U nda sot nga jeta/ Në Kishën e Shën Theodhorit mbahet meshë për Kryepeshkopin Anastas Janullato, At Ilia Qirjo: Do mbe...
Editorial
Pse 10 vitet e fundit të jetës amerikane kanë qenë veçanërisht idiotë
4 Maj 2022, 07:32Nga DOSJA
Nga Xhonatan Heid
Si do të kishte qenë të jetoje në Babel në ditët pas shkatërrimit të tij? Në Librin e Gjenezës na thuhet që pasardhësit e Noas ndërtuan një qytet të madh në tokat e Shinarit. Ata ndërtuan një kullë “me majën në qiell” për të lartësuar “emrin e tyre”. Zoti u fye nga mendjemadhësia e njerëzimit dhe tha: “Shiko, ata janë një popull dhe kanë të gjithë një gjuhë dhe ky është vetëm fillimi i asaj çfarë do bëjnë; asgjë që do të mendojnë të bëjnë nuk do të jetë e pamundur për ta. Eja, le të shkojmë poshtë dhe të ngatërrojmë gjuhën e tyre, në mënyrë që të mos kuptojnë fjalët e njëri-tjetrit”.
Teksti nuk e thotë që Zoti e shkatërroi kullën, por në shumë versione popullore të historisë, ai e bën këtë, prandaj le ta mbajmë këtë imazh dramatik në mëndjet tona: njerëzit që vërtiten mes rrënojave, të paaftë të komunikojnë, të dënuar me moskuptim reciprok.
Historia e Babelit është metafora më e mirë për atë që ka ndodhur në Amerikë në vitet 2010 dhe për vendin e thyer, në të cilin jetojmë. Jemi të çorientuar, të paaftë të flasim të njëjtën gjuhë apo të njohim të njëjtën të vërtetë. Jemi të ndarë nga njëri- tjetri dhe nga e shkuara.
Ka qenë e qartë prej disa kohësh se Amerika e kuqe dhe Amerika blu janë duke u bërë si dy vende të ndryshme që pretendojnë të njëjtin territor, me dy versione të ndryshme të Kushtetutës, ekonomisë dhe historisë së Amerikës. Por Babeli nuk është një histori tribale; është një histori e fragmentimit të gjithçkaje. Flet për thyerjen e çdo gjëje që dukej solide, shpërndarjen e njerëzve që kishin qenë komunitet. Është një metaforë e asaj që po ndodh jo vetëm mes të kuqes e blusë, por mes të majtës dhe mes të djathtës, si dhe mes universiteteve, kompanive, shoqatave profesionale, muzeumeve dhe, madje, familjeve.
Babeli është një metaforë e asaj që forma të caktuara të medias sociale u kanë bërë pothuajse të gjithë grupeve dhe institucioneve më të rëndësishme për të ardhem e vendit – dhe të gjithë ne njerëzve. Si ndodhi kjo? Dhe çfarë parathotë për jetën amerikane?
Ngritja e kullës moderne
Historia ecën në një drejtim dhe ky është drejt bashkëpunimit në shkallë më të gjerë. E shohim këtë prirje në evolucionin biologjik, në serinë e “tranzicioneve të mëdha”, gjatë të cilëve u shfaqën organizmat multiqelizore dhe pastaj zhvilluan marrëdhënie të reja simbiotike. E shohim edhe në evolucionin kulturor, siç shpjegoi Rober Rait (Robert Wright) në librin e tij “Jo-zero: Logjika e fatit njerëzor” (1999). Rait tregoi se historia përfshin një seri tranzicionesh, të nxitura nga rritja e dendësisë së popullsisë plus teknologjitë e reja (shkrimi, rrugët, shtypi i shkruar) që krijuan mundësi të reja për tregti dhe mësim me përfitim reciprok. Konfliktet me shumën zero – të tilla si luftërat fetare që filluan kur shtypi i shkruar përhapi ide heretike në të gjithë Evropën – u konsideruan më shumë si pengesa të përkohshme dhe, ndonjëherë, edhe pjesë integrale e përparimit. (Këto luftëra fetare, argumentoi ai, bënë të mundur tranzicionin drejt shteteve-kombe moderne me qytetarë më të informuar.) Presidenti Bill Klinton e lavdëroi portretizimin optimist të Jo-zero për një të ardhme më bashkëpunuese falë përparimit të vazhdueshëm teknologjik.
Interneti i hershëm i viteve 1990, me dhomat e tij të çatit, tabelat e mesazheve dhe emailin, ilustron tezën Jo-zero, siç bën edhe vala e parë e platformave të mediave sociale, e cila filloi rreth vitit 2003. Myspace, Friendster dhe Facebook e bënë të lehtë lidhjen me miq dhe të panjohur për të folur për interesa të përbashkëta, falas dhe në një shkallë të paimagjinueshme më parë. Deri në vitin 2008, Facebook ishte shfaqur si platforma dominuese, me më shumë se 100 milionë përdorues mujorë, në rrugën e saj drejt afërsisht 3 miliardë që numëron sot. Në dekadën e parë të shekullit të ri, besohej gjerësisht se mediat sociale ishin një ndihmesë për demokracinë. Cili diktator mund t’ua imponojë vullnetin e tij qytetarëve kaq të lidhur me njëri-tjetrin? Cili regjim mund të ndërtojë një mur për të mbajtur jashtë internetin?
Pika më e lartë e optimizmit tekno-demokratik ishte ndoshta viti 2011, një vit që filloi me Pranverën Arabe dhe përfundoi me lëvizjen globale “Occupy”. Në këtë kohë Google Translate u bë i disponueshëm në pothuajse të gjithë telefonat inteligjentë, kështu që mund të thuash se viti 2011 ishte viti kur njerëzimi rindërtoi Kullën e Babelit. Ne ishim më afër se kurrë më parë të qenit “një popull” dhe, në mënyrë efektive, kishim kapërcyer mallkimin e ndarjes sipas gjuhës. Për optimistët tekno-demokratë, dukej se ishte vetëm fillimi i asaj që njerëzimi mund të bënte.
Në shkurt të vitit 2012, ndërsa përgatitej të bënte Facebook-un kompani publike, Mark Xukerberg (Mark Zuckerberg) reflektoi mbi ato momente të jashtëzakonshme dhe parashtroi planet e tij. “Sot, shoqëria jonë ka arritur një tjetër pikë kthese”, shkroi ai në një letër drejtuar investitorëve. Facebook shpresonte “të riorganizonte mënyrën se si njerëzit përhapin dhe konsumojnë informacionin”. Duke u dhënë atyre “fuqinë për të ndarë”, do t’i ndihmonte ata të “transformonin edhe një herë shumë nga institucionet dhe industritë tona kryesore”.
Në 10 vitet që kanë kaluar nga ajo kohë, Xukerberg bëri pikërisht atë që tha se do të bënte. Ai e riorganizoi mënyrën se si ne përhapim dhe konsumojmë informacionin; ai transformoi institucionet tona dhe na shtyu ta kapërcejmë pikën e kthesës. Por e gjithë kjo nuk ka funksionuar siç ai priste.
Gjërat shkatërrohen
Historikisht, qytetërimet janë mbështetur në gjakun, perënditë dhe armiqtë e përbashkët për të balancuar tendencën për t’u ndarë ndërsa rriten. Por çfarë është ajo që mban së bashku demokraci të mëdha dhe të ndryshme laike si Shtetet e Bashkuara dhe India apo Britania dhe Franca moderne?
Shkencëtarët socialë kanë identifikuar të paktën tre forca kryesore që, së bashku, bashkojnë demokracitë e suksesshme: kapitali social (rrjete të gjera sociale me nivele të larta besimi), institucione të forta dhe histori të përbashkëta. Mediat sociale i kanë dobësuar të treja. Për të parë se si, ne duhet të kuptojmë se si ndryshuan mediat sociale me kalimin e kohës, veçanërisht në disa nga vitet që pasuan 2009.
Në versionet e tyre të hershme, platforma të tilla si Myspace dhe Facebook ishin relativisht të padëmshme. Ato u lejuan përdoruesve të krijonin faqe në të cilat postonin foto, përditësime familjare dhe lidhje me faqe të miqve të tyre dhe grupeve të preferuara, që ishin kryesisht statike. Në këtë mënyrë, mediat e hershme sociale mund të shihen si vetëm një hap tjetër në përparimin e gjatë të përmirësimeve teknologjike – nga Shërbimi Postar e telefoni tek emaili dhe mesazhet – që i ndihmuan njerëzit të arrijnë qëllimin e përjetshëm të ruajtjes së lidhjeve të tyre sociale.
