EMRAT/ Plagosja me thikë në Shkodër, arrestohet autori dhe babai i tij! Në pranga edhe vëllai i të plagosurit i cili tentoi hakmarrjen
EMRAT/ Plagosja me thikë në Shkodër, në pranga edhe vëllai i të plagosurit që tentoi hakmarrjen 16 K...
EMRAT/ Plagosja me thikë në Shkodër, në pranga edhe vëllai i të plagosurit që tentoi hakmarrjen 16 K...
Pankarta pikante nga dita e 47-të e revoltës qytetare në Tiranë (FOTO) 16 Korrik, 19:45 Protesta qytetare/...
Britania dënon deklaratat e ministres serbe për Kosovën: Rrezikojnë të nxisin tensione në rajon 16 Korrik, 14:46 ...
Berisha: Dënoj me forcën më të madhe heshtjen prej vasali të qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së minis...
• Kuvendi i Shqipërisë është mbledhur sot në seancë plenare, ndërsa opozita ka vijuar bojkotin e paralajmëruar. • Mësohet se, ambientet përreth Parlamentit janë mbushur me forca të shumta policore dhe autobotë me ujë, si masë sigurie në ditën e 47-të të protestave. • Pavarësisht "blindimit" të institucionit, situata para tij mbetet e qetë dhe pa prani të protestuesve. • Këto masa vijnë pas incidenteve të dhunshme në seancat e kaluara, ku përplasjet me policinë çuan në arrestime të shumta. • Mësohet se, seanca do të nisë me interpelancën e kërkuar nga deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, me ministrin e Financave, Petrit Malaj. • Një seancë e tensionuar është zhvilluar sot në Kuvendin e Shqipërisë, ku diskutimi mbi ligjin për tokën bujqësore dhe çështjet e pronësisë degjeneroi në një përplasje të ashpër verbale dhe akuza të ndërsjella mes deputetit socialist, Taulant Balla, dhe deputetit të partisë “Mundësia”, Erald Kapri. • Debati u ndez kur Balla e akuzoi Kaprin për gënjeshtra, duke iu drejtuar me gjuhë të ashpër dhe duke e etiketuar si 'mbajtës çante i një deputeti tjetër'. • Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i është përgjigjur deputetit të Lëvizjes Bashkë Redi Muçi, i cili kërkoi që Minstrja serbe Snezhana Paunoviç të shpallet non grata. • Gjatë fjalës së tij në Kuvendit, Balla u shpreh se reagimi i qeverisë shqiptare ka qenë i menjëhershëm dhe në nivelin e duhur në lidhje me deklaratën diskriminuese të Paunoviç. • Gjatë replikës, Balla mbrojti edhe qëndrimin e kryeministrit Edi Rama ndaj Kosovës, duke deklaruar se ai ka qenë një nga kryeministrat shqiptarë që ka ngritur në mënyrë të vazhdueshme çështjet që lidhen me Kosovën. • Ndërkohë, ministri i Bujqësisë Andis Salla, prezantoi në Kuvend projektligjin “Për dëftesat tregtare mbi produktet bujqësore”, duke e cilësuar atë si një instrument të ri që synon të lehtësojë financimin e fermerëve dhe të krijojë më shumë siguri në marrëdhëniet mes aktorëve të sektorit bujqësor. • Salla tha se ky projektligj i përgjigjet një nevoje konkrete të bujqësisë shqiptare, një sektor ku fermeri investon sot, ndërsa të ardhurat i siguron pas një periudhe të caktuar. • Ndërsa, ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçi, ka prezantuar në Kuvend projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), e cila do të financojë elektrifikimin e linjës hekurudhore Tiranë-Durrës dhe stacionit të Rinasit. • Karakaçi u shpreh se ky financim do të mundësojë ndërtimin e një infrastrukture moderne sipas standardeve të Bashkimit Evropian, duke sjellë për herë të parë në Shqipëri një shërbim hekurudhor tërësisht me trena elektrikë.
11 artikuj për këtë temë.
TIRANË- Ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçi, ka prezantuar në Kuvend projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), e cila do të financojë elektrifikimin e linjës hekurudhore Tiranë-Durrës dhe stacionit të Rinasit.
