LIVE UPDATES
Ekonomi

Tregu i fondeve doli nga stanjacioni në vitin 2021

Për tregun e fondeve të investimit bëhet fjalë për një dalje nga një periudhë disavjeçare stanjacioni, ndërsa për fondet e pensionit, kjo ishte vijimësia e një rritje dyshifrore, ndonëse nga një bazë e ulët.

3 Korrik 2022, 07:01 Nga A.B

Tregu i fondeve doli nga stanjacioni në vitin 2021

Tregu i fondeve të investimit, vitin e kaluar, shënoi rritje domethënëse për herë të parë pas shumë vitesh. Paralelisht, edhe fondet e pensionit vijuan rritjen dyshifrore, por duke ngelur ende në përmasa të vogla. Rimëkëmbja e shpejtë e ekonomisë ndikoi në rritjen e tregut, por ndërkohë këtë vit, inflacioni i lartë dhe rritja e normave të interesit shtrojnë sfida për këto institucione financiare

Tregjet e fondeve të pensionit dhe fondeve të investimit shënuan ritme relativisht të larta të rritjes vitin e kaluar. Të dyja tregjet, të marrë së bashku, arritën një vlerë totale të aseteve neto prej 82.3 miliardë lekësh, në rritje me 17% krahasuar me një vit më parë.

Për tregun e fondeve të investimit bëhet fjalë për një dalje nga një periudhë disavjeçare stanjacioni, ndërsa për fondet e pensionit, kjo ishte vijimësia e një rritje dyshifrore, ndonëse nga një bazë e ulët.

Rimëkëmbja e shpejtë e ekonomisë në vitin 2021 duket se ka ndikuar pozitivisht edhe në rritjen e investimeve të publikut në këto institucione.

Në vitet e fundit, ka një përpjekje për të diversifikuar profilin e investimit të fondeve, sidomos të atyre në valutë të huaj, që sidoqoftë ende zënë një peshë modeste ndaj totalit të tregut.

Fondet e investimit dhe të pensioneve në Lek nuk kanë shumë alternativa investimi dhe ngelen të orientuara kryesisht tek Bonot dhe Obligacionet e qeverisë shqiptare. Në këto kushte, perspektivat e rritjes së fondeve mbeten disi të kufizuara, sidomos në monedhën vendase.

Kthimet e fondeve, sidomos atyre të investimit, shënuan përmirësim të ndjeshëm krahasuar me vitin 2020. Megjithatë, rritja e normave të interesit mund të sjellë efekt negativ në ecurinë e kthimeve nga investimi këtë vit.

Fondet e investimit dalin nga stanjacioni

Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se në fund të vitit 2021, asetet neto të tregut të fondeve të investimit arritën vlerën e 77 miliardë lekëve, ose rreth 615 milionë euro. Gjatë një viti, vlera e aseteve e tregut është zgjeruar me 15.3%.

Rritja e tregut të fondeve të investimit duket se është ndikuar pozitivisht nga disa faktorë. Përmirësimi i ndjeshëm i ekonomisë reale vitin e kaluar duket se ka krijuar një klimë më të favorshme në drejtim të zgjerimit të investimeve financiare. Ndikim pozitiv ka dhënë edhe përmirësimi i kthimeve nga investimi të fondeve, sidomos të atyre në valutë të huaj. Kjo i ka bërë fondet më tërheqëse për investitorët.

Në fund të vitit 2021, numri i anëtarëve në fondet e investimit arriti në më shumë se 40 mijë, me një rritje prej 22.65% që nga fillimi i vitit. Një shtysë për rritjen e tregut në dy vitet e fundit ka ardhur nga hyrja e aktorëve të rinj në treg. Në periudhën 2020-2021, AMF ka licencuar gjashtë fonde të reja investimesh.

Këtu përfshihen fondet e shoqërive administruese që kanë hyrë në treg gjatë periudhës së mësipërme, si Albsig Invest dhe ABI Invest, por edhe për fonde të reja të aktorëve ekzistues, si Raiffeisen Invest dhe WVP Fund Management Tirana.

