LIVE UPDATES
Bota

Armenia dhe Azerbajxhani afër marrëveshjes historike të paqes në Shtëpinë e Bardhë, 2 udhëheqësit e vendeve pritet të udhëtojnë drejt SHBA-ve

Kryeministri armen, Nikol Pashinian, pritet të udhëtojë drejt Uashingtonit dhe presidenti azerbajxhanas, Ilham Aliyev, po ashtu pritet të jetë atje për bisedime të mundshme. Megjithatë, ende nuk është e qartë se në çfarë formati do të jenë takimet në Uashington.

8 Gusht 2025, 07:34 Nga M.B
Armenia dhe Azerbajxhani afër marrëveshjes historike të paqes
Presidenti azerbajxhanas, Ilham Aliyev, dhe kryeministri armen, Nikol Pashinian

SHBA- Armenia dhe Azerbajxhani mund të jenë afër nënshkrimit të një marrëveshjeje historike të paqes ose të paktën shpalljes së saj kur udhëheqësit e të dyja vendeve të jenë mysafirë të presidentit amerikan, Donald Trump, në Shtëpinë e Bardhë më 8 gusht.

Kryeministri armen, Nikol Pashinian, pritet të udhëtojë drejt Uashingtonit dhe presidenti azerbajxhanas, Ilham Aliyev, po ashtu pritet të jetë atje për bisedime të mundshme. Megjithatë, ende nuk është e qartë se në çfarë formati do të jenë takimet në Uashington.

Asnjë nga tre kryeqendrat nuk ka publikuar informacione përfundimtare. Megjithatë, raportimet e mediave, që citojnë burime diplomatike, sugjerojnë se Trumpi mund t’i presë Pashinianin dhe Aliyevin veçmas, para një takimi trepalësh më 8 gusht. Palët mund të mos nënshkruajnë asnjë marrëveshje, por vetëm të njoftojnë për synimin që të arrijnë një marrëveshje në një të ardhme të afërt.

“Nuk ka zëra për nënshkrimin e ndonjë dokumenti. Rezultati i negociatave do të përcaktojë se çfarë lloj dokumenti, nëse do të ketë fare, do të miratohet”, tha Hasmik Hakobyan, anëtare e partisë në pushtet në Armeni, Kontrata Civile, e cila njëherësh është anëtare e Komisionit parlamentar për Marrëdhënie të Jashtme.

Armenia dhe Azerbajxhani kanë zhvilluar dy luftëra të mëdha për rajonin e njohur si Nagorno-Karabak që nga shpallja e pavarësisë pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik më 1991.

Dy shtetet e Kaukazit Jugor kanë ndërmarrë hapa të rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve që nga konflikti i fundit i armatosur më 2020 dhe eksodi që pasoi i popullsisë etnike armene nga rajoni i kontestuar, të cilin zyrtarët në Jerevan tashmë e njohin si territor sovran të Azerbajxhanit.

Megjithëse për finalizimin e tekstit të marrëveshjes së paqes u njoftua në mars dhe u përshëndet ndërkombëtarisht pas vite negociatash dypalëshe, dokumenti ende nuk është nënshkruar.

Azerbajxhani ka kushtëzuar vazhdimisht nënshkrimin e saj me heqjen nga Kushtetuta e Armenisë të një reference për Deklaratën e Pavarësisë së vitit 1990, e cila i referohet një akti të bashkimit të miratuar më 1989 nga organet legjislative të Armenisë sovjetike dhe të Nagorno-Karabakut.

Po ashtu, Bakuja kërkon që Armenia të pranojë shpërbërjen e Grupit të Minskut të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) – i vetmi mekanizëm ndërmjetësues ndërkombëtar, i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Rusia, që për dekada ka kërkuar që të negociohet një zgjidhje për konfliktin në Nagorno-Karabak.

Armenia është pajtuar për dy kërkesat, megjithëse ka theksuar se si çështje parimore, miratimi i një kushtetute të re në vitet në vijim duhet të jetë një çështje e brendshme e Armenisë. Po ashtu, ajo ka propozuar që kërkesa e përbashkët për shpërbërjen e Grupit të Minskut drejtuar OSBE-së të ndodhë njëkohësisht me nënshkrimin e marrëveshjes së paqes. Megjithatë, këto nuk janë të vetmet pyetje që pengojnë arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.