Gjatë fjalës së tij, Karakaçi u shpreh se ky financim do të mundësojë ndërtimin e një infrastrukture moderne sipas standardeve të Bashkimit Evropian, duke sjellë për herë të parë në Shqipëri një shërbim hekurudhor tërësisht me trena elektrikë.
Sipas ministrit, punimet civile në këtë segment kanë përfunduar, ndërsa sistemet e sinjalizimit janë drejt përfundimit. Me miratimin e marrëveshjes, sipas tij, nis zyrtarisht faza e elektrifikimit të linjës.
“Projektligji që paraqesim sot ka të bëjë me ratifikimin e marrëveshjes me Bankën Evropiane për Ndërtim dhe Zhvillim për elektrifikimin e linjës Tiranë-Durrës dhe stacionit të Rinasit. Me këtë financim bëhet i mundur elektrifikimi i plotë i linjës, ndërtimi i infrastrukturës energjetike dhe ndërtimi sipas standardeve të BE-së, duke sjellë për herë të parë një shërbim hekurudhor me trena elektrikë dhe tërësisht elektrikë.
Punimet civile tashmë kanë përfunduar, sistemet e sinjalizimit janë drejt finalizimit, stacionet e reja po ndërtohen dhe, me finalizimin e kësaj marrëveshjeje, nis edhe faza e elektrifikimit. Objektivi ynë është që deri në fund të vitit 2027 qytetarët të kenë në dispozicion një linjë hekurudhore moderne.
Ky projekt nuk është një investim i veçuar, pasi është pjesë e një programi të gjerë. Paralelisht me projektin Tiranë-Durrës dhe Aeroportin “Nënë Tereza”, po ecim me ndërtimin e hekurudhës drejt Stacionit Qendror të Tiranës, si dhe me ndërtimin e sistemit modern të mirëmbajtjes së trenave”, u shpreh ministri./Dosja.al
TIRANË- Projektligji për ndryshimet në ligjin "Për mbrojtjen e tokës bujqësore" u shoqërua me debate në Kuvend, ku deputeti socialist Erion Braçe shprehu shqetësimin për përdorimin e tokave bujqësore për ndërtimin e parqeve fotovoltaike dhe eolike.
Gjatë diskutimeve, Braçe kërkoi që kufijtë për zhvillimin e këtyre projekteve të përcaktohen qartë në ligj dhe të mos lihen në dorë të vendimeve të Këshillit të Ministrave.
"Mbase nuk është Ministri i Bujqësisë personi i duhur për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, duhet të ishte ai i Energjitikës, por pyetja është sa licenca janë dhënë për parqe eolike në toka bujqësore deri më tani? E dyta, po për parqe agro-fotovoltaike në toka bujqësore deri më tani? Sa leje janë dhënë për parqe të tilla në toka me bonitet 9 deri në 10 deri më tani?", u shpreh Braçe.
Nga ana tjetër, ministri i Bujqësisë, Andis Salla, mbrojti projektligjin, duke theksuar se ndryshimet synojnë përshtatjen e kuadrit ligjor me zhvillimin e bujqësisë moderne dhe përdorimin e teknologjive të reja. Sipas Sallës, funksioni kryesor i tokës bujqësore nuk ndryshon dhe mbetet prodhimi, ndërsa teknologjitë e reja do të ndihmojnë në rritjen e produktivitetit dhe përdorimin më efikas të burimeve natyrore.
"Projektligji është një ndërhyrje e kufizuar në ligj për mbrojtjen e tokës bujqësore, por e nevojshme për ta përshtatur me zhvillimin e bujqësisë moderne. Toka nuk është thjesht një sipërfaqe për ta përshtatur për prodhim bujqësor, por një pasuri kombëtare të lidhur me zhvillimin ekonomik dhe të ardhmen e brezave. Ky parim nuk ndryshon dhe nuk cënon mbrojtjen e tokës bujqësore. Plotëson kuadrin bujqësor për të vënë në përdorim disa teknologji, që ndihmojnë për përdorimin më të mirë të ujit dhe disa lëndëve ushqyese dhe burimesh natyrore, duke rritur produktivitetin. Realiteti ka ndryshuar sa i përket tokës bujqësore. Nuk mjafton vetëm kultivimi i sa më shumë sipërfaqesh, por të kemi sa më shumë produktivitet. Nuk cënohet në asnjë moment funksioni i tokës bujqësore, që mbetet prodhimi. Filozofia e këtij ligji është që teknologjia të vendoset në funksion të tokës, fermerit dhe prodhimit. Ndaj edhe përcakton që disa kritere të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, duke zbatuar rregullat strikte.", tha Salla.
