EMRAT/ Plagosja me thikë në Shkodër, arrestohet autori dhe babai i tij! Në pranga edhe vëllai i të plagosurit i cili tentoi hakmarrjen
EMRAT/ Plagosja me thikë në Shkodër, në pranga edhe vëllai i të plagosurit që tentoi hakmarrjen 16 K...
EMRAT/ Plagosja me thikë në Shkodër, në pranga edhe vëllai i të plagosurit që tentoi hakmarrjen 16 K...
Pankarta pikante nga dita e 47-të e revoltës qytetare në Tiranë (FOTO) 16 Korrik, 19:45 Protesta qytetare/...
Britania dënon deklaratat e ministres serbe për Kosovën: Rrezikojnë të nxisin tensione në rajon 16 Korrik, 14:46 ...
Berisha: Dënoj me forcën më të madhe heshtjen prej vasali të qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së minis...
• Deputetja Elisa Spiropali ka propozuar hapjen e një Dialogu Kombëtar për "Marrëveshjen e Re për Shqipërinë", përmes një mocioni të dorëzuar në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste. • Në dokument argumentohet se Shqipëria ka hyrë në një fazë të re të zhvillimit dhe se vendi ka nevojë për më shumë demokraci, përfaqësim, pjesëmarrje qytetare, meritokraci dhe institucione më të forta. • Mocioni thekson se Marrëveshja politike e vitit 2008 e ka përmbushur misionin e saj për stabilitet, por sipas autores nuk garanton më konkurrencë, përfaqësim dhe hapësirë për energji të reja politike. • Spiropali propozon që Partia Socialiste të nisë reformimin nga vetja, duke garantuar zgjedhje të lira brenda partisë, debat të hapur, meritokraci, transparencë dhe autonomi më të madhe të forumeve. • Dokumenti kërkon ndarje të qartë mes partisë dhe shtetit, duke theksuar se administrata publike duhet t'u shërbejë qytetarëve dhe ligjit, jo interesave politike. • Një nga propozimet kryesore është hapja e një konsultimi të gjerë kombëtar me qytetarët, universitetet, biznesin, shoqërinë civile, diasporën dhe forcat politike për hartimin e "Marrëveshjes së Re për Shqipërinë". • Në kapitullin për angazhimet kombëtare, mocioni kërkon zgjedhje që prodhojnë besim, drejtësi të pavarur, luftë kundër korrupsionit, parlament më funksional, ekonomi të bazuar te konkurrenca dhe meritokracia, arsim cilësor, shëndetësi me dinjitet dhe media të lira. • Dokumenti propozon reformimin e sistemit zgjedhor, duke mbështetur një Sistem Proporcional Kombëtar me lista të hapura, të paraprirë nga procese demokratike brenda partive politike. • Në mocion thuhet se pushteti duhet të kufizojë vetveten, ndërsa demokracia duhet të forcohet përmes kontrollit institucional, kritikës dhe llogaridhënies. • Në përfundim, Spiropali fton qytetarët, institucionet dhe të gjitha forcat politike t'i bashkohen Dialogut Kombëtar, duke argumentuar se Shqipëria ka nevojë për një "kontratë të re besimi" mes shtetit dhe qytetarëve, ku zhvillimi të ecë paralelisht me demokracinë dhe shtetin e së drejtës.
3 artikuj për këtë temë.

TIRANË- Deputetja Elisa Spiropali ka publikuar një mocion të dorëzuar në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, përmes të cilit kërkon nisjen e një “Dialogu Kombëtar” për atë që ajo e quan një “Marrëveshje të Re për Shqipërinë”.
Sipas një postimi në llogarinë e saj në Facebook, Spiropali, sqaron se në fokus të mocionit është nevoja për një fazë të re të demokracisë shqiptare, ku institucionet të jenë më të forta se individët.