Në një tjetër arritje diplomatike, që u mirëprit nga komuniteti ndërkombëtar, Armenia dhe Azerbajxhani realizuan për herë të parë delimitimin dhe demarkimin e një segmenti prej 13 kilometrash të kufirit të tyre verior gjatë vitit 2024. Si rezultat i kësaj, ushtria armene u tërhoq nga katër fshatra të pabanuara që kishin qenë pjesë e Azerbajxhanit sovjetik përpara se të shpërthente lufta mes dy vendeve në fillim të viteve ’90.

Të dyja palët janë pajtuar të vazhdojnë procesin e delimitimit dhe demarkimit të kufirit, por gjatë vitit të fundit nuk është shënuar asnjë përparim në pjesë të tjera të kufirit – teksa Armenia pretendon se Azerbajxhani vazhdon të okupojë më shumë se 200 kilometra katrorë të territorit të saj.

Opozita armene e ka dënuar demarkimin e diskutueshëm të kufirit dhe hapat e mëtejshëm diplomatikë të ndërmarrë nga Jerevani, duke i cilësuar si “dorëzim” dhe ka kërkuar dorëheqjen e Pashinianit. Megjithatë, protestat dhe tubimet e vazhdueshme të opozitës, në të cilat morën pjesë mijëra qytetarë në maj dhe qershor të vitit 2024, përfundimisht u ndërprenë, ndërsa kryeministri armen ka deklaruar se përpjekjet e Qeverisë së tij për një paqe të qëndrueshme me Azerbajxhanin gëzojnë ende një mbështetje të gjerë të publikut.

Një tjetër aspekt i ndjeshëm i negociatave mes Armenisë dhe Azerbajxhanit ka qenë edhe i ashtuquajturi Korridori Zangezur. Sipas një prej neneve të marrëveshjes së armëpushimit të vitit 2020, të ndërmjetësuar nga Moska – e cila i dha fund luftës së përgjakshme 44-ditëshe në Nagorno-Karabak – Armenia duhet të garantojë “sigurinë e lidhjeve të transportit” mes territorit kryesor të Azerbajxhanit dhe eksklavës së tij perëndimore, Nahçivanit, duke siguruar “lëvizjen e papenguar të qytetarëve, automjeteve dhe mallrave në të dy drejtimet”.

Armenia, e cila ka qenë e bllokuar nga Azerbajxhani dhe Turqia për gati 40 vjet në aspektin tokësor, ka insistuar vazhdimisht që çdo rrugë transiti duhet të jetë pjesë e një procesi më të gjerë të zhbllokimit rajonal dhe duhet të respektojë sovranitetin, juridiksionin dhe integritetin territorial të Armenisë. Zyrtarët në Jerevan e kanë kundërshtuar idenë dhe madje edhe narrativin e një korridori ekstraterritorial, duke e cilësuar si një pretendim të fshehtë territorial nga ana e Azerbajxhanit.

Në vitin 2024, për shkak të mungesës së një zgjidhjeje, Azerbajxhani dhe Armenia sinjalizuan se çështja e transportit do të trajtohet veçmas nga marrëveshja e përgjithshme e paqes. Sipas marrëveshjes së armëpushimit të vitit 2020, kontrolli mbi lidhjet e transportit mes Armenisë dhe Azerbajxhanit do të ushtrohej nga Shërbimi i Rojeve Kufitare i FSB-së së Rusisë. Megjithatë, pas një sërë zhvillimesh – përfshirë dështimin e paqeruajtësve rusë për të mbrojtur popullatën etnike armene gjatë ofensivës së Azerbajxhanit në shtator të vitit 2023 dhe tërheqjen e tyre të mëvonshme – Armenia ka ndryshuar orientimin e saj gjeopolitik, duke u larguar nga Moska dhe duke u afruar më shumë me Perëndimin.

Diskutimet për një përfshirje të mundshme të SHBA-së në administrimin e rrugës, si pjesë e një zgjidhjeje për mosmarrëveshjen e vazhdueshme, dolën në pah rreth kohës së samitit të 10 korrikut mes Pashinianit dhe Aliyevit në Abu Dabi, ku bisedimet 5-orëshe thuhet se u përqendruan gjithashtu në çështjet e transportit rajonal.

