LIVE UPDATES
Ekonomi

Sejko: Viti mbyllet me normë interesi 2.5%, ekonomia në rritje dhe inflacioni drejt objektivit të BSH-së

Gjatë një konference për mediat, Sejko u shpreh se ekonomia pritet të rritet, ndërsa inflacioni pritet të kthehet në objektiv, gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026.

17 Dhjetor 2025, 16:52 Nga E.d
Sejko: Viti mbyllet me normë interesi 2.5%, ekonomia në rritje dhe
Gent Sejko

TIRANË- Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ka deklaruar ditën e some se Këshilli Mbikëqyrës i BSH, ka vendosur që të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, duke e lënë në nivelin 2.5%. Gjatë një konference për mediat, Sejko u shpreh se ekonomia pritet të rritet, ndërsa inflacioni pritet të kthehet në objektiv, gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026.

Sejko tha se, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 1.5% dhe të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 3.5%. Ai tha se aktiviteti ekonomik parashikohet të rritet me ritme të qëndrueshme dhe pranë potencialit në periudhën afatmesme, duke reflektuar rritjen e konsumit, investimeve dhe eksportit të turizmit.

DEKLARATA E GUVERNATORIT SEJKO

Të nderuar përfaqësues të medias,

Sot, në datën 17 dhjetor 2025, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin e Ndërmjetëm të Politikës Monetare për tremujorin e katërt.

Informacioni i marrë në analizë sugjeron se ekonomia shqiptare ka vijuar të ndjekë një trajektore pozitive zhvillimi, gjatë gjysmës së dytë të vitit 2025. Kjo ecuri pasqyrohet në rritjen solide të aktivitetit ekonomik, mbajtjen e inflacionit nën kontroll, si dhe në konsolidimin e treguesve kryesorë të shëndetit ekonomik e financiar të vendit.

Politika monetare e ndjekur nga Banka e Shqipërisë ka pasur një rol esencial në këtë kontekst. Qëndrimi i saj konsistent me objektivin tonë të stabilitetit të çmimeve dhe fleksibiliteti operacional kanë kontribuuar në ankorimin e pritjeve për inflacionin dhe kanë gjeneruar kushte financiare të përshtatshme për rritjen e konsumit dhe të investimeve të familjeve dhe bizneseve.

Parashikimet tona për të ardhmen mbeten pozitive. Ekonomia pritet të rritet pranë potencialit të saj gjatë horizontit afatmesëm, ndërsa inflacioni pritet të kthehet në objektiv, gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026. Në këto rrethana, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë gjykoi se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm.

[Më lejoni t’ju ofroj, në vijim, një pasqyrë më të detajuar të opinionit tonë mbi zhvillimet ekonomike e financiare, si dhe të detajoj vendimin e politikës monetare dhe arsyet që e motivuan atë.]

Inflacioni i çmimeve të konsumit rezultoi në nivelin mesatar prej 2.2%, gjatë muajve tetor e nëntor, duke shënuar një rënie të lehtë nga tremujori i tretë. Kjo ecuri u diktua më së shumti nga ulja e inflacionit të artikujve ushqimorë. Paralelisht me to, rritja e shpejtë e çmimit të qirasë u frenua në muajin nëntor, kontributi negativ i inflacionit të naftës u zbeh plotësisht, ndërsa inflacioni i artikujve të tjerë rezultoi përgjithësisht i qëndrueshëm.

Në terma makroekonomikë, presionet e brendshme inflacioniste vijojnë të jenë në linjë me objektivin e stabilitetit të çmimeve, duke pasqyruar një ekuilibër më të mirë të kërkesës dhe ofertës në tregun e produkteve. Nga ana tjetër, presionet e huaja janë dobësuar më tej, në pasqyrim të rënies së çmimeve të lëndëve të para në tregjet ndërkombëtare dhe mbiçmimit – ndonëse më të ngadaltë – të Lekut. Në reflektim të këtyre zhvillimeve, inflacioni i brendshëm dhe ai bazë janë rritur gjatë vitit, duke qëndruar rreth niveleve mesatare 3.1-3.5% në muajt tetor-nëntor, ndërkohë që inflacioni i importuar është në territor negativ dhe ai afatshkurtër ka zbritur në minimumet e tij historike.

