LIVE UPDATES
Aktualitet

Nga Serbia tek Maqedonia e Veriut, Shqipëria po humbet tregjet e rajonit

Shqipëria po humbet gradualisht pozicionin e saj në tregtinë me vendet e rajonit (Kosovë, Maqedoni e Veriut, Serbi, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Mali i Zi), teksa të dhënat për vitin 2025 tregojnë përkeqësim të ndjeshëm të bilancit tregtar, të nxitur kryesisht nga rënia e eksporteve dhe rritja e importeve.

7 Shkurt 2026, 07:35 Nga E. D

Nga Serbia tek Maqedonia e Veriut, Shqipëria po humbet tregjet e rajonit

TIRANË- Rënia e eksporteve drejt Serbisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, ndërsa importet rriten më 2025, po e kthen tregtinë rajonale nga një burim suficiti në një presion të ri mbi ekonominë shqiptare. Në dy vjet, Shqipëria ka humbur rreth 12 miliardë lekë suficit vetëm me Kosovën dhe mbi 5 miliardë lekë eksporte me Serbinë, ndërsa importet nga rajoni po rriten me ritme 5 – 20% në vit. Nga një suficit prej 12.8 miliardë lekësh në vitin 2024, bilanci tregtar me rajonin ra në vetëm 3.3 miliardë në 2025, ndërsa eksportet u tkurrën me 7% dhe importet u rritën me gati 8%. Arsyet

Shqipëria po humbet gradualisht pozicionin e saj në tregtinë me vendet e rajonit (Kosovë, Maqedoni e Veriut, Serbi, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Mali i Zi), teksa të dhënat për vitin 2025 tregojnë përkeqësim të ndjeshëm të bilancit tregtar, të nxitur kryesisht nga rënia e eksporteve dhe rritja e importeve.

Produktet shqiptare po bëhen jokonkurruese me vendet e Ballkanit, por edhe më gjerë si rrjedhojë e rënies së vlerës së euros, rritjes së kostove të brendshme dhe mungesës së politikave fiskale që nxisin prodhimin me kosto të ulët.

Eksportet shqiptare drejt rajonit në vitin 2025 ranë në 62.7 miliardë lekë, nga 67.5 miliardë lekë në vitin 2024, duke shënuar tkurrje vjetore me rreth 7%. Në të njëjtën kohë, importet u rritën në 59.4 miliardë lekë, nga 54.7 miliardë lekë një vit më parë, ose gati 8% më shumë, sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT.

Këto zhvillime kanë përkeqësuar ndjeshëm bilancin tregtar. Në vitin 2024, Shqipëria kishte një suficit prej 12.8 miliardë lekësh në tregtinë me rajonin, ndërsa në vitin 2025 ai u ngushtua në vetëm 3.3 miliardë lekë, një përkeqësim prej afro 9.5 miliardë lekësh brenda një viti, me tkurrje rreth 280%. Vendi ynë humbi avantazhin që kishte ndërtuar gjatë viteve të fundit në tregjet fqinje.

Të dhënat tregojnë se problemi nuk qëndron vetëm te rritja e importeve, por sidomos te dobësimi i eksporteve, të cilat kishin arritur kulmin në vitin 2023 me mbi 79 miliardë lekë, por prej atëherë janë në rënie të vazhdueshme. Brenda dy vitesh, eksportet drejt rajonit kanë humbur më shumë se 16 miliardë lekë në vlerë.

Kjo prirje sugjeron se prodhuesit shqiptarë po humbin terren në tregjet e rajonit, përballë konkurrencës më të fortë nga vendet fqinje, kostove më të larta të prodhimit dhe një strukture eksporti ende të varur nga produkte me vlerë të ulët të shtuar.

