LIVE UPDATES
Editorial

Berisha, zoti i pavdekshëm i gjurulldisë

12 Dhjetor 2021, 06:50 Nga DOSJA
Berisha, zoti i pavdekshëm i gjurulldisë

Nga Arlind Qori

Sali Berisha nuk vdiska kurrë. Për herë të parë emrin e tij e kam dëgjuar kur isha 9 vjeç, dikur nga janar-shkurti i 1991, kur një fqinj u thoshte prindërve të mi se, pas diçkaje që kishte thënë publikisht, atëbotë Berisha kishte marrë fund. Në fakt ngadhënjeu politikisht më 1992. Pavarësisht se për pesë vite çoi për skrap pjesën më të madhe të ekonomisë shqiptare, udhëhoqi me dorë të hekurt duke mos ua kursyer burgun dhe dajakun kundërshtarëve të vet, bekoi plaçkitjen e qindra mijëra vetëve në firmat piramidale dhe i bashkëvuri zjarrin vendit më 1997, Sali Berisha mbijetoi.

Madje u kthye në pushtet më 2005, duke e nisur atje ku e kishte lënë: privatizime, korrupsion, personalizim i shtetit, plojë grabitqare si Gërdeci dhe pushkatim politik më 21 janar. Më 2013 u duk se më në fund perëndoi, duke i lënë vendin në krye të qeverisë një grabitqari edhe më të madh dhe në krye të PD një leshkoje proverbial. E prapëseprapë hija e tij ndihej në korridoret e PD dhe gjallonte botën virtuale. Sot, kur pas shpalljes non grata nga Departamenti i Shtetit i SHBA shumëkush mendoi se më në fund mori tamam fund, ai po tregon se jo vetëm që s’ka vdekur politikisht, por është i gatshëm të përdorë masën e gjerë të mbështetësve brenda PD për ta shndërruar këtë të fundit në njëfarë Stalingradi politik të interesave të veta dhe aspiratave të përkrahësve të tij jo të paktë.

Sali Berisha nuk ka dalë rastësisht në sipërfaqen politike shqiptare. Ai është produkt natyral i historisë kontradiktore të një shoqërie periferike – si në rrjedhat e përgjithshme të modernitetit, ashtu edhe në specifikën kapitaliste të saj. Prapambetja historike e vendit tonë si në forcat produktive, ashtu edhe në marrëdhëniet shoqërore shpjegon edhe brutalitetin e stalinizmit shqiptar, edhe duhmën e lumpenkapitalizmit të këtyre dekadave. Në vende periferike kapitalizmi nuk sjell zhvillim ekonomik së bashku me shfrytëzimin, por një kombinim të nënzhvillimit (bujqësi e prapambetur, papunësi e lartë, produktivitet i ulët i punës, nënshtrimi formal i punës ndaj kapitalit etj.) dhe keqzhvillimit (mbizotërim i tregtisë, spekulimit dhe ekonomisë kriminale). Këta janë faktorët strukturorë të një oligarkie, e cila për burim kryesor të fitimit nuk ka shfrytëzimin e punës, por akumulimin përmes zhvatjes, shpronësimit, trafiqeve dhe ortakërisë korruptive me shtetin.

Në të tilla kushte në Shqipëri ka shumë shfrytëzim, por pak proletarë, shumë të papunë, të nënpunësuar, të keqpunësuar, të vetëpunësuar – njerëz që nëpërkëmben, shfrytëzohen e vetëshfrytëzohen në vende pune modeste për nga kapaciteti ekonomik dhe numri i punëtorëve. Me shkatërrimin e strukturave të fundit të industrializimit të dikurshëm (përpunim nafte, miniera etj.), klasa punëtore industriale gjendet e kufizuar në sektorin fason, ndërtim dhe industrinë ushqimore – shumë e vogël në numër e fuqi krahasuar me simotrat e veta në vendet e zhvilluara.

