LIVE UPDATES
Aktualitet

Të krishterët orthodhoksë fillojnë nesër kreshmën! Kryepiskopi Joan: Udhëtim drejt Zotit, lumturia dhe qëllimi i jetës janë të lidhura me njëra- tjetrën

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Kryepiskopi i Kishës Orthodokse në Shqipëri ka ndarë një mesazh për besimtarët e krishterë.

22 Shkurt 2026, 16:45 Nga D.S
Të krishterët orthodhoksë fillojnë nesër kreshmën!
Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Joani

TIRANË-  Të krishterët orthodhoksë fillojnë nesër Kreshmën e Madhe të Pashkës. Nëpërmjet një postimi në Facebook, Kryepiskopi i Kishës Orthodokse në Shqipëri ka ndarë një mesazh për besimtarët e krishterë.

Fortlumturia e Tij shprehet se, kreshma është një udhëtim nga gjendja fizike në të cilën ndodhemi në një gjendje tjetër të thellë shpirtërore. Më tej Kryepiskopi shkruan se, tani është orari që mund të udhëtojmë dhe gjithsekush që pendohet përfitimi është për të.

Fjala e plotë:

"KRESHMA – UDHËTIM DREJT ZOTIT. Fortlumturia e Tij, Joani
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë

Themi vazhdimisht që kreshma është një udhëtim. Jo vetëm kreshma, por vetë jeta jonë është një udhëtim. Të gjithë ne që kemi filluar kreshmën, kemi filluar një udhëtim. Filloi periudha që ndryshon ngjyrat. Zoti na tregon shpesh nëpërmjet Ungjillit për gjendjen në të cilën ndodhemi. Jo vetëm Zoti, por edhe shumë filozofë e psikologë thonë që njerëzit kanë humbur “veten” e tyre, dhe kush humbet veten, ka humbur gjithçka. Gjithçka tjetër që përpiqet të fitojë njeriu, nuk mund ta përmbushë dot atë që mund t’i japë “vetja”. Një nga arsyet që njeriu mendon se e ka humbur “veten” është kur nuk e kupton dot që e ka humbur “veten”. Keni dëgjuar të thuhet tek paravolia e “Djalit plangprishës” për djalin që u kthye që “erdhi në vete” (Lk.15:17). Kjo do të thotë se ai filloi të kuptojë situatën në të cilën ndodhej. Askush nuk mund të fillojë dot udhëtimin e kreshmës, nëse nuk do të vijë në vete. Ne sot e kemi humbur qëllimin e jetës. Dëshira për kënaqësi, etja për pushtet dhe të tjera gjëra të kota si këto nuk mund ta ndihmojnë njeriun jo vetëm që t’i japë kuptimin jetës, por as nuk do ta bëjnë dot të lumtur. Lumturia dhe qëllimi i jetës janë të lidhura me njëra - tjetrën.
Askush nuk mund të arrijë dot lumturinë, nëse nuk do të ketë një qëllim në jetë. Njerëzit në ditën e sotme nuk kanë asnjë arsye për të jetuar dhe asnjë arsye për qëllimin e jetës. Kjo ndodh edhe te njerëzit e kishës të cilët mendojnë se besojnë, vijnë vazhdimisht në kishë, por kanë humbur arsyen për të jetuar dhe arsyen për të vdekur. Vetë fakti që shpeshherë brenda kishës kemi mërira, grindje, thashetheme, dhe plot kotësira, tregon që këta njerëz janë të ngeshëm, tregon që këta njerëz nuk po udhëtojnë. Sepse ai njeri që udhëton, nuk merret me gjërat që ndodhin në stacion. Ai e ka mendjen vetëm tek udhëtimi. Vet fakti që merremi me shumë gjëra që janë rrotull nesh do të thotë që ka humbur sensi i udhëtimit. Gjatë gjithë historisë së tij njeriu është përpjekur për pasuri. Ai ka grumbulluar pasuri të madhe, e megjithatë nuk është bërë i lumtur. Kishtari në librin e tij thotë që dhe dituria është “kotësi e kotësive” . Sado të grumbullosh pasuri ajo nuk mund të të shërbejë, ajo nuk mund të të sjellë lumturi. Ju e dini sa shumë i pasur ishte Solomoni, dhe megjithatë ai nuk ishte i lumtur, sepse ai vetë thotë “kotësi e kotësive” (Pred.1:2).
