LIVE UPDATES
Bota

Analiza e REL/ Si po përpiqet media shtetërore iraniane të ndikojë në Bosnje dhe Hercegovinë?

Ai ishte dërguar nga adresa e IRIB-it, shërbimit shtetëror mediatik të Iranit, i cili është nën sanksionet e Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kanadasë, për shkak të akuzave për përhapje të propagandës dhe shkelje të të drejtave të njeriut.

18 Mars 2026, 10:35 Nga D.S

Analiza e REL/ Si po përpiqet media shtetërore iraniane të

Shumë shpejt pasi u përhap lajmi se udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei, ishte vrarë në sulmet izraelito-amerikane ndaj Iranit, pas gati 40 vjetësh në krye të vendit, në adresat elektronike të mediave në Sarajevë mbërriti një mesazh nga Teherani.

Ai ishte dërguar nga adresa e IRIB-it, shërbimit shtetëror mediatik të Iranit, i cili është nën sanksionet e Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kanadasë, për shkak të akuzave për përhapje të propagandës dhe shkelje të të drejtave të njeriut.

Në atë email, të dërguar më 1 mars, IRIB-i ofronte edhe video-materiale nga ajo që e përshkruante si “mbledhje spontane masive e qytetarëve në pjesë të ndryshme”, pas vrasjes së Khameneit.

Një situatë e ngjashme kishte ndodhur edhe rreth një muaj më herët.

Derisa forcat qeveritare po vrisnin mijëra njerëz në qytete të Iranit, gjatë protestave kundër regjimit, IRIB Sarajeva u dërgonte mediave materiale nga tubimet proqeveritare, të organizuara si përgjigje ndaj trazirave që lidheshin me pakënaqësitë për gjendjen ekonomike në vend.

Një raport i Ministrisë së Jashtme të Iranit, dërguar më 14 janar mediave në Bosnje dhe Hercegovinë, përmbante fotografi që, siç thuhej, tregonin “veprimet e dhunshme dhe terroriste të protestuesve në periudhën nga dhjetori 2025 deri në janar 2026”.

Në raport, protestuesit krahasoheshin me militantët e grupit terrorist Shteti Islamik, ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe disa vende perëndimore paraqiteshin si nxitëse të protestave.

Sipas analizës së Radios Evropa e Lirë, njoftimet e IRIB-it nuk u transmetuan gjerësisht në platformat online të mediave në Bosnje dhe Hercegovinë.

Meisam Mirhadi, i cili prezantohet si përfaqësues i transmetuesit publik iranian, nuk pranoi t’i përgjigjej REL-it se cilave media u janë dërguar njoftime dhe materiale nga IRIB-i.

IRIB-i, përndryshe, ka pothuajse tridhjetë vjet që vepron në Bosnje dhe Hercegovinë - vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Në dhjetor të vitit 2022, Bashkimi Evropian vendosi sanksione ndaj individëve të lidhur me IRIB-in, me arsyetimin se rrjeti kufizonte rrjedhën e lirë të informacionit në Iran dhe merrte pjesë në organizimin dhe transmetimin e rrëfimeve të detyruara nga kritikët e regjimit, të cilat siguroheshin përmes frikësimit dhe dhunës.

Bosnje dhe Hercegovina, si vend kandidat për anëtarësim në BE, është e detyruar ta harmonizojë politikën e saj të jashtme me atë të BE-së.

Agjencia Rregullatore e Komunikimeve në Bosnje dhe Hercegovinë, e cila është përgjegjëse për mediat elektronike në këtë vend, i tha Radios Evropa e Lirë se nuk ka marrë udhëzime nga institucionet përkatëse të Bosnje dhe Hercegovinës në lidhje me zbatimin e ndalesës së vendosur nga BE-ja për përmbajtjet e caktuara të huaja.

Sanksionet ndaj IRIB-it u vendosën pas vdekjes së Mahsa Aminit, një gruaje 22-vjeçare iraniane, e cila ndërroi jetë në paraburgim më 17 shtator 2022. Ajo ishte ndaluar për shkelje të dyshuar të kodit të veshjes në Iran, i cili kërkon që gratë të mbajnë shami në kokë.

Pas vdekjes së saj, protestuesit në të gjithë Iranin organizuan protesta të përditshme për muaj të tërë, duke çuar në një lëvizje që u bë e njohur si “Gratë, jeta, liria”.

Zyra e Kontrollit të Aseteve të Huaja (OFAC) e Departamentit të Thesarit të SHBA-së vendosi sanksione ndaj gjashtë punonjësve të IRIB-it në nëntor të vitit 2022, me arsyetimin se media kishte transmetuar “qindra rrëfime të detyruara nga të paraburgosurit”.

