LIVE UPDATES
LIVE UPDATES

Tensionet në veri/ Osmani: Të gjejmë zgjidhje me SHBA e BE! Arrestohet autori i sulmit ndaj gazetarëve

• Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë po shtohen dita ditës. •Policia ka vënë në pranga autorin e dyshuar të sulmeve ndaj gazetarëve një ditë më parë në protestën në Leposaviç. •Bëhet fjalë për personin e identifikuar me emrin Dalibor Spasiç. •Sot, KFOR dënoi ashpër sulmet ndaj medias duke u shprehur se liria e shtypit dhe liria e shprehjes janë vlera themelore, të cilat duhet të respektohen nga të gjithë. •Ambasadori gjerman Jorn Rohde tha se ishte i tronditur nga pamjet e sulmeve, ndërsa kritikoi Listën Serbe e cila ende nuk ka bërë një reagim lidhur me rastin. •Kryeministri Albin Kurti nuk ka marrë ende një vendim nëse do të shkojë në takimin e Brukselit, për të cilit Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, njoftoi se do të mbahet javën e ardhshme për, siç tha ai, për të diskutuar krizën në Veri. • Pavarësisht thirrjeve të ndërkombëtarëve, dy palët ende nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët. • Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është shpresëplotë se mosmarrëveshjet aktuale të Kosovës me BE dhe SHBA do të tejkalohen. • Ajo tha se tani është koha që të ulemi për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme. • Përsa i përket zgjedhjeve të reja në katër komunat serbe në veri të Kosovës, Osmani tha se kusht për mbajtjen e tyre është që të sigurohet pjesëmarrja e serbëve. • Ndërkohë, për shkak të ndalesës së hyrjes në Kosovë të kamionëve me targa të Serbisë dhe mallrave me origjinë serbe kamionët janë të bllokuar në anën e kufirit me Shqipërinë në Morinë.

19 artikuj për këtë temë.

2 VITE ME PARE

'U kam shkruajtur...'/ Kurti: Serbia nuk ka kthyer përgjigje për hapjen e arkivave për të pagjeturit

Tensionet në veri/ Osmani: Të gjejmë zgjidhje me SHBA e BE!
Albin Kurti

KOSOVË- Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka bërë nderim te pllaka në parkun e të pagjeturve në hapësirat e Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë. Në një prononcim për mediat ai tha se i ka shkruar Serbisë për hapjen e arkivave të dokumentacionit të klasifikuar të brigadës të motorizuar 37, e cila është përgjegjëse për një mori masakrash, por deri tani nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Kurti u shpreh se institucionet do të vazhdojnë të kërkojnë përgjegjësi dhe drejtësi për personat e pagjetur. Ai shtoi se nuk kanë marrë asnjë përgjigje për hapjen e arkivave nga Serbia.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vizitoi sot edhe shtëpinë Muze të Prof. Ukshin Hotit, në 80- vjetorin e tij të lindjes, si dhe ka marrë pjesë në ceremoninë e organizuar nga Universiteti “Ukshin Hoti”, në Prizren. 

2 VITE ME PARE

Hodhi molotov në drejtim të gazetarëve në Veri, arrestohet autori i dyshuar i sulmit (EMRI)

Tensionet në veri/ Osmani: Të gjejmë zgjidhje me SHBA e BE!
Kosovë

KOSOVË- Autori i dyshuar i sulmit ndaj gazetarëve dhe kameramanëve gjatë protestës së djeshme në Leposaviç është vënë sot në pranga. Lajmi është bërë i ditur nga Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla. Autori i sulmit është identifikuar me emrin Dalibor Spasiç. 

“Përgëzoj njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës për efikasitetin dhe punën e vazhdueshme me qëllim të vendosjes së rendit dhe ligjit në çdo cep të Republikës së Kosovës. Në vendin tonë demokratik aktet kriminale nuk kalojnë pa pasoja. Këtë duhet ta dinë edhe ata për të cilët nuk ka pasur pasoja ligjore për gjithë këto vite. Republika nuk zmbrapset përballë kriminelëve e milicisë fashiste”, ka shkruar Sveçla. 

Policia ka konfirmuar se nëntë gazetarë e kameramanë nga mediet e Kosovës janë sulmuar nga persona të maskuar në Leposaviç të premten. Në njoftim është bërë e ditur se disa prej tyre kanë mbetur të lënduar dhe janë transportuar në qendrat spitalore për të marrë trajtimin mjekësor. 

2 VITE ME PARE

Ambasadori Hill publikon video-mesazhin e Joe Biden: Serbia mund të përfitojë nga mundësitë historike

Tensionet në veri/ Osmani: Të gjejmë zgjidhje me SHBA e BE!
Ambasadori Christopher Hill

SERBI- Ambasadori i SHBA-së në Serbi Christopher Hill tha sot se ai beson se Serbia është e aftë të përfitojë nga mundësitë historike. Në një postim në Twitter, ai publikoi një video-mesazh dërguar nga presidenti amerikan Joe Biden për diplomatët amerikanë në botë, në të cilin ai njoftoi se bota është në një udhëkryq dhe se ajo që bëhet sot do të përcaktojë jetën e tre apo katër breazve të tjerë. 

"Këto janë mesazhet e Presidentit Biden për mua dhe kolegët e mi. Një mesazh i shkëlqyer për shfrytëzimin e mundësive historike. Mendoj se Serbia është e aftë për këtë," shkroi Hill. 

Në një video-mesazh për diplomatët amerikanë, Biden deklaroi gjithashtu se SHBA-ja ka një vizion për një të ardhme pozitive.

2 VITE ME PARE

Sulmi ndaj gazetarëve në Veri/ Reagon KFOR: Policia mbetet përgjegjëse për sundim të ligjit në gjithë Kosovën

Tensionet në veri/ Osmani: Të gjejmë zgjidhje me SHBA e BE!
KFOR

KOSOVË- Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR ka dënuar ashpër sulmet gjatë protestës së djeshme nga serbët në Leposaviç, ndaj gazetarëve teksa ishin në krye të detyrës. Në një reagim zyrtar KFOR shprehet se liria e shtypit dhe liria e shprehjes janë vlera themelore, të cilat duhet të respektohen nga të gjithë.

“Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga dhuna ose veprimet e mëtejshme që mund të çojnë në përshkallëzim të mëtejshëm dhe të sigurojnë që mediat të mund të kryejnë punën e tyre në mënyrë të sigurt”, thuhet në komunikatën për media.

Pas incidenteve të 29 majit, kur një numër i madh i paqeruajtësve të KFOR-it u plagosën në sulme të paprovokuara, trupat e KFOR-it janë zhvendosur rreth ndërtesave të komunave veriore për të ndihmuar në parandalimin e përleshjeve të mëtejshme.

“KFOR-i mbetet reaguesi i tretë dhe Policia e Kosovës mbetet përgjegjëse për sigurimin e sundimit të ligjit në mbarë Kosovën”, thuhet mes tjerash në reagimin zyrtar. 

KFOR-i shprehet gjithashtu se vazhdon të kryejë mandatin e tij në mënyrë të paanshme, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, dhe se mbështet plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si e vetmja rrugë përpara.