Nëse kjo tendencë vazhdon, tregtia me rajonin, e cila tradicionalisht ka qenë një nga pikat më të forta të eksporteve shqiptare, rrezikon të kthehet në një tjetër kanal presioni mbi bilancin tregtar të vendit. Në kushtet kur edhe tregjet e BE-së po shfaqin ngadalësim, humbja e terrenit në rajon e bën edhe më të brishtë pozicionin e jashtëm të ekonomisë shqiptare.

Ruzhdi Koni, eksportues i prodhimeve të freskëta bujqësore, tha se edhe këtë vit, përkeqësimi do të thellohet për shkak të dëmeve që krijuan përmbytjet e fundit në fusha dhe në serra, shumica e tyre për eksport.

Nga eksportet në rajon, grupet me rënien më të madhe ishin materialet e ndërtimit, energjia dhe lëndët djegëse, të diktuara nga cikli i tkurrjes që po kalon sektori i industrisë.

Volumi tregtar i Shqipërisë me rajonin ishte 122 miliardë lekë në vitin 2025, pothuajse në të njëjtin nivel me 2024-n, dhe zuri 9.9% të volumit të përgjithshëm tregtar të vendit me jashtë.

Kosova është partneri kryesor tregtar me gati 43% të tregtisë me të gjithë rajonin, e ndjekur nga Serbia me 26%, Maqedonia e Veriut me 19.5% dhe të tjerat më pak.

Serbia po thellon epërsinë ndaj Shqipërisë, deficiti tregtar rritet edhe në vitin 2025

Tregtia e Shqipërisë me Serbinë po lëviz gjithnjë e më shumë në disfavor të ekonomisë shqiptare, duke u shndërruar në një nga pikat më problematike të bilancit tregtar me rajonin. Të dhënat për vitin 2025 tregojnë se, pavarësisht rritjes të lehtë të eksporteve, deficiti tregtar me Serbinë është thelluar edhe më tej.

Eksportet shqiptare drejt Serbisë arritën në 8.55 miliardë lekë në vitin 2025, nga 8.27 miliardë lekë në vitin 2024, duke shënuar një rritje modeste prej 3.3%. Megjithatë, kjo rritje nuk ka qenë e mjaftueshme për të kompensuar zgjerimin e importeve nga Serbia, të cilat u rritën me 5.8%, duke arritur në 23.1 miliardë lekë.

Si rezultat, deficiti tregtar i Shqipërisë me Serbinë u thellua në 14.56 miliardë lekë në vitin 2025, nga 13.50 miliardë lekë një vit më parë, një përkeqësim prej mbi 1 miliard lekësh vetëm brenda një viti.

Kjo do të thotë se për çdo 1 lek që Shqipëria eksporton drejt Serbisë, ajo importon gati 2.7 lekë mallra serbe, duke e bërë marrëdhënien tregtare të pabalancuar. Nëse krahasohen me vitin 2022, kur eksportet drejt Serbisë kishin arritur një kulm prej 13.5 miliardë lekësh, rënia është edhe më e fortë. Brenda tre vitesh, eksportet shqiptare drejt tregut serb u tkurrën me rreth 5 miliardë lekë (rreth 50 milionë euro), ndërsa importet mbeten të larta dhe relativisht të qëndrueshme.

Goditja më e fortë është te materialet e ndërtimit dhe metalet, ku eksportet shqiptare ranë me rreth 805 milionë lekë ose 7% vetëm në vitin 2025. Grupi tjetër me rënien më të fortë, 24%, ishin mineralet, lëndët djegëse dhe energjia elektrike, me afro 382 milionë lekë ose -24% më pak eksporte, çka tregon se Shqipëria po humb edhe në segmentet ku kishte avantazh kostoje.

Nga ana tjetër, importet e ushqimeve dhe pijeve nga Serbia u rritën me mbi 617 milionë lekë në vitin 2025 ose 5.5%, duke reflektuar rritjen e varësisë së tregut shqiptar nga produktet ushqimore serbe. Edhe importet e produkteve kimike dhe plastike u rritën me rreth 249 milionë lekë ose 8.2%, ndërsa materialet e ndërtimit dhe metalet u shtuan me afro 290 milionë lekë, ose 7.5%.

