LIVE UPDATES
Ekonomi

Vajtimi online – Kur vdekja mbërrin në Facebook! ‘Shiriti i zi’ bën “namin” tek fatkeqët, s’

3 Shkurt 2021, 10:20 Nga DOSJA
Vajtimi online – Kur vdekja mbërrin në Facebook! ‘Shiriti

Ela ishte vetëm tre vjeç, kur i ati ndërroi jetë. Në çdo ditëlindje dhe ditëvdekjeje ajo poston të njëjtën fotografi, ku ai ka mbetur i përjetësuar në rini, në profilin e saj të Facebook-ut. Gjithnjë duke e shoqëruar me fjalë të ndjera. Por mesazhi nuk u drejtohet miqve virtualë. I drejtohet babait, sikur ai të qe gjallë dhe po e lexon atë dedikim të së bijës, e cila tani ka moshën e tij, kur u nda nga kjo jetë.

Mesazhi përsëritet e përsëritet çdo vit, disa herë në vit qysh se ajo iu bashkua kohë më parë Fytyrëlibrit të shpikur nga Zuckenberg. Jo vetëm në raste përkujtimore. E bën sa herë e mbërthejnë ndjesi mekankolie apo trishtimi.

Miri është një zotëri që ka humbur bashkëshorten verën e kaluar, në një aksident automobilistik. Ata udhëtonin të dy dhe vdekja e rrëmbeu të shoqen beftë. Pas periudhës së parë të zisë, ku gjithçka i dukej absurde dhe e papranueshme, ka rinisur të frekuentojë vendet që parapëlqenin të dy. Kafeja e mëngjesit shoqërohet thuajse çdo ditë me një dedikim në Facebook, ku ai i drejtohet bashkëshortes si të ishin duke biseduar vërtet përballë filxhanit të kafesë…

Bea, poston shpesh fotografi nga mermeri i një varri. Sa herë viziton të shoqin e ndarë nga jeta prej një sëmundjeje të rëndë – e që nga postimet duket se e bën shpesh – hedh fotografi nga vendi i prehjes dhe i parashtron në mesazhe sesa e vetmuar ndihet pa të.

Dora humbi të atin në ditët e fundit të janarit. Çdo ditë e përshëndet me një këngë a fotografi, shoqëruar me fjalë emocionuese, duke i thënë se tashmë ai është ylli që e udhëheq nga lart.

Drita e ndau lajmërimin për vdekjen e mamasë në Facebook, ku shiriti i zi u shoqërua me një mesazh të ndjerë dhe vetë ajo me gjasë u njoftua po nga rrjetet sociale për humbjen, duke qenë se jetonte larg së ëmës në Greqi. Edhe të afërmit, shumë prej tyre emigrantë, u mjaftuan me ngushëllimet online, në pamundësi për të qenë fizikisht…

Gjithnjë e më shumë rrjetet sociale, e veçanërisht Facebook-u është bërë një platformë, ku vdekja është e pranishme. Nga njoftimet e vdekjeve, te nekrologjitë, komunikimi i drejtpërdrejtë me të vdekurit e deri tek shndërrimi i profileve të atyre që nuk jetojnë më në faqe memorialë, jo vetëm për të vajtuar atë që është ndarë, por edhe për ta kujtuar për ç’ka lënë pas ende në këtë botë.

Ishte ndjesi e çuditshme të shihje profilin e Facebook-ut të një artisti të ndarë nga jeta pak muaj më parë të ishte online. Në pamje të parë një ngjethje si të kishe hasur një krijesë të përtejbotshme, ndonëse e dije se bëhej fjalë për teknologji dhe dikush nga të afërmit mund ta kishte hapur. Pak më vonë, familja shkroi se faqja do të menaxhohet prej tyre në kujtim të të ndjerit. Për miqtë dhe dashamirët, që kanë mundësi të shohin herë pas here punimet e tij në skulpturë, duket sikur të mos jetë larguar nga kjo botë, të paktën virtualisht.

Për t’u ndarë me një mesazh të fundit lamtumire, për t’i përkujtuar në veprën e tyre apo për të biseduar me ata që nuk janë më. Thuajse të gjithë e bëjnë, pa marrë parasysh formimin arsimor, statusin apo shtrirjen gjeografike.

