LIVE UPDATES
Editorial

Kur Sokol Sadushi i vë për detyrë vetes të përzërë nga zyra Holta Zaçajn

Pavarësisht precedentëve, zonja Zaçaj zgjodhi që t'i kërkojë mendim Amicus Curiae edhe një herë për të disatën herë Komisionit të Venecias, organ këshillimor për çështje kushtetuese i Këshillit të Europës. Nuk di a ka ndonjë vend anëtar të Këshillit të Europës që mund t'i ketë kërkuar më shumë mendim "Venecias" se sa Shqipëria që prej anëtarësimit të saj në 1995?

12 Dhjetor 2024, 14:14 Nga Endri Xhafo
Kur Sokol Sadushi i vë për detyrë vetes të
endri xhafo

TIRANË- Holta Zaçaj është kryetare e Gjykatës Kushtetuese, Sokol Sadushi është kryetar i Gjykatës së Lartë. Gjykata e Lartë propozon 3 nga 9 anëtarët e Gjykatës Kushtetuese; të tjerët propozohen në mënyrë të barabartë nga Kuvendi dhe Presidenti i Republikës.

Sokol Sadushi njoftoi të martën se Holta Zaçajt i mbaron mandati si gjyqtare në 10 mars 2025. Në fakt këtë njoftim duhet ta bënte vetë Holta Zaçaj. Pse? Sepse ligji përcakton që vakancën, pra mbarimin e mandatit të një anëtari të Gjykatës Kushtetuese, e njofton kryetari i Gjykatës Kushtetuese. Në këtë rast, Zaçaj për Zaçajn. Por Zaçaj nuk e bëri. Atëherë e bëri Sadushi. Pse? Sepse ligji nuk përcakton se ç'ndodh kur kryetari i Gjykatës Kushtetuese "çmendet" dhe nuk njofton vakancën. Por Zaçaj nuk është çmendur, ende! Zonja mendon që mandati i saj si gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese nuk mbaron kur thotë kryetari i Gjykatës së Lartë. Kryetari i Gjykatës së Lartë, nga ana tjetër, mendon se njoftimi i mbarimit të mandatit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese nga kryetari i saj është thjesht një akt formal. Kjo situatë quhet "mosmarrëveshje kushtetuese". Megjithëse konstitucionalistë të ndryshëm mendojnë se kjo historia e Sokol Sadushit është sikur kryetarit të Gjykatës së Apelit t'i shkrepet të thotë se zotit Sadushi i ka mbaruar mandati si kryetar i Gjykatës së Lartë. Me fjalë të tjera, duke qenë në hierarki poshtë Gjykatës Kushtetuese, Gjykata e Lartë nuk mund të inicojë "mosmarrëveshje kushtetuese".

"Mosmarrëveshjet kushtetuese" janë megjithatë normale në demokraci. Ato lindin kur dy apo më shumë institucione e interpretojnë në mënyra të ndryshme të njëjtin ligj; interpretimin përfundimtar, - që i jep fund "mosmarrëveshjes kushtetuese", - e bën… Gjykata Kushtetuese. Nga rasti në fjalë, lind megjithatë një pyetje: A mundet Gjykata Kushtetuese të bëjë intepretimin e një çështje kur në pamje të parë ka konflikt interesi mes anëtarëve të saj dhe çështjes objekt shqyrtimi? Sepse, për rastin konkret, për mandatin e gjyqtares Zaçaj do të duhet të shpreheshin edhe 2 anëtarë të tjerë të gjykatës që kandiduan përballë saj për postin e kryetares dhe, së dyti, – më e rëndësishmja, – përveç mandatit të Holta Zaçajt, në lojë janë edhe mandatet e Sonila Bejtes dhe Elsa Toskës (e dorëhequr). Përgjigja është, po! Gjykata Kushtetuese mund të shqyrtojë edhe në rastet e konfliktit të interesit!

Ka të paktën dy precedentë në këtë drejtim. I pari, në 2010. Gjykata Kushtetuese rrëzoi ligjin për "lustracionin", edhe pse të paktën kryetari i saj, Fehmiu Abdiu, prekej direkt nga ligji. Precedenti i dytë, ligji për vetingun në 2016. Gjykata Kushtetuese nuk e rrëzoi, vetingu mbeti në fuqi dhe procesit iu nënshtruan të gjithë anëtarët e Gjykatës; kjo, edhe pas një mendimi konsultativ të Komisionit të Venecias. Ironi e fatit: Ligji për vetingun i 2016-ës pastroi krejt Gjykatën Kushtetuese nga anëtarët e saj dhe poshtëroi me sadizëm kryetarin Bashkim Dedja për një apartament "të qelbur" 60m², ndërkohë që ligji për "lustracionin" i 2010-ës do të prekte vetëm ndonjë anëtar të gjykatës.

