LIVE UPDATES
Editorial

Shkollat e Tiranës, shumë larg rindërtimit, numri i objekteve ndryshon si stinët e vitit

29 Shtator 2021, 20:57 Nga DOSJA

TIRANË– Institucionet arsimore në Tiranë të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 janë ende shumë larg rindërtimit ose rikonstruksionit, ndërkohë që shumë prej tyre janë lënë në harresë. Por sikur të mos mjaftonte vonesa e tyre, bie në sy se nga viti në vit numri i objekteve që ishin për rikonstruksion apo rindërtim ka ndryshuar, si për kryeqytetin, ashtu edhe për objektet e bashkive të tjera të prekura nga tërmeti, ndërsa ekspertët hedhin dyshime për afera korruptive.

Të dhënat zyrtare tregojnë se tërmeti i 26 nëntorit 2019 dëmtoi në kategori të ndryshme disa shkolla, të cilat u organizuan për rindërtim apo rikonstruksion nga ministria për rindërtimin dhe bashkitë në vend. Ndërtimi i disa shkollave u bë me fonde të buxhetit të shtetit, disa të tjera me fonde të BE, disa u dhanë me koncesion… Por cili është rezultati dhe ku është ky proces sot teksa shkollat sipas vëzhgimit të Portës Vendore nuk janë gati për këtë shtator?Do të vijojë mësimi me dy-tre turne? A u neglizhua nga institucionet ky proces për shkak se mësimi u zhvillua online? Ekspertët analizojnë situatën, ndërsa shqyrtohen dokumente dhe gjendja e godinave të shkollave, që aktualisht janë në proces rindërtimi, por shumë larg finalizimit të tyre.

Rindërtimi i shkollave në Tiranë

Porta Vendore pa nga afër gjatë muajit gusht institucionet arsimore të dëmtuara nga tërmeti, të cilat janë pjesë e listës së godinave që do të rikonstruktoheshin ose rindërtoheshin. Në total janë 23 shkolla në të gjithë Tiranën, që i janë nënshtruar procesit të rindërtimit, ku 7 prej tyre do të bëhen me donacion dhe janë në proces prokurimi nga UNDP.

Në Kombinat janë tre shkolla të dëmtuara, “Lasgush Poradeci”, “Musine Kokalari” dhe “Myslim Keta”, të cilat do t’i nënshtrohen rindërtimit.

Në shkollën 9-vjeçare “Lasgush Poradeci” po punohet për ndërtimin dhe përgatitjen e godinës për nxënësit. Teksa e shohim nga afër vihen re punëtorët, të cilët vijojnë me ritme të shpejta rindërtimin e kateve të planifikuara siç duket qartë edhe në tabelën orientuese. Të pyetur nga Porta Vendore, punëtorët nuk mund të flasin për kohën se kur do të përfundojë gjithçka por sigurojnë se puna ka vijuar me intensitet dhe pa ndërprerje.

Në shkollën “Myslim Keta” është një heshtje totale, nuk ka asnjë njeri që po kryen punime, riparime apo thjesht lyerje. Megjithëse Bashkia e Tiranës e ka në listën e shkollave që do t’i nënshtrohet rindërtimit, aty ende s’ka nisur shembja e objektit. Në një klasë nga larg duken disa banka të mbledhura në katin e parë, teksa nuk janë të dukshme gjurmët e tërmetit, ndërkohë që dera është kyçur me një zinxhir dhe një dry që të kthen pas në kohë, atëherë kur kjo ishte forma e vetme e konsideruar e sigurt për një objekt. Në derën e shkollës apo rreth e qark saj nuk ka asnjë roje që të mund të pyesim për ndonjë informacion tjetër rreth shkollës. Kjo shkollë është pjesë e programit që do të financohet nga UNDP dhe është ende në proces prokurimi sipas informacioneve zyrtare që Porta Vendore disponon nga Bashkia Tiranë.