Por, gradualisht, përdoruesit e mediave sociale filluan të ndjeheshin më rehat me ndarjen e detajeve intime të jetës së tyre me të huajt dhe korporatat. Siç shkrova në një artikull për “The Atlantic” në vitin 2019 me Tobias Roz-Stokuell (Tobias Rose-Stockwell), ata u bënë më të aftë për të krijuar performanca dhe për të menaxhuar markën e tyre personale – aktivitete që mund t’u bëjnë përshtypje të tjerëve, por që nuk i thellojnë miqësitë ashtu siç bën një bisedë telefonike private.
Pasi platformat e mediave sociale i trajnuan përdoruesit për të shpenzuar më shumë kohë duke performuar dhe më pak kohë duke u lidhur me njëri-tjetrin, u krijua skenografia për transformimin e madh, i cili filloi në vitin 2009: intensifikimi i dinamikës virale.
Përpara vitit 2009, Facebook u kishte dhënë përdoruesve një renditje kohore të thjeshtë – një rrjedhë e pafund postimesh, e krijuar nga miqtë dhe lidhjet e tyre, me postimet më të reja në krye dhe më të vjetrat në fund. Renditja ishte shpesh e madhe për nga vëllimi, por ishte një pasqyrim i saktë i asaj që të tjerët postonin. Kjo filloi të ndryshojë në vitin 2009, kur Facebook u ofroi përdoruesve një mënyrë për të “pëlqyer” publikisht postimet me klikimin e një butoni. Në të njëjtin vit, Twitter prezantoi diçka edhe më të fuqishme: butonin “Retweet”, i cili u lejonte përdoruesve të miratonin publikisht një postim, duke e ndarë atë me të gjithë ndjekësit e tyre. Facebook shpejt e kopjoi atë risi me butonin e tij “Share”, i cili u bë i disponueshëm për përdoruesit e smartfonëve në vitin 2012. Butonat “Like” dhe “Share” u bënë shpejt tipare standarde të shumicës së platformave të tjera.
Menjëherë pasi butoni i tij “Like” filloi të prodhonte të dhëna për atë që çka mbante më mirë të “angazhuar” përdoruesit e tij, Facebook zhvilloi algoritme për t’i sjellë secilit përdorues përmbajtjen që ka më shumë gjasa të gjenerojë një “pëlqim” ose ndonjë ndërveprim tjetër, duke përfshirë përfundimisht edhe “Share”. Studimet e mëvonshme treguan se postimet që nxisin emocione – veçanërisht zemërimin në grupe në të cilat nuk bëjmë pjesë – kanë më shumë gjasa të shpërndahen.
Në vitin 2013, rrjetet sociale ishin kthyer në një lojë të re, me dinamikë ndryshe nga ajo e vitit 2008. Nëse do të ishit i zoti apo me fat, mund të krijonit një postim që do të bëhej “viral” dhe do t’ju bënte “të famshëm në internet” për disa ditë. Nëse do të kishit gabuar, mund ta gjenit veten të varrosur nën komente plot urrejtje. Postimet tuaja arritën famë ose poshtërim bazuar në klikimet e mijëra të huajve dhe ju vetë, nga ana tjetër, keni kontribuar në lojë me mijëra klikime.
Kjo lojë e re inkurajoi pandershmërinë dhe dinamikën e turmës: përdoruesit udhëhiqeshin jo vetëm nga preferencat e tyre të vërteta, por edhe nga përvojat e tyre të kaluara të shpërblimit dhe ndëshkimit, si dhe nga parashikimi se si do të reagonin të tjerët ndaj çdo veprimi. Një nga inxhinierët e Twitter-it, i cili kishte punuar për butonin “Retweet”, më vonë zbuloi se i vinte keq për kontributin e tij sepse e kishte bërë Twitter-in një vend më të keq. Teksa shikonte se si formoheshin turmat në Twitter, përmes përdorimit të mjetit të ri, ai mendoi me vete: “Ne mund t’i kemi dorëzuar një 4 vjeçari një armë të mbushur”.
Edhe unë isha dëshmitar i këtyre ngjarjeve, si psikolog social që studion emocionet, moralin dhe politikën. Platformat, me ndryshimet që iu bënë rishtazi, ishin menduar pothuajse në mënyrë të përsosur për të nxjerrë në pah veten tonë më moraliste dhe më pak reflektuese. Sasia e zemërimit ishte tronditëse.
Pikërisht nga ky lloj përhapjeje tronditëse dhe shpërthyese zemërimi ishte përpjekur të na mbronte Xhejms Madison (James Madison) teksa po hartonte Kushtetutën e SHBA-së. Hartuesit e Kushtetutës ishin psikologë socialë të shkëlqyer. Ata e dinin se demokracia kishte një thembër të Akilit, sepse ajo varej nga gjykimi kolektiv i njerëzve dhe komunitetet demokratike i nënshtrohen “turbulencës dhe dobësisë së pasioneve të padisiplinuara”. Prandaj, çelësi për të krijuar një republikë të qëndrueshme ishte ndërtimi i mekanizmave për të ngadalësuar gjërat, për të qetësuar pasionet, për të kërkuar kompromis dhe për t’u dhënë liderëve njëfarë izolimi nga mania e momentit, duke i mbajtur ata ende përgjegjës para njerëzve në mënyrë periodike, në ditën e zgjedhjeve.
Kompanitë e teknologjisë që rritën viralitetin nga viti 2009 në 2012 na futën thellë në makthin e Madisonit. Shumë autorë citojnë komentet e tij tek “Federalisti nr. 10” mbi prirjen e lindur njerëzore drejt “fraksionit”, me të cilën ai nënkuptonte tendencën tonë për ta ndarë veten në ekipe ose parti që janë aq të ndezura nga “armiqësia e ndërsjellë” sa që janë “shumë më tepër të prirur të shqetësojnë dhe shtypin njëri-tjetrin sesa të bashkëpunojnë për të mirën e tyre të përbashkët”.
Por kjo ese vazhdon me një vërejtje më pak të cituar, por po aq të rëndësishme, mbi vulnerabilitetin e demokracisë nga e parëndësishmja. Madison vëren se njerëzit janë aq të prirur ndaj fraksionizmit sa “aty ku nuk paraqitet ndonjë shkak thelbësor, dallimet më të pavlera dhe të çuditshme kanë qenë të mjaftueshme për të ndezur pasionet e tyre armiqësore dhe për të nxitur konfliktet e tyre më të dhunshme”.
Mediat sociale kanë zmadhuar dhe armatosur joseriozen. A është demokracia jonë më e shëndetshme tani që kemi pasur grindje në Twitter për fustanin me shënimin “Taksoni të pasurit” që deputetja Aleksandria Okasio-Kortes veshi në Galanë Met apo fustanin e Melania Tramp në ceremoninë përkujtimore të 11 shtatorit, i cili kishte disa qepje që dukeshin si rrokaqiell? Po postimi në Twitter i senatorit Ted Kruz që kritikonte Big Bird për postimin në lidhje me vaksinën ndaj Kovidit?
Nuk është vetëm humbja e kohës dhe vëmendja e pakët ajo që ka rëndësi; është pakësimi i vazhdueshëm i besimit. Një autokraci mund të përdorë propagandë ose të përdorë frikën për të motivuar sjelljet që dëshiron, por një demokraci varet nga pranimi i gjerë dhe i internalizuar i legjitimitetit të rregullave, normave dhe institucioneve. Besimi i verbër dhe i pakthyeshëm në ndonjë individ apo organizatë të caktuar nuk është kurrë i garantuar. Por kur qytetarët humbasin besimin te drejtuesit e zgjedhur, autoritetet shëndetësore, gjykatat, policia, universitetet dhe integriteti i zgjedhjeve, atëherë çdo vendim bëhet i kontestuar; çdo zgjedhje bëhet një luftë për jetë a vdekje për të shpëtuar vendin duke qendruar në anën tjetër. Barometri më i fundit i Edelman Trust (një matës ndërkombëtar i besimit të qytetarëve tek qeveria, biznesi, media dhe organizatat joqeveritare) nxorri autokraci të qëndrueshme dhe kompetente (Kina dhe Emiratet e Bashkuara Arabe) në krye të listës, ndërsa demokracitë kontroverse, si Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Spanja dhe Koreja e Jugut u renditën afër fundit (megjithëse mbi Rusinë).
Studimet e fundit akademike sugjerojnë se media sociale e gërryen me të vërtetë besimin tek qeveritë, mediat, njerëzit dhe institucionet, në përgjithësi. Një dokument pune që përmban shqyrtimin më gjithëpërfshirës të studimeve, i udhëhequr nga shkencëtarët socialë Filip Lorenc-Sprin (Philip Lorenz-Spreen) dhe Lisa Osvald (Lisa Oswald), arrin në përfundimin se “shumica dërrmuese e lidhjeve të raportuara midis përdorimit të mediave digjiitale dhe besimit duket se janë të dëmshme për demokracinë”. Literatura është komplekse—disa studime tregojnë përfitime, veçanërisht në demokracitë më pak të zhvilluara—por shqyrtimi zbuloi se, në ekuilibër, media sociale amplifikon polarizimin politik, nxit populizmin, veçanërisht populizmin e krahut të djathtë, dhe shoqërohet me përhapjen e keqinformimeve.