Të dhënat tregojnë se Serbia po zgjeron praninë e saj në Shqipëri, si furnizues jo vetëm i ushqimeve, por edhe i produkteve industriale, duke e shtyrë prodhimin vendas drejt një konkurrence gjithnjë e më të vështirë.

Të dhënat sugjerojnë se prodhuesit shqiptarë po humbasin hapësirë në tregun serb, ndërkohë që mallrat serbe po forcojnë praninë e tyre në tregun shqiptar. Kjo tendencë reflekton dobësinë strukturore të eksporteve shqiptare, të përqendruara në produkte me vlerë të ulët të shtuar dhe me kapacitete të kufizuara për të depërtuar në tregje më të mëdha.

Në kontekstin rajonal, Serbia po shfaqet gjithnjë e më shumë si një “qendër eksportuese” e Ballkanit Perëndimor, ndërsa Shqipëria po rrezikon të mbetet treg konsumi.

Shqipëria po humb edhe tregun e Kosovës, suficiti bie me 20% brenda një viti

Kosova, tradicionalisht tregu më i rëndësishëm rajonal për eksportet shqiptare, po jep shenja ftohjeje për mallrat nga Shqipëria. Të dhënat për vitin 2025 tregojnë se eksportet shqiptare drejt Kosovës ranë në 33.65 miliardë lekë, nga 36.83 miliardë lekë në vitin 2024, me tkurrje vjetore prej 9.5%. Kjo është rënia më e fortë vjetore e eksporteve drejt Kosovës gjatë pesë viteve të fundit të marra në analizë.

Humbja më e madhe vjen nga materialet e ndërtimit dhe metalet, ku eksportet janë tkurrur me rreth 8.7 miliardë lekë brenda një viti, ose 73% më pak. Furnizuesit nga Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Turqia po zëvendësojnë gjithnjë e më shumë produktet shqiptare në sektorë si çimentoja, hekuri, alumini dhe materialet e ndërtimit.

Edhe produktet kimike dhe plastike kanë pësuar rënie të fortë prej mbi 1 miliard lekësh ose 28%, duke konfirmuar se Kosova nuk po humbet vetëm si treg konsumi, por edhe si hapësirë për industrinë përpunuese shqiptare.

Në të njëjtën kohë, importet nga Kosova drejt Shqipërisë u rritën me 2.3%, duke arritur në 16.13 miliardë lekë.

Importet e mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë elektrike u rritën me mbi 1.4 miliardë lekë, ose 35%, si pasojë e blerjeve të energjisë elektrike, pjesë e marrëveshjeve për shkëmbimin e energjisë.
Edhe importet e produkteve kimike dhe plastike u rritën me mbi 120 milionë lekë ose 9.5%, ndërsa tekstilet dhe këpucët u shtuan ndjeshëm me rreth 29.5%.

Si pasojë, suficiti tregtar i Shqipërisë me Kosovën ra në 17.52 miliardë lekë në vitin 2025, nga 21.07 miliardë lekë në vitin 2024, një përkeqësim prej 3.54 miliardë lekësh, ose mbi 20%, brenda vetëm një viti.

Rënia është edhe më e thellë nëse krahasohet me vitin 2023, kur suficiti kishte arritur mbi 29 miliardë lekë. Brenda dy vitesh, Shqipëria ka humbur rreth 12 miliardë lekë suficit në tregtinë me Kosovën.

Ky zhvillim ka një peshë të veçantë, sepse Kosova përbën destinacionin më të madh rajonal për eksportet shqiptare. Dobësimi i këtij tregu dëshmon probleme më të thella në prodhimin shqiptar, pasi me Kosovën barrierat doganore janë minimale dhe avantazhi i gjuhës duhet të favorizonte Shqipërinë.