“Gjithashtu, komandanti i KFOR-it është në kontakt të rregullt me ​​të gjithë homologët e tij kryesorë, përfshirë përfaqësuesit e institucioneve dhe organizatave të sigurisë në Kosovë, si dhe me përfaqësues të Forcave të Armatosura të Serbisë, Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), OSBE-së dhe komunitetit diplomatik”, thuhet në reagimin zyrtar.

Policia ka konfirmuar se nëntë gazetarë e kameramanë nga mediet e Kosovës janë sulmuar nga persona të maskuar në Leposaviç të premten. Në njoftim është bërë e ditur se disa prej tyre kanë mbetur të lënduar dhe janë transportuar në qendrat spitalore për të marrë trajtimin mjekësor. 

2 VITE ME PARE

Analiza e DW: Serbia injoroi thirrjet e SHBA-së për lirimin e policëve, rriti më shumë tensionet

Tensionet në veri/ Osmani: Të gjejmë zgjidhje me SHBA e BE!
Policët në Veri

KOSOVË- Edicioni në gjuhën angleze i “Deutsche Welle” ka raportuar për gjykimin që iu bë tre policvëve kosovarë në Serbi, duke thënë se kjo e fundit ka vazhduar me procedurat e gjykimit duke i injoruar kërkesat e ndërkombëtarëve për lirim të menjëhershëm dhe pa kushte.

Pas arrestimit të tre oficerëve kosovarë në Serbi, SHBA-të kanë kërkuar vazhdimisht lirimin e tyre. Por prokurorët publikë po ecin përpara me akuza, duke rritur më tej tensionet, shkruan ky medium. Një gjykatë serbe të premten urdhëroi vazhdimin e paraburgimit dhe hetimit ndaj tre policëve të Kosovës që u arrestuan në Serbi në fillim të javës.

Hapja e procedurave ligjore erdhi pasi i dërguari i posaçëm i SHBA për Europën Juglindore, Gabriel Escobar, kërkoi lirimin e oficerëve, në përputhje me kërkesën e Departamentit të Shtetit të SHBA një ditë më parë.

“Ata ose ishin marrë ose përfunduan në Serbi pa e pasur qëllim,” tha Escobar në një konferencë për shtyp në internet.

“Ata duhet të lirohen pa kushte”.

Serbia ecën përpara me hetimin

Zyra e Prokurorit Publik në qytetin serb të Kralevës tha se i kishte akuzuar tre policët për prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim të paautorizuar të armëve dhe substancave shpërthyese.

“Gjyqtari për procedurën paraprake të Gjykatës së Lartë në Kralevë urdhëroi paraburgimin e të gjithë të dyshuarve”, tha zyra e prokurorit në një deklaratë. Sfondi i arrestimit fillestar është kundërshtuar nga Serbia – e cila thotë se oficerët ishin thellë brenda territorit serb – dhe Kosova – e cila thotë se ata ishin rrëmbyer.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti e përshëndeti thirrjen për lirimin e policëve dhe përsëriti anën kosovare të historisë: “Serbia i rrëmbeu ata, në një rrugë në Kosovë të përdorur nga kontrabandistët serbë”. Frika nga rikthimi në konflikt të hapur

Arrestimi i policëve kosovarë është vetëm episodi më i fundit në përshkallëzimin e vazhdueshëm të tensioneve mes dy fqinjëve. Pjesëtarët e pakicës serbe në veri të Kosovës kanë protestuar kundër zgjedhjes së kryetarëve shqiptarë të komunave në qytetet e tyre pasi shumica e serbëve etnikë bojkotuan votimin.

Protestat shpërthyen në dhunë, me serbët e Kosovës që u përplasen me policinë e Kosovës dhe paqeruajtësit e udhëhequr nga NATO, disa prej të cilëve u plagosën në përleshje.

Serbia më pas urdhëroi që trupat e saj të vendoseshin në përballje dhe të ishin në gatishmëri më të lartë. BE-ja, Britania e Madhe dhe SHBA-ja u kanë bërë thirrje të dyja palëve të de-përshkallëzojnë situatën. Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, të cilën e shpalli në vitin 2008 pas një lufte në fund të viteve 1990 që la mbi 10,000 njerëz të vdekur, shumica e të cilëve ishin nga komuniteti shumicë etnike shqiptare, përfundon artikulli i DW. 

2 VITE ME PARE

Osmani takon ish-ministrin e Jashtëm të Gjermanisë: Një mik i madh i Kosovës!

 
Tensionet në veri/ Osmani: Të gjejmë zgjidhje me SHBA e BE!
Joschka Fischer dhe Vjosa Osmani

KOSOVË- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka zhvilluar sot një takim me ish ministrin e jashtëm të Gjermanisë, Joschka Fischer. Në një postim në Twitter, Osmani shkruan se Joschka Fischer është një mik i madh i Kosovës. Ajo shton se Joschka mbetet një avokat i fortë për të drejtat e njeriut. 

"Një bisedë e mirë me Joschka Fischer, një mik i madh i Kosovës dhe njerëzve të saj. Ashtu si në vitin ’99, kur si ministër i Jashtëm Gjermanisë, ai luajti një rol vendimtar në ndërhyrjen e NATO-s për të ndalur luftën në Kosovë", shkruan ajo. 

Osmani shprehet se Joschka mbetet një avokat i fortë për të drejtat e njeriut. 

2 VITE ME PARE

Sulmi ndaj gazetarëve në Veri/ Ambasadori gjerman: Brutaliteti i kësaj skene është tronditëse! Pse nuk po reagon Lista Serbe?

Tensionet në veri/ Osmani: Të gjejmë zgjidhje me SHBA e BE!
Jorn Rohde

KOSOVË- Ambasadori gjerman, Jorn Rohde, ka reaguar pas sulmeve të djeshme ndaj gazetarëve nga protestuesit serbë në Leposaviç. Në një postim në Twitter ai reagoi i tronditur për pamjet, ndërsa tha se ende nuk ka një reagim nga Lista Serbe për rastin. Sipas tij të gjithë duhet të mbajnë përgjegjësitë dhe detyrat për të ulur tensionet. 

“Brutaliteti i kësaj skene është tronditës. Ku duhet të përfundojë kjo? Shumë e kanë dënuar këtë akt të papranueshëm dhune, por fatkeqësisht deri më tani nuk shoh asnjë reagim nga përfaqësuesit e Listës Srpska mes tyre. Pse? Të gjithë duhet të bëjnë pjesën e tyre për të de-përshkallëzuar situatën”, ka shkruar ai, derisa ka shpërndarë edhe një video që shfaqte sulmet ndaj gazetarëve. 

 

Nëntë gazetarë e kameramanë kanë mbeytur të plagosur pas sulmit të djeshëm nga protestuesit serbë në Leposaviç. Policia e Kosovës njofton se ngjarja ka ndodhur teksa gazetarët ishin në krye të detyrës gjatë vizitës së Ministrit Elbert Krasniqi në Komunën në Leposaviç. Si pasojë e sulmeve me lëndë plasëse ata kanë marrë disa lëndimë trupore dhe aktualisht ndodhen në qendrat spitalore për të marrë trajtim mjekësor.

