LIVE UPDATES
Aktualitet

REL: Mediat serbe në Kosovë "në shënjestër" të një portali nga Serbia

Portali i sapokrijuar, Srpski Glas, publikoi më 27 mars lajmin se po nis një seri publikimesh, ku do të veçojë mediat “që e paraqesin një pjesë të territorit të Republikës së Serbisë, krahinën autonome të Kosovës dhe Metohisë, si shtet të pavarur".

2 Prill 2025, 18:07 Nga N.F
REL: Mediat serbe në Kosovë "në shënjestër"
Foto ilustruese

KOSOVË- “Të qenët në shënjestër është çmimi i profesionalizmit, por asgjë nuk do të na lëkundë”. Kështu e komenton Darko Dimitrijeviq, kryeredaktor në Radio Gorazhdevac – media në gjuhën serbe që vepron në Gorazhdec të Pejës – pretendimin e portalit serb Srpski Glas (Zëri Serb) se media që ai drejton “punon në favor të Kosovës së pavarur”.

“Ne përpiqemi të punojmë brenda standardeve profesionale. Tregimet dhe rezultatet tona në 25 vjetët e fundit flasin për këtë”, thotë Dimitrijeviq për Radion Evropa e Lirë (REL).

Portali i sapokrijuar, Srpski Glas, publikoi më 27 mars lajmin se po nis një seri publikimesh, ku do të veçojë mediat “që e paraqesin një pjesë të territorit të Republikës së Serbisë, krahinën autonome të Kosovës dhe Metohisë, si shtet të pavarur".

“Radio Gorazhdevac përdor terma si ‘presidenti i Kosovës’, ‘kryetari i Kosovës’”

Lajmi i parë i tillë kishte të bënte pikërisht me Radion Gorazhdevac.

“Një nga këto media është Radio Gorazhdevac, e cila, përmes portalit të saj gorazdevac.com, çdo ditë publikon lajme, ku përdor terma si ‘presidenti i Kosovës’, ‘kryetari i Kosovës’, ‘kryeministri i Kosovës’, e të tjerë, duke i dhënë kështu legjitimitet të plotë separatistëve shqiptarë dhe të ashtuquajturit shtet i rremë ‘Kosovë’”, shkruhet në lajmin e Srpski Glas-it, i cili përfundon me thirrjen për bojkotimin e kësaj radioje, sepse gjoja “promovon Kosovën e pavarur”.

Dimitrijeviq thotë se rastin e ka raportuar në Departamentin për Krimin e Teknologjisë së Lartë në Serbi, duke shtuar se vënia në shënjestër e mediave rrezikon sigurinë e gazetarëve. Për publikimin e Srpski Glas-it kanë reaguar shoqatat e gazetarëve, si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi. Radio Gorazhdevac filloi transmetimin në tetor të vitit 1999. Sot, përveç radios, ka edhe portal dhe prodhim televiziv.

Në faqen e saj të internetit ka një impressum të qartë dhe një mision të specifikuar për të promovuar lirinë e mediave, për të informuar komunitetin serb dhe komunitetet e tjera pakicë në Kosovë, me fokus në rajonin e Pejës, si dhe për të promovuar respektimin e të drejtave të njeriut dhe të drejtave qytetare, ndërkulturalizmin dhe bashkëjetesën. Kryeredaktori Darko Dimitrijeviq thotë se Radio Gorazhdevac edhe më parë është përballur me kërcënime dhe me presione, për shkak të qëndrimit kritik dhe politikës së pavarur redaksionale.

Çfarë dihet për Srpski Glas-in?

Domeni srpskiglas.rs është regjistruar më 7 janar 2025 nga një person fizik, sipas të dhënave që mund të gjenden në faqen e Regjistrit të Domenëve Kombëtarë të Internetit në Serbi. Domeni është regjistruar nga kompania ndërkombëtare Superhosting, që operon në Serbi që nga viti 2019.

Aktualisht nuk dihet saktësisht se kush qëndron pas këtij portali. Deri më 2 prill, ai nuk kishte impressum të publikuar – apo të dhënat e detyrueshme me ligj për kryeredaktorin, adresën, numrin e regjistrimit, e të tjera.

E vetmja gjë në përshkrimin e portalit është se politika e tij redaksionale është “e pavarur, çka mundëson raportim të vërtetë dhe të saktë”. Ky portal njoftoi më 28 mars, në faqen e tij në rrjetin social Facebook, se Srpski Glas është në proces të regjistrimit dhe se do të nisë paditë dhe procedurat ligjore kundër Radios Gorazhdevac, të cilin e akuzon se, përmes “shumë shoqatave dhe portaleve antiserbe, ka nisur një fushatë kundër Srpski Glas-it”.

