LIVE UPDATES
Politike

Analiza e REL: Kosova mes vetëkënaqësisë dhe rrezikut real

Marrëveshja e Brukselit u nënshkrua më 19 prill të atij viti nga kryeministrat e atëhershëm të të dyja vendeve, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç. Ajo pasoi muaj negociatash intensive, të ndërmjetësuara nga shefja e politikës së jashtme të BE-së, Catherine Ashton.

12 Prill 2026, 13:22 Nga E. D
Analiza e REL: Kosova mes vetëkënaqësisë dhe rrezikut real
Albin Kurti, dhe ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca

KOSOVË- Në vitin 2013, ndërsa Evropa shihte zgjerim dhe stabilitet, Kosova dhe Serbia nënshkruan marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve në Bruksel. Pas viteve të tensioneve dhe dhimbjes së pasluftës, fqinjët dukeshin gati për një kapitull të ri - të pazakontë për historinë e rajonit.

Marrëveshja e Brukselit u nënshkrua më 19 prill të atij viti nga kryeministrat e atëhershëm të të dyja vendeve, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç. Ajo pasoi muaj negociatash intensive, të ndërmjetësuara nga shefja e politikës së jashtme të BE-së, Catherine Ashton.

“Dua t’i përgëzoj për vendosmërinë gjatë këtyre muajve dhe për guximin që kanë treguar. Është shumë e rëndësishme që ajo që po shohim tani, është një hap larg nga e kaluara dhe për të dyja vendet, një hap më afër Evropës”, tha atëkohë Ashton.

Goxha premtuese për dy vende që anëtarësimin në Bashkimin Evropian e kanë synim strategjik të paktën në fjalë. Kjo u pasqyrua qartë edhe nga të dy kryeministrat me Thaçin që vuri theksin te potenciali i marrëveshjes.

“Kjo marrëveshje sot paraqet fillimin e një epoke të re - atë të pajtimit dhe bashkëpunimit ndërshtetëror. Kjo marrëveshje do të na ndihmojë në shërimin e plagëve të rënda të së kaluarës, nëse kemi urtësinë dhe mençurinë për ta zbatuar në praktikë”, tha Thaçi në atë kohë.

Përtej shpresës së krijuar tash e 13 vjet, zhvillimet në terren tregojnë se pjesa më e madhe e kësaj urtësie dhe mençurie mbetet për t’u dëshmuar.

Edhe pse udhëheqësit në Kosovë, Serbi dhe Bashkimin Evropian kanë ndryshuar ndër vite, përparimi në pikën kyç të marrëveshjes - krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë - ka mbetur i kufizuar.

Kjo, pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur mospërputhje me Kushtetutën në disa parime. Ndonëse ka lënë hapësirë për harmonizim, në Prishtinë ka pasur rezerva të vazhdueshme, për shkak të, siç është thënë, ndikimit të mundshëm të Asociacionit në funksionalitetin e shtetit, ndërsa Brukseli dhe Beogradi kanë këmbëngulur në themelimin e tij.

Në fund, pavarësisht dhjetëra takimeve, një draft-statuti evropian dhe një marrëveshjeje të re pas dhjetë vjetësh, procesi ka mbetur në vendnumëro.

Serbia, ka më shumë se një vit, që përballet me protesta antiqeveritare, ndërsa Kosova me përçarje politike, që për muaj të tërë e kanë lënë pa Kuvend funksional dhe me Qeveri në detyrë. Në këto rrethana ka munguar edhe kontakti i drejtpërdrejtë në nivel të lartë - një takim i tillë mes udhëheqësve të dy vendeve, Albin Kurtit në Kosovë dhe Aleksandar Vuçiqit në Serbi, nuk është zhvilluar që nga shtatori i vitit 2023.

Nga këndvështrimi i ish-diplomatit austriak, Wolfgang Petritsch, ky bllokim i procesit të Brukselit mbart pasoja më të menjëhershme për Kosovën sesa për Serbinë.

Duke folur për programin Expose të Radios Evropa e Lirë, ai vlerëson se Kosova paguan çmim në siguri, në stabilitet dhe në orientimin e saj drejt së ardhmes, derisa politikat e saj mbeten kryesisht të brendshme dhe jo të përshtatura mjaftueshëm në kontekstin më të gjerë evropian dhe gjeopolitik.