Në këtë kontekst ekonomikisht të prapambetur, në sferën politike e ideologjike bashkëjetojnë forma tejet kontradiktore të vetëdijes dhe angazhimit politik. Një strukturë ekonomike e palidhur organikisht – ku ishujt e modernitetit rrethohen nga deti i marrëdhënieve ekonomike arkaike e gjysmëmoderne – përfton në polin e epërm një lumpenborgjezi (oligarkët) gjithnjë e më të vetëdijshme për forcën e vet, ndërsa poshtë një masë të gjerë të pakënaquarish me pak diferencime klasore. Këta të fundit jetojnë ku më shumë e ku më pak në varfëri dhe ndajnë me njëri-tjetrin mllefin ndaj gjendjes aktuale pa u dakordësuar për pothuajse asgjë për sa i përket alternativës shoqërore dhe rrugës drejt saj. Është kjo njëtrajtësi dhe çarje njëkohësisht që ka prodhuar në këta 30 vjet Sali Berishën.

Sali Berisha është simptoma më e njëmendtë e kësaj gjendjeje, udhëheqës dhe elektrizues i pashoq turmash, farkëtues i identitetesh politike fluide dhe iluzionist që arrin të pajtojë kontradikta në dukje të pakapërcyeshme. Ai ka arritur të jetë udhëheqësi dhe modeli i njeriut të nëpërkëmbur të turmës, tek i cili mungesa e një alternative politike emancipuese në raport me burokracinë e djeshme staliniste dhe oligarkinë e sotme ka përftuar një kombinim të mllefit e mesianizmit. Te Sali Berisha e gjejnë veten edhe plebeu permanent që s’gjen punë ose punon me copa, dyqanxhiu i mbytur nga taksat e shtetit dhe konkurrenca shfarosëse e qendrave tregtare, i përçmuari për shkak të origjinës e arsimit të pamjaftueshëm, por edhe delinkuenti, oportunisti që ka humbur luftën me të tjerët si vetja, biznesmeni i madh, oligarku e aspirant-oligarku që shpresojnë të mposhtin njëri-tjetrin.

Më paradoksalisht, ai është emri që pajton pronarin e vjetër dhe pronarin e ri të të njëjtit truall, tironsin që ankohet për të ardhurit “zaptues” dhe banorin e periferisë që reagon plot mllef ndaj damkosjes shoqërore, dyqanxhiun dhe grosistin, ish-komunistin e rënë nga fiku gjatë viteve të socializmit dhe kolaboracionistin e viteve të Luftës, mjekun që udhëzon vaksinimin masiv dhe të fandaksurit antivaksinë, skilen dhe fanatikun, katoliko-centrikun dhe islamistin. Ideologjikisht ai mban fjalime si Fidel Kastroja duke folur në emër të Amerikës së vërtetë, antiimperialist dhe shërbëtor kokulur i imperializmit në të njëjtin fjalim, iu bie kambanave të “rrezikut” LGBT-ist dhe të ketë qenë propozuesi i parë i ligjërimit të martesave të njerëzve të të njëjtit seks. Gjithçka në emër të mllefit të grupeve shoqërore nga më të larmishmet dhe kontradiktoret, por që i bashkon një iluzion masiv: një kapitalizëm popullor ku të gjithë jemi pronarë të vegjël ose vjedhim nga pak shtetin (njëri-tjetrin?!), ndërkohë që pak të tjerë marrin pjesën e luanit. Me një fjalë, një Lui Bonapart i cili fut në thesin e unitetit patate shoqërore nga më të ndryshmet.

Në këtë suazë duhet kuptuar edhe suksesi i Foltores së muajve të fundit. Kush e kundërshton atë nga pozitat e institucionalizimit, koherencës logjike apo arsyes së kulluar është diletant intelektualisht. Fuqia e Sali Berishës nuk ka qenë ndonjëherë e vërteta, por aftësia për të bërë bashkë të pabashkueshmen, për të qenë zëri i çjerrë i atyre që nuk dëgjohen, për t’u krijuar të tradhtuarve iluzionin e përfaqësimit, për t’u viktimizuar dhe qenë agresiv në të njëjtën kohë. Sot më shumë se kurrë ai është fund e krye burimi i të vërtetës së mbështetësve të tij të shumtë. Ata fyhen kur ai sulmohet, ata vuajnë kur ai mposhtet, ata preken kur ai përçmohet – sepse në imagjinatën e tyre ai mbetet djali me valixhe druri nga një fshat i largët malor (siç e përqeshin snobat e kryeqytetit) që ia doli të triumfojë për vete (e vërteta) dhe që do të mundësojë edhe fitoren e tyre (iluzioni). Prandaj pavarësisht se ashiqare fushata e tij e fundit është fund e krye për interesa personale e familjare, kjo nuk ka kurrfarë rëndësie për mbështetësit e tij që tashmë çdo sulm e fyerje ndaj tij e konsiderojnë zhytje të gishtit në plagët e vërteta që kanë në trupat e tyre.