Kur njerëzit humbasin besimin te institucionet, ata humbasin besimin në historitë e treguara nga ato institucione. Kjo është veçanërisht e vërtetë për institucionet, të cilave u është besuar edukimi i fëmijëve. Kurrikula e historisë shpesh ka shkaktuar polemika politike, por Facebook dhe Twitter bëjnë të mundur që prindërit të indinjohen çdo ditë për një fragment të ri nga mësimet e historisë së fëmijëve të tyre – apo nga mësimet e matematikës dhe përzgjedhjet e pjesëve në letërsi, apo çdo ndryshim i ri pedagogjik kudo në vend. Motivet e mësuesve dhe administratorëve vihen në pikëpyetje dhe, pas tyre, debatohen ligjet që mbivendosen apo reformat e kurrikulave, duke e mpirë arsimin dhe duke ulur më tej besimin tek ai. Një rezultat është se të rinjtë e arsimuar në epokën pas Babelit kanë më pak gjasa të kuptojnë një histori koherente për atë se kush jemi ne si popull dhe më pak gjasa të kuptojnë të njëjtën histori me persona që kanë ndjekur një shkollë të ndryshme prej tyre apo me persona që janë arsimuar në një tjetër dekadë.
Ish-analisti i CIA-s, Martin Guri (Martin Gurri), i parashikoi këto efekte thyese në librin e tij të vitit 2014, “Revolta e publikut”. Analiza e Gurit u fokusua në efektet shkatërruese ndaj autoritetit që ka rritja eksponenciale e informacionit, duke filluar nga përhapja e interneti në vitet 1990. Duke shkruar gati një dekadë më parë, Guri ishte në gjendje ta shihte fuqinë e mediave sociale si një tretës universal, që prishte lidhjet dhe dobësonte institucionet kudo që arrinte. Ai vuri në dukje se rrjetet e shpërndara “mund të protestojnë dhe përmbysin, por kurrë nuk mund të qeverisin”. Ai përshkroi nihilizmin e shumë lëvizjeve të protestës në vitin 2011 që u organizuan kryesisht në internet dhe që, si “Occupy Wall Street”, kërkonin shkatërrimin e institucioneve ekzistuese pa ofruar një vizion alternativ për të ardhmen ose një organizatë që mund ta realizonte atë.
Guri nuk është adhurues i elitave apo i autoritetit të centralizuar, por ai vë në dukje një veçori konstruktive të epokës paradigjitale: një “audiencë masive” dhe e vetme, ku të gjithë konsumojnë të njëjtën përmbajtje, sikur të gjithë të shikonin në të njëjtën pasqyrë gjigante reflektimin e shoqërisë së tyre. Në një koment për Vox që kujton diasporën e parë pas Babelit, ai tha:
“Revolucioni digjital e ka copëtuar atë pasqyrë dhe tani publiku banon në ato copa xhami të thyera. Pra, publiku nuk është një gjë; është shumë i fragmentuar dhe, në thelb, fragmentet janë reciprokisht armiqësore. Kryesisht, ata janë njerëz që i bërtasin njëri-tjetrit dhe jetojnë në flluska të një lloji apo të një tjetri”.
Mark Xukerberg mund të mos ketë dëshiruar asnjë nga këto. Por, duke riorganizuar gjithçka në një nxitim të pandërprerë për rritje – me një koncept naiv të psikologjisë njerëzore, me kuptim të pakët të ndërlikimit të institucioneve dhe pa shqetësim për kostot e jashtme që i imponohen shoqërisë – Facebook, Twitter, YouTube dhe disa platforma të tjera të mëdha, pa dashje, shkrinë llaçin e besimit mes njerëzve, besimit tek institucionet dhe historive të përbashkëta që kishin mbajtur së bashku një demokraci të madhe dhe të larmishme laike.
Mendoj se mund ta datojmë rënien e kullës në vitet ndërmjet 2011 (viti kryesor i protestave “nihiliste” të Gurit) dhe 2015, një vit i shënuar nga “zgjimi i madh” në të majtë dhe ngjitja e Donald Trampit (Donald Trump) në të djathtë. Tramp nuk e shkatërroi kullën; ai thjesht e shfrytëzoi rënien e saj. Ai ishte politikani i parë që zotëroi dinamikën e re të epokës post-Babel, në të cilën zemërimi është çelësi i viralitetit, performanca në skenë shtyp kompetencën, Twitter-i mund të mposhtë të gjitha gazetat në vend dhe historitë nuk mund të jenë të përbashkëta (ose të paktën të besohen) përveçse në mënyrë të fragmentuar, kështu që e vërteta nuk mund të arrijë përhapje të gjerë.
Shumë analistë, duke përfshirë edhe mua, të cilët kishin argumentuar se Tramp nuk mund të fitonte zgjedhjet e përgjithshme, po mbështeteshin në intuitat para Babel-iane, të cilat thoshin se skandalet si kaseta e Access Hollywood (në të cilën Tramp mburrej për kryerjen e sulmeve seksuale) janë fatale për një fushatë presidenciale. Por, pas Babelit, asgjë nuk do të thotë më asgjë – të paktën jo në një mënyrë që është e qëndrueshme dhe për të cilën njerëzit pajtohen gjerësisht.
Politika pas Babelit
“Politika është arti i së mundshmes”, tha burri gjerman i shtetit Oto von Bismark (Otto von Bismarck) në 1867. Në një demokraci pas Babelit, nuk ka shumë gjëra që janë të mundura.
Sigurisht, lufta kulturore amerikane dhe rënia e bashkëpunimit ndërpartiak i paraprinë ardhjes së mediave sociale. Mesi i shekullit të 20-të ishte një periudhë me polarizim jashtëzakonisht të ulët në Kongres, por ky filloi të kthehej në nivelet historike në vitet 1970 dhe 1980. Distanca ideologjike midis dy partive filloi të rritet më shpejt në vitet 1990. Fox News dhe “Revolucioni Republikan” i vitit 1994 e shndërruan GOP-në në një parti më luftarake. Për shembull, Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Njut Gingriç (Newt Gingrich) inkurajoi anëtarët e rinj republikanë të Kongresit që të mos i transferonin familjet e tyre në Uashington, ku ata kishin më shumë mundësi të krijonin lidhje shoqërore me demokratët dhe familjet e tyre.
Pra, marrëdhëniet ndërpartiake ishin tendosur tashmë përpara vitit 2009. Por viraliteti i shtuar i mediave sociale që pasoi e bëri më të rrezikshëm vëllazërimin me armikun apo edhe dështimin për të sulmuar armikun me energji të mjaftueshme. Në të djathtë, termi RINO (republikan vetëm në emër) u zëvendësua në vitin 2015 nga termi më përçmues “cuckservative”, i popullarizuar në Twitter nga mbështetësit e Trampit. Në të majtë, media sociale lançoi kulturën e demaskimit në vitet pas 2012, me efekte transformuese në jetën universitare dhe, më vonë, në politikë dhe kulturë në të gjithë botën anglishtfolëse.
Çfarë ndryshoi në vitet 2010? Le të rishikojmë metaforën e inxhinierit të Twitter-it për t’i dorëzuar një armë të mbushur një 4 vjeçari. Një Tweet negativ nuk vret askënd; është një përpjekje për të turpëruar ose dënuar dikë publikisht, ndërsa transmeton virtytin, shkëlqimin ose besnikërinë e atij që e shkruan. Është më shumë një shigjetë sesa një plumb dhe shkakton dhimbje, por jo vdekje. Megjithatë, nga viti 2009 deri në vitin 2012, Facebook dhe Twitter shpërndanë afërsisht 1 miliard harqe me shigjeta në mbarë botën. Ne kemi qëlluar njëri-tjetrin që atëherë.
Mediat sociale u kanë dhënë zë disa njerëzve që nuk kishin shumë zë më parë dhe e kanë bërë më të lehtë që t’u ngarkohet përgjegjësia për keqbërjet njerëzve të fuqishëm, jo vetëm në politikë, por në biznes, art, akademi dhe gjetkë. Ngacmuesit seksualë mund të ishin demaskuar në postime anonime në blogje përpara Twitter-it, por është e vështirë të imagjinohet që lëvizja #MeToo do të kishte qenë kaq e suksesshme pa viralitetin që ofrojnë platformat kryesore. Megjithatë, “përgjegjshmëria” e shtrembëruar e mediave sociale ka sjellë gjithashtu padrejtësi – dhe mosfunksionim politik – në tre mënyra.
