LIVE UPDATES
Politike

"Lista të hapura, dyer të mbyllura", BIRN: Në Tiranë politika nuk ngjall shpresë

Megjithëse Tirana paraqet një garë të fortë në listat e hapura dhe mbetet qarku ku forcat e reja politike shpresojnë të sigurojnë mandate, fushata në kryeqytet zhvillohet mes mosbesimit ndaj politikës, presionit të heshtur ndaj administratës dhe shpresës së zbehur për ndryshim.

9 Maj 2025, 11:13 Nga Vladimir Karaj
"Lista të hapura, dyer të mbyllura", BIRN: Në
foto ilustruese

TIRANË- Djaloshi, ndoshta 26 vjeç, i mban syzet e diellit të ulura mbi hundë dhe e përkul lehtë kokën, sikur përpiqet të më dëgjojë më qartë. Për disa minuta nuk thotë asgjë – vetëm tund kokën në shenjë pohimi, kur e pyes nëse ka votuar më parë, nëse jeton në Tiranë dhe nëse e kanë kontaktuar kandidatët për t’i marrë votën. Zëri i tij dëgjohet për herë të parë kur i kërkova të më shpjegojë se çfarë e shtyn të votojë.

“Ta them unë, shoku,” thotë ai, ndërsa shton se teksa pushtetarët luajnë Black Jack, në rrugë mungojnë pusetat. “Politika është veç propagandë, shoku,” thekson i riu me vetëbesim. “Çfarë sheh është fasadë!”

Djali me të cilin ky gazetar bisedoi pranë godinës së Ministrisë së Drejtësisë është vetëm një nga dhjetëra të rinj të së njëjtës moshë që kam takuar gjatë tri ditëve të fundit në Tiranë, ndërsa ndiqja fushatën derë më derë të disa prej kandidatëve për deputetë të opozitës.

Këta të rinj i bashkon një ndjenjë e përbashkët mosbesimi ndaj politikës. Shumë thonë se nuk do të votojnë fare, ose do të vendosin vetëm në momentin e fundit, të shtyrë jo nga bindjet politike, por nga interesa personale, lidhje miqësore apo familjare.

“Nuk ka më asnjë shpresë, çdo gjë ka mbaruar”, tha një vajzë e ulur në një nga kafenetë buzë Lanës, me flokë të lyera me fije të verdha dhe të kaltra. Jo më shumë se 22 vjeç, e reja – e zhgënjyer nga gjendja në vend – i sheh zgjedhjet thjesht si një formalitet, një ushtrim pa kuptim në një sistem që, sipas saj, nuk ofron më as shpresë, as ndryshim.

“Ai do të fitojë përsëri”, thotë ajo, duke iu referuar kryeministrit Edi Rama, ndërsa shprehet e bindur që zgjedhjet nuk janë të ndershme dhe se vota e saj dhe e moshatarëve të saj nuk ndryshon asgjë.

Partitë e reja shpresojnë të kapitalizojnë pakënaqësinë e thellë ndaj sistemit politik, duke e kthyer atë në vota proteste më 11 maj. Ndërkohë, kandidatët nga listat e hapura të partive tradicionale po ndjekin një strategji të personalizuar, duke kërkuar votën si individë dhe duke u përpjekur të shmangin, sa të munden, emocionet e forta dhe ndasitë që ngjallin vetë emrat e partive historike në Shqipëri.

Derë më derë

Ndërsa vëmendja e medias është e fokusuar te dy liderët kryesorë politikë – Edi Rama dhe Sali Berisha, në rrugicat e kryeqytetit, kafenetë dhe shesh-pushimet e pallateve, kandidatë për deputetë nga partitë e reja dhe të vjetra, nga opozita dhe mazhoranca, janë të angazhuar në një fushatë derë më derë për votën.

Në rrugicat që gjarpërojnë mes pallateve mbi sheshin “Wilson”, mbi kufirin e padukshëm të ish-Bllokut, kandidatja për deputete e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ecte ngadalë mes kalimtarëve mëngjesin e hënës, duke ndalur herë pas here për të folur me votuesit. Në një kthesë të ngushtë, ajo përballet me një të moshuar që shtyn përdore një biçikletë dhe që, me zë të ngritur, bën të qartë se nuk do ta votojë Sali Berishën apo partinë e tij.

“Ka ditë që jam optimiste dhe ka ditë që jo,” tha Tabaku, duke iu referuar shanseve të saj për t’u zgjedhur, ndërsa shtoi se “është e vështirë të kesh parashikim.”

