LIVE UPDATES
Aktualitet

Fasadat moderne si kurthe zjarri

Inxhinieri Nikolin Risilia, i cili është specializuar për sistemet kundër zjarrit shpjegoi se, politikat për eficiencën e energjisë po nxisin teknologji të reja në ndërtim dhe sidomos në fasada. Suvaja e dikurshme ose sistemi kapot po avancon drejt fasadave e ventiluara.

18 Prill 2026, 07:28 Nga E. D

Fasadat moderne si kurthe zjarri

TIRANË- Ngjarjet e fundit në Tiranë kanë ngritur pikëpyetje të mëdha mbi sigurinë e teknologjisë së fasadave të ventiluara, të cilat, ndonëse eficiente për energjinë, po shndërrohen në kanale për përhapjen e rrufeshme të zjarrit. Ekspertët sqarojnë se përdorimi i materialeve të djegshme me bërthamë plastike dhe mungesa e barrierave horizontale po krijojnë të ashtuquajturin “efekt oxhak”.

Ky fenomen vë në rrezik jetën e banorëve në ndërtesat shumëkatëshe, ku kompromisi me koston e materialeve bëhet fatal brenda pak minutash. Sipas ekspertëve, kjo ndodh se Shqipëria po përballet me një vakum shqetësues ligjor në lidhje me mbrojtjen nga zjarri, duke mos pasur ende të miratuara Eurokodet që do të rregullonin të gjithë zinxhirin e ndërtimit dhe përgjegjësitë në rast fatkeqësish

Ngjarja e fundit në Tiranë, ku një pallat shumëkatësh u përfshi nga një zjarr i rrufeshëm që u përhap shumë shpejt përmes fasadës, ka rikthyer në qendër të vëmendjes sigurinë e teknologjive moderne të ndërtimit.

Ndonëse fasadat e ventiluara tani janë zgjedhja e preferuar e arkitektëve për shkak të efikasitetit termik dhe estetikës, ato mbartin një rrezik të madh që mund të shndërrohet në katastrofë nëse nuk respektohen standardet teknike kundër zjarrit.

Inxhinieri Nikolin Risilia, i cili është specializuar për sistemet kundër zjarrit shpjegoi se, politikat për eficiencën e energjisë po nxisin teknologji të reja në ndërtim dhe sidomos në fasada. Suvaja e dikurshme ose sistemi kapot po avancon drejt fasadave e ventiluara.

Kjo lloj teknologjie, shpjegojnë inxhinierët, funksionon si një lëkurë e dytë e ndërtesës, ku mbi strukturën mbështetëse prej alumini ose çeliku montohen panelet dekorative.

Ky lloj sistemi krijon një hapësirë ajrore midis murit dhe panelit, e cila lejon qarkullimin natyral të ajrit. Kjo zgavër shërben për të larguar lagështinë dhe për të mbrojtur strukturën nga agjentët atmosferikë, duke ulur ndjeshëm nevojën për energji gjatë dimrit dhe verës.

Megjithatë, pikërisht ky element që garanton komoditetin termik, shndërrohet në një përbindësh në rast zjarri. Nëse nuk përdoren materialet e duhura dhe projekti nuk merr për bazë masat kundër zjarrit, fasada e ventiluar shndërrohet në një kanal përhapjeje vertikale, duke krijuar atë që ekspertët e quajnë efekti oxhak. Djegia e pallatit te njësia nr. 10 ishte tipik ky rast.

Sfida më e madhe për sigurinë e këtyre objekteve lidhet me klasifikimin e materialeve sipas standardeve europiane, të njohura si Euroklasat. Për të garantuar mbrojtjen e jetës së banorëve, është jetike që veshja e jashtme të bëhet me materiale të klasës A1 ose A2, siç janë qeramika, guri natyral apo panelet fibro-çimento, të cilat konsiderohen plotësisht të padjegshme.

