Protesta për Zvërnecin/ Protestuesit çajnë kordonin metalik, policia i sulmon me ujë. Tubimi shpërndahet në gjithë Tiranën
Pas më shumë se tre orësh, mbyllet protesta para Kryeministrisë/ Qytetarët thirrje: Nesër sërish në...
Pas më shumë se tre orësh, mbyllet protesta para Kryeministrisë/ Qytetarët thirrje: Nesër sërish në...
Tragjedia me dy viktima në Shëngjin, policia jep detaje: Të gjithë shtetas nga Kosova, tre persona në spital 3 Qersho...
“Ka forca në Shqipëri dhe jashtë që janë kundër”/ Rama: Të rreshtohesh me PS, do të thot&eum...
"Shqipëria është e shqiptarëve"/ Qytetarët mbushin rrugët e Tiranës, kërkojnë anulimin e pr...
Duke folur nga Brukseli, ku u mbajt Konferenca Ndërqeveritare, Rama tha se zgjerimi nuk duhet të mbetet tabu dhe se, përballë sfidave të reja dhe luftës, Europa duhet të gjejë mënyra kreative për të avancuar drejtë Integrimit.
BRUKSEL- Kryeministri Edi Rama ka komentuar nga Brukseli propozimin e kancelarit gjerman Friedrich Merz për një qasje të re ndaj zgjerimit të Bashkimit Europian, duke përfshirë idenë e anëtarësimit gradual për vendet kandidate. Duke folur gjatë Konferencës Ndërqeveritare, Rama theksoi se procesi i zgjerimit nuk duhet të mbetet më një “tabu”, ndërsa shtoi se në kushtet e sfidave të reja globale dhe luftës në Europë, BE duhet të gjejë zgjidhje më kreative për integrimin e vendeve kandidate. Ai nënvizoi gjithashtu se vendet kandidate nuk duhet të trajtohen të ndara, duke rikonfirmuar ambicien e Shqipërisë për anëtarësim të plotë në BE.
Rama u shpreh edhe më fort duke deklaruar se Shqipëria është “talebanët e Europës” në kuptimin e vendosmërisë së saj të palëkundur për integrimin europian, duke theksuar se vendi nuk ka asnjë alternativë tjetër përveç Bashkimit Europian. Ai shtoi se çdo qasje e re duhet të synojë një Europë më të bashkuar, jo krijimin e një sistemi me “dy kategori” vendesh, ndërsa paralajmëroi se mbajtja e vendeve kandidate jashtë BE-së është më e kushtueshme sesa integrimi i tyre.
Rama përmendi gjithashtu situatën e Moldavisë, duke thënë se BE nuk duhet të vonojë procesin e integrimit për vende që përballen me presione të jashtme dhe sfida gjeopolitike. Në fund, ai theksoi se Shqipëria mbetet e palëkundur në rrugën drejt BE-së dhe se çdo alternativë tjetër do të ishte në kundërshtim me vlerat themelore të lirisë dhe shtetit të së drejtës në Europë.
Pjesë nga konferenca:
Pyetje- Kam një pyetje për secilin prej jush, është e njëjta pyetje. Kancelari gjerman Merz dërgoi një letër për javën e kaluar te udhëheqësit e BE-së, ku propozoi anëtarësim të asociuar për Ukrainën dhe letra i referohej dhe idesë për gjetjen e zgjidhjeve novatore për vende të tjera kandidate. Kjo letër ka marrë shumë vëmendje këtu dhe po pyesja veten se cilat janë reagimet tuaja a po i diskutoni këto ide dhe specifikisht kjo është edhe për kryeministrin. Çfarë mendoni për idenë e trajtimit të vendeve kandidate ndryshe, duke i prezantuar Ukrainës një opsion ndryshe nga vendet e tjera kandidate. Faleminderit.
Zëvendësministrja për Çështjet Europiane e Qipros, Marilena Raouna: Faleminderit shumë për pyetjen. Vërtetë presidenti ka marrë letrën e kancelarit Merz dhe gjëja e parë për t'u thënë është fakti se kjo letër është po kështu dëshmi e faktit që për shkak të këtij momenti kulmor që kemi në procesin e zgjerimit ka dhe shumë interes të shteteve anëtare për zgjerimin dhe për rezultatet e zgjerimit. Ka angazhim dhe ka pritje për ta çuar përpara agjendën e zgjerimit. Për pjesën e dytë të pyetjes suaj, idetë e shprehura në këtë letër ende nuk janë diskutuar nga shtetet anëtare, por do të thoja që janë pjesë e reflektimeve të përgjithshme të shteteve anëtare për mënyrën se si të çohet përpara agjenda e zgjerimit.