Ambasadori amerikan në Turqi, Thomas Barrack, në veçanti, ka sugjeruar se Uashingtoni ka propozuar një marrëveshje për marrjen nën menaxhim për 100 vjet të një lidhje të tillë transporti, në përpjekje për të lehtësuar një marrëveshje paqeje mes dy vendeve të Kaukazit Jugor.

“Ata [Armenia dhe Azerbajxhani] po debatojnë për 32 kilometra rrugë, por kjo nuk është shaka”, u tha Barrack gazetarëve në Nju Jork më 11 korrik. “Kjo po zgjat që një dekadë – 32 kilometra rrugë”.

Zëdhënësja e Pashinianit, Nazeli Baghdasarian, e hodhi poshtë idenë e një marrëveshjeje për dhënien nën menaxhim e rrugës, por në një konferencë për shtyp më 16 korrik, kryeministri armen konfirmoi se Shtetet e Bashkuara kishin propozuar që qarkullimi i njerëzve dhe mallrave përmes Siunikut të administrohej nga një kompani amerikane.

Baghdasarian sinjalizoi për gatishmërinë e Jerevanit për ta “nënkontraktuar” administrimin e rrugës përmes Siunikut një pale të tretë, përfshirë një kompani amerikane ose një ndërmarrje të përbashkët të re, duke këmbëngulur njëkohësisht se Armenia duhet të ruajë sovranitetin mbi të vetmin rajon që kufizohet me Iranin.

“Ne flasim shumë për hekurudha dhe autostrada, por në këtë kontekst po flasim gjithashtu për gazsjellës, linja të energjisë elektrike, kabllo të telekomunikimit dhe kjo është një infrastrukturë që duhet menaxhuar dhe krijuar”, tha ai. Në anën tjetër, Aliyev ka përsëritur kërkesat e tij.

“Mallrat dhe qytetarët azerbajxhanas nuk duhet të shohin fytyrat e rojeve kufitare armene apo të kujtdo tjetër”, tha ai në korrik, duke rritur presionin ndaj Jerevanit.

“Nuk duhet të ketë kontakt fizik dhe duhet të ketë masa sigurie që njerëzit dhe mallrat tona të kalojnë lirshëm”.

Qeveria armene i ka hedhur poshtë këto pretendime. Ndërkaq, partitë opozitare në Armeni po bëjnë thirrje për një dialog më të gjerë – jo vetëm për hapjen e kësaj rruge të veçantë transiti, por për të gjitha rrugët në rajon – me synimin për t’i dhënë fund bllokadës ndaj Armenisë. Paqja e qëndrueshme dhe hapja e një rruge transiti përmes Armenisë ka potencialin të lidhë Kaukazin dhe Azinë Qendrore – rajone të pasura me naftë dhe gaz – me Evropën, duke shmangur Rusinë dhe Iranin.

Rusia dhe Irani kanë shprehur shqetësim për një prani të mundshme amerikane në rajonin strategjik armen të Siunikut, që kufizohet me Iranin. Moska ka akuzuar Uashingtonin se po përpiqet të marrë përsipër procesin e paqes mes Armenisë dhe Azerbajxhanit dhe të lërë mënjanë fuqitë rajonale.

“Perëndimorët synojnë ta zhvendosin procesin e pajtimit mes Bakusë dhe Jerevanit në shinat e tyre”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, në një konferencë për media më 24 korrik. “Ne e dimë se ku çojnë zakonisht këto shina… Kjo mund të çojë në një çekuilibër të sistemit të sigurisë në rajon”.

Edhe Irani ka shprehur kundërshtim të fortë ndaj çdo marrëveshjeje që, sipas tij, mund të rrezikojë kufirin e tij verior me Armeninë. Një këshilltar i lartë i liderit suprem të Iranit, ajatollah Ali Khamenei, ka paralajmëruar shtetet “brenda ose jashtë rajonit” që të ndalojnë përpjekjet për krijimin e një korridori tokësor për Azerbajxhanin, i cili do të kalonte nëpër një rajon armen, në kufi me Republikën Islamike.