Me të vërtetë askush nuk mund të arrijë dot lumturinë, nëse shpirti i tij nuk prehet te Zoti. Njeriu është krijuar sipas ikonës së Trinisë, që do të thotë se shpirti ynë do të jetë gjithmonë i shqetësuar, nëse nuk prehet te Zoti. Shën Agustini thotë: “Zot më ke krijuar sipas ikonës Tënde, dhe asnjëherë nuk do të gjejmë prehje derisa të pushojmë tek Ti”. Pushimi te Zoti nuk mund të kuptohet dot pa udhëtimin drejt Atij. Kjo është arsyeja pse e kemi quajtur kreshmën një lloj udhëtimi. Udhëtim nga kjo gjendje fizike në të cilën ndodhemi në një gjendje tjetër të thellë shpirtërore. Ky udhëtim kërkon sakrifica, kërkon mundim. Ashtu si dhe në Shkrimin e Shenjtë mësojmë se Izraeli u kthye në tokën e premtuar, duke kaluar nëpërmjet shkretëtirës, gjë që simbolizon çlirimin dhe gjendjen shpirtërore të njeriut. Të fitosh përsëri atë që ke humbur nuk është aq e lehtë, prandaj udhëtimi është i mbushur me vështirësi dhe sakrifica, për të cilat kërkohet një lloj privimi. Arsyetimi foshnjërak njerëzor dhe vlerësimi në mënyrë të papërgjegjshme, pa njohur mirë gjendjen reale të njeriut dhe nevojat e tij, propozuan çlirime të ndryshme. Ashtu si i propozoi vetes dhe djali plangprishës, sepse edhe ikja e tij ishte lëvizje për çlirim. Historia e djalit plangprishës është historia e gjithë njerëzimit. Gjithsekush nga ne, ashtu si djali plangprishës, ndodhet në një vend të largët. Pra, ndodhet jashtë gjendjes së tij, për të cilin çdo gjendje tjetër është një vend i largët.
Sa nga ne kanë një kungim të vazhdueshëm me Perëndinë? Sa nga ne jetojnë thellësisht shpirtërisht me Të? - Shumë pak. Kjo është ajo që filozofët e kanë quajtur “sensi tragjik i jetës”, sepse kemi humbur shumë e shumë gjëra nga ato që kishim. Kungimi me Perëndinë nuk është vetëm për shenjtorët. Të gjithë njerëzit janë krijuar sipas ikonës së Perëndisë, janë krijuar të jenë në kungim të përjetshëm me Të, por ky qëllim sot ka humbur. Dhe kthimi tek ai vjen nga një dëshirë, vjen nga një mall që do të ketë njeriu për botën tjetër. Djali pati mall, kështu thuhet në Bibël “pati mall”.
Në sa nga shpirtrat dhe zemrat tona ndizet malli për botën tjetër? Sa prej nesh mendojnë për botën tjetër, për ekzistencën e saj? Shpeshherë kjo nuk ndodh as te njerëzit brenda kishës. Dhe ne jemi dëshmimtarë për jetën e njerëzve që mendojnë se besojnë, por nuk kanë dëshirën për të shkuar tek Ati. Askush nuk mund të shkojë diku, nëse ai nuk dëshiron të shkojë. Sido që ta shikojmë lirinë, si barrë apo si dhuratë, nuk mund të shpëtojmë dot prej saj. Askush nga ne nuk mund të lirohet nga të qenurit i lirë. Kjo është një nga bazat kryesore të doktrinës së krishterë, që gjithsekush është krijuar i lirë ta pranojë ose të mos e pranojë Perëndinë. Ta fillojë ose të mos e fillojë udhëtimin. Shumë njerëz kanë menduar të gjejnë lumturinë; shumë janë përpjekur ta bëjnë njeriun të lumtur pa Zotin, por pa Zotin nuk mund të gjendet lumturia. Të gjitha përpjekjet për lumturi pa Zotin do të përfundojnë si tentativa e parë e Adamit, i cili donte të bëhej Zot pa Zotin. Në përpjekjen e tyre për të gjetur lumturinë njerëzit jo vetëm humbën sensin e udhëtimit, por humbën edhe vetë udhëtimin. Prandaj në këtë periudhë gjithsekush nga ne le të mendojë për udhëtimin. Duam apo nuk duam një ditë do të jemi në fund të udhëtimit. Dhe kushdo që të jetojë më gjatë, të themi për hatër 200 vjet, do ta mbarojë këtë udhëtim. Është mirë që ai udhëtim të fillojë nga sot. Madje një jetë jashtë udhëtimit nuk është më jetë. Njeriu nuk e bën dot udhëtimin, nëse realisht ai nuk do dhe nuk vendos për të. Njeriu ka brenda dëshira të ndryshme, kjo nuk do të thotë se janë të gjitha natyrale, por vijnë nga një natyrë e deformuar nga pasioni dhe kjo është dhe arsyeja që Zoti e fillon historinë e njeriut me një “mos”. Dialogu i parë që ka pasur Perëndia me njeriun ka qenë një ndalim: “Mos hani nga pema” (Zan.3:4). Është vënë “mos-i” për