LIVE UPDATES
Bota

Nga zhbllokimi i aseteve ruse te sistemi i ri i udhëtimeve, ja pesë çështje që pritet të jenë në qendër të vëmendjes së BE në muajt e ardhshëm

Gjatë këtyre javëve nuk diskutohet – e aq më pak vendoset – për ndonjë çështje të rëndësishme. Por, sapo diplomatët dhe zyrtarët të kthehen në zyrat e tyre në shtator, BE-ja do të përballet me vendime të mundshme të vështira dhe dilema gjatë vjeshtës.

11 Gusht 2025, 10:56 Nga r.ll
Nga zhbllokimi i aseteve ruse te sistemi i ri i udhëtimeve, ja pesë
foto ilustruese

BRUKSEL- Bashkimi Evropian pjesën më të madhe të gushtit është në pushim të verës, pa seanca plenare të Parlamentit Evropian, pa mbledhje të Këshillit dhe pa takime të komisioneve.

Me pak fjalë, gjatë këtyre javëve nuk diskutohet – e aq më pak vendoset – për ndonjë çështje të rëndësishme. Por, sapo diplomatët dhe zyrtarët të kthehen në zyrat e tyre në shtator, BE-ja do të përballet me vendime të mundshme të vështira dhe dilema gjatë vjeshtës. Radio Evropa e Lirë sjell pesë çështjet kryesore që pritet të jenë në qendër të vëmendjes në muajt në vijim.

A do të zhbllokohen asetet e Rusisë?

Mbi 200 miliardë euro asete të ngrira të Rusisë ndodhen në Bashkimin Evropian që nga shkurti i vitit 2022, kur blloku filloi të vendoste sanksione ndaj Moskës pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës. Që atëherë, ka vazhduar debati i ashpër se çfarë duhet bërë me këto para. Më 29-30 gusht, ministrat e Jashtëm të BE-së mblidhen në Danimarkë për një takim joformal të njohur si “Gymnich”, që shpesh shënon hapjen e sesionit të vjeshtës për bllokun.

Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, e ka bërë të qartë se ky është momenti për të vendosur për fatin e aseteve – duke i cilësuar si një mjet të fuqishëm pazari për të ardhmen, por edhe një burim dilemash ligjore.

Shumë shtete anëtare të BE-së, veçanërisht ato në lindje që kanë një qasje më të ashpër ndaj Moskës, kërkojnë që paratë të konfiskohen për të financuar armët për Ukrainën ose për të rimbushur arsenalin e bllokut. Argumenti i tyre është se kjo mund të mbulojë mungesën e mundshme të financimit nga SHBA-ja dhe se është më e drejtë që këto para të Rusisë të përdoren për këtë qëllim, në vend të taksapaguesve evropianë.

Të tjerë, sidomos shtetet më të mëdha, nuk janë të gatshëm për konfiskim ende. Ata thonë se këto para mund të shërbejnë si kartë negociuese për paqe ose armëpushim, pasi Moska kërkon të rimarrë një pjesë të tyre. Po ashtu, përmendet mundësia që të përdoren si mjet presioni ndaj Kremlinit për bashkëpunim me tribunalin e ri për luftën. Një tjetër opsion është që asetet të mbeten të ngrira për të financuar rindërtimin e Ukrainës pas përfundimit të luftës.

Banka Qendrore Evropiane ka shprehur frikën se konfiskimi i aseteve mund të dëmtojë reputacionin e euros si monedhë globale dhe të dekurajojë vendet të investojnë në Eurozonë.

Belgjika, ku ndodhet depozita qendrore e sigurisë “Euroclear” – që mban shumicën e këtyre aseteve sovrane – është po ashtu e kujdesshme ndaj veprimeve të njëanshme. Argumenti belg është se asetet e ngrira janë një “mundësi e artë”, pasi fitimet e papritura që ato gjenerojnë, rreth 1-2 miliardë euro çdo tre muaj, shkojnë drejtpërdrejt në arkën e Ukrainës.

