LIVE UPDATES
Editorial

Vdiq ballkanizmi i “Ballkanit të Hapur”

Samitxhijtë e Beogradit u përpoqën në 2 shtator të bëjnë një truk dhe t’i servirnin publikut sikur nisma  e tyre po përkrahet nga Mali i Zi dhe nga Bosnjë-Hercegovina, meqë dy politikanë të lartë të atyre dy shteteve ishin si mysafirë të ftuar për degustimin e verërave në samitin e Beogradit. Mirëpo e vërteta është se Abazoviç është një kryeministër i shkarkuar nga parlamenti i Malit të Zi në gusht të këtij viti dhe nuk ka tagër ligjor të fusë Malin e Zi në nismën serbe. Abazoviç shkoi në Beograd si  i ftuar personal i presidentit serb Vuçiç dhe i kishës ortodokse serbe.

7 Shtator 2022, 09:48 Nga Shaban Murati
Vdiq ballkanizmi i “Ballkanit të Hapur”
Shaban Murati

Sapo mbushi një vit, nisma e presidentit serb e “Ballkanit të hapur” pësoi dështimin e parë dhe ndërroi emërin e lindjes “Mini Shengen ballkanik”. Emri i parë ishte një skifo, sepse shtetasit e të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor qysh përpara nismës serbe hynin në shtetet e njeri-tjetrit me karta identiteti dhe vetëm Serbia mbante viza hyrje dhe ndalime.

Mirëpo nisma me emrin e ri “Ballkan i hapur” sapo mbushi vitin e parë pësoi dështimin e dytë më të madh dhe duhet të ndërrojë prapë emrin, por edhe vendlindjen.

Nisma do të duhet të heqë fare fjalën “Ballkan”, sepse po ndërron identitetin e vet gjeografik. Me propozimet dhe lëvizjet e reja, që po ndërmerr nisma e “Ballkanit të hapur”, do të çvleftësojë si të papërshtatshme fjalën Ballkan në kartën e saj të identitetit gjeografik.

Në mikrosamitin e tre shteteve anëtare të “Ballkanit të hapur”, që u mbajt në Beograd në 2 shtator, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, siç njoftonte agjencia zyrtare serbe e lajmeve “Tanjug” në 2 shtator, bëri këtë deklaratë:

“Liderët e shteteve anëtare të nismës së “Ballkanit të hapur” po konsiderojnë seriozisht që të ftojnë shtete të tjera domethënëse pranë saj si Greqia, Italia, Turqia dhe Hungaria, që të bashkohen me këtë nismë rajonale”.

Pavarësisht se mburravecëria ballkanike tentoi ta shiste si sukses të madh që “Ballkani i Hapur” po u drejton ftesa për anëtarësim shteteve jashtë Ballkanit Perëndimor dhe jashtë gadishullit ballkanik, e vërteta është se kemi të bëjmë me një dështim të madh të nismës, e cila po heq dorë nga identiteti gjeografik i saj. Me këtë pretendim shtrirje anëtarësimi pa kufi “Ballkani i Hapur” po çballkanikoset dhe mund të thuhet se ballkanizmi i “Ballkanit të hapur” vdiq.

Nisma serbe, ku janë anëtarësuar me zell të paparë jugosllav Shqipëria dhe Maqedonia e  Veriut, nuk do të mund të mbajë më emrin “Ballkan i hapur” përderisa po fton për anëtarësim shtete, që janë jashtë Ballkanit në tërësi.

Gazeta serbe “Telegraf” njoftonte në 2 shtator se ministri i jashtëm hungarez, Peter Szijjarto, i ftuar në samitin e Beogradit, deklaroi se Hungaria është gati t’i  bashkohet kësaj nisme. Por nëse Hungaria bëhet anëtare bashkë me shtete të tjera jashtë Ballkanit, kjo do të imponojë ndryshimin e emrit të nismës, sepse gjeografia e saj bëhet krejt tjetër dhe ikën nga vendlindja e saj ballkanike.

Përfshirja e shteteve të tjera jashtëballkanike i ndërron identitetin gjeografik dhe diplomatik dhe nismës as i takon dhe as mund të quhet më ballkanike.

