EMRAT/ Plagosja me thikë në Shkodër, arrestohet autori dhe babai i tij! Në pranga edhe vëllai i të plagosurit i cili tentoi hakmarrjen
EMRAT/ Plagosja me thikë në Shkodër, në pranga edhe vëllai i të plagosurit që tentoi hakmarrjen 16 K...
EMRAT/ Plagosja me thikë në Shkodër, në pranga edhe vëllai i të plagosurit që tentoi hakmarrjen 16 K...
Pankarta pikante nga dita e 47-të e revoltës qytetare në Tiranë (FOTO) 16 Korrik, 19:45 Protesta qytetare/...
Britania dënon deklaratat e ministres serbe për Kosovën: Rrezikojnë të nxisin tensione në rajon 16 Korrik, 14:46 ...
Berisha: Dënoj me forcën më të madhe heshtjen prej vasali të qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së minis...
• Deklarata e ministres serbe Snezhana Paunoviç për Kosovën vijon të sjellë reagime kombëtare dhe ndërkombëtare. • Në një intervistë të gjatë, ministrja në qeverinë e Vuçiçit, tha se po të kishte pasur lirinë e veprimit që kishte Slobodan Milosheviç, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën. • Në lidhje me këte ka reaguar edhe Bashkimi Evropian, i cili thekson se në Evropë nuk duhet të ketë vend për retorikë që arsyeton dhe promovon spastrimin etnik. • Sipas BE-së, deklarata të tilla nuk janë në përputhje me detyrimet që Serbia ka marrë përsipër në kuadër të dialogut me Kosovën. • Nga ana tjetër, një pjesë e opozitës serbe po kërkon shkarkimin e saj nga detyra, ndërsa kërkesës i është bashkuar edhe deputeti i Partisë për Veprim Demokratik në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi. Ministrja serbe Snezhana Paunoviç ka kërkuar falje publike ndaj presidentit Vuçiç dhe qeverisë pas reagimeve të forta ndaj deklaratës së saj për “spastrimin etnik të Kosovës”. • Ajo falënderoi Partinë Socialiste për mbështetjen dhe akuzoi opozitën dhe mediat për përdorim politik të kësaj çështjeje. • Paunoviç e cilësoi si paradoks vendimin e Kosovës për ta shpallur “non grata”, duke theksuar se ndalimi i hyrjes së saj në territorin kosovar ka katër vite që është në fuqi. • Komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, përsëriti dënimin e saj ndaj deklaratës së ministres të Qeverisë serbe dhe shprehu habinë që ajo vazhdon të mbetet ministre. Kos u bëri thirrje politikanëve në vendet kandidate për anëtarësim në BE që të kenë parasysh se çdo fjalë e thënë ka peshë. • Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë ka publikuar një komunikatë, përmes së cilës një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme britanike dënon ashpër deklaratat e ministres serbe Snezhana Paunoviç kundër Kosovës. • Në komunikatë theksohet se Mbretëria e Bashkuar mbështet përpjekjet për stabilitet dhe bashkëjetesë në Ballkanin Perëndimor, ndërsa retorika që mund të nxisë përçarje konsiderohet e papranueshme.
5 artikuj për këtë temë.
Ministrja serbe Snezhana Paunoviç është duke u përballur me një padi për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit në Kosovë, si dhe kërkesë për shkarkim në Kuvendin serb, për shkak të deklaratës së saj ditë më parë për “spastrim etnik” në Kosovë.
Snezhana Paunoviç ministres serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale -deklaroi të shtunën për televizionin serb Kurir se, po të ishte në vend të ish-lideri serb Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, “do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën”, duke nxitur reagime dhe dënime në Kosovë dhe më gjerë.
Për shkak të kësaj deklarate, ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, njoftoi të enjten se ka ngritur padi kundër Paunoviqit për nxitje të urrejtjes dhe mosdurimit.
Gërvalla shkroi në Facebook se i ka kërkuar kryeprokurorit të Shtetit të Kosovës t’i ndërmarrë “të gjitha veprimet hetimore dhe të procedojë tutje me aktakuzë dhe kërkesë për shqiptimin e dënimit nga Gjykata kompetente”.