A do të ndahen Moldavia dhe Ukraina në rrugën e tyre drejt integrimit në BE?

Deri më tani, Ukraina dhe Moldavia kanë ecur së bashku në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Të dyja morën statusin e vendit kandidat në vitin 2022 dhe, në fund të vitit 2023, vendet anëtare të BE-së ranë dakord të nisin bisedimet e anëtarësimit me to.

Shumica e diplomatëve evropianë prisnin që gjysma e parë e këtij viti të sillte hapjen e kapitujve të parë nga 33 sa janë gjithsej, si për Kishinjevin, ashtu edhe për Kievin. Por, Hungaria po e bllokon nisjen e këtyre negociatave, duke pretenduar se Ukraina nuk garanton të drejtat e pakicës hungareze.

Meqë Moldavia dhe Ukraina janë “të lidhura” deri tani në këtë proces, bllokada prek edhe Kishinjevin. Këtë pranverë pati diskutime për t’i ndarë këto dy vende në procesin e anëtarësimit, në mënyrë që të paktën Moldavia të ecte përpara, por nuk u arrit ndonjë konsensus.

Hungaria ka sinjalizuar se nuk do të tërhiqet nga ky qëndrim, sidomos pas një referendumi jodetyrues më herët këtë vit, në të cilin 95 për qind e pjesëmarrësve u shprehën kundër anëtarësimit të Ukrainës në BE. Shumë zyrtarë të BE-së besojnë se ky pozicion nuk do të ndryshojë deri pas zgjedhjeve parlamentare hungareze në prill 2026.

Ndërkohë, Moldavia mban zgjedhje më 28 shtator, ku Qeveria proevropiane kërkon një mandat të ri. Në Bruksel po qarkullojnë zëra se Ukraina dhe mbështetësit e saj kanë pranuar një ndarje të procesit, ku Moldavia do të avanconte e vetme. Një vendim i tillë mund të merret në fillim të shtatorit, për të ndikuar potencialisht në favor të forcave pro BE-së në zgjedhjet moldave.

Çfarë do të bëjë BE-ja për Gjeorgjinë?

Brukseli pritet të vazhdojë këtë vjeshtë përballjen me kthimin prapa të demokracisë në Gjeorgji, dhe disa vendime mund të pasqyrojnë këtë realitet. Komisioni Evropian i dërgoi një letër Qeverisë gjeorgjiane në korrik, duke i kërkuar që deri në fund të gushtit të përmbushë tetë kushtet e vendosura në fund të vitit 2024 – përfshirë shfuqizimin e Ligjit të diskutueshëm për “agjentët e huaj” dhe paketën po aq të kontestuar ligjore për “vlerat familjare dhe mbrojtjen e të miturve".

Pak në Bruksel presin që Tbilisi të bëjë lëvizje të mëdha në këto çështje, ndaj mbetet pyetja: si dhe kur do të përgjigjet BE-ja?

Deri më tani nuk ka pasur sanksione ndaj zyrtarëve të partisë në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane apo gjyqtarëve të konsideruar përgjegjës për shënjestrimin e opozitës dhe protestuesve, pasi Hungaria dhe Sllovakia i kanë bllokuar ato – dhe pritet ta bëjnë sërish.

Në Bruksel po punohet për pezullimin e liberalizimit të vizave të Gjeorgjisë me bllokun. Për këtë masë nevojitet vetëm një shumicë e kualifikuar e vendeve anëtare të BE-së (55 për qind e shteteve anëtare që përfaqësojnë 65 për qind të popullsisë së BE-së), dhe kjo shumicë duket se është siguruar. Do të ishte hera e parë që BE-ja pezullon liberalizimin e vizave për një vend kandidat, por Brukseli duket se po përgatit kuadrin e nevojshëm ligjor.

