LIVE UPDATES
Aktualitet

"Po ja heq fotot vk”/ Bisedat në Sky ECC, BIRN: Si u kthye një shef policie në ‘aset’ të krimit të organizuar

Sipas një dosjeje hetimore të bazuar në komunikimet e SKY ECC, Kuçi po përgatitej të udhëtonte drejt gadishullit Iberik jo si punonjës policie, por si investitor dhe koordinator logjistik i trafikimit të një sasie të stërmadhe kanabisi nga Maroku në drejtim të Spanjës.

20 Prill 2026, 09:18 Nga E. D

"Po ja heq fotot vk”/ Bisedat në Sky ECC, BIRN: Si u kthye

Në dhjetor të vitit 2020, Rezart Kuçi – asokohe shefi i krimeve në Policinë e Vlorës – po vriste mendjen se si të siguronte “dy muaj leje pa të drejtë page”. Oficeri i policisë nuk kishte ndonjë hall familjar apo probleme shëndetësore, por po gjurmonte një “mundësi biznesi” në brigjet e Almerias në Spanjë.

Sipas një dosjeje hetimore të bazuar në komunikimet e SKY ECC, Kuçi po përgatitej të udhëtonte drejt gadishullit Iberik jo si punonjës policie, por si investitor dhe koordinator logjistik i trafikimit të një sasie të stërmadhe kanabisi nga Maroku në drejtim të Spanjës.

Ai sapo kishte siguruar gjithashtu një gomone 14-metërshe të pajisur me tre motorë “Yamaha 300” për të realizuar trafikimin.

“Investova ça kisha e jam në pritje,” i shkruante ai nga Barcelona një bashkëpunëtori në aplikacionin e enkriptuar Sky ECC, të dhëna që iu përcollën Prokurorisë së Posaçme nga autoritetet franceze.

Bisedat në Sky ECC e tregojnë oficerin e policisë të përfshirë që para vitit 2020 si anëtar dhe bashkëpunëtor i organizatës nën drejtimin e Inez Hajrullaut, një prej figurave të njohura të krimit në Vlorë.

“Gjatë analizimit të komunikimeve të tij, në momentet që duhet të ushtronte funksionin e oficerit të policisë dhe t’i shërbejë qytetarit, ai gjendet në shërbim apo shpreh gatishmërinë për t’i shërbyer një aktiviteti të jashtëligjshëm të grupit kriminal”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Posaçme të marsit të këtij viti ndaj oficerit Rezart Kuçi, Inez Hajrullasë dhe 6 të tjerëve.

Me gjasë ai nuk ishte i vetmi. Në përmbledhje të fakteve, gjykata përmend shumë “funksionarë publikë” që i shërbenin organizatës kriminale dhe thekson se prej komunikimeve të grupit krijohen dyshime se ata kanë “ndërvepruar midis tyre me qëllim ndërhyrjen në sistemin gjyqësor” në favor të bashkëpunëtorëve nën hetim apo në gjykim.

Gjetjet e këtij hetimi të Prokurorisë së Posaçme janë një tjetër tregues i infiltrimit të krimit të organizuar deri në hierarkitë më të larta të organeve ligjzbatuese. Raportet zyrtare të SPAK vënë në dukje se deri në fund të vitit 2023, rreth 70 oficerë policie ishin në hetim për përfshirje në krim të organizuar.

Kuçi është ndër të fundit e kësaj liste që u arrestua nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në një aksion kundër organizatës së Hajrullës në fillim të marsit të këtij viti, ndërsa ishte transferuar me detyrë në Kukës.

Ai akuzohet për “shpërdorim detyre” në disa episode, “trafikim të narkotikëve” dhe “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”. Kuçi ishte i vetmi anëtar i grupit që përfundoi në pranga gjatë operacionit të marsit.

