta për familjet e 37 investitorëve dhe kishte refuzuar 12 aplikime.

Programi i shtetësisë nëpërmjet investimit në Maqedoninë e Veriut nuk përfshin investime në pasuri të paluajtshme, me argumentin se ky sektor nuk ka nevojë për financime të huaja, direkte dhe nuk konsiderohet një sektor, i cili prodhon punësim në periudhë afatgjatë.

Megjithatë, kthimi i shtetësive në tërësi dhe sidomos atyre europiane në një formë “malli të marketueshëm” ka ndezur debate të ashpra dhe procese normative, juridike për ta kontrolluar ose për ta frenuar atë.

Në një investigim të gjatë e të plotë gazeta prestigjioze, The Guardian, shkruante se rusët, kinezët dhe sauditët super të pasur kanë siguruar akses të pakufizuar në BE përmes skemës malteze “të shitjes së pasaportave”.

“Kostot” e pasaportës shqiptare

Ekspertët e fushës thonë se joshja e shtetasve të huaj e të pasur për të marrë shtetësinë shqiptare varet më së shumti nga fuqia që ka pasaporta e shtetit shqiptar, ndërsa fuqia e pasaportës demonstrohet më së shumti nga numri i shteteve, ku mund të shkohet pa vizë ose me një vizë në kufi. Në këtë logjikë renditjeje, mbajtësit e pasaportës shqiptare mund të udhëtojnë në 111 destinacione pa vizë. Vendin e parë sa i përket fuqisë së pasaportës në këtë renditje, vendin e parë e ndajnë bashkë Japonia dhe Singapori, që udhëtojnë pa viza në plot 192 vende, ndërsa i fundit është Afganistani me vetëm 26 destinacione. Një pasaportë amerikane ofron akses pa viza ose viza pas mbërritjes në 172 vende ose territore.

Aktualisht Shqipëria është duke diskutuar praktikën, metodologjinë dhe çmimin që do të vendoset për pasaportën shqiptare, sipas skemës së shtetësisë nëpërmjet investimit. Një ekspert, që kërkon të mos identifikohet, thotë se Shqipëria synon katër lloje individësh, të interesuar për të marrë pasaportën shqiptare, duke investuar. 

Së pari, janë individë të pasur nga vende që nuk lejohen të lëvizin pa viza në zonën Schengen dhe në destinacione të tjera, popullore, për shembull Azia, Europa Lindore, Kosova etj. Së dyti, janë individët e pasur nga vende me situatë të pasigurt, të cilët kërkojnë një vend më të sigurt për familjen dhe lehtësi në udhëtim. Kategoria e tretë, që mund të aplikojë për këtë program shtetësie, janë individë të pasur nga vendet e BE-së, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët kërkojnë një regjim fiskal dhe një nivel më të favorshëm shpenzimesh.

Kategoria e fundit janë individët e pasur me lidhje afektuese ose origjinë familjare me Shqipërinë, për shembull çiftet, ku njëri nga bashkëshortët nuk është shqiptar.

Parashikohet që investimi nga shtetasit e huaj, që duan një pasaportë shqiptare, të jetë në disa forma. Së pari, ata mund të investojnë në pasuri të paluajtshme. Në këtë pikë duhet të investojnë 250.000 deri në 450.000 euro, në varësi të zonës së investimit. Së dyti, mund të hapin aktivitete biznesi ose prodhimi. Në këtë rast duhet një limit investimi nga 300.000 deri në 500.000, por do të ketë edhe kritere të tjera shtesë, si numri i punëtorëve të angazhuar.

Pavarësisht nga forma e zgjedhur parashikohet që në dy vitet e para të aplikimit Shqipëria të mund të përfitojë rreth 100 milionë euro, të cilat janë një “injeksion”, që do të ndikojë direkt në ekonominë e vendit, mirëpo në këtë pikë nisin diskutimet që “rrëzojnë” optimizmin dhe argumentet e qeverisë shqiptare.