Sipërmarrësit kryesorë në shoqëritë administruese në Shqipëri ngelen bankat dhe shoqëritë e sigurimeve. Nga njëmbëdhjetë fonde të licencuara, katër administrohen nga Raiffeisen Invest, tre nga ABI Invest, një nga Credins Invest, dy nga WVP Fund Management Tirana dhe një nga Albsig Invest.

Shtohen fondet, por vazhdon dominimi i Raiffeisen Invest

Edhe për vitin e kaluar, në volume, tregu u dominua nga fondet e administruara nga shoqëria Raiffeisen Invest, me më shumë se 93% të aseteve totale neto të tregut. Fondi Raiffeisen Prestigj në Lek kryeson me 60.4%, i ndjekur nga Raiffeisen Vizion, me 22.4% dhe Raiffeisen Invest Euro, me 10.4%.

Të ndara sipas monedhës, pjesën dërrmuese të tregut e përbëjnë asetet e fondeve në Lek, me pothuajse 89% të totalit. Fondet në Lek i investojnë kuotat e anëtarëve kryesisht në tituj borxhi të qeverisë shqiptare, në mungesë të alternativave të tjera.

Kjo jep siguri të lartë për anëtarët, por nga ana tjetër, i kufizon ndjeshëm hapësirat e diversifikimit të portofolave dhe të përmirësimit të kthimeve. Në afatin e gjatë, kjo mund të jetë potencialisht një faktor që i kufizon hapësirat e rritjes së tregut.

Aktualisht, fondet e investimit në Lek kanë një profil të ngjashëm me njëri-tjetrin dhe ofrojnë kthime pak më të larta se depozitat bankare.

Shoqëritë administruese janë të interesuara për ta zgjeruar spektrin e investimeve edhe tek instrumentet e emetuara nga sektori privat. Këto instrumente, sidomos obligacionet korporative, kanë njohur  rritje të shpejtë në vitet e fundit. Por, për sa kohë që emetimet nuk bëhen ende me ofertë publiku, angazhimi i fondeve të investimit në këto instrumente do të mbetet i vështirë.

Asetet e fondeve të investimit në valutë, në fund të vitit të kaluar përbënin rreth 11% të totalit, në rënie të mëtejshme nga niveli 13% i një viti më parë.

Fondet në valutë kanë luhatshmëri më të madhe dhe gjatë periudhës së pandemisë kanë qenë më të ndjeshme ndaj luhatjeve të tregjeve globale. Pasi pësuan rënie në 2020-n, gjatë vitit 2021 kthimet e fondeve në valutë të huaj u kthyen në territor të rritjes pozitive.

Megjithatë, pjesa më e madhe e aseteve në valutë janë të investuara në obligacione të qeverive dhe korporatave të huaja, instrumente me rrezik më të ulët. Vetëm një pjesë shumë e vogël investohen në instrumente me rrezik më të lartë, kryesisht aksione.

Fondet e angazhuara pjesërisht apo plotësisht në investimin në aksione janë Raiffeisen MIX, WVP Top Invest (fond në Lek), WVP Global, ABI FLEX EUR dhe ABI FLEX USD. Të marra së bashku, këto fonde zotërojnë gjithsej më pak se 0.6% të aseteve neto të tregut.

Normat e kthimit u rimëkëmbën

Normat e kthimit të fondeve të investimit u rimëkëmbën ndjeshëm vitin e kaluar, pas rënies që pësuan në vitin 2020. Mbështetur në të dhënat e publikuara nga shoqëritë administruese të fondeve, në fundin e vitit të kaluar, kthimet ishin në nivele më të larta krahasuar me një vit më parë, për të gjitha fondet aktive në treg.