Në të njëjtin program financimi bën pjesë edhe shkolla 9-vjeçare “Musine Kokalari”, ku gjurmët e tërmetit të 26 nëntorit janë të dukshme me sy të lirë. Për shkak të pozicionit ku ndodhet është e mundur të shikosh në çdo skaj të godinës, ku duken çarjet në mure, por nuk duket asnjë njeri që të kryejë riparime. Pranë shkollës ndodhet vetëm një zonjë rreth 50 vjeçe, e cila e ka shtëpinë aty pranë, kthen kokën nga shkolla dhe thotë: “Nuk e rregullon njeri, nuk dimë çfarë do bëhet me fëmijët. Kush e di se në cilën shkollë do i çojnë”, shprehet ajo për Portën Vendore. Shkolla, e cila mban emrin e të madhes “Musine Kokalari”, është ngjitur me rrugën kryesore të Kombinatit dhe duket se është lënë në mëshirë të fatit nga institucionet vendore dhe qendrore. Në datën 7 nëntor 2020, kryebashkiaku u shfaq në këtë godinë për të inspektuar punimet dhe deklaroi se “Lajmi i mirë është se mbi 90% e godinave në Tiranë për shkolla, kopshte dhe çerdhe nuk kanë probleme. Ama, në atë pjesë ku ka probleme do të duhet të marrim disa vendime. Vendimet janë këto: dy shkollat në Pezë dhe në Pezë të Vogël do të prishen sepse nuk mbajnë më, janë struktura të vjetra, të bëra në vitet e skamjes, që nuk mbajnë më rikonstruksion. Për këto vendimi është marrë. Për disa shkolla si ‘Musine Kokalari’, ‘Ramazan Jarani’, ‘Lasgush Poradeci’ na duhet të bëjmë një vëzhgim akoma më të thelluar”, u shpreh Veliaj. Për shkak të pandemisë dhe zhvillimit të mësimit online, ekipet e punës mund të kishin zhvilluar punimet në godina, e megjithatë ne e pamë nga afër gjendjen e kësaj shkolle, ku nuk kishte asnjë njeri që po punonte apo gjurmë të punimeve të mundshme.

Shkolla “Hasan Vogli” e pozicionuar pranë Zogut të Zi në zonën e Don Boskos, është gjithashtu e përfshirë në procesin e rindërtimit. Në bazë të vëzhgimit që Porta Vendore kreu, nuk është gati për këtë vit shkollor, pasi puna po ecën me ritme mesatare, megjithëse Bashkia Tiranë i tha Portës Vendore se kjo shkollë do të jetë gati për vitin e ri mësimor 2021-2022.

Ndërsa shkolla 9-vjeçare “Xhezmi Delli” e pozicionuar pranë rrugës Bardhyl dhe që i shërben më së shumti komunitetit rom dhe egjiptian që jetojnë në këtë zonë, ende qëndron në këmbë.

“Nuk ka ardhur askush ta shembë. Kanë ardhur e kanë parë nga jashtë e brenda, por deri tani s’ka thënë kush gjë fare. Presim të na vijnë e të na i rindërtojnë”, tha një banore, e cila po thur triko përpara derës së mbyllur të shkollës, duke marrë rrezet e diellit në piskun e vapës së gushtit, nën diellin përvëlues. Kjo shkollë do të financohet nga UNDP.

Asim Vokshi”, e pozicionuar në Rrugën e Elbasanit dhe “Emin Duraku” e cila ndodhet në zemër të Bllokut duket se kanë të njëjtin fat, pritjen. Ngrehinat qëndrojnë në këmbë si për inerci, deri në një urdhër dhe vendim prishjeje, i cili nuk është marrë ende për tu ekzekutuar më pas, e për t’i hapur rrugë rindërtimit të këtyre shkollave me kapacitete të mëdha klasash me fondet e UNDP-së.

Ndërsa në shkollën 9-vjeçare Mangull të Petrelës gjithçka ka përfunduar. Shkolla është rindërtuar dhe nuk ka asnjë gjurmë të tërmetit. Gjithçka është gati për të pritur nxënësit në bankat e shkollës. Këtë e dëshmon edhe administratori i njësisë Sokol Kupi, i cili tha se shkolla do të fillojë mësimin normalisht me hapjen e këtij viti shkollor.

Po, po, do fillojë mësimi rregullisht. Ka përfunduar ajo, ka përfunduar edhe kopshti ‘Figas’, pritet edhe ai të hapet nga momenti në moment. Tani presim të vijë dhe lënda bazë, tavolina e karrige, na kanë thënë brenda datës 20, dhe jemi gati kur të fillojë shkolla”, tha ai për Portën Vendore.

Shkolla “16 Shtatori” në Pezë të Madhe është duke u rikonstruktuar. Siç duket qartë në tabelën e vendosur pranë saj punimet po kryhen nga “Qatar Fund”. Punëtorë shprehen se kanë punuar me intensitet dhe do të arrijnë objektivat e përcaktuara për përfundimin në kohë të shkollës.

