LIVE UPDATES
Bota

I dërguari i Kievit thotë se raketat Patriotë janë jetike, teksa Zelensky i lutet Trumpit

Në një letër pesëfaqësh, të dorëzuar në Shtëpinë e Bardhë dhe në Kongres, Zelensky tha se aftësia e Ukrainës për t‘i mbrojtur civilët tani varet kryesisht nga sistemet Patriotë të prodhuara në SHBA, duke i përshkruar raketat balistike si një nga përparësitë kryesore që i kanë mbetur Moskës në fushën e betejës.

29 Maj 2026, 15:39 Nga D.S

I dërguari i Kievit thotë se raketat Patriotë janë jetike,

UKRAINË- Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u ka bërë thirrje të drejtpërdrejtë presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe Kongresit amerikan, duke paralajmëruar se vendi i tij ka nevojë jetike për sisteme shtesë raketore Patriotë, sepse Rusia po i rrit sulmet me raketa balistike ndaj qyteteve ukrainase.

Në një letër pesëfaqësh, të dorëzuar në Shtëpinë e Bardhë dhe në Kongres, Zelensky tha se aftësia e Ukrainës për t‘i mbrojtur civilët tani varet kryesisht nga sistemet Patriotë të prodhuara në SHBA, duke i përshkruar raketat balistike si një nga përparësitë kryesore që i kanë mbetur Moskës në fushën e betejës.

Ambasadorja e Ukrainës në Shtetet e Bashkuara, Olha Stefanishyna, tha për Radion Evropa e Lirë (REL) në një intervistë më 27 maj se mesazhi i Kievit në letër ishte se ndryshimet në retorikën diplomatike nuk e kanë ndryshuar gjendjen në terren.

“Mund të ketë retorikë të ndryshme diplomatike, dinamika të ndryshme diplomatike, prioritete të ndryshme, por realiteti nuk po ndryshon”, tha ajo.

“Realiteti në terren nuk po ndryshon. Njerëzit po vdesin”, theksoi ajo.

Zelensky shkroi në letër, një kopje e së cilës u sigurua nga REL-i, se ndërsa “fati i jetës së shumë njerëzve”, po vendoset në luftë, sistemet Patriotë mbeten “mbrojtja më efektive kundër çdo lloj rakete balistike ruse”.

Kjo thirrje vjen në një kohë kur administrata Trump po vazhdon t’i shmangë paketat e mëdha të ndihmës direkte ushtarake për Kievin, duke u mbështetur në mekanizmin listën e “Kërkesave Prioritet për Ukrainën” (PURL), sipas të cilit aleatët e NATO-s blejnë sisteme armësh amerikane për Ukrainën.

Por, Zelensky paralajmëroi se dërgesat në kuadër të këtij programi nuk po ecin me ritmin e nevojave në fushën e betejës.

“Ritmi i tanishëm i dërgesave përmes programit PURL nuk po arrin më të përputhet me realitetin e kërcënimit me të cilin përballemi”, shkroi ai.

Presidenti ukrainas gjithashtu theksoi rritjen e kërkesës globale për interceptorët Patriotë mes presioneve më të gjera ndërkombëtare të sigurisë dhe kërkesave konkurruese për rezervat amerikane.

“Për ne, për një komb që lufton për mbijetesë, vështirë se ka diçka më të dhimbshme sesa të shohësh bateri Patriotë pa raketa të ngarkuara”, shkroi Zelensky.

Në një postim në rrjetet sociale më 27 maj, Zelensky tha se, megjithëse mund të jetë shumë e pazakontë që një lider i huaj t’i drejtohet njëkohësisht presidentit amerikan dhe Kongresit, kjo gjendje kërkon “veprim të shpejtë dhe efektiv”.

“Është e rëndësishme që Amerika ta dëgjojë Ukrainën”, shtoi ai, duke vënë në dukje se lufta e Rusisë kundër Ukrainës - tashmë në vitin e saj të pestë - mbetet luftë për ekzistencë.

“Sa më shpejt të jemi në gjendje të kemi mbrojtje më të madhe kundër kërcënimeve balistike, aq më shpejt do të mund ta bëjmë diplomacinë të funksionojë”, shkroi Zelensky.