Pas rritjes me 3.6% në gjashtëmujorin e parë, informacioni i disponuar sugjeron se ekonomia shqiptare ka vijuar të rritet me ritme të ngjashme edhe në gjysmën e dytë të vitit. Të dhënat nga sektori real, monetar e fiskal, sinjalizojnë rritjen e mëtejshme të konsumit, investimeve dhe eksporteve të shërbimeve, duke reflektuar vijimin e trendit pozitiv gjatë muajve të fundit. Në veçanti, rritja me rreth 22% e shërbimeve të turizmit në tremujorin e tretë, tregon vijimin e kontributit pozitiv të këtij sektori. Kjo dinamikë ka ndikuar në përmirësimin e pozicionit të jashtëm, duke e çuar ekonominë shqiptare – për herë të parë në periudhën post-tranzicion – drejt suficitit të llogarisë korrente për tre tremujorët e parë të vitit.

Rritja ekonomike është pasqyruar edhe në ecurinë e tregut të punës. Shkalla e papunësisë zbriti në 8.1% në tremujorin e tretë, ndërsa pagat në sektorin privat u rritën me 9.8%, duke treguar një rritje dinamike dhe me bazë të gjerë. Deri tani, rritja e pagave ka mbështetur rritjen e fuqisë blerëse të familjeve, pa gjeneruar presione shtesë mbi inflacionin. Megjithatë, kërkesa e lartë për punë nga bizneset dhe kufizimet në fuqinë punëtore vazhdojnë të mbajnë nën presion tregun e punës, duke përbërë një rrezik të kahut të sipërm mbi ecurinë e inflacionit.

Në tërësi, faktorët mbështetës të rritjes ekonomike në afatin e mesëm paraqiten solidë. Gjendja e qëndrueshme financiare e sektorit privat, së bashku me klimën pozitive të besimit dhe kushtet e favorshme të financimit, kanë nxitur rritjen e konsumit dhe investimeve private. Paralelisht me to, rritja e të ardhurave nga turizmi ka vijuar të japë një kontribut pozitiv në ekonomi.

Njëkohësisht, politikat e kujdesshme dhe të koordinuara makroekonomike kanë bërë të mundur ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe kanë forcuar qëndrueshmërinë makroekonomike.

Në veçanti, politika monetare ka lëvizur në kahun akomodues gjatë vitit 2025, duke ulur normën bazë të interesit në muajin korrik dhe duke vijuar të ruajë një prezencë të lartë në tregun valutor, me qëllim zbutjen e presioneve forcuese ndaj kursit të këmbimit. Këto ndërhyrje kanë kontribuuar në një stabilitet më të lartë të kursit të këmbimit dhe të mjedisit financiar.

Për rrjedhojë, tregu financiar është shfaqur i qëndrueshëm, me prime të ulëta rreziku dhe norma të ulëta interesi. Kredia për sektorin privat ka vijuar të zgjerohet me ritme të larta, e nxitur nga kërkesa e qëndrueshme dhe e mbështetur nga kushtet e favorshme të financimit. Portofoli i kredisë shënoi një rritje vjetore prej 14.2% në muajin tetor, duke qëndruar pranë ritmeve të vitit të kaluar, por dukshëm mbi mesataren e viteve të fundit. Në veçanti, vihen re tre zhvillime pozitive: së pari, rritja e qëndrueshme e kredisë për investime, e cila sinjalizon zgjerimin e kapaciteteve prodhuese të vendit; së dyti, rritja e shpejtë e kredisë në Lek dhe rritja e peshës së saj ndaj totalit, çka përmirëson si hapësirën e veprimit të politikës monetare ashtu edhe stabilitetin financiar të vendit; dhe, së treti, cilësia e qëndrueshme e portofolit, e ilustruar nga niveli i ulët i raportit të kredive me probleme, prej 4.3%.

Në këtë kontekst, parashikimet për të ardhmen mbeten pozitive.

