LIVE UPDATES
Ekonomi

"Në vorbullën e tarifave amerikane!" Analiza: Si do të ndikojë taksa 10% për Shqipërinë, nga efektet makroekonomike e deri te sektorët e eksportit

Si do të ndikojë tarifa 10% për Shqipërinë, nga efektet makroekonomike e deri te sektorët e eksportit të bimëve mjekësore – erëzave, çelikut dhe gizës dhe produkteve të peshkut. Sektorët janë nën trysninë e marrjes së masave për rritje çmimesh dhe rinegocimit të kontratave. Cilat janë tregjet ku kanë nisur të ndihen ndikimet e para pozitive pas aplikimit të tarifave?

26 Prill 2025, 07:44 Nga M.B
"Në vorbullën e tarifave amerikane!" Analiza: Si do të
Foto ilustruese

TIRANA- Edhe pse tarifa 10% mbi eksportet drejt SHBA-së përbën një zhvillim të rëndësishëm për disa sektorë të eksporteve, sipas ekspertëve, në tërësi, nuk pritet të ketë ndikim të gjerë në ekonominë shqiptare. Selami Xhepa, profesor i ekonomisë, vlerëson se vlerat e eksporteve janë të ulëta në krahasim me totalin e tregtisë së jashtme të vendit. Për rrjedhojë, efektet makroekonomike do të jenë të kufizuara, por të ndjeshme për sektorin e bimëve mjekësore.

“Vendimi nuk pritet të ketë efekte makroekonomike te sektorët eksportues, pasi pesha e tyre është e vogël në totalin e eksporteve shqiptare drejt shteteve të huaja. Përjashtuar eksportuesit e bimëve mjekësore dhe erëzave, që do të detyrohen të rishikojnë kontratat e tyre, për shkak të ndryshimeve të çmimeve. Në sektorë të tjerë nuk pritet të ketë efekte në nivelin makro”.

Në totalin e eksporteve shqiptare drejt shteteve, ato drejt SHBA-së zunë 1,8% të peshës. Eksportet janë të orientuara kryesisht drejt tregjeve europiane dhe rajonale. Në vitin 2024, sipas INSTAT, 44% e eksporteve u përqendruan drejt Italisë, 10% drejt Kosovës, 6% drejt Gjermanisë. Pesha e eksporteve drejt Spanjës dhe Maqedonisë së Veriut për secilin shtet ishte 3%. Pas vendimit të 5 prillit 2025 për vendosjen e tarifave për mallrat që do të hyjnë drejt SHBA-së, katër ditë më vonë, më 9 prill, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, shpalli pezullimin 90-ditor të tarifave tregtare për shumicën e vendeve partnere.

Vendimi erdhi si reagim ndaj presionit ndërkombëtar dhe frikës së rritjes së pasigurisë në tregjet financiare globale. Pezullimi solli uljen e tarifave në nivelin 10% për një sërë vendesh, përfshirë shtetet e Bashkimit Europian, Japoninë dhe disa vende të Azisë Juglindore, ndërkohë që tarifat për Kinën u rritën në 125%. Megjithatë, Shqipëria nuk përfitoi nga ky pezullim. Tarifa prej 10% ndaj eksporteve shqiptare drejt SHBA-së, e vendosur më 5 prill, mbeti në fuqi.

Eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa, pohon se në tërësi, politika e vendosjes së tarifave për mallrat tregtare me destinacion tregun amerikan është një luftë tregtare e paprecedentë, që pritet të ndikojë te konsumatori. Zoti Xhepa thotë se efektet e para u reflektuan te tregjet financiare globale.

“Kjo është një luftë tregtare e paprecedentë, nuk kishte ndodhur ndonjëherë në botën moderne. Efektet e para janë dhënë te tregjet financiare, të cilat janë shkatërruar, në pamundësi për të investuar. Por faturën e kësaj lufte tregtare do ta paguajë konsumatori”, pohon ai.

Perspektiva dhe sfidat për eksportuesit e bimëve mjekësore dhe erëzave

Vendimi i administratës amerikane për të mbajtur në fuqi tarifën 10% ndaj eksporteve shqiptare drejt SHBA-së pritet të ndikojë negativisht dhe pozitivisht në volumin tregtar te përfaqësuesit e kompanive eksportuese. Në total, në vitin 2024, nga Shqipëria u eksportuan drejt SHBA-së 7 miliardë lekë mallra tregtarë. Krahasuar me 2023, eksportet ranë me rreth 28%. Sipas të dhënave të INSTAT, për vitin 2024, eksportet shqiptare drejt SHBA-së u dominuan nga dy grupe kryesore: bimët mjekësore dhe produktet metalike si çeliku dhe giza.

