LIVE UPDATES
Bota

S'ka “divorc”: Një vit pas fjalimit të Vance-it, cili do të jetë mesazhi i Rubios në Munih?

Këtë vit, me delegacionin amerikan të udhëhequr nga Sekretari i Shtetit Marco Rubio, evropianët mund të shpresojnë për një atmosferë më të lehtë – ndërsa Rusia dhe Kina do të vëzhgojnë me kujdes për shenja të reja përçarjeje brenda aleancës perëndimore.

11 Shkurt 2026, 14:22 Nga E.d
S'ka “divorc”: Një vit pas fjalimit të Vance-it, cili
Foto ilustruse

Kur nënpresidenti amerikan JD Vance mori pjesë në Konferencën e Sigurisë në Munih vitin e kaluar, ai i tronditi mikpritësit duke u thënë se shtypja e lirisë së shprehjes nga aleatët evropianë të Uashingtonit përbënte një rrezik më të madh për sigurinë sesa agresioni ushtarak rus në Ukrainë.

Këtë vit, me delegacionin amerikan të udhëhequr nga Sekretari i Shtetit Marco Rubio, evropianët mund të shpresojnë për një atmosferë më të lehtë – ndërsa Rusia dhe Kina do të vëzhgojnë me kujdes për shenja të reja përçarjeje brenda aleancës perëndimore.

“Sekretari Rubio dhe nënpresidenti i përcjellin mesazhet ndryshe dhe kanë stile personale të ndryshme. Por, mendoj se ka një përputhje 100 për qind në politikë", i tha Radios Evropa e Lirë Alexander Gray, i cili shërbeu në Këshillin e Sigurisë Kombëtare (NSC) gjatë mandatit të parë të presidentit amerikan, Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë.

“Mendoj se mesazhi do të jetë i ngjashëm me Strategjinë e Sigurisë Kombëtare (NSS). I qartë për interesat tona dhe për fushat ku ato përputhen me Evropën, por pa hezitim për të theksuar zonat ku ka mosmarrëveshje shqetësuese”, shtoi ai.

Ky ishte një nga disa momentet që kanë karakterizuar një vit të vështirë në marrëdhëniet transatlantike – nga përplasja e ashpër në Zyrën Ovale mes presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, deri te kundërshtimet evropiane ndaj presionit amerikan mbi Danimarkën për dorëzimin e Grenlandës.

Ndërkohë, deklaratat e përsëritura të Trumpit se Evropa duhet të mbështetet më pak te Uashingtoni, si për mbrojtjen e vet, ashtu edhe për Ukrainën, kanë nxitur frikën për një tërheqje të SHBA-së nga kontinenti i vjetër.

“Shtetet e Bashkuara nuk po e shohin më Evropën si teatrin kryesor të angazhimit gjeopolitik. Dhe kjo ka një arsye të thjeshtë: Rusia është një fuqi në rënie, në rënie terminale. Nuk është kërcënimi më i madh për Shtetet e Bashkuara”, tha Gray.

“Nuk mendoj se Evropa i kupton shqetësimet themelore civilizuese… ka thjesht një mospërputhje thelbësore mes politikës konservatore amerikane dhe ekonomisë politike dominuese evropiane”, shtoi ai.

Në prag të konferencës, edhe ambasadori amerikan në NATO, Matthew Whitaker, ndoqi një linjë të ngjashme: Shtetet e Bashkuara dhe Evropa po bashkëpunonin për mbrojtjen – por kishin mospajtime për vlerat.

Strategjia e Sigurisë Kombëtare, e publikuar në dhjetor të vitit 2025, ishte në të njëjtën frymë me fjalimin e Vance-it, duke kritikuar atë që e quante “zhdukje e civilizimit” – një referencë ndaj politikave evropiane për gjuhën e urrejtjes në internet dhe imigracionin. Dokumenti u prit me vlerësime nga Moska, përmes deklaratave për rikthimin e “stabilitetit strategjik” me Rusinë. 

Duke folur në një aktivitet në Berlin më 9 shkurt, Whitaker tha se Vance kishte mbajtur “një fjalim provokues” që ngriti “kritika legjitime” për çështje si politika energjetike, imigracioni dhe liria e shprehjes.

“Por, në të njëjtën kohë, kjo nuk do të thotë se po divorcohemi”, shtoi ai. “Shumë nga aleatët tanë mund t’i kritikojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por ne mbetemi miku dhe aleati juaj më i mirë”.