Por a është e pashëndetshme ky ritual i ri, i shfaqur me rritjen e përdorimit të teknologjisë, ku vajtimi merr shpesh formën e një bashkëbisedimi virtual me të ndjerin?

“Nuk ka të bëjë më ndonjë çrregullim, (siç është çrregullimi i zisë) por, duket si një fenomen normal, reagim normal i njerëzve”, thotë psikiatri Pasho Maksuti, për ata që i përdorin sigurisht mjetet teknologjike edhe për funksionin e tyre të parë, siç është informimi.

Por, sipas psikiatrit Maksuti, shpesh është një lloj mekanizmi i pavetëdijshëm i reflektimit të ndjenjës së fajit ndaj atij që nuk jeton më. E vuajnë dhe, përmes fjalëve apo uratave, lehtësojnë dhimbjen, mendojnë se i bëjnë mirë të ndjerit”, vijon më tej psikiatri për Gazeta “Si”, duke shtuar se ka disa forma dhe qëllime të këtij rituali, tashmë teknologjik, të vajtimit.

“Një pjesë e përdorin si demonstrim formal i dashurisë ndaj të ndjerit, që t’u tregojnë të tjereve se sa janë prekur (në realitet për së gjalli nuk e kanë respektuar). Ka të tillë që besojnë në uratat për parajsë për të ndjerin, ndërsa të tjerë e bëjnë formalisht dhe në mënyrë stereotipike”. Të gjitha këto, sqaron psikiatri Pasho Maksuti, janë reagime që reflektojnë tiparet e personalitetit të personave.

“Sigurisht që ka të tillë që janë besimtarë dhe besojnë në uratat, por shumica duken urata formale e patetike”, është i mendimit ai. Por në fund “të gjitha, në një formë a tjetrën lehtësojnë dhimbjen e zisë tek të afërmit. Sa më shumë flitet për të ndjerin, aq më shumë lehtësohet stresi, pas traumës”, përfundon dr.Maksuti.

Humbja e një njeriu të dashur shkakton traumë. Është një ndjenjë dërrmuese të cenueshmërisë ose humbjes së kontrollit, shpjegon psikologia Redina Sulstarova dhe që bën që njerëzit të përjetojnë reagime të forta emocionale, të cilat ndërhyjnë në aftësitë e tyre për të funksionuar. “Procesi i zisë zhvillohet përmes një faze të parë, të alarmit të përgjithshëm, pasuar nga një reagim tronditjeje, konfuzioni, pastaj nga ndikimi emocional me mënyra të ndryshme nga personi në person”, shpjegon psikologia, duke shpjeguar më tej fazat nëpër të cilat zija.

“…vijon me përballjen. Personi, kupton, shtjellon humbjen në një nivel emocional, më në fund e pranon atë dhe modifikon idenë e vetvetes në funksion të pranimit të realitetit”, shkon më tej pikologia Sulstarova, duke shtuar se edhe përballimi i fazave, përmes mekanizmave mbrojtës, varet nga lloji i zisë. Kjo ndikon jo vetëm në përjetimet, vijon ajo, por mbi të gjitha në funksionimin e individit; zijaa e vonuar, zija kronike, zija e frenuar, zija e pamundur”.

Sipas psikologes Sulstarova, hidhërimi është reagimi fizik, emotiv dhe sjellor ndaj një humbjeje me rëndësi afektive. Vetë fjala latine “luctus” apo “lucere”, do të thotë “të qash”.

Sulstarova shpjegon se është se rëndësishme të gjendesh për tjetrin, “pasi fazat tipike të traumës dhe të zisë siç kanë ndodhur prej vitesh, kanë nevojë për tjetrin për t’u ndier i kuptuar, për të patur nevojë për t’u dëgjuar dhe për t’u këshilluar”.

Sipas psikologes, tendenca e mbylljes në vetvete, pamundësia për t’u shprehur dhe gjetur ngushëllim aktivizon ndjenjat e boshllikut, vetmisë dhe jorealitetit, të cilat sigurisht që mund të kapërcehen përmes mbështetjes së duhur psikologjike, por edhe përmes komunitetit, i cili duhet të vazhdojë të “grumbullohet” rreth atyre që vuajnë.