Edhe Maqedonia e Veriut po largohet nga mallrat shqiptare

Shqipëria po humbet terren edhe në tregtinë me Maqedoninë e Veriut, një tjetër partner i rëndësishëm rajonal, duke e kthyer këtë marrëdhënie nga suficit në një burim të ri deficiti tregtar.

Në vitin 2025, eksportet shqiptare drejt Maqedonisë së Veriut ranë ndjeshëm në 8.99 miliardë lekë, nga 11.8 miliardë lekë në vitin 2024, rënie vjetore prej gati 24%. Kjo është rënia më e fortë e eksporteve drejt këtij tregu gjatë pesë viteve të fundit.

Rënia më e fortë e eksporteve drejt Maqedonisë së Veriut është për “materialet e ndërtimit dhe metalet”, me afro 3 miliardë lekë më pak ose -65% eksporte, duke e kthyer këtë treg nga një burim suficiti në deficit të pastër për Shqipërinë.

Grupi i dytë me ndikimin më të lartë ishin eksportet e mineraleve dhe energjisë, të cilat janë tkurrur ndjeshëm me 8%. Ndërkohë, importet nga Maqedonia e Veriut drejt Shqipërisë u rritën me 16.7%, duke arritur në 14 miliardë lekë në vitin 2025, nga 12.06 miliardë lekë një vit më parë.

Rritja e importeve është edhe më e fortë dhe më e gjerë me Maqedoninë e Veriut. Importet e mineraleve dhe energjisë u rritën me mbi 2.4 miliardë lekë, ose 128% vitin e kaluar, duke u bërë burimi kryesor i rritjes së tregtisë me këtë vend.

Edhe importet e ushqimeve u rritën me 7%, makineritë dhe pajisjet me 42%, ndërsa tekstilet dhe produktet e drurit shënuan rritje të ndjeshme. Vetëm materialet e ndërtimit pësuan rënie të fortë, me mbi 1.1 miliardë lekë më pak importe, por kjo nuk e kompenson rritjen e fortë të importeve në grupet e tjera të mallrave. Kjo do të thotë se Shqipëria po varet gjithnjë e më shumë nga Maqedonia e Veriut për furnizime energjetike dhe mallra industriale.

Në vitet 2022 dhe 2023, Shqipëria kishte epërsi në tregtinë me Maqedoninë e Veriut, por e humbi këtë avantazh në dy vitet në vijim. Bilanci tregtar u përkeqësua ndjeshëm. Nga një deficit relativisht i moderuar prej 261 milionë lekësh në vitin 2024, Shqipëria kaloi në një deficit të thellë prej 5.09 miliardë lekësh në vitin 2025, një përkeqësim prej mbi 4.8 miliardë lekësh brenda një viti.

Kjo përmbysje reflekton rënie të shpejtë të konkurrueshmërisë së eksporteve shqiptare në vendin fqinj, ndërkohë që mallrat nga Maqedonia e Veriut po fitojnë terren në tregun shqiptar.

Mali i Zi, i vetmi treg ku Shqipëria po reziston

Në vitin 2025, Mali i Zi mbeti i vetmi partner fqinj ku Shqipëria arriti të ruajë një pozicion relativisht të qëndrueshëm. Në vitin 2025, eksportet shqiptare drejt Malit të Zi arritën në 8.0 miliardë lekë, nga 7.47 miliardë lekë në vitin 2024, duke shënuar një rritje prej 7.3%.

Edhe me këtë vend, i cili në total mbetet treg pozitiv për Shqipërinë, struktura e eksporteve po dobësohet. Materialet e ndërtimit dhe metalet janë në rënie të ndjeshme, ndërsa tekstilet po humbin gjithashtu terren. Rritja e eksporteve vjen nga energjia dhe ushqimet, por këta janë sektorë më të paqëndrueshëm dhe me marzhe më të ulëta krahasuar me industrinë përpunuese.