U vu në dukje se IRIB-i dhe degët e tij nuk funksionojnë si media objektive, por si mjet kryesor i Qeverisë iraniane për shtypje dhe censurë ndaj popullit të saj.

Shërbimi publik mediatik i Iranit transmetoi për herë të parë një program radiofonik në gjuhën boshnjake - përmes një faze testimi - në maj të vitit 1994, por u zhvillua ndjeshëm në vitet pas luftës.

Në vitin 1995, televizioni iranian, si pjesë e IRIB-it, filloi të operonte nën emrin Sahar Balkan TV në gjuhën boshnjake. Ai vazhdon të operojë edhe sot, ndërsa programi radiofonik është mbyllur.

Përveçse në platformat digjitale, Sahar Balkan TV transmeton programin e tij ditor edhe në televizionin lokal, TV Vogoshqa, në Sarajevë, që zgjat disa orë.

Televizioni iranian Sahar Balkan ka llogari zyrtare në Facebook, X, Telegram dhe Instagram.

Ai ka më shumë ndjekës në llogarinë e tij në Instagram, rreth 30.000; në Facebook ndiqet nga rreth 17.000 veta, në Telegram i ka rreth 3.500 përdorues, në X rreth 500. Televizioni ka edhe një llogari zyrtare në YouTube, me disa dhjetëra ndjekës.

Përmbajtja është kryesisht e fokusuar në një imazh pozitiv të regjimit iranian, me kritika ndaj Perëndimit dhe “regjimit zionist”.

Numri i postimeve u rrit pas përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme, si dhe gjatë protestave kundër regjimit iranian.

Përveç përkthimeve nga media shtetërore iraniane në persisht, Sahar Balkan prodhon edhe lajme në gjuhën boshnjake.

Në studion në Sarajevë, kanali interviston edhe njerëz nga Bosnje dhe Hercegovina, që kryesisht kanë pikëpamje pro regjimit iranian.

TV Vogoshqa, që është një kompani publike në pronësi të Komunës së Vogoshqës, thotë se nuk është në dijeni se Sahar Balkan, si pjesë e IRIB-it, është nën sanksione të BE-së.

“Radio-Televizioni Vogoshqa ka transmetuar programin Sahar Balkan në formate dhe intervale të ndryshme kohore që nga viti 1996. Sot, RTV Vogoshqa, në baza komerciale, ofron një interval ritransmetimi për programin Sahar Balkan, i cili transmetohet nga Teherani”, thuhet në përgjigje.

Sipas regjistrave të biznesit, të disponueshëm publikisht, zyra e IRIB-it në Sarajevë është regjistruar që nga gushti i vitit 2016.

IRIB-i nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë në lidhje me praktikat e tij të biznesit dhe prodhimin e përmbajtjes në gjuhën boshnjake.

Sahar Balkan TV është pjesë e Rrjetit Universal Sahar (SUN) të IRIB-it, i cili transmeton në disa gjuhë, përfshirë atë dari, azerbajxhanase, kurde, urdu, boshnjake dhe shqipe.

Harun Karçiq, analist i politikës së jashtme dhe autor i një monografie për lidhjet mes Ballkanit dhe Lindjes së Mesme, shpjegon se Sahar TV përgatit pjesën më të madhe të përmbajtjes në Teheran dhe më pas e shpërndan atë në mediat anembanë botës.

“Irani u jep një numër të madh bursash studentëve të huaj, të cilët në vitet e fundit të studimeve përkthejnë lajmet në gjuhët e tyre amtare dhe i prezantojnë ato në studio. E, pastaj, programet e përfunduara dërgohen në vendet e tyre”, thotë Karçiq.

Ai shton se stacionet televizive iraniane kanë pasur një prani shumë më të madhe rreth 30 vjet më parë.

“Me një numër të vogël njerëzish, ata përkthejnë njoftimet për shtyp dhe i dërgojnë ato në stacionet tona televizive, me shpresën se dikush do t’i publikojë ato. Në fund të fundit, gjithçka varet nga mendimi kritik i redaktorëve dhe gazetarëve tanë dhe nga aftësia jonë mediatike për të dalluar propagandën nga faktet”, shton Karçiq.

Transmetuesi i Republikës Islamike të Iranit (IRIB) është i vetmi transmetues radioteleviziv i autorizuar në Iran.

I themeluar pas Revolucionit Islamik të vitit 1979, ai është nën kontrollin e drejtpërdrejtë të udhëheqësit suprem, i cili emëron dhe shkarkon drejtorin dhe gjithashtu ushtron ndikim të fortë përmes një bordi mbikëqyrës prej gjashtë anëtarësh.

Financohet nga buxheti i shtetit dhe të ardhurat nga reklamat.