Aktiviteti ekonomik parashikohet të rritet me ritme të qëndrueshme dhe pranë potencialit në periudhën afatmesme, duke reflektuar rritjen e konsumit, investimeve dhe eksportit të turizmit. Kjo rritje do të mbështetet nga gjendja e qëndrueshme financiare e sektorit privat, kushtet stimuluese të financimit, zgjerimi i kredisë dhe besimi i agjentëve ekonomikë. Rritja ekonomike pritet të shoqërohet me rritje të mëtejshme të punësimit dhe të pagave.

Inflacioni parashikohet të kthehet në objektivin tonë prej 3%, gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026. Në mungesë të goditjeve të ofertës, ky kthim do të mbështetet nga stabilizimi i çmimeve në tregjet ndërkombëtare, moderimi i mbiçmimit të Lekut dhe nga qëndrueshmëria e presioneve të brendshme, në pasqyrim të rritjes së shëndetshme të ekonomisë dhe pritjeve të ankoruara për inflacionin.

Gjykimi ynë mbi balancën e rreziqeve ndaj parashikimit të inflacionit nuk ka ndryshuar, me rreziqe të balancuara në afatin e mesëm. Në veçanti, një rritje e tensioneve gjeopolitike mund të shkaktojë një inflacion më të lartë se pritjet, ndërsa një ngadalësim më i fortë i ekonomive partnere mund të ndikojë në kahun e kundërt.

Bazuar në sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi:

të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 2.5%;
të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 1.5%;
të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 3.5%.
Këshilli Mbikëqyrës gjykon se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm për përmbushjen e objektivit tonë të stabilitetit të çmimeve. Ai ofron një balancë të drejtë midis nxitjes së rritjes ekonomike në afatin e shkurtër me ruajtjen e stabilitetit të çmimeve në afatin e mesëm.

Gjithashtu, Këshilli Mbikëqyrës vëren se balanca e përgjithshme e presioneve afatmesme po afrohet gradualisht drejt objektivit tonë të inflacionit, zhvillim i cili do të gjejë një faktorizim në rritje në vendimmarrjen tonë të ardhshme. Megjithatë, vendimet e politikës monetare do të vijojnë të kushtëzohen në çdo rast nga informacioni i ri, dhe në veçanti nga analizat dhe vlerësimet mbi ecurinë e presioneve të brendshme inflacioniste. Këto vendime do të jenë gjithnjë në përputhje me objektivin tonë të stabilitetit të çmimeve, konsistente me kahun e politikës fiskale dhe ecurinë e kursit të këmbimit në vend, si dhe me zhvillimet potenciale në tregjet ndërkombëtare dhe partnerët tanë të huaj tregtarë.

Të nderuar përfaqësues të medias,

Duke përfituar nga fakti se kjo konferencë shtypi është e fundit për vitin 2025, dëshiroj të bëj – ashtu siç është bërë traditë e këtyre konferencave, – edhe një pasqyrë të shkurtër të punës dhe rezultateve të Bankës së Shqipërisë gjatë vitit që po lemë pas.

Fillimisht, më lejoni të theksoj se aktiviteti i punës sonë ka qenë dhe mbetet i orientuar drejt përmbushjes së objektivave dhe detyrave tona ligjore: garantimin e stabilitetit të çmimeve, mbështetjen e stabilitetit financiar dhe zhvillimin e tregjeve financiare dhe sistemeve të pagesave. Në këtë këndvështrim, gjej me vend të konstatoj se Banka e Shqipërisë i ka përmbushur me sukses këto detyra gjatë vitit 2025, duke dhënë një kontribut esencial në forcimin e stabilitetit ekonomik e financiar të vendit, kontribut i cili është njohur edhe nga vlerësimet e partnerëve tanë të brendshëm e të huaj.

Meqenëse komunikimi për çështjet e politikës monetare ka qenë më i shpeshtë, në vijim dëshiroj të ndalem në fushat e tjera të aktivitetit tonë, duke filluar nga puna jonë për forcimin e stabilitetit financiar.