Ndërkohë, deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, njoftoi të enjten se 53 deputetë opozitarë ia kanë dorëzuar një kërkesë kryeministrit serb, Gjuro Macut, për shkarkimin e Paunoviqit.
Ata i kërkuan kryeministrit Macut që, “pa asnjë vonesë”, t’i propozojë Kuvendit të Serbisë shkarkimin e ministres Paunoviq - e cila u shpall person i “padëshirueshëm” në Kosovë.
Nuk është e qartë nëse Macut do ta bëjë një propozim të tillë në Kuvendin serb me 250 vende.
Kamberi theksoi të enjten se kryeministri Macut ka përgjegjësi politike dhe institucionale të reagojë dhe të dëshmojë se në Qeverinë e Serbisë nuk ka vend për një ministre që mbron idetë e dëbimit të njerëzve mbi bazën e përkatësisë së tyre kombëtare dhe që promovon veprime jashtë ligjit dhe procedurave gjyqësore.
“Nëse Macut refuzon të propozojë shkarkimin e saj, ai do të marrë përgjegjësinë për vazhdimin e mandatit të saj në këtë funksion dhe për normalizimin e një politike të tillë brenda Qeverisë së Serbisë”, tha ai.
Reagimet
Deklaratat e Paunoviqit u dënuan nga Bashkimi Evropian dhe Kosova, ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se komentet e saj “nuk pasqyron vullnetin tim, e as të Qeverisë së Serbisë”.
Të enjten, komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, përsëriti dënimin e saj ndaj deklaratave të Paunoviqit dhe shprehu habinë pse ajo vazhdon të mbetet ministre.
Vëzhgues nga Kosova dhe Serbia thanë Radion Evropa e Lirë se deklarata e Paunoviqit është pjesë e një modeli politik të Serbisë karshi Kosovës, duke kërkuar që bashkësia ndërkombëtare të mos mjaftohet vetëm me reagime, por të ndërmarrë veprime konkrete ndaj Serbisë.
Deklaratat e saj prekin plagë të vjetra në Kosovë, pasi qindra mijëra civilë shqiptarë u dëbuan nga Kosova gjatë luftës së viteve 1998-1999.
Ajo luftë ua mori jetën mbi 13.000 civilëve, kryesisht shqiptarë, ndërsa mijëra të tjerë mbetën të zhdukur.
Mbi 1.500 persona, shumica shqiptarë, vazhdojnë të jenë ende të zhdukur.
Gërvalla theksoi se Serbia ende nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera ndaj popullit tonë gjatë luftës në Kosovë.
“Këto ishin pasoja të një fushate sistematike të gjenocidit e spastrimit etnik të kryer nga regjimi serb në Kosovë, të shoqëruar me vrasje, dëbime, dhunë seksuale dhe trajtim çnjerëzor”, shkroi Gërvalla.
Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në Hagë i cilësoi drejtuesit e atëhershëm të RFJ-së si pjesëmarrës kyç në një “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, që synonte dëbimin me forcë të qindra mijëra civilëve shqiptarë nga Kosova në vitin 1999.
Sipas aktgjykimeve, qëllimi ishte “ndryshimi i balancës etnike për të ruajtur kontrollin serb mbi Kosovën”.
I akuzuari kryesor, Sllobodan Millosheviq, vdiq në paraburgim para përfundimit të gjykimit, ndërsa ish-presidenti i Serbisë, Millan Millutinoviq, u shpall i pafajshëm./REL

ANGLI- Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë ka publikuar një komunikatë, përmes së cilës një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme britanike (Foreign Office) dënon ashpër deklaratat e ministres serbe Snezhana Paunoviç kundër Kosovës.
Sipas reagimit, në një kohë kur vendet e Ballkanit Perëndimor janë të angazhuara për ndërtimin e një të ardhmeje paqësore, të qëndrueshme dhe shumetnike, deklarata të tilla rrezikojnë të rihapin ndasitë e së kaluarës dhe të nxisin tensione në rajon.
Në komunikatë theksohet se Mbretëria e Bashkuar mbështet përpjekjet për stabilitet dhe bashkëjetesë në Ballkanin Perëndimor, ndërsa retorika që mund të nxisë përçarje konsiderohet e papranueshme.