Ajo çfarë mund të them është që duhet të përqendrohemi te çfarë kemi përpara nesh. Dhe çfarë kemi përpara nesh? Kemi faktin që zgjerimi është përparësi absolute për ta çuar përpara këtë agjendë me të gjitha vendet kandidate. Kemi një metodologji të rënë dakord, është metodologjia me të cilën punojmë. Kemi qasjen bazuar në meritë. Kjo është shumë kyçe për besueshmërinë e përgjithshme të zgjerimit dhe kemi po kështu edhe faktin që ky është një proces që kërkon unanimitet dhe kemi atë çfarë parashikojnë traktatet, neni 49 anëtarësimin e plotë. Është po kështu shumë e rëndësishme që partnerët e zgjerimit të trajtohen në mënyrë të barabartë. Komenti i fundit, komisionerja dhe mua më pëlqejnë gjithmonë numrat sepse ndonjëherë i thonë gjërat shumë herë më qartë. Numrat për sa shumë kemi ecur përpara krahasuar me vitet e mëparshme që nga dhjetori, do t'u shtoja atyre numrave që për herë të parë qysh kur kemi krijuar palën “Ad Hoc” për anëtarësimin e Kroacisë dhe asokohe e kam ndjekur këtë proces, për herë të parë që prej asaj kohe kemi një palë “Ad Hoc” të ngritur për hartimin e traktatit të anëtarësimit për Malin e Zi, dhe kjo flet shumë fakti që jemi këtu, flet shumë procesi i zgjerimit dhe negociatat e anëtarësimit, pavarësisht sa komplekse janë dhe duhet të jenë të tilla sepse ky është një proces transformues, është një nga politikat që kanë më shumë ndikim në Bashkimin Europian sepse sjellim anëtarë të rinj në familje. Por pavarësisht këtij kompleksiteti ja dalim të farkëtojmë kompromise që kërkon shumë punë, të gjejmë zgjidhje, të arrijmë konsensus mes shteteve anëtare. Këtë kemi bërë dhe këtë vazhdojmë të bëjmë. Faleminderit minister!
Kryeministri Edi Rama: Për t'i rënë shkurt historisë. Së pari, është shumë me interes dhe e mirëpritur vëmendja e veçantë që Kancelari gjerman i kushton zgjerimit dhe ne e vlerësojmë shumë këtë. Ka qenë një temë, që për disa ishte tabu, e nuk është më tabu. Unë personalisht jam i kënaqur me këtë sepse u bënë disa vite apo që prej disa vitesh që mendoj se duhet gjetur një mënyrë krijuese, sepse jemi në një botë krejt të re. Europa ka një luftë me të cilën duhet të merret në tokën e saj dhe shumë sfida me të cilat duhet të përballet dhe sigurisht një Europë më e bashkuar është më mirë për të gjithë dhe as qeveria e Shqipërisë e as ndonjë qeveri e Ballkanit Perëndimor, por vetë Parlamenti Evopian ka nxjerrë një raport që tregon bazuar në fakte që mbajtja jonë jashtë, është më e kushtueshme sesa marrja jonë brenda, megjithatë ka një diskutim për këtë. Më lejoni t'ju them që letra ju është drejtuar udhëheqësve të shteteve anëtare të Bashkimit Evopian, kësisoj është një diskutim që duhet ta bëjnë ata. Ne presim me padurim për disa ditë që të zhvillojmë Samitin BE-Ballkani Perëndimor, do të kemi, shpresoj hapësirën për ta bërë këtë diskutim dhe kam shansin dhe nderin të ulem përkrah Kancelarit, të ekipeve tona dhe sigurisht do ta diskutojmë këtë gjë.
Por thënë e gjitha kjo mendoj që duhet ta shohim gjerësisht, pa nevojën për të provokuar ndokënd do të thoja, ashtu siç tha Marilena, kandidatët nuk duhet të ndahen. Kjo është e para. E dyta, po Moldavia? Moldavia ju ka mbijetuar dy agresioneve ruse në dy fushata shumë të vështira, e që në dukje e brishtë, por një grua shumë e fortë, Maia Sandu i ka drejtuar me shumë guxim, me një vullnet mjaft të fortë europian, duke ju premtuar moldavëve Bashkimin Europian. E çfarë thonë rusët? Mos i besoni asaj, mos i besoni atyre! Europa kurrë nuk do t'u hapë dyert! Ejani me ne! Tani mendoj që është një bast tejet i madh që të pritet për zgjedhjet e treta pa çelur bisedimet e anëtarësimit për Moldavinë. Sa për Shqipërinë, dëgjoni jemi vendi e kombi më pro europian në Europë, jo sepse e them unë, por sepse çdo barometër i BE-së e thotë një gjë të tillë. Ne jemi talebanët e BE-së, ne nuk do t'i hedhim sytë askund e nuk do të lëkundemi. Çfarëdo të duhet ta bëjmë për të hyrë brenda. Ne do të luftojmë me kokëfortësi për të hyrë brenda, por ka pika të dobëta e dobësi vërdallë që duhen marrë në konsideratë. Në Europën e sotme askush nuk është i vogël mjaftueshëm për t'u lënë për raundin tjetër dhe askush nuk është i madh mjaftueshëm për të qenë i vetëmjaftueshëm. Kjo është pikëpamja ime për këtë.