Sidoqoftë fuqia e mirëfilltë e Sali Berishës bazohet në kërcënimin e vazhdueshëm me gjullurdi. Jo revolucion a kryengritje – d.m.th. jo përmbysje e strukturës ekonomiko-shoqërore, as ndryshim i superstrukturës politike – por thjesht gjullurdi që kërkon ndryshimin e personelit politik përmes kërcënimit të rrëmujës. Edhe gjatë këtyre muajve, në fillim i pashpresë e me shpatulla pas murit, i etur për vëmendje publike, kur ka sulmuar mbarë e prapë kundërshtarët e tij të vërtetë dhe imagjinarë, Sali Berisha nuk ka thënë gjysmë fjale për oligarkët. Më shumë janë përmendur personazhe thuajse të panjohura të gjyqësorit sesa Samir Manja, Aleksandër Frangaj, Shefqet Kastrati, Bashkim Ulaj, Ramë Geci etj. Edhe më herët, batareja e thirrjeve dhe pushkëve të tij është drejtuar te godinat qeveritare, por asnjëherë te strukturat rrënjëthella ekonomike. Më shumë radikalitet kanë pasur protestat rinore pas vrasjes së Klodian Rashës, ku s’u kursyen as xhamat e bankave, se të gjitha gjullurditë e Sali Berishës në këta 30 vjet. Ai ka krijuar tension, entuziazëm, ndjenjë revanshi, besim në ngadhënjim, pritshmëri apokaliptike e shumëçka tjetër – pa thënë praktikisht asgjë të re a të rëndësishme, lere më radikale, për ekonominë apo ristrukturimin politik të vendit. E prapëseprapë mjeshtërisht ka arritur të krijojë idenë se do të bëjë namin.

Si zot i gjullurdisë, ai është mishërim besnik i asaj që në traditën angleze personifikohej nga Lord of Misrule (Abbot of Unreason për skocezët), një personazh grotesk që udhëhiqte karnavalet duke përmbysur simbolikisht krejt rendin politiko-shoqëror. Për Mikhail Bakhtin-in, karnavalet ishin shprehje e mllefit popullor që një ditë lejohej të shpërthente publikisht në formën e talljes dhe sfidës ndaj autoriteteve, ku të parët degdiseshin në fund dhe në krye dilnin ata që në përditshmëri ishin të fundit. “Karnavali kremton çlirimin e përkohshëm nga e vërteta mbizotëruese dhe nga rendi i vendosur: ai shënon pezullimin e çdo renditjeje hierarkike, festën e bërjes, ndryshimit dhe përtëritjes.” Po karnavalet nuk ishin vërtet të frikshme përderisa e gjithë gjullurdia e tyre dhe e zotit në krye të saj ishin të përkohshëm, me leje nga lart dhe shërbenin më tepër si valvul shkarkimi – për të rivendosur të nesërmen rendin shtypës. Megjithatë ato e kishin një funksion pasi tregonin të vërtetën e pushtetit si kaos që në ditë normale krijon iluzionin e rendit. Në këtë kuptim kaotiku Sali Berisha nuk është e kundërta e disiplinuesit Edi Rama, por e vërteta groteske e një sistemi që rreket të krijojë përshtypjen se dikush është në kontroll të gjithçkaje; dhe ja vjen një ditë ku e gjithë lapërdhia dhe kaosi i vet del në shesh përmes një karnavali politik.