Grupi i mallrave “Farat vajore, bimët industriale apo mjekësore dhe ushqimi për kafshët” zuri 23% të totalit të eksporteve shqiptare drejt SHBA-së, me një vlerë prej 1,6 miliardë lekësh. Krahasuar me vitin 2023, eksportet u ulën me 18%, duke reflektuar efektet e zhvlerësimit të valutave. Një nga sektorët më të ndikuar nga vendosja e tarifës 10% pritet të jetë ai i bimëve mjekësore dhe erëzave, të cilat janë ndër produktet më të kërkuara të eksportit shqiptar drejt SHBA-së. Eksportuesit e bimëve mjekësore dhe erëzave pohojnë se rritja e kostove dhe rënia e konkurrueshmërisë në tregun amerikan prej tarifës 10%, brenda dy-tre muajsh do t’i detyrojë të rishikojnë strategjitë e tyre të eksportit.

Kompania “Albanian Herb” eksporton çdo vit rreth 4 milionë USD bimë mjekësore si sherbelë, rigon dhe trumzë në tregun amerikan. Në vitet më të mira, kjo vlerë ka arritur edhe në 5 deri në 6 milionë USD. Eksportet realizohen indirekt, nëpërmjet filialit të kompanisë amerikane në Turqi, që operon me markën “Join Inventure”. Sipas administratorit të kompanisë, Kujtim Zere, tarifa prej 10% është një kosto e re për biznesin, që do të reflektohet në rritje të çmimeve për blerësit amerikanë. Ai thotë se aktualisht, çmimet e shitjes janë të ulëta, sidomos për sherbelën, të ndikuara edhe nga stoku i pashitur që ka mbetur nga sezoni i kaluar.

“Me përfundimin e këtij stoku në fund të verës dhe rënien e prodhimit në terren, çmimi i sherbelës pritet të rritet me 10% nga fermeri, njësoj si edhe nga eksportuesi, për të përballuar tarifën e re. Kjo situatë pritet të shkaktojë rishikim të kontratave me kompanitë amerikane, të cilat do të duhet të zgjedhin mes ruajtjes së kërkesës dhe kompensimit të kostove të reja.

Edhe pse kërkesa në SHBA nuk pritet të bjerë ndjeshëm, produktet me çmim të lartë si sherbela, trumza dhe rigoni rrezikojnë të zëvendësohen nga alternativa më të lira ushqimore, gjë që mund të ulë përfitimin dhe të rrisin pasigurinë për eksportuesit shqiptarë”, thotë ai.

SHBA është tregu kryesor për eksportin e bimëve mjekësore nga Shqipëria, me 32% të totalit të shitjeve në 2024-n. Tregu i dytë është Gjermania, me 23% të totalit, por një pjesë e konsiderueshme sërish rieksportohet në SHBA. Drejt Gjermanisë u eksportuan 11.8 milionë euro bimë mjekësore në 2024-n. Tregu i tretë është Spanja, me 7% të totalit, ndjekur nga Turqia, me 5%. Në total, nga Shqipëria u eksportuan 5,1 miliardë lekë bimë mjekësore (rreth 51 milionë euro) në vitin 2024, rreth 1,4% e totalit të eksporteve në vend.

A do të ketë ndikim në sektorin e metaleve – çeliku dhe giza

Nga ana tjetër, grupi i eksporteve të “gizës dhe çelikut” për vitin 2024 arriti në 2,9 miliardë lekë, duke përfaqësuar 41% të totalit të eksporteve shqiptare drejt SHBA-së. Megjithatë, edhe ky grup pësoi rënie të ndjeshme prej 47% krahasuar me vitin paraardhës, kryesisht si pasojë e rënies së kërkesës globale dhe uljes së prodhimit nga përpunuesit ndërkombëtarë të metaleve.

Kompania “Albchrome”, eksportuesi më i madh i ferrokromit drejt SHBA, një nga produktet kyçe në industrinë e çelikut, pohoi për “Monitor” se aktualisht nuk është prekur nga tarifa 10%, pasi ferrokromi është përfshirë në listën e “materialeve kritike” të SHBA-së dhe përjashtohet nga taksimi i ri.