Deputeti ngriti gjithashtu pyetje mbi numrin e licencave të dhëna deri më tani për parqe eolike dhe agro-fotovoltaike në toka bujqësore.
"Ky projektligj është i rëndësishëm. Mua më shqetëson ligji i ri që e kemi para. Nuk ka sanksionuar qartësisht kufijtë e vendosur në ligjin ekzistues, por lë të hapur që Këshilli i Ministrave vendos kufijtë e tokës bujqësore për kryerjen e aktivitetit fotovoltaik dhe eolik. Kërkoj që në nenin 2, në pikën 6 të jenë të qarta dhe të përcaktuara kufijtë që ka vendosur vetë ligji për secilin park. Duhet një definicion më i qartë në ligj për këto kufij. Përndryshe, këto parqe fotovoltaike do të shtrihen më pas në të gjithë tokat bujqësore në të gjithë vendin dhe kjo nuk është një gjë e mirë. Këto definicione që janë vënë në ligj nuk mbrojnë tokën bujqësore. Koncepti mbi tokën bujqësore ka ndryshuar totalisht. Toka duhet për bujqësi, jo për industri. Ne nuk kemi pafund tokë bujqësore.", tha Braçe./Dosja.al

TIRANË- Një seancë e tensionuar është zhvilluar sot në Kuvendin e Shqipërisë, ku diskutimi mbi ligjin për tokën bujqësore dhe çështjet e pronësisë degjeneroi në një përplasje të ashpër verbale dhe akuza të ndërsjella mes deputetit socialist, Taulant Balla, dhe deputetit të partisë “Mundësia”, Erald Kapri.
Debati u ndez kur Balla e akuzoi Kaprin për gënjeshtra, duke iu drejtuar me gjuhë të ashpër dhe duke e etiketuar si 'mbajtës çante i një deputeti tjetër'.
“Gënjeshtar me pagesë, do të mbahesh mend si mbajtës çante i një deputeti tjetër. Mbylle gojën. Erdhe, bëre një gabim dhe u kape me presh në dorë. Nëse thua se ky ligj është bërë me porosi, i bie që paskam korruptuar edhe BE-në. Këto ligje janë pjesë e një pakete të rëndësishme për përafrimin me standardet europiane”, u shpreh Balla.
Në kundërpërgjigjen e tij, Erald Kapri akuzoi mazhorancën për shmangie të përgjegjësive, duke u fokusuar te çështjet e pronësisë në Vlorë. Kapri sfidoi Ballën lidhur me trajtimin e investimeve strategjike, duke përmendur rastin e aktorit të njohur si "Osmani", Burak Özçivit, i cili ka përfituar tokë në Vlorë për një investim.
“Kurrë nuk kemi përmendur familjarë. E bëri Taulant Balla, sepse më bën shantazh duke më përmendur mua familjen. Përdorni gjithçka për të frikësuar dikë për mendimin e tij. Nuk pate guxim të flisje për “Osmanin” që mori tokë në Vlorë dhe për familjet që kërkojnë të drejtat e tyre të pronësisë. Përballë na ke dhe përballë do të na kesh. Do ta shohësh kush do të largohet më herët nga politika”, tha Kapri./Dosja.al
TIRANË- Ministri i Bujqësisë Andis Salla, prezantoi në Kuvend projektligjin “Për dëftesat tregtare mbi produktet bujqësore”, duke e cilësuar atë si një instrument të ri që synon të lehtësojë financimin e fermerëve dhe të krijojë më shumë siguri në marrëdhëniet mes aktorëve të sektorit bujqësor. Salla tha se ky projektligj i përgjigjet një nevoje konkrete të bujqësisë shqiptare, një sektor ku fermeri investon sot, ndërsa të ardhurat i siguron pas një periudhe të caktuar.