Por në Shqipëri, standardet nuk janë të rregulluara, thotë z. Risilia, pasi vendit i mungojnë Eurokodet për mbrojtjen nga zjarri. Sipas tij, këto kode garantojnë të gjithë zinxhirin ligjor për masat antizjarr që nga projekti, ndërtimi, materialet, kontrollet dhe përgjegjësitë. Për shkak të kësaj mungese, edhe në rastin kur ndodh dëmi, nuk nxirren mësime dhe nuk dalin përgjegjësit.

Ndërtuesi p.sh. nuk mund të fajësohet pasi materiali i fasadës që është djegshëm nuk ka kufizime në import dhe nuk ka ligje dhe rregull që trajtojnë masat dhe përgjegjësitë. Në mungesë të tyre, polica arreston dhe ndjek njerëzit që nuk janë shkaktarët realë të ngjarjes.

Mirëpo për arsye se, Tirana prej vitesh është në një fazë të vrullshme ndërtimesh dhe nga ana tjetër, ndërtuesit po përdorin gjithnjë e më shumë materiale të djegshme, eurokodet ligjet dhe rregullat janë urgjencë.

Pse marrin flakë fasadat moderne dhe si mund të parandalohen

Objektivat që Bashkimi Europian ka vendosur për vitin 2030 janë për 40% më pak emetime karboni dhe ulje deri në 30% të konsumit të energjisë në ndërtesa. Kjo politikë ka nxitur garën drejt ndërtesave të “gjelbra”. Mirëpo sa më shumë izolim të shtohet për të mbajtur nxehtësinë brenda, aq më shumë lëndë djegëse po grumbullohet rreth banesave, shpjegojnë inxhinierët.

Sektori i ndërtimit është identifikuar si potenciali më i madh për kursim, duke u dhënë jetë direktivave, të cilat diktojnë performancën energjetike të çdo objekti të ri. Kjo ka çuar në përdorimin masiv të materialeve izoluese. Nga njëra anë kemi produktet e padjegshme, si leshi i gurit apo i qelqit (klasat A1/A2), të cilat mbeten zgjedhja parësore për sigurinë, por kanë kosto më të lartë.

Nga ana tjetër, tregu ynë dominohet nga materiale me përbërje plastike, të cilat ndonëse eficiente, shkrihen dhe pikojnë gjatë një zjarri, duke e përshkallëzuar situatën, si në rastin e fundit në Tiranë dhe rastet me parë.

Inxhinierët shpjegojnë se fasadat moderne me ventilim në vendin tonë janë të rrezikshme për zjarrin kur bëhen kompromise me koston, p.sh. duke përdorur panele kompozite alumini me bërthamë plastike (polietilen). Këto panele, të klasifikuara si të djegshme, shërbejnë si karburant për flakët, veçanërisht në ndërtesat e larta.

Për t’u mbrojtur duhet bërë zgjedhja e materialit izolues, i cili në kohët e sotme është një vendim që përcakton fatin e një ndërtese në pak minuta kritike.

Përdorimi i leshit të gurit është i panegociueshëm në këtë sistem, pasi ky material ka një pikë shkrirjeje mbi 1000°C dhe shërben si një barrierë e vërtetë ndaj zjarrit.

Megjithatë, mbrojtja finale kundër “efektit oxhak” që pamë në Tiranë qëndron te barrierat horizontale kundër zjarrit, ose të njohura si “Fire Breakers”, pohojnë ekspertët. Këto janë profile metalike apo materiale inteligjente që vendosen brenda zgavrës së ventilimit në çdo kat. Në kushte normale, ato lejojnë ajrin të qarkullojë lirisht, por në momentin që detektojnë nxehtësinë e zjarrit, ato fryhen apo mbyllen mekanikisht, duke e ndërprerë rrugën e flakëve drejt kateve të sipërme.

Tragjedia e Tiranës është një shembull se edhe një fasadë e ventiluar mund të jetë po aq e sigurt, madje edhe më rezistente se një fasadë tradicionale, vetëm nëse do të trajtohej si një sistem i plotë inxhinierik. Problemi më i madh në vendin tonë është shmangia e rregullave teknike për përfitime afatshkurtra.