Kjo, përmes mjeteve aktuale siç janë nekrologjitë apo ndarjes së dhimbjes online në mënyrë që rregullimi emocional të lehtësohet përkundër distancës fizike.

“Individët sot nëpërmjet ndarjes së dhimbjes nga rrjetet sociale kanë nevojë të ndihen të shoqëruar nga shkrimet në rrjete sociale, kanë nevojë për dhembshuri duke ndier të nevojshme dhënien e një lamtumire të fundit nëpërmjet ndarjes së dhimbjes”, shprehet psikologia, e cila pranon se kohët e fundit po vihet re një tendencë e shtuar e vajtimit në Facebook apo rrjete të tjera sociale.

“Në kulturën tonë, deri para disa vitesh në momentet kur ne humbnim dikë, personi i cili ishte në dhimbje pasi kishte humbur të dashurin e tij duhej të preokupohej për të njoftuar të afërmit dhe miqtë e të ndjerit, pasi nëse nuk kujdesej për këtë gjë në të ardhmen do të kishte qejfmbetje. Kjo gjë në mendimin tim aspak normale e detyronte individin të fokusohej tek të tjerët dhe jo te humbja në vetvete”, thotë Sulstarova për Gazeta “Si”.

Ajo shton se se rituali i vdekjes në kulturën shqiptare, ku i vdekuri mbahet gjatë natës, procesi i varrimit apo dreka e shtruar për të ndjerin dhe pritja e vizitave në shtëpi, janë procese që ndikojnë në thellimin e zisë.

Sulstarova thekson se edhe situata e pandemisë ka ndikuar gjithashtu në përjetimet e zisë. “Vetë situata e pandemisë i ka detyruar njerëzit të përjetojnë humbjen e lirisë dhe të mënyrës së jetës së mëparshme. Kjo gjë ka shtuar nevojën e tyre për të ndarë dhimbjen me të tjerët si një mekanizëm jo vetëm për t’u shprehur, por dhe për ta bërë dhimbjen më sociale”, mendon psikologia.

Kultura, historia njerëzore, civilizimi na kanë treguar që procesi i varrimit, i cili është një ritual publik, nderon të ndjerin dhe nxjerr dhimbjen, vuajtjen, frikën, të gjitha emocionet që kanë lidhje me vdekjen e që rregullohen nëpërmjet ndarjes së dhimbjes.

“Aktualisht në ditët e sotme kjo është mohuar. Ne nuk mund ta shoqërojmë të dashurin tonë derisa jeta të shuhet, nuk mund të qajmë mbi trupin e tij akoma të ngrohtë, të të marrim pjesë dhe të vëmë në skenë atë ritual që është varrimi, i përbërë nga afeksione dhe ngushëllime. Përvojat e fajit alternohen me dhimbje, me zemërim dhe me një lloj pafuqie”, thotë psikologia.

Ajo ngre alarmin se zitë atipike siç janë ato që po jetojmë sot, kanë probabilitet të na çojnë në një zi të pazgjidhur. “…në të cilën vuajtjet nuk qetësohen por bëhen kronike, duke ndërhyrë në aftësinë për të funksionuar në jetën e përditshme. Pikëllimi i pazgjidhur ose i ndërlikuar mund të çojë në depresion, si dhe probleme të tjera të shëndetit fizik dhe mendor”, thotë psikologia.

Psikologia vëren se në kulturën shqiptare, hasim vështirësi për të shprehur dashurinë apo ndjenjat. “Kur një i afërmi i yni largohet nga jeta, te ne aktivizohen ndjenja faji për ato që ne nuk kemi mundur të shprehim verbalisht, gjë që aktivizon një nevojë tonën për dedikime në rrjete sociale”, këto sipas psikologes janë rituale për të metabolizuar humbjen dhe këto ndjenja faji.