Ai punëson 30.000 deri në 50.000 njerëz - më shumë se BBC-ja, e cila punëson rreth 21.000, shkruan Iran International, një medium privat në gjuhën perse, me seli në Londër.

IRIB-i ofron shërbime radiotelevizive vendase dhe ndërkombëtare, duke operuar me 12 kanale televizive vendase, katër kanale lajmesh ndërkombëtare, gjashtë kanale televizive satelitore dhe 30 kanale televizive provinciale.

Sipas Al Monitor-it, IRIB-i drejton kanale lajmesh në anglisht, arabisht dhe spanjisht, dhe transmeton në më shumë se 30 gjuhë, duke përfshirë atë boshnjake, azerbajxhanase, mandarin dhe shqip.

IRIB-i bashkëpunon gjithashtu me Ministrinë e Inteligjencës në Iran dhe Trupat e Gardës Revolucionare Islamike, raporton Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracive.

Gjatë luftës së viteve 1990 në Bosnje dhe Hercegovinë, Irani mbështeti Ushtrinë e Republikës së Bosnje dhe Hercegovinës dhe forcat boshnjake me para, ndihma humanitare dhe armë, si dhe me këshilltarë ushtarakë nga Trupat e Gardës Revolucionare, që u dërguan në këtë vend.

Pas luftës, nën presionin e SHBA-së, autoritetet në Sarajevë i zvogëluan lidhjet politike dhe të sigurisë me Teheranin, të cilat tani janë kryesisht të kufizuara në bashkëpunim kulturor dhe akademik dhe kontakte të rralla politike.

Karçiq thotë se ndikimi i Iranit në Bosnje dhe Hercegovinë ka qenë në rënie që nga lufta.

Në 30 vjetët e fundit, Irani, sipas tij, ka investuar shumë në përpjekjet për të fituar ndikim përmes instituteve, fondacioneve, kolegjeve, si dhe mediave të tilla si stacioni televiziv, Sahar Balkan TV.

Karçiq thotë se IRIB-i donte të fitonte ndikim dukshëm më të madh në Bosnje dhe Hercegovinë pas luftës, ngjashëm me atë që ka në Jemen, Irak ose Liban.

“Por, pas luftës, [misioni i atëhershëm paqeruajtës i NATO-s] SFOR-i ushtroi presion të fortë mbi autoritetet boshnjake dhe këto marrëdhënie u dobësuan ndjeshëm që në vitin 1998”, thotë Karçiq.

Për të mundësuar zgjerimin e programit ndërkombëtar, Teherani ka trefishuar buxhetin vjetor të IRIB-it në rreth 480 milionë dollarë deri në vitin 2025, sipas një analize që ka bërë Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracive me seli në Uashington.

Përfaqësuesi i Fondacionit, Toby Dershowitz, thotë për Radion Evropa e Lirë se materialet, të cilat dërgohen përmes zyrave të jashtme të IRIB-it, flasin për përpjekjet e autoriteteve iraniane për të zgjeruar ndikimin e IRIB-it jashtë vendit, përfshirë edhe në Ballkan.

“Demonstratat, në të cilat miliona iranianë dolën në rrugë për të protestuar kundër shtypjes nga Qeveria e tyre, portretizohen si trazira të nxitura nga aktorë të huaj. Kjo është një qasje që zyrtarët e regjimit e kanë përsëritur si në mediat shtetërore, ashtu edhe në kanalet ndërkombëtare”, thotë ai.

Sipas këtij fondacioni, sanksionet ndaj IRIB-it dhe degëve të tij janë vendosur edhe në Australi dhe në Mbretërinë e Bashkuar, për shkak të rolit të tyre në transmetimin e rrëfimeve të detyruara dhe të rreme. Faqet e lidhura me IRIB-in janë hequr gjithashtu nga transmetimi./REL

irani bosnje hercogovina

Sondazh

Poll

Kryeministri Rama kryen nderimet në homazhet për gazetarin Enrik Mehmeti

Kryeministri Rama kryen nderimet në homazhet për gazetarin Enrik Mehmeti

Emigrantët bllokohen në pikën kufitare mes Kroacisë dhe Serbisë, kërkojnë informacion

Pesë turistë gjermanë mbetën të bllokuar në Karaburun, ekipet e shpëtimit bënë të mundur gjetjen

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Fëmijët e birësuar të Brad Pitt nisin procedurat për të mos mbajtur mbiemrin e të atit

Ish-drejtoresha e filialit të Postës së Durrësit u la në burg/ Avokati: Vendim absurd

Kuvendi Kombëtar i Protestës/ Folëses i merret mikrofoni nga dora: Edi Rama të japë dorëheqjen

Tentoi te merrte pjesë në Kuvendin Kombëtar të protestës/Selami Jenisherin nxirret jashtë

Berisha: Do bëjmë gjithçka për të paraqitur realitetin shqiptar pranë Komisionit Evropian

Falja e pronave publike në Dhërmi e Palasë/ Berisha: PD nuk do i njohë kurrë këto vendime të Ramës

Berisha: Rama nuk e dënon ministren monstër të Beogradit sepse është vasal i Vuçiçit

Berisha: Ftoj çdo demokrat që të marrë pjesë në protestë dhe të bëjë gjithçka për suksesin e saj

Berisha: Ky është procesi më i thellë i ripërtëritjes së PD që nga themelimi i saj!