“Sa herë që jam në Prishtinë ose flas me njerëzit atje, më krijohet përshtypja se ekziston vetëm Kosova dhe asgjë tjetër. Kjo është një qasje krejtësisht e gabuar. Zoti Kurti ka cilësi të dukshme, por nëse nuk kupton se duhet të veprojë si pjesë e një ekipi - si brenda vendit, ashtu edhe në arenën evropiane - gjërat nuk do të shkojnë mirë për zhvillimin e Kosovës”, thotë Petritsch.

Radio Evropa e Lirë pyeti Qeverinë e Kosovës nëse është e hapur për një fazë të re të dialogut me Serbinë dhe për mënyrën se si planifikon ta shmangë ngecjen, por nuk mori përgjigje.

Gjatë prezantimit të kabinetit të ri qeveritar, muajin e kaluar, Kurti tha se Qeveria e tij do ta ndjekë normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë përmes një dialogu konstruktiv dhe kreativ.

“Siç kemi vepruar në katër vjetët e kaluar, normalizimi është çështje e rregullimit të marrëdhënieve mes dy shteteve, pra si raport bilateral e i jashtëm, e jo ndërhyrje apo përzierje në çështje të brendshme”, tha Kurti më 11 shkurt.

Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, përfaqësuesja amerikane deklaroi këtë javë se presidenti Donald Trump pret angazhim të qartë nga Kosova dhe Serbia për të punuar së bashku, për të ulur tensionet dhe për t’u rikthyer në një dialog real, jo vetëm deklarativ. Sipas Tammy Bruce, SHBA-ja do të punojë nga afër vetëm me liderë që “shohin nga e ardhmja, e jo kah e kaluara”.

Për Petritschin, hapi i parë duhet të vijë nga Prishtina, e cila duhet t’u ofrojë serbëve përgjegjësi konkrete kulturore, gjuhësore dhe administrative, sipas Marrëveshjes së Brukselit. Kjo do të sinjalizonte, sipas tij, një qasje të re bashkëpunuese dhe do të krijonte mundësinë për një marrëdhënie të vërtetë me përfaqësuesit serbë. Edhe nëse Serbia do ta kundërshtonte, do të dilte ajo si bllokuese e procesit.

Petritsch vë në dukje se garancitë nga Brukseli janë thelbësore në këtë drejtim.

“Ka qenë e qartë që nga fillimi se evropianët nuk do të lejojnë krijimin e një tjetër Republike Sërpska. Kemi paguar një çmim të lartë për të në Bosnje e Hercegovinë dhe nuk duam që ajo të përsëritet në Kosovë. Andaj, qartazi, bëhet fjalë për çështje kulturore, gjuhësore dhe administrative që duhet të zgjidhen”, thotë Petritsch.

Radio Evropa e Lirë pyeti Bashkimin Evropian nëse ka përpjekje për një fazë të re të dialogut, por nuk mori përgjigje. Këtë javë, por edhe muajin e kaluar, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, zhvilloi disa vizita në Kosovë dhe në Serbi, ku theksoi rëndësinë e çuarjes përpara të procesit.

Në mars, ai u prit edhe nga zyrtarë të Departamentit amerikan të Shtetit në Uashington, me të cilët tha se ka siguruar harmonizim për hapat e ardhshëm në dialog, por nuk dha më shumë detaje.

Rikard Jozwiak, redaktor për çështjet evropiane i Radios Evropa e Lirë, thotë se BE-ja po bën përpjekje aktive për një takim të ri mes Kurtit dhe Vuçiqit, i cili pritet të mbahet në fund të pranverës, por data e saktë dhe realizimi i tij do të varen nga zhvillimet në terren.

“Nuk ka pasur kurrë më shumë optimizëm për një takim mes dy liderëve që kur Kaja Kallas ka marrë detyrën si shefe e politikës së jashtme të BE-së. Kjo shihet si mundësia më e mirë në gati një vit e gjysmë që një takim i tillë të ndodhë. Kur saktësisht, nuk dihet, por shpresat janë për diku rreth majit ose qershorit”, thotë Jozwiak për Exoposenë.

Megjithatë, ai është pesimist për ndonjë përparim thelbësor apo avancim drejt anëtarësimit në BE në një të ardhme të afërt, sepse, siç thotë, udhëheqësit në Prishtinë dhe Beograd përfitojnë në politikat e brendshme duke mbajtur qëndrim më të ashpër ndaj Brukselit, dhe ata nuk presin përfitime konkrete nga BE-ja gjatë karrierave të tyre politike.