“Për sa kohë Rusia vazhdon të mbështetet te raketat, interesi i saj për diplomaci nuk është i mirëfilltë”, shtoi ai

Kjo thirrje shkaktoi reagime të shpejta në Kongres.

Ligjvënësi i lartë republikan, Joe Wilson, i tha REL-it se Ukraina mbetet partnere kyç në përballjen me kundërshtarët e përbashkët.

“Ukrainasit po mbrojnë me guxim atdheun e tyre ndërsa po inovojnë dhe po qëndrojnë përkrah Amerikës kundër regjimit terrorist në Teheran”, tha Wilson.

“Krimineli i luftës Putin po vret besimtarë nëpër kisha dhe fëmijë që luajnë, ndërsa furnizon hapur terroristët në Teheran për të vrarë amerikanë. Ai po humb dhe është i dëshpëruar. Mbrojtja ajrore shpëton jetë dhe Ukraina është partnere e provuar kundër terrorizmit”, shtoi ai.

REL-i e kontaktoi Shtëpinë e Bardhë për koment, por nuk mori përgjigje të menjëhershme. Disa zyra të Kongresit thanë se ligjvënësit e tyre ende nuk e kishin shqyrtuar letrën.

Stefanishyna tha se Rusia, “në dëshpërimin e saj” dhe nën “presion të madh nga të gjitha anët”, po përshkallëzon sulmet, përfshirë goditjet me raketa, luftën kibernetike, fushatat e dezinformimit dhe përpjekjet për frikësim ndaj Ukrainës dhe partnerëve të saj.

Ambasadorja tha se aftësia e Ukrainës për t’i luftuar raketat balistike mbetet pothuajse tërësisht e varur nga Shtetet e Bashkuara.

“E vetmja gjë që është vetëm në dispozicion të Qeverisë amerikane është aftësia për të interceptuar raketat balistike”, tha ajo. “Dhe, ky është një kapacitet mbrojtës që na nevojitet dhe i vetmi për të cilin jemi vërtet të dëshpëruar të arrijmë marrëveshje me Shtetet e Bashkuara”.

Ajo shtoi se Ukraina është e gatshme të financojë sisteme dhe interceptorë shtesë.

“Ne do të jemi në gjendje të paguajmë për këtë, pa asnjë dyshim”, tha ajo.

Një argument qendror në letrën e Zelenskyt është se mbrojtja më e fortë ajrore mund të ndihmojë në ndryshimin e llogaritjeve të Moskës dhe të krijojë hapësirë për diplomaci.

“Raketat balistike janë përparësia e fundit madhore për [presidentit rus Vladimir] Putin”, shkroi ai, duke paralajmëruar se Rusia do të vazhdojë të përdorë sulmet me raketa “për ta shmangur diplomacinë” nëse Ukraina nuk arrin ta kundërshtojë kërcënimin.

Stefanishyna tha se Moska po përpiqet të shfrytëzojë përçarjet mes aleatëve perëndimorë.

“Kemi parë shumë retorikë radikale që vendos shumë nuanca gri mes diçkaje që është vërtet bardhezi, e mirë dhe e keqe”, tha ajo. “Ata mendojnë se mund ta përdorin këtë duke minuar unitetin”.

Ajo paralajmëroi gjithashtu se sulmet ruse mund të intensifikohen edhe më tej.

“Ne e kuptojmë se koha më e errët për Rusinë ka filluar të vijë”, tha ajo. “Ata do të bëhen më të dëshpëruar për të vrarë më shumë ukrainas”.

William B. Taylor Jr., i cili ka shërbyer si diplomati kryesor i Uashingtonit në Kiev si gjatë presidencës së George Ë. Bush, ashtu edhe gjatë administratës Trump, tha se nevoja e Ukrainës për sistemet Patriotë është bërë gjithnjë e më urgjente.

“Nevoja për armë kundër raketave balistike si Patriotët është serioze”, i tha ai REL-it më 27 maj.

“Ukrainasit mund t’i rrëzojnë dronët [rusë] mjaft efektivisht”, tha ai, duke përmendur aftësitë në zgjerim të mbrojtjes ajrore vendase të Ukrainës. “Por, problemi janë raketat balistike”.

Taylor tha se mungesa globale për interceptorë Patriotë po e ndërlikon pozitën e Ukrainës.