Situata paraqitet dramatike në shkollën në Pezë të vogël. Gjithçka ka mbetur përgjysmë, ndërsa pranë shkollës nuk ka asnjë njeri që të kryejë punime. Në oborr si për të dëshmuar rindërtimin, qëndron stoik edhe një traktor. Duket se në këtë shkollë është e vështirë të hapen dyert për nxënësit më 27 shtator, atëherë kur do të startojë edhe viti i ri shkollor. Banorët shprehen se nuk kanë asnjë informacion se si do të vijojë kjo procedurë dhe i druhen një zhvendosje të mundshme në një shkollë tjetër. “Mirë që ishim në izolim, se nuk e di se si do t’i kishim dërguar fëmijët në shkollë tjetër. Transporti ka kosto, të cilat e kemi të vështirë t’i sigurojmë”, shprehet një banor i zonës, ndërsa shton se prej ditësh nuk ka parë njëri që punon në ambientet e shkollës. Kjo shkollë është në proces rindërtimi nga Bashkia e Tiranës.

Shkolla Pezë Helmes është e kyçur. Nga afër arrijmë të kuptojmë se nuk po kryhen punime. Godina ndodhet në qendër të fshatit, pranë saj nuk ka asnjë njeri. Banorët thonë se nuk e dinë se çfarë po ndodh, por shpresojnë që shkolla të çelë dyert për nxënësit.

Besmir Kola administratori i njësisë Pezë tha për Portën Vendore se në 4 shkollat e programuara për ndërhyrje në Pezë, procesi po ecën shumë mirë.

 “Janë 4 shkolla, ‘Pezë Helmes’, ‘Pezë e Vogël’, ‘Pajan’ dhe ‘Pezë e Madhe’. Deri tani procesi i rindërtimit ka ecur shumë mirë dhe deri tani me 99%, edhe sezonin e ri do ta fillojnë”. I pyetur nga Porta Vendore se cilat prej këtyre shkollave pritet të hapin dyert në shtator, ai u shpreh se të paktën 3 prej tyre janë gati.

“Të paktën në tre shkollat, “Pezë Helmës”, ‘Pezë e Madhe’ dhe ‘Pezë e Vogël’ do të hapen në shtator. Ndërsa kjo e ‘Pajanit’ ka filluar më pas besoj që mund të zgjasë dhe pak, por që dhe ajo do e zhvillojë aktivitetin e mësimit tek ‘Peza e Madhe’”, përfundon administratori i njësisë Pezë, Besmir Kola. Por ndryshe nga sa deklaron administratori i kësaj njësie, në bazë të hulumtimit në terren që Porta Vendore kreu në muajin gusht në këto shkolla, përjashtohet mundësia që shkolla “Pezë e Vogël”, e cila i shërben një numri të konsiderueshëm nxënësish në këtë zonë, të jetë gati më 27 shtator.

Shkolla 9-vjeçare “Bedri Llagami” në Vaqar është një ndër shkollat, e cila duhet të rindërtohet. Por çfarë ka ndodhur? Kjo shkollë është në gjendje të mjeruar, pa çati, dyer e dritare, pa banka e tavolina. Gjithçka është e qartë, kjo godinë vështirë të përfundohet. Në tabelën sqaruese të projektit thuhet se investitor është Bashkia e Tiranës dhe procesi i rindërtimit zgjat 10 muaj. Prania e Portës Vendore shqetëson rojën e shkollës, i cili përpiqet në të gjitha format që të ndalojë fotografimin e shkollës dhe gjendjen e saj, me pretendimin se vëzhgimi nuk mund të kryhet pa një leje të posaçme, por më shumë se kaq duket se ai shqetësohet për gjendjen në të cilën ndodhet procesi i rindërtimit. Banorët e zonës thonë se nxënësit janë shpërndarë në shkolla të tjera duke rënduar ekonominë familjare dhe sjellë vështirësi të mëdha në transport. Në këto kushte, mbyllja për shkak të pandemisë shërbeu si një zgjidhje edhe për ta, por me ardhjen e vitit të ri akademik ata ndodhen sërish në udhëkryq.

