LIVE UPDATES
Bota

Serbia dhe Bosnje e Hercegovina vazhdojnë hetimet për kampet paramilitare ruse

Autoritetet moldaviane kanë deklaruar dy herë se në vendet e Ballkanit Perëndimor, janë organizuar trajnime për destabilizim, të cilat, sipas tyre, janë koordinuar nga Rusia.

11 Shkurt 2026, 08:31 Nga D.S
Serbia dhe Bosnje e Hercegovina vazhdojnë hetimet për kampet
Kampi i dyshuar rus për trajnim luftarak dhe taktik në Serbi

Serbia dhe Bosnje e Hercegovina vazhdojnë hetimet lidhur me pretendimet për ekzistencën e kampeve paramilitare ruse për trajnim luftarak dhe taktik, të cilat dyshohet se kanë pasur për qëllim nxitjen e trazirave në Moldavi.

Në Serbi, hetimet vazhdojnë për një kamp që u zbulua në shtator të vitit 2025, në një objekt hotelerie të quajtur “Sunçana reka”, pranë lumit Drina, në perëndim të vendit. Dy persona të dyshuar në këtë rast janë liruar nga paraburgimi.

Autoritetet në Bosnje e Hercegovinë, gjithashtu, kanë hapur një rast për trajnimet që dyshohet se janë mbajtur në territorin e këtij vendi gjatë vitit 2024. E, për organizimin e këtyre trajnimeve në Bosnje dhe në Serbi gjatë vitit 2024, një gjykatë në Moldavi ka dënuar tre persona.

Autoritetet moldaviane kanë deklaruar dy herë se në vendet e Ballkanit Perëndimor, janë organizuar trajnime për destabilizim, të cilat, sipas tyre, janë koordinuar nga Rusia.

Herën e parë, përpara zgjedhjeve presidenciale dhe referendumit për anëtarësimin e Moldavisë në Bashkimin Evropian në vitin 2024, ato kanë thënë se trajnimet janë drejtuar nga persona të lidhur me grupet mercenare ruse, Ferma dhe Wagner.

Herën e dytë, në shtator të vitit 2025, pak para zgjedhjeve parlamentare, në të cilat forcat proevropiane kanë fituar shumicën, autoritetet moldaviane kanë thënë se shumica e të dyshuarve janë trajnuar në Serbi, në kuadër të një plani që pretendohet të jetë koordinuar nga Rusia.

Disa ditë pas këtyre pretendimeve, autoritetet në Serbi kanë arrestuar dy shtetas serbë.

Në komunikatat zyrtare të Policisë dhe Prokurorisë së Serbisë nuk është përmendur Rusia, por presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se autoritetet kanë konstatuar praninë e tre shtetasve rusë në një kamp.

Pas arrestimeve, disa banorë lokalë i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se personat nga kampi, kanë vizituar dyqanet e zonës, kanë folur kryesisht rusisht dhe se, fillimisht, është menduar se janë sportistë.

Rusia e ka mohuar ndërhyrjen në procesin zgjedhor në Moldavi, ndërsa kjo e fundit e akuzon atë për luftë hibride, përfshirë fushatën e dezinformimit dhe financimin e paligjshëm të partive proruse.

Rasti i kampit për trajnim luftarak-taktik të shtetasve të Moldavisë dhe Rumanisë, i zbuluar në perëndim të Serbisë në shtator të vitit 2025, është ende në fazën e hetimeve.

“Personat e dyshuar janë marrë në pyetje, dëshmitarët janë intervistuar dhe aktualisht po kryhen ekspertizat e nevojshme”, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë Prokuroria e Lartë Publike në Shabac.

Prokuroria po zhvillon hetime ndaj dy të pandehurve: Llazar Popoviq nga Beogradi dhe Savo Stevanoviq nga Lloznica.

Sipas Gjykatës së Lartë në Shabac, më 6 shkurt, Popoviqit i është zëvendësuar paraburgimi me masë garancie, ndërsa Stevanoviq është liruar më 17 tetor, pas marrjes në pyetje të dëshmitarëve.