Genti Beqiri, ekspert ekonomie, thotë se qeveria duhet të përcaktojë qartë që investimet nuk duhet të jenë blerje asetesh tek investitorët privatë në Shqipëri, por duhet të jenë në investime në sektorët e prodhimit, sepse, nisur nga shuma e investimit që kërkohet (500 mijë euro), të huajt do të synojnë tregun imobiliar në Shqipëri. Pra, njerëz që mund të blejnë ndonjë vilë në bregdet.

Orientimi i skemës së investimit në tregun imobiliar i çon të ardhurat në xhepin e investitorëve strategjikë në bregdet.

“Shteti fiton vetëm atë taksën mbi shitjen e apartamentit ose vilës. Pra, 15 ose 20 për qind”, – thotë Beqiri.

Pra, nga 50 milionë, që mund të jetë portofoli i xhiros, në buxhetin e shtetit do të mbërrijnë vetëm 5 ose 10 milionë euro në vit, në rastin më të mirë. Madje, Beqiri nuk nguron të thotë se kjo skemë mund të jetë e sponsorizuar nga investitorët e tregut imobiliar vendas.

“Ose mund të shfrytëzohet më së miri nga këta investitorë”, – shprehet eksperti i ekonomisë, Beqiri.

Në këtë pikë duket se opinioni i tij konvergon edhe me deputetin e opozitës, Salianji. Sipas tij, shteti shqiptar nuk ka interes që për shifra kaq modeste të rrezikojë raportet e tij me Bashkimin Europian.

“Investimet e huaja nuk kanë asnjë lidhje me shtetësinë. Kompanitë ndërkombëtare dhe kompanitë serioze investojnë kudo në botë, pa qenë nevoja të jenë shtetas shqiptarë. Për investimet e huaja në Shqipëri duhet që të jetë një klimë e favorshme biznesi. Duhet të ketë forcim të sistemit të drejtësisë, një gjyqësor të pavarur; duhet të ketë taksa të ulëta dhe siguri ligjore”, – thotë deputeti Salianji.

Ilir Kulla, ekspert i Sigurisë, duket se është më “miqësor” me projektin e skemës së pasaportës nëpërmjet investimit.

“Dhënia e shtetësisë në këmbim të investimit është një praktikë e njohur në vendet e BE-së. Metodologjia dhe verifikimi i këtyre subjekteve është i rëndësishëm dhe i domosdoshëm. Sigurisht, standardet e BE-së duhet të përdoren edhe nga Shqipëria”, – thotë Kulla. Ai shton se kontrollet mund të jenë të nevojshme, para, gjatë dhe pas dhënies së shtetësisë.

Eksperti i ekonomisë, Beqiri, komenton edhe rekomandimin, sipas të cilit qeveria shqiptare do t’ia besojë një kompanie të huaj me përvojë në këtë fushë procedurën e aplikimit, kontrollit dhe filtrimit të aplikantëve.

“Asnjë organizatë e huaj, private nuk mund të marrë përsipër, nuk ka tagër, nuk ka kapacitet dhe nuk ka motivin ekonomik që të bëjë një skanim të plotë të praktikës për shtetësinë. Kjo duhet të mbetet përgjegjësi e shtetit”, – përfundon Beqiri.

Ilir Kulla thotë se në aspektin e sigurisë, nëse Shqipëria zbaton kriteret europiane dhe databazën e EU-së, rrezikojmë, po aq sa rrezikon çdo vend i EU-së, që e aplikon këtë skemë. Drejtori i Agjencisë për Informim, Endri Fuga, nuk iu përgjigj pyetjes, nëse qeveria shqiptare ka reflektuar, pasi është njohur me këto dy dokumente [letrat e delegacionit të BE], deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, ndërsa punonjësit e kësaj agjencie rekomanduan që pyetja duhej drejtuar në Ministrinë e Brendshme, por as ky institucion nuk komentoi në lidhje me këtë problem.