Në përgjithësi, kthimi i fondeve është i lidhur ngushtë me profilin e rrezikut dhe instrumentet në të cilat fondi investon. Fondet që investojnë në instrumente me luhatshmëri më të lartë, si aksionet, kanë një profil rreziku më të lartë.

Këto fonde, në periudha të caktuara, mund të ofrojnë kthime më të larta nga investimi, por edhe luhatshmëria e tyre është më e madhe. Këto fonde mund të zhvendosen nga territori i kthimeve pozitive në negative (dhe anasjelltas) brenda periudhave shumë të shkurtra.

Fondi i investimit në aksione, me kthimin më të lartë vjetor për 2021 rezultoi WVP Top Invest, që raportonte kthim në masën 20.5%, vlerë që përfaqëson një përmbysje nga kthimi negativ prej 7.65% i shënuar në fund të vitit 2020. Ky fond është më i hershmi në tregun shqiptar që ka pasur në fokus investimin në aksione, ndërsa vetëm vitin e kaluar janë hapur disa fonde të tjerë me profil të ngjashëm.

Ky profil investimi ka tipare luhatshmërie më të madhe krahasuar me fondet e tjera, që përgjithësisht investojnë në instrumente borxhi me rrezik të ulët. Pas humbjes së vitit të kaluar, ky profil investimi i ka shpërblyer investitorët e këtij fondi.

Megjithatë, luhatshmëria e lartë është një faktor që duhet mbajtur gjithmonë në konsideratë. Për shembull, që në muajin prill të këtij viti, kthimi vjetor nga ky fond ka rrëshqitur përsëri në territor negativ, në nivelin -5.35%.

Kthimi i dytë më i lartë u raportua nga Raiffeisen Miks, me 4.68%. Raiffeisen Miks është fondi i dytë në Euro i Raiffeisen Invest, që veç investimeve në obligacione, synon të përmirësojë kthimet duke i gërshetuar ato edhe me investimin në aksione.

Fondi tjetër në Euro, Raiffeisen Invest Euro, e mbylli edhe vitin e kaluar me kthim negativ në masën -1%, me përmirësim të lehtë nga niveli -1.4% në vitin 2020.

Mes fondeve me rrezik relativisht të ulët në monedhën Lek, kthimin më të lartë në fund të vitit të kaluar e ofronte Credins Premium. Në fund të muajit dhjetor, kthimi nga ky fond arriti në 4.92%, nga 1.4% në fund të vitit të kaluar.

Vijon Albsig Standard, që në fund të vitit 2021 shënoi kthim vjetor nga investimi në nivelin 4.44%. Fondi i parë i investimit i shoqërisë Albsig Invest e nisi aktivitetin gjatë vitit 2020 dhe në mbyllje të vitit të parë të plotë kalendarik të aktivitetit ka shënuar përmirësim gradual të kthimit nga investimi.

Vijon me diferencë minimale fondi Raiffeisen Vizion, që në fund të vitit të kaluar raportoi  kthim nga investimi në nivelin 4.43%, nga 1.72% një vit më parë. Raiffeisen Vizion është fondi i vetëm që parashikon një periudhë minimale pjesëmarrje, para së cilës anëtari mund t’i shesë kuotat vetëm kundrejt një penaliteti.

Kjo i kufizon pjesërisht tiparet likuide të këtij fondi, por nga ana tjetër zakonisht mundëson një kthim pak më të lartë. Fondi më i hershëm i investimeve në Lek, Raiffeisen Prestigj, në fund të vitit 2021 raportoi një kthim nga investimi në masën 2.43%, edhe ky në përmirësim nga niveli 0.83% i një viti më parë.

Projekt-rregullorja, fondet e licencuar në BE do të njihen edhe në Shqipëri

Në muajin maj, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare nxori për konsultim projekt-rregulloren për njohjen e sipërmarrjes së investimeve kolektive me ofertë publike të licencuar në një vend anëtar të Bashkimit Europian dhe shoqërisë administruese apo degës së shoqërisë administruese të sipërmarrjeve të investimeve kolektive të licencuar në një vend anëtar të BE-së për shitjen dhe marketimin e sipërmarrjeve të investimeve kolektive me ofertë publike në Republikën e

Shqipërisë. Kjo do të krijojë mundësinë që shqiptarët të investojnë direkt në kuotat e fondeve të investimit të licencuar në vendet e BE-së, duke zgjeruar spektrin e alternativave të investimit.