I pyetur për Grenlandën – ku Trump fillimisht tha se nuk do ta përjashtonte përdorimin e forcës, përpara se të tërhiqej nga kjo mundësi pas bisedimeve me shefin e NATO-s Mark Rutte në janar, Whitaker tha se çështja “kishte të bënte me faktin nëse Danimarka kishte investuar mjaftueshëm në sigurinë e Grenlandës” dhe paralajmëroi për “ndikim keqdashës nga Kina ose Rusia”.

Udhëheqësit evropianë, të alarmuar, kanë kërkuar të zbusin Uashingtonin duke u zotuar për rritje masive të shpenzimeve për mbrojtjen, në përputhje me kërkesat e Trumpit për një ndarje më të madhe të barrës brenda NATO-s.

Ata janë kujdesur gjithashtu që vazhdimisht ta lavdërojnë Trumpin për udhëheqjen e tij në çështjet ndërkombëtare, duke theksuar historinë dhe vlerat e përbashkëta. Më shumë nga ky qëndrim pritet të shihet edhe në Munih.

“Po pres një lloj atmosfere kontradiktore”, i tha Radios Evropa e Lirë Carlo Masala nga Universiteti i Bundeswehr-it në Munih.

“Evropianët dhe amerikanët do ta sigurojnë njëri-tjetrin se, disi, janë ende partnerë. Por, pas dyerve të mbyllura, evropianët do të përballen me vështirësinë se si të bëhen më të pavarur nga SHBA-ja”, shtoi ai.

Masala, i cili vitin e kaluar botoi librin me ndikim Nëse Rusia fiton (If Russia Wins), që trajton një skenar të një inkursioni rus në Estoni – vend anëtar i NATO-s – tha se e gjithë marrëdhënia transatlantike tani është “e strukturuar rreth Ukrainës”.

Uashingtoni ka reduktuar ndjeshëm mbështetjen për Kievin që nga ardhja në pushtet e Trumpit në janar të vitit 2025. Megjithatë, ai vazhdon të luajë rol kyç duke ofruar inteligjencë për forcat e armatosura ukrainase dhe duke furnizuar Kievin me armë, të paguara nga vendet evropiane.

“Nëse kjo administratë do të tërhiqej edhe nga këto angazhime, atëherë situata për ukrainasit do të ishte krejtësisht ndryshe. Prandaj, e gjithë mënyra se si Evropa i qaset SHBA-së është e përqendruar në mbajtjen e angazhimit amerikan ndaj Ukrainës”, tha Masala.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka ndjekur një strategji të ngjashme në disa takime me Trumpin dhe zyrtarë të tjerë të administratës që nga përplasja në Zyrën Ovale. Por ai u ka bërë vazhdimisht thirrje evropianëve të bëjnë më shumë, pa pritur Uashingtonin.

Në konferencën e vitit të kaluar, ai bëri thirrje për krijimin e një ushtrie evropiane – një mesazh që mund ta përsërisë edhe këtë vit në Munih. Duke folur në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Zvicër, në janar, Zelensky e përmendi sërish këtë ide, duke shprehur frustrimin për atë që e quajti “Dita e Murmelit” – shumë fjalë të forta, por pa veprime vendimtare.

“Vetëm vitin e kaluar këtu në Davos e përfundova fjalimin tim me fjalët: ‘Evropa duhet të dijë si ta mbrojë veten’. Ka kaluar një vit dhe asgjë nuk ka ndryshuar”, tha ai.

Ky është një qëndrim me të cilin pajtohet edhe Richard Shirreff, ish-zëvendëskomandant suprem i NATO-s në Evropë.

“Mund t'i përjashtoni Shtetet e Bashkuara. Kjo është përgjegjësi e Evropës dhe Kanadasë”, i tha ai Radios Evropa e Lirë.

“Nuk do të ketë armëpushim të qëndrueshëm derisa Rusia të mposhtet në Ukrainë, dhe për këtë nevojitet që Evropa dhe Kanadaja të hartojnë dhe zbatojnë një strategji për t’i dhënë Ukrainës gjithë mbështetjen që i nevojitet”.

Shirreff, i cili tani është anëtar i një këshilli për siguri dhe mbrojtje pranë institutit ndërkombëtar GLOBSEC, tha se shumë udhëheqës kyç të NATO-s nuk e ndajnë këtë pikëpamje.