Në këtë dokument, që vjen në një periudhë protestash dhe pakënaqësie qytetare, Spiropali bën thirrje për një reformim të thellë të vetë Partisë Socialiste dhe një ndryshim të modelit të ushtrimit të pushtetit.
Postimi i plotë:
"Pas interesimit të medias, po ndaj me Ju Dokumentin që kam dërguar sot në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, i hapur për të gjithë anëtarët dhe të gjithë qytetarët.
Kryeministrit dhe Kryetarit të Partisë Socialiste Edi RAMA
Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste
Anëtarësisë së Partisë Socialiste
Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste
MOCION PËR HAPJEN E DIALOGUT KOMBËTAR MBI MARRËVESHJEN E RE PËR SHQIPËRINË
PJESA I
Shqipëria ka hyrë në një moment vendimtar historik, politik e shoqëror. Institucionet funksionojnë, ekonomia vazhdon të rritet dhe proceset demokratike zhvillohen rregullisht. Megjithatë, shoqëria shqiptare po kërkon një fazë të re të demokracisë së saj: më shumë përfaqësim, më shumë pjesëmarrje, më shumë besim te institucionet, më shumë drejtësi shoqërore dhe një marrëdhënie më të drejtë ndërmjet qytetarit dhe shtetit.
Kjo është një kërkesë që nuk mund të shpërfillet. Në një demokraci të pjekur, energjia qytetare nuk shihet si kërcënim, por si një mundësi për reflektim, vetëkorrigjim, përmirësim.
Shoqëritë demokratike nuk forcohen duke heshtur zërat kritikë, por duke krijuar institucione që dinë t’i dëgjojnë, t’i kuptojnë dhe t’u përgjigjen me reforma.
Pikërisht këtë po kërkon edhe koha që po jetojmë. Jo më pak demokraci, por më shumë demokraci. Jo më shumë kontroll, por më shumë besim. Jo më shumë personalizim të pushtetit, por institucione më të forta se individët. Jo privilegj, por meritë. Jo mbyllje, por garë. Jo vetëkënaqësi, por vetëkorrigjim. Më shumë përulësi, më pak arrogancë.
Shoqëria shqiptare kërkon më shumë garë dhe më pak privilegj. Më shumë meritë dhe më pak besnikëri personale. Më shumë institucione dhe më pak personalizim. Më shumë përfaqësim dhe më pak përqëndrim të vendimmarrjes. Më shumë konkurrence ekonomike, më pak favorizim. Kërkon një shtet ku ligji është mbi pushtetin dhe ku pushteti nuk identifikohet me askënd.
Kjo është kultura demokratike që duhet të ndërtojmë. Kalimi nga kultura e individit te kultura e institucionit. Nga administrimi i pushtetit te vetëkufizimi i pushtetit. Nga bindja se shumica ka gjithmonë të drejtë, te bindja se demokracia forcohet vetëm kur pushteti pranon kontroll, kritikë dhe korrigjim.
Prej javësh, në rrugët e Tiranës po shfaqet një energji qytetare që kërkon të përfaqësohet. Një mobilizim politik dhe shoqëror, sidomos nga brezi i ri, që nuk mund të shpërfillet pa pasoja.
Shumica qeverisëse nuk duhet ta shohë këtë si një zhurmë që duhet shtypur dhe injoruar, por si një moment reflektimi për demokracinë shqiptare. Ne besojmë se çdo shoqëri demokratike bëhet më e fortë kur institucionet kanë guximin të dëgjojnë qytetarët e tyre, edhe kur ata shprehin pakënaqësi, kërkojnë ndryshim apo sfidojnë mënyrën se si ushtrohet pushteti.
Përgjegjësia jonë nuk është të gjykojmë këtë zë. Përgjegjësia jonë është ta dëgjojmë, ta kuptojmë dhe t’i përgjigjemi me më shumë demokraci, më shumë përfaqësim, më shumë llogaridhënie dhe më shumë besim. Pikërisht këtu fillon arsyeja e këtij mocioni.