Stabiliteti financiar

Aktiviteti i Bankës së Shqipërisë në këtë drejtim orientohet në tre shtylla kryesore: mbikëqyrjen dhe rregullimin bankar, politikën makroprudencale dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme.

Në drejtim të mbikëqyrjes dhe rregullimit bankar, puna jonë u fokusua në ruajtjen e parametrave të shëndetit të sistemit bankar, duke e vënë theksin në një vlerësim më të thelluar të rreziqeve, veçanërisht të atyre që lidhen me kreditimin dhe përqendrimet sektoriale. Gjatë vitit 2025, ne kemi kryer 12 ekzaminime në vend, duke përfshirë subjektet bankare dhe jobankare, subjektet e parasë elektronike dhe shoqëritë e kursim kreditit, si dhe kemi ndërmarrë rreth 30 inspektime në zyra të këmbimit valutor.

Gjithashtu:

në kuadër të procesit të integrimit evropian, ne kemi punuar për një rishikim tërësor të legjislacionit në fuqi, duke synuar përshtatjen e tij me standardet më të avancuara evropiane, si dhe kemi vijuar komunikimin me EBA-në (European Banking Authority), në drejtim të procesit të ekuivalencës, dhe me autoritetet homologe, në kuadër të kolegjeve mbikëqyrëse;
në funksion të mbrojtjes së konsumatorit, ne kemi forcuar kërkesat për transparencë në produktet dhe shërbimet financiare, veçanërisht në informimin e klientëve mbi normat e interesit, kostot totale, dhe komisionet e kushtet kontraktore. Subjektet financiare që kemi në juridiksion janë orientuar të përdorin një gjuhë të qartë, në mënyrë që konsumatorët të marrin vendime të informuara;


në fushën e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, prioriteti kryesor i Bankës së Shqipërisë ka qenë monitorimi i shkallës së përputhshmërisë së sistemit bankar me legjislacionin në fuqi dhe vijimi i bashkëpunimit ndërinstitucional, veçanërisht me Agjencine e Inteligjences Financiare, në përputhje me rekomandimet e MoneyVAL;
së fundi, në funksion të kontrollit të rreziqeve të lidhura me digjitalizimin, në bashkëpunim me US Treasury, ne kemi kryer një vlerësim të sigurisë kibernetike të bankave. Ky vlerësim konkludoi se këto subjekte janë orientuar drejt forcimit të kontrolleve dhe mbrojtjes së të dhënave.


Në drejtim të politikës makroprudenciale, për të ruajtur cilësinë e përgjithshme të ekspozimeve bankare, në muajin qershor 2025, ne kërkuam nga bankat plotësimin e rritjes së dytë të shtesës kundërciklike të kapitalit. Po ashtu, për të ruajtur cilësinë e ekspozimeve bankare në drejtim të tregut të pasurive të paluajtshme rezidenciale, në maj 2025, Banka e Shqipërisë mori vendimin për vendosjen e kufizimeve në disa tregues të standardeve të kredisë së re për pasuri të paluajtshme rezidenciale. Edhe në këtë fushë, Banka e Shqipërisë mbetet proaktive për adoptimin e standardeve më të mira.

Në drejtim të ndërhyrjes se jashtëzakonshme, Banka e Shqipërisë ka kryer rishikimin vjetor të planeve të bankave për vijueshmërinë e aktivitetit dhe ka monitoruar progresin e tyre në drejtim të plotësimit të kërkesave rregullatore për nivelin e MREL-së.

Këto zhvillime kanë mundësuar një zgjerim të shpejtë e të shëndetshëm të veprimtarisë bankare, të mbështetur nga rritja e depozitave të publikut dhe të orientuar drejt kreditimit dhe investimeve në tituj. Treguesit e kapitalizimit, të likuiditetit dhe të performancës financiare të sektorit bankar, ruajtën nivele të mira.

