LIVE UPDATES
Aktualitet

Mosha në Shqipëri bëhet luks!

Në azilet private, tarifat arrijnë deri në 120 mijë lekë në muaj, ndërsa për kujdestarët në shtëpi, pagesa arrin deri në 80 mijë lekë në muaj. Sipas “Dokumentit Politik për Moshimin 2025–2030”, institucionet shtetërore do të përgjigjen ndaj presionit demografik me politika për rritjen e pensioneve. Ndërkohë, drejtuesit e qendrave private kërkojnë stimuj dhe politika mbështetëse për të nxitur investime dhe zhvillim në sektorin e azileve.

12 Prill 2026, 07:29 Nga E. D

Mosha në Shqipëri bëhet luks!

TIRANË- Sipas sociologëve, përshpejtimi i plakjes së popullsisë po rrit ndjeshëm kërkesën për shërbime për kujdesin ndaj të moshuarve. Përballë kësaj nevoje, sistemi publik mund të ofrojë përkujdesje vetëm për 370 pensionistë në qendrat ekzistuese për të moshuarit.

Në azilet private, tarifat arrijnë deri në 120 mijë lekë në muaj, ndërsa për kujdestarët në shtëpi, pagesa arrin deri në 80 mijë lekë në muaj. Sipas “Dokumentit Politik për Moshimin 2025–2030”, institucionet shtetërore do të përgjigjen ndaj presionit demografik me politika për rritjen e pensioneve. Ndërkohë, drejtuesit e qendrave private kërkojnë stimuj dhe politika mbështetëse për të nxitur investime dhe zhvillim në sektorin e azileve.

Mimoza Kalaja, drejtuese e qendrës për të moshuarit “Te Moza” në Tiranë, merr mbi dhjetë telefonata në ditë nga familjarë që kërkojnë vend për të afërmit e tyre.

Qendra kujdeset për 25 të moshuar, të cilët kanë nevojë për shërbim intensiv mjekësor dhe ka në dispozicion 10 kujdestarë të trajnuar për shërbime të specializuara.

Mimoza Kalaja thotë se të gjithë të moshuarit janë individë me plagë trupore ose në gjendje të rënduar mendore, të cilët kërkojnë vëmendje dhe kujdes 24-orësh mjekësor dhe infermieror, për të cilët është e pamundur të realizohet përkujdesja në shtëpi, edhe përmes kujdestarit.

Kujdestari për të moshuarit vijon të mbetet ndër profesionet më të kërkuara në tregun e punësimeve për punonjës brenda familjes.

Të dhënat për “Monitor” nga databaza e portalit “Çelësi” dhe agjencisë së rekrutimit “Profesionisti” tregojnë se në vitin 2025, në rang vendi u publikuan 9,776 njoftime për punësim në familje për kujdestar të moshuarish. Krahasuar me vitin paraardhës, numri i njoftimeve për punësime të kujdestarëve u rrit me 37%.

Për punësime brenda familjes, në vend pozicionet më të kërkuara janë për kujdestarë për të moshuarit, kujdestarë për fëmijët apo dado dhe për pastruese. Për të tria këto pozicione në vitin 2025 u publikuan 16.2 mijë njoftime, sipas të dhënave të marra nga databaza e portalit “Çelësi”. Krahasuar me 2024, totali i njoftimeve u rrit me 12.4%.

Sipas të dhënave, punësimi i një kujdestari për të moshuarit, në vitin 2025 zuri peshën kryesore, duke përbërë 60% nga 61% në vitin 2024.

Drejtues të agjencive të ndërmjetësimit për punësime në familje pohojnë se kërkesa për punësimin e kujdestarëve për të moshuarit mbetet e lartë krahasuar me profesionet e tjera. Ndërsa krahasuar me vjet, ecuria e kërkesës shfaqet e njëjtë.

Albana Uku, drejtuese e një prej agjencive të ndërmjetësimit për punonjës brenda familjes, nënvizon se shkaku kryesor i stanjacionit të kërkesës janë tarifat e larta, që konsiderohen të papërballueshme nga familjarët.

Për sociologun Gëzim Tushi, Shqipëria po kthehet gradualisht në një shoqëri me “flokë të bardha”, ku emigracioni i të rinjve dhe shtimi i pensionistëve që jetojnë vetëm po ndryshojnë strukturën sociale të vendit, duke rritur ndjeshëm kërkesën për shërbime kujdestarie dhe mbështetje financiare.