2 VITE ME PARE

Thirrja për lirimin e policëve të Kosovës/ Petkoviç u përgjigjet ndërkombëtarëve: Jemi të shokuar! Këtë gjë e vendos Prokuroria dhe Gjykata

Tensionet në veri/ Osmani: Të gjejmë zgjidhje me SHBA e BE!
Petar Petkoviç

SERBI- Drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviç ka reaguar në lidhje me thirrjen e ndërkombëtarëve për lirimin e tre policëve të arrestuar nga forcat “Kobra” të Beogradit. Petkoviç tha se serbët e veriut të Kosovës janë ata që do të vendosin se si do të veprohet në ditët në vijim.

“Jemi të shokuar me kërkesat e SHBA-së dhe Britanisë, të cilat kërkojnë nga Serbia për lirimin e policëve të arrestuar dhe askush nuk e përmend faktin se është e nevojshme lirimi i serbëve të pafajshëm. E shihni se çfarë hipokrizie. Nuk vendosim ne se kur do të lirohen policët, ne jemi shtet ligjor, këtë e vendos prokuroria dhe gjykata. Kjo nuk vendoset as nga ambasadat”, tha ai. 

Çfarë po ndodh në veri të Kosovës?

Situata në veri të Kosovës vijon të jetë e tensionuar. Një ditë më parë (14 qershor) në afërsi të Leposaviç, 3 pjesëtarë të Policisë së Kosovës u morën peng peng nga Forcat Speciale Serbe 'Kobra'. Ngjarja ndodhi kur tre policët ishin duke patrulluar në kufi, në vendin e quajtur Tresave/ Bare.

Sipas Qeverisë së Kosovës, ky është një kundërpërgjigje për arrestimin 2 ditë më parë në Mitrovicën e Veriut, të serbit Millun Millenkoviç, një nga organizatorët e protestave të dhunshme në Veri. Serbia ka hedhur poshtë çdo pretendim. Situata u përshkallëzua më 29 maj, kur serbët lokalë u përplasën me ushtarët e KFOR-it të cilët ruanin objektet komunale. Atë ditë mbetën të lënduar 30 ushtarë të KFOR-it, 11 të kontingjentit italian dhe 19 të tjerë të kontingjentit hungarez. Faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje të vazhdueshme për uljen e tensioneve tensioneve dhe, së fundi, disa kanë kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri.

2 VITE ME PARE

Ftesa e Borrell-it për takim/ Kurti: Në fillim të javës së ardhshme do të jap një përgjigje

Tensionet në veri/ Osmani: Të gjejmë zgjidhje me SHBA e BE!
Albin Kurti

KOSOVË- Kryeministri Albin Kurti nuk ka marrë ende një vendim nëse do të shkojë në takimin e Brukselit, për të cilit Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, njoftoi se do të mbahet javën e ardhshme për, siç tha ai, për të diskutuar krizën në Veri.

“Unë pata kërkuar që takimi të jetë në javën që po shkon në Bruksel me urgjencë dhe kam propozuar planin pesëpikësh, mirëpo tash kemi një kërkesë që takimi të jetë në javën e ardhshme. Një herë u tha data 22, pastaj data 23, pastaj data sërish 22. Do ta diskutoj me ekipin tim dhe me siguri që do t’i japim një përgjigje javën e ardhshëm”, tha Kurti. 

Kurti tha se është i angazhuar në dialog, por tha se po mungon zbatimi i plotë, pa kushte e pa vonesa i Marrëveshjes bazike dhe Ankesit të zbatimit.

“Një sekuencim që do të ishte i balancuar dhe fer, por që praktikisht është krejt i ndryshëm prej asaj që na është ofruar më 26 prill. Jemi të përkushtuar e konstruktivë, por s’mundet që çfarëdo sekuencimi që të ketë më shumë se gjysmën dedikuar neneve 7 dhe 10”, tha ai. 

Çfarë po ndodh në veri të Kosovës?

Situata në veri të Kosovës vijon të jetë e tensionuar. Një ditë më parë (14 qershor) në afërsi të Leposaviç, 3 pjesëtarë të Policisë së Kosovës u morën peng peng nga Forcat Speciale Serbe 'Kobra'. Ngjarja ndodhi kur tre policët ishin duke patrulluar në kufi, në vendin e quajtur Tresave/ Bare.

Sipas Qeverisë së Kosovës, ky është një kundërpërgjigje për arrestimin 2 ditë më parë në Mitrovicën e Veriut, të serbit Millun Millenkoviç, një nga organizatorët e protestave të dhunshme në Veri. Serbia ka hedhur poshtë çdo pretendim. Situata u përshkallëzua më 29 maj, kur serbët lokalë u përplasën me ushtarët e KFOR-it të cilët ruanin objektet komunale. Atë ditë mbetën të lënduar 30 ushtarë të KFOR-it, 11 të kontingjentit italian dhe 19 të tjerë të kontingjentit hungarez. Faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje të vazhdueshme për uljen e tensioneve tensioneve dhe, së fundi, disa kanë kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri.

2 VITE ME PARE

'Situata politike është e komplikuar'/ Ish-këshilltari i KFOR: Jam i shqetësuar për Kosovën

Tensionet në veri/ Osmani: Të gjejmë zgjidhje me SHBA e BE!
Alessandro Politi

KOSOVË- Ish-këshilltari i KFOR-it, Alessandro Politi deklaroi në një intervistë për Euronews Albania se rrëmbimi i tre policëve në veri të Kosovës është ngjarje që rëndon politikën. Ai tha se dialogu ka qenë gjithnjë i vështirë mes të dyja palëve, por më parë të dyja palët shiheshin si përgjegjëse.

“Këto lloj incidentesh mund të ndodhin dhe ja që ndodhi. Nuk them se do ndodhin sërish, por thash se fatkeqësisht ndodhi. Për sa kohë ka pasur patrullime të përbashkëta midis KFOR-it dhe policisë së Kosovës rreth zonës së demilitarizuar të 1000 metrave, të kufirit, sepse ka pasur marrëveshje të sakta dhe ka pasur dhe procedura të përcaktuara. Ky është fatkeqësisht një fakt. Fakti që ndodhi dhe tani sigurisht komplikon situatën politikë, por çdo institucion dhe qeveri duhet të bëjë zgjedhjet e vet,” u shpreh Politi.

Ish-këshilltari i KFOR-it shtoi se është i shqetësuar për faktin që SHBA-ja ndaloi pjesëmarrjen e Kosovës në Defender 23 dhe që BE-ja ka paralajmëruar sanksione.

“Shpresoj që një negociatë e mirë politike mund të kthejë balancën sepse jam i sigurt që të dy vendet kanë nevojë të kenë një qasje të përbashkët euro atlantike,” – deklaroi Politi. 

 
2 VITE ME PARE

Deputetja e VV kritika Borrell dhe Lajçak: Po mbajnë qëndrim të njëanshëm

Tensionet në veri/ Osmani: Të gjejmë zgjidhje me SHBA e BE!
Mimoza Lila-Kusari

KOSOVË- Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila tha në një intervistë për Euronews Albania se nuk mund të ketë një gjuhë neutrale kur dihen dhunuesit, referuar këtu situatës aktuale mes Kosovës dhe Serbisë dhe tensioneve të vazhdueshme mes dy vendeve.

Sipas saj qëndrimi i Borrell, por dhe ai i Lajçak po e dëmton procesin. Deklaratat se policët janë arrestuar dhe jo rrëmbyer apo dhe komente të tjera duhet të kontrollohen në bazë të parimeve të secilit shtet europian.