Importet nga Mali i Zi u rritën me 20.2%, duke arritur në 3.06 miliardë lekë vitin e kaluar, por kjo rritje nuk ka qenë e mjaftueshme për të përmbysur bilancin pozitiv. Importet u rritën kryesisht për produktet ushqimore dhe energjinë dhe lëndët djegëse.

Shqipëria ruajti një suficit tregtar prej 4.95 miliardë lekësh me Malin e Zi në vitin 2025, pothuajse në të njëjtin nivel me vitin 2024. Krahasuar me vitin 2023, kur suficiti me Malin e Zi kishte arritur në 7.25 miliardë lekë, Shqipëria ka humbur mbi 2.3 miliardë lekë avantazh neto në këtë treg.

Kjo do të thotë se edhe tregu më i favorshëm për eksportet shqiptare po tregon shenja ngadalësimi, ndërkohë që rritja e importeve nga Mali i Zi po e ngushton gradualisht hapësirën për suficit.

Në një rajon ku Shqipëria po humbet terren pothuajse në çdo shtet, qëndrueshmëria me Malin e Zi nuk mjafton për të kompensuar rënien e fortë të pozicioneve në Serbi, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.

Bosnja nga treg dytësor, në burim presioni për bilancin tregtar

Tregtia e Shqipërisë me Bosnjë-Hercegovinën po humbet gradualisht ekuilibrin, duke u shndërruar nga një marrëdhënie pothuajse e balancuar në një tjetër burim presioni për bilancin tregtar të vendit tonë.

Në vitin 2025, eksportet shqiptare drejt Bosnjës u rritën në 3.5 miliardë lekë, nga 3.1 miliardë lekë në vitin 2024, një rritje prej 13.1%. Por kjo rritje nuk mjaftoi për të kompensuar rritjen edhe më të shpejtë të importeve nga Bosnja drejt vendit tonë Importet nga Bosnja arritën në 2.9 miliardë lekë në vitin 2025, nga 2.5 miliardë lekë një vit më parë, duke u rritur me 19%.

Si rezultat, suficiti tregtar i Shqipërisë me Bosnjë-Hercegovinën ra në 512 milionë lekë në vitin 2025, nga 585 milionë lekë në vitin 2024, një përkeqësim prej rreth 72 milionë lekësh ose mbi 12%.

Në Bosnjë dhe Hercegovinë, eksportet shqiptare në total janë rritur, por struktura e rritjes është e dobët, sepse grupet industriale janë në rënie. Tekstilet dhe këpucët, makineritë dhe materialet e ndërtimit kanë shënuar rënie, ndërsa rritja vjen kryesisht nga ushqimet dhe mineralet. Shqipëria po humb terren në produktet me vlerë më të lartë të shtuar, ndërsa po mbetet furnizues i mallrave më elementare.

Ndërsa struktura e importeve nga Bosnja tregon një zhvendosje të fortë. Importet e materialeve të ndërtimit u rritën me 47%, prodhimet e drurit dhe letrës me 27%, tekstilet dhe këpucët me 23%. Bosnja po bëhet gjithnjë e më shumë një furnizues i lëndëve të para për tregun shqiptar.

Rrugë e vështirë për tregun e përbashkët rajonal

Nga nisja e Procesit të Berlinit në vitin 2014, tregtia në Ballkanin Perëndimor është bërë më e lehtë në procedura, por zbatimi i tyre ndeshet ende me vështirësi, duke penguar arritjen e shpejtë të objektivit të tregtisë pa kufij.

Procesi i Berlinit solli për herë të parë një përpjekje të bashkërenduar nga të gjashtë vendet e rajonit, së bashku me BE-në, për ta trajtuar tregtinë jo si çështje dypalëshe, por si një hapësirë të vetme ekonomike që duhet të funksionojë me rregulla të përbashkëta.