“Patriotët janë në mungesë në gjithë botën”, tha ai.

Ai argumentoi se trysnia ndërkombëtare ndaj Rusisë duhet të rritet për shkak të sulmeve të saj ndaj civilëve.

“Çdo komb i qytetëruar duhet të kërkojë që rusët t’i ndalojnë sulmet ndaj civilëve në Ukrainë”, tha Taylor.

Ai shtoi gjithashtu se mbështetja për zhvillimin e mbrojtjes ajrore të vetë Ukrainës duhet të mbetet prioritet për qeveritë perëndimore.

Letra shënon një nga thirrjet më të drejtpërdrejta të Kievit deri tani ndaj udhëheqjes amerikane që nga fillimi i luftës, duke nënvizuar shqetësimin në rritje në Ukrainë se vonesat në dërgesat e mbrojtjes ajrore mund t’i lënë qytetet gjithnjë e më të ekspozuara ndaj sulmeve me raketa balistike ruse./REL

kiev trump

Sondazh

Poll

Pas më shumë se katër orësh, qytetarët vijojnë protestën rrugëve të Kryeqytetit

Pas më shumë se katër orësh, qytetarët vijojnë protestën rrugëve të Kryeqytetit

Gjesti i veçantë i protestuesit, u dhuron lule efektivëve në shenjë solidariteti për policin e vrarë

Pas tre orësh protestë, turma vijon qëndresën: Dorëheqje!

Prej më shumë se tre orësh para Kryeministrisë, protestuesit ndezin flakadanë

"Kush s'kërcen nuk është shqiptar o hej"/ PAMJE me dron nga protesta madhështore për Zvërnecin

Thirrja e qytetarit të Rrjollit: Hajde rini, merre situatën në dorë dhe drejto vendin

Me flamuj dhe pankarta në duar, qytetarët e Durrësit sërish protestë për projektin në Zvërnec

Tentoi të futej në Kryeministri, protestuesja bën simbolin e shqiponjës

"Ne i duam parqet, lodrat, natyrën"/ Vogëlushi në protestë thirrje: Mbrojini për ne!

Protesta kundër projektit në Zvërnec/ Brohoret turma: Edi Rama o tradhtar, duhet lidhur me litar

Protesta për Zvërnecin, qytetarë mbajnë 1 minutë heshtje për efektivin e vrarë në krye të detyrës

"Ruani qetësinë, Ramën ta zhdukim me të mirë"/ Tensione në protestën kundër projektit në Zvërnec

PAMJE nga protesta madhështore kundër projektit në Zvërnec/ Oshëtin bulevardi: O pallosh o zagar

Mijëra protestues në shesh thirrje ndaj kryeministrit Rama: Duam dorëheqje

Protesta për Zvërnecin, babai i Martin Canit i bashkohet protestuesve në shesh

Mijëra qytetarë në Bulevard/ Thirrje kundër Ramës dhe Berishës: U ka ardhur fundi, në burg

Balla nga Kuvendi: Greqia u ka borxh shqiptarëve marrëveshjen për pensionet

Dita e 5-të e protestës për Zvërnecin/ Nis marshimi drejt bulevardit: Revolucion

Balla ‘thumbon’ Berishën: U trembe nga protestuesit që erdhën te selia e PD-së dhe ndryshove qëndrim

"Na keni ça k***"/ Noizy shpërthen keq ndaj protestuesve: Nuk po e shet njeri Shqipërinë!

'Zvërneci'/ Berisha: Ju jeni mafie si në Beograd. Të gjitha dokumentet ju i shumëzoni me zero

Berisha: Pse e fshihni kreun e Meduzës. Tokat në Zvërnec i ka rrëmbyer Pjerini nga Lezha dhe Agaçi

Reperi Gashi mbështet protestat për Zvërnecin: Fëmijët tanë nuk janë mysafir në tokën e tyre

Këngëtarja Bebe Rexha vlerësohet me cmimin “Female Icon Award 2026”

Banorët dhe pushuesit përballen me fenomenin e pazakontë në Ksamil

"Ktheni ligjin për investimet strategjike" Bozdo në Kuvend: Betonizuat bregdetin e jugut...

Përplasje e ashpër mes Strazimirit e Muçit: Të rinjtë po protestojnë kundër jush, mbani përgjegjësi