Tragjedia me dy viktima në Shëngjin, policia jep detaje: Të gjithë shtetas nga Kosova, tre persona në spital
3 Qersho...
Aktualitet
Djegia e flamurit dhe ndërhyrja e policisë në festimet 28 nëntorit në Maqedoninë e Veriut, BDI: Ministri i Brendshëm të japë urgjentisht dorëheqjen
Sipas tyre kjo qasje është e papranueshme dhe minon besimin e qytetarëve në institucionet shtetërore, duke thelluar ndarjet dhe tensionet në shoqëri.
29 Nëntor 2024, 20:23Nga r.ll
foto ilustruese
SHKUP- Festimet për 112-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut janë shoqëruar me incidente. Një prej tyre ishte dhe heqja e flamurit shqiptar nga policia maqedonase. Lidhur me veprimet e policisë atje ka reaguar edhe partia shqiptare në opozitë në Maqedoninë e Veriut "Bashkimi Demokratik për Integrim", ku kërkojnë dorëheqjen e menjëhershme të Ministrit të Punëve të Brendshme.
Në reagimin e BDI në Facebook, thuhet se dorëheqja e ministrit kërkohet për shkak të ndërhyrjes së policisë gjatë festimeve të mbrëmshme të Ditës së Flamurit Shqiptar. Sipas tyre kjo qasje është e papranueshme dhe minon besimin e qytetarëve në institucionet shtetërore, duke thelluar ndarjet dhe tensionet në shoqëri.
REAGIMI I PLOTË:
Bashkimi Demokratik për Integrim kërkon me urgjencë dorëheqjen e Ministrit të Punëve të Brendshme për shkak të ndërhyrjes së paprecedent dhe të pajustifikuar të policisë gjatë festimeve të mbrëmshme të Ditës së Flamurit Shqiptar. Kjo ndërhyrje jo vetëm që pengoi një manifestim paqësor dhe tradicional të shqiptarëve, por gjithashtu shkaktoi tensione dhe incidente të panevojshme që kanë dëmtuar harmoninë ndëretnike në vend.
Për më tepër, sot jemi dëshmitarë të një qasjeje selektive dhe të njëanshme nga ana e institucioneve të rendit. Ndërkohë që qytetarët shqiptarë që dogjën flamurin shtetëror janë ndaluar dhe ndëshkuar, ata që dogjën flamurin shqiptar mbeten të pandëshkuar. Kjo qasje diskriminuese dhe e padrejtë është e papranueshme dhe minon besimin e qytetarëve në institucionet shtetërore, duke thelluar ndarjet dhe tensionet në shoqëri.
Ministri i Punëve të Brendshme ka dështuar të garantojë qasje të drejtë dhe profesionale ndaj incidenteve, duke treguar paaftësi dhe mungesë përgjegjshmërie për të trajtuar situatat ndëretnike me kujdesin e duhur. Për këtë arsye, kërkojmë menjëherë dorëheqjen e tij. Bashkimi Demokratik për Integrim mbetet i përkushtuar ndaj mbrojtjes së të drejtave dhe dinjitetit të shqiptarëve, si dhe ndaj ruajtjes së bashkëjetesës dhe stabilitetit në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Nuk do të tolerojmë që institucionet e shtetit të përdoren për politika diskriminuese që cënojnë të drejtat e qytetarëve dhe bashkëjetesën ndëretnike.
Më herët po ashtu BDI, përmes një tjetër reagimi në rrjetet sociale, lajmëruan një tjetër incident, atë të djegies së flamurit të Shqipërisë. Në komunikatë ata gjithashtu u bënin thirrje organeve përgjegjëse që të veprojnë me paanësi dhe profesionalizëm, duke trajtuar në mënyrë të barabartë të gjithë pjesëmarrësit në këto incidente, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike.
"Bashkimi Demokratik për Integrim dënon ashpër edhe aktin e djegies së flamurit shqiptar, që përbën një sulm të drejtpërdrejtë ndaj simboleve dhe dinjitetit të popullit shqiptar. Këto veprime provokuese dhe të mbushura me urrejtje janë të papranueshme dhe përbëjnë një kërcënim për sërishjen ndëretnike dhe stabilitetin e vendit tonë. Gjithashtu, shprehim shqetësimin tonë për qasjen selektive dhe të njëanshme të policisë, e cila, sipas informacioneve të deritanishme, ka marrë masa vetëm ndaj qytetarëve shqiptarë të përfshirë në incidentet, ndërsa ata që dogjën flamurin shqiptar nuk janë ndëshkuar. Ky trajtim i pabarabartë jo vetëm që minon besueshmërinë e institucioneve, por edhe thellon mosbesimin ndërmjet komuniteteve. U bëjmë thirrje organeve përgjegjëse që të veprojnë me paanësi dhe profesionalizëm, duke trajtuar në mënyrë të barabartë të gjithë pjesëmarrësit në këto incidente, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike. Ligji duhet të zbatohet njësoj për të gjithë, pasi vetëm përmes drejtësisë dhe transparencës mund të forcojmë besimin dhe të ruajmë stabilitetin në shoqërinë tonë. Bashkimi Demokratik për Integrim mbetet i përkushtuar për mbrojtjen e dinjitetit të të gjithë qytetarëve dhe për promovimin e respektit të ndërsjellë, duke theksuar qartë se veprime të tilla të urrejtjes dhe padrejtësisë nuk do të tolerohen.", thuhej në reagimin e tyre.