Kjo u përkthye në krijimin e Tregut të Përbashkët Rajonal, në marrëveshje për njohjen e ndërsjellë të certifikatave, në digjitalizimin e dokumenteve doganore dhe në krijimin e korridoreve të gjelbra, që synojnë të ulin kohën e pritjes së kamionëve në kufij dhe kostot e tranzitit.

Kjo do të thotë se sot, një kompani nga Shqipëria që eksporton në Serbi, Kosovë apo në Maqedoninë e Veriut përballet me më pak dokumente, më pak kontrolle të dyfishta dhe më shumë procedura të standardizuara sesa një dekadë më parë.
Përpara 2014-s, CEFTA ekzistonte, por ishte kryesisht një marrëveshje tarifore; Procesi i Berlinit e zhvendosi fokusin te barrierat jotarifore, pra te gjërat që realisht e bllokonin tregtinë, të tilla si certifikatat që nuk njiheshin, kontrollet veterinare të përsëritura, rregullat e ndryshme teknike etj.

Megjithatë, lehtësimi ka qenë i pjesshëm dhe i pabarabartë. Tregtia aktualisht është më e lirë dhe më e integruar, por kufijtë ende mbeten pengesa të forta në disa raste, sidomos për mallrat ushqimore, produktet bujqësore dhe dërgesat me vlerë të ulët.

Shpesh vendet i zbatojnë marrëveshjet vetëm kur u leverdis politikisht ose ekonomikisht, duke krijuar herë pas here tensione, vonesa, kontrolle shtesë apo ndalime të përkohshme. Edhe pse korniza e Procesit të Berlinit ka ulur kostot strukturore të tregtisë, potenciali i tregut rajonal ende nuk është shfrytëzuar plotësisht.

Ballkani Perëndimor është në një treg që nuk funksionon pa fërkime. Përfitimi për ekonominë e rajonit në tërësi mbetet ende nën potencialin që ishte synuar./MONITOR

Sondazh

Poll

Pas më shumë se katër orësh, qytetarët vijojnë protestën rrugëve të Kryeqytetit

Pas më shumë se katër orësh, qytetarët vijojnë protestën rrugëve të Kryeqytetit

Gjesti i veçantë i protestuesit, u dhuron lule efektivëve në shenjë solidariteti për policin e vrarë

Pas tre orësh protestë, turma vijon qëndresën: Dorëheqje!

Prej më shumë se tre orësh para Kryeministrisë, protestuesit ndezin flakadanë

"Kush s'kërcen nuk është shqiptar o hej"/ PAMJE me dron nga protesta madhështore për Zvërnecin

Thirrja e qytetarit të Rrjollit: Hajde rini, merre situatën në dorë dhe drejto vendin

Me flamuj dhe pankarta në duar, qytetarët e Durrësit sërish protestë për projektin në Zvërnec

Tentoi të futej në Kryeministri, protestuesja bën simbolin e shqiponjës

"Ne i duam parqet, lodrat, natyrën"/ Vogëlushi në protestë thirrje: Mbrojini për ne!

Protesta kundër projektit në Zvërnec/ Brohoret turma: Edi Rama o tradhtar, duhet lidhur me litar

Protesta për Zvërnecin, qytetarë mbajnë 1 minutë heshtje për efektivin e vrarë në krye të detyrës

"Ruani qetësinë, Ramën ta zhdukim me të mirë"/ Tensione në protestën kundër projektit në Zvërnec

PAMJE nga protesta madhështore kundër projektit në Zvërnec/ Oshëtin bulevardi: O pallosh o zagar

Mijëra protestues në shesh thirrje ndaj kryeministrit Rama: Duam dorëheqje

Protesta për Zvërnecin, babai i Martin Canit i bashkohet protestuesve në shesh

Mijëra qytetarë në Bulevard/ Thirrje kundër Ramës dhe Berishës: U ka ardhur fundi, në burg

Balla nga Kuvendi: Greqia u ka borxh shqiptarëve marrëveshjen për pensionet

Dita e 5-të e protestës për Zvërnecin/ Nis marshimi drejt bulevardit: Revolucion

Balla ‘thumbon’ Berishën: U trembe nga protestuesit që erdhën te selia e PD-së dhe ndryshove qëndrim

"Na keni ça k***"/ Noizy shpërthen keq ndaj protestuesve: Nuk po e shet njeri Shqipërinë!