“Për Kosovën nuk është aspak ndjenjë e mirë, megjithatë ne i kemi pasur dyshimet dhe vërejtjet tona në vazhdimësi. Roli që duhet të ishte ndërmjetësues dhe lehtësues i zotit Lajçak ka kohë që ka devijuar në rolin e një arbitri apo në rolin e ndërmjetësit që merr anë. Kjo na është thënë dhe në Parlamentin Evropian në takimet e vazhdueshme, në takimet e rregullta që kemi atje. Janë të tjera mesazhet që ai thotë publikisht dhe të tjera mesazhet që ai thotë brenda dyerve dhe korridoreve të parlamentit europian prandaj ne i kemi ngritur këto shqetësime edhe te vendet e BE-së, edhe direkt me zotin Lajçak dhe duket se tashmë është me një maskë evidente që as nuk mundohet të mbulohet njëanshmëria e zotit Borrell dhe pjesërisht dhe e zotit Lajçak,” u shpreh Mimoza Kusari Lila.

Deputetja  e VV-së shtoi se i vjen keq që mbledhja mes qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës nuk u realizua, ndërsa theksoi se është e dhimbshme situata aktuale. 

Marrë nga Euronews

2 VITE ME PARE

'Nuk është çështja të shtohen draft-tekstet'/ Kurti vërejtje publike Lajçak për Asosacionin: Kjo rrugë nuk po na çon përpara

Tensionet në veri/ Osmani: Të gjejmë zgjidhje me SHBA e BE!
Albin Kurti në Forumin e Prespës në Strugë

KOSOVË- Kryeministri Albin Kurti gjatë Forumit të Prespës ditën e djeshme ka bërë një vërejtje publike ndaj emisarit europian, Miroslav Lajçak, për mënyrën se si po punohet në drejtim të Asociacionit. Ai tha se fillimisht duhet të pajtohen mbi principet e më pas për shkrimin e drafteve.

“Nuk është çështja që të shumohen draft-tekstet, por që të pajtohemi për principet dhe pastaj të shkruajmë tekstin. Ne mund të sjellim tekste të ndryshme dhe të gjejmë vlerën mesataren aritmetike, siç bën zakonisht emisari Lajçak. Por, kjo ç’po na çon përpara, nëse ne nuk pajtohemi për frymën e tekstit. Është e kotë të përpiqesh të biesh dakord për letrën e tekstit”, tha ai. 

Gjatë konferencës me gazetarët ai tha se në takimin e fundit me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell i kërkoi që të zhvillonin një tjetër takim të nivelit të lartë, por ky i fundit i ka kërkuar fillimisht de-eskalim të situatës. 

2 VITE ME PARE

'Objektet alternative'/ Escobar, 3 kryekomunarëve shqiptar: Kjo është kërkesa jonë! Edhe nga 'hëna' të punojnë veprimet e tyre janë legjitime

Tensionet në veri/ Osmani: Të gjejmë zgjidhje me SHBA e BE!
Gabriel Escobar

KOSOVË- Emisari amerikan Gabriel Escobar theeksuar edhe njëherë nevojën e qëndrimit të kryetarëve të zgjedhur të komunave veriore nëpër objekte alternative për të shmangur protestat e tensionet. Ai tha se kjo ishte kërkesa e vetme e SHBA-së, duke theksuar se legjitimiteti i vendimeve të kryetarëve do të njihej edhe nëse ata do të punonin nga Hëna.

Legjitimiteti i kryetarëve të komunave nuk do të vihej në dyshim nëse ata do të kishin punuar nga një vend alternativ. Ata mund të kishin punuar nga Hëna dhe ne do t’i konsideronim veprimet e tyre të ligjshme. Në vend të kësaj, ata insistuan të futeshin në zyra me forcë dhe ajo që ndodhi ishte e parashikueshme dhe e parandalueshme”, tha ai.

Emisari amerikan përsëriti se do të ketë pasoja në marrëdhënie nëse Qeveria e Kosovës këmbëngul në këtë.

“Pra, sa herë që ata mendojnë t’i përdorin ato ndërtesa si simbol të kundërshtimit të tyre ndaj planit europian dhe amerikan, kjo dëmton marrëdhëniet midis grupeve etnike dhe marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe komunitetit euroatlantik. Pra, kjo ishte kërkesa jonë e vetme nga Kosova dhe për cilëndo arsye ata vazhdojnë ta refuzojnë. Por, ne do të vazhdojmë të insistojmë në të. Dhe nëse doni të flisni për pasojat, do të thosha se do të ketë pasoja nëse vazhdojnë të shpërfillin këshillat tona për këtë çështje”, tha ai. 

Escobar mori disa shembuj nga vendi i tij kur në SHBA zyrtarët janë detyruar t’i lënë ndërtesat zyrtare për të punuar nga objekte alternative për arsye të ndryshme. 

2 VITE ME PARE

SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, THIRRJE Serbisë: Të lirohen menjëherë tre policët e Kosovës

Tensionet në veri/ Osmani: Të gjejmë zgjidhje me SHBA e BE!
SHBA - BE

KOSOVË- Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania, kanë bërë thirrje për lirimin e tre policëve kufitar të Kosovës, për të cilët autoritetet e Kosovës pretendojnë se janë rrëmbyer brenda territorit të Kosovë nga forcat serbe.

Autoritetet në Serbi thonë se ata kanë qenë “thellë” në territorin e tyre, kur janë arrestuar. I dërguari i amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, u ka thënë të premten gazetarëve se e kanë ndjekur “rastin e arrestimit të tre policëve të Kosovës”.

“Janë dy skenarë, një se ata janë rrëmbyer nga brenda territorit të Kosovës dhe janë dërguar në Serbi, ose ata pa dashje kanë kaluar kufirin ku kanë gjetur veten brenda territorit të Serbisë. Në çfarëdo rasti, është e qartë se këta policë nuk kishin qëllim të ishin në Serbi dhe duhet të lirohen”, ka theksuar Escobar.

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbot, përmes një shkrimi në Twitter ka thënë se vendi i tij bën thirrje “për lirimin e menjëhershëm të tre policëve kosovarë, të arrestuar më 14 Qershor”.

“Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ushtrojnë përmbajtje maksimale, të shmangin masat e njëanshme dhe të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të ulur tensionet”.

Mbretëria e Bashkuar ka përsëritur thirrjet ndaj kryeministrit Kurti që kryetarët e katër komunave veriore të ushtrojnë detyrën nga objekte alternative dhe të largohet njësiti special i Policisë së Kosovës nga ndërtesat e komunave në veri. Gjithashtu, janë kërkuar zgjedhjet e reja dhe themelimi i Asociacionit.

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, i ka bërë thirrje Serbisë dhe Kosovës “që të bëjnë gjithçka që është e mundur për të qetësuar situatën në kufi”.

“Kjo përfshin lirimin pa kushte të tre policëve kosovarë. Njerëzit në të dy vendet kanë nevojë për perspektiva që konflikti i ka frenuar për një kohë të gjatë”, ka shkruar Baerbok në Twitter.

Qeveria e Kosovës beson se autoritetet serbe, sipas saj, “i rrëmbyen” tre policët, për shkak të arrestimit të serbit Millun Millenkoviq nga Policia e Kosovës, më 13 Qershor, nën dyshimet se ka organizuar dhunë kundër pjesëtarëve të misionit të NATO-s, KFOR, në veri të Kosovës.