të përmbushur jo vetëm ekzistencën e njeriut, por edhe lirinë e tij, sepse jo çdo kundërshtim i “mos-it” do të thotë se është shenjë e lirisë. Njeriu ka një dimension të madh shpirtëror dhe ai duhet ta përmbushë këtë dimension. Kreshma është ajo që e ndihmon atë më shumë, për t’u çliruar sadopak. Kjo mund të duket e habitshme, por asketizmi është një lëvizje për çlirimin më të madh nga vetja e rreme, ose siç thotë një theolog i famshëm orthodhoks: “Çlirimi qëndron pikërisht në çlirimin e lirisë”. Vetja jonë është zënë rob, ne nuk mund të dimë akoma se kush është gjendja jonë realisht e lirë, prandaj privimet e ndryshme që do të kemi gjatë kreshmës do të na bëjnë të lirë.
Kufizimet nuk duhen parë si ndalime, as nuk duhen parë si privime që jepen, por si mbrojtje. Ne shpeshherë lexojmë, por nuk kuptojmë që pjesa më e madhe e Dekalogut (Eks.20:1-17) është me “mos-e”: mos këtë, mos atë, mos atë…. Raporti që ka Zoti me ne është ai që ne kemi me fëmijët. Shpeshherë ke një fëmijë pranë dhe i thua: mos këtu, mos atje. E njëjta gjë ndodh me ne në lidhje me Zotin, dhe këto “mos-e” nuk janë për të na kufizuar, por për të na mbrojtur, sepse kemi rënë nga gjendja jonë e parë dhe na ka humbur përgjegjshmëria e lirisë. Ne duhet të duam lirinë tonë të vërtetë, atë liri për të cilën duhet të vendosim vetë për udhëtimin. Njeriu i sotëm e ka humbur këtë përgjegjësi dhe as që do t’ia dijë se kush është qëllimi i jetës. Prandaj, shpeshherë mësimet fetare, predikimet, paravolitë e Krishtit, predikimet e Shën Joanit ishin predikime dhe thënie që ngjallnin krizë shpirtërore te njerëzit; një britmë shpirtërore, pikërisht për të kuptuar kush është qëllimi i jetës së njeriut.
Është tragjedi e madhe të shikosh një njeri të krijuar sipas ikonës së Perëndisë të jetojë në këtë mënyrë. Ajo që duhet të reflektojmë sot është pikërisht kjo. Ne jemi qenie që duhet të shkojmë diku, sepse jemi larguar nga ajo diku. Ajo që thekson vazhdimisht Kisha është pikërisht kjo: Ne jetojmë në gjendje të deformuar; natyra dhe arsyet tona janë deformuara, prandaj privimet janë për kurimin tonë. Nuk mund të thotë dikush për mjekimet që mund të japë një mjek që ato nuk bëjnë se janë të hidhura. Edhe për kreshmën dhe gjithë kufizimet e tjera asketike nuk mund të themi që nuk bëjnë dhe na pengojnë lirinë tonë, përkundrazi ato e forcojnë lirinë tonë. Kush është ai i marrë që të thotë: lëreni fëmijën të luajë me pistolet se kështu i privoni lirinë? Nëse do t’i kuptonim thellë këto ndalime, çdo ditë do t’i puthnim ato faqe të Dekalogut që janë mbushur me ato “mos-e”. Humbja e qëllimit të jetës, humbja e vetvetes e ka bërë njeriun të mos kuptojë. Kjo është arsyeja që shumë njerëz nuk kuptojnë dhe shkojnë drejt greminës. Neve na duket se jemi ndryshe nga të tjerët, sepse vijmë në kishë. Unë nuk kam parë ndonjë ndryshim të atij që beson dhe atij që nuk beson, kur të dy njësoj vjedhin, të dy gënjejnë, atëherë ku qëndron besimi këtu? Një besim që nuk krijon në shpirt një dëshirë për udhëtim, nuk është besim. Prandaj kjo periudhë udhëtimi është që ne të shohim thellë në çdo skutë të shpirtit tonë: A besojmë realisht apo nuk besojmë? Ky besim është për ne një lloj zbukurimi apo një nevojë bazike e jetës? Zoti është për ne sigurim apo rrënja e shpirtit tonë? A mund të jetojë dikush jashtë jetës? Dhe këto vazhdimisht i themi nëpër psalme e predikime: Zoti është jeta dhe çdo jetë jashtë Zotit është e gjymtuar. E megjithatë, a është jeta jonë e zhytur dhe e rrënjosur thellë tek Zoti? Këto janë pyetjet që duhet të bëjë njeriu gjatë Kreshmës së Madhe. Këto e bëjnë njeriun të fillojë udhëtimin e tij. Kjo periudhë kreshme nuk ndahet nga