Indianët, a mund të përsëritet historia

Më shumë se tre vite më parë, institucionet shqiptare u përfshinë në një skandal, pasi Presidenti i Republikës pajisi me pasaportë shqiptare dy vëllezërit indianë, Nitin Jayantilal Sandesara dhe Chetankumar Jayantilal Sandesara. Vëllezërit ishin të shpallur në kërkim ndërkombëtar për evazion fiskal, ndërkohë që në Shqipëri kishin ardhur me statusin e investitorit. Madje, njëri prej tyre, Nitin Sandesara, paralelisht me procedurën e pajisjes me pasaportë shqiptare kishte marrë edhe statusin e Konsullit të Nderit të Shqipërisë në Nigeri nga Ministria e Jashtme shqiptare.

Por, në një deklaratë për shtyp zëdhënësi i presidentit ia kaloi përgjegjësinë ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, duke thënë “Janë zbatuar procedurat ligjore bazuar në pikën 7 të nenit 9 të Ligjit nr. 8389, datë 05.08.1998 “Për shtetësinë shqiptare”, të ndryshuar, me propozimin e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, “për shkak të eksperiencës në investime dhe historikut të sipërmarrjeve të suksesshme jashtë Republikës së Shqipërisë dhe për shkak të angazhimit të tyre për realizimin e investimeve të rëndësishme, elitare në vendin tonë”.

Presidenti deklaroi se kishte bërë verifikimet përkatëse nga agjencia ligjzbatuese, nga e cila nuk kishin rezultuar të dhëna problematike për dhënien e shtetësisë shqiptare. Prokuroria e Tiranës nisi një hetim në lidhje me procedurën se si arritën të merrnin pasaportë shqiptare vëllezërit indianë, të shpallur në kërkim ndërkombëtar, por hetimet janë pushuar./ina.media

bashkimi europian

Sondazh

Poll

VIDEO-VIRALE/ Po fliste në Rrugën e Salës, demokrati 'kapet mat' nga gruaja

VIDEO-VIRALE/ Po fliste në Rrugën e Salës, demokrati 'kapet mat' nga gruaja

"Injoranca nuk është argument" Nuk i pëlqeu pyetja, Rama prek në faqe gazetaren Ambrozia Meta

Del VIDEOJA, Elia godet Princ Lekën: Familja ime të ka mbajtur me bukë

VIDEO/ Noka i jep Spiropalit pankartën, Ministrja ofrohet ta mbaj para fytyrës

Publikohen pamjet nga brenda bazës ajrore të Kuçovës, Komandanti: E gatshme për stërvitjen e trupave

Tempulli 2/ Me kanabis gati për shitje dhe shuma parash, arrestohen 4 të rinj në Tiranë

Dalin pamjet nga kasollja ku u vra 50-vjeçari në Durrës

Kontrabandonin ilaçe dhe telefona, arrestohen dy persona në Tiranë, sekuestrohen 47 iPhone

I vunë flakën eskavatorit me vlerë 150 mijë euro, arrestohen 2 autorët e ngjarjes

Reshjet e shiut dhe borës në vend, policia: Moderoni shpejtësinë e mos kryeni parakalime të gabuara

Kampioni Alvin Karaqi mes lotësh: Për besë u ndjeva si Gjergj Kastrioti kur mora flamurin

'Dokumentar horror'/ Berisha publikon pamjet: Do ju paraqes terrorin që Bajrajt ushtruan më 14 maj

Krimi në Bulqizë/ Fqinji: Po hante bukë në banesë kur erdhën dy makina!