Branisllav Maniq, ish-avokat mbrojtës i Popoviqit, ka deklaruar më herët për BIRN-in se Popoviq, gjatë marrjes në pyetje nga policia, është mbrojtur me heshtje.

Në përgjigjen e Gjykatës së Lartë thuhet se prokuroria i ngarkon të pandehurit me veprën penale të organizimit të pjesëmarrjes në luftë ose konflikt të armatosur.

Për këtë vepër penale parashihet dënim me burg nga dy deri në dhjetë vjet.

Avokati i Stevanoviqit, Miodrag Terziq, ka deklaruar se ai i ka mohuar akuzat me të cilat ngarkohet.

Terziq ka thënë për Radion Evropa e Lirë se “mbrojtja konsideron se nuk ekziston asnjë provë” kundër Stevanoviqit.

“Ai vetëm dy ose tri herë ka qenë në objektin ‘Sunçana reka’, në mënyrë krejt joformale, për kafe me miqtë”, ka thënë Terziq.

Sipas tij, aty është takuar edhe me të dyshuarin kryesor, Llazar Popoviq, të cilin e ka pasur mik.

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, pas arrestimit të Popoviqit dhe Stevanoviqit, ka njoftuar se dyshohet se trajnimi luftarak-taktik që ata kanë organizuar, ka pasur për qëllim ofrimin e rezistencës fizike ndaj Policisë së Moldavisë, në rast të trazirave gjatë ditës së zgjedhjeve.

Sipas këtyre pretendimeve, dyshohet se Popoviq ka organizuar dhe financuar trajnimin, ndërsa Stevanoviq akuzohet se e ka ndihmuar atë në realizimin e tij.

Sipas dyshimeve, trajnimi është zhvilluar në periudhën nga 16 korriku deri më 12 shtator dhe ka përfshirë nga 150 deri në 170 shtetas të Moldavisë dhe Rumanisë.

Llazar Popoviq ka qenë këshilltar i ish-ministrit prorus të Inovacionit në Serbi, Nenad Popoviq, ndërsa Savo Stevanoviq fillimisht ka qenë anëtar i Partisë Popullore Serbe (SNP) të Popoviqit, e më pas i partisë “Zdrava Srbija”, e cila është pjesë e koalicionit qeverisës.

Prokuroria e Bosnje e Hercegovinës ka hapur në verën e vitit 2025 një rast lidhur me trajnimet që janë mbajtur në territorin e saj gjatë vitit 2024, por deri tani nuk janë bërë të ditura detaje të tjera.

Prokuroria i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ka pranuar një pjesë të dokumentacionit nga Moldavia, si përgjigje ndaj kërkesës për informacione.

“Pas një periudhe të gjatë, kemi disa dokumente të caktuara nga Moldavia, të cilat janë dërguar për përkthim, në mënyrë që të analizohen në detaje. Pastaj, do të vendoset për hapat e mëtejshëm”, thuhet në deklaratë.

Në aktgjykimin e gjykatës në Kishinjev nuk përmenden në mënyrë të drejtpërdrejtë shtetas të Bosnje e Hercegovinës që kanë marrë pjesë në këto aktivitete.

Mediat në Serbi kanë raportuar në tetor të vitit 2024 se Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit (BIA), në bashkëpunim me policinë, ka ndërprerë disa aktivitete të paligjshme në një pronë pranë Kuçevës, në verilindje të Serbisë.

Sipas këtyre raportimeve, në atë lokacion janë gjetur, ndër të tjera, katër dronë me pajisje përcjellëse, pajisje për kapjen e dronëve, pajisje “Starlink” për vendosjen e komunikimit satelitor, radiolidhje, fosfor dhe lëngje të tjera që ndizen, si dhe orë që - me shumë gjasa - janë përdorur për aktivizimin e materialeve ndezëse.