Pavarësisht precedentëve, zonja Zaçaj zgjodhi që t'i kërkojë mendim Amicus Curiae edhe një herë për të disatën herë Komisionit të Venecias, organ këshillimor për çështje kushtetuese i Këshillit të Europës. Nuk di a ka ndonjë vend anëtar të Këshillit të Europës që mund t'i ketë kërkuar më shumë mendim "Venecias" se sa Shqipëria që prej anëtarësimit të saj në 1995?

Loja politike me mandatet te "Kushtetuesja"

Më herët ka pasur një debat të madh se kur fillon mandati i një anëtari të Gjykatës Kushtetuese: Në momentin e mbarimit të mandatit të anëtarit pararendës, pra krijimi i vakancës, apo kur anëtari i ri merr detyrën? Është një çmenduri e vërtetë vetëm ta shtrosh si pyetje, por ja që është shtruar. Në fund duket se ka mbizotëruar logjika: Mandati fillon me marrjen e detyrës! Dhe detyra merret pasi bëhet betimi te Presidenti i Republikës (neni 129 i Kushtetutës). Sa zgjat mandati? Normalisht 9 vjet. Pra, dita e betimit + 9 vjet. Dmth. 365 ditë x 9. Pikë! Aritmetikë e thjeshtë. Rasti i zonjës Zaçaj dhe i një tjetri, - Sandër Becit - janë pak më specifikë.

Në verën e vitit 2016, gjatë ndryshimeve kushtetuese të reformës në drejtësi, u vendos që Gjykata Kushtetuese të përtërihej çdo 3 vjet me një të tretën e saj, pra me 3 anëtarë. Dhe me dispozita kalimtare në Kushtetutë u përcaktua edhe një kalendar, sipas të cilit ai që do të pasonte gjyqtarin të cilit i mbaronte mandati në vitin 2017, do të qëndronte në detyrë deri në vitin 2025. Kurse ai që do të zëvendësonte gjyqtarin mandati i cilit mbaronte në vitin 2020, do të qëndronte në detyrë deri në vitin 2028. Gjithë gjyqtarët e tjerë të Gjykatës Kushtetuese do të bënin mandat të plotë 9 vjeçar (neni 179.3 i Kushtetutës). Kaq thotë Kushtetuta. Asnjë fjalë më tepër!

Gjyqtarja të cilës i mbaroi mandati në 10 mars 2017 ishte Vitore Tusha; pasuesja e saj, Holta Zaçaj. Por Holta Zaçaj u betua vetëm më 25 janar 2023. Çfarë ndodhi ndërkohë? Zonja Tusha qëndroi në detyrë për shumë vite pas mbarimit të mandatit. Pse? Sepse kështu e thotë Kushtetuta: Anëtari të cilit i ka mbaruar mandati rri në detyrë derisa të vijë pasardhësi. Kjo bëhet që gjykata të mund të funksionojë. Mirëpo procedura e emërimit të një anëtari të Gjykatës Kushtetuese mund të marrë kohë. Aq më shumë mori kohë ky proces gjatë spastrimeve masive të gjyqtarëve dhe prokurorëve nga vetingu.

Debati tani është se kur në vitin 2025 mbaron mandati i zonjës Zaçaj? Ajo vetë, në aplikimet që ka bërë në Gjykatën e Lartë si organ emërtese për t'u emëruar si gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese, ka firmosur si afat datën 10 mars 2025, të cilën Gjykata e Lartë (Sokol Sadushi) e ka nxjerrë sipas datës së mbarimit tetë vjet më parë të mandatit të Vitore Tushajt. Dhe, në njoftimin për shtyp të martën për mbarimin e mandatit të Holta Zaçajt, Sokol Sadushi ia thotë me një këmbëngulje cinike mëse një herë që, ti moj zonjë ke firmosur me dorën tënde që mandati të mbaron në 10 mars 2025!

Mirëpo ky interpretim nuk gjendet kërrkund as në Kushtetutë, as në ligje! Madje edhe vetë vendimi i Gjykatës së Lartë për emërimin e zonjës Zaçaj si gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese nuk ka një datë, por ka vetëm vitin 2025.

