LIVE UPDATES
Politike

BIRN: Krimi i organizuar, "partia e padukshme" e zgjedhjeve në Durrës

Në fushëbetejën e Durrësit, ku përfshirja e krimit të organizuar ka njollosur dy zgjedhjet e kaluara, historia rrezikon të përsëritet në një formë më të kamufluar.

8 Maj 2025, 09:47 Nga Aleksandra Bogdani
BIRN: Krimi i organizuar, "partia e padukshme" e zgjedhjeve në
foto ilustruese

DURRËS- Në zyrën elektorale të Partisë Socialiste, dikur lokal bastesh sportive në katin e dytë të një servisi makinash në Rrashbull të Durrësit, një grup mbështetësish po bëjnë llogaritë e fundit mesditën e së shtunës – një javë para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.

Origjina e tyre përfaqëson përbërjen sociale të periferisë: koordinatori i PS për zonën e ka prejardhjen nga Peja e Kosovës, dy miqtë e tij nga Devolli dhe një burrë i katërt jeton mes Italisë dhe Shqipërisë. Tre prej tyre kanë qenë më herët demokratë, ndërsa i katërti thotë se në Itali mbështet të djathtën e ashpër të Melonit.

“Këtu nuk hynte fare PS-ja deri para 10-15 vitesh, tani dalim jek e jek,” thotë koordinatori i Partisë Socialiste për zonën, Sokol Popoçi, një kameleon politik lokal.

Burrë i bëshëm dhe gjaknxehtë, Popoçi, inxhinier mekanik në profesion, ka qenë deri në vitin 2017 pjesë e makinerisë elektorale të Partisë Demokratike në zonën e Rrashbullit, por ndërroi krah dhe u bë nëpunës hekurudhash, pasi siç thotë ai për demokratët: “na larguan, nuk na përfillën fare”.

Këto zgjedhje, Popoçi thotë se u angazhua në fushatë nga Vangjush Dako, ish-kryebashkiaku në “arrest shtëpie” i Durrësit, i dënuar me dy vjet e tetë muaj burg për “shpërdorim detyre”. Në zyrën elektorale të Rrashbullit, Dakon e mburrin si ‘gjigandi’ dhe historia penale e tij zhvlerësohet me një të rënë të lapsit.

“Shkova takova Vangjushin te lokali, më tha angazhohu cikë,” tregon Popoçi, duke provokuar batuta dhe të qeshura për mënyrën se si Dako po e kalon “arrestin shtëpiak”. “E kam takuar para 3 muajsh,” korrektoi më pas ai duke kafshuar gjuhën.

Burri nga Devolli, edhe ai një ish-demokrat, thotë se e nisi votën me postë nga Holanda ku jeton dhe punon prej shumë vitesh, përpara se të kthehej përkohësisht në Shqipëri.

“Mes dy alternativave, ky është më i mirë,” thotë ai me kokën e kthyer nga posteri i Ramës, gjithsesi me një dozë kritike për qeverisjen e tij.

Zona e Rrashbullit gjendet në skajin jugor të një meridiani imagjinar, paralel me vijën bregdetare, që fillon me Katundin e Ri në veri dhe vazhdon me Sukthin, Xhafzotajn, Shijakun, Gjepalajn dhe Romanatin. Është një Durrës tjetër nga ai i fasadave të qendrës turistike, me rrugë të pluhurosura dhe ndërtime larushane, me komunitete të përziera nga veriu dhe jugu që u vendosën aty në fillim të viteve ’90 e që ende qajnë së bashku hallin e përjetshëm të tapive të shtëpive. Për shumë prej tyre, ëndrra për një jetë më të mirë në Durrës u mbivendos me shpresën për ta gjetur atë në emigrim.