Në këtë lagje, pjesë e Njësisë Nr. 5 në kryeqytet, të njohur si bastion socialist, burrat në pension që pinë kafenë e mëngjesit, tregtarët pas banakëve dhe gratë e ulura për ëmbëlsira e presin kandidaten pa kundërshti – shumica me një buzëqeshje të kujdesshme, ndërsa pranojnë fletushkat elektorale.

Disa prej qytetarëve që ndalojnë për ta dëgjuar kandidaten për deputete për disa sekonda, tregohen të kujdesshëm për të mos u fotografuar gjatë takimit. Kjo sjellje, më e shpeshtë në ambiente biznesi, është bërë tashmë e zakonshme në fushatën zgjedhore.

“Janë shumë të frikësuar,” thotë një anëtar i stafit që shoqëron Tabakun.

Të tjerë janë më entuziastë, madje këmbëngulin për foto e ‘selfie’ dhe shkëmbejnë batuta. Tabaku thotë se ajo po përpiqet të sigurojë vota nga profesionistët e lirë – për të cilët thotë se ka ngritur zërin në Kuvend dhe ka mbrojtur kauzat e tyre, ndërsa thekson se këtë radhë për të beteja është personale dhe se shpesh kërkon të votohet drejtpërdrejt.

“E kërkoj votën edhe vetëm për vete,” tha ajo, duke iu drejtuar votuesve të majtë dhe të djathtë.

Pjesa dërrmuese e votuesve që takohen në këto shëtitje elektorale janë burra dhe gra mbi të pesëdhjetat, që e kalojnë ditën në kafe, në tregje apo para dyqaneve të lagjeve të kryeqytetit. Shumica flasin për halle të përditshme: pensione të pamjaftueshme, kosto të larta të ilaçeve dhe, herë pas here, ankesa nga tregtarë për mungesën e blerësve.

Arlind Qori, drejtues i Lëvizjes Bashkë, të cilin e ndoqa ndërsa bënte fushatë mes tezgave me fruta, perime dhe zarzavate te tregu i ish-Uzinës Dinamo, është optimist për oreksin e zgjedhësve për ndryshim dhe flet për revoltë të qytetarëve dhe interes të shtuar për forcën që drejton, e cila merr pjesë për herë të dytë në zgjedhje.

“Është shumë herë më mirë se në 2023, por nuk di ta them sa më mirë – katër herë më mirë, dy herë më mirë – këtë nuk di ta them,” tha ai, duke iu referuar garës së tij për kryetar bashkie në Tiranë.

Shumica e tregtarëve pas tezgave janë të thinjur, e një pjesë e mirë pensionistë që dalin të punojnë për shkak të mungesës së mundësive të tjera ekonomike. Edhe blerësit që diskutojnë për çmimin e domateve e kastravecave janë në moshë të thyer. Disa prej tyre ecin me ndihmën e shkopinjve, ndërsa vijnë vërdallë mes tezgave.

Njëri prej tregtarëve ankohet se pensioni i bashkëshortes është aq i ulët sa nuk mjafton as për të paguar faturën e dritave.

“Më mirë me hy në burg, se nuk paguan asgjë,” tha ai, duke iu referuar një fushate të qeverisë Rama për të ndaluar vjedhjen e energjisë elektrike. “Ma zi populli që është jashtë,” i tha ai Qorit, ndërsa shtoi se do ta votojë sepse ka nevojë për ndryshim.

Lideri i Lëvizjes Bashkë gjen mes tregtarëve e blerësve persona që i ka takuar edhe në garën për bashkinë e Tiranës dy vjet më parë. Ai thotë se sheh me shqetësim frikën e madhe që njerëzit kanë për t’u ekspozuar politikisht.

“Më bën përshtypje frika e një pjese të njerëzve për të mos më dalë në foto,” tha ai, ndërsa shtoi se “kur shohin celularin, i tremben.”

Sfida e “Lëvizjes Bashkë” në këto takime është përpjekja për t’i bindur votuesit se, pavarësisht gjasave të pakta për të fituar, ata do të garantojnë përfaqësim në Kuvend dhe do të ngrenë zërin për shqetësimet e përditshme.