Në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Serbi, deri më 2 prill, Srpski Glas nuk ishte regjistruar si media, siç parashihet me Ligjin për Informimin Publik. Në faqen e vet në Facebook, Srpski Glas ka përsëritur se do ta informojë publikun për mediat që në punën e tyre “shkelin ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Serbisë, dhe nuk mbajnë asnjë përgjegjësi për këtë”, si dhe që do të kërkojë nga “organet kompetente që të reagojnë”.

REL-i i është drejtuar Srpski Glas-it përmes adresës së email-it, të publikuar në portal, duke kërkuar sqarime nëse është i regjistruar si media në Serbi, se pse nuk ka impressum të publikuar, si financohet, dhe cili është misioni i tij.

Megjithatë, deri në publikimin e këtij teksti, nuk ka marrë përgjigje. Srpski Glas nuk ka dhënë as sqarime se si konkretisht përdorimi i termave, si “presidenti i Kosovës”, “kryeministri i Kosovës” e të tjerë, nga Radio Gorazhdevac nënkupton përkrahje për Kosovën e pavarur.

Faqja në Facebook e ndërroi emrin 12 herë

Në faqen e tij në Facebook mund të shihet se ky portal është aktiv edhe në Instagram, në platformën X (ish-Twitter), në TikTok dhe në Telegram. Sipas të dhënave të transparencës në Facebook, faqja e Srpski Glas-it është krijuar më 3 shtator 2020. Që atëherë, emri i faqes është ndryshuar 12 herë. Të dhënat tregojnë, gjithashtu, se faqja menaxhohet nga Gjermania dhe Serbia.

Fillimisht, faqja quhej Nacionalni, pastaj më 2021 u bë Glas Srba, e më pas Srpski Glas. Në vitin 2022 u bë Identitet.rs, më vonë Glas Rusije, e pastaj Nacionalni.rs, dhe më 2023 përsëri Srpski Glas. Kanali i Srpski Glas-it në Telegram u krijua në gushtin e vitit 2022, ka 2.127 anëtarë, ndërsa postimi i parë i dukshëm çon te faqja Nacionalni, e cila është mbyllur. Në kanalin në Telegram shfaqen postime proruse, anti-BE, anti-NATO, si dhe narrativin që Kosova është pjesë përbërëse e Serbisë. Aty publikohen rregullisht edhe informacione për protestat aktuale në Serbi.

Përmbajtje të ngjashme mund të shihen edhe në llogarinë e Srpski Glas-it në Instagram, e cila është krijuar më 2022 dhe menaxhohet Gjermania. Deri më tani, emri i llogarisë është ndryshuar dy herë.

Llogaria në platformën X u krijua, po ashtu, në vitin 2022 dhe menaxhohet nga Serbia, me përmbajtje të ngjashme me atë në Telegram dhe në Instagram. Postimi i parë në TikTok u bë në 24 nëntorin e vitit të kaluar, dhe shumica e përmbajtjes lidhet me protestat aktuale në Serbi.

Nga analiza e rrjeteve sociale shihet lidhja e Srpski Glas-it me ueb-faqe si identitet[.]rs, srpskagazeta[.]wordpress[.]com, srpskiglas[.]wordpress[.]com, dhe me ueb-faqen e mbyllur nacionalni[.]rs. Asnjë prej këtyre ueb-faqeve nuk ka lejuar publikimin e të dhënave për pronarët e domeneve.

Dimitrijeviq shpreson në hetim

Kryeredaktori i Radios Gorazhdevac, Dimitrijeviq, thotë për REL-in se ka njoftuar Departamentin për Krimin e Teknologjisë së Lartë, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Brendshme të Serbisë, se është vënë në shënjestër, dhe se shpreson që do të hetohen arsyet kryesore të “një veprimi të tillë”.

Rasti, sipas Dimitrijeviqit, është raportuar edhe te shoqatat profesionale në Kosovë dhe në Serbi, si dhe te Këshilli i Shtypit në Serbi, për shkak të dyshimeve se Srpski Glas mund të jetë i lidhur me autoritetet në Serbi. Dimitrijeviq thekson, po ashtu, se vënia në shënjestër e mediave e rrezikon sigurinë e vet gazetarëve.