Në këtë realitet gri kanë ngulur rrënjë disa nga grupet më të fuqishme kriminale të vendit, të cilat kontrollojnë rrugët ndërkombëtare të trafikut të kokainës dhe burimet kryesore të qytetit nga periferia. Me aq sa është dokumentuar të paktën prej një dekade, krimi i organizuar e ka zgjeruar kontrollin edhe mbi humorin e luhatshëm të votuesve.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, një dosje hetimore e njohur si 339 nxorri mbi sipërfaqe përfshirjen e grupit të Astrit Avdylajt, sot i dënuar për trafik droge dhe i dyshuar për rekrutim të vrasësve me pagesë, si pjesë e makinerisë elektorale të ish-kryebashkiakut Dako në favor të Partisë Socialiste. Përgjimet sugjeruan se Avdylaj propozoi gjithashtu Ilir Ndraxhin për deputet, duke premtuar një rezultat që do të habiste edhe vetë Ramën. Ndraxhi është ndër të paktët që mbijetoi në listën e kandidatëve për Durrësin në këto zgjedhje dhe  i ka mohuar disa herë akuzat për lidhje me krimin.

Në zgjedhjet e vitit 2021, socialistët e thelluan rezultatin e vitit 2017 në qarkun e Durrësit, duke marrë 50.3% të votave. Por arrestimi i deputetit socialist, Jurgis Çyrbja në tetor të vitit të kaluar i njollosi sërish zgjedhjet, pasi komunikimet përmes SKY ECC zbuluan se një konglomerat fijesh të krimit të organizuar, përfshirë edhe Altin Hajrin me bazë në Xhafzotaj, u bënë bashkë për ta vendosur emrin e tij të tretin në listën e deputetëve të sigurt. Ata u zotuan gjithashtu që të blinin rreth 4 mijë vota për Çyrbjen në Shijak, Gjepalaj dhe Xhafzotaj. Çyrbja akuzohet se ua ktheu nderin me “informacione sekrete”, duke u bërë mburojë ndaj operacioneve policore kundër tyre.

“Votat nuk blihen me para; mblidhen me miq, shokë dhe nëpër biznese,” na tha një burrë rreth të 50-ave nga qarku i Elbasanit, familjar me makineri të tilla, i cili ndodhej rastësisht në Durrës për një drekë me miq. “Po, shtrojmë për të ngrënë e për të pirë gjatë gjithë muajit,” shtoi ai, duke theksuar se çmimi i votës ‘për më të këputurit” ishte rritur gjithsesi në 200-300 euro.

Krimi, nga jashtë brenda 

Roli i krimit të organizuar në këto zgjedhje në Durrës është ende i padokumentuar, ndërsa me përjashtime të vogla nga të dy krahët, listat e kandidatëve për deputetë duken së jashtmi të qëruara. Por aktorë lokalë të të dy kampeve pranuan nën zë se historia po përsëritet në mënyrë të kamufluar dhe se klane të ndryshme po mbështesin “kandidatët e tyre” që garojnë në listat e hapura.

“Krimi po vepron nga jashtë brenda, nuk është më i dukshëm,” thotë një aktivist i Partisë Demokratike në qendër të Sukthit, rreth 13 kilometra larg qendrës së Durrësit, duke nënkuptuar se disa prej kapobandave janë aktualisht në arrati për shkak të goditjeve nga SPAK.

E shtuna është ditë pazari në Sukth dhe në tregun e zhurmshëm agro-ushqimor, fidanët e specave shiten për 150 lekë të vjetra copa përkrah një tufe të trembur kecash. Zona njihet si një ndër ish-ndërmarrjet e para dhe të pasura të Shqipërisë së varfër komuniste dhe vazhdon ta ruajë karakterin e vet bujqësor.

Larg rrëmujës së pazarit, në një rrugë të shkretë që të çon nga qendra e Sukthit drejt fshatit Rrushkull, drejtori i një shkolle 9-vjeçare kujton se gjatë komunizmit, një punëtor ferme paguhej më shumë sesa një mësues në këtë zonë dhe gati 10-fishin e punëtorëve të ngjashëm në ish-kooperativat e tjera të vendit. Pas viteve ’90, ferma u shkatërrua, vendasit emigruan drejt Italisë dhe zona u popullua më së shumti nga dibranët, që gjithashtu po largohen.

Vetë drejtori është me origjinë nga Dibra dhe thotë se nga 730 nxënës kanë mbetur 200 e ca, të gjithë të ardhur. Bashkë me dy mësues të tjerë në tavolinë, ata po presin me nga një birrë “Corona” përpara që i zoti i lokalit, gjithashtu mësues, t’u shtrojë drekën.