Përdorimi i materialeve jo të djegshme dhe instalimi i barrierave horizontale janë detyruese në rastin e objekteve shumëkatëshe. Inxhinieri Risilia thotë se i gjithë ky proces nuk duhet të lihet në ndërgjegjen e ndërtuesve, por duhen miratuar kodet dhe rregullat që i detyrojnë ata të respektojnë standardet dhe i bëjnë përgjegjës në rastet kur nuk i respektojnë.

Pse po shtohen zjarret në banesa

Kur temperaturat e ulëta kulmuan në këtë dimër, një seri zjarresh në pak ditë përfshinë disa banesa në Tiranë, ku për fat nuk pati viktima. Më i rëndi ishte pak ditë më parë në pallatin e ri në zonën e farmacisë 10. Shoqata e Inxhinierëve të Mbrojtjes nga Zjarri (SFPE) pohoi se rreziku nga zjarret në vendin tonë do të rritet edhe më tej në të ardhmen, pasi kushtet pro fenomenit po rriten.

Tirana është përfshirë në një urbanizim të shpejtë, i cili nuk po merr parasysh standardet me të cilat ndërtohet sot, të tilla si hapësirat, materialet antizjarr etj.

Ndërtimi i kullave me shumë kate rrit edhe më tej rrezikun nga zjarret. Instalimi i sistemeve antizjarr rrit kostot e ndërtimit të një objekti me 5-10%, tha z. Risilia.

Por jo të gjithë investitorët në sektorin e ndërtimit janë gati të paguajnë. Prandaj bota e zhvilluar si SHBA dhe BE aplikojnë Kode ndërtimi shumë novatore që përcaktojnë masat e ndërtimit antizjarr.

Përveç volumeve të ndërtimit, tani gjithnjë e më shumë investitorët përdorin materiale që nxisin zjarrin, p.sh. fasadat me izolim që shpesh përhapin zjarrin.

Tani dritaret janë plastike, që digjen më shpejt se metali (duralumini) dhe përgjithësisht materialet e tarracave dhe dyert që përdoren në procesin e ndërtimit e favorizojnë zjarrin. Në anën tjetër, pajisjet elektrike në banesat kolektive janë shtuar.

Gjithnjë e më shumë familjet dhe bizneset përdorin mjete dhe pajisje që shkaktojnë zjarr. Ka pasur raste kur një karikues telefoni i lënë në prizë ka shkrumbuar një banesë.

Bombolat e gazit, sobat dhe frigoriferët në restorantet që janë zona banimi janë rreziqe potenciale.

Bardhyl Gjana, i cili drejton sektorin e zjarrfikëseve në Kamzë, tha se në 90% të rasteve, zjarri po shkaktohet nga disa bombola kampingu me gaz që qytetarët i përdorin gabimisht për gatim në shtëpi.

Edhe në Tiranë është e njëjta situatë. Në treg janë disa bombola që përdoren për gatime të shpejta në kamping, zakonisht për çaj ose për të ngrohur diçka shpejt. Kjo lloj bombole e ka grykën e zjarrit shumë afër depozitës dhe qytetarët shpesh e përdorin në shtëpi për gatime të gjata.

Zjarrfikësit e konsiderojnë bombolën e kampingut një eksploziv të vërtetë dhe bëjnë thirrje që të ndalohet importi i saj.

Sfidat dhe urgjenca për reformë në sigurinë nga zjarri

Në kuadrin aktual ligjor të mbrojtjes nga zjarri në Shqipëri, vërehet mungesë e theksuar e një kodi kombëtar të unifikuar që do të rregullonte në mënyrë të integruar të gjithë ciklin e jetës së një ndërtese, që nga projektimi dhe ndërtimi, deri te përdorimi dhe mirëmbajtja e saj në raport me sigurinë dhe shpëtimin nga zjarri.

Normat bazë që rregullojnë sot këtë sektor, të konkretizuara në vitin 2015 përmes VKM-së nr. 626 dhe Udhëzimit të ministrit të Punëve të Brendshme nr. 424, përfaqësojnë përpjekje për të përshtatur modele të huaja, specifikisht ato britanike dhe italiane.