“Sërish disa qeveri, të pandjeshme ndaj interesave të tyre dhe të rajonit, kanë rikthyer çështjen e Korridorit të Zangezurit dhe po trokasin në çdo derë për të shtyrë përpara qëllimet e tyre të paligjshme në Kaukazin Jugor”, shkroi Ali Akbar Velayati në një postim në platformën X më 4 gusht, pasi mediat raportuan se Trump do të priste liderët e Armenisë dhe Azerbajxhanit në Shtëpinë e Bardhë.

Vëzhguesit kanë sugjeruar se takimi në Shtëpinë e Bardhë më 8 gusht mund të shërbejë si një mundësi për presidentin Trump për të forcuar përpjekjet e tij për Çmimin Nobel për Paqe. Shtëpia e Bardhë ka pretenduar se Trump u dha fund me sukses disa konflikteve globale, përfshirë mosmarrëveshjet mes Tajlandës dhe Kamboxhias, Izraelit dhe Iranit, Ruandës dhe Republikës Demokratike të Kongos, Indisë dhe Pakistanit, Kosovës dhe Serbisë, si dhe Egjiptit dhe Etiopisë.

Megjithatë, siç tregon përvoja me mosmarrëveshjet e tjera të gjata si ai midis Kosovës dhe Serbisë, nënshkrimi i një marrëveshjeje nuk garanton paqe dhe stabilitet afatgjatë. Çështje të ndryshme vazhdojnë të mbeten të pazgjidhura, duke përfshirë mosmarrëveshjet mbi kthimin e armenëve të shpërngulur nga Nagorno-Karabaku dhe fatin e ushtarëve armenë që ende mbahen si të burgosur lufte në Baku. Për më tepër, armiqësia mes dy vendeve – që është e gjatë mbi 40 vjet – vazhdon të pengojë pajtimin e vërtetë.

Një njoftim i mundshëm nga Armenia dhe Azerbajxhani në Uashington për një marrëveshje po ashtu pritet të përkojë me skadimin, më 8 gusht, të “ultimatumit” të Donald Trump ndaj presidentit rus, Vladimir Putin, për përfundimin e luftës në Ukrainë. Vëzhguesit kanë thënë se besojnë që një përparim në Kaukaz mund të ndihmojë në kompensimin e një disfatë diplomatike, nëse Moska refuzon kërkesën e Uashingtonit./ REL

armenia azerbajxhani

Sondazh

Poll

Pas më shumë se katër orësh, qytetarët vijojnë protestën rrugëve të Kryeqytetit

Pas më shumë se katër orësh, qytetarët vijojnë protestën rrugëve të Kryeqytetit

Gjesti i veçantë i protestuesit, u dhuron lule efektivëve në shenjë solidariteti për policin e vrarë

Pas tre orësh protestë, turma vijon qëndresën: Dorëheqje!

Prej më shumë se tre orësh para Kryeministrisë, protestuesit ndezin flakadanë

"Kush s'kërcen nuk është shqiptar o hej"/ PAMJE me dron nga protesta madhështore për Zvërnecin

Thirrja e qytetarit të Rrjollit: Hajde rini, merre situatën në dorë dhe drejto vendin

Me flamuj dhe pankarta në duar, qytetarët e Durrësit sërish protestë për projektin në Zvërnec

Tentoi të futej në Kryeministri, protestuesja bën simbolin e shqiponjës

"Ne i duam parqet, lodrat, natyrën"/ Vogëlushi në protestë thirrje: Mbrojini për ne!

Protesta kundër projektit në Zvërnec/ Brohoret turma: Edi Rama o tradhtar, duhet lidhur me litar

Protesta për Zvërnecin, qytetarë mbajnë 1 minutë heshtje për efektivin e vrarë në krye të detyrës

"Ruani qetësinë, Ramën ta zhdukim me të mirë"/ Tensione në protestën kundër projektit në Zvërnec

PAMJE nga protesta madhështore kundër projektit në Zvërnec/ Oshëtin bulevardi: O pallosh o zagar

Mijëra protestues në shesh thirrje ndaj kryeministrit Rama: Duam dorëheqje

Protesta për Zvërnecin, babai i Martin Canit i bashkohet protestuesve në shesh

Mijëra qytetarë në Bulevard/ Thirrje kundër Ramës dhe Berishës: U ka ardhur fundi, në burg

