LIVE UPDATES
Aktualitet

Analiza: Kanalet proruse në Telegram si “armë informative” kundër Kosovës

Gjuha e urrejtjes ndaj shqiptarëve shfaqet pothuajse në çdo postim që lidhet me Kosovën. Shumica e këtyre kanaleve u krijuan pas pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022 dhe sot kanë nga 10.000 deri mbi 80.000 ndjekës, të cilët marrin dhe shpërndajnë përmbajtje çdo ditë.

30 Tetor 2025, 18:52 Nga E. D
Analiza: Kanalet proruse në Telegram si “armë informative”
foto ilustruese

KOSOVË- Kanale të shumta në Telegram që prezantohen si “zëri i Rusisë në Serbi” ose përdorin simbole ruse, si flamurin, fokusohen kryesisht te Kosova. Aty promovohen mesazhe që delegjitimojnë institucionet e Kosovës, mohojnë pavarësinë e saj dhe shpesh nxisin retorikë radikale, përfshirë thirrje për ndërhyrje ushtarake.

Gjuha e urrejtjes ndaj shqiptarëve shfaqet pothuajse në çdo postim që lidhet me Kosovën. Shumica e këtyre kanaleve u krijuan pas pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022 dhe sot kanë nga 10.000 deri mbi 80.000 ndjekës, të cilët marrin dhe shpërndajnë përmbajtje çdo ditë.

Postimet janë qartazi pro Rusisë, mbështesin pushtimin e Ukrainës, kundërshtojnë anëtarësimin e Serbisë në BE dhe kritikojnë bashkëpunimin me vendet perëndimore. Viteve të fundit, sidomos në mjedisin rus, Telegrami është bërë jo vetëm një aplikacion mesazhesh, por edhe një rrjet për përhapjen e përmbajtjes politike dhe propagandistike, falë enkriptimit dhe anonimitetit të përdoruesve.

Ivana Stradner, bashkëpunëtore e Fondacionit joqeveritar për Mbrojtjen e Demokracive në Uashington, thotë për Radion Evropa e Lirë se Moska zyrtare i përdor kanalet në Telegram si “armë informacioni”. Ajo thotë se këto kanale përbëjnë një kërcënim që qytetarët e zakonshëm nuk mund ta shohin, ndiejnë apo prekin - dhe për këtë arsye, në pamje të parë, postimet në këtë rrjet duken si teori konspirative.

Stradner nënvizon se perceptimi ka rol kyç, pasi rrjetet sociale mundësojnë formësimin e bindjeve të njerëzve, “në funksion të arritjes së objektivave të sigurisë”. Përndryshe, krijimi në masë i kanaleve të Telegramit që trajtojnë temën e Kosovës, përkoi me rritjen e tensioneve në veri të vendit, pas tërheqjes së serbëve nga institucionet kosovare në nëntor të vitit 2022.

Atëkohë, Qeveria e Kosovës këmbëngulte në zbatimin e vendimeve që kryesisht kishin të bënin me konsolidimin e pushtetit në atë rajon, ku popullsia shumicë është serbe. Një tjetër karakteristikë e përbashkët e kanaleve proruse në Telegram, që publikojnë përmbajtje rreth Kosovës, është veprimi i tyre i koordinuar, d.m.th. ato veprojnë si një rrjet i vetëm për përhapjen e një narrativi të caktuar.

Kështu, më 29 tetor, kanali “Bunker” në Telegram njoftoi se në Mitrovicë të Veriut janë shfaqur grafite të reja: “Kosova është Serbi”, “Serbët dhe rusët janë vëllezër përgjithmonë Z”, “Nuk ka dorëzim”.

Brenda disa minutash, këtë postim e shpërndanë edhe kanalet “Srpska Sparta-Info”, “Bunt je stanje duha”, “Koridor” dhe “Code 17”, të cilat së bashku kanë mbi 130.000 përdorues.

Radio Evropa e Lirë nuk arriti ta konfirmonte këtë informacion në Policinë e Kosovës. Postime për Kosovën në gjuhën serbe publikojnë edhe kanalet: “Hrabro za Kosmet”, “Slovenski medved”, “Uz svoj narod” e të tjera.

Ka, gjithashtu, edhe kanale në gjuhën ruse që publikojnë lajme për Kosovën, si “Сербия - LIVE” (Serbia Live), “Великая Россия” (Rusia e Madhe) dhe “Сербский Вестник” (Gazeta Serbe).

Cilat janë narrativët kryesorë?