I pyetur nga Porta Vendore, Gentian Myrta, administratori i njësisë Vaqarr tha se rindërtimi kishte disa javë që kishte nisur, mirëpo ai nuk i dha dot përgjigje pyetjes se nëse do të jetë gati shkolla “Bedri Llagari”, më 27 shtator dhe se çfarë e shkaktoi këtë vonesë.

“Ka filluar rindërtimi. Nuk e kam idenë fiks se sa, por më duket se ka dy javë që ka filluar”, tha ai shkurtimisht.

Shkollat që u hoqën nga lista e rindërtimit

Bashkia e Tiranës, në përgjigje të interesit të Portës Vendore rendit 11 godina arsimore që janë për t’u rindërtuar në këtë zonë.

Në bazë të një kërkese më të hershme, në dhjetor 2019 i njëjti institucion vendor i tha Portës Vendore se në total rezultuan 13 shkolla në Tiranë për rindërtim.

Vihet re se në listën aktuale është shtuar shkolla “Sami Frashëri”, e cila nuk rezulton në listat e shkuara. Po ashtu pjesë e listës aktuale nuk është shkolla 9-vjeçare “Bedri Llagami –Vaqarr” dhe ajo e Selitë Malit në Zall Bastar.

Shkolla 9-vjeçare “Mjull Bathore” në Farkë u dëmtua nga tërmeti dhe fillimisht ishte në listën për rindërtim, më pas kaloi në listën për rikonstruksion. Në oborrin e kësaj shkolle nuk ka asnjë njeri për të punuar dhe as nuk duken gjurmë të tërmetit. Janë dy vajza, nxënëse të kësaj shkolle që na shoqërojnë dhe na tregojnë se si mund të hyjmë brenda rrethimit të shkollës, ku e vetmja gjë që i frikëson është një mur ndarës që duket sikur nga çasti në çast do të bjerë. Shkolla është me xham dhe përveç atij muri nuk duket asnjë shenjë tjetër e tërmetit. Vajzat na tregojnë edhe shkollën e vjetër ku kanë mësuar më parë, një godinë e rrënuar, ndërsa tregojnë shkollën me gisht thonë: “Kjo ishte shkolla jonë, shikojeni si është. Të renë e ndërtoi Sali Berisha, ndryshe do ishim ende këtu”. Është një zonë në të cilën banojnë shtresa të ndryshme të shoqërisë, tek-tuk ndodhen shtëpi të vjetra, ndërsa ngjitur vila të rrethuara nga mure të larta dhe që survejohen nga kamera sigurie. Vajza e vogël, e cila është vetëm në klasën e tretë thotë se: “Kot i kanë vendosur duan të tregojnë se kanë para. Në lagje nuk ka pasur asnjëherë vjedhje.

E bindur në sqarimin e saj, nis e tregon ëndrrat dhe sesi këtë verë nuk ka mundur të lexojë pasi biblioteka e shkollës është zhdukur për t’i lënë vend infermierisë. Shkolla nuk kishte roje, por fare pranë banonte një nga sanitare, e cila e shikonte shkollën dhe kujdesej për të. Porta Vendore tentoi të kontaktojë Bardh Plakun, administratorin e kësaj njësie për të marrë një koment lidhur me heqjen nga lista e rindërtimit të kësaj shkolle, por nuk mori një përgjigje.

Ndërsa Genc Sita, administratori i njësisë Zall Bastar, i kontaktuar nga Porta Vendore për të komentuar se pse është hequr shkolla “Selitë e Malit” nga lista e rindërtimit, u shpreh me rezerva. “Nuk kam informacion fare për këtë që është hequr, nuk e di. Nuk kam informacion, por ndoshta, këtë e them sipas meje, mund të jetë arsyeja ngaqë nuk ka nxënës, janë diku tek 4 nxënës janë. E amortizuar është, e vjetër është. Tani nuk e di se nuk kanë filluar akoma mësim se ku do të shkojnë këta 4 nxënës dhe nuk e di çfarë vendimi kanë marrë, nuk di të them për këtë. Nuk di të them një informacion të saktë”, tha ai.

Porta Vendore iu referua me një kërkesë për informacion lidhur me procesin mësimor dhe si mendohet të zhvillohet ai edhe Drejtorisë Arsimore Tiranë, por nuk mori një përgjigje. Ndërsa Instituti i Ndërtimit, i pyetur nëse pas më shumë se 20 muajsh kishte përfunduar procesi i vlerësimit të dëmeve në shkollat e kryeqytetit, ia delegoi topin bashkisë, ku kjo e fundit vuri në dispozicion të Portës Vendore shkollat që bëjnë pjesë në projektin e rindërtimit, të cilat janë reflektuar edhe më lart.