BIA dhe Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë nuk u janë përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me pretendimet për kampet e trajnimit, të organizuara në Serbi gjatë vitit 2024.

Sipas aktgjykimit të gjykatës në Kishinjev, një pjesë e përgatitjeve për trazira të dhunshme në Moldavi është zhvilluar jashtë territorit të këtij vendi, konkretisht në Bosnje e Hercegovinë.

Vendimi gjyqësor tregon se trajnimet janë mbajtur kryesisht në Bosnje e Hercegovinë gjatë vitit 2024, ndërsa Serbia ka shërbyer si vend transiti për pjesëmarrësit.

Më 6 shkurt, gjykata në Kishinjev ka dënuar me burg Aliona Gotcon, Ludmila Costencon dhe Vladimir Harcevnicovin për pjesëmarrje në një grup të organizuar kriminal që, gjatë vitit 2024, ka planifikuar dhe përgatitur trazira masive të dhunshme në Moldavi.

Këto aktivitete kanë përfshirë trajnime dhe mbështetje logjistike, të realizuara jashtë vendit.

Sipas aktgjykimit, Bosnje e Hercegovina ka pasur rol qendror si vend trajnimi, me aktivitete të zhvilluara në disa lokacione.

Dokumentet gjyqësore përmendin konkretisht zonën e Gllamoçanit, ku është ngritur një kamp i improvizuar në një territor pyjor dhe të izoluar, i përbërë nga baraka dhe tenda.

Kampi ndodhej jashtë zonave të banuara, pa shenja publike dhe pa të dhëna për pronësinë e tokës.

Në aktgjykim, gjykata nuk ka specifikuar se kujt i përket hapësira e shfrytëzuar.

Sipas dëshmive, pjesëmarrësit kanë udhëtuar drejt Bosnje e Hercegovinës në mënyrë të organizuar, kryesisht përmes Serbisë.

Ata, fillimisht, vendoseshin në Banjallukë dhe më pas transportoheshin me automjete drejt një zone pyjore ku ndodhej kampi.

Transporti realizohej nga persona që flisnin gjuhën ruse, ndërsa një pjesë e tyre, sipas dëshmive, ishin me origjinë bullgare.

Gjykata ka konstatuar se Aliona Gotco, Ludmila Costenco dhe Vladimir Harcevnicov kanë qëndruar disa herë në Bosnje e Hercegovinë, nga fillimi i gushtit deri në mesin e tetorit 2024, ku kanë marrë pjesë në trajnime teorike dhe praktike.

Sipas aktgjykimit, trajnimet kanë përfshirë përdorimin e dronëve FPV, lidhjen e tyre me qendra komanduese, zbulimin ajror në kuadër të grupeve sulmuese, si dhe simulime të hedhjes së mjeteve shpërthyese përmes dronëve.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës në Kishinjev dhe dëshmive të dëshmitarëve, Serbia përmendet si një nga vendet ku anëtarët e grupit kanë qëndruar dhe kanë bërë trajnime, por edhe si pikë transiti në itinerarin Moldavi - Serbi - Bosnje e Hercegovinë.

Gjykata ka konstatuar se të dënuarit, si dhe persona të tjerë të përfshirë, kanë udhëtuar përmes Serbisë gjatë shkuarjes në trajnime dhe se gjatë vitit 2024 janë ndalur disa herë në këtë vend.

Edhe pse aktgjykimi nuk specifikon lokacione të sakta në Serbi, as qytete apo adresa, Serbia trajtohet si pjesë e zinxhirit logjistik dhe operacional, ku anëtarët e grupit mblidheshin, pushonin, riorganizoheshin dhe vazhdonin komunikimin me koordinatorë jashtë vendit.

Sipas dëshmive, gjatë qëndrimit në Serbi, ata kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me shtetasin rus, Vladimir Firsov, i cili u jepte udhëzime të mëtejshme dhe i informonte se destinacioni përfundimtar është Bosnje e Hercegovina.