Një nga narrativët kryesorë të kanaleve proruse në Telegram që publikojnë lajme rreth Kosovës, është paraqitja e pjesëtarëve të komunitetit serb si “viktima të terrorit” nga autoritetet e Kosovës. Aty delegjitimizohen edhe institucionet e Kosovës, të cilat shpesh quhen me terma përçmues për shqiptarët. Për shembull, kanali “Bunker” postoi më 28 tetor lajme rreth ndërtimit të një shkolle në Mitrovicën e Veriut, duke shkruar:

“Terroristët 'shiptarë' [ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal] Sveçla dhe [kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden] Atiq vendosën sot gurthemelin për një shkollë tjetër 'shiptare' në pjesën veriore të Mitrovicës”.

Po atë ditë, kanali “Koridor” publikoi lajme rreth stërvitjes së Forcës së Sigurisë së Kosovës në poligonin e stërvitjes pranë Gjakovës, por me gjuhë të urrejtjes.

“Terroristët 'shiptarë' dhe terroristët e NATO-s zhvilluan stërvitje ushtarake së bashku në Gjakovë”, thuhej në postim.

Përndryshe, kanali “Koridor” është përdorur më parë edhe nga “Brigada e Veriut”, e cila së bashku me “Mbrojtjen Civile” janë shpallur organizata terroriste nga Qeveria e Kosovës në qershor të vitit 2023. Atëkohë, në këtë kanal u bë e ditur se kjo nuk do t’i pengojë të luftojnë “për serbizmin dhe unitetin”, por se, për arsye sigurie, nuk do të informojnë më publikisht për veprimet e tyre.

Thirrjet për linçim

Një nga narrativët në kanalet në Telegram është emërtimi i pjesëtarëve të komunitetit serb që janë të punësuar në institucionet e Kosovës, ose që, në njëfarë mënyre, promovojnë bashkëjetesën.

Në fund të qershorit, në kanalin “Koridor” u publikua një deklaratë e një punonjësi të Policisë së Kosovës nga radhët e komunitetit serb, i cili foli publikisht për presionet që përjetonte, pasi nuk pranoi të largohej nga pozita e tij gjatë largimit kolektiv të serbëve nga institucionet, në nëntor të vitit 2022.

Në postim ai u përshkrua si “spiun shqiptar, të cilit i është ofruar të punonte në ndonjë nga institucionet e Serbisë”, por se “ai zgjodhi të qëndronte dhe të punonte për institucionet shqiptare, pasi, përveç pagës, merrte edhe bonus për spiunazh”.

Në të njëjtin kanal, edhe avokati serb, Ivan Niniq, u përshkrua si “avokat i paguar nga [kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin] Kurti”, i cili mbron serbët që janë bashkëpunëtorë të tij, përfshirë Dragan Nikolliqin nga Leposaviqi.

Në vitin 2023, REL-i shkroi për rastin e Dragan Nikolliqit, i cili u arrestua nga organet serbe të sigurisë për “bashkim kundër rendit kushtetues të Serbisë” dhe “thirrje për ndryshim të dhunshëm të rendit kushtetues të Serbisë”.

Nikolliq u lirua përfundimisht nga akuzat, për shkak të mungesës së provave për akuzat kundër tij. Për shkak të linçimit publik në grupin “Ariu Sllav” në Telegram, në maj të vitit 2023, Mlladen Peroviq nga Zveçani, në veri të Kosovës, u frikësua gjithashtu për sigurinë e tij.

Peroviq ndihmoi gazetarët nga komuniteti shqiptar të arrinin tek automjetet e tyre dhe ua hapi edhe dyert e kafenesë së tij, për t’i mbrojtur nga përleshjet që po ndodhnin mes një grupi serbësh dhe misionit paqeruajtës, KFOR.

Përputhja e narrativit me politikën zyrtare serbe

Termat fyes ndaj shqiptarëve të Kosovës përdoren shpesh edhe nga politikanët serbë, gjatë paraqitjeve të tyre publike, edhe pse një vendim gjykate në Serbi e ka shpallur termin “shiptar” si politikisht jokorrekt dhe ofendues.

Për shembull, në mars të këtij viti, gjatë një debati me opozitën në Kuvend, kryeparlamentarja serbe, Ana Bërnabiq, iu referua mediave të Kosovës si “shiptare”, teksa foli për incidentet në Kuvendin e Serbisë, të raportuara prej tyre.

Gjithashtu, institucionet zyrtare serbe, siç është Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, shpesh përdorin narrativë si “autoritetet e Kosovës duan t’i persekutojnë serbët”, se “ata po terrorizohen” e të ngjashme.

Për shembull, përfaqësuesi i kësaj zyre, Igor Popoviq, u arrestua në korrik të këtij viti, pasi, gjatë qëndrimit në Rahovec, e quajti Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës “organizatë terroriste”.

Gjithashtu, shumica e mediave në Serbi ndjekin politikën zyrtare ndaj Kosovës, duke e quajtur shpesh “të ashtuquajtur”, ose duke u thirrur në “institucionet e përkohshme të Prishtinës”.