“Procesi i integrimit kërkon kohë. E shohim sa gjatë i është dashur Malit të Zi, që nuk ka probleme dypalëshe si këto dy vende. Shohim se sa e bllokuar është Maqedonia e Veriut. Shohim se sa e bllokuar është Bosnja. Ndaj, premtimi i BE-së, që ishte shumë i fortë në vitin 2013 - e madje edhe nga viti 2011 kur nisën negociatat midis Kosovës dhe Serbisë - nuk e ka më atë peshë. Sa vende janë anëtarësuar në BE që nga viti 2011? Vetëm Kroacia, e cila ishte në rrugë drejt anëtarësimit”, kujton Jozwiak.

Ai paralajmëron se kjo status quo mes Kosovës dhe Serbisë është e rrezikshme, por shton se Evropa është bërë indiferente ndaj këtij rreziku, ndërsa udhëheqësit në Prishtinë dhe në Beograd kanë mësuar të jetojnë me të, e madje edhe të përfitojnë prej tij.

Të njëjtin shqetësim ndan edhe Petritsch, por ai nënvizon rëndësinë që Kosova të veprojë me urgjencë. Në një botë gjithnjë e më të paqëndrueshme, shtetet e vogla dhe politikisht të brishta janë “të parat që bien” kur shpërthejnë kriza, thotë ai.

Me pasiguritë mbi rolin e NATO-s dhe të ardhmen e angazhimit amerikan, Petritsch paralajmëron se Kosova “nuk mund të lejojë status quo”.

Sipas tij, përparimi në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit nuk është thjesht një detaj teknik, por një kusht thelbësor për stabilizimin e vetë ekzistencës së Republikës së Kosovës.

“Kosova në vitin 1999 ishte i vetmi vend në histori që u çlirua nga një aleancë që mori armët. Dhe kjo, sipas meje, i vendos një përgjegjësi të veçantë asaj: të veprojë me maturi, të bashkëpunojë, të bëjë atë që është e nevojshme dhe të shkojë një hap më tej, për t’u bërë pjesë e familjes së shteteve evropiane”, thotë Petritsch.

Kosova, e cila ende nuk njihet nga pesë vende të Bashkimit Evropian, është vendi i vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk ka status kandidati për anëtarësim në këtë bllok.

Serbia, e cila deri vonë konsiderohej lidere në procesin e pranimit në Bruksel, nuk ka hapur asnjë kapitull negociatash që nga viti 2021, për shkak të refuzimit për t’u përshtatur me politikën e jashtme të BE-së.

Sipas Jozwiakut, i gjithë Ballkani Perëndimor zë tani një vend të ulët në agjendën e BE-së është i rëndësishëm, por dukshëm në hije nga luftërat në Ukrainë dhe në Iran... derisa ndonjë krizë serioze të mos provokojë vëmendje./REL

kosove

Sondazh

Poll

Vrasja e efektivit të Policisë në Korçë, Kuvendi nis me një minutë heshtje

Vrasja e efektivit të Policisë në Korçë, Kuvendi nis me një minutë heshtje

Vrau një efektiv dhe plagosi një tjetër, mbërrin në spital autori

Reshjet përmbytin rrugët e Shëngjinit, vështirësi në qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve

Qytetarët nisen sërish drejt kryeministrisë, me flamurin kuq e zi dhe brohorima vazhdojnë protestën

Protestuesit marshojnë drejt zonës së Bllokut, qytetarët e tjerë nuk iu bashkohen #dosja #protesta

Protesta nuk ka të ndalur, qyetarët bllokojnë rrugën te Ura e Tajvanit, thirrje në kor policëve

Nga Sheshi tek Banka, qytetarët bllokojnë rrugën: Edi Rama ka mbaru

Qytetarët nuk ndalen në protestë/ Bllokojnë rrugën te selia e PS-së, ulen në gjunjë

Vazhdon protesta për Zvërnëcin/ Protestuesit ngren nga kafet qytetarët te Opera

E mbuluar me flamurin kuq e zi, e reja shfaqet me foshnjën në krah gjatë protestës

"Edi Rama jep dorëheqjen/E reja nga protesta:Ka ardhur koha të shkosh me Berishën te Veliaj dhe Meta

Qytetarët protestë në Vlorë për Zvërnecin, me pankarta në duar marshojnë drejt Sheshit të Flamurit

Dy orë protestë, bulevardi plot qytetarë ndriçohet nga blicat e telefonave: Jep dorëheqje

"Studentët të ndërrojnë qeverinë"/ I riu thirrje të forta nga protesta: Mos u largoni nga Shqipëria

Protestuesit nuk i tremb as shiu, thirrje të forta nga Kryeministria: Revolucion!