Sipas ministrit, me zhvillimin e bujqësisë dhe rritjen e cilësisë sipas standardeve europiane, bëhet e domosdoshme që marrëdhëniet mes fermerëve, grumbulluesve, përpunuesve dhe financuesve të bazohen në rregulla të qarta dhe transparente. Ministri shpjegoi se dëftesat tregtare do të krijojnë një sistem modern ku produkti bujqësor mund të ndiqet nga prodhimi deri në magazinim, duke i dhënë fermerit mundësi të reja për financim. Sipas tij, fermeri nuk do ta shohë më prodhimin vetëm si një burim të ardhurash, por edhe si një aset që mund të përdoret për të siguruar financim gjatë procesit të prodhimit.
Një tjetër risi e parashikuar nga projektligji është dixhitalizimi i procedurave përmes platformës e-Albania, me qëllim që fermerët të kenë akses më të lehtë dhe transparent në këtë mekanizëm. Salla theksoi se dëftesat tregtare do të garantojnë jo vetëm cilësinë e produktit, por edhe siguri juridike për fermerët dhe subjektet që do të ofrojnë financim.
Deklarata e Plotë:
Kam kënaqësinë të paraqes sot për shqyrtim projektligjin “Për dëftesat tregtare mbi produktet bujqësore”, një nismë ligjore që synon të krijojë një instrument modern financiar në shërbim të zhvillimit të bujqësisë shqiptare, duke forcuar marrëdhëniet ndërmjet fermerëve, operatorëve ekonomikë dhe institucioneve financiare. Ky projektligj është një përgjigje ndaj një nevoje konkrete që ka sektori ynë bujqësor dhe që është evidentuar prej vitesh nga fermerët, bizneset agro-ushqimore dhe institucionet financiare. Bujqësia është një sektor me specifika të veçanta. Fermeri investon sot, ndërsa të ardhurat i siguron vetëm pas disa muajsh. Ai duhet të blejë farë, fidanë, plehra kimike, produkte për mbrojtjen e bimëve, të kryejë punimet e tokës dhe të përballojë një sërë kostosh të tjera në fillim të ciklit të prodhimit, ndërkohë që produkti ende nuk është korrur dhe nuk ka gjeneruar të ardhura.
Pikërisht në këtë periudhë lind edhe nevoja më e madhe për financim. Në praktikë, fermerët kanë ndërtuar ndër vite forma bashkëpunimi me furnizuesit e inputeve, me grumbulluesit, me përpunuesit, me eksportuesit dhe me aktorë të tjerë të tregut, por që nuk mbështeten mbi instrumente të qarta ligjore dhe financiare. Sa më shumë zhvillohet bujqësia shqiptare, sa më shumë rritet orientimi drejt tregjeve të eksportit dhe standardeve evropiane, aq më e domosdoshme bëhet që këto marrëdhënie të mbështeten mbi rregulla të qarta, transparente dhe të besueshme. Pikërisht këtë synon të realizojë ky projektligj. Ai nuk krijon një realitet të ri. Përkundrazi, formalizon një praktikë që ekziston, duke i dhënë asaj siguri juridike, transparencë dhe besueshmëri më të madhe. Objektivi i këtij ligji është i qartë: të nxisë financimin në bujqësi, të krijojë mekanizma që i mundësojnë fermerit të sigurojë mbështetje financiare në momentin kur ka më shumë nevojë për të, të garantojë pagesa më të shpejta dhe më të sigurta, si dhe të krijojë një sistem modern kolaterali mbi produktin bujqësor, qoftë ai ende në proces prodhimi apo i magazinuar.
