"Injoroi kërkesat e protestuesve"/ Berisha: Gjesti i Ramës për fëmijën autik tregon se është një birbo që e ka ndjeshmërinë në nivel shtazor
Berisha: Gjesti i Ramës për fëmijën autik tregon se është një birbo që e ka ndjeshmërinë n&eum...
Berisha: Gjesti i Ramës për fëmijën autik tregon se është një birbo që e ka ndjeshmërinë n&eum...
Dita e 55-të e protestës/ Nis grumbullimi i qytetarëve në sheshin ‘Skënderbej’ 24 Korrik, 19:30 ...
"Rilindja 2.0 është emri i ciklit të ri politik"/ Rama: Besa është metoda që ky cikël të kthehet në...
Gjyqi kundër Olsi Dados/ Gjykata Administrative rrëzon Veliajn, Ndreca: Do shkojmë në Apel 24 Korrik, 11:03 ...
• Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në bashkëbisedimin e sotëm online me qytetarët deklaroi se, Edi Rama dhe qeveria e tij po përballet me një krizë të thellë politike dhe morale, ndërsa protesta qytetare, po fiton përmasa gjithnjë e më të mëdha. • Kreu i opozitës e cilësoi javën që lamë pas si një nga më të tensionuarat e muajve të fundit, duke akuzuar Edi Ramën se përdori shumicën parlamentare për të miratuar ligje në funksion të interesave të tij kriminale dhe të oligarkëve, ndërkohë që, sipas tij, iu shmang plotësisht kërkesave të protestuesve. • Kryedemokrati akuzoi kryeministrin se ka refuzuar të përballet me kërkesat që, sipas tij, janë shprehur prej javësh nga protestuesit. • Ai theksoi se kërkesa kryesore mbetet largimi i Edi Ramës nga detyra, pasi, sipas tij, Rama nuk është kryeministër legjitim, duke pretenduar se qeveria aktuale buron nga zgjedhje të manipuluara dhe nga një sistem që mbështetet te korrupsioni dhe krimi i organizuar. • Berisha ia kushtoi një pjesë të rëndësishme të fjalës së tij edhe reformës territoriale. • Ai akuzoi qeverinë se u tërhoq në mënyrë të njëanshme nga procesi konsultues, duke mos marrë në konsideratë propozimet e opozitës dhe të ekspertëve. • Berisha tha se Partia Demokratike kishte përgatitur një projekt alternativ të reformës territoriale, ndërsa akuzoi Ramën se zgjodhi përplasjen politike në vend të dialogut institucional. • Drejtuesi i PD-së u ndal edhe te zhvillimet e fundit që lidhen me sjelljen publike të kryeministrit ndaj një fëmije me autizëm. Berisha e cilësoi këtë episod si një akt të papranueshëm dhe tha se ‘gjest më të ulët dhe më çnjerëzor nuk mund të kishte’. • Ai shtoi se sjellja e Ramës e nxjerr në nivelin e instinkteve më bazale, më shtazore të njeriut, ndërsa kritikoi edhe mungesën e reagimit nga organizatat që mbrojnë të drejtat e fëmijëve.• Gjatë përgjigjeve ndaj pyetjeve të qytetarëve, kryedemokrati paraqiti edhe disa nga propozimet ekonomike të Partisë Demokratike për përballimin e rritjes së çmimeve. • Ai përmendi vendosjen e minimumit jetik prej 200 eurosh, uljen e TVSH-së për produktet ushqimore në 6 për qind ose heqjen e saj, si dhe dyfishimin e pagave dhe pensioneve. • Sipas tij, këto masa do të ndihmonin në zbutjen e krizës së kostos së jetesës dhe në mbrojtjen e shtresave më të goditura nga inflacioni.
8 artikuj për këtë temë.
TIRANE- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë bashkëbisedimit me ndjekësit në Facebook, nuk ngurroi të komentonte edhe deklaratat dhe sjelljen e kryeministrit Edi Rama ndaj një fëmije me aftësi ndryshe, duke i cilësuar ato të papranueshme dhe fyese.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje të një ndjekëseje, ai akuzoi Ramën për përdorimin e një gjuhe përçmuese ndaj personave me aftësi të veçanta, ndërsa tha se opozita do të shqyrtojë të gjitha mundësitë institucionale, përfshirë edhe adresimin e çështjes në Komisionin e Etikës.