Herë pas here, ky premtim përballet me qytetarë që kanë halle të menjëhershme dhe duan zgjidhje aty për aty. Një burrë ankohet për mbeturinat në sheshin mes pallateve. Një grua kërkon ndihmë për një çështje gjyqësore. Ajo thotë se prej vitesh ka një vendim të formës së prerë për pensionin, por që nuk ekzekutohet. Qori shprehet se e vetmja mënyrë për të ofruar zgjidhje për hallet e shumta është ndërtimi i një shteti të së drejtës.

“Vetëm me një shtet të së drejtës mund ta zgjidhim këtë,” tha ai. Zonja e pranon logjikën, por është e qartë se nuk është tërësisht e bindur, pasi hallet e saj janë urgjente dhe ndërtimi i shtetit ligjor kërkon kohë.

Presion dhe frikë

Edhe historiani Erald Kapri, që garon në listën e partisë Mundësia të drejtuar nga biznesmeni Agron Shehaj, thotë se në terren ndjehet fryma për ndryshim, por shton se presioni mbi votuesin është i jashtëzakonshëm dhe përfshin presionin mbi admiministratën, presionin nga krimi i organizuar dhe presionin nga biznese të lidhura me politikën.

“Është një ekonomi e kapur”, e përmblodhi ai.

Partia Mundësia ka ngritur çadra të mëdha në pika të kyçe të kryeqytetit, në të cilat kandidatë dhe aktivistë takojnë qytetarët. Përvecc takimeve në rrugë ata bëjnë edhe takime të mbyllura me grupe të fokusuara, kryesisht ajo që konsiderohet shtresë e mesme, si dhe bëjnë fushatë nëpërmjet thirrjeve telefonike.

Kapri thotë se fushata është e vështirë për shkak të presionit të jashtëzakonshëm dhe besimeve të ngulitura te një pjesë e votuesve se vota tjetërsohet dhe fshehtësia e saj nuk është e garantuar. Ai thotë se mjaft persona që u shprehin simpati, u thonë se nuk mund të votojnë për Patinë Mundësia për shkak se do të cënonin njerëzit që punojnë në administratë

“Shumë besojnë këtë pjesën se do u kontrollohet vota,” tha ai, ndërsa shtoi se “një pjesë e madhe besojnë ende se vota vidhet në kuti.”  “Këto janë më të theksuara sa më në periferi të shkosh”, theksoi Kapri.

Edhe Qori thotë se presioni mbi njerëzit është i madh. Ai thekson se sëfundmi takoi një kamarier të ri, i cili pavarësisht se nuk ka asnjë lidhje me administratën është nën presion nga të afërm të punësuar aty që i kërkojnë votën.

Megjithatë, kreu i Lëvizjes Bashkë shprehet se arrestimi i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, pak javë para fushatës, u ka dhënë njerëzve një fije shprese dhe më shumë besim se shteti mund të funksionojë.

“Nëqoftë se më parë ideja ka qenë se nuk ndryshon kjo punë, tani ka më shumë besim se mund të zgjidhet përmes strukturave shtetërore,” tha ai, ndërsa përsëriti se ‘presioni është shumë i madh”,

Kreu i Lëvizjes Bashkë është kritik edhe për sistemin zgjedhor, i cili sipas tij vë përballë jo vetëm parti me ideologji kundërshtare, por qindra kandidatë listash të hapura që kërkojnë vota personale.

Edhe Jorida Tabaku ankohet se sistemi i ri zgjedhor përbën një sfidë për kandidatët. Ajo thotë se gara brenda radhëve ka sjellë konfuzion dhe se për shkak se garuesit nuk kanë kufij gjeografikë e zonash, hapësira në të cilën duhet të bëjnë fushatë është shumë e madhe.

“Që nga 2009-ta që jam në fushatë, ky është nga sistemet më të vështira që kam kaluar ndonjëherë”, tha Tabaku, pasi përfundoi mbi 50 takime me votues në rrugicat e njësisë Nr 5. “Është e vështirë për t’u menaxhuar, kërkon shumë fleksibilitet”, shtoi ajo, duke iu referuar garës në lista të hapura.

Zero besim te politika

Pasdite vonë, ndërsa kanë dalë të pushojnë në një nga stolat rreth stadiumit “Selman Stërmasi”, aty ku është parashikuar ndërtimi i një sërë godinash të reja shumëkatëshe, dy pensionistë – njëri ish-ushtarak e tjetri ekonomist,  përtypen kur flitet për politikë.

“Nuk është premtuese,” thotë ish-ushtaraku. “Kandidatë ka plot, por varet sa u jepet mundësia,” shton ai, duke iu referuar forcave të reja politike.