Dy të akuzuarit e tjerë, Flodian Plaku (alias Mamo) dhe ish-oficeri i policies, Hamëz Demushi u njoftuan për masat e reja të sigurisë në qeli, ku ndodheshin të izoluar për krime të tjera në Shqipëri dhe në Zvicër.

Anëtarët e tjerë të grupit, Inez Hajrulla, Ervis Matodashaj, Arben Memishaj, Argest Xheza dhe Mendu Duka janë shpallur në kërkim. Ata akuzohen për vrasje, atentate dhe trafik narkotikësh nga Afrika dhe Amerika Latine drejt vendeve të veriut të Evropës.

Analiza e hollësishme e komunikimeve të Rezart Kuçit zbulon një tradhti sistematike ndaj detyrës si oficer policie. Sipas prokurorisë, Kuçi nuk ishte thjesht një përfitues pasiv, por një pjesëmarrës aktiv që informonte trafikantët dhe i udhëzonte ata se si t’i shmangen drejtësisë.

Në episodin e dekonspirimit të Flodian Plakut në tetor 2020, kur forcat e Antidrogës rrethuan banesën e këtij të fundit, Kuçi shpërfaqi rolin e tij si mbrojtës.

“Pastro shpinë… vetë mos rri atje… lër veç plakun… sa ta marrim vesh fiks,” i shkruante ai Plakut, ndërsa kolegët e tij prisnin urdhrin për ndërhyrje. Kur Plaku e pyeti nëse mund të pyeste dikë te Antidroga, Kuçi u përgjigj me një siguri që dëshmon kompromentimin e të tjerëve kolegë: “Pyes njëherë nga ne… do pyes… ja të mundohem të marr vesh sa më shpejt”.

Në biseda me bashkëpunëtorin në krim, Kuçi tallet me kolegët që ishin në detyrë, duke i ironizuar për zellin. “E kanë fry kot këta fshatarët tanë këtu”, shkruan ai, pasi më herët e kishte vënë në dijeni Plakun se do lexonte komunikimet në email të një oficeri për të kuptuar çfarë po ndodhte.

Por kjo përfshirje ishte maja e ajsbergut. Kuçi, siç del nga bisedat, u përfshi në asgjësimin e provave materiale në kohë reale. Gjatë një kontrolli në banesën e një personi në kërkim, Kuçi gjeti një telefon ku ishte e ruajtur fotografia e një gomoneje që do të përdorej për trafik.

Në vend që të referonte provën, ai njoftoi Ervis Matodashajn, një tjetër anëtar i grupit. Sapo Matodashaj i konfirmoi se mjeti ishte i “shokëve”, Kuçi përmbylli procesin: “Ok, po ja heq fotot vk”. Ky veprim, sipas prokurorisë, “cenon detyrimin ligjor për ruajtjen e provave si dhe përbën shkelje ligjore në lidhje me detyrën funksionale”.

Në vijim ai përdor aksesin që ka në sistemet e policisë për të ndihmuar grupin të mbledhë borxhet e narkotrafikut. Në vendimin e gjykatës gjendet biseda mes Kuçit dhe një kontakti të lënë pa emër, i cili i kërkoi ndihmë për të gjetur dy borxhlinj që i kishin 40 mijë euro për një dërgesë “çokollate” (hashashi). Oficeri i krimeve hyri në sistemin shtetëror TIMS dhe dërgoi jo vetëm të dhënat, por edhe fotot e tyre personale, duke i udhëzuar kriminelët.

“I gjeta lagjen… po prisni se s’kam gjet derën e saktë”, shkruan ai. Për prokurorinë, ky përdorim i aksesit zyrtar “jashtë funksionit ligjor dhe jo në funksion të detyrës… për interesa private… ka cenuar interesin publik dhe sigurinë e të dhënave”.