Gjatë përgjigjes së tij, kreu i opozitës përdori akuza të forta ndaj kryeministrit, duke e cilësuar sjelljen e tij si të papranueshme dhe duke pretenduar se reagimi i tij ndaj fëmijës ishte një akt i rëndë.
Berisha kritikoi gjithashtu organizatat që merren me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, duke pretenduar se ato nuk kanë reaguar as në këtë rast dhe as në raste të tjera që kanë prekur fëmijët me çrregullime të spektrit të autizmit.
Pjesë nga bashkëbisedimi:
Griselda Selimaj: Mirëdita Doktor, dje Rama ka bërë gjestin më të shëmtuar, duke folur me një fjalor përçmues, me një fëmijë me aftësi ndryshe. Në zgjedhjet e mëparshme e ka deklaruar se kush voton Kënetën e Bufave, duke iu referuar PD-së, duhet të jetë autik. A mund të kërkoni thirrjen e Komisionit të Etikës, ose ndëshkim nga instancat përkatëse si brenda apo jashtë vendit, për fjalorin e një kryeministri ndaj atyre me aftësi ndryshe, por edhe të shqiptarëve në tërësi përfshirë protestuesve që i quan korba dhe sorra? Faleminderit.
Sali Berisha: Ju falënderoj për pyetjen. Edi Rama manifeston në mënyrë të përsëritur psikologjinë e një birboje, e një urrejtësi. E ka të trashëguar, e ka familjare. Absolutisht ua them unë ju. Sepse, në edukatën e tyre familjare, mëshira për atë që është në nevojë, dhembshuria për të nuk ekziston. E vura re gjestin. Gjest më të ulët dhe më çnjerëzor nuk mund të kishte. Kur foli për nënën, që përdori terma prej halabaku në vlerësimin e saj, ai imitoi djalin e tij, që mbante kokën në një anë, shtrembër, djalë me aftësi të veçanta. Ishte një akt shumë, shumë i shëmtuar. Dhe në një farë mënyre e nxjerr Edi Ramën në nivelin e instinkteve më bazale, më shtazore të njeriut. Pse e imiton ti atë? Çfarë kërkon që të imitosh? Unë pashë se fatmirësisht, pavarësisht nga kontrolli që u bën mediave konvencionale, mediat sociale e kishin trajtuar në mënyrën më të merituar dhe më të gjerë dhe unë i përgëzoj ato. Komisioni i Etikës... natyrisht ne do t'i shohim të gjitha modalitetet, po këtu nuk ka organizata që mbrojnë fëmijët. Janë shushunja.
Ato janë shushunja që plaçkitin fonde për mbrojtjen e fëmijëve. Nuk mund të mos e them se një nga aktet për mua më të shëmtuara, më kriminale, ka qenë publikimi nga Altin Dumani, Arben Kraja dhe Enkeleda Millonaj, në një akt urrejtje dhe armiqësie ndaj meje, të emrave të tre fëmijëve me autizëm, për fajin e vetëm se dhëndri im dhe fëmijët e mi, i kishin sponsorizuar familjet e tyre, kishin paguar shpenzimet për trajtimin e tyre në qendrën e autizmit që drejtohet nga doktoreshë Liri Berisha, pa asnjë lloj shpërblimi mbi tokë, përveçse për pasionin e vet. Dhe këta e gjetën këtë akt korruptiv, shih se çfarë janë këta... Po këta edhe nazistë, edhe sigurimsë të poshtër po të ishin, ndoshta deri këtu nuk shkonin. Nazistët shkonin, edhe sigurimsat shkonin. Po mund të bëjnë prokurorët një akt të tillë? Mirëpo çfarë t'u thuash prokurorëve kur e bën Edi Rama atë akt? Kur duke mbajtur fjalimin, lëshon kokën mbi sup për të imituar djalin me aftësi të ndryshme. Këta, përsa i përket ndjeshmërisë, janë në nivel shtazor. Këta janë në nivel shtazor. Kjo është e vërteta dhe asnjë organizatë e të drejtave të fëmijëve nuk ngriti zërin për ato tre fëmijë. Duke treguar se s'janë gjë tjetër vetëm shushunja të shpifura, të fondeve që jepen për mbrojtjen e fëmijëve./Dosja.al
TIRANE- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një bashkëbisedimi live në Facebook me ndjekësit, hodhi akuza të forta ndaj Bankës së Shqipërisë dhe guvernatorit të saj, duke pretenduar se institucioni ka përgjegjësi për mosreagimin ndaj asaj që ai e cilësoi si fenomeni i narko-euros.