“Mendoj se [kryeministri kanadez Mark] Carney e ka kuptuar. Të gjithë të tjerët vetëm flasin. Nuk e kuptojnë. Nuk mendoj se aktualisht ka atë qëndresë të vërtetë. Të jemi të qartë: Polonia, Lituania, Estonia, Letonia, Finlanda – ata e kuptojnë plotësisht. Por, për fat të keq, mendoj se udhëheqësit e tjerë perëndimorë janë politikisht mjaft të dobët dhe të papërshtatshëm në këtë drejtim”, tha ai.

“Sjellja për të zbutur Trumpin nga figura si Rutte, [kryeministri britanik Keir] Starmer dhe [presidenti francez Emmanuel] Macron ka rezultuar që Trumpi t’i përçmojë ata”, shtoi ai.

Ukraina ka nxjerrë shpesh në pah dallimet mes Uashingtonit dhe aleatëve evropianë të NATO-s gjatë vitit të fundit dhe do të jetë temë e shumë debateve në Munih. Udhëheqësit evropianë kanë mbështetur publikisht përpjekjet e Trumpit për të ndërmjetësuar paqen, por kanë deklaruar gjithashtu se nuk besojnë se Rusia është serioze në dëshirën për t’i dhënë fund pushtimit të plotë që nisi në shkurt të vitit 2022.

Më 10 shkurt, raporti vjetor i shërbimit inteligjent të Estonisë ishte artikulimi më i fundit i këtyre shqetësimeve, duke deklaruar se bashkëpunimi i Moskës në bisedimet për paqe është “një mashtrim”, që synon “të zgjerojë ndarjet që Moska i percepton si ekzistuese mes SHBA-së dhe Evropës”.

Ndërkohë, në një tjetër shenjë të tensioneve transatlantike, media evropiane cituan Macronin të ketë thënë se Trump është “hapur anti-evropian” dhe se kërkon “copëtimin” e Bashkimit Evropian.

Intervista e Macronit shënoi një përpjekje të re për t’i siguruar Evropës një rol në negociatat për përfundimin e luftës në Ukrainë. Ai thuhet se ka deklaruar se Evropa duhet të kërkojë dialogun e vet me Rusinë, “në mënyrë që të mos varet nga palë të treta në këtë diskutim”.

Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, e mbështeti këtë qëndrim, duke thënë se “të gjithë rreth tryezës, përfshirë rusët dhe amerikanët, duhet ta kuptojnë se evropianët janë të domosdoshëm” në këtë proces.

Gray, ish-këshilltar i Trumpit dhe tani drejtor ekzekutiv i kompanisë American Global Strategies LLC, tha se kjo nuk duhet të jetë një problem i madh.

“Mendoj se Evropa sigurisht ka një rol për të luajtur. Nuk jam i sigurt se ky rol duhet të jetë domosdoshmërisht në bisedimet e përditshme, por është e qartë se Evropa do të ketë një rol të madh në diskutimin e asaj se si do të duket arkitektura e ardhshme e sigurisë në Evropën Lindore”, tha ai./REL

jd vance munih ukrainë

Sondazh

Poll

Nesër protestë para Kuvendit! Paralajmëron protestuesi: Më 23 tubimi i madh

Nesër protestë para Kuvendit! Paralajmëron protestuesi: Më 23 tubimi i madh

Protestuesi: Nuk ndalojmë deri në largimin e atij që është strukur në Kryeministri

Nis marshimi drejt Kryeministrisë, protestuesit bëjnë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit

Dita e 50-të e protestës/ Nis grumbullimi në sheshin "Skëndërbej"

Kryeministri Rama kryen nderimet në homazhet për gazetarin Enrik Mehmeti

Emigrantët bllokohen në pikën kufitare mes Kroacisë dhe Serbisë, kërkojnë informacion

Pesë turistë gjermanë mbetën të bllokuar në Karaburun, ekipet e shpëtimit bënë të mundur gjetjen

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Fëmijët e birësuar të Brad Pitt nisin procedurat për të mos mbajtur mbiemrin e të atit

Ish-drejtoresha e filialit të Postës së Durrësit u la në burg/ Avokati: Vendim absurd

Kuvendi Kombëtar i Protestës/ Folëses i merret mikrofoni nga dora: Edi Rama të japë dorëheqjen