Sipas projekt-rregullores, autoriteti rregullator i vendit anëtar të BE-së së shoqërisë administruese duhet t’i përcjellë AMF-së informacion se shoqëria apo dega e shoqërisë administruese është e licencuar për të ushtruar veprimtari në fushën e sipërmarrjeve të investimeve kolektive; është objekt i mbikëqyrjes në vendin e vet të origjinës, duke specifikuar ligjin me të cilin mbikëqyren shoqëria administruese apo dega e shoqërisë të licencuara në një vend anëtar të BE-së; ka njoftuar autoritetin rregullator të vendit anëtar të BE-së për kryerjen e veprimtarisë së shitjes dhe marketimit të kuotave, ose aksioneve të sipërmarrjeve të investimeve kolektive në Republikën e Shqipërisë, duke i specifikuar këto sipërmarrje dhe nuk ka masa disiplinore në fuqi nga autoriteti mbikëqyrës i vendit të origjinës.

Shoqëria apo dega e shoqërisë administruese të sipërmarrjeve të investimeve kolektive të licencuar në një vend anëtar të BE-së me qëllim shitjen/marketimin e aksioneve, ose kuotave të sipërmarrjeve të investimeve kolektive me ofertë publike në Republikën e Shqipërisë duhet të depozitojë në AMF një përshkrim të përgjithshëm të qëllimit për të cilin bëhet kërkesa, vendimin e organit drejtues të saj për të marketuar dhe për të shitur aksione ose kuota të sipërmarrjes së investimeve kolektive me ofertë publike në territorin e Republikës së Shqipërisë, listën e Sipërmarrjeve të Investimeve Kolektive që do të marketojë informacion për mënyrën e marketimit të tyre në Shqipëri, etj.

Mundësia e tregtimit të këtyre fondeve në Shqipëri natyrshëm do të sjellë më shumë konkurrencë për fondet e investimit në Shqipëri. Megjithatë, ligji krijon hapësirën që edhe vetë shoqëritë administruese të fondeve në Shqipëri të veprojnë si agjentë të fondeve të huaja, duke i ofruar për shitje paralelisht me kuotat e fondeve të licencuara në Shqipëri.

Megjithatë, ky propozim i AMF ka ngjallur rezerva dhe pakënaqësi mes shoqërive administruese, që vlerësojnë se lejimi i tregtimit pa marrë licencë të posaçme në Shqipëri shkel parimin e barazisë në treg.

Fondet e pensionit, tregu u rrit me 27.2%

Të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se vlera e aseteve neto të fondeve të pensionit, në fund të vitit 2021 arriti në 4.58 miliardë lekë, ose rreth 38 milionë euro, në rritje me 27.2% krahasuar me një vit më parë.

Asetet e fondeve të pensioneve janë të investuara kryesisht në obligacione të qeverisë shqiptare. Fondet e pensioneve po rriten prej vitesh me ritme dyshifrore, por ngelen ende segmenti më i vogël i tregut financiar në Shqipëri.

Numri i anëtarëve në fondet e pensioneve private arriti në 33 571, në rritje vjetore me 8.2%. Në vitin 2021, këtyre fondeve iu janë shtuar rreth 2600 kontribuues.

Numri i anëtarëve në dekadën e fundit është rritur me afërsisht katër herë, por rritja ka ardhur nga një bazë e ulët dhe ky treg ngelet ende në një stad fillestar të zhvillimit. Aktualisht, numri i individëve që kontribuojnë për një pension privat është sa 2.6% e numrit të përgjithshëm të të punësuarve në vend (bazuar në Anketën e Forcave të Punës së INSTAT).