Gjatë bashkëbisedimit ai është pyetur nga një qytetare në lidhje me kërkesën për imunitet të guvernatorit,ai ka deklaruar se Banka e Shqipërisë ka blerë prej vitesh miliona euro në treg, ndërsa akuzoi drejtuesit e saj për heshtje përballë pasojave që kanë sjellë hyrjet informale të valutës në ekonominë shqiptare.
Pjesë nga bashkëbisedimi:
Ema Bushati: Banka e Shqipërisë çdo vit blen miliona euro, pra de facto banka po blen euro të drogës që futen në mënyrë informale. A është kjo arsyeja pse guvernatori i Bankës së Shqipërisë kërkon imunitet?
Sali Berisha: Ema, edhe unë jam çuditur me amendimin e ligjit të kërkuar gjoja në standardin e Bashkimit Europian. Por, siç e dimë, do bëhet një kontroll i legjislacionit europian për këtë qëllim. Mirëpo në Shqipëri ndodhi një gjë që s'ndodhi në asnjë vend tjetër ndonjëherë. Edi Rama, me të ardhur në pushtet, arrestoi papritmas guvernatorin e bankës, sikur të ishte roje e tuneleve të saj. E arrestoi, ju them unë juve, vetëm e vetëm për urrejtjen e tij ndaj tij, sepse Edi Rama kur shihte ndërtimet masive të rrugëve, veprave publike, besonte në marrëzinë e tij se guvernatori printonte para për qeverinë. Injorant në shkallën më ekstreme. Ai nuk kupton se një qeveri që urdhëron bankën për të prerë para për të, në qoftë se banka ia zbaton, i hap gropën e ardhshme. Dhe ky, në atë bindje, në një akt pabesie, në një akt primitiv, gjeti një njeri që urdhëroi arrestimin.
Guvernatori, dhe çdo njeri, arrestohet në një vend të shtetit ligjor, por arrestohet mbi bazën e veprave të argumentuara penale. Kështu që jemi duke e studiuar. Kurse guvernatori ka një problem të madh për mua, dhe e tërë banka. Ata kanë një përgjegjësi të madhe për heshtjen që mbajnë ndaj narko-euros. Ata janë përpjekur në treg për normalizimin e saj, por pa sukses, kanë blerë miliarda euro dhe ndokush mund të thotë po janë rezervë, po problemi është se kjo narko-euro, guvernatori duhet ta dijë, dhe e dinë mirë dhe zëvendësguvernatori dhe të tjerë me radhë, nga kjo narko-euro kanë falimentuar me dhjetëra mijëra sipërmarrje shqiptare. E theksova dhe herën e kaluar, e theksoj prapë. Kam qenë në Çeki në vitin 2012. Çekët dikur ishin prodhuesit kryesorë të këpucëve në një pjesë të madhe të Europës. Nga vizita konstatova se ata pothuajse prodhonin fare pak këpucë. Ndërkohë vendi im, Shqipëria, ishte renditur e teta në botë për prodhimin e këpucëve. Shqipëria prodhonte veshje të të gjitha kategorive përfshirë modën më të lartë, në qytetet e saj.
E gjitha kjo industri e ngritur me guximin, mendjen dhe energjinë e investitorëve shqiptarë dhe të huaj, dhe punën e mundin e djersës së punëtorëve shqiptarë, u shkri si bryma para diellit nga narko-euro. Këto ndërmarrje falimentuan masivisht njëra pas tjetrës. Mbi 100 e sa mijë punëtorë humbën vendet e punës. Kur ne po në vitin 2013, ia dolëm të bëheshim eksportues vezësh, eksportues qumështi. Çfarë do të thotë kjo? Shqiptarët blinin vezët, blinin qumështin, me një çmim dy herë më të lirë se sot. Ndërsa sot shqiptarët marrin qumështin pluhur që vjen nga Serbia. Sot çmimi i tij është dy herë më i shtrenjtë se ç'ishte. Kështu që guvernatori i bankës dhe bordi, në qoftë se ka bord, se është organizatë e Partisë Socialiste tani, duhet të kenë minimumin e përgjegjësisë dhe të ndërgjegjes për këtë dramë që ndodh nga narko-euro. Nuk e fshehin dot. Shqipëria sot është vendi në të cilin euro është zhvlerësuar më shumë se çdo vend tjetër të planetit.