“I preve në besë banorët e Rrjollit dhe Thethit”/ Protestuesi thirrje Ramës: Malet i nxore në shitje

PAMJE PREKËSE/ Vogëlushja mes lotësh mesazh Ramës: Pelikanin kaçurrel do ta sjellim në Surrel

Qytetarët njëzëri para Kryeministrisë: Rama në burg, Berisha në Burg

Banorja e Rrjollit: Mos bini pre e provokimeve! Këtu do rrimë deri sa Rama të japë dorëheqjen

Protesta kundër projektit të Zvërnecit/ Protestesit mesazh Ivanka Trump: Mbaj duart larg Nartës

Tensionohet situata në protestë, policia nuk kursen qytetarët hedh ujë me piper me presion

Protesta për Zvërnecin, përplasje mes qytetarëve dhe policisë

Përplasjt mes qytetarëve dhe policisë në protestë, çahet kordoni

PAMJE nga tubimi i i katërt kundër projektit në Zvërnec #dosja #protesta #zvernec

Protestë në Durrës kundër projektit në Zvërnec, qytetarët mblidhen para Bashkisë

Berisha: Shteti duhej të ishte garanti në Zvërnec.Ndërtimet të bëhen në përputhje me standardet e BE

Berisha: Aeroporti i Vlorës kurrë nuk mund të ndërtohej aty

Zvërneci,Berisha:Ne mbështesim plotësisht investimin e huaj.Sazani nuk është një investim i thjeshtë

Berisha në grupin parlamentar: Pas Kuvendit Kombëtar hyjmë në një etapë të re

Berisha: Meta është një i burgosur politik, Rama po vazhdon me besnikëri rrugën e babait të vet

Burgun apo dorëheqje? Rama kapet me gazetarin: Nuk meriton përgjigje

Protestuesit kërkojnë dorëheqjen, Rama: Film i vjetër, përfaqësoj të paktën 800 mijë shqiptarë

Protesta për Zvërnecin, Rama: SPAK po mban të ngrira fondet pa i lënë të kalojë te shitësi

Rama: Të rreshtohesh me PS, do të thotë të mbështesësh Shqipërinë drejt BE

Rama: Jemi këtu për të ndërtuar Shqipërinë e së ardhmes

Rama: Bëmë ligjin për hapjen e dosjeve të komunizmit, partia jonë u përball me të keqen në opozitë

"Kryeministri gënjeu"/ Gazetarja thirrje qytetarëve: Ai që të vjedh sot, do e bëjë dhe nesër

35-vjetori i PS në Tiranë/ Rama: Arsyeja e fitores së PS është aftësia për t’u hapur!

Mbyllet protesta për Zvërnecin #dosja #protesta #zverneci

Protesta për Zvërnecin/ Qytetarja: Ne nuk e lëshojmë sheshin pa u heq gardhi në Zvërnec dhe Rrjoll

Qytetarja: Kërkojmë anulimin e ligjit për zonat e mbrojtura, nuk ka negociata

"Anulo projektin"/ Me pankarta në duar, të rinjtë 'pushtojnë' kryeministrinë: Jep dorëheqjen

"Janë provokime"/ Çfarë po ndodh para ambienteve të Kryeministrisë?

Protestuesit i përgjigjen kryeministrit Rama: Jep dorëheqje nuk ka dialog!

Qytetarët zbresin sërish në shesh, protestojnë kundër projektit në Zvërnec

Ermonela Jaho mbështet protestën për Zvërnecin, shpërndan pamjet në rrjetet sociale

Skandali me ADS/ Berisha: U ngrit pa vendim qeverie, Rama krijoi një monstër për të vjedhur

"Populli flet në ditën e zgjedhjeve"/ Kryeministri: Thirrjet 'O Rama të QR' nuk funksionojnë me mua

Projekti për Zvërnecin/ Rama për hetimet e SPAK: Investimi nuk ndalon sa kohë unë jam këtu!

Antonio Costa: Zgjerimi një domosdoshmëri gjeostrategjike për Europën