Sipas tij, rritja e kërkesës për shërbime kujdesi për të moshuarit vjen në një kohë kur Shqipëria po përballet me një plakje të përshpejtuar të popullsisë dhe me një sistem shërbimesh sociale shtetërore dhe private që mbetet i pamjaftueshëm për nevojat në rritje.

“Kërkesa e shërbimeve për të moshuarit është në rritje. Sidomos për ata që për arsye biologjike, sociale apo financiare janë në gjendje nevoje e pa përkrahje. Shoqëria jonë është në një proces të përshpejtuar të plakjes, madje deri në nivelin që po bëhemi shoqëri me ‘flokë të bardha’ dhe kjo ka shtuar kërkesat dhe nevojat për të ofruar shërbime të personalizuara për të moshuarit e vetmuar.

Të dhënat e Censit 2023 referuan gjithashtu se në të gjithë vendin, rreth 64 mijë persona mbi 60 vjeç jetonin vetëm. Emigracioni e ka zgjeruar edhe më shumë ‘plagën e vetmisë’ sociale dhe të të moshuarve në gjendje vetmie. Edhe pse një pjesë e madhe e tyre kanë shtëpi dhe pensione të siguruara, por kanë nevojë për shërbime specifike e të posaçme, për shërbim dhe kujdes shëndetësor”.

Nga regjistrimi i popullsisë në vitin 2011 te regjistrimi i vitit 2023, numri i popullsisë nga 0 deri në 49 vjeç është në rënie, teksa është rritur ndjeshëm numri i popullsisë nga 50 deri në 94 vjeç.

Sipas të dhënave të Censit 2023, numri i popullsisë së grupmoshës nga 85 deri në 89 vjeç ka shënuar rritjen më të lartë me 79% krahasuar me të dhënat e Censit 2011. Gjatë këtyre 12 viteve, rritje e lartë është shënuar edhe te popullsia e grupmoshës 65-69 vjeç, me rritje 63%.

Popullsia e grupmoshës 80 deri në 84 vjeç është shtuar me 75% krahasuar me Censin e 2011. Numri i popullsisë së grupmoshës 70-74 vjeç është rritur 36%; grupmosha 75-79 vjeç është rritur 27%, kurse grupmosha 90-94 vjeç është rritur me 24%.

Sipas të dhënave të Censit 2023, numri i popullsisë së grupmoshës nga 0 deri në 4 vjeç ka rënë 31,6%; për grupmoshën 5-9 vjeç, numri i tyre ka rënë 31% dhe për grupmoshën nga 10-14 vjeç, rënia e numrit të popullsisë është 41,4% krahasuar me regjistrimin e popullsisë në Censin e 2011-s.

Rënia më e lartë te grupmoshat e reja për 2023 është shënuar te grupi nga 15 deri në 19 vjeç me tkurrje 46,8%, një tregues sipas ekspertëve i rritjes së emigracionit familjar. Të dhënat e Censit 2023 referuan gjithashtu se në të gjithë vendin, rreth 64 mijë persona mbi 60 vjeç jetonin vetëm.

Nga 103 mijë persona të cilët jetonin vetëm, 62,5% e tyre më shumë se 60 vjeç (64,375 persona).

Shërbimi i pamjaftueshëm i azileve

Sistemi i përkujdesit social publik përbëhet nga 6 qendra për të moshuarit apo siç njihen ndryshe azile për pensionistët, me vendndodhje në Tiranë, Shkodër, Kavajë, Fier, Gjirokastër, Poliçan, si dhe dy qendra ditore polivalente në Kamëz dhe Sarandë.

Sipas të dhënave të Shërbimit Social Shtetëror për vitin 2025, në këto qendra janë të vendosur 371 të moshuar. Numri më i lartë i pensionistëve rezulton në qendrat e të moshuarve në Kavajë dhe Gjirokastër, ku në secilin institucion janë të strehuar 72 pensionistë. Ndërsa në qendrën e të moshuarve në Tiranë për vitin 2025 janë trajtuar 48 pensionistë.

Nga të dhënat e disponueshme prej vitit 2020 rezulton se azilet shtetërore në vend arrijnë të trajtojnë një numër konstant pensionistësh që varion nga 300 deri në 370 pensionistë në vit.

Krahas shërbimit shtetëror me kapacitete të ulëta në numër për kujdesin e të moshuarve, edhe strukturat private rezultojnë se nuk janë institucione të mirëfillta për moshimin e pensionistëve.