Këto gjetje u konfirmuan edhe nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë në hulumtimin e saj me titull: “Si dezinformatat nxisin radikalizimin etno-politik në Kosovë”.

Sipas këtij hulumtimi - i publikuar në shtator të këtij viti - Telegrami është platformë “e përshtatshme për përhapjen e narrativëve prorusë dhe proserbë”, me fokus të veçantë në Kosovë.

“Këto kanale kanë mijëra anëtarë dhe brenda pak minutash i shndërrojnë incidentet lokale në Kosovë, veçanërisht në veri, në thirrje nacionaliste për mobilizim”, thuhet ndër të tjera në të.

Si ndikojnë mesazhet në perceptimet e përdoruesve?

Ndërkohë, është formuar edhe i ashtuquajturi “Rrjeti Serb Info”, që grupon disa kanale në Telegram në gjuhën serbe, të cilat e përshkruajnë veten si “të pavarura nga censura” dhe ofrojnë “burimet më të besueshme të informacionit, analiza dhe komente nga fusha të ndryshme”.

Në këtë rrjet përfshihen edhe kanale që publikojnë lajme për Kosovën. Stradner shpjegon se qëllimi i këtyre kanaleve në Telegram është “të ngjallin” emocione te njerëzit - përmes zemërimit, frikës apo apatisë - në mënyrë që ata të jenë “të paralizuar” dhe të mos mund të nxjerrin përfundime vetë.

“Rusia e kupton shumë mirë se në Ballkan ka ende tensione etnike dhe fetare dhe, përmes mesazheve sensacionale në Telegram, njerëzit ‘ndizen’, teoritë e konspiracionit ushqehen dhe dezinformatat përhapen”.

“Një person që i ndjek këto kanale... nuk është e nevojshme të besojë menjëherë në ata narrativë. Por, kur bombardohesh gjithë ditën me propagandë, ajo shndërrohet në bindje”, thekson Stradner.

Ajo shpjegon se për Moskën, edhe nëse te njerëzit zgjon vetëm apati dhe i bën të ndihen të pafuqishëm për të ndryshuar diçka, kjo konsiderohet sukses.

“Rusia provon narrativë të ndryshëm, disa më të suksesshëm e disa më pak, por çelësi është që hapësira informative të vërshohet me pikëpamje të ndryshme, që njerëzit të mos dinë çfarë të besojnë”, thotë Stradner.

Cilat janë pasojat?

Stradner thotë se pasojat e narrativit radikal prorus në kanalet e Telegramit janë tashmë të dukshme në vendet e Ballkanit Perëndimor, sepse, prej vitesh, përhapet propagandë antiperëndimore që polarizon shoqëritë.

Si shembull, ajo përmend faktin se një numër i madh i qytetarëve të Serbisë janë kundër BE-së, edhe pse BE-ja ofron ndihmë të konsiderueshme për vendin e tyre.

“Kjo ndodh pikërisht për faktin se propaganda përhap narrativë dhe formëson opinione. Rusia nuk ka nevojë të dërgojë tanke dhe aeroplanë në rajon, sepse mund t’i arrijë qëllimet e saj në hapësirën e informacionit”, thotë Stradner.

Ajo shton se është shumë e vështirë të zhvillosh luftë informacioni si një demokraci, sepse “ka rregulla dhe ligje të qarta që e ndalojnë përhapjen e propagandës”.

“Pikërisht për këtë arsye, Rusia dhe Kina janë shumë të suksesshme, sepse e kanë vënë Perëndimin në pozitë mbrojtëse”, thotë Stradner.

Sipas saj, BE-ja duhet të dërgojë ekipe për luftë hibride në vendet e Ballkanit, në mënyrë që shoqëritë të mësojnë të mbrohen kundër operacioneve informative./REL

kosovë

Sondazh

Poll

Qytetarët nisen sërish drejt kryeministrisë, me flamurin kuq e zi dhe brohorima vazhdojnë protestën

Qytetarët nisen sërish drejt kryeministrisë, me flamurin kuq e zi dhe brohorima vazhdojnë protestën

Protestuesit marshojnë drejt zonës së Bllokut, qytetarët e tjerë nuk iu bashkohen #dosja #protesta

Protesta nuk ka të ndalur, qyetarët bllokojnë rrugën te Ura e Tajvanit, thirrje në kor policëve

Nga Sheshi tek Banka, qytetarët bllokojnë rrugën: Edi Rama ka mbaru

Qytetarët nuk ndalen në protestë/ Bllokojnë rrugën te selia e PS-së, ulen në gjunjë

Vazhdon protesta për Zvërnëcin/ Protestuesit ngren nga kafet qytetarët te Opera

E mbuluar me flamurin kuq e zi, e reja shfaqet me foshnjën në krah gjatë protestës

"Edi Rama jep dorëheqjen/E reja nga protesta:Ka ardhur koha të shkosh me Berishën te Veliaj dhe Meta

Qytetarët protestë në Vlorë për Zvërnecin, me pankarta në duar marshojnë drejt Sheshit të Flamurit

Dy orë protestë, bulevardi plot qytetarë ndriçohet nga blicat e telefonave: Jep dorëheqje

"Studentët të ndërrojnë qeverinë"/ I riu thirrje të forta nga protesta: Mos u largoni nga Shqipëria

Protestuesit nuk i tremb as shiu, thirrje të forta nga Kryeministria: Revolucion!