Dhe kreu i ekzekutivit, që është kreu i meduzës së mafies, deklaron se jam krenar me narko-euron. Se kjo tregon ekonomi të fortë. Në një kohë kur Norvegjia, që vetëm fondin e investimeve e ka 1 trilion, dhe që nuk është në sistemin e euros, gjatë 10 viteve ka pësuar një zhvlerësim, jo të euros, një zhvlerësim të koronës në krahasim me euron, zhvlerësim prej 10-12%. E po kështu zlloti polak, e po kështu shumë më tepër forinta hungareze. Pra banka dhe guvernatori kanë një përgjegjësi të madhe në fshehjen që i bëjnë këtij zhvillimi dramatik, këtij fenomeni toksik për ekonominë shqiptare. Këtu ka një përgjegjës për këtë dhe ky është Edi Rama. Kreu i karteleve të drogës më të fuqishme në Europë./Dosja.al
TIRANE- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë bashkëbisedimit që mbajti ditën e sotme me ndjekësit në Facebook, iu përgjigj kritikave për emërimin e figurave të reja në strukturat drejtuese të PD-së.
Gjatë përgjigjes së tj, ai pranoi se kritika e ndjekësit qendron, duke pohuar se një pjesë e emrave për strukturat drejtuese të PD-së nuk janë ende të njohur për publikun dhe nuk kanë një përvojë të gjatë politike, por theksoi se janë përzgjedhur për shkak të formimit profesional dhe potencialit të tyre.
Kreu i opozitës u shpreh se ripërtëritja e Partisë Demokratike ishte një proces i domosdoshëm pas sfidave të viteve të fundit, ndërsa garantoi se ky proces nuk ka përfunduar dhe se do të pasojë me hapa të tjerë për të ndërtuar një PD më të fortë, më të hapur dhe me ekipet më të afta për të ardhmen.
Fatmir Topi: Kritikët thonë se në drejtimin e Partisë Demokratike janë zgjedhur të rinj pa përvojë politike apo partiake, apo persona pak të njohur për publikun. Si i përgjigjeni këtyre kritikave?
Sali Berisha: Të falënderoj Fatmir për pyetjen. Kritika nuk është se nuk qëndron, e ka një të vërtetë.
Por Fatmir, në qoftë se analizojmë së bashku kalvarin që kaloi Partia Demokratike katër vitet e fundit, të them me sinqeritet se për mua demokratët kanë treguar një heroizëm epik. Kanë bërë një gjë të jashtëzakonshme. Cila është kjo gjë? Kanë sakrifikuar në mënyrë që Shqipëria të ketë opozitë të vërtetë. Kanë paguar çmim, jo të vogël. Janë përballur me presione të të gjithanshme. Por rezistuan, mbrojtën kauzën e tyre të drejtë.
Kauza e tyre ishte kjo dhe vetëm kjo: Shqipëria duhet të ketë opozitë të vërtetë.
Opozitë që të kontrollohet nga anëtarësia e saj dhe jo nga Edi Rama apo të tjerë.
Kaluam katër vite, partia e përçarë u bashkua. Ia doli, siç e dini dhe vetë, me përpjekje të jashtëzakonshme të tejkalojë çdo izolim, të garantojë mbështetjen më të madhe ndërkombëtare, ia doli t'u faktojë shqiptarëve dhe botës se zgjedhjet ishin një farsë elektorale.
Me gjithë këto, në të gjithë bindjen time, por jo vetëm timen, por dhe të gjithë bashkëpunëtorëve të mi në tërësi dhe të mbarë demokratëve, ndoshta edhe juaja Fatmir, ekzistonte një kërkesë: Partia Demokratike duhet të ripërtërihet.