Sidoqoftë, rënia e kërkesës globale, sidomos nga prodhuesit e çelikut inoks, ka sjellë për pasojë edhe rënien e kërkesës për ferrokromin shqiptar. Për vitin 2024, eksportet e grupit në shtetet e tjera ishin në vlerën e 28,8 miliardë lekëve. Krahasuar me 2023, eksportet e grupit ranë me 36,4%. Eksportet shqiptare të këtij grupi janë përqendruar kryesisht në tregun rajonal dhe atë europian, me Kosovën që përbën 31% të eksporteve, ndjekur nga Maqedonia e Veriut (12%), SHBA (10%) dhe Italia (9%).

Nevoja për mbështetje

Situata e krijuar pas vendimit të administratës amerikane për tarifat tregoi se ekonomia shqiptare mbetet e ekspozuar ndaj politikave tregtare ndërkombëtare. Përballë një realiteti të ri tregtar, sipas Shoqatës së Eksportuesve të Bimëve Mjekësore, institucionet shtetërore duhet të rishikojnë politikat e mbështetjes për eksportuesit, nëpërmjet subvencioneve apo lehtësi fiskale.

Më herët, kryetari i Shoqatës së Eksportuesve të Bimëve Mjekësore dhe Aromatike, Filip Gjoka, rekomandoi një paketë masash në ndihmë të sektorit, që nga rimbursimi i menjëhershëm 10% TVSH për të gjithë fermerët në sektor; kompensimi i zhvlerësimit të Euro/Dollar nëpërmjet një kursi të stabilizuar fiks, siç bëjnë Serbia dhe Maqedonia e Veriut; zbritje tatimore për kompanitë eksportuese që përdorin standarde cilësore të larta; Heqje e tatimit mbi pagat deri në 80,000 lekë për punonjësit sezonalë dhe të paguhen nga qeveria kontributet e sigurimeve shoqërore për pesë muaj gjatë sezonit të grumbullimit.

“Nga zero që është aktualisht, çdo ngarkesë drejt SHBA do të ketë një tarifë doganore prej 10%, që rrjedhimisht krijon një tjetër vështirësi për industrinë tonë. Nisur nga kjo situatë, IBMA i bën thirrje qeverisë shqiptare që të ngrejë një grup pune me përfaqësues nga Ministria e Bujqësisë dhe Ministria e Financave për të hartuar një plan emergjent masash për stabilizimin e sektorit për të zbutur efektin negativ”, pohoi ai.

Kujtim Zere, administratori i kompanisë “Albanian Herb”, gjithashtu thotë se masa kryesore për zbutjen e efekteve në tregtinë me SHBA është rimbursimi i menjëhershëm 10% TVSH për të gjithë fermerët në sektor. Ndërsa zoti Gjergj Luca tha se potencialet për zhvillimin e sektorit të akuakulturës janë jashtëzakonisht të mëdha, por vijohet të hasen probleme në eksportin e produkteve të përpunuara drejt tregjeve të Bashkimit Europian, për shkak të legjislacionit të BE-së. Ai sjell në vëmendje situatën e bllokimit të eksporteve të karkalecit ekuadorian që prej një viti nga Shqipëria drejt BE-së, për shkak të legjislacionit dhe nivelit të ulët të kuotave të lejuara me taksë zero për eksportin e açuges.

“Prej një viti, Shqipëria nuk arrin të eksportojë drejt BE-së karkalecin ekuadorian të përpunuar. Shkak është mosbotimi nga BE në Fletoren Zyrtare të ndryshimeve ligjore për lejimin e eksportit, pas situatës së krijuar më parë për këtë produkt”.

Po ashtu, sipas zotit Luca, në industri vijojnë të mbeten problem kuotat e ulëta të açuges. Në kuadër të marrëveshjes tregtare me BE-në, industria shqiptare e përpunimit të peshkut mund të eksportojë drejt Europës rreth 1600 tonë peshk të përpunuar në vit, açuge të konservuar.

Për shkak të zgjerimit të kësaj industrie, prej vitesh kuotat e lejuara për eksport nga operatorët plotësohen brenda tre muajve. Pas plotësimit të kuotave, produktet taksohen me 25% të vlerës. Për një dërgesë në vlerën 200 mijë euro, eksportuesit shqiptarë do t’i kushtojë 50 mijë euro taksa doganore. Nga Ministria e Bujqësisë, gjatë këtyre viteve është negociuar me KE për ta trajtuar si çështje teknike si zgjidhje më e shpejtë, por nuk është gjetur mirëkuptimi. “Açuget eksportohen në kavanoza në vaj, ku vaji përbën gati 50% të sasisë e cila llogaritet në peshën e kuotës.