“Individë të tillë kanë nevojë për vëmendje dhe për t’i dhënë rëndësi vuajtjes së tyre, nevojë për të ndarë dhimbjen dhe për të qenë të kuptuar”, shton psikologja, e cila duke iu referuar literaturës thotë se komuniteti, ndjeshmëria dhe shoqërimi janë thelbësore për të menaxhuar “zinë” në kushtet e karantinës, “pamundësinë për të hequr dorë nga jeta e mëparshme, e cila ndoshta do të kthehet ose ndoshta do të ndryshojë përfundimisht kur të përfundojë situata e pandemisë. Në gjëndje pikëllimi fjalët janë të domosdoshme, duke njohur dhe emërtuar emocionet dhe ndjenjat e humbjes së përjetuar, duke mos u ndjerë vetëm me dhimbjen personale”, përfundon ajo.

Por fenomeni i transferimit të dhimbjes për humbjen e të dashurve në hapësirën virtuale të komunikimit e kalon përjetimin individual, duke reflektuar ndryshimet më të gjera në shoqëri.

Popujt kanë secili kulturën e vet mortore dhe post mortore dhe ritualet e tyre të ndarjes me të vdekurin. Sipas sociologut Gëzim Tushi, edhe në shoqërinë shqiptare, këto rituale kanë pësuar ndryshime.

Shoqëria shqiptare e ka vlerësuar me dinjitet të vdekurin, jo vetëm kontributin që ka dhënë në jetë, por edhe me mënyrat e komemoracionit të largimit për në botën tjetër”, thotë sociologu Tushi për Gazeta Si, duke shtuar se këto kanë qenë korniza të ngurta me rituale fikse dhe të domosdoshme për të respektuarin të ikurin nga kjo jetë. “Respekti për njeriun që ikën nga kjo jetë, është parë si një nga vlerat e mëdha të sistemit të jetës sonë shoqërore”, vijon Tushi.

Si shoqëri tradicionaliste, në kulturën shqiptare këto rituale janë sipas sociologut, shumë ë ngarkuara. “Rituale që në shoqërinë moderne dhe turbo-kapitaliste nuk janë më të mundshme”, thotë Tushi, duke iu referuar edhe ceremonive pas mortore të përkujtimit, që nisin nga të tretat për të shkuar deri në përkujtimin gjashtë mujor dhe njëvjetorin.

“Dukej sikur në një farë mënyre i vdekuri na mbante ne të gjallëve prej këmbëve, duke qenë të lidhur më shumë seç duhet me kujtimin e tij. Natyrisht, që kujtimi për njeriun e dashur mbetet dhe është shenjë respekti, por është e domosdosme që këto të thjeshtohen”, e mendon sociologu.

Sipas tij, sot flitet jo vetëm për një reformë të jetës, por edhe për në reformë të ritualeve të vdekjes. “Jeta ka ndryshuar dhe njerëzit nuk e kanë më kohën e tepërt për të mbivlerësuar këto rituale”.

Duket se shoqëria e sotme ka digjitalizuar edhe proceset e vdekjes. Nga njëra anë, mendon sociologu Tushi, është pozitive sepse informohesh në kohë reale për humbjen e një të afërmi, miku a fqinji, ndaj të cilit ke detyrimin për t’i shprehur ngushëllimet të afërmve.

Por nga ana tjetër edhe këtu ka nisur një lloj abuzimi. “Nëse në ceremonitë tradicionale, shqiptarët numëronin pjesëmarrësit, makinat, ata që shkonin për drekë, për të treta, të dyzeta e të tjerë, ishin një lloj bravure e jashtme, mburrje për treguar vlerën sociale në shoqëri apo mbështetjen sociale që ka një familje, pas koronavirusit ceremonitë e vdekjes po pësojnë një refomë drastike”.

Faktori komplementar duket se janë rrjetet sociale. Edhe këtu, vëren sociologu ka një lloj tendence për mbivlerësim. “Sikur i bëjnë testime vetes për të parë peshën sociale, jo më fizikisht por të involvuar virtualisht. Nëse numëronim njerëzit në dreka a darka , prezentë fizikisht në rituain mortor, kemi filluar t’i numojmë virtualisht.”

Ky – mendon sociologu – është një lloj transformimi mes reales dhe virtuales. Dhe si në të gjitha fushat, kjo sindromë nuk mund të linte pa prekur edhe ritualet e vdekjes.