Anëtarët në fondet e pensioneve private deri tani ndahen në dy grupe kryesore: kontribuues individualë dhe anëtarë të skemave profesionale të sigurimit, të ngritura nga punëdhënësit dhe që financohen pjesërisht apo plotësisht prej tyre, në formën e benefiteve për punonjësit.

Në fund të vitit të kaluar, AMF hodhi për konsultim një projektligj të ri, që synon t’i bëjë investimet për një pension privat në pleqëri më tërheqëse dhe t’i japë shtysë rritjes së këtij tregu.

AMF propozon rritjen e përjashtimit nga taksat, si për kontributet e punëmarrësve, ashtu edhe për ato të punëdhënësve, ndërsa kërkon që pensionet të mos tatohen as në përfitim për pjesën e kontributeve, por vetëm për kthimin nga investimi.

Aktualisht, kufiri maksimal për lehtësitë tatimore mbi kontribut, është vlera më e vogël, që del nga krahasimi i shumës 200 mijë lekë dhe 15% të të ardhurave vjetore bruto të anëtarit.

Sipas projektligjit të propozuar nga AMF, kufiri maksimal mujor i përjashtimit tatimor do të rritej deri në nivelin e pagës minimale të miratuar, që sot do të nënkuptonte një shumë kontributesh prej 30 mijë lekësh në muaj.

Projektligji i përgatitur nga AMF sjell, për herë të parë, edhe një formë të re të fondit privat të pensionit, atij me pjesëmarrje të mbyllur. Ky fond është i ngjashëm me skemat profesionale të pensioneve që aplikohen aktualisht nga disa kompani), por ndryshimi është se në fondet e mbyllura, pjesëmarrja është ligjërisht e kufizuar vetëm për të punësuarit apo anëtarët e subjekteve të mësipërme.

Ndarja e tregut, rriten Sigal dhe Albsig

Tregu i pensioneve private në Shqipëri ka nisur zhvillimin e mirëfilltë afërsisht një dekadë më parë, pas hyrjes së investitorëve me përvojë nga tregu bankar dhe ai i sigurimeve. Në treg aktualisht veprojnë katër fonde të pensioneve private.

Për nga vlera e aseteve neto, fondi më i madh është Sigal Pension me 44.6% të totalit, i ndjekur nga Credins Pension me 29.4%, Raiffeisen Pension me 22.7% dhe Albsig Pension me 3.3%.

Edhe në vlerë asetesh, rritjen më të madhe të pjesës së tregut e ka shënuar Albsig Pension, me rreth dy pikë përqindje më shumë. Gjatë vitit 2021, një rritje të lehtë të pjesës së tregut ka arritur edhe Sigal Pension, ndërsa Credins Pension dhe Raiffeisen Pension ka një peshë më të ulët krahasuar me vitin 2020.

Sipas numrit të anëtarëve, aktori më i madh në treg është Credins Pension, me rreth 54.6% të numrit të përgjithshëm të anëtarëve, i ndjekur nga Sigal Pension me 27%, Raiffeisen Pension me 9.6% dhe Albsig Pension me 8.8%.

Krahasuar me një vit më parë, fondi që ka fituar peshë tregu është Albsig Pension, me rreth 2.8 pikë përqindje më shumë, ndërsa të tre fondet e tjera kanë pësuar rënie të lehtë në peshën e tregut.

Kthimet janë rritur edhe për fondet e pensionit

Kthimet nga investimi për fondet e pensionit u përmirësuan në vitin e kaluar, por rritja ishte ndjeshëm më e vogël në raport me fondet e investimit. Fondi me kthimin më të lartë në fund të vitit 2021 ishte Raiffeisen Pension, me 4.44%, nga 4.35% që kishte qenë ky tregues një vit më parë.