Ekonomisti, nga ana tjetër, është më konkret. Ai thotë se dëgjon çdo natë premtime që i sheh si të pazbatueshme dhe se, përveç rritjes së borxhit, nuk do të sillnin asgjë tjetër.

“Askush nuk ka një faturë ekonomike,” thotë ai, ndërsa akuzon qeverinë aktuale se fsheh borxhin real të vendit. Ai shton se e vetmja mundësi për të ndryshuar pensionet në vitet që vijnë do të vinte nga reforma të dhimbshme dhe investime në ekonomi prodhuese.

“Nuk rriten pensionet se tha peshku,” thekson ai me ironi.

Por ndërsa dy pensionistët janë dukshëm të angazhuar dhe të njohur me politikën e ditës, shumica e qytetarëve të Tiranës që takova gjatë tri ditëve në rrugët dhe rrugicat e kryeqytetit, nuk kanë informacion dhe aq më pak interes.

Një studente e mjekësisë në parkun “Rinia” i tha shkurt këtij gazetari se nuk do të votonte. Ajo shtoi se nuk ishte e informuar për fushatën dhe se as nuk donte të dinte. Të rinjtë e shohin politikën si diçka larg tyre dhe në shumicë nuk gjejnë shtysë për të votuar dhe as i njohin kandidatët. Një pjesë e mirë refuzojnë të flasin kur pyeten për zgjedhjet ose lënë të kuptohet se vota e tyre është pjesë e një tradite familjare dhe, në disa raste, e lidhjeve dhe interesave më afatshkurtra.

“Nuk mendon asnjëri nga këta për ne,” tha një djalë në autobusin e unazës.

Qytetarët në moshë të mesme gjithashtu nuk e shohin politikën si një aktor që zgjidh probleme; megjithatë, janë dukshëm më pragmatistë.

“Politika është biznesi më fitimprurës, nuk kam besim te asnjë,” tha një grua 40-vjeçare, në shkallët e Teatrit të Operas në Tiranë. “Nëse do të votoj, do të votoj për kryetarin e njësisë minibashkiake, se e njoh personalisht dhe më ka ndihmuar,” shtoi ajo.

Edhe një mesogrua, shitëse në një dyqan rrobash për fëmijë pranë stadiumit “Selman Stërmasi”, përsëriti një refren të ngjashëm.

“Vendos në momentin e fundit, vendos për interesin tim,” tha ajo, ndërsa shprehet pesimiste se këto zgjedhje do të sjellin ndonjë ndryshim të vërtetë.

“Fiton prapë diktatori,” thotë ajo, duke nënkuptuar kryeministrin, ndërsa shton: “Sa kohë të gjithë këta që sheh, turma, rrinë në kafe e nuk shqetësohen, si mendon se do të ketë ndryshim?”/ Reporter.al

zgjedhjet e 11 majit zgjedhjet ne tirane

Sondazh

Poll

Vrasja e Enea Mekollit/ Berisha: Do hetojë edhe Komisioni i Sigurisë...

Vrasja e Enea Mekollit/ Berisha: Do hetojë edhe Komisioni i Sigurisë...

Nisin homazhet për policin që u vra në krye të detyrës gjatë aksionit në Maliq, kolegët e tij në lot

Drejtori i Hekurudhave, Ergys Verdho paraqitet në SPAK

Pas më shumë se katër orësh, qytetarët vijojnë protestën rrugëve të Kryeqytetit

Gjesti i veçantë i protestuesit, u dhuron lule efektivëve në shenjë solidariteti për policin e vrarë

Pas tre orësh protestë, turma vijon qëndresën: Dorëheqje!

Prej më shumë se tre orësh para Kryeministrisë, protestuesit ndezin flakadanë

"Kush s'kërcen nuk është shqiptar o hej"/ PAMJE me dron nga protesta madhështore për Zvërnecin

Thirrja e qytetarit të Rrjollit: Hajde rini, merre situatën në dorë dhe drejto vendin

Me flamuj dhe pankarta në duar, qytetarët e Durrësit sërish protestë për projektin në Zvërnec

Tentoi të futej në Kryeministri, protestuesja bën simbolin e shqiponjës

"Ne i duam parqet, lodrat, natyrën"/ Vogëlushi në protestë thirrje: Mbrojini për ne!