Së pari, harqet me shigjeta të mediave sociale u japin më shumë fuqi trollëve dhe provokatorëve, ndërsa qytetarët e mirë heshtin. Studimi nga shkencëtarët politikë Aleksander Bor (Alexander Bor) dhe Majkëll Bang Petersen (Michael Bang Petersen) zbuloi se një nëngrup i vogël njerëzish në platformat e mediave sociale janë shumë të shqetësuar për fitimin e statusit dhe janë të gatshëm të përdorin agresionin për ta bërë këtë. Ata pranojnë se në diskutimet e tyre në internet shpesh shajnë, tallen me kundërshtarët e tyre dhe bllokohen nga përdorues të tjerë ose raportohen për komente të papërshtatshme. Në tetë studime, Bor dhe Petersen zbuluan se të qenit në internet nuk i bënte shumicën e njerëzve më agresivë ose armiqësorë; në fakt, lejonte një numër të vogël njerëzish agresivë të sulmonin një grup shumë më të madh viktimash. Bor dhe Petersen zbuluan se edhe një numër i vogël idiotësh ishin në gjendje të mbizotëronin forumet e diskutimit, sepse ata që s’janë idiotë largohen lehtësisht nga diskutimet politike në internet. Studime të tjera zbulojnë se gratë dhe njerëzit me ngjyrë ngacmohen në mënyrë disproporcionale, kështu që sheshi publik digjital është më pak mikpritës për zërat e tyre.
Së dyti, harqet me shigjeta të mediave sociale u japin më shumë fuqi dhe zë ekstremeve politike, ndërkohë që pakësojnë fuqinë dhe zërin e shumicës së moderuar. Studimi “Fiset e fshehura”, nga grupi pro-demokracisë “More in Common”, anketoi 8.000 amerikanë në 2017 dhe 2018 dhe identifikoi shtatë grupe që shfaqnin besime dhe sjellje të përbashkëta. Ai më në të djathtë, i njohur si “konservatorët e përkushtuar”, përbënte 6 për qind të popullsisë së SHBA. Grupi më i largët në të majtë, “aktivistët progresistë”, përbënte 8 për qind të popullsisë. Aktivistët progresistë ishin grupi më pjellor në mediat sociale: 70 për qind kishin shpërndarë përmbajtje politike gjatë vitit paraardhës. Pasonin konservatorët e devotshëm, me 56 për qind.
Këto dy grupe ekstreme janë të ngjashme në mënyra të habitshme. Ata janë më të bardhët dhe më të pasurit nga të shtatë grupet, gjë që sugjeron se Amerika po copëtohet nga një betejë midis dy nëngrupeve të elitës që nuk janë përfaqësuese të shoqërisë më të gjerë. Për më tepër, ata janë dy grupet që tregojnë homogjenitetin më të madh në qëndrimet e tyre morale dhe politike. Ky uniformitet i opinionit, spekulojnë autorët e studimit, ka të ngjarë të jetë rezultat i policimit të mendimit në mediat sociale: “Ata që shprehin simpati për pikëpamjet e grupeve kundërshtare mund të përjetojnë reagime nga grupi i tyre”. Me fjalë të tjera, ekstremistët politikë jo vetëm që gjuajnë me shigjeta kundër armiqve të tyre; ata shpenzojnë shumë nga municionet e tyre duke synuar disidentët ose personat brenda grupit të tyre që kanë mendime të moderuara. Në këtë mënyrë, media sociale i vendos një pengesë sistemit politik të bazuar në kompromis.
Më në fund, duke u dhënë të gjithëve nga një hark me shigjeta, media sociale u jep të gjithëve autoritetin të administrojnë drejtësi pa proces të rregullt. Platformat si Twitter kthehen në një Wild West, pa asnjë përgjegjësi për ata që hiqen si rojtarë. Një sulm i suksesshëm tërheq një breshëri pëlqimesh dhe sulmesh që pasojnë. Në këtë mënyrë, platformat virale lehtësojnë dënimet e shumta kolektive për vepra të vogla ose të imagjinuara, të cilat sjellin pasoja në botën reale, pasi njerëz të pafajshëm humbasin punën apo turpërohen deri sa të kryejnë vetëvrasje. Kur sheshi ynë publik udhëhiqet nga dinamika e turmave të pakufizuara nga procesi i rregullt ligjor, ne nuk marrim drejtësi dhe gjithëpërfshirje; përkundrazi, fitojmë një shoqëri që injoron kontekstin, proporcionalitetin, mëshirën dhe të vërtetën.
Idiotësia strukturore
Që kur ka rënë kulla, debatet e të gjitha llojeve janë bërë gjithnjë e më konfuze. Pengesa më e përhapur për të menduarit e mirë është paragjykimi i konfirmimit, i cili i referohet tendencës njerëzore për të kërkuar vetëm prova që konfirmojnë besimet tona të preferuara. Edhe para ardhjes së mediave sociale, motorët e kërkimit përforconin paragjykimin e konfirmimit, duke e bërë shumë më të lehtë për njerëzit të gjenin prova për besime absurde dhe teori konspirative, siç janë ato se Toka është e sheshtë apo se qeveria e SHBA-së organizoi sulmet e 11 shtatorit. Por mediat sociale i përkeqësuan gjërat shumë.
Kura më e besueshme për paragjykimin e konfirmimit është ndërveprimi me njerëz që nuk kanë të njëjtat bindje. Ata të përballin me kundërprova dhe kundërargumente. Xhon Stjuart Mill (John Stuart Mill) tha: “Ai që njeh vetëm anën e tij të çështjes, di shumë pak për të” dhe ai na nxiti të kërkojmë pikëpamje të kundërta “nga personat që në fakt i besojnë ato”. Njerëzit që mendojnë ndryshe dhe janë të gatshëm të flasin edhe nëse nuk pajtohen me ju, ju bëjnë më të zgjuar, pothuajse sikur të jenë zgjatime të trurit tuaj. Njerëzit që përpiqen të heshtin ose të frikësojnë kritikët e tyre e bëjnë veten më budallenj, pothuajse sikur të gjuanin trurin e tyre me shigjeta.
Në librin e tij “Kushtetuta e dijes”, Xhonatan Rauç (Jonathan Rauch) përshkruan përparimin historik, gjatë të cilit shoqëritë perëndimore zhvilluan një “sistem operativ epistemik” – domethënë një grup institucionesh për gjenerimin e njohurive nga ndërveprimet e individëve me paragjykime dhe jo perfektë nga ana konjitive. E drejta angleze zhvilloi sistemin kundërshtar, në mënyrë që avokatët e njëanshëm të kishin mundësinë t’i paraqesnin të dyja anët e çështjes para një jurie të paanshme. Gazetat plot gënjeshtra evoluan në sipërmarrje gazetareske profesionale, me norma që kërkonin kërkimin e shumë këndvështrimeve mbi çdo lajm dhe kjo pasohej nga rishikimi editorial dhe verifikimi i fakteve. Universitetet evoluan nga institucione mesjetare të mbyllura në qendra të fuqishme kërkimore, duke krijuar një strukturë në të cilën studiuesit parashtrojnë pretendime të mbështetura nga prova duke qenë të ndërgjegjshëm se studiues të tjerë në mbarë botën do të motivohen për të fituar prestigj duke gjetur prova për të kundërtën.
Një pjesë e madhështisë së Amerikës në shekullin e 20-të erdhi nga zhvillimi i rrjetit më të aftë, më të gjallë dhe produktiv të institucioneve prodhuese të njohurive në të gjithë historinë njerëzore, duke lidhur së bashku universitetet më të mira në botë, kompanitë private që i kthyen përparimet shkencore në produkte konsumi që ndryshuan jetën dhe agjencitë qeveritare që mbështetën kërkimin shkencor dhe udhëhoqën bashkëpunimin që i çoi njerëzit deri në Hënë.
Por kjo marrëveshje, vëren Rauç, “nuk është diçka që mban vetveten: ajo mbështetet në një sërë mjedisesh dhe kuptimesh sociale, ndonjëherë delikate, të cilat duhet të kuptohen, afirmohen dhe mbrohen”. Pra, çfarë ndodh kur një institucion nuk mirëmbahet dhe mosmarrëveshjet e brendshme pushojnë, sepse njerëzit e tij janë bërë të njëtrajtshëm ideologjikisht ose sepse kanë frikë të kundërshtojnë?