Holta Zaçaj, këtë herë nga pozitat e kryetares së Gjykatës Kushtetuese dhe jo të aplikantes dosja e së cilës kalon nëpër duart e të tretëve, bën një intepretim bazuar në nenin 148 të Kodit të Procedurës Civile mbi përllogaritjen e afateve, për të thënë se mandati i saj mbaron në ditën e fundit të muajit të fundit të vitit 2025. Për shumë juristë, ky arsyetim qëndron. Por nuk mund të mohosh që ky është një lexim me dy standarde i kohëzgjatjes së mandatit nga vetë zonja Zaçaj. Pse e lexoi ndryshe herën e parë? Dy arsye janë:

Ose, aq dinte, aq bëri; dhe vetëm kur u bë anëtare, – e më pas kryetare, – e Gjykatës Kushtetuese, pati një tjetër lexim më profesional për ligjin;

Ose i bëri copy/paste formulimit të një njoftimi punësimi të Gjykatës së Lartë, që të mos e skualifikonin për "mospërdorim të gjuhës së njoftimit".

Dikush mund të thotë: Po mirë, ç'punë prishin nëntë muaj më herët nga nëntë muaj më vonë për një individ?

Problemi, akoma edhe më kushtetues, duket se lidhet me dy mandatet e tjera që do të duhet të respektonin përtëritjen e Gjykatës me një të tretën. Kush janë ata? Dispozitat kalimtare flasin vetëm për 2 individë: Të identifikuar njëri si Holta Zaçaj dhe tjetri si Sandër Beci (detyrë e marrë në 2020 deri në 2028). Por përtëritja nuk sigurohet.  

Këtu intepretimet vërshojnë lumë. Elsa Toska, e zgjedhur me mandat 9 vjeçar, dha dorëheqjen në shtator, por po rri në detyrë deri sa të vijë pasardhësi. Kushdo që do ta zëvendësojë atë, do të përfundojë mandatin e saj dhe nuk do të fillojë një të ri.

Sonila Bejtes (vazhdim mandati i Besnik Muçit, i dorëhequr), i ka dalë emri si një nga tre personat që duhet të sigurojnë përtëritjen e gjykatës me një të tretën e anëtarëve të saj. Ndërkohë zonja po vazhdon një mandat 9 vjeçar të filluar nga Besnik Muçi në 2019, që duhet të mbarojë në 2028! Hiq Holta Zaçajn, që debatin e ka me Sokol Sadushin vetëm nëse largohet në 10 mars apo në 31 dhjetor, si del që dy zonjat e tjera, Elsa Toska dhe Sonila Bejtja, duhet të largohen edhe ato në 2025, për të siguruar përtëritjen me një të tretën e gjykatës? Nëse bëjmë një veprim aritmetikor dhe vitit 2025 i heqim 9 vjet mandat, rezulati në çon mbrapsht në vitin 2016, kur u krijuan vakancat për këto dy pozicione. Por në këtë mënyrë rikthehemi përsëri te debati idiot nëse mandati fillon kur merr detyrën apo kur krijohet vakanca?

Nga letra që Holta Zaçaj, si kryetare e Gjykatës Kushtetuese, i ka dërguar Komisionit të Venecias, sheh që ajo kërkon një intepretim pikërisht për këtë kontradiktë kushtetuese mes dispozitave që kërkojnë përtëritjen periodike të Gjykatës Kushtetuese çdo 3 vjet me 3 anëtarë dhe garantimin e kohëzgjatjes së mandatit të gjyqtarit kushtetues si garanci për pavarësinë e tij.

Është e qartë që radha e përtëritjes është prishur nga vonesat e gjata në plotësimin vakancave që vetingu krijoi në vetë Gjykatën Kushtetuese. Të kërkosh tani ta zbatosh atë në dëm të mandatit kushtetues të një gjyqtari kushtetues, do të ishte një akt thelbësisht aktikushtetues edhe për një vend si Shqipëria, që të kujton personazhin e Satinës (Nicole Kidman) te "Moulin Rouge" i Baz Luhrmann, kur Harold Zidler, impresario i kabaresë, i tha: Shfaqja duhet të vazhdojë Satinë. Ne jemi krijesa të nëntokës. Dashuria është luks për ne!

Çfarë e motivon Sokol Sadushin?

Ky është terren për spekulime. Dhe spekulimi i parë fillon me fjalinë: Pas Sokol Sadushit janë amerikanët!

Fakt publik: Kryetari Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi është zgjedhur kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED) për vitin 2025.