“Pavarësisht nëse bëhet fjalë për kërcënime nga Prishtina apo nga Beogradi, si këto të fundit nga Srpski Glas, nuk është një gjë naive. Këto janë gjëra që gazetarët duhet t’i raportojnë, ne kemi pasur përvoja të ngjashme në dekadat e fundit. Do të shohim nëse autoritetet do t’i zgjidhin rastet e tilla”, thotë Dimitrijeviq.

Frikën për vënie në shënjestër e shpreh edhe Danijella Tomasheviq, gazetare në radion lokale në gjuhën serbe Kontakt Plus, nga Mitrovica e Veriut. Ajo shton se është shumë e rrezikshme kur gazetarët etiketohen si “tradhtarë” apo “bashkëpunëtorë të separatistëve”, dhe se një gjë e tillë nuk është vetëm sulm ndaj punës së tyre profesionale, por edhe ndaj sigurisë së tyre personale.

Ajo konsideron se përdorimi i terminologjisë legjitime në raportimin e përditshëm të mediave lokale në gjuhën serbe nuk duhet të jetë pjesë e “përplasjeve politike apo përpjekjeve për diskreditim të gazetarëve”.

“Këto sulme – unë i konsideroj sulme – krijojnë një atmosferë frike, çojnë në censurë dhe në autocensurë, dhe qëllimi përfundimtar është të mbytet liria e fjalës dhe e drejta e qytetarëve për informacione të sakta dhe të besueshme”, thotë Tomasheviq për REL-in.

Ajo thekson se mediat lokale që raportojnë në gjuhën serbe në Kosovë janë “thelbësore kur bëhet fjalë për informim gjatë situatave kritike”.

“Këto janë media që ekzistojnë që nga viti 2000, që kanë qenë aty në momentet më kritike për të informuar qytetarët në kohë për ngjarjet, situatat apo vendimet që janë marrë”, vlerëson ajo.

Reagimet e shoqatave të gazetarëve

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka dënuar “fuqishëm këtë lloj targetimi dhe kërcënimet pasuese që rrezikojnë sigurinë fizike të gazetarëve të këtij mediumi”.

“Gazetarët duhet të lejohen të bëjnë punën e tyre pa pengesa dhe pa u frikësuar”, ka thënë AGK-ja.

Edhe Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë (NUNS), si dhe Asociacioni i Mediave Elektronike të Pavarura (ANEM), kanë dënuar etiketimin e mediave dhe gazetarëve si “tradhtarë” dhe “bashkëpunëtorë të separatistëve” për mënyrën se si raportojnë për realitetin politik dhe institucional në Kosovë.

Ata theksuan se portali Srpski Glas e akuzoi Radion Gorazhdevac për “tradhti ndaj shtetit dhe popullit”, dhe bëri thirrje për bojkotimin dhe ndjekjen penale të kryeredaktorit të saj, duke aluduar se ata duhet të mbajnë përgjegjësi penale kur Serbia të bëhet “shtet ligjor”.

“Kjo është një thirrje e qartë për linçim, e cila rrezikon drejtpërdrejt sigurinë e gazetarëve dhe cenon rëndë të drejtat themelore për lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias”.

Edhe Shoqata e Gazetarëve të Serbisë (UNS) kërkoi që menjëherë të ndalen akuzat e Srpski Glas-it ndaj Radios Gorazhdevac, duke theksuar se vënia e saj në shënjestër dhe “përplasja me gazetarët dhe me shtëpitë mediale është e papranueshme, pasi një etiketim i tillë mund të rrezikojë sigurinë e gazetarëve dhe punonjësve të medias”./ REL

mediat serbe në kosovë serbia

Sondazh

Poll

Nesër protestë para Kuvendit! Paralajmëron protestuesi: Më 23 tubimi i madh

Nesër protestë para Kuvendit! Paralajmëron protestuesi: Më 23 tubimi i madh

Protestuesi: Nuk ndalojmë deri në largimin e atij që është strukur në Kryeministri

Nis marshimi drejt Kryeministrisë, protestuesit bëjnë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit

Dita e 50-të e protestës/ Nis grumbullimi në sheshin "Skëndërbej"

Kryeministri Rama kryen nderimet në homazhet për gazetarin Enrik Mehmeti

Emigrantët bllokohen në pikën kufitare mes Kroacisë dhe Serbisë, kërkojnë informacion

Pesë turistë gjermanë mbetën të bllokuar në Karaburun, ekipet e shpëtimit bënë të mundur gjetjen

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Fëmijët e birësuar të Brad Pitt nisin procedurat për të mos mbajtur mbiemrin e të atit