Në këtë valle kontradiktash, fuqia e Sali Berishës është njëkohësisht edhe dobësia e tij. Ai mund të jetë sot në prag të transformimit përfundimtar në udhëheqësin e një lëvizjeje reaksionare (që në rastin e thellimit të krizës mund ta detyrojë borgjezinë dhe faktorin ndërkombëtar të bien në ujdi me të), duke keqdrejtuar mllefin e përligjur të mbështetësve të vet. Por pas shpërthimit momental vjen pashmangshëm steriliteti politik i frikës për t’u përballur me shkaqet dhe shkaktarët e mjerimit të një populli. Sido që të ndodhë, ai ka çimentuar tanimë pozitën e figurës më të rëndësishme historike të së djathtës shqiptare, ndonëse për ironi të fatit dhe karagjozllëk të konservatorëve të një vendi periferik, mbetet një ish-sekretar i devotshëm i partisë së Enver Hoxhës.

Kësisoj për të shpëtuar nga berishizmi – të cilin edhe pas vdekjes së tij biologjike do të vazhdojnë ta ushqejnë arkaizmi dhe kontradiktat e një shoqërie periferike – dhe nga strukturimi oligarkik i pushtetit ekonomik, që përfaqësues politik ka Edi Ramën dhe shpurën e vet, ka vetëm një rrugë, në të cilën nuk na ndihmon dot asnjë ambasadë, reformë në drejtësi apo dëngël mediatike: të organizohemi vetë rreth ideve dhe aspiratave që do të na ngrenë në këmbë dhe emancipojnë si shoqëri. Vetëm përmes angazhimit, përpjekjeve, solidaritetit, punës, studimit dhe krijimtarisë sonë do të mund ta nxjerrim Shqipërinë nga balta e nënzhvillimit dhe obskurantizmit, oligarkisë dhe gjulludisë.

Marrë nga Teza 11

Cila mendoni se është alternativa më e mirë:

View Results

editorial editorial arlind qori kuvendi i pd 11 dhjetor 2021 sali berisha arlind qori kuvendi i pd 11 dhjetor 2021 sali berisha

Sondazh

Poll
Editorial 11 Dhjetor 2021, 19:20

Agonia mbaroi

Çdo njeri ndez një dritë të vetën e cila shpalos përpara të tjerëve fuqinë dhe forcën individuale të tij. Mënyra e vetme për ta ndezur atë është nëpërmje...

Qytetarët nisen sërish drejt kryeministrisë, me flamurin kuq e zi dhe brohorima vazhdojnë protestën

Qytetarët nisen sërish drejt kryeministrisë, me flamurin kuq e zi dhe brohorima vazhdojnë protestën

Protestuesit marshojnë drejt zonës së Bllokut, qytetarët e tjerë nuk iu bashkohen #dosja #protesta

Protesta nuk ka të ndalur, qyetarët bllokojnë rrugën te Ura e Tajvanit, thirrje në kor policëve

Nga Sheshi tek Banka, qytetarët bllokojnë rrugën: Edi Rama ka mbaru

Qytetarët nuk ndalen në protestë/ Bllokojnë rrugën te selia e PS-së, ulen në gjunjë

Vazhdon protesta për Zvërnëcin/ Protestuesit ngren nga kafet qytetarët te Opera

E mbuluar me flamurin kuq e zi, e reja shfaqet me foshnjën në krah gjatë protestës

"Edi Rama jep dorëheqjen/E reja nga protesta:Ka ardhur koha të shkosh me Berishën te Veliaj dhe Meta

Qytetarët protestë në Vlorë për Zvërnecin, me pankarta në duar marshojnë drejt Sheshit të Flamurit

Dy orë protestë, bulevardi plot qytetarë ndriçohet nga blicat e telefonave: Jep dorëheqje

"Studentët të ndërrojnë qeverinë"/ I riu thirrje të forta nga protesta: Mos u largoni nga Shqipëria

Protestuesit nuk i tremb as shiu, thirrje të forta nga Kryeministria: Revolucion!

