Protestë masive kundër projektit në Zvërnec/ Qytetarët para Kryeministrisë thirrje kundër qeverisë: Rama të japë dorëheqjen (PAMJET)
Protesta vijon, qytetarët shpalosin flamurin masiv kuq e zi në bulevard: Rama ik 4 Qershor, 21:28 Betejë pa li...
Protesta vijon, qytetarët shpalosin flamurin masiv kuq e zi në bulevard: Rama ik 4 Qershor, 21:28 Betejë pa li...
"Rama do organizojnë antimiting në Vlorë", Balla i përgjigjet Berishës: Kemi festën e PS, por ti nuk je i ftuar! ...
Ish-ushtarak dhe njohës i armëve/ Kush është Violand Braçellari, 43-vjeçari që vrau një polic e...
Pas më shumë se tre orësh, mbyllet protesta para Kryeministrisë/ Qytetarët thirrje: Nesër sërish në...
Të jesh një interior designer në Shqipëri dhe të dekorosh ambientet e shtëpive apo bizneseve, duket si një punë shumë e këndshme. Arkitektët e kthejnë fantazinë dhe krijimtarinë në realitet.
Arredimi i banesave dhe bizneseve është një sektor në ekonomi që prej disa vitesh ka treguar se edhe shijet mund të tregtohen. Po, shqiptarët “blejnë” shijet dhe madje, me çmime të kripura. Konkurrenca është rritur dhe bizneset në vend “ankohen” për vështirësinë e zbatimit të projekteve dhe menaxhimin e kostove…
Të jesh një interior designer në Shqipëri dhe të dekorosh ambientet e shtëpive apo bizneseve, duket si një punë shumë e këndshme. Arkitektët e kthejnë fantazinë dhe krijimtarinë në realitet.
Ndërsa ata përkushtohen për të shfaqur bukurinë, gjithashtu iu nënshtrohen kërkesave të klientëve në lidhje me dizajnin e brendshëm.
Dhe duhet thënë: shqiptarët nuk janë klientët më të lehtë të mundshëm. Suksesi i biznesit është më shumë se dizajn.
Sipas burimeve nga studio të ndryshme në kryeqytet, mbijetesa e këtij sektori vjen nga një mori arsyesh si: gjetja e një rrjeti që të mundëson klientë të rinj, e grupit të punës që bën zbatimin e projektit në mënyrën e duhur, menaxhimi i kostove brenda dëshirave të klientit etj., të gjitha këto në një treg të vogël si Shqipëria…
Një treg konkurrues dhe orare plot tension e bëjnë dizajnin e brendshëm një industri sfiduese për të konkurruar, madje edhe për firmat më të mëdha. Shumë firma të dizajnit të brendshëm përballen me pengesa – nga financat te menaxhimi efektiv i projektit.
Po si ka qenë ecuria e sektorit vitet e fundit? Sipas arkitektit Mario Seferi, drejtues i “New Space Studio” ecuria e biznesit të arkitekturës dhe interior design në Shqipëri është gjithnjë në rritje.
Ai pohon se si çdo biznes tjetër, ka sfidat e veta.
“Që nga tërmeti i nëntorit të 2019-s, shqiptarët janë ndërgjegjësuar për sa i përket sektorit të ndërtimit dhe gjithnjë e më tepër del në skenë profesioni i inxhinierit dhe arkitektit. Tabuja që mendonte çdo familje shqiptare ‘që punëtori i ndërtimit ishte edhe arkitekt, edhe inxhinier’ tashmë është thyer.
Dikur, arkitekti mendohej se ishte vetëm për ndërtime të mëdha, sot shihet rritje e kërkesës për arredimin e banesave të reja, rinovimin e apartamenteve të vjetra, arredim për biznese etj. Pra për çdo punim interiori ose ndërtimi vihet re kërkesë e lartë për të kontaktuar një profesionist. Çdo vit që kalon rritet ndërgjegjësimi i njerëzve dhe besimi i tyre tek një arkitekt”, -pohon z. Seferi.
Ideal Çela, arkitekt, drejtues i “ICA Studio” gjithashtu pohon për “Monitor” se, vitet e fundit, kryesisht klientët kanë filluar të kenë qasje tjetër ndaj arkitektit, si dhe vetë projektit, duke i dhënë edhe vlerë investimit.
“Kjo frymë e re ndikon pozitivisht, duke e rritur biznesin, por edhe studio në tërësi ka më tepër liri në eksperimentimin e stilit dhe krijimtarisë”, -pohon z. Çela.