Projektin e ripërtëritjes unë e kisha përgatitur, të them haptas këtu, dhe në qoftë se ju kujtohet kur ndërmorëm nismën e rithemelimit, motoja jonë ishte kjo: 'Për një Parti Demokratike më të fortë, më të hapur, më të bashkuar'.
Por hapja, për të cilën kishim punuar jo pak bashkë me bashkëpunëtorët e mi, u bllokua në një farë mënyre për shkak të arrestimit tim 333 ditë. Dhe ju keni të drejtë, dhe ata kritikë nuk gabojnë. Unë nuk them se këto janë figura të njohura. Por këto figura do ishin promovuar, se çdo njeri duhet të promovohet. Vetëm ka një gjë Fatmir, këto figura, për sa u përket të dhënave, të siguroj se i kanë ndër më të shkëlqyerat. Shumë prej tyre janë grup ekselence, që kanë ardhur dhe janë bashkuar me Partinë Demokratike në ditë të vështira.
I takon PD, por u takon atyre në radhë të parë që të shpalosin të gjitha aftësitë e tyre para demokratëve dhe shqiptarëve, dhe unë kam besim se do ta bëjnë. Sikundër Fatmir, në këtë ripërtëritje duhet të pranojmë se Partia Demokratike në kalvarin e saj humbi disa proporcione që i ka pasur të lindura, native, të saj. Kjo ripërtëritje solli gjithashtu rivendosjen e proporcioneve të duhura në parti. Ne jemi parti kombëtare dhe kjo u realizua.
Dhe së fundi, ju garantoj se këto janë hapat e para shumë të rëndësishme, hapa të tjera shumë të rëndësishme do ndërmerren që shqiptarët të kenë një Parti Demokratike të ripërtërirë, me ekipet më të afta dhe më të mira për të sotmen dhe të ardhmen e saj./Dosja.al
TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se protesta aktuale nuk është thirrur nga PD, por theksoi se demokratët po marrin pjesë fuqishëm në tubim dhe do të vazhdojnë ta mbështesin. I pyetur nga qytetarët gjatë bashkëbisedimit në rrjetet sociale nëse opozita do të hyjë në zgjedhje me rregullat e vendosura nga Edi Rama, Berisha tha se pas përfundimit të procesit të brendshëm të partisë, PD do të riformulojë axhendën e saj në funksion të zgjedhjeve të ardhshme, suksesit të protestës dhe largimit të Edi Ramës.
Pjesë nga bashkëbisedimi:
Merita Bogdani: Partia Demokratike ka lëshuar sheshet. Çfarë do të bëhet, kështu do të hyni në zgjedhje me ndryshimet që vendos Rama, me Ramën kryeministër?
Sali Berisha: Kjo, Merita, është relative. E vërtetë është ajo, që protesta që po zhvillohet, nuk është e thirrur nga Partia Demokratike, por të garantoj se pjesëmarrja e Partisë Demokratike është e fuqishme në këtë protestë dhe do të jetë. Dhe ne e ndjekim me shumë interes, me shumë vëmendje dhe do bëjmë gjithçka për mbështetjen e saj. Sikundër pas përfundimit të gjithë procesit të brendshëm të partisë, ne do të riformulojmë axhendën tonë në funksion të zgjedhjeve të ardhshme, në funksion të suksesit të protestës dhe të largimit të Edi Ramës./Dosja.al
TIRANE- Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, gjatë një bashkëbisedimi me ndjekësit në rrjetet sociale, u ndal te situata në sektorin e turizmit, duke u përgjigjur shqetësimit të njërit prej ndjekësve i cili u shpreh për mungesën e fuqisë punëtore dhe vështirësitë me të cilat po përballen bizneset e vogla këtë sezon.
Gjatë fjalës së tij, ai tha se emigrimi masiv i të rinjve ka krijuar mungesë punonjësish, duke detyruar shumë sipërmarrës të angazhojnë punëtorë të huaj me kosto të larta, ndërsa shtoi se rritja e çmimeve dhe kursi i këmbimit të euros kanë ndikuar negativisht në konkurrueshmërinë e turizmit shqiptar.