Ish-drejtoresha e filialit të Postës së Durrësit u la në burg/ Avokati: Vendim absurd

Kuvendi Kombëtar i Protestës/ Folëses i merret mikrofoni nga dora: Edi Rama të japë dorëheqjen

Tentoi te merrte pjesë në Kuvendin Kombëtar të protestës/Selami Jenisherin nxirret jashtë

Berisha: Do bëjmë gjithçka për të paraqitur realitetin shqiptar pranë Komisionit Evropian

Falja e pronave publike në Dhërmi e Palasë/ Berisha: PD nuk do i njohë kurrë këto vendime të Ramës

Berisha: Rama nuk e dënon ministren monstër të Beogradit sepse është vasal i Vuçiçit

Berisha: Ftoj çdo demokrat që të marrë pjesë në protestë dhe të bëjë gjithçka për suksesin e saj

Berisha: Ky është procesi më i thellë i ripërtëritjes së PD që nga themelimi i saj!

“Neomalsorja” i bashkohet protestës së 49-të para Kryeministrisë: Rezistenca e qytetarëve nuk ndalet

Regjisori krijues i Star Wars mbështet Inteligjencën Artificiale

Rama: Deri në 1 mld euro mbështetje për bizneset, kredi deri në 2 milionë euro me interesa të ulëta

Rama i kthehet biznesmenit: Në Shqipëri ka para të pista, por s'mund t'i veshim këtë kostum vendit

Rama i përgjigjet komentuesve: Ka qeveri që bëjnë punë të mira, ka që bëjnë të këqija

Dyfisho sipërmarrjen tënde/ Rama: Cikël takimesh me bizneset e interesuara

Moment paniku në Theth! Guri bie mbi makinë, turistët shpëtojnë pa lëndime

Përfaqësuesi i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve:Dua të përcjell mbështetjen e profesoratit

Plagosja me thikë te Poliklinika e Shkodrës, dalin pamjet e rënda!

Si po ecën marrëdhënia mes Ariana Grande dhe ish të dashurit të saj pas ndarjes me Ethan Slater?

Nuk më pëlqen ta ekspozoj jetën time, Benny Blanco rrëfen si po mësohet me jetën e Selena Gomez

Edi Rama përmend vrasjen e Martin Canit: E kujtoj çdo ditë, ata që e përdorën për politikë e harruan

Rama: Kemi hyrë në zemër të problemit, djegia e makinës pas krimit nuk mund të ndodh më

Kush është modelja që u bë virale për ngjashmërinë me futbollistin Erling Haaland?

Kujtimet tona do të jetojnë gjithmonë, mesazhi i Donatella Versace për të vëllain Gianni Versace

Berisha: Dënoj heshtjen prej vasali të qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së ministres së Vuçiçit

Berisha: Drejtimi i PD është ripërtërirë me personalitete ndër më të shquarit në fushat e tyre

Berisha uron drejtuesit e rinj të PD: Vota e lirë në themel të kësaj force politike

Çfarë detajesh tërhoqën vëmëndjen në festimet e ditëlindjes së Jennifer Lopez në Paris?

Salla: Fermeri do ta shohë prodhimin edhe si aset për financim

Përplasje e ashpër në Kuvend/ Bido: Populizëm që dëmton Kosovën

Tentoi të transportonte pistoleta! Kapet në tunelin e Skërficës, 31-vjeçari

Ndryshimet në "Ligjin për Turizmin", Balla: Pezullohen punimet në bregdet gjatë sezonit turistik

Balla mbron Ramën nga Redi Muçi: Lani gojën kur t'i përmendni emrin

Deklarata diskriminuese e ministres serbe/ Muçi akuzon Ramën për heshtje: Çfarë pret kryeministri?

Spiropali dërgon në Asamblenë e PS mocionin për hapjen e partisë

Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, ‘blindohet’ me autobotë uji dhe forca të shumta policore

Ilirjana Kuçana akuzon lidershipin për shkelje të Statutit dhe "Mulizim" të partisë

Protestuesja: Shqipëria nuk e përmban dot një koncert si të Kanye West, vendi ynë ka marrë fund

Thirrjet për Ramën, protestuesi: Traumë për fëmijët të thonë Rama jep dorëheqjen

Dita 46-të e protestës/ Protestuesi: Sali Berisha dhe Edi Rama të thyejnë qafën

Protesta qytetare bën bashkë shqipëtarë nga çdo krahinë, valëviten flamujt nga diaspora

Protesta e 46-të/ Mbyllen fjalimet para Kryeministrisë, nis marshimi rrugëve të Tiranës