Eksperti për arsimin Ndriçim Mehmeti, i cili ka ndjekur të gjitha zhvillimet dhe shifrat e publikuara analizoi situatën në një prononcim për Portën Vendore. Sipas tij ka dy arsye përse kanë ndryshuar listat e shkollave që duhet të rindërtohen: “Së pari qeveria nuk fonde të mjaftueshme për të investuar për arsimin. Ne vijojmë të mbetemi vend i fundit në Ballkan për përqindjen e GDP, që shpenzojmë në arsim dhe së dyti, qeveria nuk e ka prioritet arsimin. Në fillim u deklarua se ishin vetëm 42 shkolla për të ndërtuar dhe riparuar, pastaj u bënë 56, 78, dhe përfunduan me 98 shkolla nga të cilat ende nuk dimë sa janë rindërtuar, sa do të jenë nxënësit që përfitojnë, sa nxënës mbeten me dy, tri dhe katër turne etj”, shprehet ai.

Ngecja e procesit dhe mospërfundimi i rindërtimit të godinave në shtator kur nxënësit pritet të ulen në banka pas një shkëputje të gjatë në procesin mësimor do të ketë pasoja. Këtë e konfirmoi eksperti Mehmeti i cili thotë se: “Nxënësit vijnë me mangësi të mëdha për shkak të thuajse 1 viti e gjysmë shkollor të humbur nga pandemia, mungesa e mjediseve shkollore dhe orëve të shkurtuara dhe për më tepër mësimit online, efektshmëria e të cilit është në dyshim të madh. Mësuesit do të jenë të lodhur, për shkak të orëve të gjata të punës dhe rendimenti i tyre do të vijë duke rënë, duke ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në cilësinë e dijeve që do të përfitohen prej nxënësit,” vijon eksperti Mehmeti për Portën Vendore.

Ajo çka bie në sy në këtë proces është futja në listën e shkollave për rindërtim e godinës së gjimnazit “Sami Frashëri” e cila ishte planifikuar të hapej në janar për të pritur nxënësit. Mehmeti hedh akuza për një aferë të fshehur korruptive. “Një aferë e pastër korruptive. Shkolla kishte më pak se dy vjet që ishte rikonstruktuar dhe ky ishte rikonstruksioni i tretë që iu bë. Është rikonstruktuar kur ishte kryetar bashkie z. Rama dhe përfundoi me tavan të rënë dhe dy herë në kohën e z. Veliaj. Shkolla u deklarua se do të hapej në janar, por u shemb dhe u kthye në shesh ndërtimi, nga ku nuk dihet nëse do të rifitojë hapësirën që ka pasur, apo do të tkurret në favor të ndonjë sheshi ndërtimi. Po ashtu shkolla kishte tabletë të të ashtuquajturit mësim online që do të shtrihej në gjithë gjimnazet e Shqipërisë e që sot nuk dihet se ku kanë përfunduar. SPAK ka një skenë krimi të pastër dhe kjo është shkolla ‘Sami Frashëri’ dhe shkolla ‘Ramazan Jangozi’, në Thumanë e cila u ndërtua e re me fond 500 mijë euro në 26 shtator dhe u rrëzua në 26 nëntor 2019”, tha ai.

Por nga ana tjetër edhe shkollat të cilat janë në proces rindërtimi janë lënë në harresë nga institucionet të cilat nuk kanë ushtruar kontrolle për të penalizuar ata që nuk zbatojnë kontratat. “Asnjë masë penalizuese nuk do të aplikohet pasi ato janë shtyrë qëllimisht për t’u ndërtuar më vonë me qëllim përftimin e fondeve shtesë. Bashkitë dhe qeveria nuk dënojnë, penalizojnë apo marrin masa ndaj atyre që i favorizojnë në përftimin e tenderëve me fonde publike të majme”, përfundon eksperti i arsimit Ndriçim Mehmeti.

Eksperti i ekonomisë Zef Preçi i pyetur nga Porta Vendore lidhur me funksionimin e procesit të rindërtimit të objekteve arsimore në kryeqytet tha se e gjitha duket si një proces rutinë me pak emergjencë.