Më tej, kreu i opozitës prezantoi edhe disa nga masat që do të ndërmerren nëse opozita vjen në pushtet. Ai foli për luftë ndaj trafikut të drogës, rishikim të politikave fiskale për hotelet, si dhe mbështetje shtetërore për punonjësit sezonalë, me synimin për të lehtësuar barrën mbi bizneset dhe për të krijuar kushte që të rinjtë të zgjedhin të punojnë dhe të jetojnë në Shqipëri.
Pjesë nga bashkëbisedimi:
Albi Topi: Doktor, të përshëndes. Një miku im ka një hotel të vogël në zonën e plazhit. Vuan për punëtorë pasi rinia ka ikur në emigracion. Ka punësuar me shumë mund dhe me kosto të lartë disa punonjës të huaj dhe me këtë sezon thotë se do të ishte me fat sikur të dilte pa humbje. A keni ndonjë program për bizneset e turizmit dhe çfarë do të bëni për t'i rikthyer të rinjtë në vendin e tyre?
Sali Berisha: I dashur Albi. Dy sektorë të ekonomisë së vendit janë goditur në mënyrën më fatale nga narko-euro. Së pari prodhimi dhe eksportet. Së dyti turizmi. Turizmi, i cili vetëm për shkak të kursit të eurove është bërë 30% më i shtrenjtë. Po në qoftë se shton këtu rritjen stratosferike të çmimeve të ushqimeve dhe çmimeve të tjera, atëherë përveç dhomës së hotelit që turisti e paguan sot për shkak të kursit të euros 30% më shtrenjtë, të gjitha të tjerat e bëjnë turizmin shqiptar një turizëm të papërshtatshëm krahasuar me çmimet. Kjo ka bërë që të rinjtë shqiptarë të largohen masivisht. Ju keni të drejtë, sot sipas një statistike paraprake në Shqipëri janë të punësuar mbi 23 mijë të huaj. Dhe sigurisht punësimi i tyre është mjaft i kushtueshëm.
Po, projektet tona janë shumë të rëndësishme.
Së pari, lufta me zero tolerancë ndaj karteleve të drogës dhe trafiqeve të drogës në mënyrë që kursi i këmbimit lek dhe euro të jetë normal. Së dyti, sistemi i tatimeve për hotelet duhet të shihet me përparësi të madhe. Sot, të gjithë investitorët strategjikë që në tërësi janë baronë droge e të tjerë, i kanë hotelet dhe resortet e tyre pa taksa. Kurse ti me një hotel të vogël, apo miku yt me një hotel të vogël paguan dhe çmimet e kokës. Këto marrin fund. Së treti, është e domosdoshme, zoti Topi, që punonjësit sezonalë të kenë një trajtim gjithëvjetor. Dhe ky trajtim gjithëvjetor i tyre nuk mund të bëhet vetëm nga sipërmarrja. Ky trajtim gjithëvjetor i tyre bëhet me një bashkëkontribut me shtetin. Dhe kjo është e domosdoshme, këtë e bën Greqia, e bëjnë shumë vende të tjera./Dosja.al
TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha se rritja e çmimeve ka vështirësuar dhe varfëruar shqiptarët. Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët në rrjetet sociale, Kryedemokrati prezantoi edhe planin me tre masa të PD-së për përballimin e situatës. Berisha u shpreh se tre masat janë vendosja e minimumit jetik 200 euro për çdo shqiptar, heqja ose uljen e TVSH-së në 6% për produktet ushqimore dhe dyfishimin e pagave e pensioneve. Sipas Liderit të opozitës, këto masa do të ndihmojnë në zbutjen e kostos së jetesës për qytetarët.
Pjesë nga bashkëbisedimi:
Dejona Ruka: Doktor, çmimet janë rritur aq shumë dhe nuk po ia dalim dot të mbyllim muajin. Po blejmë gjithnjë e më pak produkte ushqimore. A keni ju ndonjë plan konkret se si ta zbusni këtë inflacion të çmimeve? Po ndonjë plan konkret për rritjen e pagave në përgjithësi?