Kjo zonë, e banuar me shumicë serbe, është tensionuar qysh në fund të majit, kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave atje të futen në objektet e tyre, përkundër rezistencës së banorëve lokalë. Këto objekte shfrytëzohen edhe nga strukturat paralele serbe.

Tensionet kulmuan më 29 Maj, kur protestuesit serbë u përleshën me ushtarë të KFOR-it. Dhjetëra të plagosur u raportuan në të dyja anët. Bashkësia ndërkombëtare kërkon nga Kosova që menjëherë ta shtensionojë situatën, përkatësisht t’i tërheqë njësitë speciale të policisë nga veriu, të organizojë zgjedhje të reja lokale dhe të kthehet në dialog me Serbinë.

Nga Beogradi zyrtar, në anën tjetër, kërkohet që të sigurojë pjesëmarrjen e pakushtëzuar të serbëve në zgjedhjet e mundshme lokale. Zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit, nga të cilat dolën kryetarët shqiptarë, u bojkotuan nga komuniteti serb./REL 

2 VITE ME PARE

'Lëndime në trup dhe në kokë'/ 9 gazetarë dhe kameramanë u sulmuan me gurë e lëndë plasëse nga serbët në Leposaviç, Policia e Kosovës jep detaje

Tensionet në veri/ Osmani: Të gjejmë zgjidhje me SHBA e BE!
Gazetarët

KOSOVË-  Nëntë gazetarë e kameramanë kanë mbeytur të plagosur pas sulmit të djeshëm nga protestuesit serbë në Leposaviç. Policia e Kosovës njofton se ngjarja ka ndodhur teksa gazetarët ishin në krye të detyrës gjatë vizitës së Ministrit Elbert Krasniqi në Komunën në Leposaviç. 

Si pasojë e sulmeve me lëndë plasëse ata kanë marrë disa lëndimë trupore dhe aktualisht ndodhen në qendrat spitalore për të marrë trajtim mjekësor.

“Njëri nga viktimat dyshohet të ketë lëndime të rënda (frakturë në dorë) është udhëzuar për trajtim të mëtutjeshëm”, ka njoftuar Policia.

Rasti është cilësuar si “LËNDIM I RËNDË TRUPOR /ASGJËSIM APO DËMTIM I PASURISË /SULM NDAJ PERSONIT ZYRTAR”.

“Rruga APJ, Leposaviç 16.06.2023 – 14:24. Nëntë persona (pesë meshkuj dhe katër femra) gazetarë e kameraman janë sulmuar fizikisht nga një grup i protestuesve derisa ishin duke kryer detyrën gjatë vizitës së një ministri të qeverisë në komunën e Leposaviçit. Viktimat kanë pësuar lëndime trupore dhe të njëjtit kanë pranuar trajtim nga ekipi mjekësor në stacionin policor në Leposaviç. Njëri nga viktimat dyshohet të ketë lëndime të rënda (frakturë në dorë) dhe i njëjti është udhëzuar për trajtim të mëtutjeshëm. Përveç sulmit të dyshuarit kanë marrë nga një gazetare një telefon celular dhe një kamerë të RTK-së. Rasti është iniciuar në konsultim me prokurorin dhe mbetet në hetime të mëtutjeshme”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë.

Lidhur me rastin ka reaguar edhe 'Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës' (AGK) të cilët kanë njoftuar se ekipet e gazetarëve nga Prishtina kanë rënë pre e një sulmi brutal, nga protestuesit në Leposaviç, teksa ata ishin në krye të detyrës. Sipas AGK-së, kameramani i shërbyesit publik, Radio Televizionit të Kosovës, Bardh Bekteshi është sulmuar fizikisht dhe ka marrë lëndime të rënda në kokë e trup.

“Përveç sulmit fizik, Bekteshit i është thyer edhe kamera e xhirimit”, thuhet në njoftimin e AGK-së.

Sipas një deklarate për AGK-në, gazetarja Venera Xhoxhaj, ka treguar se protestuesit kanë gjuajtur me gurë ekipet e mediave, Tëvë1, RTV Dukagjini, RTK, Klan Kosova dhe KTV.

“Na kanë gjuajtur me gurë, disa kolegë derisa kanë qenë duke u larguar, janë rrëzuar, dhe kameramanit tonë, B. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, i bënë thirrje urgjente Policisë së Kosovës, dhe prezencës ndërkombëtare në këtë komunë, që t’u ofrojnë siguri gazetarëve dhe kameramanëve të cilët janë duke qëndruar në atë komunë”, ka thënë Xhoxhaj për AGK-në.

I lënduar nga sulmi ka mbetur edhe Albin Rrahmani, kameraman i Tëvë1.

“Në mesin e gazetarëve të lënduar është edhe kameramani Albin Rrahmani, i cili ka pësuar lëndime në këmbë. Aktualisht, ekipi është duke dhënë deklaratë në Policinë e Kosovës”, ka thënë AGK -ja.

Ky asociacion ka njoftuar se në mesin e të lënduarve është edhe gazetari i Arbresh.info, Pleurat Salihu, të cilit sulmuesit ia kanë thyer krahun. Ndërkaq, gazetarja e RTV Dukagjinit, Dorentina Thaqi, është sulmuar me gurë në kokë.

Në njoftimin e saj, AGK-ja gjithashtu ka theksuar se sulmi ndaj gazetarëve në Leposaviç, ka ndodhur në prani të trupave të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR. AGK-ka ka thënë se për të gjitha sulmet ndaj gazetarëve, të cilat kanë ndodhur gjatë raportimeve të tyre nga veriu i vendit, do të informojnë organizatat ndërkombëtare që merren me sigurinë e gazetarëve dhe lirinë e medias. 

2 VITE ME PARE

Sërish tensione në Veri të Kosovës/ Sulmohet me bomba molotov gjatë natës policia në Mitrovicë të Veriut

Tensionet në veri/ Osmani: Të gjejmë zgjidhje me SHBA e BE!
Foto ilustruese

KOSOVË- Sërish tensione në veri të Kosovës. Gjatë mbrëmjes së djeshme pranë stacionit policor në Mitrovicën e Veriut janë hedhur dy bomba molotov. Policia ka bërë me dije se për momentin situata është qetë, ndërsa në Laposaviç janë ende një numër i vogël protestuesish.

“Dy shok-bomba janë gjuajtur mbrëmë në stacionin policor në Mitrovicë të Veriut. Situata për momentin është stabile, ndërsa në Leposaviq janë një numër i vogël protestuesve“, njoftojnë nga policia. 

2 VITE ME PARE

Pas bllokimit në kufirin me Kosovën, kamionët nga Serbia prej tre ditësh në pritje në Morinë

Tensionet në veri/ Osmani: Të gjejmë zgjidhje me SHBA e BE!
Kamion

KOSOVË- Prej disa ditësh, për shkak të ndalesës së hyrjes në Kosovë të kamionëve me targa të Serbisë dhe mallrave me origjinë serbe kamionët janë të bllokuar në anën e kufirit me Shqipërinë në Morinë. 

Kontrollet e sigurisë janë shtuar në pikën kufitare, ku për pasojë kolona e mjeteve transportuese është e gjatë.

Kolonat në kufi u shtuan pasi Qeveria e Kosovës bëri të ditur se, për arsye të sigurisë, janë shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi më 15 qershor se “synimi ynë është siguria, e siguria fillon te kufijtë”.