Kjo, besoj, është ajo që ndodhi me shumë prej institucioneve kyçe të Amerikës nga mesi deri në fund të viteve 2010. Ata u bënë budallenj në masë, sepse mediat sociale rrënjosën te anëtarët e tyre një frikë kronike nga goditja me shigjetë. Ndryshimi ishte më i theksuar në universitete, shoqata shkencore, industri krijuese dhe organizata politike në çdo nivel (kombëtar, shtetëror dhe lokal) dhe ishte aq i përhapur sa vendosi brenda natës norma të reja sjelljeje të mbështetura nga politika të reja. Gjithëprania e re e mediave sociale me viralitet të zgjeruar nënkupton që një fjalë e vetme e shqiptuar nga një profesor, udhëheqës ose gazetar, edhe nëse flitet me qëllim pozitiv, mund të shkaktojë një stuhi zjarri në mediat sociale, duke sjellë shkarkimin e menjëhershëm ose një hetim të zgjeruar nga ana e institucionit. Pjesëmarrësit në institucionet tona kyçe filluan të vetëcensurohen deri në një shkallë që nuk ishtë e shëndetshme, duke frenuar kritikat ndaj politikave dhe ideve – madje edhe ato të paraqitura në klasë nga studentët e tyre – që ata besonin se ishin të pambështetura ose të gabuara.
Por kur një institucion ndëshkon mospajtimin e brendshëm, ai i gjuan shigjetat drejt e në trurin e tij.
Ky proces mahnitës zhvillohet ndryshe në të djathtë dhe në të majtë, sepse krahët e tyre të aktivistëve besojnë narrativa të ndryshme me vlera të shenjta të ndryshme. Studimi “Fiset e fshehura” na tregon se “konservatorët e përkushtuar” qëndrojnë më lart në besimet që lidhen me autoritarizmin. Ata besojnë një narrativë në të cilën Amerika është përjetësisht nën kërcënim nga armiqtë jashtë dhe subversivët brenda; ata e shohin jetën si një betejë mes patriotëve dhe tradhtarëve. Sipas shkencëtares politike Karen Stener (Karen Stenner), puna e së cilës u bazua në studimin “Fiset e fshehura”, ata janë psikologjikisht të ndryshëm nga grupi më i madh i “konservatorëve tradicionalë” (19 për qind e popullsisë), të cilët preferojnë rendin, dekorin dhe ndryshimin e ngadaltë, më shumë se sa ata rrënjësor.
Vetëm brenda narrativës së konservatorëve të përkushtuar kanë kuptim fjalimet e Donald Trampit, nga fjalimi i ashpër e ogurzi i hapjes së fushatës për “përdhunuesit” meksikanë te paralajmërimi i tij më 6 janar 2021: “Nëse nuk luftoni deri në vdekje, nuk do të keni më atdhe”.
Dënimi tradicional për tradhtinë është vdekja, prandaj thirrja e betejës më 6 janar ishte: “Varni Majk Pensin (Mike Pence)”. Kërcënimet me vdekje të krahut të djathtë, shumë të dhëna nga llogari anonime, po rezultojnë të efektshme në nxitjen e konservatorëve tradicionalë, për shembull, për largimin e zyrtarëve lokalë që nuk arritën të “ndalonin vjedhjen”. Vala e kërcënimeve të dërguara ndaj anëtarëve republikanë të Kongresit që kanë mendime të kundërta ka shtyrë, në mënyrë të ngjashme, shumë nga të moderuarit e mbetur të largohen ose të heshtin, duke na dhënë një parti gjithnjë e më të shkëputur nga tradita konservatore, përgjegjësia kushtetuese dhe realiteti. Tani kemi një Parti Republikane që e përshkruan sulmin e dhunshëm kundër Kapitolit të SHBA-së si “diskurs politik legjitim”, e mbështetur – ose të paktën jo e kundërshtuar – nga një sërë institutesh dhe organizatash mediatike të krahut të djathtë.
Marrëzia në të djathtë është më e dukshme në shumë teori konspirative që përhapen nëpër mediat e krahut të djathtë dhe tani edhe në Kongres. “Pizzagate”, “Qanon”, besimi se vaksinat përmbajnë mikroçipe, bindja se Donald Tramp e fitoi mandatin e dytë – është e vështirë të imagjinohet që ndonjë nga këto ide ose sisteme besimi do të arrinin nivelet që kanë pa Facebook dhe Twitter.
Demokratët, gjithashtu, janë goditur rëndë nga marrëzia strukturore, megjithëse në një mënyrë tjetër. Në Partinë Demokratike, lufta midis krahut përparimtar dhe fraksioneve më të moderuara është e hapur dhe e vazhdueshme dhe shpesh fitojnë të moderuarit. Problemi është se e majta kontrollon pikat më të larta të kulturës: universitetet, organizatat e lajmeve, Hollivudin, muzetë e artit, reklamat, pjesën më të madhe të Silikon Vallej, si dhe sindikatat e mësuesve dhe kolegjet që përbëjnë arsimin K-12. Në shumë prej këtyre institucioneve, disidenca është mbytur: kur të gjithë morën nga një hark me shigjeta në fillim të viteve 2010, shumë institucione me prirje të majtë filluan të qëllojnë veten në tru. Dhe, për fat të keq, ata ishin trutë që informojnë, udhëzojnë dhe argëtojnë pjesën më të madhe të vendit.
Në fund të shekullit të 20-të, liberalët bashkoheshin me një ide që sociologu Kristian Smith (Christian Smith) e quajti narrativa e “progresit liberal”, në të cilën Amerika dikur ishte tmerrësisht e padrejtë dhe represive, por, falë përpjekjeve të aktivistëve dhe heronjve, ka bërë (dhe vazhdon të bëjë) progres drejt realizimit të premtimit fisnik të themelimit të saj. Kjo histori shërben lehtësisht si mbështetëse për patriotizmin liberal dhe ishte edhe narrativa gjallëruese e presidencës së Barak Obamës. Është gjithashtu pikëpamja e “liberalëve tradicionalë” në studimin “Fiset e Fshehura” (11 për qind e popullsisë), të cilët kanë vlera të forta humanitare, janë në moshë më të madhe se mesatarja dhe janë kryesisht njerëzit që drejtojnë institucionet kulturore dhe intelektuale të Amerikës.
Por kur platformat e reja virale të mediave sociale u dhanë të gjithëve një hark me shigjeta, ishin aktivistët më të rinj progresistë ata që bënin më shumë gjuajtje dhe ata e drejtuan një numër joproporcional të shigjetave të tyre drejt liderëve më të vjetër liberalë. Të hutuar dhe të frikësuar, liderët nuk i sfiduan aktivistët ose narrativën e tyre joliberale, në të cilën jeta në çdo institucion është një betejë e përjetshme midis grupimeve të identitetit mbi një lojë me shumën zero dhe njerëzit që janë në krye kanë arritur atje duke shtypur njerëzit në bazë. Kjo narrativë e re ishte ngurtësisht egalitare – e fokusuar në barazinë e rezultateve, jo në të drejtat apo mundësitë. Ajo nuk shqetësohet për të drejtat individuale.
Akuza universale kundër njerëzve që nuk pajtohen me këtë narrativë nuk është “tradhtar”; është “racist”, “transfob”, “Karen” ose ndonjë shkronjë e kuqe që e shënon autorin si një person që urren ose dëmton një grup të margjinalizuar. Dënimi që duket i drejtë për krime të tilla nuk është ekzekutimi; është turpi publik dhe vdekja sociale.
Ju mund ta shihni më qartë procesin e trullosjes kur një person në të majtë thjesht tregon për studime që vënë në dyshim ose kundërshtojnë një besim të favorizuar midis aktivistëve progresistë. Dikush në Twitter do të gjejë një mënyrë për ta lidhur kundërshtarin me racizmin dhe të tjerët do të grumbullohen. Për shembull, në javën e parë të protestave pas vrasjes së Xhorxh Flojdit (George Floyd), disa prej të cilave ishin edhe të dhunshme, analisti progresist i politikave Dejvid Shor (David Shor), i punësuar në atë kohë nga Civis Analytics, postoi linkun tek një studim që tregonte se protestat e dhunshme në vitet 1960 çuan në rezultate më të dobëta elektorale për demokratët në qarqet e afërta. Qartazi, Shori po përpiqej të ishte i dobishëm, por në zemërimin që pasoi ai u akuzua për “anti-zezak” dhe shpejt u pushua nga puna (Civis Analytics ka mohuar që postimi në Twitter çoi në shkarkimin e Shorit).
Rasti Shor u bë i famshëm, por kushdo në Twitter kishte parë tashmë dhjetëra shembuj që përforconin mësimin bazë: “Mos vini në dyshim bindjet, politikat ose veprimet e palës suaj”. Dhe kur liberalët tradicionalë heshtin, siç shumë prej tyre bënë në verën e vitit 2020, narrativa më radikale e aktivistëve progresistë kthehet në narrativën qeverisëse të organizatës. Kjo është arsyeja pse kaq shumë institucione epistemike dukej se “u zgjuan” me shpejtësi atë vit dhe vitin e ardhshëm, duke filluar me një valë polemikash dhe dorëheqjesh tek “The New York Times” dhe gazeta të tjera dhe duke vazhduar me shpalljet e drejtësisë sociale nga grupe mjekësh dhe shoqatash mjekësore (një botim nga Shoqata Mjekësore Amerikane dhe Shoqata e Kolegjeve Mjekësore Amerikane, për shembull, këshilloi profesionistët e mjekësisë që t’u referoheshin lagjeve dhe komuniteteve si “të shtypura” ose “të privura sistematikisht” në vend të “vulnerabël” ose “të varfra”), por edhe me transformimin e nxituar të kurrikulave në shkollat private më të shtrenjta të qytetit të Nju Jorkut.