Në këto vite Shqipëria ka ndërtuar stabilitet politik, institucione më të forta dhe ekonomi më të zhvilluar. Por, çdo model politik ka ciklin e vet. Sistemi që ndërtoi stabilitetin, nuk prodhon domosdoshmërisht më shumë përfaqësim, më shumë garë dhe më shumë hapësirë për energjitë e reja të shoqërisë.
Marrëveshja politike e vitit 2008 i shërbeu stabilitetit institucional të kohës së saj. Sot, kufijtë e atij modeli janë bërë të dukshëm. Ai nuk krijon më të njëjtën hapësirë për konkurrencë, garë dhe pjesëmarrje që kërkon shoqëria shqiptare.
Shqipëria nuk ka nevojë për një tranzicion të ri. Ka nevojë për një fazë të re të demokracisë së saj. Një fazë ku zhvillimi ekonomik ecën së bashku me demokratizimin politik; ku pushteti pranon kufijtë e vet; ku institucionet fitojnë më shumë autoritet se individët; ku meritokracia zë vendin e privilegjit; ku shteti forcohet përmes vetëkorrigjimit dhe jo përmes vetëmbrojtjes.
Pikërisht për këtë arsye propozohet hapja e Dialogut Kombëtar për Marrëveshjen e Re për Shqipërinë.
Jo si një dokument partie dhe as si një program qeverisës, por si një proces kombëtar që synon të ripërtërijë marrëdhënien mes shtetit, institucioneve, politikës dhe qytetarëve.
Ky proces duhet të fillojë me gatishmërinë për të reformuar mënyrën se si ushtrohet pushteti, për të forcuar institucionet, për të zgjeruar përfaqësimin, për të rikthyer besimin dhe për të krijuar një kulturë të re politike, ku vetëpastrimi të jetë shenjë force dhe jo dobësie.
Vetëm një Parti Socialiste që reformon veten, mund t’u kërkojë shqiptarëve një marrëveshje të re me shtetin. Vetëm një Parti Socialiste që hap rrugë për energji të reja, përfaqësim të ri, mund t’i përgjigjet me besueshmëri mesazhit që vjen nga shoqëria. Vetëm një Parti Socialiste që kërkon përgjegjësi nga ata që ushtrojnë pushtetin në emër të saj, mund të jetë konkurruese dhe fituese, jo për shkak të forcës së pushtetit, por për arsye të ideve, besueshmërisë dhe vlerave të saj.
Prandaj propozojmë që ky proces të mos kufizohet vetëm në drejtimin politik të Partisë Socialiste, por t’i nënshtrohet një konsultimi të hapur me të gjithë anëtarësinë e saj.
Shqipëria ka nevojë për një marrëveshje të re me qytetarët. Partia Socialiste ka detyrimin të bëjë më parë marrëveshjen e saj të re me vetveten. Vetëm kështu mund të kapërcejmë krizën e pushtetit, të rifitojmë besimin e qytetarëve dhe t’i përgjigjemi me përgjegjësi demokratike zërit që sot dëgjohet në rrugët e Shqipërisë.
Mbi këtë bindje, Socialistet duhet të marrin përsipër angazhimet ndaj vetvetes.
PJESA II
Angazhimet e Partisë Socialiste ndaj vetvetes
Asnjë Marrëveshje e Re për Shqipërinë nuk mund të jetë e besueshme, nëse nuk fillon nga vetë Partia Socialiste, shumica qeverisëse e vendit. Ndryshimi që kërkojmë për Shqipërinë, duhet të fillojë nga mënyra se si organizohemi, si konkurrojmë dhe si ushtrojmë përgjegjësinë politike brenda nesh. Për këtë arsye, Partia Socialiste merr përsipër këto angazhime.
1. Të bëhet partia më demokratike në Shqipëri.
Demokracia që kërkojmë për shtetin duhet të fillojë nga vetë organizimi ynë politik.