Po ta krahasosh me nisma apo me grupime të tjera të ngushta subrajonale në kontinentin europian, dështimi i “Ballkanit të hapur” është uluritës. Kështu nisma apo grupimi subrajonal i “Këshillit Nordik” është krijuar që në vitin 1952 dhe nuk e ka ndryshuar asnjëherë as emrin e vet, as shtetet anëtare, dhe as identitetin geografik dhe quhet njëlloj edhe sot si para 70 viteve.

Nisma tjetër subrajonale “Grupi i Vishegradit” është themeluar në vitin  1991 dhe ka po ato vende anëtare, po atë identitet gjeografik dhe po atë emër sot e kësaj dite si 31 vite më parë. Grupi subrajonal serb i “Ballkanit të hapur”, përqafuar vetëm nga tre shtete, Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, po ndërron emër dhe identitet gjeografik dy herë brenda dy vite e gjysëm që nga krijimi i saj.

Pyetja, që del nga novacioni i ri allaballkanik i ftesës së tre shteteve të aleancës subrajonale të “Ballkanit të hapur” drejtuar për anëtarësim shteteve të tjera jashtë Ballkanit Perëndimor dhe jashtë gadishullit ballkanik, është se përse doli kjo befasi diplomatike dhe organizative për çballkanizmin e “Ballkanit të hapur”.

Shpjegimi i parë është dështimi i tre krerëve të tre shteteve anëtare të “Ballkanit të hapur” për të detyruar tre shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor që t’i bashkohen nismës serbe. Kosova, Bosnje-Hercegovina dhe Mali i Zi kanë refuzuar të futen në atë mikroaleancë, sepse e dinë se Serbia nëpërmjet nismës së saj të “Ballkanit të hapur” synon t’i zhbëjë ato tre shtete.

Samitxhijtë e Beogradit u përpoqën në 2 shtator të bëjnë një truk dhe t’i servirnin publikut sikur nisma  e tyre po përkrahet nga Mali i Zi dhe nga Bosnjë-Hercegovina, meqë dy politikanë të lartë të atyre dy shteteve ishin si mysafirë të ftuar për degustimin e verërave në samitin e Beogradit.

Mirëpo e vërteta është se Abazoviç është një kryeministër i shkarkuar nga parlamenti i Malit të Zi në gusht të këtij viti dhe nuk ka tagër ligjor të fusë Malin e Zi në nismën serbe. Abazoviç shkoi në Beograd si  i ftuar personal i presidentit serb Vuçiç dhe i kishës ortodokse serbe.

Kryetari serb i Këshillit të Ministrave të Bosnje-Hercegovinës, Zoran Tegeltija, ishte në samit si  ftuar i presidentit serb, pa asnjë mandat zyrtar dhe pa kompetencë ligjore dhe pa asnje tagër që të fusë shtetin e Bosnje-Hercegovinës në nismën serbe.

Gazeta “Sarajevotimes” shkruante në 1 shtator se Tegeltija merr pjesë në samitin e Beogradit pa lejen e presidencës së përbashkët trepalëshe të Bosnjë-Hercegovinës. Pra ai ishte në cilësi personale si politikan serb i ardhur nga e ashtuquajtura “serpska republika”. Dy anëtarët e presidencës së përbashkët të Bosnjë-Hercegovinës, Xhaferoviç dhe Komsiç, që përfaqësojnë popullin boshnjak dhe popullin kroat, janë kundër “Ballkanit të hapur” serb dhe pa firmën e pa pëlqimin e tyre nuk mund të ketë asnjë lloj përfaqësimi zyrtar apo anëtarësimi të shtetit në atë nismë.

Kështu që pjesëmarrja e Abazoviçit dhe e Tegeltisë në samitin e Beogradit ishte një reklamë artificiale për ta paraqitur të paqenën si të qenë. Për të mbuluar dështimin e nismës, e cila mbeti gjysmake me vetëm tre shtete nga gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor, tre krerët e shteteve anëtare të nismës dolën me propozimin e ri që të ftojnë për anëtarësim në mikroaleancën e tyre shtete të tjera përtej Ballkanit Perëndimor dhe përtej gadishullit ballkanik.

Sipas deklaratave zyrtare të diplomacisë së SHBA dhe të BE nisma e “Ballkanit të hapur” nuk mund të njihet dhe as të quhet e vlefshme nëse në të nuk marrin pjesë gjashtë shtetet përbërëse të Ballkanit Perëndimor. Duke parë se ky është një mision i pamundur, dhe për ta shpëtuar në një farë mënyre nismën serbe nga shkrirja, treshja e tre shteteve anëtare nxitoi në 2 shtator të dilte me blofin e ri diplomatik të ftesës për anëtarësim të shteteve të tjera jashtë Ballkanit Perëndimor.