Për herë të parë krijohet mundësia që vetë produkti bujqësor të fitojë vlerë ekonomike përpara se të shitet në treg. Kjo do të thotë se fermeri nuk do ta shohë më prodhimin vetëm si burim të ardhurash në fund të sezonit, por edhe si një aset që mund ta ndihmojë të sigurojë financim, inpute apo mbështetje ekonomike gjatë procesit të prodhimit. Të nderuar deputetë, Projektligji mbështetet mbi dy instrumente kryesore. I pari është dëftesa tregtare mbi produktin bujqësor të ardhshëm. Ndersa, instrumenti i dytë është dëftesa tregtare mbi produktin bujqësor të magazinuar. Në këtë rast, produkti që është prodhuar dhe depozituar në magazinë mund të përdoret si kolateral për financim. Në këtë mënyrë, ligji mbulon të gjithë ciklin ekonomik të prodhimit bujqësor, nga mbjellja deri te shitja e produktit. Një risi tjetër e rëndësishme është se i gjithë ky mekanizëm do të funksionojë në mënyrë elektronike, nëpërmjet portalit e-Albania, duke garantuar procedura të thjeshta, transparente dhe të aksesueshme për të gjithë përdoruesit.
Dëftesat do të regjistrohen në një regjistër elektronik të posaçëm dhe do të lidhen me regjistrin e barrëve siguruese, duke krijuar siguri juridike dhe duke shmangur përdorimin e shumëfishtë të të njëjtit kolateral. Po aq i rëndësishëm është edhe fakti që dëftesa tregtare përbën titull ekzekutiv, çka do të thotë se të drejtat dhe detyrimet e palëve mbështeten mbi një mekanizëm të qartë ligjor, duke rritur sigurinë e marrëdhënieve financiare dhe duke krijuar më shumë besim si për fermerin, ashtu edhe për subjektin që ofron financimin. Ky projektligj synon të krijojë një mjedis më të sigurt për investimet në bujqësi, të forcojë besimin ndërmjet aktorëve të tregut dhe të lehtësojë aksesin në financim për një sektor që vazhdon të përballet me sfida të veçanta.
Po kështu, parashikohen mekanizma të qartë për monitorimin e kolateralit, përmbushjen e detyrimeve dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, duke garantuar që instrumenti të funksionojë në mënyrë të sigurt dhe të balancuar për të gjitha palët. Përfituesit e këtij projektligji janë të shumtë. Përfituesi i parë është fermeri shqiptar gjithashtu furnizuesit e inputeve, grumbulluesit, përpunuesit dhe eksportuesit, të cilët do të zhvillojnë marrëdhënie kontraktore më të sigurta dhe më të strukturuara me fermerët, duke ulur pasiguritë dhe duke rritur bashkëpunimin përgjatë gjithë zinxhirit agro-ushqimor. Përfitojnë institucionet financiare, pasi krijohet një instrument i qartë dhe i mbështetur në ligj, që u jep më shumë garanci në financimin e sektorit bujqësor. Por në fund përfiton e gjithë ekonomia shqiptare. Ky projektligj është gjithashtu në përputhje me objektivin tonë për modernizimin e bujqësisë dhe afrimin e saj me praktikat më të mira evropiane. Në të gjithë Bashkimin Evropian, zhvillimi i sektorit nuk mbështetet vetëm te subvencionet, por edhe te instrumentet financiare që krijojnë besim në treg dhe lehtësojnë investimet private.
TIRANË- Një debat me tone të larta ka mbërthyer sallën e Kuvendit gjatë seancës së sotme, ku deputeti i opozitës, Erald Kapri, dhe ai i mazhorancës, Ardit Bido, janë përplasur ashpër mbi rolin e kryeministrit Edi Rama dhe situatën aktuale politike.
Deputeti Kapri ka hedhur akuza të rënda ndaj kryeministrit Rama, duke e lidhur atë me një qëndrim 'antikombëtar. Sipas tij, heshtja e qeverisë ndaj provokimeve të zyrtarëve serbë për spastrim etnik në Kosovë ka krijuar hapësirë për agresivitetin e Beogradit.
“Rama ka qenë kryeministri i vetëm pas Enver Hoxhës që ka vizituar Beogradin dhe, ashtu si Enver Hoxha, ka heshtur për Kosovën. Rama ka thënë për veriun se është tokë e askujt. Ramush Haradinaj ka deklaruar publikisht se Rama i ka kërkuar ndarjen e Kosovës. Ku e gjen guximin ministrja serbe që fyen rëndë shqiptarët e Kosovës, sepse gjen në Tiranë një aleat që hesht. Ky Kuvend po zhvillon punimet nën rrethim, me qindra forca policie, sikur të jemi në gjendje të jashtëzakonshme.