Kurti këto komente i bëri gjatë një konference të përbashkët me ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla, e cila u mbajt pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ku morën pjesë autoritetet e institucioneve të sigurisë, drejtësisë dhe financave të Kosovës, pasi një ditë më parë, tre zyrtarë të Policisë së Kosovës u arrestuan nga forcat serbe në veri të vendit./Dosja.al

2 VITE ME PARE

ANALIZA e 'REL': “Kufiri i incidenteve” mes Kosovës dhe Serbisë

Tensionet në veri/ Osmani: Të gjejmë zgjidhje me SHBA e BE!

Kosova dhe Serbia ndajnë një vijë kufitare të gjatë rreth 350 kilometra.

Në 24 vjet pas përfundimit të luftës, në këtë vijë kufitare që për Kosovën është kufi e për Serbinë vijë administrative, kanë ndodhur disa incidente.

Një ka ndodhur në vitin 2012, kur njësitet speciale të Serbisë kanë arrestuar dy policë kufitarë të Kosovës në fshatin Dumnicë të Podujevës.

Një incident i ngjashëm ka ndodhur edhe më 14 qershor të këtij viti, kur forcat serbe kanë arrestuar tre policë të Kosovës.

Kosova thotë se ata janë arrestuar në territorin e saj, Serbia pretendon në të sajin, ndërsa misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, thotë se "mbetet e paqartë" se ku kanë qenë policët në kohën e arrestimit.

Në fakt, në të dyja rastet, Serbia ka pretenduar se policët kosovarë kanë hyrë në territorin e saj dhe se ata nuk kanë të drejtë të shkelin në atë që njihet si “zonë neutrale”.

Sipas palës serbe, në zonën neutrale në mes të Kosovës dhe Serbisë, të drejtë patrullimi kanë vetëm pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, dhe forcat serbe.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka fajësuar Serbinë për, siç ka thënë, “rrëmbimin” e tre policëve në territorin e Kosovës.

Kosova dhe Serbia zyrtarisht nuk e kanë të kryer procesin e demarkacionit të kufirit.

Megjithatë, kur është bërë demarkacioni me Malin e Zi në vitin 2018 - me gjithë kundërshtimet politike në Prishtinë - si referencë është marrë Kushtetuta e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, që është miratuar më 28 shkurt të vitit 1974 - asokohe nga ana e Kuvendit të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës dhe Kuvendit të Jugosllavisë.

Më këtë dokument, Kosova ka pasur kufijtë e saj territorialë që kanë pasur cilësinë e kufijve shtetërorë.

Për sigurinë e kufijve të territorit të Kosovës, nga viti 1999 kur ka përfunduar lufta, është përgjegjës misioni i KFOR-it.

Ky mision e ka këtë përgjegjësi bazuar në atë që njihet si Marrëveshje Ushtarako-Teknike e Kumanovës, e cila i ka dhënë fund luftës në Kosovë. Serbia e ka nënshkruar këtë marrëveshje me NATO-n në vitin 1999, duke i tërhequr më pas të gjitha forcat policore dhe ushtarake nga Kosova.

As KFOR-i e as autoritetet kosovare nuk kanë folur për REL-in lidhur me mënyrën e menaxhimit të zonës neutrale mes Kosovës dhe Serbisë.

Më 2012 dhe 2023, kur Serbia ka arrestuar policë të Kosovës, ajo ka thënë se ata kanë shkelur Marrëveshjen Ushtarako-Teknike të Kumanovës, e cila, sipas Beogradit zyrtar, u mundëson patrullim të armatosur në “zonën e neutrale” vetëm forcave të KFOR-it dhe forcave të Serbisë.

Por, të njëjtën gjë e ka thënë vazhdimisht edhe Prishtina zyrtare.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Serbia ka shkelur Marrëveshjen e Kumanovës që e ndalon çdo forcë policore e ushtarake serbe të futet në territorin e Kosovës.

Policia e Kosovës kryen patrullime në vijën kufitare Kosovë - Serbi që nga themelimi i saj, më 1999.

Në vitet e para të pasluftës, patrullimet janë kryer në bashkëpunim me KFOR-in, misionin e Kombeve të Bashkuara, UNMIK, e më vonë edhe me misionin e Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EULEX.

Me shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, institucionet ndërkombëtare, si KFOR-i dhe EULEX-i, i kanë transferuar gradualisht përgjegjësitë për kontrollin e zonës neutrale Kosovë-Serbi - që është rreth 5 kilometra - te Policia e Kosovës.
Tani, policia kryen patrullime të rregullta në vijën kufitare me Serbinë njëjtë si me shtetet e tjera.

Incidenti i fundit është arrestimi i tre policëve kufitarë të Kosovës - sipas autoriteteve të vendit - në Tresave/Bare në Leposaviq, pjesa veriore e Kosovës.

Kosova ka paraqitur harta të vendit ku, siç është thënë, kanë qenë policët - rreth 1.5 kilometra brenda territorit të Kosovës, ndërkohë që, sipas Serbisë, ata janë arrestuar “thellë” në territorin e saj.

KFOR-i, si përgjegjësi kryesor për sigurinë e territorit të Kosovës, ka thënë më 16 qershor se "bazuar në të dhënat e disponueshme, mbetet e paqartë se ku kanë qenë zyrtarët e Policisë së Kosovës në momentin e arrestimit".

Po atë ditë, Prokuroria e Lartë në Kralevë - qytet në jug të Serbisë - ka dhënë urdhër për kryerjen e hetimeve ndaj tre policëve të Kosovës dhe u ka shqiptuar masë paraburgimi prej 30 ditësh.

Sipas autoriteteve serbe, ata dyshohet se kanë kryer veprën penale: prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim i paligjshëm i armëve dhe lëndëve plasëse, e cila bart dënimin deri në 12 vjet burg.

Derisa kanë qenë duke patrulluar në vijën kufitare në mes të Kosovës dhe Serbisë, më 31 mars të vitit 2012, dy policë kufitarë të Kosovës janë arrestuar nga xhandarmëria serbe në fshatin Dumnicë të Podujevës.

Serbia, edhe asokohe, ka thënë se policët e Kosovës kanë hyrë ilegalisht në “zonën neutrale”, ku, sipas institucioneve atje, është e ndaluar me Marrëveshjen e Kumanovës.

Policët janë liruar pas kalimit të masës së ndalimit prej 48 orësh.

Në korrik të vitit 2011, Qeveria e Kosovës ka organizuar një aksion për marrjen e kontrollit të pikave kufitare 1 dhe 31 në Jarinjë dhe Bërnjak - pjesa veriore e Kosovës - të cilat ishin djegur nga grupe serbësh qysh në vitin 2008, si kundërshtim ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Qindra automjete të Policisë së Kosovës janë bllokuar nga serbët lokalë, që kanë barrikaduar rrugët drejt Bërnjakut dhe Jarinjës. Në këtë aksion është vrarë polici i Kosovës, Enver Zymberi, nga persona ende të paidentifikuar.

Që nga ajo kohë, policë dhe doganierë të Kosovës janë vendosur në këto dy pika kufitare.

Banorët e fshatit Karaçevë në Komunën e Kamenicës - pjesa lindore e Kosovës - që nga përfundimi i luftës kanë reaguar vazhdimisht për, siç kanë thënë, futjen e xhandarmërisë serbe në territorin e Kosovës.


