
KINË- Ministria e Jashtme e Kinës ka deklaruar sot se SHBA-ja po fiton para nga lufta në Ukrainë, duke korrur fitime të mëdha për sektorët e saj ushtarako-industrial dhe energjetik.
Sipas raportit “Gjendja e Demokracisë në SHBA në vitin 2022”, publikuar të hënën në faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, pas fillimit të luftës në ukrainë, SHBA-të panë një mundësi për të përfituar prej saj, shkruajnë mediat e huaja.
"Në vend që të ndërmerrte hapa për të promovuar një armëpushim, Uashingtoni vazhdoi të hidhte benzinë në zjarr dhe të korrte fitime të mëdha nga lufta në sektorë ushtarakë, industrialë, energjetikë dhe të tjerë. SHBA e ka karakterizuar gjithashtu furnizimin me armë për Ukrainën si një konfrontim midis demokracisë dhe autoritarizmit”, thuhet në raport.
Duke vazhduar sulmin e saj ndaj SHBA-së, ministria kineze shtoi se e ashtuquajtura demokraci e Shteteve të Bashkuara është pushtuar prej kohësh nga grupe individësh me interesa dhe kapital të përbashkët, duke sjellë paqëndrueshmëri dhe kaos në botë. Në gusht 2022, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi, këmbënguli të vizitonte Tajvanin, pavarësisht protestës së fortë të Kinës. Kjo ishte një sfidë e madhe politike që përkeqësoi tensionet nëpër ngushticat e Tajvanit.