Ky Parlament e ka humbur tërësisht legjitimitetin. Dje u bë e e njohur se shfuqizimi i ligjit që u bë me porosi me 10 deputetë, 21/2024 është kusht për integrimin, ndërsa Rama tha se është ligji më i mirë ndonjëherë. Në krye të qeverisë kemi një kryeministër antikombëtar që flirton me Vuçiç sikur e ka shok banke. Në Hungari po zhvillohet një protestë për zonat e mbrojtura sepse protesta po shihet me kërshëri, ndryshe nga autokrati i fundit që do të ketë fatin e të gjithë të tjerëve.", u shpreh Kapri.
Nga ana tjetër, deputeti socialist Ardit Bido ka hedhur poshtë akuzat e opozitës, duke i etiketuar ato si 'populizëm të rrezikshëm'. Bido mbrojti qëndrimin e qeverisë, duke theksuar se Rama ka qenë avokati kryesor i pavarësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare.
"Më vjen keq që po dëgjojmë populizmin që ka sjellë vetëm gjak në histori. Enver Hoxha kur shkoi në Beograd nuk foli për Kosovën, por foli për konfederatën Ballkanike. Shqipëria ka kërkuar përmes kryeministrit Rama që Kosova e pavarur të njihet si e pavarur. Dëgjuam përfaqësuesin e një Lëvizjeje që është në kufijtë e antikombëtares, sepse janë me orë vonesë, kur vjen puna për spastrimin etnik në Çamëri partizat e vogla munguan në sallë dhe zgjodhën që në ditën që dënohej gjenocidi të fshiheshin si sturci. Fisi i një kolegu këtu votonte masivisht Fredi Belerin.", tha Bido.
Përplasja u mbyll me tone kritike, ku deputeti Kapri shprehu zhgënjimin e tij për gjuhën e urrejtjes që, sipas tij, po përdorin deputetët e rinj të mazhorancës, duke e krahasuar atë me një sjellje të paprecedentë në historinë parlamentare.
"Deputeti parafolës ka fyer protestën kur tha se drejtohet nga njerëz të Fredi Belerit, por nuk reagon kur Fredi Beleri del në foto me deputeten socialiste në Strasburg. Kam ndjekur gjatë politikën, por nuk kam parë nga Ruçi që Partia Socialiste të na shtypte. Nuk e kuptoj sesi një i ri mund të flasë me gjuhë urrejtjeje. Njerëz me thinja mbajnë gojën, ndërsa rioshët lëshohen sikur kushedi nga kanë dalë”, përfundoi Kapri./Dosja.al
TIRANË- Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i është përgjigjur deputetit të Lëvizjes Bashkë Redi Muçi, i cili kërkoi që Minstrja serbe Snezhana Paunoviç të shpallet non grata. Gjatë fjalës së tij në Kuvendit, Balla u shpreh se reagimi i qeverisë shqiptare ka qenë i menjëhershëm dhe në nivelin e duhur në lidhje me deklaratën diskriminuese të Paunoviç.
Gjatë replikës, Balla mbrojti edhe qëndrimin e kryeministrit Edi Rama ndaj Kosovës, duke deklaruar se ai ka qenë një nga kryeministrat shqiptarë që ka ngritur në mënyrë të vazhdueshme çështjet që lidhen me Kosovën.
“Sa i përket një deklarate jo vetëm të papërgjegjshme, por indinjuese dhe të rëndë, reagimi i qeverisë shqiptare ka qenë në kohë, adekuat nga Ministria e Jashtme. Këto janë çështje që nuk adresohen me karagjozllëk diletantësh politikë, të një kadeti të ri në Kuvend. Nuk tallemi me çështjet kombëtare, s’jemi karagjozë si puna jote! Qëndrimin e kemi mbajtur në nivelin e qeverisë nga ministri i Jashtëm, në nivel politik, kam reaguar përpara teje, ti ishe në gjumë kur kam reaguar unë bashkë me ata që ke në kafazin tënd politik. Ky akt është dënuar nga autoritetet politike përfaqësuese. Sa i përket Edi Ramës, ti dhe shokët e tu duhet të lani gojën mirë se është i vetmi kryeministër që nga 1912 që ka ngritur çështjen e Kosovës”, tha Balla./Dosja.al
TIRANË- Partia Socialiste ka propozuar miratimin me procedurë të përshpejtuar të disa ndryshimeve në ligjin për turizmin, ku një nga masat kryesore parashikon pezullimin e punimeve të ndërtimit në zonat bregdetare gjatë sezonit turistik. Drejtuesi i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, tha në Kuvend se nisma synon të përmirësojë cilësinë e ofertës turistike dhe të krijojë kushte më të mira për pushuesit.