Në mënyrë tragjike, ne shohim çmenduri që luhen në të dyja anët e luftës së Kovidit. E djathta ka qenë aq e përkushtuar për të minimizuar rreziqet e Kovidit, saqë e ka kthyer atë në një sëmundje që vret në mënyrë preferenciale republikanët. E majta progresive është aq e përkushtuar për të maksimizuar rreziqet e Kovidit, saqë shpesh përqafon një strategji po aq maksimaliste për vaksinat, maskat dhe distancimin shoqëror, pa bërë dallim mes situatave, edhe kur ato kanë të bëjnë me fëmijët. Politika të tilla nuk janë aq vdekjeprurëse sa përhapja e frikës dhe gënjeshtrave për vaksinat, por shumë prej tyre kanë qenë shkatërruese për shëndetin mendor dhe edukimin e fëmijëve, të cilët kanë nevojë të dëshpëruar të luajnë me njëri-tjetrin dhe të shkojnë në shkollë; ne kemi pak prova të qarta që mbyllja e shkollave dhe maskat për fëmijët e vegjël reduktojnë vdekjet nga Kovidi. Më e rëndësishmja për historinë që po tregoj këtu është se prindërit përparimtarë që debatuan kundër mbylljes së shkollave shpesh u sulmuan në mediat sociale dhe u ndeshëm me akuzat e kudogjendura majtiste për racizëm dhe supremaci të bardhë. Të tjerët mësuan të heshtin.
Politika amerikane po bëhet gjithnjë e më qesharake dhe jofunksionale, jo sepse amerikanët po bëhen më pak inteligjentë. Problemi është strukturor. Falë mediave sociale me viralitet të shtuar, disidenca ndëshkohet brenda shumë prej institucioneve tona, që do të thotë se idetë e këqija ngrihen si politika zyrtare.
Do të bëhet shumë më keq
Në një intervistë të vitit 2018, Stiv Banon (Steve Bannon), ish-këshilltari i Donald Trampit, tha se mënyra për t’u marrë me median është “të përmbytësh zonën me mut”. Ai po përshkruante taktikën e “zorrës së gënjeshtrës”, të krijuar nga programet ruse të dezinformimit për t’i mbajtur amerikanët të hutuar, të çorientuar dhe të zemëruar. Por, në atë kohë, në vitin 2018, kishte një kufi të sipërm të sasisë së mutit në dispozicion, sepse e gjithë ajo duhet të krijohej nga një person (përveç një sasie me cilësi të ulët që prodhohej nga robotët).
Megjithatë, tani inteligjenca artificiale është afër mundësisë për të përhapur dezinformata shumë të besueshme në masë të pakufishme. Programi GPT-3 është tashmë aq i mirë sa mund t’i jepni një temë dhe një tonalitet dhe do t’ju nxjerrë aq ese sa të doni, të gjitha me gramatikë të përsosur dhe një nivel të habitshëm koherence. Pas një ose dy vitesh, kur programi të përmirësohet në GPT-4, ai do të bëhet shumë më i aftë. Në një ese të vitit 2020, të titulluar “Furnizimi i dezinformatave së shpejti do të jetë i pafund”, Rene DiResta (Renée DiResta) , menaxhere e kërkimit në Observatorin e Internetit të Stanfordit, shpjegoi se përhapja e gënjeshtrave – qoftë përmes tekstit, imazheve ose videove të rreme – do të bëhet së shpejti e lehtë në një mënyrë që është e pakonceptueshme (Ajo e shkroi esenë së bashku me GPT-3).
Fraksionet amerikane nuk do të jenë të vetmet që do të përdorin inteligjencën artificiale dhe mediat sociale për të gjeneruar përmbajtje sulmi; këtë do ta bëjnë edhe kundërshtarët tanë. Në një ese të tmerrshme të vitit 2018 të titulluar “Linja Mazhino digjitale”, DiResta e përshkroi troç gjendjen e punëve. “Ne jemi të zhytur në një konflikt në zhvillim, në vazhdim: një Luftë Botërore e Informacionit, në të cilën aktorët shtetërorë, terroristët dhe ekstremistët ideologjikë përdorin infrastrukturën sociale, mbi të cilën mbështetet jeta e përditshme, për të mbjellë mosmarrëveshje dhe për të gërryer realitetin e përbashkët”, shkroi ajo. Dikur sovjetikëve u duhej të dërgonin agjentë ose të stërvisnin amerikanë të gatshëm për të punuar për ta. Por media sociale e bëri të lirë dhe të lehtë për Agjencinë Ruse të Kërkimeve të Internetit të shpikte ngjarje të rreme ose të shtrembëronte ato reale për të nxitur zemërimin si në të majtë, ashtu edhe në të djathtë, shpesh për shkak të racës. Studimet e mëvonshme treguan se një fushatë intensive filloi në Twitter në 2013, por shpejt u përhap në Facebook, Instagram dhe YouTube, dhe platforma të tjera. Një nga qëllimet kryesore ishte polarizimi i publikut amerikan dhe përhapja e mosbesimit – për të na ndarë ekzaktësisht në pikën e dobët që Madison kishte identifikuar.
Tani e dimë se nuk janë vetëm rusët që sulmojnë demokracinë amerikane. Përpara protestave të vitit 2019 në Hong Kong, Kina ishte fokusuar kryesisht në platformat vendase si WeChat. Por tani Kina po zbulon se sa shumë mund të bëjë nëpërmjet Twitter dhe Facebook, për kaq pak para, për të përshkallëzuar konfliktin e saj me SHBA-në. Duke pasur parasysh përparimet e vetë Kinës në inteligjencën artificiale, mund të presim që ajo të bëhet më e aftë gjatë viteve të ardhshme për të ndarë më tej Amerikën dhe për të bashkuar më tej Kinën.
Në shekullin e 20-të, identiteti i përbashkët i Amerikës si vendi që drejtonte luftën për ta bërë botën të sigurt për demokracinë ishte një forcë e madhe që ndihmoi në mbajtjen të bashkuar të kulturës dhe politikës. Në shekullin e 21-të, kompanitë amerikane të teknologjisë kanë riorganizuar botën dhe kanë krijuar produkte që po gërryejnë demokracinë, po nxjerrin pengesa për mirëkuptimin e përbashkët dhe po shkatërrojnë kullën moderne.
Demokracia pas Babelit
Ne nuk mund të kthehemi kurrë në gjendjen e epokës para digjitale. Normat, institucionet dhe format e pjesëmarrjes politike që u zhvilluan gjatë epokës së gjatë të komunikimit masiv nuk do të funksionojnë mirë tani që teknologjia e ka bërë gjithçka shumë më të shpejtë dhe shumëdrejtimshe dhe anashkalimi i rojtarëve profesionistë është kaq i lehtë. E megjithatë demokracia amerikane po vepron tani jashtë kufijve të qëndrueshmërisë. Nëse nuk bëjmë ndryshime të mëdha së shpejti, atëherë institucionet tona, sistemi ynë politik dhe shoqëria jonë mund të shemben gjatë luftës së madhe, pandemisë, krizës financiare ose kushtetuese të radhës.
Çfarë ndryshimesh nevojiten? Ridizajnimi i demokracisë për epokën digjitale është shumë përtej aftësive të mia, por unë mund të sugjeroj tre kategori reformash – tre synime që duhet të arrihen nëse demokracia do të mbetet e qëndrueshme në epokën pas Babelit. Ne duhet të forcojmë institucionet demokratike në mënyrë që ato të mund t’i rezistojnë zemërimit dhe mosbesimit kronik, të reformojmë mediat sociale në mënyrë që ato të bëhen më pak gërryese për shoqërinë dhe të përgatisim më mirë brezin e ardhshëm për qytetarinë demokratike në këtë epokë të re.
Forconi institucionet demokratike
Polarizimi politik ka të ngjarë të rritet në të ardhmen e afërt. Kështu, pavarësisht çfarë bëjmë tjetër, duhet të reformojmë institucionet kyçe, në mënyrë që ato të vazhdojnë të funksionojnë edhe nëse nivelet e zemërimit, keqinformimit dhe dhunës rriten shumë më tepër se ato që kemi sot.