Edhe pse Kuçi është i vetmi oficer i arrestuar dhe nën akuzë në këtë dosje, gjykata analizon se bëhet fjalë për më shumë funksionarë publikë që sipas saj “dyshohet se janë të angazhuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në zhvillimin e aktivitetit kriminal të korrupsionit dhe në aktivitete të tjera të kundërligjshme që kryhen nga ky grup kriminal”.

Në vendim thuhet se këta persona “duke përfituar nga pozicioni dhe aksesi në informacione të siguruara për shkak të detyrës, ndihmojnë anëtarët e tjerë të grupit kriminal për zhvillimin e aktivitetit kriminal”.

Bisedat në Sky ECC tregojnë se ndërsa Rezart Kuçi ishte “mburoja” e grupit, Inez Hajrulla dhe Ervis Matodashaj ishin ‘shpata’ e kësaj organizate.

Ata organizuan dhe realizuan ekzekutimin mafioz të Gentjan Qarrit, njohur si Geçe, më 6 shkurt 2021 në Vlorë. Të dhënat e hetimit tregojnë se nuk ishte një vrasje e rastit, por një operacion i drejtuar live përmes platformës Sky ECC. Prokuroria ka dokumentuar se si javë përpara atentatit, organizatorët shfaqnin interes për rivalët e tyre: “Cipua, Doqja, Eljus dhe një Geco… e di unë”.

Veç Gentjan Qarrit (Geço) për të cilin po përgatitej atentati, shënjestra dukeshin se ishin edhe Armand Sulejmani (Çipuri), Elius Thoti dhe Fatmir Hyseni (Doqja), rivalë në sagën e përgjakshme të hakmarrjeve në Vlorë. Ndaj Sulejmanit dhe Thotit pati atentate që i lanë të plagosur. Fatmir Hyseni është i shpallur në kërkim.

Plani përfshinte vendosjen e pajisjeve GPS te makinat e kundërshtarëve dhe rekrutimin e njerëzve pranë tyre: “T’i vëmë GPS… t’mbarojmë hall të gjithë. Takoje atë që thashë se na duhet vëlla. Atë e dua për shofer, ai është pilot”.

Skenat që krijohen nga leximi i bisedave janë të ngjashme me ato të përplasjeve në filmat e organizatave mafioze italiane. Hajrulla dhe Matodashaj rezultojnë të frikësuar se rivalët po bëhen gati të sulmojnë, se kanë larguar familjet nga Vlora dhe se do bënin “dëm”.

Shpesh bisedat bëhen kontradiktore dhe është e paqartë se kush ishte shënjestra e grupit rival. Fillimisht duket sikur është Hajrulla, i cili nuk ndodhet në Shqipëri, por thotë se do të kthehet të marrë situatën në dorë, ndërsa Matodashaj e kundërshton si veprim që e vendoste në rrezik.

Në një moment të dytë, është Hajrulla që qetëson Matodashajn duke i kërkuar të mos përfshihet vetë dhe të mos dalë nga shtëpia. Bisedat në Sky ECC tregojnë se organizata po përgatitej për përplasje dhe një pjesë e saj ishte e fshehur e në pritje, derisa viktima bëri lëvizjen e gabuar.

Më 4 shkurt 2021, një tentativë e parë dështoi për shkak të një defekti teknik në armë. Inez Hajrulla i shkruante i tensionuar Matodashajt: “I ka ngecur, do i ketë ngecë vëlla, s’kanë bërë gjë akoma”. Dy ditë më vonë, asgjë nuk u la në dorë të rastësisë. Ndërsa qitësit qëllonin mbi 20 herë mbi Gentjan Qarrin, Hajrulla dhe Matodashaj monitoronin lëvizjet e policisë përmes radiove operative. “Mbaroi vëlla te rapi, mbaj radion, ndihmo ata”. Kur ambulanca mbërriti, Matodashaj raportoi: “Ka vdekur, tani sa vdiq”.