Shpjegimi i dytë është realizimi i rolit të “Ballkanit të hapur” si nismë që devijon dhe i kundërvihet integrimit europian. Duke marrë shtysë nga strategjia antieuropiane e Rusisë dhe me mbështetjen e fortë të diplomacisë ruse nisma serbe doli që në mbledhjen inaguruese në Novi Sad në tetor 2019 me devizën antieuropiane “të Ballkanit për ballkanasit pa tutorësinë e BE”.

Një studim i ministrisë serbe të mbrojtjes i publikuar para pak kohësh në median zyrtare “vojnodelo.mod.gov.rs” thekson se “Rusia ka mbështetur nismën serbe të Ballkanit të hapur”.

Interesi strategjik dhe gjeopolitik i Rusisë në Ballkan është që të krijohet një pol politik lokal apo një mikroaleancë subrajonale e kontrolluar nga Serbia, që të distancohet nga integrimi i lodhshëm europian dhe të kërkojë alternativën e lehtë ruse. Në këtë kuadër duhet parë refuzimi i presidentit serb Vuçiç për të harmonizuar politikën e jashtëme serbe me atë të BE dhe kundërshtimi i tij kategorik për të mos vendosur sanksione ndaj Rusisë agresore.

Në këtë kuadër duhen parë edhe qendrimet proserbe dhe efektivisht proruse të kryeministrit të Hungarisë dhe të atij të Shqipërisë, që i kërkojnë BE-së të mos i bëjë presion Serbisë për vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë.

Karakterin antieuropian të nismës serbe “Ballkan i hapur” e theksonte edhe një studim i Fondacionit amerikan “Rockfeller Brothers” i botuar në median “euractiv” në 30 gusht: “Nisma “Ballkan i hapur” mund të ndikojë negativisht në rajon. Liderët e shteteve të përfshira në “Ballkanin e hapur” duket se e mirëpresin  idenë që ata nuk kanë pse mbështesin standartet europiane brenda saj”.

Duke ftuar shtete jashtëballkanike si Hungaria filoruse, “Ballkani i hapur” tenton të thellojë distancën nga BE. Madje në mesin e tre krerëve të tre shteteve pjesëmarrëse të nismës serbe po pompohet idea megallomane se nisma e tyre do të bëhet qender e madhe jo rajonale, por ndërkombëtare, ku do të aspirojnë të hyjnë gjitha shtetet europiane.

Nuk është shaka! Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama deklaroi në samitin e Beogradit në 2 shtator se shtete europiane mezi po presin të bëhen anëtarë të “Ballkanit të hapur”.  Samiti dëgjoi rrëfimin e tij anekdotik se si kryeministri i një shteti anëtar të BE e kishte thirrur në telefon dhe i ishte ankuar i mërzitur pse nuk e kishin ftuar në samitin trepalësh të Beogradit.

Dhe me megallomaninë tipike ballkanike kryeministri u lavdërua se tani shtetet europiane po presin ftesa nga “Ballkani i hapur” dhe këto kërkesa vijnë “nga shtete europiane nga të cilët ne kemi pritur ftesa të llojeve të ndryshme prej një kohe të gjatë”.

Hapu dhé të futem, ku katandiset diplomacia ballkanike, që dëften përrallat se anëtaret e BE, që kanë zvarritur kërkesat e integrimit për shtetet e  Ballkanit Perëndimor, tani presin në rradhë për të hyrë në “Ballkanin e hapur”.

Kemi një autosugjestion të habitshëm haluçinant, ku jo Ballkani do të hyjë në Europë, por BE do të hyjë në “Ballkanin e hapur”. Këto janë broçkullat e nivelit të lartë, që vijnë nga mikrosamiti i Beogradit, me kryetarë të dehur pas ahengut të verës dhe të konjakut lumë dhe betimit para flamurit të ri të përbashkët trepalësh të vëllazërim-bashkimit jugosllav.