Mund të shohim gjithashtu pezullimin e disa pjesëve të marrëveshjes së asociimit BE-Gjeorgji, përfshirë aspektet e saj të tregtisë së lirë. Pyetja mbetet sa i përket kohës: ministrat e Jashtëm të BE-së nuk mblidhen zyrtarisht në format Këshilli deri në fund të tetorit, duke i lënë Tbilisit më shumë kohë për t’u përgjigjur. Deri atëherë, Gjeorgjia do të ketë mbajtur edhe zgjedhjet lokale më 4 tetor – një tregues tjetër i drejtimit që po merr kjo republikë e Kaukazit të Jugut.

Zbatimi i sistemit të ri të udhëtimeve

Pas shumë vonesash, më 12 tetor, Bashkimi Evropian do të nisë më në fund zbatimin e Sistemit të hyrje-daljeve (EES). Ky sistem ka rëndësi për të gjithë shtetasit që nuk janë nga vendet e BE-së dhe që udhëtojnë në 24 shtetet anëtare pjesëmarrëse (të gjitha vendet e BE-së përveç Qipros dhe Irlandës, ndërsa Danimarka mund t’i bashkohet më vonë), si dhe në katër vende joanëtare të BE-së – Norvegji, Islandë, Zvicër dhe Lihtenshtajn.

EES-i i jep fund vulosjes manuale të pasaportave dhe synon ta zëvendësojë atë me një sistem të sofistikuar teknologjik në çdo aeroport ndërkombëtar, port dhe pikë kufitare tokësore, që regjistron hyrjet, daljet, shenjat e gishtërinjve dhe imazhet e fytyrës.

Zbatimi do të bëhet gradualisht gjatë gjashtë muajve të ardhshëm. Shtetet anëtare të BE-së që kanë qendra të mëdha ndërkombëtare udhëtimi frikësohen se një nisje e menjëhershme dhe e plotë e këtij sistemi do të shkaktonte kolaps. Për një kohë të gjatë besohej se sistemi teknologjik i EES-it nuk ishte teknikisht i qëndrueshëm, por zyrtarët e BE-së tani shprehen të bindur se gjithçka është gati për funksionim.

Nëse zbatimi i plotë i EES-it përfundon në tremujorin e parë të vitit 2026, mund të pritet që edhe ETIAS-i (Sistemi Evropian për Informacion dhe Autorizim të Udhëtimit) të nisë më vonë gjatë atij viti, pasi të dy sistemet janë të ndërlidhura.

ETIAS-i është ekuivalenti i BE-së për Sistemin Elektronik të Autorizimit të Udhëtimit (ESTA) të Shteteve të Bashkuara dhe pritet të ketë ndikim të madh te udhëtarët që hyjnë në BE pa viza.

Rreth 1.4 miliard persona – përfshirë qytetarë të Britanisë së Madhe, Gjeorgjisë, Moldavisë, Ukrainës, Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor që nuk janë pjesë e BE-së – do të kenë nevojë për këtë autorizim para se të hyjnë për herë të parë në bllok. Ai do të vlejë për tre vjet dhe do të kushtojë shtatë euro.

Ku priten zgjedhje?

Këtë vjeshtë nuk priten shumë zgjedhje në Evropë, çka është diçka e rrallë. Moldavia mban një votim vendimtar në shtator, ndërsa në fund të tetorit në Holandë do të zhvillohen zgjedhje të parakohshme, ku pritet që partia populiste e djathtë PVV të dalë e para, por ka gjasa që një koalicion i qendrës së majtë dhe i të gjelbërve të formojë Qeverinë.

Ndoshta votimi më interesant do të jetë në Çeki më 3-4 tetor. Të gjitha sondazhet tregojnë se populisti Andrej Babish do të rikthehet në pushtet. Çështja kryesore për t’u ndjekur është nëse partia e tij ANO do të qeverisë e vetme, me mbështetjen e forcave edhe më radikale në të majtë dhe të djathtë të spektrit politik, apo nëse ndonjë parti nga koalicioni aktual proevropian do t’i japë mbështetje. Kjo do të përcaktojë se çfarë lloj Çekie do të paraqitet në skenën evropiane.

Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, dhe ai i Hungarisë, Viktor Orban, ka gjasa të mirëprisin një partner në Pragë, me të cilin ndajnë qëndrimet. Ndërkohë, pasi populisti Karol Nawrocki u betua së fundmi si president i Polonisë me pritshmërinë për të bllokuar legjislacionin e kryeministrit më liberal Donald Tusk, në Varshavë po qarkullojnë zëra se Qeveria e tij mund të bjerë, duke hapur rrugën për rikthimin e partisë konservatore Ligj dhe Drejtësi.

Nga e gjitha kjo po del sërish në pah një Grup i Vishegradit (V4), që ka qëndrime të ngjashme. Ky bllok prej katër vendesh të Evropës Qendrore për vite me radhë ka luajtur një rol të rëndësishëm në formësimin e politikave të BE-së. Por, për shkak të dallimeve të fundit politike, V4 kishte mbetur kryesisht një koncept pasiv. Tani, ai mund të rikthehet si një faktor, që duhet ndjekur me vëmendje.

Natyrisht, ende ka dallime – sidomos sa i përket marrëdhënieve me Rusinë – dhe Varshava vazhdon të jetë disi përjashtim, pasi pritet që Tusk të vazhdojë kursin e tij. Por, nëse Babish rikthehet këtë vjeshtë me një mandat të qartë popullor, atëherë do të kemi tre kryeqytete të Evropës Qendrore me qëndrim skeptik si ndaj Brukselit, ashtu edhe ndaj Kievit.

Kjo, sigurisht, mund të ndryshojë sërish kur Hungaria të mbajë zgjedhjet e shumëpritura parlamentare në pranverën e vitit 2026, por në një moment kyç për Evropën, vendet e Vishegradit mund të shndërrohen në një burim surprizash të mëdha për zhvillimet që do të vijnë./REL

bashkimi evropian

Sondazh

Poll

Pas më shumë se katër orësh, qytetarët vijojnë protestën rrugëve të Kryeqytetit

Pas më shumë se katër orësh, qytetarët vijojnë protestën rrugëve të Kryeqytetit

Gjesti i veçantë i protestuesit, u dhuron lule efektivëve në shenjë solidariteti për policin e vrarë

Pas tre orësh protestë, turma vijon qëndresën: Dorëheqje!

Prej më shumë se tre orësh para Kryeministrisë, protestuesit ndezin flakadanë

"Kush s'kërcen nuk është shqiptar o hej"/ PAMJE me dron nga protesta madhështore për Zvërnecin

Thirrja e qytetarit të Rrjollit: Hajde rini, merre situatën në dorë dhe drejto vendin

Me flamuj dhe pankarta në duar, qytetarët e Durrësit sërish protestë për projektin në Zvërnec

Tentoi të futej në Kryeministri, protestuesja bën simbolin e shqiponjës

"Ne i duam parqet, lodrat, natyrën"/ Vogëlushi në protestë thirrje: Mbrojini për ne!

Protesta kundër projektit në Zvërnec/ Brohoret turma: Edi Rama o tradhtar, duhet lidhur me litar

Protesta për Zvërnecin, qytetarë mbajnë 1 minutë heshtje për efektivin e vrarë në krye të detyrës

"Ruani qetësinë, Ramën ta zhdukim me të mirë"/ Tensione në protestën kundër projektit në Zvërnec

PAMJE nga protesta madhështore kundër projektit në Zvërnec/ Oshëtin bulevardi: O pallosh o zagar

Mijëra protestues në shesh thirrje ndaj kryeministrit Rama: Duam dorëheqje

Protesta për Zvërnecin, babai i Martin Canit i bashkohet protestuesve në shesh

Mijëra qytetarë në Bulevard/ Thirrje kundër Ramës dhe Berishës: U ka ardhur fundi, në burg

Balla nga Kuvendi: Greqia u ka borxh shqiptarëve marrëveshjen për pensionet

Dita e 5-të e protestës për Zvërnecin/ Nis marshimi drejt bulevardit: Revolucion

Balla ‘thumbon’ Berishën: U trembe nga protestuesit që erdhën te selia e PD-së dhe ndryshove qëndrim

"Na keni ça k***"/ Noizy shpërthen keq ndaj protestuesve: Nuk po e shet njeri Shqipërinë!