“Shqipëria jonë po zhvillon një sezon turistik përtej sezonit veror. Në shumë zona turistike vazhdojnë proceset ndërtimore ngjitur me hotelet, duke pamundësuar pushimin për pushuesit. Për këtë arsye kemi propozuar që, përmes projektligjit për turizmin, të pezullohen punimet e ndërtimit gjatë kohës së sezonit turistik, duke garantuar një zhvillim më të qetë dhe një cilësi më të lartë të ofertës turistike”, u shpreh Balla.
Ai u ndal edhe te standardizimi i strukturave akomoduese, duke theksuar se kategorizimi me yje nuk duhet të bëhet me vetëdeklarim nga pronarët e hoteleve, por përmes një procesi të kontrolluar dhe të standardizuar.
“Sistemi i integruar i regjistrimit të personave që akomodohen në strukturat hoteliere është një standard që duhet ta kemi edhe në Shqipëri”, deklaroi ai./Dosja.al
TIRANË– Seanca e sotme plenare në Kuvendin e Shqipërisë ka nisur me tensione dhe debate të ashpra lidhur me qëndrimin e qeverisë ndaj deklaratave kërcënuese të zyrtarëve serbë për Kosovën.
Deputeti Redi Muçi, i pari që mori fjalën, akuzoi kryeministrin Edi Rama për heshtje të pajustifikueshme përballë kërcënimeve për "spastrim etnik".
Muçi solli në vëmendje deklaratat e ministres serbe, Snežana Paunović, e cila ka paralajmëruar spastrim etnik në Kosovë, si dhe mbështetjen e shprehur nga Ivica Daçiç për këtë qëndrim.
"Çfarë pret kryeministri për të reaguar për deklaratën e ministres serbe dhe mbështetjes së dhënë ndaj kësaj deklarate nga Daçiç, ndërsa Kosova e ka shpallur zonjën non grata. Spastrimi etnik është shpallur krim kundër njerëzimit. Deklarata të tilla shoviniste shkelin Kushtetutën e Shqipërisë, ku shkruhet se mbrohen të drejtat e popullit shqiptar që jetojnë jashtë saj.Nëse Rama nuk mban qëndrim për këtë deklaratë, për çfarë do të mbajë? u shpreh Muçi./Dosja.al

TIRANË – Kuvendi i Shqipërisë është zgjuar sot nën masa të rrepta sigurie, ndërsa vendi ndodhet në ditën e 47-të të revoltës popullore që kërkon dorëheqjen e parevokueshme të kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë.
Në ambientet përreth institucionit ligjvënës janë instaluar forca të shumta policore, ndërsa nuk kanë munguar as autobotet me ujë, të cilat janë pozicionuar në gatishmëri të plotë përballë Parlamentit.
Megjithatë, përkundër klimës së tensionuar të krijuar nga prania e shtuar e forcave të rendit, në oborrin e Parlamentit dhe në perimetrin përreth nuk është raportuar asnjë prani protestuesish./Dosja.al
TIRANË- Deputetja socialiste Elisa Spiropali ka dorëzuar në Asamblenë e Përgjithshme të Partisë Socialiste mocionin për një marrëveshje të re për Shqipërinë. Në një deklaratë për mediat, Spiropali tha se dokumenti nuk është vetëm i saj, por është i hapur për të gjithë anëtarët e PS-së.
Sipas Spiropalit, një marrëveshje e re nuk mund të hartohet nga një apo dy individë, por duhet të shprehë vullnetin e partisë dhe të shoqërisë.