Për shembull, dega legjislative është projektuar për të kërkuar kompromis, megjithatë Kongresi, mediat sociale dhe kanalet partizane të lajmeve kanë evoluar në mënyrë të tillë që çdo ligjvënës që del nga rreshti dhe i zgjat dorën palës tjetër mund të përballet brenda disa orësh me zemërimin e krahut ekstrem të partisë së tij, duke iu dëmtuar perspektivat për mbledhjen e fondeve dhe duke iu vënë në rrezik përzgjedhja në zgjedhjet e ardhshme.
Reformat duhet të zvogëlojnë ndikimin e jashtëzakonshëm të ekstremistëve të zemëruar dhe duhet t’i bëjnë ligjvënësit më të përgjegjshëm ndaj votuesit mesatar në zonën e tyre. Një shembull i një reforme të tillë është të hiqen zgjedhjet e mbullura paraprake në parti dhe të zëvendësohen me një primare të vetme, jopartiake dhe të hapur, nga e cila disa kandidatë kryesorë kalojnë në zgjedhje të përgjithshme me votim me renditje. Një version i këtij sistemi votimi është zbatuar tashmë në Alaskë dhe duket se i ka dhënë Senatores Lisa Murkovski (Lisa Murkoswski) më shumë liri për të kundërshtuar ish-Presidentin Tramp, kandidati i favorizuar i të cilit do të ishte një kërcënim për Murkovskin në votimet e mbyllura republikane, por nuk është i tillë në një votim të hapur.
Një mënyrë e dytë për të forcuar institucionet demokratike është zvogëlimi i fuqisë së secilës parti politike për ta luajtur sistemin në favor të saj, për shembull duke zgjedhur zonat e saj të preferuara zgjedhore ose duke zgjedhur zyrtarët që do të mbikëqyrin zgjedhjet. Të gjitha këto punë duhet të bëhen në mënyrë jopartiake. Studimet mbi drejtësinë procedurale tregojnë se kur njerëzit perceptojnë se një proces është i drejtë, ata kanë më shumë gjasa të pranojnë legjitimitetin e një vendimi që bie ndesh me interesat e tyre. Vetëm mendoni për dëmin që i është bërë tashmë legjitimitetit të Gjykatës së Lartë nga udhëheqja republikane e Senatit kur bllokoi shqyrtimin e Merrik Garland (Merrick Garland) për një vend që u hap nëntë muaj para zgjedhjeve të 2016 dhe më pas nxitoi me emërimin e Emi Koni Barret (Amy Coney Barrett) në 2020. Një reformë e diskutuar gjerësisht do t’i jepte fund kësaj mjeshtërie të lojërave politike, duke bërë që gjyqtarët të kryejnë mandate 18-vjeçare, në mënyrë që çdo president të bëjë një emërim çdo dy vjet.
Reformoni median sociale
Një demokraci nuk mund të mbijetojë nëse sheshet e saj publike janë vende ku njerëzit kanë frikë të flasin dhe ku nuk mund të arrihet konsensus i qëndrueshëm. Fuqizimi i të majtës ekstreme, të djathtës ekstreme, trollëve vendas dhe agjentëve të huaj nga media sociale po krijon një sistem që duket më pak si demokraci dhe më shumë si sundim nga më agresivët.
Por ne e kemi fuqinë të zvogëlojmë aftësinë e mediave sociale për të pakësuar besimin dhe për të nxitur marrëzi strukturore. Reformat duhet të kufizojnë platformat në amplifikimin e skajeve agresive, duke i dhënë më shumë zë asaj që “More in Common” e quan “shumica e rraskapitur”.
Ata që kundërshtojnë rregullimin e mediave sociale, përgjithësisht, përqendrohen në shqetësimin legjitim se kufizimet e përmbajtjes të mandatuara nga qeveria, në praktikë, do të kalojnë në censurë. Por problemi kryesor me mediat sociale nuk është se disa njerëz postojnë gjëra të rreme ose toksike; është se përmbajtja e rreme dhe që nxitës zemërimin tani mund të arrijë një nivel të shtrirjes dhe ndikimit që nuk ishte i mundur para vitit 2009. Denoncuesja e Facebook-ut, Francis Haugen, sugjeron ndryshime të thjeshta në arkitekturën e platformave, në vend të përpjekjeve masive dhe përfundimisht të kota për të kontrolluar të gjithë përmbajtjen. Për shembull, ajo ka sugjeruar modifikimin e funksionit “Share” në Facebook, në mënyrë që, pasi një postim të jetë shpërndarë dy herë, personi i tretë në zinxhir duhet të marrë kohë për të kopjuar dhe ngjitur përmbajtjen në një postim të ri. Reforma si kjo nuk janë censurë; ato janë neutrale ndaj këndvështrimit dhe ndaj përmbajtjes, si dhe funksionojnë njësoj mirë në të gjitha gjuhët. Ato nuk e ndalojnë askënd të thotë asgjë; ato thjesht ngadalësojnë përhapjen e përmbajtjes që, mesatarisht, ka më pak gjasa të jetë e vërtetë.
Ndoshta ndryshimi më i madh që, në vetvete, do të zvogëlonte toksicitetin e platformave ekzistuese do të ishte verifikimi i përdoruesit si një parakusht për të fituar amplifikimin algoritmik që ofron media sociale.
Bankat dhe industritë e tjera kanë rregullat e “njih klientin tënd”, në mënyrë që të mos bëjnë biznes me klientë anonimë që pastrojnë para nga sipërmarrjet kriminale. Platformave të mëdha të mediave sociale duhet të kërkohet të bëjnë të njëjtën gjë. Kjo nuk do të thotë se përdoruesit do të duhet të postojnë me emrat e tyre të vërtetë; ata ende mund të përdorin një pseudonim. Thjesht do të thotë që përpara se një platformë t’i përhapë fjalët tuaja te miliona njerëz, ajo ka detyrimin të verifikojë (ndoshta nëpërmjet një pale të tretë ose një pale jofitimprurëse) që ju jeni një qenie njerëzore e vërtetë, ndodheni në një vend të caktuar dhe keni moshën për të përdorur platformën. Ky ndryshim i vetëm do të fshinte shumicën e qindra miliona robotëve dhe llogarive të rreme që aktualisht ndotin platformat kryesore. Gjithashtu, ka të ngjarë që kjo të zvogëlojë shpeshtësinë e kërcënimeve me vdekje, kërcënimeve për përdhunim, neverisë raciste dhe trollingun, në përgjithësi. Studimet tregojnë se sjellja antisociale bëhet më e zakonshme në internet kur njerëzit mendojnë se identiteti i tyre është i panjohur dhe i pagjurmueshëm.
Në çdo rast, provat në rritje që mediat sociale po dëmtojnë demokracinë janë të mjaftueshme për të garantuar një mbikëqyrje më të madhe nga një organ rregullator, si Komisioni Federal i Komunikimeve ose Komisioni Federal i Tregtisë. Një nga çështjet e para të rendit të ditës duhet të jetë detyrimi i platformave për të ndarë të dhënat dhe algoritmet e tyre me studiuesit akademikë.
Përgatisni gjeneratën e re
Anëtarët e Gjeneratës Z – ata të lindur në dhe pas 1997 – nuk kanë asnjë faj për rrëmujën në të cilën ndodhemi, por do ta trashëgojnë atë dhe shenjat paraprake janë se brezat më të vjetër i kanë penguar ata të mësojnë se si ta përballojnë.
Fëmijëria është bërë më e kufizuar në brezat e sotëm – më pak mundësi për lojë të lirë dhe të pastrukturuar; më pak kohë e pambikëqyrur jashtë; më shumë kohë në internet. Pavarësisht efekteve të tjera të këtyre ndryshimeve, ato ka të ngjarë të kenë penguar zhvillimin e aftësive të nevojshme për një vetëqeverisje efektive për shumë të rinj. Loja e lirë e pambikëqyrur është mënyra e natyrës për t’u mësuar gjitarëve të rinj aftësitë që u nevojiten si të rritur, të cilat për njerëzit përfshijnë aftësinë për të bashkëpunuar, për të bërë dhe për të zbatuar rregulla, për të bërë kompromis, për të gjykuar konfliktet dhe për të pranuar humbjen. Një ese e shkëlqyer e vitit 2015 nga ekonomisti Stiven Horuic (Steven Horwitz) argumentoi se loja e lirë i përgatit fëmijët për “artin e shoqërimit” që Aleksis de Tokëvil (Alexis de Tocqueville) tha se ishte çelësi i gjallërisë së demokracisë amerikane; ai, gjithashtu, argumentoi se humbja e saj përbënte “një kërcënim serioz për shoqëritë liberale”. Një brez i penguar të mësonte këto aftësi sociale, paralajmëroi Horuic, normalisht do të thërriste autoritetet për të zgjidhur mosmarrëveshjet dhe do të vuante nga një “vështirësim i ndërveprimit shoqëror” që do të “krijonte një botë me më shumë konflikte dhe dhunë”.