Dosja "Gjici"/ Zv.kryetari i bashkisë së Kukësit shkon në SPAK

Newsroom 11 |XAMA: LAJMI I FUNDIT FAKE QË PASHË, ISHTE PËR MUA

Newsroom 11 |XAMA: KËSHILLË QYTETARËVE- MOS LEXONI VETËM NJË BURIM

Newsroom 11 | XAMA: GAZETARËT NUK SHKRUAJNË ME EMËR, KJO S'ËSHTË ETIKE

Xama në Newsroom: Lajmet e rreme përhapin panik! Më akuzuan se kisha marrë para për një shkrim

Muka në Newsroom: Në Shqipëri ka portale gjobaxhie, u bëjnë shantazh njerëzve

Xama në Newsroom: Fake News shpërndahet më shumë në Facebook e Tik Tok! Gazetarët të shkruajnë emrin

Newsroom 11 |Kush prodhon lajme të rreme në Shqipëri

Newsroom 10 |SENJA: NE S'REAGOJMË NDAJ GJUHËS SË URREJTJES

Newsroom 10 |HAZIZAJ: 'ÇOHU ENVER', PJESË E GJUHËS SË URREJTJES

Newsroom 10 | HAZIZAJ KEMI MARRËVESHJE PËR TË MBROJTUR 'VIKTIMAT'

Newsroom 10 |HAZIZAJ: GJUHA E URREJTJES KA SHKAKTUAR DHE KRIME

Newsroom 10 |GAZETARI: GJUHA E URREJTJES, PJESË E SHOQËRISË

Newsroom 10 |HAZIZAJ: GJUHA E URREJTJES, E FRIKSHME NË SHQIPËRI

Vidhnin në banesa duke përdorur çelësa të klonuar, vihet në pranga 1 person,nje tjeter në kërkim

Newsroom 10 |GJUHA E URREJTJES PËRDORET NGA POLITIKA, AMA TË KONTROLLOJË GJUHËN E URREJTJES

Newsroom 10 | HAZIZAJ: STEREOTIPET NXISIN GJUHËN E URREJTJES

Newsroom 10 | HAZIZAJ: GJUHA E URREJTJES LUFTOHET ME EDUKIM

Newsroom 10 | Gjuha e urrejtjes në media, si dhe kush e shpërndan?

Ndryshimet në PS/ Gjiknuri: S'është fundi, por fillimi i diçkaje të re.

Inceneratorët/ S’kam dhënë asnjë kontratë pa garë, ato janë publike!

Ndihet 'i shitur' nga Rama? Gjiknuri: Nuk ndjej braktisje, kam komunikim me të prej 20 vitesh

Klosi: Kemi primare reformimin e partisë, PS synon mandatin e katërt

U shkarkua si Sekretar i Përgjithshëm, Gjiknuri: PS edhe kur fiton, refekton!

Digjet shtëpia në Shkodër, në banesë ndodhej një i moshuar, përfundon në spital

Vazhdon përplasja në PD! Basha kërkon mbledhjen e Komisionit të Etikës për të, Bardhi: Shenjë humbje

Vrasja e Jetmirës/ Autori u dënua me 28 vite burg, nëna e viktimës: Duhet dënim përjetë!

Newsroom 9 | Kallanxhi: Threads? S`besoj se do zgjasë shumë

Newsroom 9 | Eksperti i IT: Mos merrni për bazë asgjë thuhet në rrjet

Newsroom 9 | Gazetarja: po ndodhin vrasje nga tik tok

Newsroom 9 | Eksperti i IT: Fake News dallohet vetëm po të jemi kritikë

Newsroom 9 | Kallanxhi: Shqiptarët besojnë gjithçka shohin në rrjet

Newsroom 9 | Eksperti i IT, Tomi Kallanxhi: Tik Tok ka "fake news" sepse s'ka censurë

Newsroom 9 | Gazetarja: Shqipëria do kohë të përshtatet me Tik Tok

Newsroom 9| Eksperti i IT: Çdo rrjet është i përkohshëm, duhet të kujdesemi për vlerat

A mund të mbyllet TikTok për Shqipërinë? Flet për Newsroom eksperi i IT

Fëmija mbyllet brenda në shtëpi, nëna e alarmuar njofton zjarrfikësit, NDËRHYRJA nga ballkoni