Komisionerja Europiane për Zgjerimin, Marta Kos: Shkurtimisht për mua sfida më e madhe e procesit të zgjerimit është se si të ngushtohet hendeku midis parimit bazuar në meritë që kërkon kohë dhe si t'ju përgjigjemi situatave të sotme gjeopolitike. Ashtu siç keni thënë i dashur kryeministër, në qoftë se nuk do të mund të integrojmë fqinjësinë apo hapësirat tona të kandidatëve, dikush tjetër mund të hyjë dhe t'i përdorë si armë kundër nesh. Kështu që e shoh letrën e kancelarit Merz si një kontribut pozitiv për të zgjeruar diskutimet se si të mund të ecim me metodologjinë e zgjerimit në kohë të cilat janë krejt ndryshe nga 40 vjet më parë, në kohën kur Portugalia e Spanja u bënë anëtare, e ndërkohë përdorin të njëjtën metodologji pak a ashumë. Kështu që, çdo diskutim nga shtetet anëtare është mjaft, mjaft i mirëpritur më këto kohëra sfiduese.
Pyetje- Dua në fakt t’i kthehem asaj çfarë u tha, mundësisë që vende kandidatë si Mali i Zi dhe potencialisht Shqipëria nuk mund të kenë të drejtë vetoje për vendimet e Këshillit. Sapo pata shansin të pyesja kryeministrin më parë dhe më tha që e mirëpret. Dhe po ju pyes ju, a është kjo diçka që vendet kandidatë duhet ta presin apo konsiderohet kjo si zgjedhje?
Komisionerja Europiane për Zgjerimin, Marta Kos: Së pari të gjitha vendet tona kandidatë kanë mundësi të anëtarësohet si anëtare të plota në BE kur të plotësohen të gjitha kushtet, kjo është baza. Kjo nuk ka ndryshuar aspak, por më keni dëgjuar të flas shumë herë për garancitë sepse na duhet të sigurohemi që në momentin që do të marrim shtete të reja anëtare duhet të jemi më të fortë dhe jo vetëm në fillim, por edhe për 5, 10 e 15 vitet e ardhshme. Se si do të jenë këto garanci, kjo është ende pjesë e diskutimit të brendshëm në Komision mes shteteve anëtare dhe midis Komisionit dhe shteteve anëtare dhe janë marrë në konsideratë një gamë e gjerë mundësish. Në fakt vendet kandidate mund të dinë diçka nga këto diskutime, por asgjë nuk është vendosur. Dua të them që këto garanci do të jenë të padukshme për shtetet e reja anëtare kur të bëhen pjesë, por në qoftë se ndjekin rregulla, në qoftë se nuk ndjekin rregulla do t'i ndjejnë këto garanci fort.
Kryeministri Edi Rama: Më lini të bëj një sqarim sepse kanë përshtypjen që duket sikur flasim për ose kështu ose ashtu, por nuk është kështu. Ne nuk po heqim dorë nga anëtarësimi me të drejta të plota. Kjo ka të bëjë me ndërtimin e një dinamike të re, një dinamikë që i është imponuar Europës nga faktorë të jashtëm. Një dinamikë që na është imponuar të gjithëve nga nevoja për të luftuar atë çka mund të jetë rënia e Europës dhe që është po kështu një dinamikë që na duhet ta përqafojmë për një Europë të Bashkuar, çka do të thotë, që nuk do të thotë krijimi i një Europe me dy klasa a kategori, është për të bërë në një mënyrë ndryshe atë çfarë Helmut Kohl bëri që ditën e parë kur deklaroi kundër çdo parashikimi e kundër çdo lloj dispozite bashkimin e Gjermanisë. Ai nuk pyeti se sa e përgatitur ishte Gjermania Lindore, por gjatë rrugës gjërat ndryshuan dhe bashkimi u bë jo vetëm politik, por edhe në të gjitha mënyrat një realitet.
Një hap politik drejt vendeve që po negociojnë për t'i sjellë brenda pa pritur që të gjithë të bien dakord që këto vende duhet të kenë të gjitha të drejtat, është një ide për t'u eksploruar dhe ndërkohë për t'i dhënë edhe vetë kohë Bashkimit Europian për t'u reformuar siç është thënë shumë herë. E kam dëgjuar shumë herë, e kam dëgjuar nga njerëz që nuk janë më këtu, udhëheqës që më kanë thënë, duhet të prisni derisa ne të reformojmë Bashkimin Europian dhe pastaj do të kthehemi nga ju që t'ju marrim me vete, por nuk do të ndodhë kështu. Nuk mund të ndodhë kështu.