gëzimet. Edhe troparet thonë: “Le ta fillojmë këtë periudhë me gëzim”. Po të fillojë kreshma edhe gëzimi do të vijë vetvetiu. Ne nuk na vjen gëzim, sepse nuk fillojmë. Udhëtimi drejt Zotit është i mbushur me gëzim. Nuk ka jetë më të bukur sesa të udhëtosh drejt Zotit dhe të jetosh në këtë rrugë. Asgjë nuk mund të krahasohet dot me gëzimin e madh që mund t’i japë shpirtit njerëzor kthimi te Zoti, udhëtimi drejt Tij. Kjo është ajo që i jep shpirtit dimensionin e tij të vërtetë, prandaj dhe periudha e kreshmës është periudhë ripërtëritjeje, periudhë për vendosjen e një gjendjeje shpirtërore për të realizuar përmbushjen e ekzistencës sonë (Mk.12:30). Mos e neglizhoni këtë. Kisha jep vazhdimisht shanse. E gjithë jeta liturgjike e Kishës është udhëtim dhe na ndihmon për të realizuar takimin personal - udhëtimin drejt Zotit. Askush nuk mund të shkojë tek Zoti, nëse nuk fillon këtë udhëtim, dhe fillimi i këtij udhëtimi është pendimi. Gjithsekush nga ne që nuk është penduar dhe që nuk vazhdon të pendohet tregon që nuk është në udhëtim. Pendimi nuk është thjesht të kuptosh se ke bërë faj, kjo është një pjesë e vogël e pendimit. Pendim do të thotë të ndizet një mall për shtëpinë e Zotit, Atit dhe atëherë do të fillojë udhëtimi. Nëse nuk fillojmë këtë nuk ka pendim, sado të bëjmë pseudo-jetë shpirtërore, sikur të jemi pendimtarë të mëdhenj, madje një pendim i tillë është pendim demoniak. Njerëz të tillë bëhen njerëzit më të pakuptueshëm dhe mendojnë se janë të përulur dhe fetarë. Njerëzit kanë filluar të bëhen krenarë, vetëm ngaqë mendojnë se janë të përulur. Njerëzit që mendojnë se janë në udhëtim dhe në të vërtetë nuk janë, janë në një pozicion të vështirë. Kjo është arsyeja pse zemërimi i Zotit është më i madh me farisenjtë (shih Mt.23). Ne ndoshta do të ndiheshim të turpëruar para një fariseu. Ai kreshmonte 2 herë në javë. Kush nga ne e bën këtë sot? Ai jepte një të dhjetën, kush nga ne e bën këtë? Ai nuk kishte shkelur kurorë dhe nuk kishte bërë edhe shumë gjëra të tjera, megjithatë Zoti ishte kundër tij. Ai jetonte në një pseudofe dhe shpeshherë kjo gjë i kap më shumë njerëzit që janë më afër fesë. Secili nga ne le të mendojë thellë sa po e vazhdon udhëtimin ose nëse ai ka nevojë për këtë udhëtim.
Nëse nuk do të na ndizej një mall në shpirt për të takuar Zotin, kjo do të thotë që shpirti është i vdekur. (shih Ps.42:1-2) Dhe për sa kohë jemi në këtë jetë, jemi në pozicionin që mund ta bëjmë këtë udhëtim. Koha e udhëtimit është tani. Tani është orari që mund të udhëtojmë. Gjithsekush që pendohet përfitimi është për të. Le ta shikojmë kreshmën si udhëtim, jo vetëm kreshmën, por gjithë jetën, sepse faktikisht po udhëtojmë edhe nëse disa nuk e dinë. Gjithsekush nga ne shkon drejt diçkaje. “Nëse nuk bëhemi familjarë që këtu me Zotin, thotë Shën Joan Gojarti, nuk do të jemi as në jetën tjetër familjarë me Të. Miqësia me Zotin fillon që këtu. Udhëtimi dhe kungimi i përjetshëm me Zotin fillon që këtu”.
Le ta fillojmë udhëtimin drejt Zotit dhe le të mendojmë për sakrificat e këtij udhëtimi. Le të mendojmë dhe le të kuptojmë ashtu siç Psalmi thotë: “Shijoni dhe shihni” (Ps.34:8).
Nuk ka gëzim më të madh se jeta shpirtërore. Zoti do të na shikojë që në momentin e parë që do të bëjmë lëvizjen për t’u kthyer dhe që në momentin e parë Ai do të na japë diçka; që në momentin e parë do të ndiejmë një lloj pranie në shpirtin tonë, e cila do të na japë gëzimin dhe fuqinë për të vazhduar këtë udhëtim.
Jeta jonë është një udhëtim drejt Zotit, sikundër e theksuam, dhe këtë të mos e harrojmë kurrë.
Ai na bekoftë ta takojmë Atë në ditën e Pashkës. Amin.", shkruan Fortlumturia e Tij, Joani./Dosja.al