Samiti i fundit i mikroaleancës “Ballkan i hapur” prodhoi një lëvizje të re antieuropiane dhe antiamerikane. Kundërvënia e parë antiamerikane është ndaj të dërguarit të posaçëm të SHBA për Ballkanin, Gabriel Escobar, i cili në 8 qershor 2022 i dërgoi samitit të tre krerëve të tre shteteve të “Ballkanit të hapur” në Ohër mesazhin e rëndësishëm që nisma e tyre të mbetet ekonomike dhe “ky nuk është projekt politik”.

Samiti i Beogradit doli hapur kundër qëndrimit amerikan dhe kryeministri i Shqipërisë me karshillëk deklaroi në Beograd se “nisma është shumë më tepër se politikë, po e po”.

Nuk mund të mos bëjë përshtypje befasia diplomatike e samitit të Beogradit që, ndërsa fton për anëtarësim shtete jashtë Ballkanit Perëndimor dhe jashtë gadishullit të Ballkanit, nuk ftohen Kroacia dhe Bullgaria, që janë dy shtete fqinjë të Serbisë dhe anëtare të BE dhe të NATO-s.

Shpjegimi është se listat i bën Serbia dhe dy shtetet e tjera anëtare të nismës vetëm ngrejnë dorën. Serbia ka marrëdhënie të acaruara edhe me Kroacinë, edhe me Bullgarinë. Me Kroacinë Serbia ka rivendikime kufitare dhe territoriale dhe ditët e fundit presidenti serb Vuçiç pretendonte rivendosjen e kontrollit të Serbisë në territorin kroat, që pat pushtuar në vitet 1992-1995 ushtria agresore e Millosheviçit. Me Bullgarinë Serbia ka acaruar marrëdhëniet, sepse Beogradi ka përkrahur qendrimet antibullgare të Shkupit me qëllimin që të ruajë dominimin e lobit serb në Shkup, i cili sipas diplomacisë serbe rrezikohet nga Bullgaria.

Çballkanizmi i “Ballkanit të hapur”, që vjen si prova e re e dështimit të kësaj nisme, tregon karakterin artificial dhe antiballkanik të nismës së presidentit serb. Është një nismë që po shkon drejt varrit, dhe të cilën nuk e shpëtojnë dot salvaxhentet e shpuar diplomatikë të ftesave për anëtarësim të shteteve jashtë Ballkanit Perëndimor dhe jashtë Ballkanit.

Edhe nëse për një moment supozohet se shtetet jo ballkanike anëtare apo kandidate të BE mund të marrin në konsideratë ftesën e re, a mund të ketë naiv ose idiot, që mund të besojë se Italia apo Turqia do të lejojnë të drejtohen nga presidenti Vuçiç në politikat e tyre ballkanike? Bretkoca ballkanike mund të ëndërrojë të bëhet ká europian, por siç ka thënë La Fonteni, ajo do të plasë nga marazi i dështimit të ëndrrës së saj./Dita

shaban murati ballkani i hapur

Sondazh

Poll
Editorial 3 Shtator 2022, 10:22 Ben Blushi

Duke kërkuar spiunët rusë në Gramsh

Fotoja e Ben Blushit Një nga dëmet e shumta që Putini i ka bërë rusëve, është se ata duken të këqinj edhe...

Editorial 29 Gusht 2022, 10:31 Ditmir Bushati

Fitorja e disiplinës strategjike

Ditmir Bushati Në një proces të bashkërenduar nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Serbia më n&eum...

Nesër protestë para Kuvendit! Paralajmëron protestuesi: Më 23 tubimi i madh

Nesër protestë para Kuvendit! Paralajmëron protestuesi: Më 23 tubimi i madh

Protestuesi: Nuk ndalojmë deri në largimin e atij që është strukur në Kryeministri

Nis marshimi drejt Kryeministrisë, protestuesit bëjnë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit

Dita e 50-të e protestës/ Nis grumbullimi në sheshin "Skëndërbej"

Kryeministri Rama kryen nderimet në homazhet për gazetarin Enrik Mehmeti

Emigrantët bllokohen në pikën kufitare mes Kroacisë dhe Serbisë, kërkojnë informacion

Pesë turistë gjermanë mbetën të bllokuar në Karaburun, ekipet e shpëtimit bënë të mundur gjetjen

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Fëmijët e birësuar të Brad Pitt nisin procedurat për të mos mbajtur mbiemrin e të atit

Ish-drejtoresha e filialit të Postës së Durrësit u la në burg/ Avokati: Vendim absurd

Kuvendi Kombëtar i Protestës/ Folëses i merret mikrofoni nga dora: Edi Rama të japë dorëheqjen