Protesta kundër projektit në Zvërnec/ Brohoret turma: Edi Rama o tradhtar, duhet lidhur me litar

Protesta për Zvërnecin, qytetarë mbajnë 1 minutë heshtje për efektivin e vrarë në krye të detyrës

"Ruani qetësinë, Ramën ta zhdukim me të mirë"/ Tensione në protestën kundër projektit në Zvërnec

PAMJE nga protesta madhështore kundër projektit në Zvërnec/ Oshëtin bulevardi: O pallosh o zagar

Mijëra protestues në shesh thirrje ndaj kryeministrit Rama: Duam dorëheqje

Protesta për Zvërnecin, babai i Martin Canit i bashkohet protestuesve në shesh

Mijëra qytetarë në Bulevard/ Thirrje kundër Ramës dhe Berishës: U ka ardhur fundi, në burg

Balla nga Kuvendi: Greqia u ka borxh shqiptarëve marrëveshjen për pensionet

Dita e 5-të e protestës për Zvërnecin/ Nis marshimi drejt bulevardit: Revolucion

Balla ‘thumbon’ Berishën: U trembe nga protestuesit që erdhën te selia e PD-së dhe ndryshove qëndrim

"Na keni ça k***"/ Noizy shpërthen keq ndaj protestuesve: Nuk po e shet njeri Shqipërinë!

'Zvërneci'/ Berisha: Ju jeni mafie si në Beograd. Të gjitha dokumentet ju i shumëzoni me zero

Berisha: Pse e fshihni kreun e Meduzës. Tokat në Zvërnec i ka rrëmbyer Pjerini nga Lezha dhe Agaçi

Reperi Gashi mbështet protestat për Zvërnecin: Fëmijët tanë nuk janë mysafir në tokën e tyre

Këngëtarja Bebe Rexha vlerësohet me cmimin “Female Icon Award 2026”

Banorët dhe pushuesit përballen me fenomenin e pazakontë në Ksamil

"Ktheni ligjin për investimet strategjike" Bozdo në Kuvend: Betonizuat bregdetin e jugut...

Përplasje e ashpër mes Strazimirit e Muçit: Të rinjtë po protestojnë kundër jush, mbani përgjegjësi

"Marksist-leninist i vogël'! Përplasje e ashpër mes Strazimirit e Muçit:

Ngjarja e rëndë në Maliq/ Autori transportohet drejt Tiranës, familjarët: Çfarë i bëre?!

Berisha: Xhelati Rama u vë protestuesve paqësorë, topat e ujit që gjuajtën edhe foshnjën në karrocë

Berisha-Piro Vengut: Dezertove nga ushtria dhe mashtrove se je pasardhës i Marko Boçarit

Fshihej në një zonë të pyllëzuar, ja vendi ku u gjet autori i ngjarjes në Maliq

"Rama do organizojnë antimiting në Vlorë", Balla i përgjigjet Berishës: Kemi festën e PS!

Bido i kthehet opozitës: Ku ishit ju më 30 maj që nuk folët për Zvërvecin?

“Keni paralajmëruar anti-miting në Vlorë”, Berisha thirrje Ramës: Anuloje, është praktikë fashiste

Deputeti i “Lëvizjes Bashkë”: Rendi i ditës së sotme është kërkesa për dorëheqjen e qeverisë

U plagos në operacionin për kapjen e një personi në kërkim, mbërrin te Trauma polici

Vrasja e efektivit të Policisë në Korçë, Kuvendi nis me një minutë heshtje

Vrau një efektiv dhe plagosi një tjetër, mbërrin në spital autori

Reshjet përmbytin rrugët e Shëngjinit, vështirësi në qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve

Qytetarët nisen sërish drejt kryeministrisë, me flamurin kuq e zi dhe brohorima vazhdojnë protestën

Protestuesit marshojnë drejt zonës së Bllokut, qytetarët e tjerë nuk iu bashkohen #dosja #protesta

Protesta nuk ka të ndalur, qyetarët bllokojnë rrugën te Ura e Tajvanit, thirrje në kor policëve

Nga Sheshi tek Banka, qytetarët bllokojnë rrugën: Edi Rama ka mbaru

Qytetarët nuk ndalen në protestë/ Bllokojnë rrugën te selia e PS-së, ulen në gjunjë

Vazhdon protesta për Zvërnëcin/ Protestuesit ngren nga kafet qytetarët te Opera

E mbuluar me flamurin kuq e zi, e reja shfaqet me foshnjën në krah gjatë protestës