Hera e fundit kur janë publikuar fotografi të forcave serbe në atë që është thënë se është brenda territorit të Kosovës, ka qenë më 20 mars 2020.

“Terrorizimi i banorëve të Karaçevës nga forcat serbe është i papranueshëm dhe për këtë duhet të bartin përgjegjësi edhe forcat e KFOR-it. Ajo zonë është përcaktuar si zonë neutrale (edhe pse gabimisht) dhe e vetmja forcë që ka të drejtë hyrjeje në atë zonë, është KFOR-i”, ka thënë Qëndron Kastrati, asokohe kryetar i Kamenicës.

Përgjatë viteve ka pasur dhjetëra incidente të natyrave të ngjashme.

Kosova dhe Serbia janë në bisedime, herë për çështje teknike e herë për politike, që nga viti 2011. Megjithatë, çështja e demarkacionit të kufirit nuk është diskutuar drejtpërsëdrejti asnjëherë.

Dy vendet kanë arritur Marrëveshjen për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, më 2 dhjetor 2011.

Përmes kësaj marrëveshjeje, Kosova dhe Serbia janë pajtuar që të krijojnë pika të përbashkëta kufitare në vendkalimet kufitare: Merdarë, Bërnjak, Mutivodë, Jarinjë, Dheu i Bardhë dhe Muçibabë.

Një fije shprese në këtë drejtim e ofron Marrëveshja e Brukselit, e arritur mes Kosovës dhe Serbisë në shkurt, e përmes së cilës palët, mes tjerash, obligohen të njohin dhe respektojnë tërësinë territoriale të njëra-tjetrës.

Marre nga REL

2 VITE ME PARE

Tensionet me Serbinë/ Osmani: Koha të ulemi dhe të gjejmë zgjidhje me BE dhe SHBA

Tensionet në veri/ Osmani: Të gjejmë zgjidhje me SHBA e BE!
Vjosa Osmani

KOSOVË- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është shpresëplotë se mosmarrëveshjet aktuale të Kosovës me BE dhe SHBA do të tejkalohen. Në një takim me korrespondentë politikë, gjatë qëndrimit të saj në Berlin, Osmani tha se është koha të ulen për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme.

Nuk mendoj se mosmarrëveshjet mund të anashkalohen duke sulmuar njëri-tjetrin në media, por nëse ulemi dhe flasim”.

Osmani vijoi se tani kanë mbetur të sqarohen disa detaje në lidhje me riorganizimin e zgjedhjeve në veri dhe tërheqjen e forcave policore nga komunat në fjalë, dy kërkesa këto aktuale të vendeve të Quintit ndaj Kosovës.

“Zgjedhjet e reja duhet të bëhen pa ndërhyrje nga Serbia”

Sa i përket zgjedhjeve të reja në katër komunat serbe në veri të Kosovës, Osmani tha se kusht për mbajtjen e tyre është që të sigurohet pjesëmarrja e serbëve.

“Ne kemi kërkuar mbështetjen e partnerëve tanë për t’u siguruar që Serbia të mos ndërhyjë në mënyrë të paligjshme në zgjedhjet e një vendi tjetër, siç bëri herën e kaluar, dhe që të mos u bëjë presion serbëve të Kosovës që të mos marrin pjesë. Por, deri më tani nuk kemi marrë përgjigje”, vijoi Osmani.

Sa i përket tërheqjes së forcave policore, ajo tha se Kosova tashmë ka propozuar që të bëhet një vlerësim i përbashkët i sigurisë së bashku me KFOR-in dhe EULEX-in, në bazë të të cilit do të bëhet tërheqja. Por ajo theksoi se duhen vijuar përpjekjet e përbashkëta për sundimin e ligjit për të gjetur kriminelët që ushtruan dhunën ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe të tjerëve.

Mosmarrëveshjet aktuale të Kosovës me BE dhe SHBA ajo i shpjegoi me pakënaqësinë e vendeve partnere për situatën e krijuar në veri që nga 26 maji, kur nisën punën katër kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës. Si pasojë e protestave të dhunshme të serbëve, më 29 maj, u lënduan një numër i madh ushtarësh të KFOR-it dhe civilë.

Përgjegjësia për situatën e krijuar megjithatë mbetet në Serbi, është e mendimit Osmani, e cila e akuzoi presidentin serb, Aleksandar Vuçiç që është kthyer në strategjinë e vjetër që krijon krizë pas krizash duke bllokuar suksesin dhe zbatimin e marrëveshjeve të dialogut.

“Serbët kishin instrumente të ndryshme që mund të ishin përdorur nëse do të donin të kontestonin legjitimitetin e kryetarëve të komunave që u zgjodhën. Por ata nuk përdorën asnjë nga ato mjete kushtetuese demokratike për ta bërë këtë”, u ankua presidentja.

Edhe dialogu, është e mendimit presidentja e Kosovës, duhet të jetë më i balancuar.

“Mendoj se një nga arsyet kryesore pse kemi këto tensione gjatë gjithë kohës është edhe për shkak të zhgënjimit se si po shkon dialogu”, tha ajo në përgjigje të pyetjes së Deutsche Welles, në lidhje me rolin e BE-së si ndërmjetësues në normalizimin e marrëdhënieve me shtetin fqinj.

Kritikë pati Osmani ndaj vendeve aleate që nuk kanë reaguar ndaj shkeljeve të bëra nga Serbia.

“Ka pasur shkelje të vazhdueshme në këto dy muajt e fundit, që nga 18 marsi, kur u bë marrëveshja, por asnjëherë deri më tani nuk kemi dëgjuar një lloj deklarate nga Bashkimi Evropian duke thënë, po, kjo është një shkelje e marrëveshjeve. Mendoj se kjo po e inkurajon Serbinë që të mos kujdeset për procesin dhe po dëmton besueshmërinë e procesit të dialogut”

Kidnapimi i tre policëve kosovarë ishte një nga shkeljet e fundit të Marrëveshjes së Ohrit dhe marrëveshjes ushtarako-teknike 1999, kujtoi presidentja e Kosovës.

Ajo falënderoi në mënyrë eksplicite vendet aleate, SHBA, Britaninë e Madhe, dhe Gjermaninë, që tashmë kërkuan lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve kosovarë.

Asociacioni nuk duhet të jetë si “Republika Serbe”

Sa i përket Asociacionit të komunave me shumicë serbe, një nga kërkesat kyçe të partnerëve ndërkombëtarë në dialog, ajo tha se “jemi të gatshëm të bëjmë më shumë për serbët që jetojnë në vendin tonë, që ata të ndihen të barabartë, të ndihen të dëgjuar, të ndihen të përfshirë. Kosova është shtëpia e tyre. Por në të njëjtën kohë, duhet të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm për të shmangur çdo lloj modeli që do të ngjante me ‘Republikën Serbe’. Edhe një kushëri i largët i ‘Republika Serbe’ është shumë i rrezikshëm për rajonin tonë”, tha Osmani.