“Neomalsorja” i bashkohet protestës së 49-të para Kryeministrisë: Rezistenca e qytetarëve nuk ndalet

Regjisori krijues i Star Wars mbështet Inteligjencën Artificiale

Rama: Deri në 1 mld euro mbështetje për bizneset, kredi deri në 2 milionë euro me interesa të ulëta

Rama i kthehet biznesmenit: Në Shqipëri ka para të pista, por s'mund t'i veshim këtë kostum vendit

Rama i përgjigjet komentuesve: Ka qeveri që bëjnë punë të mira, ka që bëjnë të këqija

Dyfisho sipërmarrjen tënde/ Rama: Cikël takimesh me bizneset e interesuara

Moment paniku në Theth! Guri bie mbi makinë, turistët shpëtojnë pa lëndime

Përfaqësuesi i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve:Dua të përcjell mbështetjen e profesoratit

Plagosja me thikë te Poliklinika e Shkodrës, dalin pamjet e rënda!

Si po ecën marrëdhënia mes Ariana Grande dhe ish të dashurit të saj pas ndarjes me Ethan Slater?

Nuk më pëlqen ta ekspozoj jetën time, Benny Blanco rrëfen si po mësohet me jetën e Selena Gomez

Edi Rama përmend vrasjen e Martin Canit: E kujtoj çdo ditë, ata që e përdorën për politikë e harruan

Rama: Kemi hyrë në zemër të problemit, djegia e makinës pas krimit nuk mund të ndodh më

Kush është modelja që u bë virale për ngjashmërinë me futbollistin Erling Haaland?

Kujtimet tona do të jetojnë gjithmonë, mesazhi i Donatella Versace për të vëllain Gianni Versace

Berisha: Dënoj heshtjen prej vasali të qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së ministres së Vuçiçit

Berisha: Drejtimi i PD është ripërtërirë me personalitete ndër më të shquarit në fushat e tyre

Berisha uron drejtuesit e rinj të PD: Vota e lirë në themel të kësaj force politike

Çfarë detajesh tërhoqën vëmëndjen në festimet e ditëlindjes së Jennifer Lopez në Paris?

Salla: Fermeri do ta shohë prodhimin edhe si aset për financim

Përplasje e ashpër në Kuvend/ Bido: Populizëm që dëmton Kosovën

Tentoi të transportonte pistoleta! Kapet në tunelin e Skërficës, 31-vjeçari

Ndryshimet në "Ligjin për Turizmin", Balla: Pezullohen punimet në bregdet gjatë sezonit turistik

Balla mbron Ramën nga Redi Muçi: Lani gojën kur t'i përmendni emrin

Deklarata diskriminuese e ministres serbe/ Muçi akuzon Ramën për heshtje: Çfarë pret kryeministri?

Spiropali dërgon në Asamblenë e PS mocionin për hapjen e partisë

Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, ‘blindohet’ me autobotë uji dhe forca të shumta policore

Ilirjana Kuçana akuzon lidershipin për shkelje të Statutit dhe "Mulizim" të partisë

Protestuesja: Shqipëria nuk e përmban dot një koncert si të Kanye West, vendi ynë ka marrë fund

Thirrjet për Ramën, protestuesi: Traumë për fëmijët të thonë Rama jep dorëheqjen

Dita 46-të e protestës/ Protestuesi: Sali Berisha dhe Edi Rama të thyejnë qafën

Protesta qytetare bën bashkë shqipëtarë nga çdo krahinë, valëviten flamujt nga diaspora

Protesta e 46-të/ Mbyllen fjalimet para Kryeministrisë, nis marshimi rrugëve të Tiranës

PD ndërpret sinjalin për median/ Anëtarja e Këshillit Kombëtar përplaset me Berishën

Berisha prezanton emrat: PD do të ketë nënkryetar nga diaspora dhe rinia

Berisha: Gjenerata Z dhe qytetarët i hapën varrin narkodiktaturës dhe do ta marrin me vete

Berisha: Protesta 46-ditore që vazhdon është tërësisht antidiktatoriale