Sipas Jona Aga, arkitekte nga “RM Studio Architecture”, biznesi i arkitekturës në Shqipëri ka ardhur duke u konsoliduar.
“Kjo gjë ka ndodhur si rrjedhojë e kërkesës në rritje për arkitekt, sepse njerëzit janë ndërgjegjësuar për nevojën e arredimit të apartamentit apo biznesit të tyre nga një profesionist. Sot, në Shqipëri, janë hapur shumë studio arkitekture të mëdha dhe të vogla, që kanë fokus vetëm pjesën e Interio Design”, – pohon znj. Ago.
Ndërsa Megi Hoxha, arkitekte, drejtuese e “Emex Studio”, vë në dukje se ky biznes e mori zhvillimin më të madh 5 vitet e fundit. Sipas saj, shqiptarët filluan ta kuptojnë çfarë është arkitekti dhe interior design, si dhe rëndësinë e tyre, sidomos çiftet e reja që filluan të blinin shtëpi.
“Por si në çdo fushë tjetër, situata e krizës së muajve të fundit, pati ndikim dhe në këtë fushë, shtoi pasigurinë te shqiptarët, më shumë te shtresa e mesme që filloi të hezitonte nëse ia vlente të investonin apo jo”, – thotë znj. Hoxha.
Arkitekti Mario Seferi pohon se vështirësitë në këtë sektor janë të shumta, duke filluar që nga stafi, klienti dhe grupet e punës.
“Sot ka mungesë arkitektësh që duan të punësohen, shumica e tyre zgjedhin të hapin një zyrë arkitekture me ose pa përvojë, disa të tjerë shikojnë mundësinë jashtë kufijve. Klientët shfaqin një problematikë pak komplekse.
Jo të gjithë klientët e vlerësojnë punën, ka një nocion mosbesimi te profesioni i arkitektit. Është krijuar mendimi se çdo sugjerim i arkitektit shikohet në këndvështrimin se “ku është përfitimi i arkitektit këtu” dhe ky krijon një problem të madh në marrëdhënien klient-arkitekt.
Problematike është dhe interneti, sepse klientët shqiptarë po ta themi me termin popullor “Google” (kërkojnë në internet) faqe të ndryshme për të krijuar një ide për ambientet e tyre.
Sa ndihmuese është kjo për ne, po aq është edhe problem. Ne arkitektët arrijmë të kuptojmë shijet që kanë klientët, duke parë referencat që ata zgjedhin. Problemi është që shikojnë aq shumë referenca sa në fund i duan të gjitha brenda hapësirës që kanë.
Ndryshimet gjatë projektit janë të panumërta, sepse gjatë kohës që përpunohet, ata kërkojnë online referencat e reja.
Vështirësia tjetër është koha e realizimit të një projekti, shpesh nëpër zyra arkitekture dëgjohet termi ‘duhet të ishte bëre dje’, sepse shumica e klientëve kërkojnë që projekti të bëhet në një kohë shumë të shkurtër.
Procesi i zbatimit është një sfidë më vete, sot krahas çdo vështirësie, problematika kryesore qëndron te grupet e punës.
Nga emigrimi i vazhdueshëm përballemi me mungesën e punëtorëve, të cilët zëvendësohen nga punëtorë të rinj pa përvojë, që ndikojnë si në realizimin e duhur të projekteve dhe në zgjatjen në kohë për realizimin e tyre”, – thotë z. Seferi.
Arkitekti Ideal Çela thekson si vështirësinë kryesore korrektësinë e afateve të dorëzimeve.
“Si çdo sektor, edhe arkitektura ka vështirësitë e veta, ku si fillim përmendim korrektësinë e afateve të dorëzimeve. Lidhja dhe koordinimi i projektit që del nga zyra me grupet e punës. Mosleximi dhe neglizhenca e projektit nga grupet e punës, në veçanti detajet arkitektonike.
Ndryshimet e njëpasnjëshme të klientit, edhe pas firmosjes së projektit. Problematika të tilla që dalin gjatë projektimit, por kryesisht në zbatim, sjellin edhe vonesa në dorëzim”, – thotë ai.
Sipas arkitektes Jona Ago, një nga problemet kryesore ka të bëjë me zbatimin e projekteve, ku mungojnë specialistët e mirëfilltë në realizimin e projektit me kërkesa estetike pak më të larta se normalja e ndërtimit standard.