Sistemet e pagesave

Banka e Shqipërisë ka shënuar përparime konkrete gjatë vitit 2025 edhe në fushën e sistemeve të pagesave, si në drejtim të modernizimit të infrastrukturës financiare ashtu edhe të avancimit të agjendës së integrimit evropian. Këto zhvillime kulmojnë me aderimin e Shqipërisë në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA), një arritje me peshë strategjike, e cila e pozicionon vendin tonë në të njëjtin nivel funksional me tregun evropian të pagesave. Ky hap dëshmon se sistemi financiar shqiptar ka arritur një nivel maturie institucionale, rregullatore dhe teknologjike, të krahasueshme me standardet e Bashkimit Evropian, duke garantuar pagesa në Euro me të njëjtat rregulla, shpejtësi dhe kosto si brenda BE-së.

Në të njëjtën kohë, Banka e Shqipërisë ka përfunduar me sukses modernizimin e infrastrukturave kritike të pagesave: AIPS, AIPS EURO dhe AECH, përmes implementimit të standardeve më të mira të fushës. Këto investime strategjike kanë rritur qëndrueshmërinë, sigurinë dhe eficiencën e sistemeve të pagesave. Paralelisht me to, masat rregullatore të ndërmarra kanë nxitur përdorimin e pagesave elektronike, duke ulur ndjeshëm kostot për qytetarët e bizneset, si dhe duke nxitur formalizimin dhe modernizimin e ekonomisë. Qysh nga vënia në jetë e këtyre nismave, konsumatori shqiptar ka kursyer mbi 200 milionë euro.

Në vijim të këtij transformimi strukturor, me mbështjetjen e Bankës së Italisë, ne kemi nisur zbatimin e projektit TIPS Clone, një nismë strategjike që synon krijimin e një platforme kombëtare për pagesat e menjëhershme, plotësisht të harmonizuar me standardet evropiane dhe të ndërveprueshme me sistemet e Bashkimit Evropian. Ky projekt përbën një hap kyç drejt ekonomisë digjitale, duke mundësuar pagesa në kohë reale, 24/7, dhe duke hapur rrugën për produkte dhe modele të reja biznesi në tregun e pagesave.

Administrimi i rezervës valutore

Rritja e vazhdueshme e stokut të rezervës valutore të Bankës së Shqipërisë gjatë viteve të fundit – e cila aktualisht shënon vlerën e 7.1 miliardë eurove – ka diktuar nevojën e përmirësimit të mëtejshëm të administrimit të rezervës valutore. Më konkretisht, gjatë vitit 2025, puna jonë është fokusuar në drejtimet e mëposhtme:

përmirësimin e infrastrukturës së teknologjisë të informacionit, në mbështetje të aktivitetit të administrimit të rezervës valutore dhe të aktiviteteve të tjera operacionale të Bankës; zgjerimin e gamës së instrumenteve ku investohet rezerva; rishikimin e peshës strategjike së rezervës të arit monetar.

Komunikimi

Viti 2025 shënoi një moment historik për Bankën e Shqipërisë, me kremtimin e 100-vjetorit të krijimit të bankës qendrore dhe të themelimit të sistemit monetar shqiptar. Ky përvjetor u konceptua jo vetëm si një akt përkujtimor, por si një platformë reflektimi dhe komunikimi publik mbi rolin e bankës qendrore në ndërtimin e shtetit, garantimin e stabilitetit ekonomik dhe përparimin e procesit të integrimit evropian. Përmes një programi të gjerë aktivitetesh institucionale, kulturore dhe akademike, Banka e Shqipërisë ndërtoi një narrativë gjithëpërfshirëse që lidhi trashëgiminë historike me misionin dhe sfidat e së ardhmes, duke forcuar më tej lidhjen me publikun dhe besimin në institucion.

Paralelisht me të, komunikimi institucional u fokusua në shpjegimin e vendimmarrjes së Bankës lidhur me politikën monetare, stabilitetin financiar dhe reformat strukturore, me synim forcimin e besueshmërisë dhe pritjeve të informuara të aktorëve ekonomikë. Përmes një sërë publikimesh, fjalimesh, njoftimesh për shtyp, intervistash dhe postimesh në rrjetet kryesore sociale, komunikimi ka kontribuuar në rritjen e kuptueshmërisë së vendimmarrjes së Bankës dhe në forcimin e dialogut me publikun, duke mbështetur stabilitetin makroekonomik dhe financiar të vendit.