2. Të garantojë zgjedhje të lira, konkurruese dhe periodike në çdo nivel të organizimit.
Asnjë funksion nuk duhet të jetë i përhershëm dhe asnjë përgjegjësi nuk duhet të jetë e pakonkurrueshme.
3. Të rikthejë debatin si kulturë politike, larg personalizimit ekstrem dhe vendimmarrjeve të mbyllura.
Forumet e Partisë Socialiste duhet të jenë vende ku idetë përballen, jo thjesht ku vendimet miratohen.
4. Të garantojë përfaqësimin e mendimeve, rrymave dhe ndjeshmërive të ndryshme politike brenda së majtës demokratike.
Pluralizmi i ideve është burim force, dhe jo shkak dobësie.
5. Të ndërtojë meritokracinë si rregull themelor të promovimit politik.
Karriera politike duhet të mbështetet mbi punën, integritetin, dijen dhe kontributin publik.
6. Të krijojë më shumë hapësirë për brezin e ri.
Të rinjtë nuk duhet të jenë vetëm pjesëmarrës në fushata, por pjesëmarrës në vendimmarrje.
7. Të forcojë autonominë e forumeve dhe organizatave të saj.
Organizatat e Partisë duhet të kenë rol real në formësimin e politikave dhe të mos funksionojnë vetëm si struktura mobilizuese.
8. Të promovojë etikën e përgjegjësisë publike.
Funksionet politike nuk janë privilegj. Janë përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe ndaj vetë Partisë Socialiste.
9. Të vendosë transparencën si standard të vendimmarrjes.
Vendimet e rëndësishme politike duhet të ndërtohen mbi konsultim, argument dhe përgjegjësi.
10. Të mbetet një parti që reformon vazhdimisht vetveten.
Historia ka treguar se partitë nuk dobësohen kur ndryshojnë; dobësohen kur besojnë se nuk kanë më nevojë të ndryshojnë.
11. Të ndajë qartë Partinë nga Shteti.
Partia Socialiste angazhohet të forcojë dallimin mes organizimit politik dhe administratës shtetërore. Administrata duhet t’i shërbejë ligjit dhe qytetarëve, jo cikleve politike apo individëve me pushtet. Ky është kusht për një shtet modern dhe për një demokraci të besueshme.
Vetëm një parti që ka kurajën të reformojë veten, mund t’i kërkojë Shqipërisë të hyjë në një fazë të re të zhvillimit demokratik.
Pikërisht mbi këtë bindje, propozojmë Angazhimet për Marrëveshjen e Re për Shqipërinë.
PJESA III
Angazhimet për Shqipërinë e Dekadës së Ardhshme
Shqipëria Europiane nuk është vetëm destinacioni ynë politik. Është modeli i shtetit që duam të ndërtojmë, dhe mënyra se si duam të jetojnë shqiptarët. Një Shqipëri ku çdo qytetar ndihet i lirë, i përfaqësuar dhe i mbrojtur nga ligji. Një Shqipëri ku demokracia matet me cilësinë e institucioneve, me ndarjen e pushteteve dhe me besimin që qytetarët kanë tek shteti i tyre. Pikërisht këtë Shqipëri synon të mishërojë Marrëveshja e Re për Shqipërinë.
Shqipëria ka hyrë në një etapë të re të historisë së saj. Tridhjetë e pesë vitet e fundit kanë qenë vitet e ndërtimit të demokracisë, të ekonomisë së tregut, të institucioneve dhe të orientimit europian të vendit. Kemi një ekonomi shumë më të zhvilluar se ajo që trashëguam në fillim të tranzicionit. Shqipëria është sot më e fortë, më e hapur dhe më e sigurt se në çdo periudhë tjetër të historisë së saj demokratike.