Kthimin e dytë më të lartë e raportoi fondi Sigal Pension, me 3.67%, nga 3.53% një vit më parë. Fondi Credins Pension raportoi një kthim 3.15%, sërish në përmirësim nga niveli 2.85% i një viti më parë. Fondi më i ri në treg, Albsig Pension, në fund të vitit 2021 raportoi kthim vjetor nga investimi në masën 2.22%.

Fondet e pensionit janë më pak të ndikuara nga luhatjet afatshkurtra të normave të interesit në tregje, sepse ato përdorin një mënyrë të ndryshme të kontabilizimit të instrumenteve financiare. Ndryshe nga fondet e investimit, ato nuk i vlerësojnë obligacionet në portofolin e tyre me vlerë të drejtë, por i mbajnë me kosto të amortizuar.

Për këtë arsye, luhatjet e kthimeve nga investimi në dy vitet e fundit, që kanë qenë mjaft të trazuara për ekonominë dhe tregjet, kanë qenë më të kufizuara. Kjo diferencë mund të vërehet edhe në muajt e parë të këtij viti.

Ndërkohë që kthimet e fondeve të investimit po bien ndjeshëm, në fondet e pensioneve, kthimet vjetore janë në nivele më të qëndrueshme: dy prej fondeve, Sigal Pension dhe Albsig Pension në fund të prillit raportonin rritje të mëtejshme krahasuar me fillimin e vitit, ndërsa Raiffeisen Pension dhe Credins Pension, rënie të lehtë.

Në pjesën dërrmuese, portofoli i investimeve të fondeve të pensionit përbëhet nga obligacione të qeverisë shqiptare dhe kryesisht obligacione me afate të gjata maturimi.

Shoqëritë administruese, fitimi ra lehtë vitin e kaluar

Fitimi i tregut të shoqërive administruese të fondeve të pensioneve dhe investimeve pësoi sërish rënie vitin e kaluar. Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se rezultati i përbashkët financiar i fondeve të licencuara për vitin 2021 ishte fitimprurës, në vlerën e 152.7 milionë lekëve, ose rreth 1.26 milionë eurove.

Krahasuar me vitin 2020, fitimi i shoqërive administruese ka pësuar rënie me 2.8%. Mbështetur në të dhënat e AMF, në fund të vitit 2021, këto kompani administronin rreth 82 miliardë lekë asete të fondeve të investimit dhe pensioneve.

Burimi kryesor i të ardhurave të këtyre shoqërive janë tarifat e administrimit të fondeve të pensionit dhe investimit, që konsistojnë në një përqindje fikse kundrejt totalit të aktiveve.

Megjithëse aktivet neto të fondeve të pensionit dhe fondeve të investimit u rritën me ritme relativisht të larta vitin e kaluar, kjo nuk ka mjaftuar për të përmirësuar përfitueshmërinë e tregut.

Rënia e fitimeve është ndikuar në një pjesë të madhe nga shoqëritë administruese, që janë ende në trevjeçarin e parë të aktivitetit dhe ku zakonisht, humbjet janë të parashikuara në këtë fazë, edhe për shkak të përmasave të vogla të fondeve që administrojnë.

Kompania më e madhe, Raiffeisen Invest, për vitin 2021 arriti një fitim neto prej 144.5 milionë lekësh, në rënie me 8.7% krahasuar me një vit më parë.

Të ardhurat e kompanisë u përmirësuan krahasuar me një vit më parë, me rritje prej 6%, të ndikuar kryesisht nga zgjerimi i aktiveve të fondeve nën administrim. Por, nga ana tjetër, shpenzimet e administrimit të fondeve u rritën në përmasa më të mëdha, duke bërë që rezultati financiar të pësojë rënie krahasuar me vitin e mëparshëm.

Raiffeisen Invest administron fondet e investimit Raiffeisen Prestigj, Raiffeisen Vizion, Raiffeisen Invest, Raiffeisen MIX dhe fondin e pensioneve Raiffeisen Pension.