Sa për komunikimin virtual me të vdekurin, që vijon gjatë edhe pas ndarjes nga jeta, Gëzim Tushi thotë se kjo tendencë animiste, mund të jetë një formë ku personi që vajton apo mban zi, e ndjen veten shpirtërisht më mirë në kujtimet me të dashurin që ka humbur.

“Nuk mendoj se ka ndikim fetar; askush nga ne nuk ka bindjen që mund të sigurojë mjete komunikimi spirituale me të vekurit”.

Por, me kornizat kulturore që ndryshojnë, shoqëria njerëzore përpiqet të gjejë mënyra për të mbajtur një kordon me njeriun e dashur, qoftë edhe spiritual.

“Është si punë reminishencash, nuk besoj se ka ndonjë dëm të madh, përveç rasteve kur këto kthehen në obsesione”, mendon sociologu duke shtuar se ka raste kur kanxhat me njeriun e vdekur paralizojnë jetën e përditshme të të gjallit, duke u shndërruar në një lloj “nekrofilie”.

“Duhet ruajtur sensi i masës, nuk jam kundër që duhet t’i kujtojmë njerëzit e dashur, shokët, në momente përkujtimore, në një aktivitet ku flitet për të kaluarën e tyre, në një libër, por të bëhen permanente, konsistente e dhe njeriu të mbajë lidhje të pandara me atë që ka ikur nga kjo btë, është një lloj nekrolofilie, dashurie për vdekjen që na ndalon të jemi optimistë. Populli thotë: “I vdekuri me të vdekurit dhe i gjalli me të gjallët”.

Por pavarësisht kulturave lokale dhe ritualeve, duket se teknologjia dhe rrjetet sociale e kanë njëtrajtësuar edhe mënyrën e vajtimit.

“Globalizmi e ktheu botën sa një fshat. Tanimë jemi në gjendje të marrim vesh për çdo humbje jete në çdo cep të botës kur jemi të interesuar. Ngushëllimi njerëzor kapërcen kufijtë hapësinorë dhe ke mundësi të ngushëllosh njeriun e dashur kudo dhe kjo është gjë e mirë. Por nga ana tjetër, duket sikur angazhohemi në një numër më të madh seç duhet dhe fillojmë me veset sociale si hipokrizia, shprehja e ngushëllimeve kur nuk e ndjen, si një lloj detyrimi social. Ka një hendek midis ndjeshmërisë së vërtetë humane dhe formave false, bravurave të jashtme që kjo shoqëri i ka në pjesën strukturore të saj dhe janë të pashmangshme”.

Sipas sociologes Ermira Danaj, ishte e pritshme që teknologjitë e informacionit të transformonin edhe qasjen ndaj vdekjes, siç kanë transformuar tanimë çdo hallkë të përditshmërisë sonë.

“Në njëfarë mënyre, ritet në lidhje me vajtimet/zinë, kanë reflektuar strukturën sociale te një komuniteti apo shoqërie. Sigurisht që këto rite nuk janë transformuar rrënjësisht, megjithatë nëse do të hidhnim sytë pak pas, do të shohim se edhe pa rrjetet sociale dhe dixhitalizimin e komunikimit, këto rite kishin nisur të ndryshonin, diku më shumë e diku më pak”, mendon Danaj.

Rrjetet sociale ndikuan edhe më tej në këto ndryshime. Sipas sociologes, ritet e zisë/vajtimit nuk janë zhdukur, por rrjetet sociale kanë sjellë edhe një hapësirë më tej, për ta lehtësuar dhimbjen. “Të mos harrojmë që një ndër funksionet kryesore të riteve të ndryshme, pritjes së njerëzve etj., ka qenë edhe lehtësimi i dhimbjes së familjes, kujtimi i të vdekurve”.

Funksion që tashmë kryhet edhe nga një hapësirë e re sociale, rrjeti. “Për shumë njerëz, ngushëllimet e marra nëpërmjet rrjeteve sociale janë një lehtësim, shërbejnë edhe për te kujtuar personin e vdekur, por edhe për të ngushëlluar të afërmit, për t’i ofruar pak më shumë mbështetje, edhe pse virtuale”.