Tentoi te merrte pjesë në Kuvendin Kombëtar të protestës/Selami Jenisherin nxirret jashtë

Berisha: Do bëjmë gjithçka për të paraqitur realitetin shqiptar pranë Komisionit Evropian

Falja e pronave publike në Dhërmi e Palasë/ Berisha: PD nuk do i njohë kurrë këto vendime të Ramës

Berisha: Rama nuk e dënon ministren monstër të Beogradit sepse është vasal i Vuçiçit

Berisha: Ftoj çdo demokrat që të marrë pjesë në protestë dhe të bëjë gjithçka për suksesin e saj

Berisha: Ky është procesi më i thellë i ripërtëritjes së PD që nga themelimi i saj!

“Neomalsorja” i bashkohet protestës së 49-të para Kryeministrisë: Rezistenca e qytetarëve nuk ndalet

Regjisori krijues i Star Wars mbështet Inteligjencën Artificiale

Rama: Deri në 1 mld euro mbështetje për bizneset, kredi deri në 2 milionë euro me interesa të ulëta

Rama i kthehet biznesmenit: Në Shqipëri ka para të pista, por s'mund t'i veshim këtë kostum vendit

Rama i përgjigjet komentuesve: Ka qeveri që bëjnë punë të mira, ka që bëjnë të këqija

Dyfisho sipërmarrjen tënde/ Rama: Cikël takimesh me bizneset e interesuara

Moment paniku në Theth! Guri bie mbi makinë, turistët shpëtojnë pa lëndime

Përfaqësuesi i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve:Dua të përcjell mbështetjen e profesoratit

Plagosja me thikë te Poliklinika e Shkodrës, dalin pamjet e rënda!

Si po ecën marrëdhënia mes Ariana Grande dhe ish të dashurit të saj pas ndarjes me Ethan Slater?

Nuk më pëlqen ta ekspozoj jetën time, Benny Blanco rrëfen si po mësohet me jetën e Selena Gomez

Edi Rama përmend vrasjen e Martin Canit: E kujtoj çdo ditë, ata që e përdorën për politikë e harruan

Rama: Kemi hyrë në zemër të problemit, djegia e makinës pas krimit nuk mund të ndodh më

Kush është modelja që u bë virale për ngjashmërinë me futbollistin Erling Haaland?

Kujtimet tona do të jetojnë gjithmonë, mesazhi i Donatella Versace për të vëllain Gianni Versace

Berisha: Dënoj heshtjen prej vasali të qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së ministres së Vuçiçit

Berisha: Drejtimi i PD është ripërtërirë me personalitete ndër më të shquarit në fushat e tyre

Berisha uron drejtuesit e rinj të PD: Vota e lirë në themel të kësaj force politike

Çfarë detajesh tërhoqën vëmëndjen në festimet e ditëlindjes së Jennifer Lopez në Paris?

Salla: Fermeri do ta shohë prodhimin edhe si aset për financim

Përplasje e ashpër në Kuvend/ Bido: Populizëm që dëmton Kosovën

Tentoi të transportonte pistoleta! Kapet në tunelin e Skërficës, 31-vjeçari

Ndryshimet në "Ligjin për Turizmin", Balla: Pezullohen punimet në bregdet gjatë sezonit turistik

Balla mbron Ramën nga Redi Muçi: Lani gojën kur t'i përmendni emrin

Deklarata diskriminuese e ministres serbe/ Muçi akuzon Ramën për heshtje: Çfarë pret kryeministri?

Spiropali dërgon në Asamblenë e PS mocionin për hapjen e partisë

Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, ‘blindohet’ me autobotë uji dhe forca të shumta policore

Ilirjana Kuçana akuzon lidershipin për shkelje të Statutit dhe "Mulizim" të partisë

Protestuesja: Shqipëria nuk e përmban dot një koncert si të Kanye West, vendi ynë ka marrë fund

Thirrjet për Ramën, protestuesi: Traumë për fëmijët të thonë Rama jep dorëheqjen

Dita 46-të e protestës/ Protestuesi: Sali Berisha dhe Edi Rama të thyejnë qafën

Protesta qytetare bën bashkë shqipëtarë nga çdo krahinë, valëviten flamujt nga diaspora

Protesta e 46-të/ Mbyllen fjalimet para Kryeministrisë, nis marshimi rrugëve të Tiranës