“Me aq informacion sa i është ofruar publikut nga Bashkia dhe vet mediat, duket si një proces rutinë më shumë se sa proces emergjence në përgjigje të ndikimit të tërmetit të 26 nëntorit 2019. Avash-avash po bëhen dy vite dhe nëse për një ndërtim privat shumëkatësh nevojiten vetëm disa javë, maksimumi pak muaj, në këto ndërtimet shtetërore me sa duket edhe problemet që kanë patur me përzgjedhjen e firmave, me negocimet e drejtpërdrejta, me shmangien e konkurrencës, etj, i kanë vonuar proceset dhe vendimmarrja bëhet në emergjencë, kurse ndërtimi merr shumë kohë dhe nuk u përgjigjet nevojave imediate që ka sektori, sektori i arsimit në rastin konkret”, shprehet ai, ndërsa ndalet gjithashtu edhe tek kostoja reale e këtyre investimeve, ku për përveç asaj financiares, ka edhe kosto në elementin kohë, nga pritjen shumë mujore e realizimit të projektit të rindërtimit.

“Vlerësimi i kostove është i ndryshëm. Sipas meje, shqetësimi kryesor është dhe duhet të jetë lidhur me koston e rindërtimit për njësi. Për fat të keq, praktikat që janë ndjekur qoftë edhe me fondet e BE-së, janë që çojnë favorizime klienteliste të oligarkëve të caktuar dhe nuk marrin parasysh koston e ndërtimit që ofron Enti Kombëtarë i Banesave. Pra, është shmangur rruga e prokurimit normal dhe po ndiqen rrugë të tërthorta që në fund fare çojnë në para për zgjedhje të fituesve, favorizim dhe klientelizëm të një numri firmash, për rrjedhojë kosto të lartë të ndërtimit të larguar nga kushtet e tregut”, përfundon eksperti i ekonomisë Zef Preçi për Portën Vendore.

Shifra kontradiktore për objektet e dëmtuara nga tërmeti, jo vetëm në Tiranë

Megjithatë, nga ajo që vihet re rezulton se të dhënat janë kontradiktore dhe kanë ardhur gjithmonë duke ndryshuar. Lista e godinave që do të rindërtohen apo rikonstruktohen janë ndryshuar apo zëvendësuar nga institucionet përkatëse. Por, të dhënat kontradiktore dhe që kanë ndryshuar nuk janë vetëm për Bashkinë e Tiranës, e njëjta situatë ka ndodhur edhe për shifrat në të gjitha bashkitë e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Të dhënat e para publike, Ahmetaj: 143 objekte arsimore të dëmtuara

Në një nga prezantimet e Ministrit për Rindërtimin Arben Ahmetaj më datë 22/07/2020 u bë me dije se janë 143 objekte arsimore në 11 Bashkitë të dëmtuara nga tërmeti, nga të cilat 53 do të financohen nga buxheti i shtetit dhe 90 shkolla do të financohen nga donatorët. “Nga ato 53 shkolla që financohen nga qeveria, 33 janë në kantiere ndërtimi. Objektet arsimore sipas bashkive: Kamza ka 20 objekte arsimore, kemi financuesit dhe donatorët për secilën. Lezha ka 7 objekte arsimore; Tirana 27 objekte arsimore; Kurbini ka 12 objekte arsimore; Rrogozhina ka 6 objekte arsimore; Vora 8 objekte arsimore; Kavaja 12 objekte arsimore; Mirdita 2 objekte arsimore; Shijaku 9 objekte arsimore; Durrësi 32 objekte arsimore; Kruja 20 objekte arsimore”, pati deklaruar në atë kohë Ahmetaj.

Ndërkohë sipas raportit të përgatitur nga qeveria “Vlerësimi i Nevojave Pas Fatkeqësisë”, rezulton se janë të dëmtuara 321 institucione arsimore që përfaqësojnë 24% të institucioneve të vend. Bashkitë e Tiranës dhe Durrësit kanë pjesën më të lartë të dëmit, me 55% dhe 21%, respektivisht. Vlera totale e dëmeve dhe humbjeve në sektorin e arsimit vlerësohet në 72.35 milionë euro. Nga kjo, vlera e dëmit është 63.59 milionë euro , ndërsa humbjet janë 8.76 milionë euro Nevojat totale për rindërtimi dhe rimëkëmbja vlerësohen të jenë 94.83 milionë euro (11.67 miliardë lekë). Në këtë pikë numri i institucioneve arsimore është 321, ndërkohë që më herët, sipas ministrit të rindërtimit ishin të dëmtuara nga tërmeti 143 objekte arsimore. Pra shifrat kanë ndryshuar. Ndërkohë që sipas raportit sektori më i prekur nga tërmeti është ai arsimit me 8.56%.