Ambasada britanike bën të ditur gjithashtu se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i ka hedhur poshtë komentet e bëra nga ministrja Paunoviç.
“Dënojmë deklaratat e ministres serbe Snezana Paunoviç, përfshirë referencat e saj ndaj spastrimit etnik të Kosovës. Ato janë krejtësisht të neveritshme dhe nuk kanë vend në shoqërinë e sotme”, thuhet në njoftimin e publikuar. Udhëheqësit politikë të përgjegjshëm duhet ta refuzojnë një gjuhë të tillë në mënyrë të qartë dhe pa asnjë mëdyshje”, thuhet më tej në komunikatë./Dosja.al
BRUKSEL- Komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, përsëriti dënimin e saj ndaj deklaratës së ministres të Qeverisë serbe, Snezhana Paunoviq, lidhur me “spastrimin etnik” në Kosovë dhe shprehu habinë që ajo vazhdon të mbetet ministre.
Kos u bëri thirrje politikanëve në vendet kandidate për anëtarësim në BE që të kenë parasysh se çdo fjalë e thënë ka peshë.
“Ishte tronditëse të dëgjonim diçka të tillë në vitin 2026. Nuk do ta përsëris as atë që ajo tha. Ishte vërtet tronditëse të dëgjohej një deklaratë e tillë. Nuk mund ta imagjinoj që një ministre, pas një deklarate të tillë publike, të mund të vazhdojë të ushtrojë detyrën e saj”, deklaroi komisionarja Kos, gjatë fjalimit të saj në Komitetin e Posaçëm për Mburojën e Demokracisë Evropiane të Parlamentit Evropian.
Ministrja e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë serbe, Snezhana Paunoviq, duke folur për jetën në Kosovë dhe largimin e saj nga Peja gjatë luftës, ajo deklaroi më 11 korrik se “nuk do t’i kishte likuiduar shqiptarët ashtu siç ata po përpiqen ta pastrojnë etnikisht Kosovën, por në atë mënyrë që secili që ndihej më pak qytetar i Republikës Federale të Jugosllavisë, të largohej dhe të shkonte në shtetin e vet amë”.
Kjo deklaratë u dënua edhe nga Mbretëria e Bashkuar. Sipas Londrës, gjuha e përdorur nga Paunoviq është “e neveritshme” dhe referencat për spastrim etnik s’kanë vend në shoqërinë e sotme.
Përmes një deklarate, një zëdhënës i Zyrës për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, tha se në kohën kur shtetet në Ballkanin Perëndimor janë të përqendruara në ndërtimin e një të ardhmeje paqësore dhe shumetnike “deklaratat si këto synojnë të rihapin përçarjet e vjetra dhe të nxisin tensione”.
“Udhëheqësit e përgjegjshëm politikë duhet të refuzojnë një gjuhë të tillë”, u tha në deklaratë.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka reaguar për Paunoviqin, duke thënë se deklarata e saj nuk pasqyron vullnetin e tij, e as të Qeverisë së Serbisë, duke shtuar se politika e shtetit serb është dialogu, e jo kurrë spastrimi etnik.
Paunoviq - nënkryetare e Partisë Socialiste të Serbisë, partisë së dikurshme të Millosheviqit - nuk i tërhoqi fjalët e saj, por tha më 16 korrik se ato “janë nxjerrë jashtë kontekstit” dhe i kërkoi falje Vuçiqit dhe Qeverisë së Serbisë për reagimet që ka shkaktuar.
Deklarata e saj se do ta spastronte etnikisht Kosovën nëse do të ishte në krye të shtetit më 1998 nxiti reagime të shumta dhe Kosova më 14 korrik e shpalli atë person të padëshiruar, duke i ndaluar ndaluar përgjithmonë hyrjen ose kalimin nëpër territorin e Kosovës.
Vëzhgues nga Kosova dhe Serbia thanë Radion Evropa e Lirë se deklarata e Paunoviqit është pjesë e një modeli politik të Serbisë karshi Kosovës, duke kërkuar që bashkësia ndërkombëtare të mos mjaftohet vetëm me reagime, por të ndërmarrë veprime konkrete ndaj Serbisë.