“I preve në besë banorët e Rrjollit dhe Thethit”/ Protestuesi thirrje Ramës: Malet i nxore në shitje

PAMJE PREKËSE/ Vogëlushja mes lotësh mesazh Ramës: Pelikanin kaçurrel do ta sjellim në Surrel

Qytetarët njëzëri para Kryeministrisë: Rama në burg, Berisha në Burg

Banorja e Rrjollit: Mos bini pre e provokimeve! Këtu do rrimë deri sa Rama të japë dorëheqjen

Protesta kundër projektit të Zvërnecit/ Protestesit mesazh Ivanka Trump: Mbaj duart larg Nartës

Tensionohet situata në protestë, policia nuk kursen qytetarët hedh ujë me piper me presion

Protesta për Zvërnecin, përplasje mes qytetarëve dhe policisë

Përplasjt mes qytetarëve dhe policisë në protestë, çahet kordoni

PAMJE nga tubimi i i katërt kundër projektit në Zvërnec #dosja #protesta #zvernec

Protestë në Durrës kundër projektit në Zvërnec, qytetarët mblidhen para Bashkisë

Berisha: Shteti duhej të ishte garanti në Zvërnec.Ndërtimet të bëhen në përputhje me standardet e BE

Berisha: Aeroporti i Vlorës kurrë nuk mund të ndërtohej aty

Zvërneci,Berisha:Ne mbështesim plotësisht investimin e huaj.Sazani nuk është një investim i thjeshtë

Berisha në grupin parlamentar: Pas Kuvendit Kombëtar hyjmë në një etapë të re

Berisha: Meta është një i burgosur politik, Rama po vazhdon me besnikëri rrugën e babait të vet

Burgun apo dorëheqje? Rama kapet me gazetarin: Nuk meriton përgjigje

Protestuesit kërkojnë dorëheqjen, Rama: Film i vjetër, përfaqësoj të paktën 800 mijë shqiptarë

Protesta për Zvërnecin, Rama: SPAK po mban të ngrira fondet pa i lënë të kalojë te shitësi

Rama: Të rreshtohesh me PS, do të thotë të mbështesësh Shqipërinë drejt BE

Rama: Jemi këtu për të ndërtuar Shqipërinë e së ardhmes

Rama: Bëmë ligjin për hapjen e dosjeve të komunizmit, partia jonë u përball me të keqen në opozitë

"Kryeministri gënjeu"/ Gazetarja thirrje qytetarëve: Ai që të vjedh sot, do e bëjë dhe nesër

35-vjetori i PS në Tiranë/ Rama: Arsyeja e fitores së PS është aftësia për t’u hapur!

Mbyllet protesta për Zvërnecin #dosja #protesta #zverneci

Protesta për Zvërnecin/ Qytetarja: Ne nuk e lëshojmë sheshin pa u heq gardhi në Zvërnec dhe Rrjoll

Qytetarja: Kërkojmë anulimin e ligjit për zonat e mbrojtura, nuk ka negociata

"Anulo projektin"/ Me pankarta në duar, të rinjtë 'pushtojnë' kryeministrinë: Jep dorëheqjen

"Janë provokime"/ Çfarë po ndodh para ambienteve të Kryeministrisë?

Protestuesit i përgjigjen kryeministrit Rama: Jep dorëheqje nuk ka dialog!

Qytetarët zbresin sërish në shesh, protestojnë kundër projektit në Zvërnec

Ermonela Jaho mbështet protestën për Zvërnecin, shpërndan pamjet në rrjetet sociale

Skandali me ADS/ Berisha: U ngrit pa vendim qeverie, Rama krijoi një monstër për të vjedhur

"Populli flet në ditën e zgjedhjeve"/ Kryeministri: Thirrjet 'O Rama të QR' nuk funksionojnë me mua

Projekti për Zvërnecin/ Rama për hetimet e SPAK: Investimi nuk ndalon sa kohë unë jam këtu!

Antonio Costa: Zgjerimi një domosdoshmëri gjeostrategjike për Europën

Antonio Costa: Zgjerimi një domosdoshmëri gjeostrategjike për Europën

Mesazhi i Antonio Costës: Përshpejtoni luftën kundër krimit dhe korrupsionit në vend

Grabitet me armë një bankë e nivelit të dytë në Tiranë