“I preve në besë banorët e Rrjollit dhe Thethit”/ Protestuesi thirrje Ramës: Malet i nxore në shitje

PAMJE PREKËSE/ Vogëlushja mes lotësh mesazh Ramës: Pelikanin kaçurrel do ta sjellim në Surrel

Qytetarët njëzëri para Kryeministrisë: Rama në burg, Berisha në Burg

Banorja e Rrjollit: Mos bini pre e provokimeve! Këtu do rrimë deri sa Rama të japë dorëheqjen

Protesta kundër projektit të Zvërnecit/ Protestesit mesazh Ivanka Trump: Mbaj duart larg Nartës

Tensionohet situata në protestë, policia nuk kursen qytetarët hedh ujë me piper me presion

Protesta për Zvërnecin, përplasje mes qytetarëve dhe policisë

Përplasjt mes qytetarëve dhe policisë në protestë, çahet kordoni

PAMJE nga tubimi i i katërt kundër projektit në Zvërnec #dosja #protesta #zvernec

Protestë në Durrës kundër projektit në Zvërnec, qytetarët mblidhen para Bashkisë

Berisha: Shteti duhej të ishte garanti në Zvërnec.Ndërtimet të bëhen në përputhje me standardet e BE

Berisha: Aeroporti i Vlorës kurrë nuk mund të ndërtohej aty

Zvërneci,Berisha:Ne mbështesim plotësisht investimin e huaj.Sazani nuk është një investim i thjeshtë

Berisha në grupin parlamentar: Pas Kuvendit Kombëtar hyjmë në një etapë të re

Berisha: Meta është një i burgosur politik, Rama po vazhdon me besnikëri rrugën e babait të vet

Burgun apo dorëheqje? Rama kapet me gazetarin: Nuk meriton përgjigje

Protestuesit kërkojnë dorëheqjen, Rama: Film i vjetër, përfaqësoj të paktën 800 mijë shqiptarë

Protesta për Zvërnecin, Rama: SPAK po mban të ngrira fondet pa i lënë të kalojë te shitësi

Rama: Të rreshtohesh me PS, do të thotë të mbështesësh Shqipërinë drejt BE

Rama: Jemi këtu për të ndërtuar Shqipërinë e së ardhmes

Rama: Bëmë ligjin për hapjen e dosjeve të komunizmit, partia jonë u përball me të keqen në opozitë

"Kryeministri gënjeu"/ Gazetarja thirrje qytetarëve: Ai që të vjedh sot, do e bëjë dhe nesër

35-vjetori i PS në Tiranë/ Rama: Arsyeja e fitores së PS është aftësia për t’u hapur!

Mbyllet protesta për Zvërnecin #dosja #protesta #zverneci

Protesta për Zvërnecin/ Qytetarja: Ne nuk e lëshojmë sheshin pa u heq gardhi në Zvërnec dhe Rrjoll

Qytetarja: Kërkojmë anulimin e ligjit për zonat e mbrojtura, nuk ka negociata

"Anulo projektin"/ Me pankarta në duar, të rinjtë 'pushtojnë' kryeministrinë: Jep dorëheqjen

"Janë provokime"/ Çfarë po ndodh para ambienteve të Kryeministrisë?

Protestuesit i përgjigjen kryeministrit Rama: Jep dorëheqje nuk ka dialog!

Qytetarët zbresin sërish në shesh, protestojnë kundër projektit në Zvërnec

Ermonela Jaho mbështet protestën për Zvërnecin, shpërndan pamjet në rrjetet sociale

Skandali me ADS/ Berisha: U ngrit pa vendim qeverie, Rama krijoi një monstër për të vjedhur

"Populli flet në ditën e zgjedhjeve"/ Kryeministri: Thirrjet 'O Rama të QR' nuk funksionojnë me mua

Projekti për Zvërnecin/ Rama për hetimet e SPAK: Investimi nuk ndalon sa kohë unë jam këtu!

Antonio Costa: Zgjerimi një domosdoshmëri gjeostrategjike për Europën

Antonio Costa: Zgjerimi një domosdoshmëri gjeostrategjike për Europën

Mesazhi i Antonio Costës: Përshpejtoni luftën kundër krimit dhe korrupsionit në vend

Grabitet me armë një bankë e nivelit të dytë në Tiranë