A është kjo mbështetje virtuale po aq e fortë sa një vizitë në shtëpi?” Këtu pastaj kalojmë në diskutimin: a është miqësia virtuale, njëlloj me atë “reale”? Por për sa kohë hapësira virtuale zë një vend jo pak të rëndësishëm në jetën tonë, kjo nuk ka pse të mos prekë edhe dimensionin e vdekjes”.

Gjatë 2020-s, afro 3.8 miliardë njerëz po përdornin mediat sociale. Aplikacionet si Facebook, Twitter apo Instagram jo vetëm kanë ndryshuar mënyrën si lidhemi dhe komunikojmë, por edhe sesi ecin përmes pikave të jetës – nga shtatzënitë tek obituarët deri tek testimi i Covid dhe përvojat e diagonistifikimit.

Janë mbi 30 milionë njerëz të vdekur në Facebook. Mes 2020 dhe 2060 mendohet të jenë më shumë profile të njerëzve të vdekur sesa të gjallëve. Ndërsa marrëdhënia jonë me jetën, vdekjen dhe internetin vijojnë të evoluojë, është e qartë se ka gjëra që duhet të marrim në konsideratë rreth zisë online.

A na e ka ndryshuar interneti mënyrën sesi u drejtohemi të vdekurve? Me pak fjalë, po. Gjatë historisë, njerëzit janë përpjekur të ruajnë një lidhje me të vdekurit e tyre; bisedat mendore, vizitat në varreza, shkrime në ditarë të adresuar të ikurve nga kjo botë…

Facebook dikur ka qenë vendi ku njerëzit lidheshin dhe komunikimin me të dashurit, sa ishin gjallë apo mbase edhe vendi i fundit ku i keni parë dhe komunikuar para ndarjes nga jeta, duket ndonjëherë e natyrshme që t’i kërkosh apo drejtohesh në të njëjtin vend, ku ke ndërvepruar, biseduar apo qeshur.

Shpesh edhe kujtimi pamor është më i gjallë në marrëdhënien online sesa në një gur varri, ndonëse i vdekuri nuk mundet më t’u përgjigjet mesazheve…

(* emrat e personazheve në hyrje të artikullit janë ndryshuar për të ruajtur privatësinë).

Marrë nga Gazeta “Si”

1 vit nga zgjedhjet e 25 prillit si e shikoni gjendjen e vendit:

View Results

sociale sociale vdekjet online vdekjet online

Sondazh

Poll

Rama flet nga Mali i Zi për Zvërnecin: Nuk ka projekt ende, por kjo është dhuratë për Shqipërinë

Rama flet nga Mali i Zi për Zvërnecin: Nuk ka projekt ende, por kjo është dhuratë për Shqipërinë

Berisha: Dosjen e Lindave të AKSHI-t e ka mbyllur përfundimisht Rama

Berisha: Mbështesim plotësisht të drejtën e çdo qytetari për protestë, por nuk marrim pjesë

Ngushëllimet/ Berisha: Enea Mekolli është dy herë hero, vrasësi i tij financohej me fonde shtetërore

Vrasja e Enea Mekollit/ Berisha: Do hetojë edhe Komisioni i Sigurisë...

Nisin homazhet për policin që u vra në krye të detyrës gjatë aksionit në Maliq, kolegët e tij në lot

Drejtori i Hekurudhave, Ergys Verdho paraqitet në SPAK

Pas më shumë se katër orësh, qytetarët vijojnë protestën rrugëve të Kryeqytetit

Gjesti i veçantë i protestuesit, u dhuron lule efektivëve në shenjë solidariteti për policin e vrarë

Pas tre orësh protestë, turma vijon qëndresën: Dorëheqje!

Prej më shumë se tre orësh para Kryeministrisë, protestuesit ndezin flakadanë

"Kush s'kërcen nuk është shqiptar o hej"/ PAMJE me dron nga protesta madhështore për Zvërnecin

Thirrja e qytetarit të Rrjollit: Hajde rini, merre situatën në dorë dhe drejto vendin

Me flamuj dhe pankarta në duar, qytetarët e Durrësit sërish protestë për projektin në Zvërnec

Tentoi të futej në Kryeministri, protestuesja bën simbolin e shqiponjës

"Ne i duam parqet, lodrat, natyrën"/ Vogëlushi në protestë thirrje: Mbrojini për ne!