Nga Qeveria në detyrë e Kosovës i kanë thënë më herët Radios Evropa e Lirë se “problemi qëndron se shteti i Serbisë nuk ka bërë asnjëherë asnjë lloj distancimi nga politika e Millosheviqit”.
“Është mirë që të gjithë - përveçse ta dënojnë këtë gjuhë - ta kenë edhe në mendje kur flasin me Serbinë për integrimin, reformat dhe fondet, si dhe ta kuptojmë që këto nuk janë thjesht deklarime, por aspirata nga të cilat shteti zyrtar i Serbisë nuk ka hequr dorë”, thanë nga ekzekutivi kosovar.
Udhëheqësit e atëhershëm shtetërorë dhe forcat e sigurisë së Republikës Federale të Jugosllavisë u dënuan nga Tribunali i Hagës për dëbimin me dhunë të qindra mijëra civilëve shqiptarë nga Kosova, në periudhën mars-qershor të vitit 1999.
Gjatë luftës në Kosovë, në vitet 1998-1999, u vranë më shumë se 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë u zhdukën. Më shumë se 1.500 persona, shumica prej tyre shqiptarë, vazhdojnë të jenë ende të zhdukur.
Sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Evropian, shkalla e harmonizimit të Serbisë me politikën e sanksioneve të BE-së është pak më shumë se 60 për qind. Deri më tani, Serbia nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë apo Bjellorusisë në përputhje me vendimet e bllokut evropian, i cili deri tani i ka miratuar Moskës 20 paketa sanksionesh si përgjigje ndaj agresionit kundër Ukrainës.
Komisionarja Kos, duke folur para eurodeputetëve, vlerësoi se mbështetja e ulët për integrimin evropian në Serbi është edhe pasojë e mesazheve që dërgojnë politikanët, si dhe e mënyrës se si raportojnë mediat. Ajo theksoi se është e papranueshme që një vend kandidat të përdorë retorikë antievropiane, veçanërisht kundër deputetëve të Parlamentit Evropian, gazetarëve dhe të gjithë atyre që kritikojnë zhvillimet në vend./REL

ZVICER - Disa ditë pas rekomandimeve të reja nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, këshilli i Federatës Ndërkombëtare të Hendbollit (IHF) vendosi të ndryshojë qëndrimin e tij.
Prandaj, po heq, me efekt të menjëhershëm, pezullimin e vendosur më 4 mars 2022, i cili u ndalonte ekipeve, zyrtarëve dhe gjyqtarëve rusë dhe bjellorusë të merrnin pjesë në ngjarjet dhe aktivitetet e IHF-së.
"IHF e di që një riintegrim i plotë mund të kërkojë një periudhë tranzicioni për ekipet dhe zyrtarët rusë dhe bjellorusë. Megjithatë, IHF mezi pret t'i mirëpresë ata përsëri në komunitetin ndërkombëtar të hendbollit dhe shpreson që, me mbështetjen dhe bashkëpunimin e të gjithë palëve të interesuara, do të ndërmerren hapat e nevojshëm për të siguruar një kthim të shpejtë dhe efektiv", thuhet në deklaratën e organit drejtues, i cili gjithashtu riafirmon solidaritetin e saj me Ukrainën.
EHF ende nuk ka dhënë një deklaratë…
Kjo heqje e sanksioneve padyshim do të kushtëzohet nga përmbushja e kërkesave anti-doping.
"IHF, në bashkëpunim me Agjencinë Ndërkombëtare të Testimit (ITA), do të zbatojë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar përmbushjen e kërkesave të zbatueshme anti-doping pas kthimit të atletëve rusë në garat ndërkombëtare të hendbollit, duke garantuar njëkohësisht respektimin e plotë të Kodit Botëror Anti-Doping. Nuk do të zbatohen kushte ose kufizime të tjera të përshtatshmërisë", thuhet në deklaratë.
Federata Evropiane e Hendbollit (EHF) nuk e ka shpallur ende qëndrimin e saj zyrtar. Një vendim i ngjashëm mund të ndikojë në edicionet e ardhshme të Ligës së Kampionëve dhe Kampionatit Evropian.