Sali Berisha: Faleminderit për pyetjen Dejona. Pa diskutim që dara e varfërisë në këtë vend shtrëngohet para së gjithash nga rritja e madhe disproporcionale e çmimeve në raport me rrogat. Rritje kjo, e cila ka si shkak themelor narko-euron dhe narko-shtetin. Por rritje kjo, për të cilën Partia Demokratike ka një përgjigje flakë për flakë për neutralizimin dhe zbutjen e saj. Së pari, vendosja e minimumit jetik 200 euro për çdo shqiptar. Së dyti, heqja e TVSH-së ose zbritja e saj në 6% në të gjitha produktet ushqimore. Së treti, dyfishimi i rrogave dhe pensioneve me një politikë agresive të rritjes së tyre. Unë kam besim se me këto tre masa, kjo darë që shtrëngohet çdo muaj e më shumë në fytin e shqiptarëve, do mund të bllokohet dhe të lirohet./Dosja.al
TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, ka akuzuar mazhorancën se Parlamenti nuk përfaqëson qytetarët, por interesat e krimit dhe të korrupsionit. Gjatë një komunikimi me ndjekësit në Facebook, Berisha u ndal te reforma territoriale, duke deklaruar se PD paraqiti një projekt alternativ. Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se u tërhoq në mënyrë të njëanshme nga procesi dhe miratoi raportin e qeverisë në kundërshtim me procedurat, duke e akuzuar njëkohësisht se ai është përfaqësues i kartelave më të rrezikshëm të drogës në Evropë.
Kreu i opozitës vazhdoi fjalimin e tij duke u bërë thirrje qytetarëve të bashkohen në protestë deri në largimin e kryeministrit, teksa theksoi se me këtë të fundit nuk ka reformë. Sipas tij qindra qytetarë nga i gjithë vendi, kishin shprehur dëshirën që PD të marrë pjesë në komisionin e reformës territoriale, gjë që u zbatua nga ana e tyre.
"Pra, opozita në një përpjekje të jashtëzakonshme, e mbajti parlamentin pesë orë me dy çështje kryesore, reforma territoriale dhe çështja e dytë, kërkesat e protestuesve jashtë parlamentit, të cilët kishin vetëm një kërkesë: nuk përfaqësonin një të vërtetë absolute. Ky parlament dhe këta deputetë të pseudomazhorancës nuk përfaqësojnë qytetarët. Ata përfaqësojnë miliarda e miliarda euro të taksapaguesve të përdorur sipas dokumenteve ndërkombëtare për të ndikuar, për të kontrolluar vullnetin e zgjedhësve. Ata përfaqësojnë grupe terroriste të shpifura të patronazhistëve që sillen si polici politike e votës.
Ata përfaqësojnë kartelet më të rrezikshme të drogës në Evropë. Ata përfaqësojnë plaçkitjet më të mëdha të pasurisë publike dhe vjedhjet e buxhetit. Përfaqësojnë votën e krimit dhe në asnjë rast, në asnjë rrethanë qytetarët shqiptarë. Ja sepse PD kërkoi me insistimin më të madh shkrirjen dhe përfundimin ditën e enjte të parlamentit shqiptar. Sikundër denoncuam para shqiptarëve dhe mbarë botës aktin e papërgjegjshëm të Edi Ramës të tërheqjes së njëanshme nga reforma territoriale.
Të dashur miq, në krye të radhës kam deklaruar se me Edi Ramën, reformë nuk ka. Por nga ana tjetër jo një apo dy, por dhjetëra dhe qindra e më shumë qytetarë nga të katër anët e vendit, kanë kërkuar që PD të marrë pjesë në komisionin e reformës territoriale për të mbrojtur interesat e tyre në këtë komision. Dhe ne këtë bëmë. Zoti Luçiano Boçi në krye të këtij komisioni nga ana jonë dhe deputetët tanë bënë një punë jashtëzakonisht serioze. Përgatitën me seriozitetin më të madh së bashku me ekspertët e fushës projektin më të mirë të reformës së ardhshme territoriale, ku bashkitë nga 60 jo që nuk zvogëloheshin, por dyfishoheshin.
Në të cilin përveç bashkive shtoheshin dhjetëra e dhjetëra komuna sipas territoreve ku ato është e mundur të ngrihen dhe ndryshimet e thella demografike lejojnë ngritjen e tyre. Pas konsultave të gjera bipartizane, në të cilat qytetarët e të gjithë spektrit politik demaskuan njëzëri reformën e shkuar të Edi Ramës, Edi Rama vendosi të mbyllë punimet e komisionit, të tërhiqet dhe e votoi në mënyrë të njëanshme dhe të kundërligjshme raportin e Maznikut, i cili nuk ishte paraqitur në komision.