Por çdo etapë historike sjell edhe pyetjet e saj. Shqipëria e sotme nuk kërkon më vetëm zhvillim. Kërkon një cilësi tjetër të shtetit. Kërkon një demokraci që dëgjon më shumë, institucione që besohen më shumë, drejtësi që vepron më lirshëm dhe një pushtet që ka kurajën të kufizojë veten. Kërkon një model ekonomik larg polarizimit dhe klientelizmit, më afër barazisë së mundësive.
Prandaj besojmë se ka ardhur koha të hapet një proces i ri kombëtar, jo për të shkruar një program tjetër politik, as për të prodhuar një dokument partie, por për të ndërtuar një marrëveshje të re besimi ndërmjet shtetit dhe qytetarit.
Kjo marrëveshje nuk nis nga pyetja se kush do të qeverisë Shqipërinë, por nga pyetja se si duhet të qeveriset Shqipëria në dekadat që vijnë.
Ky mocion hap procesin e Dialogut Kombëtar për hartimin e Marrëveshjes së Re për Shqipërinë, e cila do t’i paraqitet për debat publik qytetarëve, universiteteve, ekspertëve, biznesit, organizatave të shoqërisë civile, diasporës dhe të gjitha forcave politike.
Ne besojmë se kjo marrëveshje duhet të ndërtohet mbi disa angazhime themelore që do të shërbejnë si boshti i debatit kombëtar.
Shqipëria Europiane fillon me zgjedhje kombëtare dhe lokale që prodhojnë besim, institucione që meritojnë besim dhe një shtet që e kufizon pushtetin e vet përmes ligjit. Pikërisht mbi këtë filozofi ndërtohen angazhimet e mëposhtme:
1. Zgjedhje që prodhojnë besim
Angazhimi i parë është ndërtimi i një shteti që di të vendosë kufij ndaj vetvetes. Shqipëria nuk ka më nevojë të ndërtojë pushtet. Ka nevojë të ndërtojë mekanizma që e kontrollojnë pushtetin. Forca e një demokracie nuk matet nga përqendrimi i autoritetit, por nga aftësia për ta shpërndarë atë në institucione të forta dhe të pavarura.
2. Një demokraci që dëgjon
Angazhimi i dytë është një demokraci që dëgjon. Protesta, opozita, media, universitetet dhe shoqëria civile nuk janë pengesa për shtetin. Janë mënyrat përmes të cilave shteti korrigjon vetveten. Demokracia nuk dobësohet nga kritika. Dobësohet kur humbet aftësinë për ta dëgjuar atë.
3. Parlamenti në qendër të jetës demokratike
Angazhimi i tretë është rikthimi i Parlamentit në qendrën e jetës demokratike. Republika Parlamentare nuk matet me numrin e votave që ka shumica, por me cilësinë e debatit, me kontrollin mbi qeverinë dhe me aftësinë për të ndërtuar marrëveshje që i shërbejnë interesit publik.
4. Drejtësi e pavarur dhe luftë kundër pandëshkueshmërisë, korrupsionit dhe krimit
Lufta kundër korrupsionit, abuzimit dhe pandëshkueshmërisë nuk është më vetëm një proces penal. Është themeli moral mbi të cilin ndërtohet besimi te shteti. Drejtësia duhet të jetë e lirë të hetojë këdo dhe politika duhet të mësojë të jetojë me këtë normalitet. Korrupsioni nuk luftohet vetëm në prokurori dhe në sallën e gjyqit, por duhet të lidhet pazgjidhshmërisht me përgjegjësinë politike për qeverisje të mirë.
5. Ndarja përfundimtare mes shtetit dhe partisë.
Administrata publike duhet të ndërtojë identitetin e saj profesional, të mbështetur mbi meritën, dijen dhe përgjegjësinë. Shteti nuk mund të ndryshojë fytyrë pas çdo cikli politik. Individët, biznesi, shoqëria, duhet të jenë të lirë të veprojnë pa shtrëngesën e pushtetit ose individëve me pushtet.