Gjatë bastisjeve, te të pandehurit janë gjetur kartëmonedha në dinarë serbë, si dhe pajisje dhe dokumente që konfirmojnë lëvizjen dhe qëndrimin e tyre në Serbi.

Aktgjykimi thekson se Serbia është përdorur si vend transiti për hyrje në Bosnje e Hercegovinë, por edhe si rrugë për kthim.

Gjykata përfundon se Serbia ka pasur rol në një pjesë të trajnimeve, ndërsa Bosnje e Hercegovina ka qenë lokacioni qendror për trajnimet intensive, veçanërisht në përdorimin e dronëve dhe në taktikat e veprimeve të dhunshme.

Në këtë aktgjykim nuk përmenden shtetas të Serbisë si pjesëmarrës në trajnime apo si ndihmës në transportin e pjesëmarrësve nga Moldavia.

Vendimi është marrë në shkallë të parë dhe të pandehurit nuk kanë qenë të pranishëm gjatë shpalljes së dënimit.

Gjykata ka urdhëruar ndalimin e tyre për ekzekutimin e dënimit, por kundër aktgjykimit mund të bëhet ankesë.

Gjatë zhvillimit të këtij procesi gjyqësor, Prokuroria e Moldavisë ka ngritur aktakuza edhe ndaj disa personave të tjerë të lidhur me trajnimet për nxitjen e trazirave.

Në fillim të dhjetorit 2025, autoritetet moldaviane kanë kryer rreth 50 bastisje në disa lokacione në vend dhe kanë gjetur prova se një grup i organizuar, i trajnuar më herët në një kamp në Serbi, dyshohet se ka planifikuar trazira në Moldavi.

Për ndikimin rus në Serbi ka paralajmëruar edhe Bashkimi Evropian në raportet e tij.

Serbia, përndryshe, është vend kandidat për anëtarësim në BE.

Serbia, si dhe entiteti i Bosnje e Hercegovinës, Republika Sërpska, kanë mbetur ndër partnerët e rrallë evropianë të Kremlinit edhe pas pushtimit rus të Ukrainës dhe vendosjes së sanksioneve perëndimore.

Beogradi dhe Moska kanë vazhduar bashkëpunimin në fushën e inteligjencës - gjë që reflektohet edhe në takimet e rregullta të drejtuesve të shërbimeve sekrete të të dyja vendeve./REL

serbia bosnje hercegovina

Sondazh

Poll

Kryeministri Rama kryen nderimet në homazhet për gazetarin Enrik Mehmeti

Kryeministri Rama kryen nderimet në homazhet për gazetarin Enrik Mehmeti

Emigrantët bllokohen në pikën kufitare mes Kroacisë dhe Serbisë, kërkojnë informacion

Pesë turistë gjermanë mbetën të bllokuar në Karaburun, ekipet e shpëtimit bënë të mundur gjetjen

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Fëmijët e birësuar të Brad Pitt nisin procedurat për të mos mbajtur mbiemrin e të atit

Ish-drejtoresha e filialit të Postës së Durrësit u la në burg/ Avokati: Vendim absurd

Kuvendi Kombëtar i Protestës/ Folëses i merret mikrofoni nga dora: Edi Rama të japë dorëheqjen

Tentoi te merrte pjesë në Kuvendin Kombëtar të protestës/Selami Jenisherin nxirret jashtë

Berisha: Do bëjmë gjithçka për të paraqitur realitetin shqiptar pranë Komisionit Evropian

Falja e pronave publike në Dhërmi e Palasë/ Berisha: PD nuk do i njohë kurrë këto vendime të Ramës

Berisha: Rama nuk e dënon ministren monstër të Beogradit sepse është vasal i Vuçiçit

Berisha: Ftoj çdo demokrat që të marrë pjesë në protestë dhe të bëjë gjithçka për suksesin e saj

Berisha: Ky është procesi më i thellë i ripërtëritjes së PD që nga themelimi i saj!