Sapo konfirmohet vdekja e objektivit, Hajrulla feston në chat: “Epo hajde t’puth”. Për të vulosur operacionin, Matodashaj i dërgon kodin famëkeq “-1” një bashkëpunëtori tjetër, të shoqëruar me fotografinë e lajmit televiziv: “Atentat në Vlorë. Ekzekutohet Gentjan Qarri”.

Sipas prokurorisë, ky dërgim i mesazhit pas vrasjes “është një lloj kodi si sinjal për eliminimin e objektivit, për të cilin e kishte njoftuar më herët”. Ky episod provon se organizatorët monitoruan dhe festuan eliminimin fizik të kundërshtarit si një fitore biznesi.

Pas atentatit, policia është në kërkim të Matodashajt dhe Hajrullas si të dyshuar. Por çështja i bie në dorë Kuçit dhe ky i fundit lajmëron menjëherë grupin, madje edhe i mëson si të sillen kur të kenë kontakt me policinë.

“Rri serioz kur të vij unë. Ka dhënë urdhër i madhi. Mos e ça k… se e kam unë situatën në dorë”, i shkroi ai Matodashajt.

Sindikata transnacionale e trafikut

Përtej atentateve lokale, kjo organizatë operonte sipas Prokurorisë si një sindikatë transnacionale me fuqi financiare dhe shtrirje gjeografike që sfidonte hapur autoritetet shtetërore.

Në total, hetimi dokumenton një qarkullim prej rreth 1.3 tonë kokainë dhe rreth 26 milionë euro të tentuara apo të realizuara për tregjet e Gjermanisë, Belgjikës, Holandës, Greqisë e Italisë. Rreth 800 kg marijuanë u janë sekuestruar në Maqedoninë e Veriut dhe Turqi, ndërkohë që grupi kishte edhe një projekt aktiv për trafikimin e mbi 4 tonëve hashash (çokollatë) nga Maroku drejt Spanjës përmes gomoneve të modifikuara.

Kjo makineri narkotikësh prodhonte një fluks monetar që, sipas llogaritjeve të bazuara në vlerën e tregut, i kalon 30 milionë eurot për një periudhë gati dyvjeçare që mbulohet nga hetimet, ku qindra mijëra euro shpenzoheshin vetëm për logjistikë, pajisje dhe ryshfete.

Dosja evidenton dërgesa të gatshme “cash” prej mbi 310 mijë eurosh drejt Shqipërisë, pagesa paradhënie për kartelet ekuadoriane prej 195 mijë dollarësh dhe kosto të larta për motorë e infrastrukturë që kapnin shifrën e 60 mijë eurove në një blerje të vetme. Në këtë kontekst, ryshfeti prej 1,200 eurosh për pajisjen Sky ECC të oficerit Rezart Kuçi konsiderohej nga grupi si një “shpenzim mirëmbajtjeje” i papërfillshëm për sigurinë e një rrjeti që lëvizte miliona.

Episodi më spektakolar i trafikut, i dokumentuar në hetimet e SPAK, lidhet me tentativën e Flodian Plakut dhe Mendu Dukës për të sjellë kokainë direkt nga Ekuadori drejt Hamburgut. Prokuroria ka dokumentuar se si më 14 dhjetor 2020, grupi kreu pagesën prej 195,000 dollarësh me destinacion Guajakilin, si paradhënie për mallin. Plani përfshinte një koordinim kirurgjikal me “planerin” në portin e Hamburgut, personin e ngarkuar për të nxjerrë drogën nga porti. Prokuroria shënon në aktet e saj: “Nga analiza e komunikimeve dhe elementëve logjistikë rezulton se veprimet kanë kaluar fazën e përgatitjes së thjeshtë, duke hyrë në fazën e tentativës për realizimin e veprës penale, ku ndarja e roleve ishte e prerë dhe koordinimi transnacional i plotë.”

Megjithatë, ky operacion transoqeanik dështoi në momentin e fundit.