“Një tjetër aspekt ka të bëjë me burokracitë e shtuara që hasin klientët dhe studiot me lejet që duhen marrë për këto lloj punimesh. Pa harruar edhe më të rëndësishmen, marrëdhënia arkitekt-klient.
Kjo është një gjë e kuptueshme për mua si arkitekte, përvoja të bën të jesh një psikologe e mirë, për të kuptuar kërkesat e klientit. Edhe elokuenca është shumë e rëndësishme në raportin me klientin për t’i ofruar atë çfarë ai do, me formën më të mirë të ideuar nga ana funksionale dhe estetike”, – thotë znj. Ago.
Ndërsa arkitektja Megi Hoxha përmend si vështirësi gjetjen e klientëve të rinj. Sipas saj, kjo vjen si pasojë e shtimit pa kriter të “pseudo-arkitektëve dhe pseudo-studiove” duke shkaktuar konfuzion të madh te klientët, të cilët ulin çmimet, duke prishur tregun e punës.
Natyrisht, kërkesat në rritje për arredues kanë sjellë edhe shtimin e konkurrencës mes atyre që punojnë në këtë fushë.
Arkitekti Mario Seferi thotë se, veç konkurrencës së arkitektëve shqiptarë, hyjnë në lojë edhe ata të huaj. Sipas tij, këta të fundit kanë një mundësi më të madhe në treg, për faktin që klientët shqiptarë priren të kenë më shumë besim tek arkitektët jo vendas.
“Edhe mbingopja e tregut me arkitektë të rinj, të cilët pa krijuar përvojë në studio projektimi marrin përsipër realizimin e një projekti, që në disa raste ka problematika nga mungesa e eksperiencës në projektim, ul besimin e klientëve shqiptarë tek arkitektët e tjerë vendas”, – thotë z. Seferi.
Ndërsa z. Çela thotë se konkurrenca është e pranishme siç ndodh në çdo sektor tjetër në ekonomi. Sipas tij, hapja e studiove të reja vjen pasi ndërtimi është një sektor i rëndësishëm në Shqipëri, megjithatë po aq e pranishme është edhe besnikëria.
“Mund të themi se besimi që lind nga marrëdhënia arkitekt – klient s’ka çmim.” thotë z. Çela.
Sipas arkitektes Jona Ago, konkurrenca është e madhe dhe shpesh e padrejtë.
“Kjo ndodh për disa arsye. Në treg veprojnë si studio të mëdha, të vogla, ashtu edhe profesionistë të lirë apo dhe studentë që ende s’janë diplomuar. Kjo gjë sjell diversitet të madh në treg dhe si rrjedhojë, shpesh dhe konkurrencë të padrejtë.
Nëse ti ke vite në treg, ke investuar në krijimin e një stafi, për rrjedhojë, edhe çmimi do jetë minimalisht mesatar, sepse garanton cilësi në shërbimin që do japësh. Këtë gjë, shpesh klientët nuk e kuptojnë dhe për një pagesë më të ulët mund të përfundojë në duart e dikujt që nuk ka përvojën tuaj.
Problemi vjen pak dhe me vlerësimin që ke ndaj vetes, profesionit dhe punës tënde. Ky treg, në shumicën e rasteve është dhe informal duke sjellë konkurrencë të padrejtë, sepse nëse unë paguaj taksa, sigurime etj., do kem dhe kosto më të larta për të mbuluar në raport me dikë që punon në informalitet”, thotë ajo.
Në të njëjtën linjë mendimi është edhe arkitektja Megi Hoxha, e cila thotë se është rritur në mënyrë të pakontrolluar, numri i studiove, sidomos nëpër rrjete sociale, të cilat punojnë në informalitet të plotë.
Besimi te profesionistët tregon padyshim rritje të shkallës së kërkesave estetike, por është edhe një mënyrë për të shpenzuar paratë më me efikasitet dhe vlefshmëri. Por si e sigurojnë arreduesit klientelën? Shumica e tyre thonë se e vetmja reklamë e tyre janë punët e mëparshme.
“Për sa u përket klientëve ka disa forma. Një ndër to është rekomandimi që zë peshën më të madhe të klientëve. Një pjesë tjetër relativisht të mirë zënë dhe klientët që vijnë nga rrjetet sociale dhe platformat për reklamimin e punëve. Edhe një projekt i mirërealizuar është një mundësi për të sjellë klientë të rinj”, -pohon arkitekti Mario Seferi.