Aktivitete të tjera

Paralelisht me këto drejtime primare të punës sonë, gjatë vitit 2025, Banka e Shqipërisë ka punuar për realizimin e projekteve strategjike që synojnë modernizimin e infrastrukturës statistikore, në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në përgjigje të zhvillimeve të shpejta teknologjike, të integrimit financiar dhe të kërkesës në rritje për transparencë, cilësi dhe qëndrueshmëri të të dhënave. Gjithashtu, ne kemi punuar për plotësimin në kohë dhe me cilësi të nevojave të ekonomisë për para fizike, duke mundësuar furnizimin e rregullt të sistemit bankar dhe ekonomisë shqiptare. Së fundi, ne kemi investuar për rritjen e sigurisë kibernetike, nëpërmjet përmirësimit të sigurisë së infrastrukturës dhe të sistemeve informatike, përsosjes së mëtejshme të bazës rregullatore e procedurale, planeve të vijimësisë, përditësimit të Sistemeve të Sigurisë e Mbrojtjes, si dhe rritjes së shkallës së ndërgjegjësimit dhe reagimit ndaj kërcënimeve kibernetike.

Të nderuar përfaqësues të medias,

Në mbyllje të këtij prezantimi të shkurtër, dëshiroj t’ju uroj festa të gëzuara dhe një vit të ri sa më të mbarë! Po ashtu, dëshiroj t’ju siguroj se Banka e Shqipërisë do të vijojë të punojë për përmbushjen e misionit të saj ligjor, duke ju garantuar se përkushtimi dhe profesionalizmi i stafit të saj kanë qenë dhe do të mbeten një garanci solide për stabilitetin monetar dhe financiar të vendit./Dosja.al

gent sejko  këshilli mbikëqyrës i bsh bsh

Sondazh

Poll
Ekonomi 14 Dhjetor 2025, 07:18 E.d

Të tregosh armët

Foto ilustruse Porta e Paqes Qiellore në Pekin nuk ishte aspak e qetë më 3 shtator, kur Xi Jinping, Kim Jong Un, Vladimir Putin dhe të ...

Pas më shumë se katër orësh, qytetarët vijojnë protestën rrugëve të Kryeqytetit

Pas më shumë se katër orësh, qytetarët vijojnë protestën rrugëve të Kryeqytetit

Gjesti i veçantë i protestuesit, u dhuron lule efektivëve në shenjë solidariteti për policin e vrarë

Pas tre orësh protestë, turma vijon qëndresën: Dorëheqje!

Prej më shumë se tre orësh para Kryeministrisë, protestuesit ndezin flakadanë

"Kush s'kërcen nuk është shqiptar o hej"/ PAMJE me dron nga protesta madhështore për Zvërnecin

Thirrja e qytetarit të Rrjollit: Hajde rini, merre situatën në dorë dhe drejto vendin

Me flamuj dhe pankarta në duar, qytetarët e Durrësit sërish protestë për projektin në Zvërnec

Tentoi të futej në Kryeministri, protestuesja bën simbolin e shqiponjës

"Ne i duam parqet, lodrat, natyrën"/ Vogëlushi në protestë thirrje: Mbrojini për ne!

Protesta kundër projektit në Zvërnec/ Brohoret turma: Edi Rama o tradhtar, duhet lidhur me litar

Protesta për Zvërnecin, qytetarë mbajnë 1 minutë heshtje për efektivin e vrarë në krye të detyrës

"Ruani qetësinë, Ramën ta zhdukim me të mirë"/ Tensione në protestën kundër projektit në Zvërnec

PAMJE nga protesta madhështore kundër projektit në Zvërnec/ Oshëtin bulevardi: O pallosh o zagar

Mijëra protestues në shesh thirrje ndaj kryeministrit Rama: Duam dorëheqje

Protesta për Zvërnecin, babai i Martin Canit i bashkohet protestuesve në shesh

Mijëra qytetarë në Bulevard/ Thirrje kundër Ramës dhe Berishës: U ka ardhur fundi, në burg

Balla nga Kuvendi: Greqia u ka borxh shqiptarëve marrëveshjen për pensionet

Dita e 5-të e protestës për Zvërnecin/ Nis marshimi drejt bulevardit: Revolucion

Balla ‘thumbon’ Berishën: U trembe nga protestuesit që erdhën te selia e PD-së dhe ndryshove qëndrim

"Na keni ça k***"/ Noizy shpërthen keq ndaj protestuesve: Nuk po e shet njeri Shqipërinë!