“Realiteti në Shqipëri për qendrat e të moshuarve ndryshon plotësisht nga mënyra se si funksionojnë këto qendra në shumicën e vendeve europiane. Atje, pas daljes në pension, një shtetas vendos në mënyrë autonome të strehohet në një qendër për të moshuar, për të pasur një jetë sociale.

Pra pensionisti është në gjendje të jetojë i pavarur në shtëpinë e tij, por vendos të qëndrojë në një qendër për të moshuar.

Ndërsa në Shqipëri, familjarët detyrohen t’i sjellin të moshuarit në qendra vetëm për shkak të gjendjes së tyre të rënduar shëndetësore pas operacioneve, me plagë, ose të sëmurë me sëmundje si demenca, skizofrenia etj., që kërkojnë kujdes intensiv mjekësor dhe infermieror 24 orë në ditë, sepse përkujdesja në shtëpi, edhe me punësim kujdestari, nuk është e mundur.

Për shkak të këtij realiteti në Shqipëri, pothuajse të gjitha këto qendra private nuk mund të quhen qendra për të moshuarit, por janë qendra rehabilitimi apo ‘nursing home’, që ofrojnë nivelin më të lartë të kujdesit për të moshuarit jashtë ambienteve të spitalit”, pohon Mimoza Kalaja, nga qendra private e të moshuarve “Te Moza”.

Po ashtu, në zonën e ish-Kinostudios në Tiranë, ndodhet azili privat “Strehë dhe shpresë”, që ofron një kombinim shërbimesh humanitare dhe sociale për të moshuarit dhe për njerëzit në nevojë, për të ruajtur traditën e familjes “Kuka”, e cila për herë të parë në vitin 1892 hapi qendrën si një mision humanitar në ndihmë të familjeve të varfra.

Disa vite më vonë, në 1917, kjo qendër ishte kthyer në një shtëpi të vërtetë humanitare, kohë në të cilën u njoh zyrtarisht edhe nga shteti shqiptar. Azili u mbyll gjatë periudhës komuniste, për t’u rihapur më tej në vitin 1997.

Sipas drejtuesit Hysni Kuka, në azilin “Strehë dhe shpresë” janë të strehuar 90 individë në nevojë, përfshirë edhe pensionistë. 70 prej tyre trajtohen në këtë qendër kundrejt pagesave minimale, ndërsa 20 të tjerë trajtohen pa pagesë. Për rrjedhojë, qendra arrin të mbijetojë financiarisht falë donatorëve të huaj.

Për sociologun Gëzim Tushi, shërbimi për kujdesin e të moshuarve në vend, përfshirë atë publik dhe privat, mbetet me kapacitet tejet të cunguar, duke siguruar shërbim për rreth 500 pensionistë në vit shumë larg nevojave të shoqërisë shqiptare. Në këtë situatë, ai thekson nevojën urgjente të institucioneve shtetërore për shtim të qendrave për të moshuarit.

“Plotësimi institucional i këtyre nevojave përmes ofrimit të shërbimeve në ‘Shtëpitë e të Moshuarve’ publike apo private (me pagesë dhe si biznes social) është tepër larg në raport me numrin fizik dhe kapacitetet e kujdestarisë të institucioneve që ato ofrojnë.

Rrjeti i institucioneve rezidenciale aktualisht nuk trajtojnë më shumë se 500 të moshuar në shërbime të plota rezidenciale. Bashkë me shërbimet ditore e komunitare, ato janë të pamjaftueshme.

Kështu që barra e kujdesit për të moshuarit dhe kostot e këtij kujdesi specifik bien mbi familjen biologjike për të siguruar forma alternative të shërbimit të personalizuar, përmes pagesës së punonjësve të posaçëm, që u shërbejnë të moshuarve në shtëpitë e tyre ose në ambiente të tjera kujdesi.

Sepse ata kanë nevojë për shërbime specifike sociale e jetësore në familjen e tyre, shërbime që kanë kosto dhe që përballohen nga dy burime, në rastin më të mirë. Nga fondi i pensionit personal dhe nga kontributi financiar komplementar i familjes dhe fëmijëve të tyre.

Ka një parim universal për politikat sociale të një vendi: Kur shoqëria plaket, institucionet e kujdesit duhet të shtohen, të rinovohen dhe të bëhen më dinamike duke qenë të konkurrueshme me kërkesat dhe nevojat në rritje të të moshuarve për shërbime sociale kolektive apo të personalizuara.