'Zvërneci'/ Berisha: Ju jeni mafie si në Beograd. Të gjitha dokumentet ju i shumëzoni me zero

Berisha: Pse e fshihni kreun e Meduzës. Tokat në Zvërnec i ka rrëmbyer Pjerini nga Lezha dhe Agaçi

Reperi Gashi mbështet protestat për Zvërnecin: Fëmijët tanë nuk janë mysafir në tokën e tyre

Këngëtarja Bebe Rexha vlerësohet me cmimin “Female Icon Award 2026”

Banorët dhe pushuesit përballen me fenomenin e pazakontë në Ksamil

"Ktheni ligjin për investimet strategjike" Bozdo në Kuvend: Betonizuat bregdetin e jugut...

Përplasje e ashpër mes Strazimirit e Muçit: Të rinjtë po protestojnë kundër jush, mbani përgjegjësi

"Marksist-leninist i vogël'! Përplasje e ashpër mes Strazimirit e Muçit:

Ngjarja e rëndë në Maliq/ Autori transportohet drejt Tiranës, familjarët: Çfarë i bëre?!

Berisha: Xhelati Rama u vë protestuesve paqësorë, topat e ujit që gjuajtën edhe foshnjën në karrocë

Berisha-Piro Vengut: Dezertove nga ushtria dhe mashtrove se je pasardhës i Marko Boçarit

Fshihej në një zonë të pyllëzuar, ja vendi ku u gjet autori i ngjarjes në Maliq

"Rama do organizojnë antimiting në Vlorë", Balla i përgjigjet Berishës: Kemi festën e PS!

Bido i kthehet opozitës: Ku ishit ju më 30 maj që nuk folët për Zvërvecin?

“Keni paralajmëruar anti-miting në Vlorë”, Berisha thirrje Ramës: Anuloje, është praktikë fashiste

Deputeti i “Lëvizjes Bashkë”: Rendi i ditës së sotme është kërkesa për dorëheqjen e qeverisë

U plagos në operacionin për kapjen e një personi në kërkim, mbërrin te Trauma polici

Vrasja e efektivit të Policisë në Korçë, Kuvendi nis me një minutë heshtje

Vrau një efektiv dhe plagosi një tjetër, mbërrin në spital autori

Reshjet përmbytin rrugët e Shëngjinit, vështirësi në qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve

Qytetarët nisen sërish drejt kryeministrisë, me flamurin kuq e zi dhe brohorima vazhdojnë protestën

Protestuesit marshojnë drejt zonës së Bllokut, qytetarët e tjerë nuk iu bashkohen #dosja #protesta

Protesta nuk ka të ndalur, qyetarët bllokojnë rrugën te Ura e Tajvanit, thirrje në kor policëve

Nga Sheshi tek Banka, qytetarët bllokojnë rrugën: Edi Rama ka mbaru

Qytetarët nuk ndalen në protestë/ Bllokojnë rrugën te selia e PS-së, ulen në gjunjë

Vazhdon protesta për Zvërnëcin/ Protestuesit ngren nga kafet qytetarët te Opera

E mbuluar me flamurin kuq e zi, e reja shfaqet me foshnjën në krah gjatë protestës

"Edi Rama jep dorëheqjen/E reja nga protesta:Ka ardhur koha të shkosh me Berishën te Veliaj dhe Meta

Qytetarët protestë në Vlorë për Zvërnecin, me pankarta në duar marshojnë drejt Sheshit të Flamurit

Dy orë protestë, bulevardi plot qytetarë ndriçohet nga blicat e telefonave: Jep dorëheqje