Ato përbëjnë më shumë se 90% të aseteve totale të tregjeve të fondeve të investimeve dhe pensioneve, çka i jep një dominim edhe në strukturën e të ardhurave dhe të fitimeve të tregut.

Fitimin e dytë më të lartë në vlerë, për vitin 2021, e arriti Credins Invest, me 22 milionë lekë, në rritje me 24.3% krahasuar me vitin 2020. Credins Invest e ka rritur fitimin për të dytin vit radhazi, kryesisht falë zgjerimit të të ardhurave nga tarifat e administrimit, të lidhura me rritjen e vlerës së aseteve të fondeve të pensionit.

Credins Invest vitin e kaluar administronte fondin e pensioneve Credins Pension, fondin e investimeve Credins Premium dhe fondin e investimeve alternative Sea Land Investment.

Shoqëria tjetër, SIGAL – Life UNIQA GROUP AUSTRIA, për vitin 2021 raportoi fitim neto në vlerën e 13 milionë lekëve, në rënie me 32% krahasuar me vitin 2020. Rënia e fitimi erdhi kryesisht si rezultat i rritjes së shpenzimeve të shoqërisë administruese, që administron fondin e pensioneve SIGAL Pension.

Kompania administruese WVP Fund Management Tirana, ka shënuar vitin e parë rezultat financiar pozitiv, në vlerën e 5 milionë lekëve, ndërkohë që vitin e kaluar kishte raportuar një humbje të vogël neto në vlerën e rreth 30 mijë lekëve. WVP Fund Management Tirana administron dy fondet e investimit, WVP Top Invest dhe WVP Global.

Shoqëria Albsig Invest, e mbylli vitin 2021 me humbje në vlerën e 11.4 milionë lekëve. Humbjet u ngushtuan me afërsisht 37% krahasuar me vitin 2020. Albsig Invest e nisi aktivitetin vetëm në fund të vitit 2019 dhe administron fondin e pensioneve Albsig Pension dhe fondin e investimeve Albsig Invest.

Me humbje prej rreth 7.9 milionë lekësh rezultoi edhe kompania më e re, ABI Invest. Për ABI Invest, 2021 ishte viti i parë me veprimtari aktive të fondeve të veta. Kjo shoqëri administron tre fonde investimi, ABI EIA, ABI FLEX EUR dhe ABI FLEX USD.

/MONITOR

investime

Sondazh

Poll

DËSHTOI PLANI! Tentoi të arratisej në Greqi, arrestohet autori i vrasjes së Luan Hushit

DËSHTOI PLANI! Tentoi të arratisej në Greqi, arrestohet autori i vrasjes së Luan Hushit

Sekuestrohen 3 mina me telekomandë në Korçë, vihet në pranga 35-vjeçari nga Lezha

E frikshme në Vlorë, burri gjuan me kallash në prani të fëmijëve pas sherrit me gruan

U plagos për disa ullinj, vdes 55-vjeçari tek Trauma, nuk i mbijetoi dot plumbave

Policia aksion në call Centre

Zjarr në Berat, rrufeja godet shtyllën e tensionit, banorët mbeten pa energji elektrike

I këputi varësen nga qafa qytetares në Golem, arrestohet gjysmë i zhveshur 30-vjeçari

Zjarr në qendren e përpunimit të plehrave në Gjirokastër, policia nuk lejon gazetarët: Mos filmoni

Bllokimi i mjeteve lundruese pas tragjedisë në Himarë, protestë para Policisë së Shtetit

Inceneratorët, PL paraqet fakte të reja: Qeveria ka lënë peng në banka pronat publike

Banda e “skifterëve” i vë armën në kokë 23-vjeçarit për t’i grabitur paratë dhe biçikletën

Zjarr në“Malin e Bardhë”,banorët nisin aksionin para zjarrfikësve,shuajnë flakët me mjete rrethanore

Digjen pyjet në Mat! Aktivizohet një tjetër vatër zjarri, në Ulëz dhe Baz

Rreth 1 ton drogë në tre skafe, ja SKEMA që përdorën trafikantët për të 'mashtruar' radarët