“E mbajta premtimin dhe sapo dorëzova në Asamblenë e Përgjithshme të PS mocionin për hapjen e debatit për marrëveshjen e re për Shqipërinë. Nuk është vetëm dokumenti im, është i hapur për të gjithë anëtarët e PS-së. Ia kam drejtuar Ramës, Asamblesë së Përgjithshme dhe çdo anëtari. Një marrëveshje për Shqipërinë nuk mund të hartohet nga një apo dy individë, por duhet të shprehë vullnetin e partisë dhe shoqërisë”, u shpreh Spiropali.
Spiropali tha se të rinjtë janë në pararojë të kërkesave për ndryshim dhe se mazhoranca dhe Partia Socialiste kanë mundësinë për t’iu përgjigjur këtyre kërkesave.
“Duhet më shumë demokraci, përfaqësim, drejtësi shoqërore, marrëdhënie më të drejtë mes shtetit dhe qytetarit. Të rinjtë që janë në pararojë të kërkesave për ndryshim janë ata që presin më shumë nga ne. Kam besimin që mazhoranca dhe PS-ja ka të gjitha mundësitë që t’u përgjigjet këtyre kërkesave”, tha ajo./Dosja.al

TIRANË- Kuvendi i Shqipërisë mblidhet ditën e sotme në një seancë të re plenare, e cila parashikon një axhendë të ngarkuar me shqyrtimin e disa projektligjeve të rëndësishme dhe vlerësimin e punës së institucioneve të pavarura për vitin 2025.
Megjithatë, fokusi politik mbetet te qëndrimi i opozitës, ku ashtu siç është paralajmëruar, grupi parlamentar i opozitës pritet të bojkotojë seancën, duke ndjekur të njëjtin skenar si në seancën e së hënës.
Mësohet se, seanca do të nisë me interpelancën e kërkuar nga deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, me ministrin e Financave, Petrit Malaj.
Rendi i Ditës:
1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 13.7.2026.
2. Njoftime.
3. Interpelancë me Ministrin e Financave, z. Petrit Malaj, kërkuar nga deputetja Jorida Tabaku.
4. Projektligji “Për dëftesat tregtare mbi produktet bujqësore”.
5. Projektligji “Për censin e bujqësisë”.
6. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 27/2016, “Për menaxhimin e kimikateve”, të ndryshuar”
7. Projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 103/2016, “Për akuakulturën””.
8. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9244, datë 17.6.2004, “Për mbrojtjen e tokës bujqësore”, të ndryshuar”.
9. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim teknik 2025”.
10. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për hekurudhat shqiptare – rehabilitimi i hekurudhës TiranëDurrës dhe ndërtimi i lidhjes hekurudhore me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës: zgjerimi i projektit”.
11. Projektligji “Për ratifikimin e Konventës për Byronë e Konferencës Evropiane të Aviacionit Civil, bërë në Bernë, më 30 gusht 2025″.
12. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9616, datë 27.9.2006, “Për librin në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.
13. Projektvendim “Për emërimin e një anëtari të Këshillit të Statistikave”.
14. Miratimi i projektrezolutës “Për vlerësimin e veprimtarisë së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2025″.
15. Miratimi i projektrezolutës “Për vlerësimin e veprimtarisë së Inspektorit të Përgjithshëm të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave për vitin 2025”.
16. Miratimi i projektrezolutës “Për vlerësimin e veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë për vitin 2025”.
17. Miratimi i projektrezolutës “Për vlerësimin e veprimtarisë së Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për vitin 2025″.
18. Miratimi i projektrezolutës “Për vlerësimin e veprimtarisë së Institutit të Statistikave për vitin 2025”.
19. Miratimi i projektrezolutës “Për vlerësimin e veprimtarisë së Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2025”.
20. Miratimi i projektrezolutës “Për vlerësimin e veprimtarisë së Radiotelevizionit Shqiptar për vitin 2025”.
21. Miratimi i projektrezolutës “Për vlerësimin e veprimtarisë së Autoritetit të Mediave Audiovizive për vitin 2025”.
22. Miratimi i projektrezolutës “Për vlerësimin e veprimtarisë së Entit Rregullator të Energjisë për vitin 2025”.
23. Miratimi i projektrezolutës “Për vlerësimin e veprimtarisë së Entit Rregullator të Ujit për vitin 2025”.
24. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës./Dosja.al