B.T (Dosja.al)
SERBI- Shkarkimin e Ministres Snezhana Paunoviq po e kërkon një pjesë e opozitës, ndërsa kërkesës i është bashkuar edhe deputeti i Partisë për Veprim Demokratik në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi.
Reagime të ashpra po vijnë edhe nga Bashkimi Evropian, i cili thekson se "në Evropë nuk duhet të ketë vend për retorikë që arsyeton dhe promovon spastrimin etnik”. Sipas BE-së, deklarata të tilla nuk janë në përputhje me detyrimet që Serbia ka marrë përsipër në kuadër të dialogut me Kosovën.
Deputeti i Parlamentit Evropian, Sandro Gozi, deklaroi se "Serbia nuk mund të pretendojë në mënyrë bindëse se është e përkushtuar ndaj anëtarësimit në Bashkimin Evropian ndërkohë që anëtarë të qeverisë së saj ringjallin retorikën dhe ideologjinë e epokës së Millosheviqit”.
Politikanë nga Shqipëria dhe Kosova e shohin këtë retorikë si konfirmim të vazhdimit të politikës së Sllobodan Millosheviqit. Paunoviq u shpall person non grata në Kosovë.
Ministrja "nuk heq dorë nga strategjia e partisë së saj"
Qeveria e Serbisë nuk është prononcuar, por kjo është praktikë e zakonshme kur Presidenti Aleksandar Vuçiq ndodhet jashtë vendit, pasi qëndrimi zyrtar zakonisht bëhet i ditur vetëm pas reagimit të tij. Megjithatë, është e sigurt se një lloj i tillë retorike dhe gjuhe urrejtjeje pothuajse kurrë nuk është dënuar publikisht në Serbi, ndërsa promovuesit e saj shpesh kanë avancuar në karrierën politike.
Pas reagimeve të forta, Snezhana Paunoviq publikoi një deklaratë ku, në vend që të distancohej nga fjalët e saj, shkroi se "nuk heq dorë nga politika e Partisë Socialiste të Serbisë, e cila e udhëhoqi Serbinë në rrethana historike jashtëzakonisht të vështira; një parti që bëri sakrifica të mëdha, emri i së cilës përmendej më së shumti në Hagë, një parti që nuk iu lut askujt për asgjë për të mbetur krenare dhe besnike ndaj ideve të veta. Nuk heq dorë as nga strategjitë e partisë sime, të cilat u zgjodhën në rrethanat e kryengritjes së armatosur në një pjesë të shtëpisë që quhet Serbi.”
Thanë publikisht atë që mendojnë fshehurazi
Një pjesë e opinionit publik në Serbi beson se deklarata të tilla synojnë të largojnë vëmendjen nga ngjarje të tjera. Por Dragan Popoviq, drejtor i Qendrës për Politikë Praktike, thotë se kjo deklaratë është "thjesht pasqyrim i kapacitetit të ministres në paraqitjet publike” dhe se "ajo vetëm e tha publikisht atë që shumica në pushtet mendojnë”.
"Ata shprehin në fakt keqardhje që nuk ndodhi spastrimi etnik, ndërsa e dimë se partia e saj, SPS, u përpoq të kryente spastrim etnik në Kosovë. Përveç kësaj, pati vrasje masive të shqiptarëve të Kosovës dhe për këtë arsye e gjithë elita ushtarake dhe policore jugosllave e serbe u dënua në Tribunalin e Hagës. Kemi ardhur në situatën që ministrat lavdërojnë krimet më të rënda, gjë që diku tjetër do të shkaktonte tronditje tektonike, por në Serbi do të jetë lajm vetëm për disa ditë”, vlerësoi Popoviq për DW.
Daçiq relativizon gjuhën e urrejtjes
Në mbrojtje të koleges së partisë së tij doli Zëvendëskryeministri dhe kryetari i SPS-së, Ivica Daçiq. Ai i quajti sulmet ndaj ministres hipokrite dhe shtoi se "në Kosovë është kryer spastrim etnik ndaj serbëve”, por se kjo "nuk i intereson askujt”.
Sipas Dragan Popoviqit, "kjo është vetëm dëshmi se spastrimi etnik i kryer nga Millosheviqi nuk paraqet problem për askënd dhe se asnjë spastrim i ri etnik nuk do të ishte problem. Problem bëhet vetëm kur kjo thuhet publikisht, e më pas fillon relativizimi i asaj që është thënë.