Ky i fundit ulet për pak minuta në tavolinë dhe rreshton një sërë problemesh të arsimit, duke veçuar shkëputjen e prindërve nga fëmijët.

“Baballarët janë në emigracion, nënat në fasoneri,” tha ai me keqardhje, duke theksuar se e vetmja lidhje e fëmijëve ishte celulari. Mësuesit shprehen të lehtësuar që këtë vit nuk i kanë ngacmuar për fushatë.

Gjithsesi, marka më e famshme e Sukthit të ditëve të sotme duket të jetë Rrumi – një i fortë i zonës i shpallur në kërkim pasi u dënua me 10 muaj burg për korrupsion, i njohur gjithashtu si Pëllumb Muharremi apo Aleksandër Laho.

Në nëntor të vitit 2019, Rrumi u sulmua në një atentat ndërsa udhëtonte në të njëjtën makinë me Arian Ndojën, ish-prokurori i Durrësit i shkarkuar më pas nga shkalla e parë e vetingut për “lidhje me krimin”. Ndoja është sot kandidat i Partisë Demokratike për qarkun e Durrësit dhe një javë para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, një makinë me posterin e tij elektoral ishte parkuar përballë tregut agro-ushqimor në Sukth; pronë e familjarëve të Rrumit.

“Të fortët nuk e ndryshojnë dot vullnetin e votës po nuk qenë pjesë e makinerisë së pushtet,” relativizon Osman Stafa, kryetar i Partisë Demokratike për degën Durrësi 2, që mbulon njësitë administrative të Sukthit, Manzës, Rrashbullit, Katundit të Ri dhe Ishmit.

Stafa ankohet se influenca e pushtetit në këto zgjedhje është e madhe dhe mjafton sipas tij që të ndjekësh një takim elektoral për ta dalluar. Ai përshkroi një takim të Partisë Socialiste në zonë, ku tha se merrnin pjesë punonjës të administratës, të policisë bashkiake dhe Policisë së Shtetit. Stafa ankohet gjithashtu për lulëzimin e ndërtimeve pa leje në të gjithë zonën përpara zgjedhjeve. Por ai beson se manovra të tilla nuk do të ketë ndikim këtë herë, ndërsa vendos bast për një rezultat 8 me 6 në favor të PD-së në Durrës.

Manjola Luku, vajzë Maminasi dhe e treta në listën e kandidatëve të Partisë Demokratike për qarkun e Durrësit shpërfaq një entuziazëm më të përmbajtur. Luku thotë se fryma është dukshme në krahasim me vitin 2021, por është e shqetësuar për presionin që ushtrohet mbi njerëzit dhe informacionet e ditëve të fundit.

“Kemi informacione nga mbështetësit tanë se javën e fundit po blejnë vota, por s’kemi fakte,” tha ajo, ndërsa shtoi se pjesë e këtyre informacioneve janë edhe dyshimet për lëvizjen e makinave natën.

Për të ilustruar presionin mbi votuesit, Luku hap telefonin celular dhe na tregon disa mesazhe të shkëmbyera me njërën nga mbështetëset e saj, e cila pas një takimi të zhvilluar së bashku, i kërkonte që të hiqte fotot nga Facebooku se i kishin hapur probleme.

Përgjigjes së Lukut që të votonin kë t’u donte zemra, ajo i përgjigjej: “Votën ua kemi dhënë dhe do t’ua japim juve”.

I paparashikueshëm?

“Nuk kuptohet asgjë, [Durrësi] është i paparashikueshëm,” na thotë Artan Kacani, pedagog, urbanist dhe kandidat i “Lëvizjes Bashkë” në kafenenë poshtë hotelit më të ri me pesë yje të qytetit, Crown Plaza, i cili thuajse ka përfunduar pavarësisht burimeve të dyshimta të financimit.

Kacani thotë se Lëvizja që ai përfaqëson ka “aleatë të heshtur” në Durrës, përfshirë edhe një pjesë të 160 anëtarëve të saj, të cilët hezitojnë të ekspozohen publikisht.