“Network-u është parësor. Edhe pse media sociale luan rolin e saj për sa i përket marketingut të studios, por edhe si portofol për të treguar arritjet, si dhe tipologjitë e projekteve që zyra zhvillon, pjesa më e madhe e klientëve vijnë të rekomanduar nga klientë të mëparshëm, ose njohje”, – pohon arkitekti Ideal Çela.
“Në pjesën më të madhe të rasteve, janë klientë të referuar, nga klientë të mëparshëm që u ka pëlqyer puna. Ky grup klientësh zë përqindjen më të madhe duke qenë se kanë besim. Ndërsa pjesa tjetër vjen nga rrjetet sociale, të cilët kanë interesim në rritje. Por gjithsesi mbetet ende përqindje e vogël”, – pohon arkitekti Megi Hoxha.
Turizmi dhe hoteleria, të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën, kanë parë zhvillim vitet e fundit në vendin tonë. Sipas arkitektëve, është një sektor potencial për biznesin e tyre.
“Hoteleria ka potencial shumë të madh.
Duke parë që vendi ynë gjithnjë e më tepër po zhvillohet në sektorin e turizmit, kjo sjell që dhe numri i ndërtimit të strukturave akomoduese të jetë i lartë. Dhe standardet në ndërtimin e hoteleve janë rritur, kërkohet gjithnjë e më tepër përafrimi me standardet europiane të hotelerisë.
Projektimi i një hoteli dhe interieri i tij është një fushë shumë e gjerë brenda profesionit të arkitekturës, sa e vështirë aq dhe e bukur. Kemi pasur disa projekte në hoteleri dhe e shoh si sektor ku do të fokusohem në të ardhmen”, – pohon arkitekti Mario Seferi.
“Vihet re që është një sektor në rritje, ndërkohë që kohët e fundit kemi projektuar disa apartamente që do përdoren për Airbnb. Gjithashtu jemi në proces zhvillimi dhe për disa hotele në bregdet që janë ende në fazë projektimi dhe konceptimi”, – pohon arkitekti Ideal Çela.
“Ky lloj klienti është pak specifik, sepse ndahet në tre natyra. Ka klientë që do të bëjnë një hotel të ri dhe aty e kanë dhe arredimin të përfshirë, i cili është numër shumë të vogël në treg.
Janë klientët që duan të rinovojnë hotelin e tyre. Ky lloj klienti është me potencial, sepse është një numër i konsiderueshëm hotelesh ku synohet të investohet në rinovimin e ambienteve të tyre. Dhe në fund kemi rastin e apartamenteve Airbnb, të cilat kërkojnë arredim minimalist, me pak shpenzime, por të kuruar në detaje, sepse është pikërisht ajo që do ta shesë në tregun e dhënies me qira ditore”, – pohon arkitektja Jona Ago.
“Hotelet janë klientë potencialë për një grup të vogël studiosh që kanë eksperiencën dhe njohuritë e duhura në këtë sektor. Bëhet fjalë për hotele të vogla dhe mesatare, sepse hotelet që janë marka ndërkombëtare, i sjellin projektet nga jashtë në 90% të rasteve”, -pohon arkitektja Megi Hoxha.
Por sa duhet paguar për artin e arredimit? Çmimet e tregut të arreduesve variojnë nga 15 deri në 35 euro për metër katror. Arkitektët pohojnë se nuk mund të flitet për çmime fikse, duke qenë se variablat që bëjnë ndryshimet janë: lloji i banesës apo biznesit, vlera e investimit që do të hidhet, arkitektura në tërësi etj.
Tarifat e një arkitekti arredues llogariten në bazë të vlerës së preventivit. Zakonisht, kjo tarifë është rreth 7%. Por nëse klienti kërkon që arkitekti të ndjekë në vazhdimësi ecurinë e punimeve, natyrisht që kosto rritet. Ndërkohë, sipas të gjithë arreduesve, nuk ka diferencime në tarifa mes familjarëve dhe bizneseve. Kriter i vetëm është vështirësia dhe volumi i punës.
“Çmimet janë të ndryshme, nuk janë fikse. Ndahen në 2 kategori, projektim ose projektim + zbatim. Projektimi varion 15-35 euro për m², ndërsa zbatimi mund të shkojë në dyfishin e projektimit. Ka një çmim dysheme që për çdo projektim, pavarësisht sipërfaqes, nuk do jetë poshtë këtij çmimi”, – pohon arkitekti Mario Seferi.