Kur Plaku hyri në terminalin CTA në Hamburg në mesnatë për të zbrazur kontejnerin HLBU 2710351, gjeti një surprizë të hidhur. Audio-mesazhet e tij dëshmojnë panikun: “O vëlla sikur nuk ka asgjë. Është ndërruar çelësi, ka qenë i verdhë ai i joni, ky është çelës jeshil”.

Prokuroria sqaron se bëhej fjalë për 750 kilogramë kokainë të bllokuar nga dogana holandeze gjatë tranzitit në portin e Roterdamit.

Në një tjetër linjë, Hamëz Demushi menaxhonte trafiqet në Ballkan me një tolerancë tronditëse ndaj humbjeve. Kur në Maqedoninë e Veriut iu sekuestruan 542 kilogramë marijuanë, Demushi ironizonte në chat faturën financiare.

“Si erdhi puna 500 mijë eu në punë… e po marrim me fajde me Bentli e G Class. Nuk është gjynah, me na vra. Hahahahhah. Ne humbëm një kamion”.

Ky dëshpërim i shoqëruar me humor tregon volume të paimagjinueshme parash, ku humbja e gjysmë toni droge konsiderohej thjesht një “aksident pune”.

Veprimtaria e këtij grupi sipas prokurorisë dëshmon një rrezikshmëri ekstreme shoqërore, pasi ata zotëronin burime financiare dhe njerëzore për të përballuar humbje të mëdha.

Në një episod tjetër të hetuar nga prokuroria, Argest Xheza, i cili identifikohet si njeriu i logjistikës së mauneve dhe “cash”-it, koordinonte dërgesat drejt Italisë e Greqisë.

Më 21 janar 2021, një bisedë zbulon numërimin e mbi 310 mijë eurove të thata që ktheheshin në Shqipëri.

“310,930 vëlla ishin, u numëruan n’prani të atij që i solli, të mbyllura ishin,” thotë Xheza, ndërsa jep sqarime se paratë u numëruan “me makinë në exchange”./BIRN

Sondazh

Poll
Aktualitet 19 Prill 2026, 22:23 D.S

Hëna është afër, ëndrra shumë larg

Mirëmbrëma, Unë jam Mimoza Hafizi, dhe profesioni im janë yjet, janë planetet, është Gjithësia. Të ngre sytë...

Nesër protestë para Kuvendit! Paralajmëron protestuesi: Më 23 tubimi i madh

Nesër protestë para Kuvendit! Paralajmëron protestuesi: Më 23 tubimi i madh

Protestuesi: Nuk ndalojmë deri në largimin e atij që është strukur në Kryeministri

Nis marshimi drejt Kryeministrisë, protestuesit bëjnë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit

Dita e 50-të e protestës/ Nis grumbullimi në sheshin "Skëndërbej"

Kryeministri Rama kryen nderimet në homazhet për gazetarin Enrik Mehmeti

Emigrantët bllokohen në pikën kufitare mes Kroacisë dhe Serbisë, kërkojnë informacion

Pesë turistë gjermanë mbetën të bllokuar në Karaburun, ekipet e shpëtimit bënë të mundur gjetjen

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Fëmijët e birësuar të Brad Pitt nisin procedurat për të mos mbajtur mbiemrin e të atit

Ish-drejtoresha e filialit të Postës së Durrësit u la në burg/ Avokati: Vendim absurd

Kuvendi Kombëtar i Protestës/ Folëses i merret mikrofoni nga dora: Edi Rama të japë dorëheqjen

Tentoi te merrte pjesë në Kuvendin Kombëtar të protestës/Selami Jenisherin nxirret jashtë

Berisha: Do bëjmë gjithçka për të paraqitur realitetin shqiptar pranë Komisionit Evropian

Falja e pronave publike në Dhërmi e Palasë/ Berisha: PD nuk do i njohë kurrë këto vendime të Ramës

Berisha: Rama nuk e dënon ministren monstër të Beogradit sepse është vasal i Vuçiçit

Berisha: Ftoj çdo demokrat që të marrë pjesë në protestë dhe të bëjë gjithçka për suksesin e saj

Berisha: Ky është procesi më i thellë i ripërtëritjes së PD që nga themelimi i saj!