Ky “huazim” nga standardet BS 9999 dhe DM 16 Maggio 1987 ka sjellë një sfidë të madhe konceptuale, pasi këto dy dokumente mbartin filozofi rrënjësisht të ndryshme mbi sigurinë. Ekspertët nga SFPE Albania, një degë e Shoqatës Ndërkombëtare e Inxhinierëve të Mbrojtjes nga Zjarri (SFPE), shprehën se teksa modeli britanik nxit përdorimin e sistemeve aktive si sprinklerët dhe ventilimi i tymit për të reduktuar nevojën për masa pasive, rregullorja italiane fokusohet fort te rezistenca e strukturave dhe distancat e sigurisë, duke mos i bërë sistemet aktive gjithmonë të detyrueshme për banesat.

Ky dualitet qasjesh dhe këndvështrimesh të ndryshme, mbi të cilat mbështeten rregullat tona aktuale, përforcon domosdoshmërinë për hartimin e një Kodi Unik Kombëtar të Zjarrit që i përshtatet realitetit dhe nevojave tona specifike, thekson shoqata.

Sipas tyre, një dokument i tillë duhet të shërbejë si një kornizë ligjore dhe teknike e detajuar, duke përcaktuar me saktësi procedurat për mbrojtjen e jetës, pronës dhe mjedisit. Duke u bazuar në praktikat më të konsoliduara ndërkombëtare, ky kod i ri do të duhej të ndërthurte kërkesat e qarta ligjore me standarde të larta inxhinierike dhe mekanizma të fuqishëm kontrolli.

Vetëm përmes një dokumenti të tillë të integruar, Shqipëria mund të sigurojë një nivel të lartë sigurie dhe përputhshmëri të plotë me praktikat më të mira globale, duke lënë pas fragmentimin e tanishëm dhe duke garantuar një mjedis ndërtimi më të sigurt për të gjithë.

Tre vitet e fundit, zjarret në banesa po shtohen dhe veçanërisht në Tiranë. Rritja e fluksit të ndërtimeve dhe moszbatimi i një kodi për mbrojtjen nga zjarri do t’i bëjë edhe më shumë agresive zjarret në të ardhmen.

Teksa volumi i ndërtimeve po rritet me ndërtesa shumëkatëshe, me çmime si në metropolet e Europës, në anën tjetër, shteti shqiptar nuk ka ende një kuadër ligjor bashkëkohor dhe nuk ka as burimet njerëzore të trajnuara për të inspektuar, për të monitoruar dhe për të shmangur dëmet

Modeli italian, lidh incidentet me përgjegjësi penale

Italia ka revolucionarizuar qasjen e saj përmes Kodit të Parandalimit të Zjarrit, i cili zhvendos fokusin nga rregullat strikte “shabllon” drejt lirisë inxhinierike të bazuar në performancë. Ky model dallohet për një ndërthurje unike mes zgjidhjeve inovative teknike dhe një kornize ligjore jashtëzakonisht të rreptë.

Shtylla kryesore e këtij sistemi është “autocertifikimi”, ku pronari i një objekti mban përgjegjësi të plotë ligjore për funksionalitetin e sistemeve mbrojtëse çdo vit. Ajo që e bën këtë model efikas është lidhja organike me Kodin Penal.

Çdo neglizhencë apo deklarim i pasaktë konsiderohet vepër penale, duke krijuar një presion të vazhdueshëm për mirëmbajtje reale dhe jo thjesht formale. Trupa e zjarrfikësve luan rolin e autoritetit suprem që kontrollon jo vetëm mjetet, por edhe projektet teknike, duke garantuar një standard të lartë sigurie kombëtare.

Modeli Gjerman, standarde teknike të larta

Sistemi gjerman përfaqëson kulmin e saktësisë teknike, ku çdo detaj ndërtimor rregullohet nga ligjet e landeve dhe standardet e famshme DIN. Filozofia gjermane bazohet në parimin se shteti nuk mundet dhe nuk duhet të kontrollojë çdo gjë vetë, prandaj ka integruar figurën e inspektorit të pavarur të licencuar. Këta ekspertë privatë veprojnë si garantë të interesit publik, duke audituar me rigorozitet çdo fazë të projektit dhe zbatimit.