'Zvërneci'/ Berisha: Ju jeni mafie si në Beograd. Të gjitha dokumentet ju i shumëzoni me zero

Berisha: Pse e fshihni kreun e Meduzës. Tokat në Zvërnec i ka rrëmbyer Pjerini nga Lezha dhe Agaçi

Reperi Gashi mbështet protestat për Zvërnecin: Fëmijët tanë nuk janë mysafir në tokën e tyre

Këngëtarja Bebe Rexha vlerësohet me cmimin “Female Icon Award 2026”

Banorët dhe pushuesit përballen me fenomenin e pazakontë në Ksamil

"Ktheni ligjin për investimet strategjike" Bozdo në Kuvend: Betonizuat bregdetin e jugut...

Përplasje e ashpër mes Strazimirit e Muçit: Të rinjtë po protestojnë kundër jush, mbani përgjegjësi

"Marksist-leninist i vogël'! Përplasje e ashpër mes Strazimirit e Muçit:

Ngjarja e rëndë në Maliq/ Autori transportohet drejt Tiranës, familjarët: Çfarë i bëre?!

Berisha: Xhelati Rama u vë protestuesve paqësorë, topat e ujit që gjuajtën edhe foshnjën në karrocë

Berisha-Piro Vengut: Dezertove nga ushtria dhe mashtrove se je pasardhës i Marko Boçarit

Fshihej në një zonë të pyllëzuar, ja vendi ku u gjet autori i ngjarjes në Maliq

"Rama do organizojnë antimiting në Vlorë", Balla i përgjigjet Berishës: Kemi festën e PS!

Bido i kthehet opozitës: Ku ishit ju më 30 maj që nuk folët për Zvërvecin?

“Keni paralajmëruar anti-miting në Vlorë”, Berisha thirrje Ramës: Anuloje, është praktikë fashiste

Deputeti i “Lëvizjes Bashkë”: Rendi i ditës së sotme është kërkesa për dorëheqjen e qeverisë

U plagos në operacionin për kapjen e një personi në kërkim, mbërrin te Trauma polici

Vrasja e efektivit të Policisë në Korçë, Kuvendi nis me një minutë heshtje

Vrau një efektiv dhe plagosi një tjetër, mbërrin në spital autori

Reshjet përmbytin rrugët e Shëngjinit, vështirësi në qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve

Qytetarët nisen sërish drejt kryeministrisë, me flamurin kuq e zi dhe brohorima vazhdojnë protestën

Protestuesit marshojnë drejt zonës së Bllokut, qytetarët e tjerë nuk iu bashkohen #dosja #protesta

Protesta nuk ka të ndalur, qyetarët bllokojnë rrugën te Ura e Tajvanit, thirrje në kor policëve

Nga Sheshi tek Banka, qytetarët bllokojnë rrugën: Edi Rama ka mbaru

Qytetarët nuk ndalen në protestë/ Bllokojnë rrugën te selia e PS-së, ulen në gjunjë

Vazhdon protesta për Zvërnëcin/ Protestuesit ngren nga kafet qytetarët te Opera

E mbuluar me flamurin kuq e zi, e reja shfaqet me foshnjën në krah gjatë protestës

"Edi Rama jep dorëheqjen/E reja nga protesta:Ka ardhur koha të shkosh me Berishën te Veliaj dhe Meta

Qytetarët protestë në Vlorë për Zvërnecin, me pankarta në duar marshojnë drejt Sheshit të Flamurit

Dy orë protestë, bulevardi plot qytetarë ndriçohet nga blicat e telefonave: Jep dorëheqje