Për të shpjeguar arsyen e frikës, Kacani përdor metaforën e rrugaçit të lagjes, i cili nuk përdor vetëm forcën e tij, por mban edhe një qen për ta ndërsyer. Si rrjedhojë, ‘fëmijët rrinë të mbyllur brenda shtëpisë’.

Pavarësisht gjendjes që përshkruan, Kacani beson se aktivizmi i tij mund ta bëjë ndryshimin dhe nëse zgjidhet, do të jetë një zë i fortë në Parlament. I pyetur për situatën me krimin e organizuar, Kacani përgjigjet se burimet e financimit të fushatës janë një problem edhe më i madh. “Durrësi është një lavatriçe e madhe, por tokë e askujt,” thotë ai.

Edhe Joni Myshketa, anëtar i Këshillit Bashkiak dhe kandidat i Koalicionit Euroatlantik e konsideron krimin e organizuar një problem madhor për qytetin e Durrësit, sipas tij në ortakëri me pushtetin vendor.

“Pushteti lokal kalon nga njëra dorë në tjetrën dhe mbetet prapë në dorën e tyre,” thotë ai.

Pinjoll i një dere me emër në Durrës, Myshketa po bën një fushatë të thjeshtë me takime direkte me qytetarët dhe shpërndarje fletushkash me ndihmën e bashkëshortes dhe miqve, që siç thotë ai, e ka bazuar te vlerat e tij, të familjes si dhe te aktiviteti i deritanishëm në Këshill Bashkiak.

Por gara sipas tij është larg të qenit e barabartë, ndërsa tregon se si kandidat i një partie të vogël i duhet të punojë 4-fish dhe të sigurojë vetë gjithçka, përfshirë edhe vëzhguesit për procesin e numërimit. Gjatë bisedës, Myshketa bëri disa telefonata me vëzhgues potencialë.

Ndërsa dielli po perëndonte pasditen e së shtunës, sheshi “Liria” u mbush me karrige dhe një podium me logot e koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” u instalua në këmbët e teatrit “Aleksandër Moisiu”. Sheshi u mbush dalëngadalë për miting, ndërkohë që nga altoparlantët buçojnë tingujt apokaliptikë të këngës Radioactive të  grupitx“Imagine Dragons”./Reporter.al

zgjedhjet e 11 majit birn zgjedhjet ne durres

Sondazh

Poll

"Kush s'kërcen nuk është shqiptar o hej"/ PAMJE me dron nga protesta madhështore për Zvërnecin

"Kush s'kërcen nuk është shqiptar o hej"/ PAMJE me dron nga protesta madhështore për Zvërnecin

Thirrja e qytetarit të Rrjollit: Hajde rini, merre situatën në dorë dhe drejto vendin

Me flamuj dhe pankarta në duar, qytetarët e Durrësit sërish protestë për projektin në Zvërnec

Tentoi të futej në Kryeministri, protestuesja bën simbolin e shqiponjës

"Ne i duam parqet, lodrat, natyrën"/ Vogëlushi në protestë thirrje: Mbrojini për ne!

Protesta kundër projektit në Zvërnec/ Brohoret turma: Edi Rama o tradhtar, duhet lidhur me litar

Protesta për Zvërnecin, qytetarë mbajnë 1 minutë heshtje për efektivin e vrarë në krye të detyrës

"Ruani qetësinë, Ramën ta zhdukim me të mirë"/ Tensione në protestën kundër projektit në Zvërnec

PAMJE nga protesta madhështore kundër projektit në Zvërnec/ Oshëtin bulevardi: O pallosh o zagar

Mijëra protestues në shesh thirrje ndaj kryeministrit Rama: Duam dorëheqje

Protesta për Zvërnecin, babai i Martin Canit i bashkohet protestuesve në shesh

Mijëra qytetarë në Bulevard/ Thirrje kundër Ramës dhe Berishës: U ka ardhur fundi, në burg

Balla nga Kuvendi: Greqia u ka borxh shqiptarëve marrëveshjen për pensionet

Dita e 5-të e protestës për Zvërnecin/ Nis marshimi drejt bulevardit: Revolucion

Balla ‘thumbon’ Berishën: U trembe nga protestuesit që erdhën te selia e PD-së dhe ndryshove qëndrim

"Na keni ça k***"/ Noizy shpërthen keq ndaj protestuesve: Nuk po e shet njeri Shqipërinë!