6. Administratë profesionale në shërbim të qytetarit. Çlirimi i administrimit publik nga kultura e privilegjit
Funksionar publik duhet të mbajë më tepër përgjegjësi sesa pushtet. Besimi te shteti nuk ndërtohet duke mbrojtur drejtuesit, por duke i bërë ata më të përgjegjshëm përpara qytetarëve, larg arrogancës, korrupsionit, abuzimit.
7. Ekonomi e konkurrencës dhe e meritës
Konkurrenca duhet të ketë më tepër peshë se afërsia me politikën. Shteti nuk duhet të zgjedhë fituesit, por duhet të garantojë rregulla të barabarta, siguri juridike dhe një treg ku suksesi varet nga puna, rendimenti, inovacioni, sipërmarrja.
8. Arsim që ndërton meritën.
Shqipëria nuk mund të ndërtojë të ardhmen duke humbur çdo vit pjesën më të mirë të talenteve të saj. Arsimi duhet të jetë vendi ku lind meritokracia dhe ku çdo i ri ndien se e ardhmja e tij mund të ndërtohet në vendin e vet.
9. Shëndetësi me dinjitet
Investimi në infrastrukturë është i domosdoshëm. Por besimi ndërtohet vetëm kur qytetari ndien se sistemi e trajton me të njëjtin respekt dhe të njëjtën barazi.
10. Media e lirë
Një demokraci e fortë nuk ka nevojë për media që i japin të drejtë pushtetit, por për media që kanë lirinë, mundësinë dhe autoritetin për ta vënë atë përballë përgjegjësisë.
11. Sistem zgjedhor që rikthen përfaqësimin.
Na duhet sistem zgjedhor dhe politik që garanton përfaqësim më të gjerë, konkurrencë më të ndershme, mundësi reale për ide, energji, alternativa të reja.
Sistemi i mbyllur që buron nga Marrëveshja e vitit 2008 është gjallë, por efektet e tij pozitive për vendin kanë vdekur. Ne duhet të synojmë një Sistem Proporcional Kombëtar me lista të hapura, i paraprirë nga procese të brendshme demokratizuese të partive politike.
12. Një kulturë e re politike
Na duhet kulturë re politike. Kulturë ku pushteti nuk identifikohet me përjetësinë, ku kundërshtari nuk trajtohet si armik, ku kompromisi nuk konsiderohet dobësi dhe ku ndryshimi nuk pritet si kërcënim, por si kusht për zhvillimin e një demokracie të shëndetshme.
Kjo marrëveshje nuk synon të zëvendësojë Kushtetutën, programet politike apo identitetin e forcave politike. Ajo synon të ndërtojë një konsensus të ri mbi mënyrën se si duhet të funksionojë shteti shqiptar modern në dekadat që vijnë.
Shqipëria Europiane nuk ndërtohet vetëm duke përmbushur standardet e Bashkimit Europian. Ajo ndërtohet kur këto standarde bëhen kulturë e përditshme e institucioneve, e politikës dhe e marrëdhënies së shtetit me qytetarin.
Shqipëria nuk ka nevojë për kontratë të re elektorale, por për kontratë të re besimi. Kontratë brenda të cilës zhvillimi ecën krahas dhe bashkë me demokracinë, ekonomia me drejtësinë, pushteti me vetëkufizimin, liria me përgjegjësinë.
Me këtë bindje propozojmë që Partia Socialiste të bëjë hapjen e Dialogut Kombëtar mbi Marrëveshjen e Re për Shqipërinë.
Ftojmë çdo qytetar, çdo institucion dhe çdo forcë politike të bëhet pjesë e këtij procesi.
Marrëveshja e Re për Shqipërinë nuk fillon me premtimin për të ndryshuar vendin. Fillon me angazhimin serioz për të ndryshuar mënyrën se si ushtrohet pushteti.