“Neomalsorja” i bashkohet protestës së 49-të para Kryeministrisë: Rezistenca e qytetarëve nuk ndalet

Regjisori krijues i Star Wars mbështet Inteligjencën Artificiale

Rama: Deri në 1 mld euro mbështetje për bizneset, kredi deri në 2 milionë euro me interesa të ulëta

Rama i kthehet biznesmenit: Në Shqipëri ka para të pista, por s'mund t'i veshim këtë kostum vendit

Rama i përgjigjet komentuesve: Ka qeveri që bëjnë punë të mira, ka që bëjnë të këqija

Dyfisho sipërmarrjen tënde/ Rama: Cikël takimesh me bizneset e interesuara

Moment paniku në Theth! Guri bie mbi makinë, turistët shpëtojnë pa lëndime

Përfaqësuesi i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve:Dua të përcjell mbështetjen e profesoratit

Plagosja me thikë te Poliklinika e Shkodrës, dalin pamjet e rënda!

Si po ecën marrëdhënia mes Ariana Grande dhe ish të dashurit të saj pas ndarjes me Ethan Slater?

Nuk më pëlqen ta ekspozoj jetën time, Benny Blanco rrëfen si po mësohet me jetën e Selena Gomez

Edi Rama përmend vrasjen e Martin Canit: E kujtoj çdo ditë, ata që e përdorën për politikë e harruan

Rama: Kemi hyrë në zemër të problemit, djegia e makinës pas krimit nuk mund të ndodh më

Kush është modelja që u bë virale për ngjashmërinë me futbollistin Erling Haaland?

Kujtimet tona do të jetojnë gjithmonë, mesazhi i Donatella Versace për të vëllain Gianni Versace

Berisha: Dënoj heshtjen prej vasali të qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së ministres së Vuçiçit

Berisha: Drejtimi i PD është ripërtërirë me personalitete ndër më të shquarit në fushat e tyre

Berisha uron drejtuesit e rinj të PD: Vota e lirë në themel të kësaj force politike

Çfarë detajesh tërhoqën vëmëndjen në festimet e ditëlindjes së Jennifer Lopez në Paris?

Salla: Fermeri do ta shohë prodhimin edhe si aset për financim

Përplasje e ashpër në Kuvend/ Bido: Populizëm që dëmton Kosovën

Tentoi të transportonte pistoleta! Kapet në tunelin e Skërficës, 31-vjeçari

Ndryshimet në "Ligjin për Turizmin", Balla: Pezullohen punimet në bregdet gjatë sezonit turistik

Balla mbron Ramën nga Redi Muçi: Lani gojën kur t'i përmendni emrin

Deklarata diskriminuese e ministres serbe/ Muçi akuzon Ramën për heshtje: Çfarë pret kryeministri?

Spiropali dërgon në Asamblenë e PS mocionin për hapjen e partisë

Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, ‘blindohet’ me autobotë uji dhe forca të shumta policore

Ilirjana Kuçana akuzon lidershipin për shkelje të Statutit dhe "Mulizim" të partisë

Protestuesja: Shqipëria nuk e përmban dot një koncert si të Kanye West, vendi ynë ka marrë fund

Thirrjet për Ramën, protestuesi: Traumë për fëmijët të thonë Rama jep dorëheqjen

Dita 46-të e protestës/ Protestuesi: Sali Berisha dhe Edi Rama të thyejnë qafën

Protesta qytetare bën bashkë shqipëtarë nga çdo krahinë, valëviten flamujt nga diaspora

Protesta e 46-të/ Mbyllen fjalimet para Kryeministrisë, nis marshimi rrugëve të Tiranës