'Zvërneci'/ Berisha: Ju jeni mafie si në Beograd. Të gjitha dokumentet ju i shumëzoni me zero

Berisha: Pse e fshihni kreun e Meduzës. Tokat në Zvërnec i ka rrëmbyer Pjerini nga Lezha dhe Agaçi

Reperi Gashi mbështet protestat për Zvërnecin: Fëmijët tanë nuk janë mysafir në tokën e tyre

Këngëtarja Bebe Rexha vlerësohet me cmimin “Female Icon Award 2026”

Banorët dhe pushuesit përballen me fenomenin e pazakontë në Ksamil

"Ktheni ligjin për investimet strategjike" Bozdo në Kuvend: Betonizuat bregdetin e jugut...

Përplasje e ashpër mes Strazimirit e Muçit: Të rinjtë po protestojnë kundër jush, mbani përgjegjësi

"Marksist-leninist i vogël'! Përplasje e ashpër mes Strazimirit e Muçit:

Ngjarja e rëndë në Maliq/ Autori transportohet drejt Tiranës, familjarët: Çfarë i bëre?!

Berisha: Xhelati Rama u vë protestuesve paqësorë, topat e ujit që gjuajtën edhe foshnjën në karrocë

Berisha-Piro Vengut: Dezertove nga ushtria dhe mashtrove se je pasardhës i Marko Boçarit

Fshihej në një zonë të pyllëzuar, ja vendi ku u gjet autori i ngjarjes në Maliq

"Rama do organizojnë antimiting në Vlorë", Balla i përgjigjet Berishës: Kemi festën e PS!

Bido i kthehet opozitës: Ku ishit ju më 30 maj që nuk folët për Zvërvecin?

“Keni paralajmëruar anti-miting në Vlorë”, Berisha thirrje Ramës: Anuloje, është praktikë fashiste

Deputeti i “Lëvizjes Bashkë”: Rendi i ditës së sotme është kërkesa për dorëheqjen e qeverisë

U plagos në operacionin për kapjen e një personi në kërkim, mbërrin te Trauma polici

Vrasja e efektivit të Policisë në Korçë, Kuvendi nis me një minutë heshtje

Vrau një efektiv dhe plagosi një tjetër, mbërrin në spital autori

Reshjet përmbytin rrugët e Shëngjinit, vështirësi në qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve

Qytetarët nisen sërish drejt kryeministrisë, me flamurin kuq e zi dhe brohorima vazhdojnë protestën

Protestuesit marshojnë drejt zonës së Bllokut, qytetarët e tjerë nuk iu bashkohen #dosja #protesta

Protesta nuk ka të ndalur, qyetarët bllokojnë rrugën te Ura e Tajvanit, thirrje në kor policëve

Nga Sheshi tek Banka, qytetarët bllokojnë rrugën: Edi Rama ka mbaru

Qytetarët nuk ndalen në protestë/ Bllokojnë rrugën te selia e PS-së, ulen në gjunjë

Vazhdon protesta për Zvërnëcin/ Protestuesit ngren nga kafet qytetarët te Opera

E mbuluar me flamurin kuq e zi, e reja shfaqet me foshnjën në krah gjatë protestës

"Edi Rama jep dorëheqjen/E reja nga protesta:Ka ardhur koha të shkosh me Berishën te Veliaj dhe Meta

Qytetarët protestë në Vlorë për Zvërnecin, me pankarta në duar marshojnë drejt Sheshit të Flamurit

Dy orë protestë, bulevardi plot qytetarë ndriçohet nga blicat e telefonave: Jep dorëheqje

"Studentët të ndërrojnë qeverinë"/ I riu thirrje të forta nga protesta: Mos u largoni nga Shqipëria

Protestuesit nuk i tremb as shiu, thirrje të forta nga Kryeministria: Revolucion!

“I preve në besë banorët e Rrjollit dhe Thethit”/ Protestuesi thirrje Ramës: Malet i nxore në shitje

PAMJE PREKËSE/ Vogëlushja mes lotësh mesazh Ramës: Pelikanin kaçurrel do ta sjellim në Surrel