Osmani kujtoi se konstrukte të tilla janë të rrezikshme jo vetëm për rajonin por për gjithë Evropën për sigurinë kolektive të Evropës si të tillë. Ajo tha se Rusia ka interes për të destabilizuar Ballkanin Perëndimor. “Serbia po vepron me Kosovën sipas skriptit të Putinit. Është një kopjim i plotë i asaj që bëri Putin në 2014 në Krime. Ata shfrytëzojnë komunitetet pakicë, abuzojnë me to. I bëjnë ata të heqin dorën nga punët e tyre në institucione, krijojnë operacione false”.

“Na janë dhënë garanci për liberalizimin e vizave”

Sa për procesin e liberalizimit të vizave, ajo tha se nuk beson se ai do të ndalet, sikurse ishte aluduar nëpër media.

“Na janë dhënë garancitë e siguruara nga institucionet evropiane se kjo nuk do të ndodhë. Të paktën deri tani. Kjo është pikërisht ajo që kemi dëgjuar dhe na është thënë, jo vetëm e dëgjuar nga të tjerët, por sigurisht, duke folur me institucionet evropiane”, siguroi presidentja.

Osmani ndodhet në Berlin me ftesë të presidentit, Frank Walter Steinmeier për të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Speciale (17-26.06.2023) për personat me aftësi të veçanta. Por presidentja e Kosovës e shfrytëzoi këtë ftesë për të bërë një sërë takimesh me aktorë të rëndësishëm politikë në Gjermani. Ajo ndër të tjera pati edhe një takim në Komisionin e Jashtëm të Bundestagut. /DW

tensione në veri të kosovës dialogu kosove-serbi

Sondazh

Poll

Pas më shumë se katër orësh, qytetarët vijojnë protestën rrugëve të Kryeqytetit

Pas më shumë se katër orësh, qytetarët vijojnë protestën rrugëve të Kryeqytetit

Gjesti i veçantë i protestuesit, u dhuron lule efektivëve në shenjë solidariteti për policin e vrarë

Pas tre orësh protestë, turma vijon qëndresën: Dorëheqje!

Prej më shumë se tre orësh para Kryeministrisë, protestuesit ndezin flakadanë

"Kush s'kërcen nuk është shqiptar o hej"/ PAMJE me dron nga protesta madhështore për Zvërnecin

Thirrja e qytetarit të Rrjollit: Hajde rini, merre situatën në dorë dhe drejto vendin

Me flamuj dhe pankarta në duar, qytetarët e Durrësit sërish protestë për projektin në Zvërnec

Tentoi të futej në Kryeministri, protestuesja bën simbolin e shqiponjës

"Ne i duam parqet, lodrat, natyrën"/ Vogëlushi në protestë thirrje: Mbrojini për ne!

Protesta kundër projektit në Zvërnec/ Brohoret turma: Edi Rama o tradhtar, duhet lidhur me litar

Protesta për Zvërnecin, qytetarë mbajnë 1 minutë heshtje për efektivin e vrarë në krye të detyrës

"Ruani qetësinë, Ramën ta zhdukim me të mirë"/ Tensione në protestën kundër projektit në Zvërnec

PAMJE nga protesta madhështore kundër projektit në Zvërnec/ Oshëtin bulevardi: O pallosh o zagar

Mijëra protestues në shesh thirrje ndaj kryeministrit Rama: Duam dorëheqje

Protesta për Zvërnecin, babai i Martin Canit i bashkohet protestuesve në shesh

Mijëra qytetarë në Bulevard/ Thirrje kundër Ramës dhe Berishës: U ka ardhur fundi, në burg

Balla nga Kuvendi: Greqia u ka borxh shqiptarëve marrëveshjen për pensionet

Dita e 5-të e protestës për Zvërnecin/ Nis marshimi drejt bulevardit: Revolucion

Balla ‘thumbon’ Berishën: U trembe nga protestuesit që erdhën te selia e PD-së dhe ndryshove qëndrim

"Na keni ça k***"/ Noizy shpërthen keq ndaj protestuesve: Nuk po e shet njeri Shqipërinë!

'Zvërneci'/ Berisha: Ju jeni mafie si në Beograd. Të gjitha dokumentet ju i shumëzoni me zero

Berisha: Pse e fshihni kreun e Meduzës. Tokat në Zvërnec i ka rrëmbyer Pjerini nga Lezha dhe Agaçi

Reperi Gashi mbështet protestat për Zvërnecin: Fëmijët tanë nuk janë mysafir në tokën e tyre

Këngëtarja Bebe Rexha vlerësohet me cmimin “Female Icon Award 2026”

Banorët dhe pushuesit përballen me fenomenin e pazakontë në Ksamil

"Ktheni ligjin për investimet strategjike" Bozdo në Kuvend: Betonizuat bregdetin e jugut...

Përplasje e ashpër mes Strazimirit e Muçit: Të rinjtë po protestojnë kundër jush, mbani përgjegjësi

"Marksist-leninist i vogël'! Përplasje e ashpër mes Strazimirit e Muçit:

Ngjarja e rëndë në Maliq/ Autori transportohet drejt Tiranës, familjarët: Çfarë i bëre?!

Berisha: Xhelati Rama u vë protestuesve paqësorë, topat e ujit që gjuajtën edhe foshnjën në karrocë

Berisha-Piro Vengut: Dezertove nga ushtria dhe mashtrove se je pasardhës i Marko Boçarit

Fshihej në një zonë të pyllëzuar, ja vendi ku u gjet autori i ngjarjes në Maliq

"Rama do organizojnë antimiting në Vlorë", Balla i përgjigjet Berishës: Kemi festën e PS!

Bido i kthehet opozitës: Ku ishit ju më 30 maj që nuk folët për Zvërvecin?

“Keni paralajmëruar anti-miting në Vlorë”, Berisha thirrje Ramës: Anuloje, është praktikë fashiste

Deputeti i “Lëvizjes Bashkë”: Rendi i ditës së sotme është kërkesa për dorëheqjen e qeverisë

U plagos në operacionin për kapjen e një personi në kërkim, mbërrin te Trauma polici

Vrasja e efektivit të Policisë në Korçë, Kuvendi nis me një minutë heshtje

Vrau një efektiv dhe plagosi një tjetër, mbërrin në spital autori

Reshjet përmbytin rrugët e Shëngjinit, vështirësi në qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve

Qytetarët nisen sërish drejt kryeministrisë, me flamurin kuq e zi dhe brohorima vazhdojnë protestën

Protestuesit marshojnë drejt zonës së Bllokut, qytetarët e tjerë nuk iu bashkohen #dosja #protesta

Protesta nuk ka të ndalur, qyetarët bllokojnë rrugën te Ura e Tajvanit, thirrje në kor policëve

Nga Sheshi tek Banka, qytetarët bllokojnë rrugën: Edi Rama ka mbaru

Qytetarët nuk ndalen në protestë/ Bllokojnë rrugën te selia e PS-së, ulen në gjunjë

Vazhdon protesta për Zvërnëcin/ Protestuesit ngren nga kafet qytetarët te Opera

E mbuluar me flamurin kuq e zi, e reja shfaqet me foshnjën në krah gjatë protestës

"Edi Rama jep dorëheqjen/E reja nga protesta:Ka ardhur koha të shkosh me Berishën te Veliaj dhe Meta

Qytetarët protestë në Vlorë për Zvërnecin, me pankarta në duar marshojnë drejt Sheshit të Flamurit

Dy orë protestë, bulevardi plot qytetarë ndriçohet nga blicat e telefonave: Jep dorëheqje