. fortlumturia e tij joani kryepiskop i tiranës durrësit dhe i gjithë shqipërisë kreshmet ortokdokse kreshmet

Sondazh

Poll

Nesër protestë para Kuvendit! Paralajmëron protestuesi: Më 23 tubimi i madh

Nesër protestë para Kuvendit! Paralajmëron protestuesi: Më 23 tubimi i madh

Protestuesi: Nuk ndalojmë deri në largimin e atij që është strukur në Kryeministri

Nis marshimi drejt Kryeministrisë, protestuesit bëjnë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit

Dita e 50-të e protestës/ Nis grumbullimi në sheshin "Skëndërbej"

Kryeministri Rama kryen nderimet në homazhet për gazetarin Enrik Mehmeti

Emigrantët bllokohen në pikën kufitare mes Kroacisë dhe Serbisë, kërkojnë informacion

Pesë turistë gjermanë mbetën të bllokuar në Karaburun, ekipet e shpëtimit bënë të mundur gjetjen

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Fëmijët e birësuar të Brad Pitt nisin procedurat për të mos mbajtur mbiemrin e të atit

Ish-drejtoresha e filialit të Postës së Durrësit u la në burg/ Avokati: Vendim absurd

Kuvendi Kombëtar i Protestës/ Folëses i merret mikrofoni nga dora: Edi Rama të japë dorëheqjen

Tentoi te merrte pjesë në Kuvendin Kombëtar të protestës/Selami Jenisherin nxirret jashtë

Berisha: Do bëjmë gjithçka për të paraqitur realitetin shqiptar pranë Komisionit Evropian

Falja e pronave publike në Dhërmi e Palasë/ Berisha: PD nuk do i njohë kurrë këto vendime të Ramës

Berisha: Rama nuk e dënon ministren monstër të Beogradit sepse është vasal i Vuçiçit

Berisha: Ftoj çdo demokrat që të marrë pjesë në protestë dhe të bëjë gjithçka për suksesin e saj

Berisha: Ky është procesi më i thellë i ripërtëritjes së PD që nga themelimi i saj!