“Duke u nisur nga fakti që arkitektura në vetvete është mjaft sublime dha sa personale, aq edhe gjithëpërfshirëse, shitja dhe çmimet e projektit variojnë nga disa faktorë, si: sipërfaqja, tipologjia, shërbimi që ne ofrojmë në rastin kur kemi vetëm projekt ose mbikëqyrje të plotë etj.”, – pohon arkitekti Ideal Çela.
“Në treg i gjen të gjitha çmimet. Studiot më të konsoliduara prej vitesh në treg, të cilat e njohin sektorin në detaje, janë gjithmonë më të shtrenjta në raport me studiot ose individët që sapo kanë filluar dhe ku rreziku për të pasur problematika është më i madh kuptohet.
Çmimet janë të përballueshme për pjesën dërmuese të njerëzve kur mendon vlerën që do të investosh në apartament apo biznes”, -pohon arkitektja Jona Ago.
“Duke qenë një treg i lirë dhe i ‘pamonopolizuar’, ka shumëllojshmëri çmimesh. Këto çmime përcaktohen nga cilësia e punës që ofron arkitekti, nga sasia e punës që do bëhet, kërkesat e klientit etj. Zakonisht shqiptarët mendojnë se sa më e njohur dhe më e madhe të jetë studioja, aq më i lartë është çmimi, pa marrë parasysh se çfarë cilësie ofrohet”, – pohon arkitektja Megi Hoxha.
Shqiptarët, mes fqinjëve
A mund të bëjmë një krahasim rajonal në këtë sektor dhe a janë shqiptarët më kërkues dhe trendi për interior design se fqinjët? Nga eksperienca e arkitektëve, tregu shqiptar është shumë i përditësuar nga tendencat e fundit.
Kjo i bën klientët të informuar, ndonëse ka ende skeptikë që i qëndrojnë mundësisë së ulët të eksperimentimit. Gjithashtu, projektet nga familjarët kërkohen kryesisht të jenë komode pasi, sipas tyre, pandemia tregoi rëndësinë e mjedisit ku jeton.
“Shqiptarët janë vërtet kërkues dhe përqafojnë gjithmonë trendet më të reja dhe kjo gjë reflektohet të paktën në bizneset e bareve dhe restoranteve ku i prekim të gjithë. Edhe në apartamente po ndihet kjo lloj fryme prej shumë vitesh dhe po vjen gjithmonë në rritje.
Po marr si shembull Malin e Zi, ku vetëm sektori i hotelerisë po përqafon fuqishëm trendet e reja të interior design dhe pjesa tjetër e apartamenteve ka një ritëm shumë më të ulët se Shqipëria.
Në Kosovë, më shumë se në Maqedoninë e Veriut, interiori po avancon me ritme më të shpejta, por jo sa në Shqipëri. Mendoj se Shqipëria në raport me këto tre vende po ecën shumë përpara.
Konkurrenca dhe hapja me tregun ndërkombëtar ku studiot shqiptare po ballafaqohen çdo ditë e më shumë po e rrisin cilësinë në tregun shqiptar me ritme të shpejta prej disa vitesh”, – pohon arkitektja Ago.
“Personalisht mendoj që po. Në krahasim me vendet fqinje, shikoj kërkesë nga ana e shqiptarëve për të ndjekur trendet e kohës. Mendoj që rol kryesor në këtë gjë luan edhe emigrimi, që njerëzit të cilët jetojnë jashtë vendit sjellin te njerëzit e tyre këtu frymën dhe kulturën e vendeve ku ata jetojnë.
Edhe Shqipëria është kthyer në një destinacion i preferuar për turistët e huaj, sidomos ata italianë, nga të cilët kemi marrë shumë në stilin e jetesës. Këto sjellin që në ndryshim nga vendet fqinje, shqiptarët të jenë më kërkues dhe të ndjekin trendet”, -pohon arkitekti Seferi.
“Kemi pasur disa projekte jashtë Shqipërisë në vende si Kosova, Italia, Belgjika, Norvegjia etj… me klientë të huaj, por dhe shqiptarë të diasporës dhe mund të themi që edhe tregu ynë është mjaft i përditësuar me tendencat e fundit në design.
Megjithëse sikundër përmendëm, stili neoklasik dhe ai bashkëkohor vazhdojnë të jenë ndër të preferuarit, klientët që na drejtohen priren gjithnjë e më shumë drejt modernes”, – pohon arkitekti Çela.