Nga ana jonë, një nga propozimet ishte që të llogaritej vetëm pesha e peshkut (pa vaj) gjë që sillte dyfishim të kuotës, por kjo nuk u pranua”, pohoi më herët Ministria e Bujqësisë. Negocimi i marrëveshjes të MSA është e vetmja mënyrë për të zgjidhur problemin me përfundimin e kuotave të lejuara të eksportit, pasi problemi ka lindur që me firmosjen e saj në vitin 2005.

Tarifimi i ri i SHBA ndaj importeve dhe pozicioni i Shqipërisë

Më 5 prill 2025, administrata e Presidentit Donald Trump vendosi tarifa të reja tregtare për importet nga dhjetëra vende, si pjesë e një strategjie të re me qëllim mbrojtjen e industrisë vendase amerikane. Vendimi përfshinte edhe Shqipërinë, ku për herë të parë u aplikua një tarifë 10% për eksportet drejt SHBA-së nga zero që ishte më parë. Këto tarifa erdhën në një moment të ndjeshëm për tregtinë globale, duke krijuar pasiguri për shumë partnerë tregtarë të SHBA-së.

Pas reagimeve ndërkombëtare dhe shqetësimeve për destabilizimin e tregjeve, më 9 prill 2025, Presidenti Trump shpalli një pezullim të përkohshëm 90-ditor të tarifave për shumicën e vendeve partnere, duke ulur tarifat në nivelin 10%, ose duke i pezulluar përkohësisht për disa rajone, si Bashkimi Europian, Japonia, Tajvani dhe vendet e ASEAN-it.

Shqipëria, megjithatë, nuk përfitoi nga pezullimi dhe tarifa prej 10% mbeti në fuqi edhe gjatë periudhës 90-ditore. Ndërkohë, Kina u godit me masa më të ashpra, me tarifa të reja që shkuan deri në 125%, ndërsa Kanadaja dhe Meksika për produkte të caktuara u përballën me tarifa deri në 25%. Gjatë periudhës 90-ditore të pezullimit të tarifave të shpallur nga Presidenti Donald Trump më 9 prill 2025, tarifat për shumicën e vendeve u reduktuan në 10%. Megjithatë, disa vende pësuan ndryshime specifike:

Kina: Tarifat u rritën në 125%, duke reflektuar tensionet tregtare midis dy vendeve.

Kanadaja dhe Meksika: Pavarësisht Marrëveshjes SHBA-Meksikë-Kanada (USMCA), këto vende u përballën me tarifa prej 25% për shumicën e produkteve, përveç disa përjashtimeve si energjia dhe potasi, të cilat u tarifuan me 10%.

Vendet e ASEAN-it (si Vietnami, Kamboxhia, Tajlanda dhe Indonezia): Tarifat e mëparshme, që varionin nga 32% në 49%, u pezulluan, duke u kthyer në 10% gjatë kësaj periudhe.

Bashkimi Europian, Japonia dhe Tajvani: Tarifat e mëparshme prej 20% deri në 32% u ulën në 10%./ Monitor

tarifat e shba-ve

Sondazh

Poll

Nesër protestë para Kuvendit! Paralajmëron protestuesi: Më 23 tubimi i madh

Nesër protestë para Kuvendit! Paralajmëron protestuesi: Më 23 tubimi i madh

Protestuesi: Nuk ndalojmë deri në largimin e atij që është strukur në Kryeministri

Nis marshimi drejt Kryeministrisë, protestuesit bëjnë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit

Dita e 50-të e protestës/ Nis grumbullimi në sheshin "Skëndërbej"

Kryeministri Rama kryen nderimet në homazhet për gazetarin Enrik Mehmeti

Emigrantët bllokohen në pikën kufitare mes Kroacisë dhe Serbisë, kërkojnë informacion

Pesë turistë gjermanë mbetën të bllokuar në Karaburun, ekipet e shpëtimit bënë të mundur gjetjen

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Fëmijët e birësuar të Brad Pitt nisin procedurat për të mos mbajtur mbiemrin e të atit

Ish-drejtoresha e filialit të Postës së Durrësit u la në burg/ Avokati: Vendim absurd