Ky KED-i është si një apandisit. Një organ që edhe po e hoqe, jeta vazhdon për bukuri! KED-i zgjidhet çdo vit, – sepse aq e ka mandatin, një vjeçar, – me një short me gogla në Presidencë, që i ngjan atij të Telebingos, por për të cilin Presindenca kërkon lidhje direkte në emër të transparencës, çka në fakt përfaqëson vetëm një nga të rrallat raste që edhe Presidenti të "bëjë ndonjë punë" e, për rrjedhojë, të dalë në televizor.

Mirëpo KED-i bën vlerësimin e kritereve profesionale dhe morale të kandidatëve për Inspektor të Lartë të Drejtësisë dhe kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Me fjalë të tjera, nëse Holta Zaçajt i mbaron mandati jo në 10 mars, por në 31 dhjetor, kandidaturën e re do ta shqyrtojë KED-i i 2026 dhe jo ky i 2025-ës ku Sokol Sadushi është kryetar. Por nëse Holta Zaçaj, Elsa Toska dhe Sonika Bejtja largohen nga Gjykata Kushtetuese në 2025 për të siguruar përtëritjen e saj me një të tretën e anëtarëve, 3 anëtarët e rinj do të kalojnë përmes Sokol Sadushit. Ky është fakt. Spekulimi pastaj që bën politika është që emrit të këtij të fundit i shtojnë edhe emrin e Fatmir Xhafajt, "babait" të reformës në drejtësi.

Nga Gjykata Kushtetese bërtasin me zë të shuar për një puç të Sokol Sadushit dhe janë në kërkim të aleatëve për të mbrojtur jo vetëm nëntë muajt e Holta Zaçajt, por sidomos Sonila Bejten dhe Elsa Toskën (pasuesin). Të vështirë e kanë të gjejnë aleatë në këto kohë, pas disa vendimeve skandaloze të Gjykatës Kushtetuese, që maskohen me termin "komplekse". Po ashtu të njëjtat burime nga Gjykata Kushtetuese nuk e lidhin vendimin e zotit Sadushi për të përzënë Holta Zaçajn me kërkesën e Holta Zaçajt për "Venecian" për mandatin e deputetes Xhaçka. Por në politikë nuk ka rastësi! Dhe të besosh të kundërtën, është naivitet!

endri xhafo sokol sadushi holta zaçaj

Sondazh

Poll
Editorial 12 Dhjetor 2024, 10:05 Meri Lika

S.P.A.K (Sot Politika Akoma Kap)

Meri Lika TIRANA- Ka shumë entuziastë në lidhje me veprimtarinë e SPAK-ut, do kisha dashur shumë që edhe unë të ish...

Editorial 11 Dhjetor 2024, 11:33

Goditje reformës në drejtësi

Sokol Sadushi TIRANA- Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, ka shpallur këtë të Mërkurë procedurën p&eu...

Editorial 2 Dhjetor 2024, 19:48 Hans Henri P. Kluge dhe Robb Butler

Pse njerëzit ende vdesin, pa arsye, nga SIDA?

  Hans Henri P. Kluge (Drejtor Rajonal i OBSH-së për Europën) dhe Robb Butler (Drejtor i Divizionit të Sëmundjeve Transmetuese,...

Editorial 25 Nëntor 2024, 18:08 Meri Lika

Ramakracia

meri lika TIRANË- Edhe gjyshja ime thoshte gjëra të mençura, tani aq të mençura sa të gjyshes së Ramës jo,...

Nesër protestë para Kuvendit! Paralajmëron protestuesi: Më 23 tubimi i madh

Nesër protestë para Kuvendit! Paralajmëron protestuesi: Më 23 tubimi i madh

Protestuesi: Nuk ndalojmë deri në largimin e atij që është strukur në Kryeministri

Nis marshimi drejt Kryeministrisë, protestuesit bëjnë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit

Dita e 50-të e protestës/ Nis grumbullimi në sheshin "Skëndërbej"

Kryeministri Rama kryen nderimet në homazhet për gazetarin Enrik Mehmeti

Emigrantët bllokohen në pikën kufitare mes Kroacisë dhe Serbisë, kërkojnë informacion

Pesë turistë gjermanë mbetën të bllokuar në Karaburun, ekipet e shpëtimit bënë të mundur gjetjen

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Fëmijët e birësuar të Brad Pitt nisin procedurat për të mos mbajtur mbiemrin e të atit

Ish-drejtoresha e filialit të Postës së Durrësit u la në burg/ Avokati: Vendim absurd