“Shqiptarët, në fakt, kanë frikë të eksperimentojnë. Zakonisht i kanë kërkesat specifike, janë të qartë në atë çfarë kërkojnë, por mbeten bazë. Anojnë më shumë te stili modern, dhe rrallëherë kërkojnë gjëra ndryshe nga të tjerët në stil. Por arkitekti shumë herë arrin të ndikojë te shijet e klientëve dhe i bën të pranojnë sugjerimet më të mira të tij”, thotë arkitekti Hoxha.
Ark.Mario Seferi/ Nga përvojat personale shikoj që ka një prirje drejt stilit minimalist. Po venitet ideja e ngarkesës nëpër projekte dhe po kërkojnë gjëra të thjeshta dhe funksionale. Prioritet sot tek klientët shqiptarë ka ai arkitekt që realizon një projekt modern dhe komod me sa më pak kosto që të jetë e mundur.
Ark.Jona Ago/ Tendencat dhe kërkesat e klientëve janë gjithmonë dhe më të larta. Kjo ndodh dhe si rrjedhojë e lëvizjeve në vende të ndryshme europiane etj. Pra sa më shumë të shikojmë nga trendet e huaja, klientët fillojnë të bëjnë kërkesa si në vendet e tjera. Stilet kryesore të kërkuara për apartamentet janë ai modern bashkëkohor, ku klientët e gjejnë më së shumti veten duke u nisur dhe nga buxheti.
Theksoj këtë të fundit pasi është një faktor i rëndësishëm edhe për stilin e arredimit. Si ta kuptojmë këtë? Pra një klient nuk mund të kërkoje arredimin e një apartamenti low cost njëkohësisht ai e kërkon me koncept luxury.
Pra ne njëkohësisht bëjmë edhe vlerësimin e kërkesave të klientit me buxhetin që ata kanë në raport me atë që duan. Një stil tjetër është ai klasik, jo i kërkuar shumë nga shtresa dërrmuese e klientëve, pasi është diçka më e rrallë në preferencat e tyre. Së fundmi dua të theksoj që kemi pasur shumë klientë që kërkojnë dhe një stil më të personalizuar (pra jo nga ata të sipërpërmendur).
Ky stil merr parasysh jo vetëm preferencat dhe kërkesat e klientit, por futemi pak më tepër në karakterin e personave që do të jetojnë në apartament, psikologjinë, mënyrën e jetesës se tyre, profesionet etj., duke i dhënë identitet. Dhe përfundimi është një stil krejt Unik.
Ark.Ideal Çela/ Shprehja: “Klasikja nuk del kurrë nga moda” vazhdon të jetë në disa raste kryefjala e takimeve me klientët. Kjo si pasojë edhe e statusit që jep ky lloj stili. Megjithatë shumë nga klientët tanë, përveçse priren drejt modernes në vetvete, janë të hapur për rekomandime dhe tendenca të reja si minimalizmi dhe stili japandi./MONITOR
Pensioniste Përveç emigracionit të lartë, Shqipëria po kalon një tranzicion të fortë demografik që e ka zana...
Foto ilustruese Çmimi i lartë i naftës dhe mungesa e fuqisë punëtore janë problemet kryesore me të cilat po përb...
Foto ilustruese Kosto e shërbimit të borxhit publik (pagesat e principalit +interesat) do të arrijnë në 136, 3 miliardë lek&e...
Perfaqesuesit e Bankes Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Shkollën Ekonomike dhe të Shkencave Politike t&e...
Gent Sejko TIRANË- Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka deklaruar se inflacioni ka arritur shifrat më t&eu...
Delina Ibrahimaj TIRANË- Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj tha në Komisionin parlamentar të Ekonomisë se 2,5% t...
Foto Ilustruese TIRANË- Qeveria shqiptare ka paraqitur në Autoritetin e Konkurrencës marrëvehsjen kuadër dhe marrëveshjet e t...
Foto Ilustruese TIRANË- Kontrata “Nxitja e zhvillimit të qëndrueshëm nëpërmjet aplikimit të modeleve inovative p&e...
Foto Ilustruese TIRANË- Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj prezantoi në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë proj...
Foto Ilustruese TIRANË- Euro po vijon edhe këtë javë të mbiçmohet në kursin e këmbimit me lekun. Sipas kursit zyr...