Kuvendi Kombëtar i Protestës/ Folëses i merret mikrofoni nga dora: Edi Rama të japë dorëheqjen

Tentoi te merrte pjesë në Kuvendin Kombëtar të protestës/Selami Jenisherin nxirret jashtë

Berisha: Do bëjmë gjithçka për të paraqitur realitetin shqiptar pranë Komisionit Evropian

Falja e pronave publike në Dhërmi e Palasë/ Berisha: PD nuk do i njohë kurrë këto vendime të Ramës

Berisha: Rama nuk e dënon ministren monstër të Beogradit sepse është vasal i Vuçiçit

Berisha: Ftoj çdo demokrat që të marrë pjesë në protestë dhe të bëjë gjithçka për suksesin e saj

Berisha: Ky është procesi më i thellë i ripërtëritjes së PD që nga themelimi i saj!

“Neomalsorja” i bashkohet protestës së 49-të para Kryeministrisë: Rezistenca e qytetarëve nuk ndalet

Regjisori krijues i Star Wars mbështet Inteligjencën Artificiale

Rama: Deri në 1 mld euro mbështetje për bizneset, kredi deri në 2 milionë euro me interesa të ulëta

Rama i kthehet biznesmenit: Në Shqipëri ka para të pista, por s'mund t'i veshim këtë kostum vendit

Rama i përgjigjet komentuesve: Ka qeveri që bëjnë punë të mira, ka që bëjnë të këqija

Dyfisho sipërmarrjen tënde/ Rama: Cikël takimesh me bizneset e interesuara

Moment paniku në Theth! Guri bie mbi makinë, turistët shpëtojnë pa lëndime

Përfaqësuesi i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve:Dua të përcjell mbështetjen e profesoratit

Plagosja me thikë te Poliklinika e Shkodrës, dalin pamjet e rënda!

Si po ecën marrëdhënia mes Ariana Grande dhe ish të dashurit të saj pas ndarjes me Ethan Slater?

Nuk më pëlqen ta ekspozoj jetën time, Benny Blanco rrëfen si po mësohet me jetën e Selena Gomez

Edi Rama përmend vrasjen e Martin Canit: E kujtoj çdo ditë, ata që e përdorën për politikë e harruan

Rama: Kemi hyrë në zemër të problemit, djegia e makinës pas krimit nuk mund të ndodh më

Kush është modelja që u bë virale për ngjashmërinë me futbollistin Erling Haaland?

Kujtimet tona do të jetojnë gjithmonë, mesazhi i Donatella Versace për të vëllain Gianni Versace

Berisha: Dënoj heshtjen prej vasali të qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së ministres së Vuçiçit

Berisha: Drejtimi i PD është ripërtërirë me personalitete ndër më të shquarit në fushat e tyre

Berisha uron drejtuesit e rinj të PD: Vota e lirë në themel të kësaj force politike

Çfarë detajesh tërhoqën vëmëndjen në festimet e ditëlindjes së Jennifer Lopez në Paris?

Salla: Fermeri do ta shohë prodhimin edhe si aset për financim

Përplasje e ashpër në Kuvend/ Bido: Populizëm që dëmton Kosovën

Tentoi të transportonte pistoleta! Kapet në tunelin e Skërficës, 31-vjeçari

Ndryshimet në "Ligjin për Turizmin", Balla: Pezullohen punimet në bregdet gjatë sezonit turistik

Balla mbron Ramën nga Redi Muçi: Lani gojën kur t'i përmendni emrin

Deklarata diskriminuese e ministres serbe/ Muçi akuzon Ramën për heshtje: Çfarë pret kryeministri?

Spiropali dërgon në Asamblenë e PS mocionin për hapjen e partisë

Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, ‘blindohet’ me autobotë uji dhe forca të shumta policore

Ilirjana Kuçana akuzon lidershipin për shkelje të Statutit dhe "Mulizim" të partisë

Protestuesja: Shqipëria nuk e përmban dot një koncert si të Kanye West, vendi ynë ka marrë fund

Thirrjet për Ramën, protestuesi: Traumë për fëmijët të thonë Rama jep dorëheqjen

Dita 46-të e protestës/ Protestuesi: Sali Berisha dhe Edi Rama të thyejnë qafën

Protesta qytetare bën bashkë shqipëtarë nga çdo krahinë, valëviten flamujt nga diaspora

Protesta e 46-të/ Mbyllen fjalimet para Kryeministrisë, nis marshimi rrugëve të Tiranës