“Neomalsorja” i bashkohet protestës së 49-të para Kryeministrisë: Rezistenca e qytetarëve nuk ndalet

Regjisori krijues i Star Wars mbështet Inteligjencën Artificiale

Rama: Deri në 1 mld euro mbështetje për bizneset, kredi deri në 2 milionë euro me interesa të ulëta

Rama i kthehet biznesmenit: Në Shqipëri ka para të pista, por s'mund t'i veshim këtë kostum vendit

Rama i përgjigjet komentuesve: Ka qeveri që bëjnë punë të mira, ka që bëjnë të këqija

Dyfisho sipërmarrjen tënde/ Rama: Cikël takimesh me bizneset e interesuara

Moment paniku në Theth! Guri bie mbi makinë, turistët shpëtojnë pa lëndime

Përfaqësuesi i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve:Dua të përcjell mbështetjen e profesoratit

Plagosja me thikë te Poliklinika e Shkodrës, dalin pamjet e rënda!

Si po ecën marrëdhënia mes Ariana Grande dhe ish të dashurit të saj pas ndarjes me Ethan Slater?

Nuk më pëlqen ta ekspozoj jetën time, Benny Blanco rrëfen si po mësohet me jetën e Selena Gomez

Edi Rama përmend vrasjen e Martin Canit: E kujtoj çdo ditë, ata që e përdorën për politikë e harruan

Rama: Kemi hyrë në zemër të problemit, djegia e makinës pas krimit nuk mund të ndodh më

Kush është modelja që u bë virale për ngjashmërinë me futbollistin Erling Haaland?

Kujtimet tona do të jetojnë gjithmonë, mesazhi i Donatella Versace për të vëllain Gianni Versace

Berisha: Dënoj heshtjen prej vasali të qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së ministres së Vuçiçit

Berisha: Drejtimi i PD është ripërtërirë me personalitete ndër më të shquarit në fushat e tyre

Berisha uron drejtuesit e rinj të PD: Vota e lirë në themel të kësaj force politike

Çfarë detajesh tërhoqën vëmëndjen në festimet e ditëlindjes së Jennifer Lopez në Paris?

Salla: Fermeri do ta shohë prodhimin edhe si aset për financim

Përplasje e ashpër në Kuvend/ Bido: Populizëm që dëmton Kosovën

Tentoi të transportonte pistoleta! Kapet në tunelin e Skërficës, 31-vjeçari

Ndryshimet në "Ligjin për Turizmin", Balla: Pezullohen punimet në bregdet gjatë sezonit turistik

Balla mbron Ramën nga Redi Muçi: Lani gojën kur t'i përmendni emrin

Deklarata diskriminuese e ministres serbe/ Muçi akuzon Ramën për heshtje: Çfarë pret kryeministri?

Spiropali dërgon në Asamblenë e PS mocionin për hapjen e partisë

Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, ‘blindohet’ me autobotë uji dhe forca të shumta policore

Ilirjana Kuçana akuzon lidershipin për shkelje të Statutit dhe "Mulizim" të partisë

Protestuesja: Shqipëria nuk e përmban dot një koncert si të Kanye West, vendi ynë ka marrë fund

Thirrjet për Ramën, protestuesi: Traumë për fëmijët të thonë Rama jep dorëheqjen

Dita 46-të e protestës/ Protestuesi: Sali Berisha dhe Edi Rama të thyejnë qafën

Protesta qytetare bën bashkë shqipëtarë nga çdo krahinë, valëviten flamujt nga diaspora

Protesta e 46-të/ Mbyllen fjalimet para Kryeministrisë, nis marshimi rrugëve të Tiranës

PD ndërpret sinjalin për median/ Anëtarja e Këshillit Kombëtar përplaset me Berishën

Berisha prezanton emrat: PD do të ketë nënkryetar nga diaspora dhe rinia

Berisha: Gjenerata Z dhe qytetarët i hapën varrin narkodiktaturës dhe do ta marrin me vete

Berisha: Protesta 46-ditore që vazhdon është tërësisht antidiktatoriale