'Zvërneci'/ Berisha: Ju jeni mafie si në Beograd. Të gjitha dokumentet ju i shumëzoni me zero

Berisha: Pse e fshihni kreun e Meduzës. Tokat në Zvërnec i ka rrëmbyer Pjerini nga Lezha dhe Agaçi

Reperi Gashi mbështet protestat për Zvërnecin: Fëmijët tanë nuk janë mysafir në tokën e tyre

Këngëtarja Bebe Rexha vlerësohet me cmimin “Female Icon Award 2026”

Banorët dhe pushuesit përballen me fenomenin e pazakontë në Ksamil

"Ktheni ligjin për investimet strategjike" Bozdo në Kuvend: Betonizuat bregdetin e jugut...

Përplasje e ashpër mes Strazimirit e Muçit: Të rinjtë po protestojnë kundër jush, mbani përgjegjësi

"Marksist-leninist i vogël'! Përplasje e ashpër mes Strazimirit e Muçit:

Ngjarja e rëndë në Maliq/ Autori transportohet drejt Tiranës, familjarët: Çfarë i bëre?!

Berisha: Xhelati Rama u vë protestuesve paqësorë, topat e ujit që gjuajtën edhe foshnjën në karrocë

Berisha-Piro Vengut: Dezertove nga ushtria dhe mashtrove se je pasardhës i Marko Boçarit

Fshihej në një zonë të pyllëzuar, ja vendi ku u gjet autori i ngjarjes në Maliq

"Rama do organizojnë antimiting në Vlorë", Balla i përgjigjet Berishës: Kemi festën e PS!

Bido i kthehet opozitës: Ku ishit ju më 30 maj që nuk folët për Zvërvecin?

“Keni paralajmëruar anti-miting në Vlorë”, Berisha thirrje Ramës: Anuloje, është praktikë fashiste

Deputeti i “Lëvizjes Bashkë”: Rendi i ditës së sotme është kërkesa për dorëheqjen e qeverisë

U plagos në operacionin për kapjen e një personi në kërkim, mbërrin te Trauma polici

Vrasja e efektivit të Policisë në Korçë, Kuvendi nis me një minutë heshtje

Vrau një efektiv dhe plagosi një tjetër, mbërrin në spital autori

Reshjet përmbytin rrugët e Shëngjinit, vështirësi në qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve

Qytetarët nisen sërish drejt kryeministrisë, me flamurin kuq e zi dhe brohorima vazhdojnë protestën

Protestuesit marshojnë drejt zonës së Bllokut, qytetarët e tjerë nuk iu bashkohen #dosja #protesta

Protesta nuk ka të ndalur, qyetarët bllokojnë rrugën te Ura e Tajvanit, thirrje në kor policëve

Nga Sheshi tek Banka, qytetarët bllokojnë rrugën: Edi Rama ka mbaru

Qytetarët nuk ndalen në protestë/ Bllokojnë rrugën te selia e PS-së, ulen në gjunjë

Vazhdon protesta për Zvërnëcin/ Protestuesit ngren nga kafet qytetarët te Opera

E mbuluar me flamurin kuq e zi, e reja shfaqet me foshnjën në krah gjatë protestës

"Edi Rama jep dorëheqjen/E reja nga protesta:Ka ardhur koha të shkosh me Berishën te Veliaj dhe Meta

Qytetarët protestë në Vlorë për Zvërnecin, me pankarta në duar marshojnë drejt Sheshit të Flamurit

Dy orë protestë, bulevardi plot qytetarë ndriçohet nga blicat e telefonave: Jep dorëheqje