Dhe ndërsa mediat sociale kanë gërryer artin e shoqërimit në të gjithë shoqërinë, ato mund të jenë duke lënë gjurmët e tyre më të thella dhe më të qëndrueshme tek adoleshentët. Një rritje e shkallës së ankthit, depresionit dhe vetëdëmtimit mes adoleshentëve amerikanë filloi papritur në fillim të viteve 2010 (E njëjta gjë ndodhi me adoleshentët kanadezë dhe britanikë, në të njëjtën kohë). Shkaku nuk dihet, por koha kur është vënë re flet për mediat sociale si një kontribues i konsiderueshëm – rritja filloi pikërisht kur shumica dërrmuese e adoleshentëve amerikanë u bënë përdorues të përditshëm të platformave kryesore. Studimet korrelative dhe eksperimentale mbështesin lidhjen me depresionin dhe ankthin dhe kjo mbështetet edhe nga raportimet nga vetë të rinjtë, si edhe nga studimet e vetë Facebook-ut, siç raportohet nga “The Wall Street Journal”.
Depresioni i bën njerëzit më pak të prirur të dëshirojnë të angazhohen me njerëz, ide dhe përvoja të reja. Ankthi i bën gjërat e reja të duken më kërcënuese. Me krijimin e këtyre kushteve dhe me vonesën në përvetësimin e sjelljes së nuancuar shoqërore, që duhet të mësohej përmes lojës së lirë, toleranca ndaj pikëpamjeve të ndryshme dhe aftësia për të zgjidhur mosmarrëveshjet janë zvogëluar tek të rinjtë. Për shembull, komunitetet universitare që mund të toleronin një sërë folësish, që nga viti 2010 e në vitet pasuese filluan ta humbnin atë aftësi, pasi Gjenerata Z filloi të mbërrinte në kampuse. U rritën përpjekjet për të mos sjellë folës të ftuar. Studentët nuk thanë vetëm se nuk ishin dakord me folësit e ftuar; disa thanë se ato leksione do të ishin të rrezikshme, emocionalisht shkatërruese, një formë dhune. Për shkak se normat e depresionit dhe ankthit të adoleshentëve kanë vazhduar të rriten në vitet 2020, ne duhet të presim që këto pikëpamje të vazhdojnë në brezat që do të pasojnë dhe, në të vërtetë, të bëhen më të rënda.
Ndryshimi më i rëndësishëm që mund të bëjmë për të reduktuar efektet e dëmshme të mediave sociale tek fëmijët është të vonojmë aksesin e tyre në to derisa ata të kenë kaluar pubertetin. Kongresi duhet të përditësojë Aktin për Mbrojtjen e Privatësisë në Internet të Fëmijëve, i cili, në vitin 1998, në mënyrë e vendoste në mënyrë të pamatur në 13 vjeç të ashtuquajturën “moshë madhore në internet” (mosha në të cilën kompanitë mund të mbledhin informacion personal nga fëmijët pa pëlqimin e prindërve), ndërkohë që ka pak parashikime për zbatimin efektiv. Mosha duhet të rritet në, të paktën, 16 vjeç dhe kompanitë duhet të mbajnë përgjegjësi për zbatimin e saj.
Në përgjithësi, për të përgatitur anëtarët e gjeneratës së ardhshme për demokracinë pas Babelit, ndoshta gjëja më e rëndësishme që mund të bëjmë është t’i lëmë të luajnë. Ndaloni së privuari fëmijët nga përvojat që u nevojiten më shumë për t’u bërë qytetarë të mirë: lojë e lirë në grupe të moshave të përziera me mbikëqyrje minimale të të rriturve. Çdo shtet duhet të ndjekë drejtimin e Jutah, Oklahomës dhe Teksasit dhe të miratojë një version të Ligjit të Prindërimit me Rreze të Lirë që siguron që prindërit nuk do të hetohen për neglizhencë nëse fëmijët e tyre 8 ose 9 vjeçarë shkojnë për të luajtur në park. Me ligje të tilla në fuqi, shkollat, edukatorët dhe autoritetet e shëndetit publik duhet të inkurajojnë prindërit që t’i lënë fëmijët e tyre të shkojnë në këmbë në shkollë dhe të luajnë në grupe jashtë, ashtu siç bënin fëmijët dikur.
Shpresë pas Babelit
Historia që kam treguar është e zymtë dhe ka pak prova që sugjerojnë se Amerika do të kthehet në një farë normaliteti dhe stabiliteti në pesë ose 10 vitet e ardhshme. Cila palë do të ofrojë pajtim? Cilat janë gjasat që Kongresi të miratojë reforma të mëdha që forcojnë institucionet demokratike ose detoksifikojnë mediat sociale?
Megjithatë, kur largojmë vështrimin nga qeveria jonë federale jofunksionale, shkëputemi nga mediat sociale dhe flasim drejtpërdrejt me fqinjët tanë, gjërat duken më shpresëdhënëse. Shumica e amerikanëve në raportin “More in Common” janë anëtarë të “shumicës së rraskapitur”, e cila është e lodhur nga betejat dhe është e gatshme të dëgjojë palën tjetër dhe të bëjë kompromis. Shumica e amerikanëve tani shohin se mediat sociale kanë një ndikim negativ në vend dhe po bëhen më të vetëdijshëm për efektet e tyre të dëmshme tek fëmijët.
A do të bëjmë ndonjë gjë për këtë?
Kur Tokëvil bëri një turne në Shtetet e Bashkuara në vitet 1830, atij i bëri përshtypje zakoni amerikan për të formuar shoqata vullnetare për të rregulluar problemet lokale, në vend që të prisnin që mbretërit ose fisnikët të vepronin, siç do të bënin evropianët. Ky zakon është ende me ne sot. Vitet e fundit, amerikanët kanë krijuar qindra grupe dhe organizata të dedikuara për të ndërtuar besimin dhe miqësinë përtej ndarjes politike, duke përfshirë BridgeUSA, Braver Angels (në bordin e të cilëve unë shërbej) dhe shumë të tjera të listuara në BridgeAlliance.us. Nuk mund të presim që Kongresi dhe kompanitë e teknologjisë të na shpëtojnë. Ne duhet të ndryshojmë veten dhe komunitetet tona. Si do të ishte të jetosh në Babel në ditët pas shkatërrimit të tij? E dimë. Është një kohë konfuzioni dhe humbjeje. Por është gjithashtu një kohë për të reflektuar, dëgjuar dhe ndërtuar.
Shënim: Xhonatan Heid (Jonathan Haidt) është një psikolog social në Shkollën e Biznesit Stern të Universitetit të Nju Jorkut. Ai është autor i “The Righteous Mind” dhe bashkëautor i “The Coddling of the American Mind”.
Aksidenti i rëndë në Tiranë, si mund të shmangen ngjarje të tilla?
Nga Blendi KajsiuKy është togfjalëshi që përmbledh më së miri Kuvendin e datës 30 prill. Ai ishte në thelb kuvend i Berishës më shumë se kuvend i Partisë Demokr...
Nga Enton AbilekajIshte hera e parë që Kuvendi i Partisë Demokratike nuk entuziazmoi askënd. Përveç lotëve të mallëngjyes së Jozefinës, ata që po përfito...
Arsyeja kryesore se përse mbështetësit e Berishës brenda dhe jashtë PD-së u rreshtuan kundër Bashës ishte sepse e akuzonin atë për opozitë të dobët. Sipas tyre,...
Nëse futesh në Google dhe e klikon Albin Kurti – Amerika, gjëja e parë që të shfaqet në këtë makinë të kërkimit është: A e duan shqiptarët Amerikën?, që është n...
Nga Auron DodiSipas sondazheve në Francë, Emmanuel Macroni shkon në balotazhin e së dielës (24.04.) përballë Marine Le Penit me një përparësi të rehatshme: prej...
Nga Meri LikaSot në ditën ndërkombëtare të librit më pëlqen të sjellë një fragment nga një libër i Malcom Gladëell me titull “Davidi dhe Golia”. Në prathënien e...
TIRANË– Pasi socialistët pas mbledhjes së grupit parlamentar shprehën emrat e tyre për Presidentin e vendit, kryeministri Edi Rama ua ka hedhur të gj...
Nga Walter Russell Mead“Wall Street Journal”Ndërsa Rusia dhe Ukraina po përgatiten për atë që mund të jetë beteja më e madhe e tankeve në Evropë që nga Lufta e ...
Nga Andi BushatiSali Berisha po vazhdon në mënyrë inerciale akuzat tashmë të kota ndaj Lulzim Bashës, sa herë që i paraqitet kjo mundësi. Edhe në konferencën e ...
Nga Ermal MulosmaniDuke pohuar këtë fakt pohoj edhe zhgënjimin tim të plotë nga një shpresë naive për ndryshim. Kam marrë anën e tij në betejën kundër Lulzim Ba...