Në mënyrë të menjëhershme, madje urgjente, është i nevojshëm zgjerimi i hartës së institucioneve të kujdesit për të moshuarit dhe shpërndarja gjeografike homogjene në territorin e vendit dhe rregullimi i standardit, midis nevojave dhe kërkesave për shërbime për të moshuarit dhe ofertës së diversifikuar: shërbime publike plus shërbime private”, pohoi ai.

Ndërsa Mimoza Kalaja, drejtuese e qendrës private për të moshuarit “Te Moza”, thekson nevojën për politika mbështetëse për azilet private, duke nënvizuar rëndësinë e krijimit të një legjislacioni të qartë për të siguruar funksionimin e qëndrueshëm të tyre.

Zonja Kalaja kërkon masa që mbështesin menaxhimin profesional, sigurinë dhe standardet e larta të shërbimit, si dhe stimuj për investime dhe zhvillim në sektorin e azileve private.

Kostot që një i moshuar të jetojë në azil apo me kujdestar në shtëpi

Mplakja e popullsisë nuk është më vetëm çështje sociale, por edhe ekonomike. Familjet e shumta që kërkojnë të punësojnë kujdestarë në familje për të moshuarit duhet të paguajnë tarifa që variojnë nga 50 mijë lekë, 60 mijë lekë deri në 80 mijë lekë në muaj për 6 orë punë.

“Këto pagesa mund të përballohen vetëm nga familjarët e të moshuarve që jetojnë në emigracion. Familjet vendase që mund të përballojnë financiarisht këto tarifa janë të pakta. Si pasojë, kërkesa ka mbetur e pandryshuar krahasuar me vjet, pavarësisht nevojave të larta”, pohon Albana Uku.

Ndërsa në shtëpitë private për të moshuarit, tarifat mujore sipas drejtueses së qendrës “Te Moza” variojnë nga 100 mijë lekë në muaj deri në 120 mijë lekë në muaj, në varësi të gjendjes shëndetësore të të sëmurit.

Tarifat e shtrenjta në këto qendra, sipas zonjës Mimoza Kalaja, janë për shkak të shërbimit intensiv që iu ofrohet të moshuarve, të cilët vijnë në gjendje të rënduar shëndetësore dhe mendore. Ajo thotë se tarifat përballohen nga familjarët, pasi pjesa dërrmuese e pensionistëve në këto qendra janë me pensione minimale deri në 10 mijë lekë në muaj.

Burime nga tregu pohojnë se tarifat në qendrat private arrijnë deri edhe në 150 mijë lekë në muaj nëse i moshuari trajtohet me oksigjen për shkak të gjendjes shëndetësore.

Ndërsa në azilet shtetërore, pensionistit i mbahet 40% e pensionit për përkujdesin, ndërsa 60% i mbetet atij./MONITOR

shqipëri mosha

Sondazh

Poll

"Ktheni ligjin për investimet strategjike" Bozdo në Kuvend: Betonizuat bregdetin e jugut...

"Ktheni ligjin për investimet strategjike" Bozdo në Kuvend: Betonizuat bregdetin e jugut...

Përplasje e ashpër mes Strazimirit e Muçit: Të rinjtë po protestojnë kundër jush, mbani përgjegjësi

"Marksist-leninist i vogël'! Përplasje e ashpër mes Strazimirit e Muçit:

Ngjarja e rëndë në Maliq/ Autori transportohet drejt Tiranës, familjarët: Çfarë i bëre?!

Berisha: Xhelati Rama u vë protestuesve paqësorë, topat e ujit që gjuajtën edhe foshnjën në karrocë

Berisha-Piro Vengut: Dezertove nga ushtria dhe mashtrove se je pasardhës i Marko Boçarit

Fshihej në një zonë të pyllëzuar, ja vendi ku u gjet autori i ngjarjes në Maliq

"Rama do organizojnë antimiting në Vlorë", Balla i përgjigjet Berishës: Kemi festën e PS!

Bido i kthehet opozitës: Ku ishit ju më 30 maj që nuk folët për Zvërvecin?