Protesta kundër projektit në Zvërnec/ Brohoret turma: Edi Rama o tradhtar, duhet lidhur me litar

Protesta për Zvërnecin, qytetarë mbajnë 1 minutë heshtje për efektivin e vrarë në krye të detyrës

"Ruani qetësinë, Ramën ta zhdukim me të mirë"/ Tensione në protestën kundër projektit në Zvërnec

PAMJE nga protesta madhështore kundër projektit në Zvërnec/ Oshëtin bulevardi: O pallosh o zagar

Mijëra protestues në shesh thirrje ndaj kryeministrit Rama: Duam dorëheqje

Protesta për Zvërnecin, babai i Martin Canit i bashkohet protestuesve në shesh

Mijëra qytetarë në Bulevard/ Thirrje kundër Ramës dhe Berishës: U ka ardhur fundi, në burg

Balla nga Kuvendi: Greqia u ka borxh shqiptarëve marrëveshjen për pensionet

Dita e 5-të e protestës për Zvërnecin/ Nis marshimi drejt bulevardit: Revolucion

Balla ‘thumbon’ Berishën: U trembe nga protestuesit që erdhën te selia e PD-së dhe ndryshove qëndrim

"Na keni ça k***"/ Noizy shpërthen keq ndaj protestuesve: Nuk po e shet njeri Shqipërinë!

'Zvërneci'/ Berisha: Ju jeni mafie si në Beograd. Të gjitha dokumentet ju i shumëzoni me zero

Berisha: Pse e fshihni kreun e Meduzës. Tokat në Zvërnec i ka rrëmbyer Pjerini nga Lezha dhe Agaçi

Reperi Gashi mbështet protestat për Zvërnecin: Fëmijët tanë nuk janë mysafir në tokën e tyre

Këngëtarja Bebe Rexha vlerësohet me cmimin “Female Icon Award 2026”

Banorët dhe pushuesit përballen me fenomenin e pazakontë në Ksamil

"Ktheni ligjin për investimet strategjike" Bozdo në Kuvend: Betonizuat bregdetin e jugut...

Përplasje e ashpër mes Strazimirit e Muçit: Të rinjtë po protestojnë kundër jush, mbani përgjegjësi

"Marksist-leninist i vogël'! Përplasje e ashpër mes Strazimirit e Muçit:

Ngjarja e rëndë në Maliq/ Autori transportohet drejt Tiranës, familjarët: Çfarë i bëre?!

Berisha: Xhelati Rama u vë protestuesve paqësorë, topat e ujit që gjuajtën edhe foshnjën në karrocë

Berisha-Piro Vengut: Dezertove nga ushtria dhe mashtrove se je pasardhës i Marko Boçarit

Fshihej në një zonë të pyllëzuar, ja vendi ku u gjet autori i ngjarjes në Maliq

"Rama do organizojnë antimiting në Vlorë", Balla i përgjigjet Berishës: Kemi festën e PS!

Bido i kthehet opozitës: Ku ishit ju më 30 maj që nuk folët për Zvërvecin?

“Keni paralajmëruar anti-miting në Vlorë”, Berisha thirrje Ramës: Anuloje, është praktikë fashiste

Deputeti i “Lëvizjes Bashkë”: Rendi i ditës së sotme është kërkesa për dorëheqjen e qeverisë

U plagos në operacionin për kapjen e një personi në kërkim, mbërrin te Trauma polici

Vrasja e efektivit të Policisë në Korçë, Kuvendi nis me një minutë heshtje

Vrau një efektiv dhe plagosi një tjetër, mbërrin në spital autori

Reshjet përmbytin rrugët e Shëngjinit, vështirësi në qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve

Qytetarët nisen sërish drejt kryeministrisë, me flamurin kuq e zi dhe brohorima vazhdojnë protestën

Protestuesit marshojnë drejt zonës së Bllokut, qytetarët e tjerë nuk iu bashkohen #dosja #protesta

Protesta nuk ka të ndalur, qyetarët bllokojnë rrugën te Ura e Tajvanit, thirrje në kor policëve