Megaoperacioni antidrogë në Vlorë, policia jep detaje: U kap në ujërat italiane, kapëm 992kg kanabis

Turizmi në Shqipëri, Berisha konferencë urgjente: Kam 2 propozime, fokus tek transporti

E RËNDË! Përplasen dy makina pranë Kallmetit, 7 të plagosur, mes tyre dhe fëmijë

Tragjedia e Himarës, Policia aksion në bregdet, në 'shënjestër' dhjetëra 'Jet ski', gomone dhe skafe

Përfshihet nga flakët “Golfi” tek “Zogu i Zi”, shkak problemet teknike

Kulla e vrojtimit bosh...në Potam mungon roja bregdetare, pushuesit në mëshirë të fatit

Dita e tretë e protestave në Vlorë/ Pronarët e skafeve dhe gomoneve: Na lini të lundrojmë

8 kg kanabis, në makinë iu gjet edhe një kallashnikov! Arrestohen 3 të rinj në Tropojë

Bllokohen dy turistë gjermanë në Tropojë, përfundojnë në spital

Aktivizohet një vatër zjarri në Sarandë, digjet ullishtja

Sali Berisha: Ilir Meta është opozitar i vërtetë, do të bashkërendojmë aksionin

Çuçi pranon shoqatën e velierave: E kam krijuar me miq pasionantë, s'kam biznes

Bosh plazhi i Livadhit në Himarë, sezoni i verës dështim në Shqipëri

PARALAJMËRIMI/ Berisha-Ramës: Bëj ç’të duash, e ke kohën e numëruar!

Afera e Portit të Durrësit/ Berisha: Mos bini pre, mos blini apartamente

Tragjedia në Himarë/ Berisha: Janë zhdukur kamerat që kanë filmuar skenën e aksidentit

Meta: Do vendosë sovrani, do shikoni pastaj politikanët do bëjnë më si të fortë?

Meta i bën premtimin Ramës: Do përfundosh nën këmbët e popullit të lirisë!

Meta i del në krah Berishës: PD është një dhe vetëm një, koha e përgjumjes ka mbaruar

Begaj s'ka reaguar për tragjedinë e Himarës/ Meta: Nuk është etike ta komentoj, Çuçi të ketë turp

Ilir Meta: Iniciative ligjore në Kuvend për të garantuar indeksimin e pagave

Vrasja e 7-vjeçares në Potam, Arjan Tase mbërrin në Gjykatë, mbahet i fshehur nga kamerat

Tragjedia në Himarë, Berisha: Vogëlushja u vra nga një skafist qeveritar, duhet dorëheqje

A do kishte pasur dorëheqje po të ishte Basha ministër?Ja si i përgjigjet Berisha pyetjes pikante

Protesta para Kryeministrisë/ Bashkohet Ilir Meta dhe Sali Berisha

Incidenti/ Qytetari në protestë: Largohuni nga politika ju pleqtë! Berisha: Lëre mos e luaj!

Vrasja e 7-vjeçares, agravohet protesta, qytetarët përplasen me policinë

Manovra e rrezikshme në Shëngjin, Policia reagon pas videos me jet-ski: S'është aktuale

Fusnin mallra kontrabandë, arrestohen 4 persona

Protesta e sotme, Meta: Çdo qytetar duhet të jetë i pranishëm

Meta ngushëllime në familjen Avdia:Vrasje e paralajmëruar, tallje të thuash se kemi siguri në plazhe

E konfirmon! Berisha: Sot do jem në protestë si qytetar

Aksidenti me një viktimë në Elbasan, kamioni e bën COPË 'Benzin', autori qëndron ende në timon

Berisha te familja e 7-vjeçares: Krim horror, akt i kryer nga një njeri i qeverisë

Berisha del i përlotur nga familja Avdia

Tragjedia në Himarë/ Berisha shkon për ngushëllim në familjen Avdia