Në Gjermani, siguria nga zjarri nuk shihet si një kosto shtesë, por si një komponent integriteti i ndërtesës, ku materialet e certifikuara dhe rezistenca strukturore llogariten me saktësi matematikore përmes Eurokodeve. Ky model eliminon subjektivitetin dhe mundësitë për abuzime përmes një zinxhiri të qartë certifikimesh, që nga prodhuesi i materialit izolues e deri te certifikata finale e përdorimit.

Modeli Britanik, monitorim i vazhdueshëm

Mbretëria e Bashkuar operon me një sistem që është ndër më proaktivët në botë, i njohur si “Fire Safety Order”. Ndryshe nga modelet që fokusohen vetëm te momenti i ndërtimit, modeli britanik e konsideron sigurinë një proces të gjallë që zgjat gjatë gjithë jetës së objektit.

Pesha kryesore bie mbi personin përgjegjës, pronarin ose menaxherin, i cili ka detyrimin ligjor të kryejë dhe dokumentojë vlerësime të vazhdueshme të rrezikut. Ky model nxit përdorimin masiv të sistemeve aktive, si sprinklerët dhe detektorët inteligjentë, për të kompensuar rreziqet strukturore.

Autoriteti i Zjarrfikësve ka kompetenca të gjera për të kryer inspektime të befasishme, dhe nëse konstatohet se siguria e jetës është në rrezik, ata kanë fuqinë ta mbyllin objektin menjëherë, duke e bërë sigurinë një faktor kritik për mbijetesën e çdo biznesi.

Modeli i SHBA-së, standardet dhe sigurimet si leva të fuqishme

Në Shtetet e Bashkuara, siguria nga zjarri drejtohet nga një aleancë e fuqishme mes standardeve teknike të NFPA-së dhe industrisë së sigurimeve. Ky model është ndoshta më efikasi, pasi përdor levën ekonomike për të garantuar zbatimin e rregullave.

Nëse një ndërtesë ose një pajisje nuk mban vulën e certifikimit nga laboratorë të pavarur si UL ose FM, ajo bëhet praktikisht e pasigurueshme.

Në një treg ku asnjë bankë nuk financon dhe asnjë investitor nuk blen një objekt të pasiguruar, përputhshmëria me kodet kundër zjarrit bëhet e vlefshme detyrimisht. Ky sistem krijon një gjuhë të përbashkët teknike që përdoret në nivel global, duke siguruar që nga ndërtesat e larta e deri tek impiantet industriale, mbrojtja e jetës dhe e pronës të jetë e garantuar përmes inspektimit të rreptë nga palë të treta dhe presionit të vazhdueshëm të tregut të sigurimeve./MONITOR

zjarri prane qsut

Sondazh

Poll

Nesër protestë para Kuvendit! Paralajmëron protestuesi: Më 23 tubimi i madh

Nesër protestë para Kuvendit! Paralajmëron protestuesi: Më 23 tubimi i madh

Protestuesi: Nuk ndalojmë deri në largimin e atij që është strukur në Kryeministri

Nis marshimi drejt Kryeministrisë, protestuesit bëjnë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit

Dita e 50-të e protestës/ Nis grumbullimi në sheshin "Skëndërbej"

Kryeministri Rama kryen nderimet në homazhet për gazetarin Enrik Mehmeti

Emigrantët bllokohen në pikën kufitare mes Kroacisë dhe Serbisë, kërkojnë informacion

Pesë turistë gjermanë mbetën të bllokuar në Karaburun, ekipet e shpëtimit bënë të mundur gjetjen

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Fëmijët e birësuar të Brad Pitt nisin procedurat për të mos mbajtur mbiemrin e të atit

Ish-drejtoresha e filialit të Postës së Durrësit u la në burg/ Avokati: Vendim absurd

Kuvendi Kombëtar i Protestës/ Folëses i merret mikrofoni nga dora: Edi Rama të japë dorëheqjen

Tentoi te merrte pjesë në Kuvendin Kombëtar të protestës/Selami Jenisherin nxirret jashtë

Berisha: Do bëjmë gjithçka për të paraqitur realitetin shqiptar pranë Komisionit Evropian

Falja e pronave publike në Dhërmi e Palasë/ Berisha: PD nuk do i njohë kurrë këto vendime të Ramës

Berisha: Rama nuk e dënon ministren monstër të Beogradit sepse është vasal i Vuçiçit

Berisha: Ftoj çdo demokrat që të marrë pjesë në protestë dhe të bëjë gjithçka për suksesin e saj

Berisha: Ky është procesi më i thellë i ripërtëritjes së PD që nga themelimi i saj!

