LIVE UPDATES
Ekonomi

Dëmet në sigurimet motorike, përqindja më e ulët në Berat, më e larta në Tiranë

Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se ky raport u rrit në 2.84%, nga 2.69% që kishte qenë për vitin 2021.

18 Gusht 2023, 07:10 Nga A.B

Dëmet në sigurimet motorike, përqindja më e ulët

Vitin e kaluar raporti mes numrit të dëmeve dhe numrit të kontratave të sigurimit të detyrueshëm motorik u rrit për të dytin vit radhazi.

Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se ky raport u rrit në 2.84%, nga 2.69% që kishte qenë për vitin 2021.

Kjo tregon një rritje të frekuencës së aksidenteve dhe rrezikut të dëmeve për shoqëritë e sigurimit, megjithatë ky raport sërish diferenca të mëdha mes qarqeve të ndryshme të vendit.

Qarku i Beratit shënoi vitin e kaluar nivelin më të ulët të këtij raporti, me 0.95 dëme për çdo 100 kontrata të sigurimit TPL.

Vijon Qarku i Shkodrës ku raporti mes numrit të dëmeve dhe kontratave është 1.56%. Këta dy qarqe kishin përqindjen më të ulët të dëmeve në raport me numrin e kontratave TPL të nënshkruara edhe për vitin 2021.

Kjo tregon se nga gjasat që kompania e sigurimit të pësojë një dëm në këto qarqe paraqitet ndjeshëm më e ulët krahasuar me qarqet e tjera. Pas Shkodrës dhe Beratit, vijon qarku i Dibrës, me afërsisht 1.5 dëme të raportuara për çdo 100 kontrata sigurimi të nënshkruara.

Në majë të renditjes për raportin mes numrit të dëmeve dhe kontratave, edhe për vitin 2022 renditet qarku i Tiranës, me 3.56%, i ndjekur nga ai i Vlorës, me 3.43% dhe i Durrësit me 3.3%.

Nëse vlerësimi bëhet sipas raportit të thjeshtë aritmetik mes vlerës së dëmeve dhe primeve, raporti më i lartë mes dëmeve dhe primeve për të dytin vit radhazi regjistrohet në qarkun e Lezhës, me 51.4%. Vijon qarku i Kukësit, me 34.95% dhe qarku i Tiranës, me 34.65%.

Nivelet më të ulët shënohen në Korçë, me 16.13% dhe në Fier, me 19.79%. Raporti në vlerë lidhet shumë me masën e dëmit të shkaktuar nga aksidentet motorike dhe sidomos me dëmtimet në njerëz, që sjellin edhe kostot më të madhe në dëme të paguara nga siguruesit.

Të dhëna e tregut të sigurimeve në nivel të qarqeve tregojnë se të paktën nga pikëpamja statistikore rreziku që siguruesit të pësojnë një dëm është mjaft i ndryshëm për qarqe të ndryshme të vendit.

Drejtuesit e mjeteve në Shqipëri ende paguajnë prime sigurimi të përafërta, megjithëse mund të kenë shkallë të ndryshme rreziku, të lidhura me disa faktorë. Më kryesori është historiku i dëmeve, por faktorë të tjerë mund të jenë edhe eksperienca në drejtimin e mjeteve, vendbanimi dhe zona ku mjeti qarkullon etj.

Në fakt, një nga risitë kryesore të paralajmëruara për produktin kryesor të tregut, sigurimin e detyrueshëm motorik për përgjegjësitë ndaj palëve të treta, është aplikimi i primeve të diferencuara mbështetur në disa faktorë rreziku.

Faktorët mbi të cilët pritet të bazohet diferencimi i primit janë mosha e mjetit, fuqia motorike, qarku ku është regjistruar mjeti motorik, burimi i energjisë së mjetit (elektrike apo jo elektrike), mosha e të siguruarit dhe eksperienca në drejtimin e automjetit.

Faktorë të tjerë që mund të zbatohen nga shoqëritë e sigurimit janë Bonus-Malus (historiku i dëmeve), qëllimi i përdorimit të automjetit, distanca vjetore e përshkruar si dhe faktorë të tjerë të riskut që bëjnë të mundur diferencimin e primit në bazë të riskut që mbart i siguruari.

Sipas drejtuesve të kompanive të sigurimit, aplikimi i një sistemi të tillë do të kërkojë regjistirmin pranë AMF të gjitha aplikimeve për dëmshpërblim, me të dhëna të sakta për mjetet dhe drejtuesit e mjeteve shkaktare dhe përfituese, për tu dhënë më pas akses në këto të dhëna kompanive të sigurimit.

Gjithashtu, sigurusit kërkojnë që të kenë akses në regjistrin e lejeve të drejtimit që lëshohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor./ MONITOR

sigurime motorike

Sondazh

Poll

Banorët dhe pushuesit përballen me fenomenin e pazakontë në Ksamil

Banorët dhe pushuesit përballen me fenomenin e pazakontë në Ksamil

"Ktheni ligjin për investimet strategjike" Bozdo në Kuvend: Betonizuat bregdetin e jugut...