Tentoi te merrte pjesë në Kuvendin Kombëtar të protestës/Selami Jenisherin nxirret jashtë

Berisha: Do bëjmë gjithçka për të paraqitur realitetin shqiptar pranë Komisionit Evropian

Falja e pronave publike në Dhërmi e Palasë/ Berisha: PD nuk do i njohë kurrë këto vendime të Ramës

Berisha: Rama nuk e dënon ministren monstër të Beogradit sepse është vasal i Vuçiçit

Berisha: Ftoj çdo demokrat që të marrë pjesë në protestë dhe të bëjë gjithçka për suksesin e saj

Berisha: Ky është procesi më i thellë i ripërtëritjes së PD që nga themelimi i saj!

“Neomalsorja” i bashkohet protestës së 49-të para Kryeministrisë: Rezistenca e qytetarëve nuk ndalet

Regjisori krijues i Star Wars mbështet Inteligjencën Artificiale

Rama: Deri në 1 mld euro mbështetje për bizneset, kredi deri në 2 milionë euro me interesa të ulëta

Rama i kthehet biznesmenit: Në Shqipëri ka para të pista, por s'mund t'i veshim këtë kostum vendit

Rama i përgjigjet komentuesve: Ka qeveri që bëjnë punë të mira, ka që bëjnë të këqija

Dyfisho sipërmarrjen tënde/ Rama: Cikël takimesh me bizneset e interesuara

Moment paniku në Theth! Guri bie mbi makinë, turistët shpëtojnë pa lëndime

Përfaqësuesi i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve:Dua të përcjell mbështetjen e profesoratit

Plagosja me thikë te Poliklinika e Shkodrës, dalin pamjet e rënda!

Si po ecën marrëdhënia mes Ariana Grande dhe ish të dashurit të saj pas ndarjes me Ethan Slater?

Nuk më pëlqen ta ekspozoj jetën time, Benny Blanco rrëfen si po mësohet me jetën e Selena Gomez

Edi Rama përmend vrasjen e Martin Canit: E kujtoj çdo ditë, ata që e përdorën për politikë e harruan

Rama: Kemi hyrë në zemër të problemit, djegia e makinës pas krimit nuk mund të ndodh më

Kush është modelja që u bë virale për ngjashmërinë me futbollistin Erling Haaland?

Kujtimet tona do të jetojnë gjithmonë, mesazhi i Donatella Versace për të vëllain Gianni Versace

Berisha: Dënoj heshtjen prej vasali të qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së ministres së Vuçiçit

Berisha: Drejtimi i PD është ripërtërirë me personalitete ndër më të shquarit në fushat e tyre

Berisha uron drejtuesit e rinj të PD: Vota e lirë në themel të kësaj force politike

Çfarë detajesh tërhoqën vëmëndjen në festimet e ditëlindjes së Jennifer Lopez në Paris?

Salla: Fermeri do ta shohë prodhimin edhe si aset për financim

Përplasje e ashpër në Kuvend/ Bido: Populizëm që dëmton Kosovën

Tentoi të transportonte pistoleta! Kapet në tunelin e Skërficës, 31-vjeçari

Ndryshimet në "Ligjin për Turizmin", Balla: Pezullohen punimet në bregdet gjatë sezonit turistik

Balla mbron Ramën nga Redi Muçi: Lani gojën kur t'i përmendni emrin

Deklarata diskriminuese e ministres serbe/ Muçi akuzon Ramën për heshtje: Çfarë pret kryeministri?

Spiropali dërgon në Asamblenë e PS mocionin për hapjen e partisë

Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, ‘blindohet’ me autobotë uji dhe forca të shumta policore

Ilirjana Kuçana akuzon lidershipin për shkelje të Statutit dhe "Mulizim" të partisë

Protestuesja: Shqipëria nuk e përmban dot një koncert si të Kanye West, vendi ynë ka marrë fund

Thirrjet për Ramën, protestuesi: Traumë për fëmijët të thonë Rama jep dorëheqjen

Dita 46-të e protestës/ Protestuesi: Sali Berisha dhe Edi Rama të thyejnë qafën

Protesta qytetare bën bashkë shqipëtarë nga çdo krahinë, valëviten flamujt nga diaspora

Protesta e 46-të/ Mbyllen fjalimet para Kryeministrisë, nis marshimi rrugëve të Tiranës