Pika e fundit që dua të ngre është se ne të gjithë duhet të kuptojmë edhe një herë se ka ardhur koha ta luajmë ndryshe lojën tonë dhe sërish kur vjen fjala te Shqipëria, ne jemi shumë të qartë. Nuk kemi asnjë plan B, nuk kemi asnjë alternativë dhe nuk duam të kemi asnjë të tillë sepse çdo alternativë përkundrejt Bashkimit Evopian është një alternativë përkundrejt lirisë së individit, një alternativë përkundrejt barazisë përpara ligjit dhe ne kemi jetuar me të tilla alternativa për shekuj të tërë. Kështu që duam të jemi pjesë e kësaj çfarëdo që të duhet, çfarëdo statusi e çfarëdolloj gjëje, sa më afër aq më mirë.
Ka pasur një përpjekje me planin e rritjes për të luftuar këtë qasjen gjithçka ose asgjë, sepse derisa shkon e ulesh në tryezë nuk ke asgjë. Imagjinojeni pak, një shtet anëtar i BE-së në rajon merr mesatarisht nga Bashkimi Europian 4000 e disa qindra euro për frymë, ndërkohë që ne merrnim nga Bashkimi Europian 132 euro për frymë, një hendek i jashtëzakonshëm. Kështu që Plani i Ri i Rritjes trajtoi këtë gjë me një mekanizëm që tregoi se ishte i dobishëm, por jo i mjaftueshëm më. Ndaj na duhet të bëhemi më shumë dhe kjo është e gjithë ideja. Nuk është ideja të krijojmë Europë me dy nivele qytetarie. Jo, aspak. Ka të bëjë me një Europë tërësisht të integruar me disa faza e lëvizje krijuese, duke respektuar plotësisht metodologjinë në fuqi, duke mos hequr asnjëherë dorë nga procesi i bazuar në meritë, sepse procesi i bazuar në meritë është i mirë për ne. Ne duhet ta bëjmë jo sepse na e kërkojnë ata, por sepse ndihmon vendin të bëhet një demokraci mirëfilli funksionale.
Zëvendësministrja për Çështjet Europiane e Qipros, Marilena Raouna: Një koment i shkurtër nga ana ime për këtë, për t’iu thënë për këtë që është një proces ndërqeveritar, kjo është një ide, ka ide të tjera, ide që janë diskutuar dhe muajt e shkuar dhe do të diskutohen nga organet kompetente të Këshillit dhe të gjitha shteteve anëtare, sigurisht do të thirren të shprehin pikëpamjet e tyre. Presim po kështu me padurim edhe shqyrtimet e para anëtarësimit nga Komisioni, pikërisht për të parë e për të diskutuar se si mund të jemi gati për zgjerimin e ardhshëm, por është po kështu një proces që do të ecë paralelisht me bisedimet për anëtarësim. Pra bisedimet për anëtarësim nuk do të presin që të bëhen këto diskutime për shqyrtimin e anëtarësimit./Dosja.al
BRUKSEL- Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Europian Marta Kos dhe kryeministri Edi Rama shkëmbyen batuta gjatë konferencës p&eum...
Edi Rama BRUKSEL- Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria është e vendosur për të çuar përpara procesin e integrim...
Edi Rama BRUKSEL- Kryeministri Edi Rama deklaroi se partneriteti i Shqipërisë me vendet e Bashkimit Europian po bëhet gjithnjë e më...
Marta Kos BRUKSEL- Komisonerja për Zgjerimin në BE, Marta Kos ka deklaruar se BE do të vijojë të mbështes punën dhe...
Edi Rama BRUKSEL- Kryeministri i vendit Edi Rama, ka deklaruar se BE është një dashuri që sjell vuajtje, por është i lum...
Edi Rama, Marta Kos BRUKSEL- Kryeministri Edi Rama e nisi fjalën e tij me batuta në Konferencën Ndërqeveritare, duke iu drejt...
Marta Kos BRUKSEL- Komisonerja për Zgjerimin në BE, Marta Kos ka deklaruar se Shqipëria është vendi i dytë që ...
Marilena Raouna BRUKSEL- Zëvendësministrja për Çështjet Evropiane të Qipros, Marilena Raouna ka deklaruar se Shqip&eu...
Reinout Vos BRUKSEL- Ambasadori holandez Reinout Vos ka reaguar, pak pas mbajtjes së konferencës ndërqeveritare Shqipëri-BE. N&eum...
Karl Bergner BRUKSEL- Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Karl Bergner ka përshëndetur arritjen e objektivave t&e...