Pra, ai bën gjithçka për një konfrontim dhe unë ftoj qytetarët që këtë reformë kaq të rëndësishme për ata, për komunitetet e tyre, për zonën e tyre, të mos e lënë në duart e Edi Ramës por të bashkohen me kryengritjen e përgjithshme popullore në Tiranë gjer në largimin e tij," tha Berisha./Dosja.al

TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një transmetimi live me ndjekësit në Facebook, hodhi akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke pretenduar se gjatë javës që lamë pas mazhoranca miratoi në Kuvend ligje dhe ndryshime ligjore që të cilat favorizojnë oligarkët dhe interesat e qeverisë.
Gjatë fjalimit të tij, ai deklaroi gjithashtu se qeveria përdori fondet publike për organizimin e koncertit të reperit Kanye West, duke e cilësuar atë si një përpjekje për të larguar vëmendjen nga protestat qytetare. Sipas tij, protesta po fiton mbështetje çdo ditë dhe po ushtron presion në rritje ndaj qeverisë.
Në fjalën e tij, kreu i opozitës akuzoi autoritetet për përdorimin e forcës dhe të lëndëve kimike ndaj protestuesve paqësorë, teksa theksoi se kërkesa kryesore e protestës mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama. Berisha e konsideroi Ramën një kryeministër jolegjitim dhe e akuzoi për korrupsion dhe manipulim zgjedhor, duke pretenduar se këto janë të dokumentuara në raportet ndërkombëtare.
"Java që lamë pas ishte një javë e nxehtë. Këtë javë, Edi Rama përdori forcën e kartonave të tij të krimit për të votuar në parlament ligje dhe amendime të kodit civil, të kodit detar, me të cilat ai mbështet fuqishëm oligarkët dhe interesat e tij kriminale. Edi Rama përdori kartonat e tij të krimit për të votuar në parlament dhuratën e parave që u grabiti pensionistëve shqiptarë, qytetarëve shqiptarë dhe për t’ua dhuruar ato miliarderit Kanye West. Në një koncert që synonte mbi të gjitha një sfumim apo zhurmim të kryengritjes paqësore më të fuqishme që ka njohur Shqipëria që nga vitet ’90.
Përveç kësaj, ai përdori dhunën më të egër, lëndët helmuese, djegëse, kimike njëlloj si ato që përdoren në llogoret e luftës kundër armiqve, i përdori ndaj protestuesve paqësorë të protestës rinore qytetare. Por, duhet theksuar se dallgët e kësaj lëvizje jo vetëm që nuk po shuhen, por po bëhen gjithnjë e më tronditëse për Edi Ramën dhe regjimin e tij. Miq, ju që e ndoqët dje në Pallatin Presidencial, ju patë aty një dyfytyrësh, një cinik dhe një njeri të falimentuar. Një njeri që injoroi de facto totalisht kërkesat e ligjshme të protestuesve që po bëhen prej dy muajsh.
Kërkesat më themelore të kësaj proteste janë pesë pikat, nga të cilat e para është, Edi Rama jep dorëheqjen të parevokueshme, të panegociueshme. Nuk ka kërkesë më legjitime se Edi Rama nuk është kryeministër legjitim. Edi Rama është instaluar në pushtet nga zgjedhjet e plaçkitura, të vërtetuara tashmë nga të gjithë raportet ndërkombëtare. Edi Rama qëndron në pushtet pasi kanë vjedhur qindra e qindra milionë euro së bashku me Lubi Ballukun dhe e mbrojti atë për të mbrojtur veten e tij në një akt të paprecedent. Dhe në një shkallë të plotë papërgjegjësie u thoshte dje se në 100 vitet e fundit, nuk është dënuar ndonjë zyrtar për korrupsion, paçka se vetëm 30 vitet e fundit, dy ish-kryeministra socialistë kanë bërë burg për veprën penale të korrupsionit. Por kur nuk ke turp, bën çdo gjë dhe thua çdo gjë," tha Berisha./Dosja.al