“Neomalsorja” i bashkohet protestës së 49-të para Kryeministrisë: Rezistenca e qytetarëve nuk ndalet

Regjisori krijues i Star Wars mbështet Inteligjencën Artificiale

Rama: Deri në 1 mld euro mbështetje për bizneset, kredi deri në 2 milionë euro me interesa të ulëta

Rama i kthehet biznesmenit: Në Shqipëri ka para të pista, por s'mund t'i veshim këtë kostum vendit

Rama i përgjigjet komentuesve: Ka qeveri që bëjnë punë të mira, ka që bëjnë të këqija

Dyfisho sipërmarrjen tënde/ Rama: Cikël takimesh me bizneset e interesuara

Moment paniku në Theth! Guri bie mbi makinë, turistët shpëtojnë pa lëndime

Përfaqësuesi i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve:Dua të përcjell mbështetjen e profesoratit

Plagosja me thikë te Poliklinika e Shkodrës, dalin pamjet e rënda!

Si po ecën marrëdhënia mes Ariana Grande dhe ish të dashurit të saj pas ndarjes me Ethan Slater?

Nuk më pëlqen ta ekspozoj jetën time, Benny Blanco rrëfen si po mësohet me jetën e Selena Gomez

Edi Rama përmend vrasjen e Martin Canit: E kujtoj çdo ditë, ata që e përdorën për politikë e harruan

Rama: Kemi hyrë në zemër të problemit, djegia e makinës pas krimit nuk mund të ndodh më

Kush është modelja që u bë virale për ngjashmërinë me futbollistin Erling Haaland?

Kujtimet tona do të jetojnë gjithmonë, mesazhi i Donatella Versace për të vëllain Gianni Versace

Berisha: Dënoj heshtjen prej vasali të qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së ministres së Vuçiçit

Berisha: Drejtimi i PD është ripërtërirë me personalitete ndër më të shquarit në fushat e tyre

Berisha uron drejtuesit e rinj të PD: Vota e lirë në themel të kësaj force politike

Çfarë detajesh tërhoqën vëmëndjen në festimet e ditëlindjes së Jennifer Lopez në Paris?

Salla: Fermeri do ta shohë prodhimin edhe si aset për financim

Përplasje e ashpër në Kuvend/ Bido: Populizëm që dëmton Kosovën

Tentoi të transportonte pistoleta! Kapet në tunelin e Skërficës, 31-vjeçari

Ndryshimet në "Ligjin për Turizmin", Balla: Pezullohen punimet në bregdet gjatë sezonit turistik

Balla mbron Ramën nga Redi Muçi: Lani gojën kur t'i përmendni emrin

Deklarata diskriminuese e ministres serbe/ Muçi akuzon Ramën për heshtje: Çfarë pret kryeministri?

Spiropali dërgon në Asamblenë e PS mocionin për hapjen e partisë

Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, ‘blindohet’ me autobotë uji dhe forca të shumta policore

Ilirjana Kuçana akuzon lidershipin për shkelje të Statutit dhe "Mulizim" të partisë

Protestuesja: Shqipëria nuk e përmban dot një koncert si të Kanye West, vendi ynë ka marrë fund

Thirrjet për Ramën, protestuesi: Traumë për fëmijët të thonë Rama jep dorëheqjen

Dita 46-të e protestës/ Protestuesi: Sali Berisha dhe Edi Rama të thyejnë qafën

Protesta qytetare bën bashkë shqipëtarë nga çdo krahinë, valëviten flamujt nga diaspora

Protesta e 46-të/ Mbyllen fjalimet para Kryeministrisë, nis marshimi rrugëve të Tiranës