Ahmetaj për Portën Vendore: Në programin e rindërtimit janë 171 objekte arsimore

Ministri i Shtetit për Rindërtimin nëpërmjet zyrës së shtypit tha për Portën Vendore se sipas sekretariatit teknik 171 objekte arsimore janë të përfshira në Programin e Rindërtimit, prej të cilave: 114 objekte arsimore janë klasifikuar për Rindërtim dhe 57 objekte arsimore janë për Rikonstruksion. I pyetur për procesin se në cilën fazë janë këto godina ky institucion thotë se nuk është kompetencë e tij. “Lidhur me pikat e tjera, sqarojmë se ato nuk bëjnë pjesë në fushën e përgjegjësisë së Ministrit të Shtetit për Rindërtimin, por në fushën e përgjegjësisë së Ministrisë së Arsimit Sportit dhe Rinisë dhe Njësive Zbatuese”, thuhet në përgjigjen zyrtare. Ndërsa e pyetur për këtë çështje Ministria e Arsimit ia delegoi sërish topin Ministrisë së Rindërtimit. Ndërkohë që më herët Ahmetaj tha se janë dëmtuar 143 objekte arsimore. Vetë ministri ka publikuar dy shifra të ndryshme. Pra, në fillim rezultonte se ishin të dëmtuara 321 institucione arsimore, sipas raportit të qeverisë, ndërkohë që më vonë, kjo shifër u ul ndjeshëm dhe u deklaruan vetëm 143 objekte arsimore të dëmtuara, ndërkohë që tashmë është rritur sërish, duke e çuar në 171 objekte arsimore të dëmtuara.

Marrë nga Porta Vendore 

Iftar dhe politikë, a u prek Muaji i Ramazanit nga politikanët?

View Results

editorial editorial albina hoxhaj porta vendore shkollat ne tirane albina hoxhaj porta vendore shkollat ne tirane

Sondazh

Poll
Editorial 29 Shtator 2021, 11:49

Beteja e pashmangshme e Lulzim Bashës

Nga Blendi KajsiuHeshtja duket se është strategjia kryesore e kryetarit të PD-së përballë fushatës që ka nisur Berisha… në bazë. Synimi i tij është të evitojë p...

Editorial 28 Shtator 2021, 18:59

Zvicra i thotë ‘PO’ martesës brenda gjinisë

ZVICËR- Votuesit zviceranë mbështetën me vendosmëri martesat e të njëjtit seks në referendumin mbarëkombëtar këtë të diele. Parashikimet e para treguan se ...

VIDEO-VIRALE/ Po fliste në Rrugën e Salës, demokrati 'kapet mat' nga gruaja

VIDEO-VIRALE/ Po fliste në Rrugën e Salës, demokrati 'kapet mat' nga gruaja

"Injoranca nuk është argument" Nuk i pëlqeu pyetja, Rama prek në faqe gazetaren Ambrozia Meta

Del VIDEOJA, Elia godet Princ Lekën: Familja ime të ka mbajtur me bukë

VIDEO/ Noka i jep Spiropalit pankartën, Ministrja ofrohet ta mbaj para fytyrës

Publikohen pamjet nga brenda bazës ajrore të Kuçovës, Komandanti: E gatshme për stërvitjen e trupave

Tempulli 2/ Me kanabis gati për shitje dhe shuma parash, arrestohen 4 të rinj në Tiranë

Dalin pamjet nga kasollja ku u vra 50-vjeçari në Durrës

Kontrabandonin ilaçe dhe telefona, arrestohen dy persona në Tiranë, sekuestrohen 47 iPhone

I vunë flakën eskavatorit me vlerë 150 mijë euro, arrestohen 2 autorët e ngjarjes

Reshjet e shiut dhe borës në vend, policia: Moderoni shpejtësinë e mos kryeni parakalime të gabuara

Kampioni Alvin Karaqi mes lotësh: Për besë u ndjeva si Gjergj Kastrioti kur mora flamurin

'Dokumentar horror'/ Berisha publikon pamjet: Do ju paraqes terrorin që Bajrajt ushtruan më 14 maj

Krimi në Bulqizë/ Fqinji: Po hante bukë në banesë kur erdhën dy makina!