“Neomalsorja” i bashkohet protestës së 49-të para Kryeministrisë: Rezistenca e qytetarëve nuk ndalet

Regjisori krijues i Star Wars mbështet Inteligjencën Artificiale

Rama: Deri në 1 mld euro mbështetje për bizneset, kredi deri në 2 milionë euro me interesa të ulëta

Rama i kthehet biznesmenit: Në Shqipëri ka para të pista, por s'mund t'i veshim këtë kostum vendit

Rama i përgjigjet komentuesve: Ka qeveri që bëjnë punë të mira, ka që bëjnë të këqija

Dyfisho sipërmarrjen tënde/ Rama: Cikël takimesh me bizneset e interesuara

Moment paniku në Theth! Guri bie mbi makinë, turistët shpëtojnë pa lëndime

Përfaqësuesi i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve:Dua të përcjell mbështetjen e profesoratit

Plagosja me thikë te Poliklinika e Shkodrës, dalin pamjet e rënda!

Si po ecën marrëdhënia mes Ariana Grande dhe ish të dashurit të saj pas ndarjes me Ethan Slater?

Nuk më pëlqen ta ekspozoj jetën time, Benny Blanco rrëfen si po mësohet me jetën e Selena Gomez

Edi Rama përmend vrasjen e Martin Canit: E kujtoj çdo ditë, ata që e përdorën për politikë e harruan

Rama: Kemi hyrë në zemër të problemit, djegia e makinës pas krimit nuk mund të ndodh më

Kush është modelja që u bë virale për ngjashmërinë me futbollistin Erling Haaland?

Kujtimet tona do të jetojnë gjithmonë, mesazhi i Donatella Versace për të vëllain Gianni Versace

Berisha: Dënoj heshtjen prej vasali të qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së ministres së Vuçiçit

Berisha: Drejtimi i PD është ripërtërirë me personalitete ndër më të shquarit në fushat e tyre

Berisha uron drejtuesit e rinj të PD: Vota e lirë në themel të kësaj force politike

Çfarë detajesh tërhoqën vëmëndjen në festimet e ditëlindjes së Jennifer Lopez në Paris?

Salla: Fermeri do ta shohë prodhimin edhe si aset për financim

Përplasje e ashpër në Kuvend/ Bido: Populizëm që dëmton Kosovën

Tentoi të transportonte pistoleta! Kapet në tunelin e Skërficës, 31-vjeçari

Ndryshimet në "Ligjin për Turizmin", Balla: Pezullohen punimet në bregdet gjatë sezonit turistik

Balla mbron Ramën nga Redi Muçi: Lani gojën kur t'i përmendni emrin

Deklarata diskriminuese e ministres serbe/ Muçi akuzon Ramën për heshtje: Çfarë pret kryeministri?

Spiropali dërgon në Asamblenë e PS mocionin për hapjen e partisë

Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, ‘blindohet’ me autobotë uji dhe forca të shumta policore

Ilirjana Kuçana akuzon lidershipin për shkelje të Statutit dhe "Mulizim" të partisë

Protestuesja: Shqipëria nuk e përmban dot një koncert si të Kanye West, vendi ynë ka marrë fund

Thirrjet për Ramën, protestuesi: Traumë për fëmijët të thonë Rama jep dorëheqjen

Dita 46-të e protestës/ Protestuesi: Sali Berisha dhe Edi Rama të thyejnë qafën

Protesta qytetare bën bashkë shqipëtarë nga çdo krahinë, valëviten flamujt nga diaspora

Protesta e 46-të/ Mbyllen fjalimet para Kryeministrisë, nis marshimi rrugëve të Tiranës