Nëse për ministren Paunoviq mund të thuhet se nuk ka përvojë të mjaftueshme politike dhe se e tha sinqerisht atë që zakonisht nuk thuhet, kjo nuk mund të thuhet për Ivica Daçiqin. Ai ka një përvojë të gjatë. Prandaj mendoj se deklarata e tij është edhe më e rrezikshme.”
Lavdërimi i politikës së viteve '90
Pavarësisht përpjekjeve të autoriteteve serbe për të fshehur natyrën e tyre të vërtetë, fakt është që gjuha e urrejtjes në hapësirën publike kultivohet shumë dhe shoqërohet gjithnjë e më shpesh edhe me dhunë fizike. Kjo ishte veçanërisht e dukshme gjatë ditëve të përkujtimit të gjenocidit të Srebrenicës në korrik, ndërsa deklaratat e ministres Paunoviq u përshtatën me narrativën e përbashkët të pushtetit sa i përket përballjes me të kaluarën, krimet e luftës dhe marrëdhëniet rajonale.
Popoviq vlerëson se e gjithë kjo tregon se "jo vetëm që nuk është bërë distancim nga politika e viteve '90, por ajo politikë madje po glorifikohet. Partia Progresive Serbe e Vuçiqit dhe SPS e Daçiqit po vazhdojnë politikën e radikalëve dhe socialistëve nga vitet '90-të, vetëm në rrethana të ndryshuara. Kemi një radikalizim të diskursit publik dhe një shoqëri në prag të shpërthimit të dhunës, si verbale ashtu edhe fizike. Këto dalje të tilla janë pasojë radikalizimi të përgjithshëm të shoqërisë. Këto janë pasojat e politikës së Vuçiqit dhe të gjithë koalicionit të tij”, paralajmëron drejtori i Qendrës për Politikë Praktike.
Klasteri 3 në rrezik
Reagime kanë ardhur edhe nga Bashkimi Evropian. Duke pasur parasysh se javët e fundit është diskutuar hapja e Klasterit 3 në negociatat e anëtarësimit të Serbisë dhe se Komisioni Evropian është përpjekur të vlerësojë një lloj përparimi të Serbisë, retorika e ministres Paunoviq ka rikthyer vëmendjen te realiteti - se pushteti aktual trashëgon politikën e Sllobodan Millosheviqit, të përforcuar me vizionet politike të Vojisllav Sheshelit, dhe nuk ka asnjë problem me barrën e rëndë të së kaluarës.
Popović mendon se "Komisioni Evropian, me kalimin e kohës, do ta ketë gjithnjë e më të vështirë të ruajë këtë qasje realpolitike, ku përpiqet me çdo kusht ta mbajë Serbinë në rrugën evropiane, ndonëse kjo qeveri prej kohësh është larguar nga ajo rrugë. Ndoshta nuk është e lehtë as për njerëzit në Komision të vazhdojnë të mbyllin sytë, sepse pushteti i Aleksandar Vuçiqit po bëhet gjithnjë e më problematik. Vijat e kuqe duhej të ishin vendosur shumë kohë më parë, sepse Vuçiqi i ka kaluar të gjitha ato linja. Nuk e di edhe sa gjatë mund të mbahet ky qëndrim ndaj pushtetit të tij.”
Traumat e luftërave të humbura duket se vazhdojnë të jenë një temë përmes së cilës fitohen pikë politike në Serbi. Sipas Popoviqit, "ky kapitull nuk është mbyllur kurrë. Ideologjia nacionaliste pikërisht këtë bën – gërmon vazhdimisht në plagë dhe përhap bindjen se rreziku ende nuk ka kaluar. Fatkeqësisht, pushteti i tanishëm ka mundësinë të mobilizojë shoqërinë mbi baza shumë të rrezikshme. Mendoj se kjo nuk është ende shenja përfundimtare e kthimit në vitet '90 – është vetëm një sinjal i fortë që na kujton se kush ishin aktorët e politikës së asaj kohe. Janë të njëjtët njerëz që janë edhe sot në pushtet”, përfundon Popoviq për DW./DW