Balla nga Kuvendi: Greqia u ka borxh shqiptarëve marrëveshjen për pensionet

Dita e 5-të e protestës për Zvërnecin/ Nis marshimi drejt bulevardit: Revolucion

Balla ‘thumbon’ Berishën: U trembe nga protestuesit që erdhën te selia e PD-së dhe ndryshove qëndrim

"Na keni ça k***"/ Noizy shpërthen keq ndaj protestuesve: Nuk po e shet njeri Shqipërinë!

'Zvërneci'/ Berisha: Ju jeni mafie si në Beograd. Të gjitha dokumentet ju i shumëzoni me zero

Berisha: Pse e fshihni kreun e Meduzës. Tokat në Zvërnec i ka rrëmbyer Pjerini nga Lezha dhe Agaçi

Reperi Gashi mbështet protestat për Zvërnecin: Fëmijët tanë nuk janë mysafir në tokën e tyre

Këngëtarja Bebe Rexha vlerësohet me cmimin “Female Icon Award 2026”

Banorët dhe pushuesit përballen me fenomenin e pazakontë në Ksamil

"Ktheni ligjin për investimet strategjike" Bozdo në Kuvend: Betonizuat bregdetin e jugut...

Përplasje e ashpër mes Strazimirit e Muçit: Të rinjtë po protestojnë kundër jush, mbani përgjegjësi

"Marksist-leninist i vogël'! Përplasje e ashpër mes Strazimirit e Muçit:

Ngjarja e rëndë në Maliq/ Autori transportohet drejt Tiranës, familjarët: Çfarë i bëre?!

Berisha: Xhelati Rama u vë protestuesve paqësorë, topat e ujit që gjuajtën edhe foshnjën në karrocë

Berisha-Piro Vengut: Dezertove nga ushtria dhe mashtrove se je pasardhës i Marko Boçarit

Fshihej në një zonë të pyllëzuar, ja vendi ku u gjet autori i ngjarjes në Maliq

"Rama do organizojnë antimiting në Vlorë", Balla i përgjigjet Berishës: Kemi festën e PS!

Bido i kthehet opozitës: Ku ishit ju më 30 maj që nuk folët për Zvërvecin?

“Keni paralajmëruar anti-miting në Vlorë”, Berisha thirrje Ramës: Anuloje, është praktikë fashiste

Deputeti i “Lëvizjes Bashkë”: Rendi i ditës së sotme është kërkesa për dorëheqjen e qeverisë

U plagos në operacionin për kapjen e një personi në kërkim, mbërrin te Trauma polici

Vrasja e efektivit të Policisë në Korçë, Kuvendi nis me një minutë heshtje

Vrau një efektiv dhe plagosi një tjetër, mbërrin në spital autori

Reshjet përmbytin rrugët e Shëngjinit, vështirësi në qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve

Qytetarët nisen sërish drejt kryeministrisë, me flamurin kuq e zi dhe brohorima vazhdojnë protestën

Protestuesit marshojnë drejt zonës së Bllokut, qytetarët e tjerë nuk iu bashkohen #dosja #protesta

Protesta nuk ka të ndalur, qyetarët bllokojnë rrugën te Ura e Tajvanit, thirrje në kor policëve

Nga Sheshi tek Banka, qytetarët bllokojnë rrugën: Edi Rama ka mbaru

Qytetarët nuk ndalen në protestë/ Bllokojnë rrugën te selia e PS-së, ulen në gjunjë

Vazhdon protesta për Zvërnëcin/ Protestuesit ngren nga kafet qytetarët te Opera

E mbuluar me flamurin kuq e zi, e reja shfaqet me foshnjën në krah gjatë protestës

"Edi Rama jep dorëheqjen/E reja nga protesta:Ka ardhur koha të shkosh me Berishën te Veliaj dhe Meta

Qytetarët protestë në Vlorë për Zvërnecin, me pankarta në duar marshojnë drejt Sheshit të Flamurit

Dy orë protestë, bulevardi plot qytetarë ndriçohet nga blicat e telefonave: Jep dorëheqje