“Keni paralajmëruar anti-miting në Vlorë”, Berisha thirrje Ramës: Anuloje, është praktikë fashiste

Deputeti i “Lëvizjes Bashkë”: Rendi i ditës së sotme është kërkesa për dorëheqjen e qeverisë

U plagos në operacionin për kapjen e një personi në kërkim, mbërrin te Trauma polici

Vrasja e efektivit të Policisë në Korçë, Kuvendi nis me një minutë heshtje

Vrau një efektiv dhe plagosi një tjetër, mbërrin në spital autori

Reshjet përmbytin rrugët e Shëngjinit, vështirësi në qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve

Qytetarët nisen sërish drejt kryeministrisë, me flamurin kuq e zi dhe brohorima vazhdojnë protestën

Protestuesit marshojnë drejt zonës së Bllokut, qytetarët e tjerë nuk iu bashkohen #dosja #protesta

Protesta nuk ka të ndalur, qyetarët bllokojnë rrugën te Ura e Tajvanit, thirrje në kor policëve

Nga Sheshi tek Banka, qytetarët bllokojnë rrugën: Edi Rama ka mbaru

Qytetarët nuk ndalen në protestë/ Bllokojnë rrugën te selia e PS-së, ulen në gjunjë

Vazhdon protesta për Zvërnëcin/ Protestuesit ngren nga kafet qytetarët te Opera

E mbuluar me flamurin kuq e zi, e reja shfaqet me foshnjën në krah gjatë protestës

"Edi Rama jep dorëheqjen/E reja nga protesta:Ka ardhur koha të shkosh me Berishën te Veliaj dhe Meta

Qytetarët protestë në Vlorë për Zvërnecin, me pankarta në duar marshojnë drejt Sheshit të Flamurit

Dy orë protestë, bulevardi plot qytetarë ndriçohet nga blicat e telefonave: Jep dorëheqje

"Studentët të ndërrojnë qeverinë"/ I riu thirrje të forta nga protesta: Mos u largoni nga Shqipëria

Protestuesit nuk i tremb as shiu, thirrje të forta nga Kryeministria: Revolucion!

“I preve në besë banorët e Rrjollit dhe Thethit”/ Protestuesi thirrje Ramës: Malet i nxore në shitje

PAMJE PREKËSE/ Vogëlushja mes lotësh mesazh Ramës: Pelikanin kaçurrel do ta sjellim në Surrel

Qytetarët njëzëri para Kryeministrisë: Rama në burg, Berisha në Burg

Banorja e Rrjollit: Mos bini pre e provokimeve! Këtu do rrimë deri sa Rama të japë dorëheqjen

Protesta kundër projektit të Zvërnecit/ Protestesit mesazh Ivanka Trump: Mbaj duart larg Nartës

Tensionohet situata në protestë, policia nuk kursen qytetarët hedh ujë me piper me presion

Protesta për Zvërnecin, përplasje mes qytetarëve dhe policisë

Përplasjt mes qytetarëve dhe policisë në protestë, çahet kordoni

PAMJE nga tubimi i i katërt kundër projektit në Zvërnec #dosja #protesta #zvernec

Protestë në Durrës kundër projektit në Zvërnec, qytetarët mblidhen para Bashkisë

Berisha: Shteti duhej të ishte garanti në Zvërnec.Ndërtimet të bëhen në përputhje me standardet e BE

Berisha: Aeroporti i Vlorës kurrë nuk mund të ndërtohej aty

Zvërneci,Berisha:Ne mbështesim plotësisht investimin e huaj.Sazani nuk është një investim i thjeshtë

Berisha në grupin parlamentar: Pas Kuvendit Kombëtar hyjmë në një etapë të re

Berisha: Meta është një i burgosur politik, Rama po vazhdon me besnikëri rrugën e babait të vet

Burgun apo dorëheqje? Rama kapet me gazetarin: Nuk meriton përgjigje

Protestuesit kërkojnë dorëheqjen, Rama: Film i vjetër, përfaqësoj të paktën 800 mijë shqiptarë

Protesta për Zvërnecin, Rama: SPAK po mban të ngrira fondet pa i lënë të kalojë te shitësi

Rama: Të rreshtohesh me PS, do të thotë të mbështesësh Shqipërinë drejt BE

Rama: Jemi këtu për të ndërtuar Shqipërinë e së ardhmes

Rama: Bëmë ligjin për hapjen e dosjeve të komunizmit, partia jonë u përball me të keqen në opozitë

"Kryeministri gënjeu"/ Gazetarja thirrje qytetarëve: Ai që të vjedh sot, do e bëjë dhe nesër

35-vjetori i PS në Tiranë/ Rama: Arsyeja e fitores së PS është aftësia për t’u hapur!