Dosja "Gjici"/ Zv.kryetari i bashkisë së Kukësit shkon në SPAK

Newsroom 11 |XAMA: LAJMI I FUNDIT FAKE QË PASHË, ISHTE PËR MUA

Newsroom 11 |XAMA: KËSHILLË QYTETARËVE- MOS LEXONI VETËM NJË BURIM

Newsroom 11 | XAMA: GAZETARËT NUK SHKRUAJNË ME EMËR, KJO S'ËSHTË ETIKE

Xama në Newsroom: Lajmet e rreme përhapin panik! Më akuzuan se kisha marrë para për një shkrim

Muka në Newsroom: Në Shqipëri ka portale gjobaxhie, u bëjnë shantazh njerëzve

Xama në Newsroom: Fake News shpërndahet më shumë në Facebook e Tik Tok! Gazetarët të shkruajnë emrin

Newsroom 11 |Kush prodhon lajme të rreme në Shqipëri

Newsroom 10 |SENJA: NE S'REAGOJMË NDAJ GJUHËS SË URREJTJES

Newsroom 10 |HAZIZAJ: 'ÇOHU ENVER', PJESË E GJUHËS SË URREJTJES

Newsroom 10 | HAZIZAJ KEMI MARRËVESHJE PËR TË MBROJTUR 'VIKTIMAT'

Newsroom 10 |HAZIZAJ: GJUHA E URREJTJES KA SHKAKTUAR DHE KRIME

Newsroom 10 |GAZETARI: GJUHA E URREJTJES, PJESË E SHOQËRISË

Newsroom 10 |HAZIZAJ: GJUHA E URREJTJES, E FRIKSHME NË SHQIPËRI

Vidhnin në banesa duke përdorur çelësa të klonuar, vihet në pranga 1 person,nje tjeter në kërkim

Newsroom 10 |GJUHA E URREJTJES PËRDORET NGA POLITIKA, AMA TË KONTROLLOJË GJUHËN E URREJTJES

Newsroom 10 | HAZIZAJ: STEREOTIPET NXISIN GJUHËN E URREJTJES

Newsroom 10 | HAZIZAJ: GJUHA E URREJTJES LUFTOHET ME EDUKIM

Newsroom 10 | Gjuha e urrejtjes në media, si dhe kush e shpërndan?

Ndryshimet në PS/ Gjiknuri: S'është fundi, por fillimi i diçkaje të re.

Inceneratorët/ S’kam dhënë asnjë kontratë pa garë, ato janë publike!

Ndihet 'i shitur' nga Rama? Gjiknuri: Nuk ndjej braktisje, kam komunikim me të prej 20 vitesh

Klosi: Kemi primare reformimin e partisë, PS synon mandatin e katërt

U shkarkua si Sekretar i Përgjithshëm, Gjiknuri: PS edhe kur fiton, refekton!

Digjet shtëpia në Shkodër, në banesë ndodhej një i moshuar, përfundon në spital

Vazhdon përplasja në PD! Basha kërkon mbledhjen e Komisionit të Etikës për të, Bardhi: Shenjë humbje

Vrasja e Jetmirës/ Autori u dënua me 28 vite burg, nëna e viktimës: Duhet dënim përjetë!

Newsroom 9 | Kallanxhi: Threads? S`besoj se do zgjasë shumë

Newsroom 9 | Eksperti i IT: Mos merrni për bazë asgjë thuhet në rrjet

Newsroom 9 | Gazetarja: po ndodhin vrasje nga tik tok

Newsroom 9 | Eksperti i IT: Fake News dallohet vetëm po të jemi kritikë

Newsroom 9 | Kallanxhi: Shqiptarët besojnë gjithçka shohin në rrjet

Newsroom 9 | Eksperti i IT, Tomi Kallanxhi: Tik Tok ka "fake news" sepse s'ka censurë

Newsroom 9 | Gazetarja: Shqipëria do kohë të përshtatet me Tik Tok

Newsroom 9| Eksperti i IT: Çdo rrjet është i përkohshëm, duhet të kujdesemi për vlerat

A mund të mbyllet TikTok për Shqipërinë? Flet për Newsroom eksperi i IT

Fëmija mbyllet brenda në shtëpi, nëna e alarmuar njofton zjarrfikësit, NDËRHYRJA nga ballkoni