Ne besojmë se kjo shumicë qeverisëse dhe Partia Socialiste e ka mundësinë të fitojë nga vlera dhe jo nga forca. Të bëjmë çmos ta vendosim shtetin mbi partinë dhe Shqipërinë mbi gjithçka.", shkruan Spiropali./Dosja.al
TIRANË- Deputetja socialiste Elisa Spiropali deklaroi sot, nga ambientet jashtë Kuvendit, se ka dorëzuar në Asamblenë e Partisë Socialiste mocionin për hapjen e partisë, duke theksuar se kishte mbajtur angazhimin e saj.
“Nga ana ime premtimi u mbajt dhe ju përgjigja thirrjes së kryetarit”, u shpreh Spiropali, duke iu referuar nismës për më shumë debat dhe hapje brenda Partisë Socialiste.
Ndërkohë, krahas këtij zhvillimi politik, gjatë ditës kanë qarkulluar edhe informacione të tjera që lidhen me lëvizjet e deputetes socialiste. Sipas burimeve për mediat, Spiropali prej disa javësh ka marrë me qira një ambient në zonën e ish-Bllokut në Tiranë.
Mësohet se Spiropali ka ngritur një zyrë, ku gjatë javëve të fundit janë parë të hyjnë dhe të dalin disa ish-ministra të qeverisë Rama, të cilët vijojnë të jenë pjesë e grupit parlamentar të Partisë Socialiste.
Këto zhvillime vijnë në një kohë kur ish-ministrja ka mbajtur qëndrime gjithnjë e më kritike ndaj mënyrës së funksionimit të Partisë Socialiste. Pas më shumë se një dekade në poste të rëndësishme qeveritare dhe drejtuese, ajo ka kërkuar publikisht më shumë hapje, debat dhe reflektim brenda forcës politike. Reagimet e saj në rrjetet sociale, deklaratat publike, por edhe përplasjet me kryeministrin Edi Rama, kanë shtuar diskutimet mbi të ardhmen e saj politike. Për pasojë, ngritja e kësaj zyre ka ushqyer aludimet se Spiropali mund të jetë duke organizuar një grupim të ri brenda socialistëve./Dosja.al
TIRANË- Deputetja socialiste Elisa Spiropali ka dorëzuar në Asamblenë e Përgjithshme të Partisë Socialiste mocionin për një marrëveshje të re për Shqipërinë. Në një deklaratë për mediat, Spiropali tha se dokumenti nuk është vetëm i saj, por është i hapur për të gjithë anëtarët e PS-së.
Sipas Spiropalit, një marrëveshje e re nuk mund të hartohet nga një apo dy individë, por duhet të shprehë vullnetin e partisë dhe të shoqërisë.
“E mbajta premtimin dhe sapo dorëzova në Asamblenë e Përgjithshme të PS mocionin për hapjen e debatit për marrëveshjen e re për Shqipërinë. Nuk është vetëm dokumenti im, është i hapur për të gjithë anëtarët e PS-së. Ia kam drejtuar Ramës, Asamblesë së Përgjithshme dhe çdo anëtari. Një marrëveshje për Shqipërinë nuk mund të hartohet nga një apo dy individë, por duhet të shprehë vullnetin e partisë dhe shoqërisë”, u shpreh Spiropali.
Spiropali tha se të rinjtë janë në pararojë të kërkesave për ndryshim dhe se mazhoranca dhe Partia Socialiste kanë mundësinë për t’iu përgjigjur këtyre kërkesave.
“Duhet më shumë demokraci, përfaqësim, drejtësi shoqërore, marrëdhënie më të drejtë mes shtetit dhe qytetarit. Të rinjtë që janë në pararojë të kërkesave për ndryshim janë ata që presin më shumë nga ne. Kam besimin që mazhoranca dhe PS-ja ka të gjitha mundësitë që t’u përgjigjet këtyre kërkesave”, tha ajo./Dosja.al