Kuvendi Kombëtar i Protestës/ Folëses i merret mikrofoni nga dora: Edi Rama të japë dorëheqjen

Tentoi te merrte pjesë në Kuvendin Kombëtar të protestës/Selami Jenisherin nxirret jashtë

Berisha: Do bëjmë gjithçka për të paraqitur realitetin shqiptar pranë Komisionit Evropian

Falja e pronave publike në Dhërmi e Palasë/ Berisha: PD nuk do i njohë kurrë këto vendime të Ramës

Berisha: Rama nuk e dënon ministren monstër të Beogradit sepse është vasal i Vuçiçit

Berisha: Ftoj çdo demokrat që të marrë pjesë në protestë dhe të bëjë gjithçka për suksesin e saj

Berisha: Ky është procesi më i thellë i ripërtëritjes së PD që nga themelimi i saj!

“Neomalsorja” i bashkohet protestës së 49-të para Kryeministrisë: Rezistenca e qytetarëve nuk ndalet

Regjisori krijues i Star Wars mbështet Inteligjencën Artificiale

Rama: Deri në 1 mld euro mbështetje për bizneset, kredi deri në 2 milionë euro me interesa të ulëta

Rama i kthehet biznesmenit: Në Shqipëri ka para të pista, por s'mund t'i veshim këtë kostum vendit

Rama i përgjigjet komentuesve: Ka qeveri që bëjnë punë të mira, ka që bëjnë të këqija

Dyfisho sipërmarrjen tënde/ Rama: Cikël takimesh me bizneset e interesuara

Moment paniku në Theth! Guri bie mbi makinë, turistët shpëtojnë pa lëndime

Përfaqësuesi i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve:Dua të përcjell mbështetjen e profesoratit

Plagosja me thikë te Poliklinika e Shkodrës, dalin pamjet e rënda!

Si po ecën marrëdhënia mes Ariana Grande dhe ish të dashurit të saj pas ndarjes me Ethan Slater?

Nuk më pëlqen ta ekspozoj jetën time, Benny Blanco rrëfen si po mësohet me jetën e Selena Gomez

Edi Rama përmend vrasjen e Martin Canit: E kujtoj çdo ditë, ata që e përdorën për politikë e harruan

Rama: Kemi hyrë në zemër të problemit, djegia e makinës pas krimit nuk mund të ndodh më

Kush është modelja që u bë virale për ngjashmërinë me futbollistin Erling Haaland?

Kujtimet tona do të jetojnë gjithmonë, mesazhi i Donatella Versace për të vëllain Gianni Versace

Berisha: Dënoj heshtjen prej vasali të qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së ministres së Vuçiçit

Berisha: Drejtimi i PD është ripërtërirë me personalitete ndër më të shquarit në fushat e tyre

Berisha uron drejtuesit e rinj të PD: Vota e lirë në themel të kësaj force politike

Çfarë detajesh tërhoqën vëmëndjen në festimet e ditëlindjes së Jennifer Lopez në Paris?

Salla: Fermeri do ta shohë prodhimin edhe si aset për financim

Përplasje e ashpër në Kuvend/ Bido: Populizëm që dëmton Kosovën

Tentoi të transportonte pistoleta! Kapet në tunelin e Skërficës, 31-vjeçari

Ndryshimet në "Ligjin për Turizmin", Balla: Pezullohen punimet në bregdet gjatë sezonit turistik

Balla mbron Ramën nga Redi Muçi: Lani gojën kur t'i përmendni emrin

Deklarata diskriminuese e ministres serbe/ Muçi akuzon Ramën për heshtje: Çfarë pret kryeministri?

Spiropali dërgon në Asamblenë e PS mocionin për hapjen e partisë

Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, ‘blindohet’ me autobotë uji dhe forca të shumta policore

Ilirjana Kuçana akuzon lidershipin për shkelje të Statutit dhe "Mulizim" të partisë

Protestuesja: Shqipëria nuk e përmban dot një koncert si të Kanye West, vendi ynë ka marrë fund

Thirrjet për Ramën, protestuesi: Traumë për fëmijët të thonë Rama jep dorëheqjen

Dita 46-të e protestës/ Protestuesi: Sali Berisha dhe Edi Rama të thyejnë qafën

Protesta qytetare bën bashkë shqipëtarë nga çdo krahinë, valëviten flamujt nga diaspora

Protesta e 46-të/ Mbyllen fjalimet para Kryeministrisë, nis marshimi rrugëve të Tiranës